• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“VATRA” LONG ISLAND, NEW YORK DHE SHKOLLA SHQIPE “GJERGJ FISHTA” FESTUAN PAVARËSINË E SHQIPËRISË

December 2, 2025 by s p

Mësuese Fabjola Gjinaj/

Më 28 nëntor 2025, “Vatra” Long Island dhe shkolla shqipe “Gjergj Fishta” në New York festuan së bashku Pavarësinë e Shqipërisë me pjesëmarrjen e komunitetit shqiptar. Aktiviteti u hap me ngritjen e flamurit kombëtar shqiptar përkrah atij amerikan. Për herë të parë flamuri u ngrit pranë degës së “Vatrës” në Long Island nga komuniteti shqiptar, ndërsa u lexua edhe Akti i Pavarësisë së Shqipërisë.

Më pas u intonuan himni amerikan dhe himni kombëtar shqiptar. Aktiviteti u moderua nga Sekretari i “Vatrës”, i cili përshëndeti të pranishmit dhe ftoi kryetarin e “Vatrës” në Long Island, Dr. Paulin Marku. Në fjalën e tij, Dr. Marku përshëndeti të ftuarit dhe shprehu mirënjohjen për shtëpinë botuese “Gjergj Fishta”, si dhe falënderoi studiuesin e publicistin Frano Kulli për pjesëmarrjen dhe mbështetjen e vazhdueshme të shkollës dhe degës së “Vatrës”. Ai falënderoi edhe Prof. Dr. Luigj Gjokën për angazhimin e tij të vazhdueshëm në aktivitetet e komunitetit.

Kryetari vlerësoi vatranët e degës, prindërit dhe stafin pedagogjik të shkollës “Gjergj Fishta”, duke shprehur krenarinë për bashkëpunimin, arritjet dhe progresin e nxënësve, të cilët shquhen në recitime, këngë dhe valle nga treva të ndryshme shqiptare. Ai uroi Gëzuar Pavarësinë e Shqipërisë për të gjithë shqiptarët kudo ndodhen.

Editori i gazetës “Dielli”, Sokol Paja, në pamundësi për të qenë i pranishëm fizikisht, përcolli fjalën përshëndetëse me rastin e Pavarësisë së Shqipërisë, duke uruar organizatorët për Simpoziumin me vlera historike kushtuar kësaj dite të shënuar. Ai theksoi se shkolla “Gjergj Fishta” dhe “Vatra” Long Island përbëjnë dy institucione patriotike që kontribuojnë në ruajtjen e gjuhës shqipe, historisë dhe identitetit kombëtar në diasporë.

Në vijim, studiuesi Frano Kulli mbajti kumtesën “Enti botues ‘Gjergj Fishta’ dhe kontributi i tij në zbardhjen e materialeve arkivore”. Ai theksoi se botimet e institucionit që drejton kanë nxjerrë në dritë dokumente të rëndësishme historike, letrare e klerikale lidhur me figura të shquara si Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Ndoc Nikaj e të tjerë. Kulli dhuroi për shkollën kolonën e plotë të Fishtës prej 10 librash dhe një kopje portreti të Fishtës, punuar mjeshtërisht nga piktori Pashk Pervathi, sjellë enkas nga Shqipëria.

Akademik, Prof. Dr. Beqir Meta u përfaqësua me kumtesën “Vatra dhe shteti shqiptar gjatë viteve 1920–1921”, ku u ndal te roli i jashtëzakonshëm i Federatës “Vatra” në konsolidimin e shtetit të ri shqiptar, lobimin në arenën ndërkombëtare dhe mbështetjen financiare që i dha vendit përmes Huasë Kombëtare.

Prof. Dr. Luigj Gjoka mbajti kumtesën “Pavarësia e Shqipërisë dhe rëndësia e përkujtimit në Shqipëri, Kosovë dhe diasporë”, duke theksuar se kjo ditë përbashkon shqiptarët anembanë botës dhe përbën një moment krenarie kombëtare.

Dr. Paulin Marku paraqiti kumtesën “Qasja politike dhe diplomatike e shqiptarëve për fitimin e Pavarësisë”, duke theksuar rolin e Lidhjes së Prizrenit, kryengritjeve shqiptare, elitës politike në Stamboll dhe lobimit ndërkombëtar të Ismail Qemalit.

Në përmbyllje të simpoziumit përshëndeti edhe poeti vatran Prend Ndoja, i cili vlerësoi rëndësinë e bashkimit të shqiptarëve në diasporë dhe rolin e shkollës shqipe në ruajtjen e gjuhës e kulturës.

Zonja Borana Coka, prind i shkollës, foli për rolin e grave në historinë e shtetit shqiptar dhe falënderoi stafin pedagogjik për punën e tyre me nxënësit.

Edhe z. Nikoll Gjinaj përcolli urime për Pavarësinë, duke vlerësuar bashkëpunimin e komunitetit dhe suksesin e shkollës “Gjergj Fishta”.

Mësuesja dhe bashkëthemeluesja Fabjola (Gjinaj) Marku falënderoi komunitetin për pjesëmarrjen dhe bashkëpunimin gjatë vitit shkollor, duke theksuar rëndësinë e aktiviteteve që mbajnë gjallë identitetin shqiptar në diasporë. Ajo shprehu mirënjohje të veçantë për mësuese Dorina Durrën për kontributin në përgatitjen e koncertit të nxënësve.

Mësuesja Dorina Durra uroi Pavarësinë dhe vlerësoi progresin e nxënësve dhe unitetin e komunitetit.

AKTIVITETI MUZIKOR PËR FESTËN E PAVARËSISË

Programi muzikor dhe recitalet e nxënësve të shkollës “Gjergj Fishta” u përgatitën nga mësuese Fabjola (Gjinaj) Marku dhe mësuese Dorina Durra.

Programi, i prezantuar nga Alisia Durra dhe Alex Qepuri, përfshiu:

Deklaratën e Pavarësisë – Alex Qepuri

Këngën “Për mëmëdhenë” – Olivia Kokona

Vargjet e Fishtës “Gjuha shqipe” – Bora Loxha, Emeli Marku, Arnisa Muçaj dhe Alisia Durra

“Festa e Flamurit” – Kamila Marku

“28 Nëntori” – Ajla Durra dhe Parta Loxha

“Atdheu” – Arnisa dhe Arnis Muçaj

Vallja e Çamërisë – nxënësit e shkollës

“Nëntori” – Parta Loxha

Recitime të të vegjëlve – Bojken Baraktari, Aron Domi, Era Bajraktari

“Jam Shqiponja” – Emeli Marku

“Babai pyeti Benin” – Ajla Durra

“Jam djalë Dukagjini” – Alex Qepuri

“Shqipe, hapi krahët fluturo” – Dritëroi, Shqiptari dhe Albin Mulaj

“Shqipe nga Kosova” – Arnisa dhe Arnis Muçaj

Vallja me motive matjane – nxënësit e shkollës

“O malet e Shqipërisë” (Naim Frashëri) – Alex Qepuri

“Fjalët e Qiriut” – Emeli Marku, Bora Loxha, Alisia Durra

Vallja e Tropojës – nxënëset e shkollës

“Xhamadani vija-vija” – grupi i të vegjëlve

“Kuq e Zi” – Alisia Durra dhe Alex Qepuri

“Vatra” Long Island dhe shkolla “Gjergj Fishta” organizuan gjithashtu një koktej rasti dhe prenë tortën e Pavarësisë. Në fund, organizatorët falënderuan të gjithë nxënësit për performancat, si dhe stafin, prindërit dhe të gjithë ata që kontribuuan në realizimin e këtij aktiviteti të bukur. Gëzuar Pavarësinë e Shqipërisë! Zoti e bekoftë atdheun tonë!

Filed Under: Opinion

“Albanian BookFest”, urë miqësie e komunikimi me lexuesin shqiptaro-amerikan

December 1, 2025 by s p

Sokol Paja/

New York, 30 nëntor 2025 – Festivali i librit shqip “Albanian BookFest”, organizuar nga Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra përfundoi me sukses ngjarjen më të rëndësishme kulturore e letrare në mërgatën shqiptare të Amerikës. Libri shqip si urë miqësie e komunikimi me lexuesin shqiptaro-amerikan, për dy ditë me radhë bashkoi dashamirës të librit, lexues, studiues, gazetarë, përkthyes, shkrimtarë e veprimtarë shqiptaro-amerikanë të cilët patën mundësinë jo vetëm që të aksesojnë letërsinë më të mirë shqiptare por edhe të njihen me shtëpitë botuese, botuesit më në zë në hapësirën shqiptare Bujar Hudhri e Frano Kulli, të njihen me ekspertizën e mendimin kritik rreth librit, botimeve e lexuesve prej ekspertëve më të mirë e gazetarëve që diskutuan në panele me publik pjesëmarrës aktiv e shumë të interesuar.

Në ditën e dytë të festivalit “Albanian BookFest” famullitari i Kishës Katolike Zoja e Shkodrës Dom Pjetër Popaj në fjalën e hapjes u shpreh rreth rëndësisë së mbështetjes së letërsisë shqiptare dhe për të promovuar gjuhën tonë amtare. “Ne shqiptarët në mërgatë kemi një detyrë të shenjtë: ta mbështesim librin si mjet urëlidhës me kulturën, historinë dhe identitetin tonë kombëtar. Letërsia shqipe është pasqyrim i shpirtit tonë si popull, një arkiv i gjallë që ruan kujtimet, mësimet dhe rrëfimet që na kanë mbajtë gjallë ndër shekuj. Në mënyrë të veçantë, letërsia jonë është e pasuruar nga autorët klerikë – priftërinj, fretër, e studiues të Kishës – të cilët jo vetëm kanë predikuar fenë, por kanë mbrojtur gjuhën, kulturën dhe identitetin shqiptar në kohët më të vështira. Veprat e tyre teologjike, historike e letrare janë një thesar që ka ndihmuar të ruhet shqipja, të ngrihet vetëdija kombëtare në kohët më të vështira dhe të formohet kultura jonë e sotme” tha ndër të tjera Dom Pjetër Popaj. Festivali i librit shqip krijoi një mjedis të shkëlqyer komunikativ e kulturor mes lexuesve, shkrimtarëve, përkthyesve, botuesve dhe studiuesve të cilët themeluan një traditë të shkëlqyer për vitet që vijnë. Gazetari dhe diplomati Virgjil Kule në fjalën e tij theksoi se rënia e lexuesve të librit ka sjellë dekadencë morale, shoqërore dhe shpirtërore. “Rrjetet sociale të influencuar politikisht disinformojnë e turbollojnë njeriun. Humbja e terrenit të librit në raport me teknologjinë dhe rrjetet sociale, ka prodhuar një njeri që mendon me mendjen e tjetrit” saktësoi z.Kule. Në kushtet e një libri pa mesazhe specifike, z. Kule tha se shkrimtarët dhe shtëpitë botuese duhet të kërkojnë ndaj autorëve libra me vlera, teksa panairi i librit do të bëjë që të kemi më shumë lexues, shteti duhet të bëjë më shumë për të përkrahur botimet e reja e veçanërisht botimet cilësore.

Në përfundim të festivalit të librit “Albanian BookFest” Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra nderoi me “Mirënjohje” shtëpinë botuese “ONUFRI” me motivacion: “Për kontributin e jashtëzakonshëm nëmbështetjen dhe promovimin e letrave shqipe, duke botuar me standardet më të larta estetike korifenjtë e letërsisë sonë kombëtare. Përkushtimi juaj për të sjellë te lexuesi, në Tiranë dhe përtej oqeanit, veprat monumentale që përbëjnë palcën e identitetit tonë kulturor, meriton mirënjohjen e thellë të çdo shqiptari”. Po ashtu Vatra nderoi me “Mirënjohje” Entin Botues “GJERGJ FISHTA” me motivacion: “Për kontributin e paçmuar në restaurimin e memories kombëtare dhe rikthimin në dritë të vlerave të anatemuara të kulturës shqiptare. Me një vizion të qartë atdhetar, nën drejtimin e z. Frano Kulli, ky ent botues ka pasuruar bibliotekën tonë me vepra dëshmuese dhe historike, duke shërbyer si gardian i identitetit dhe i traditës së shkëlqyer të letrave shqipe”.

Komisioni organizativ i përbërë nga Dr. Pashko Camaj, Dr. Paulin Marku e Sokol Paja organizuan festivalin e librit ” Albanian BookFest” 2025 dhe drejtuan mbarvajtjen e kësaj iniciative të ndërmarrë nga Federata Pan-shqiptare e Amerikës “Vatra”. Ky ishte vetëm fillimi. Mirë u takofshim në panairin e radhës, 2026. Federata Vatra falenderon në mënyrë të veçantë dhe shpreh mirënjohje për të gjithë pjesëmarrësit në festën e librit shqip si kontribut e përkushtim ndaj gjuhës, kulturës, letërsisë e komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Filed Under: Opinion

“ALBANIAN BOOKFEST” SI KONTRIBUT KOMBËTAR I FEDERATËS VATRA NË MBËSHTETJE E PROMOVIM TË KULTURËS E LETËRSISË KOMBËTARE NË MËRGATËN E AMERIKËS

November 30, 2025 by s p

Sokol Paja/

New York, 29 nëntor 2025 – “Albanian BookFest” si organizim e kontribut i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra në bashkëpunim me shoqatat kryesore patriotiko-kulturore, shkollat shqipe dhe klubet e studentëve shqiptarë në New York, New Jersey, Philadelphia etj, çeli siparin me një ceremoni madhështore në Qendrën Kulturore “Nënë Tereza” të Kishës Katolike Zoja e Shkodrës në New York. 26 shtëpi botuese, 230 autorë shqiptarë dhe mbi 3 mijë libra për publikun shqiptaro-amerikan krijuan një atmosferë të shkëlqyer kulturore për të gjithë publikun. Festa madhështore e librit si shqip ngjarje e jashtëzakonshme kulturore dhe atdhetare filloi me fjalën përshëndetëse të Dom Pjetër Popajt i cili falënderoi Federatën Vatra për organizimin dhe bekoi krijimin e kësaj traditë letrare e kulturore të rëndësishme për komunitetin shqiptar në Amerikë. Kryetari i Vatrës Dr. Elmi Berisha në fjalën e tij falënderoi shtëpitë botuese dhe autorët pjesëmarrës në mënyrë të veçantë Bujar Hudhrin nga shtëpia botuese “Onufri” dhe Frano Kullin nga shtëpia botuese “Gjergj Fishta”. Dr. Berisha përgëzoi në mënyrë të veçantë komisionin e festivalit të librit: Dr. Pashko Camaj, Dr. Paulin Marku, Sokol Paja dhe Ilir Cubi për mbështetjen logjistike. Kryetari i Vatrës Dr. Elmi Berisha theksoi se Federata Vatra do ta mbështesë vit pas viti këtë ngjarje kulturore që bashkon shqiptarët rreth librit e dijes.

Ambasadori i Shqipërisë në Washington Ervin Bushati lavdëroi punën e Vatrës në krijimin e një mundësie që libri shqip të mbërrijë te shqiptarët e Amerikës. Botuesi Bujar Hudhri theksoi nevojën dhe domosdoshmërinë që librat më të mirë klasikë e modernë të jenë të aksesueshëm për çdo lexues ku për shkak të emigrimit, shqiptarët që lexojnë kanë ikur nga Tirana dhe libri duhet të mbërrijë kudo ku ka shqiptarë. Rreth raportit të lexuesit me librin dhe sfidat e botuesve foli Frano Kulli, kurse studiuesi Dr. Paulin Marku theksoi botimin e librave për fëmijë për shqiptarët në diasporë. Gazetari Gjekë Gjonlekaj diskutoi rreth rëndësisë së shpërndarjes së librit shqip në institucionet amerikane ndërsa kontributori kryesor i festivalit të librit “Albanian BookFest” Dr. Pashko Camaj rrëfeu detaje të kristalizimit të idesë bashkë me Bujar Hudhrin që shqiptarët e Amerikës të kenë një festë libri si ngjarje kulturore mbarëkombëtarë që bashkon shqiptarët e mërguar përmes librit.

Një pjesë shumë e rëndësishme e festivalit të librit ishte bashkëbisedimi i autorëve Frank Shkreli, Bujar Hudhri, Frano Kulli e Dr. Pashko Camaj rreth: raportit që krijon libri me lexuesin në kuadër të zhvillimeve teknologjike e shoqërore, kriza e leximit dhe sfidat e autorëve e shtëpive botuese, çfarë preferojnë e lexojnë më shumë shqiptarët sot? rëndësia e librit shqip në Amerikë etj.

Festa e librit u shoqërua me përformanca artistike, këngë, valle, recitime, poezi e orkestrime nga nxënësit e shkollës shqipe “Gjergj Fishta”, grupi “Rozafati” dhe “Barbana” nga shoqata Kraja dhe Ana Malit. Ky festival libri është ngjarja më e fuqishme kulturore që promovon letërsinë, kulturën dhe identitetin kombëtar shqiptar në diasporën e Amerikës e më gjerë.

Filed Under: Opinion

“Proklamimi i Pavarësisë së Shqipërisë”

November 30, 2025 by s p

Prof. Dr. Sylë UKSHINI/

Gjatë hulumtimeve të mia në Bibliotekën e Përgjithshme të Universitetit të Vjenës, në vitin 2009, pata mundësinë të konsultoja koleksionin e revistës së ilustruar vjeneze Das Interessante Blatt, një burim i rëndësishëm mediatik që ka pasqyruar me vëmendje të veçantë zhvillimet politike dhe shoqërore në Shqipëri gjatë dhe pas Shpalljes së Pavarësisë. Ndër materialet më domethënëse të këtij koleksioni veçohet një skicë historike jashtëzakonisht e vlefshme, e botuar më 12 dhjetor 1912, vetëm dy javë pas aktit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Kjo skicë përfaqëson një nga vizualizimet më të hershme europiane të kësaj ngjarjeje madhore dhe shërben si një dëshmi vizuale e rëndësishme mbi mënyrën se si opinioni publik austriak dhe më gjerë e perceptonte themelimin e shtetit shqiptar, duke reflektuar interesimin e kohës për rolin gjeopolitik të Shqipërisë në Ballkan. Kjo është një skicë historike shumë e vlefshme, e botuar në revistën austriake “Das Interessante Blatt”, më 12 dhjetor 1912, vetëm dy javë pas Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Ajo paraqet një nga vizualizimet më të hershme europiane të kësaj ngjarjeje.

Përshkrimi i skicës

Skica paraqet momentin solemn të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë më 28 Nëntor 1912. Në qendër të kompozicionit shfaqet Ismail Qemali, me mjekër të bardhë dhe i veshur me kostum europian, ndërsa po ngrit flamurin shqiptar – flamurin e Skënderbeut, të cilin e tund mbi turmën e mbledhur.

Rreth tij qëndrojnë disa figura të njohura të kohës, përfaqësues të viseve të ndryshme shqiptare, të veshur me kostume tradicionale, me plis, tirqe dhe elemente të kulturës shqiptare. Aty shihen edhe klerikë, atdhetarë dhe delegatë të Kuvendit të Vlorës, të cilët dëshmojnë për pluralizmin dhe unitetin kombëtar që karakterizoi këtë moment historik.

Poshtë tribunës ndodhet një turmë e madhe njerëzish, e cila brohoret me gëzim, mban flamuj, përshëndet dhe feston. Skica jep atmosferën entuziaste të ditës së pavarësisë: njerëz me kapele tradicionale, luftëtarë të armatosur, qytetarë, të rinj e të moshuar — të gjithë të bashkuar për të përshëndetur lindjen e shtetit shqiptar.

Në sfond vihen re ndërtesat e Vlorës së fillim shekullit XX – shtëpi me çati të ulëta, minareja e xhamisë dhe rrugicat e qytetit të vjetër bregdetar.

Titulli i revistës është:

“Proklamimi i Pavarësisë së Shqipërisë”.

Nën titull shkruhet:

= “Formimi i një qeverie të përkohshme në qytetin port të Vlorës.” Revista shënon se Ismail Qemali, i rrethuar nga përfaqësues të viseve të ndryshme shqiptare, shpall pavarësinë e vendit dhe krijon qeverinë e përkohshme shqiptare.

Vlera historike e skicës

Është një nga dokumentimet e para vizuale europiane të shpalljes së pavarësisë. Tregon perceptimin e Austro-Hungarisë, një fuqi e interesuar për çështjen shqiptare. Dëshmon vëmendjen që perandoria i kushtonte zhvillimeve në Shqipëri dhe Ballkan.

Reflekton simbolikën e unitetit kombëtar dhe atmosferën e gëzimit të asaj dite historike

Në rrafshin historiografik, kjo skicë ka vlerë të shumëfishtë. Së pari, ajo dëshmon interesimin e vazhdueshëm të opinionit publik dhe institucioneve kulturore austriake për ngjarjet në Shqipëri, në një periudhë kur Austro-Hungaria luante një rol aktiv në çështjen shqiptare dhe në arkitekturën politike të Ballkanit.

Së dyti, vizualizimi i momentit të Shpalljes së Pavarësisë në një revistë të gjerë të Perandorisë tregon se çështja shqiptare nuk ishte thjesht një zhvillim lokal, por një ngjarje me peshë ndërkombëtare, e vëzhguar nga qendra të rëndësishme politike dhe kulturore të kohës. Së treti, skica ofron një perspektivë të jashtme mbi ceremoninë historike të Vlorës, duke dokumentuar jo vetëm figurën qendrore të Ismail Qemalit dhe bashkëpunëtorëve të tij, por edhe atmosferën popullore që e shoqëroi aktin e pavarësisë. Si e tillë, ajo përbën një burim të çmuar për studimin e ikonografisë së pavarësisë dhe të mënyrës sesi lindja e shtetit shqiptar u reflektua në hapësirën mediatike europiane të fillimshekullit XX.

Filed Under: Opinion

AUTORI ISMAIL QEMAL VLORA

November 28, 2025 by s p

Dr. Evarist Beqiri/

✍️ Në fillim të viteve 1900, kur Ismail Qemal Vlora ishte në azil vullnetar politik në Bruksel, mori për disa kohë drejtimin e gazetës “Albania”, më pas ia la sërish drejtimin e saj Faik Konicës.

📰 Ndërkohë, ai filloi të botone gazetën “Shqipnia”. Ai ishte kryeredaktori i gazetës që botohej në Bruksel në 3 gjuhë, shqip, greqisht dhe osmanisht. Shkrimet e tij trajtojnë kryesisht çështjen e zgjimit të ndërgjegjjes kombëtare shqiptare në prag të rrëzimit të Perandorisë Osmane.

Kësaj periudhe i përket edhe një libër i shkruar nga Ismail Qemali. Ai u botua në osmanisht në vitin 1900, dhe u përkthye në frëngjisht, anglisht dhe arabisht një vit më vonë, çka tregon ndikimin e tij të rëndësishëm. Vlera e këtij botimi theksohet edhe në një letër të ambasadorit britanik në Kostandinopojë, Sir Nicholas R. O’Conor, dërguar kryeministrit Lord Salisbury. Një version i shkurtuar në anglisht u botua gjithashtu në “The Fortnightly Review”, një nga periodikët më të rëndësishëm britanikë të kohës.

📚 Libri i Ismail Qemalit “Çështja Transvaalit ose Roli Civilizues i Britanisë së Madhe nga një Perspektivë Myslimane”, është një traktat për marrëdhëniet ndërkombëtare. Dy ishin motivet kryesore të shkrimit të këtij libri. Evidentimi i rolit të Britanisë së Madhe si fuqi civilizuese dhe sigurimi i mbështetjes britanike për çështjen shqiptare. Shqiptarët ishin i vetmi komb ballkanik pa përkrahjen e Fuqive të Mëdha në përpjekjen e tyre për liri. Vetëm një dekadë më vonë, ai do të shpallte Pavarësinë e Shqipërisë. 🇦🇱

📝 Sipas biografisë së tij zyrtare osmane, Ismail Qemali është autor edhe i revistës “Aplikimi Ideve”, ku trajtonte tema filozofike dhe shkencore, si edhe i një studimi juridik mbi burgosjen për borxhe.

Më herët, gjatë shërbimit të tij në Vilajetin e Danubit, Ismail Qemali mbajti tre detyra kyçe: Drejtor i Departamentit të Çështjeve Politike, Shef i Zyrës së Korrespondencës dhe Kryeredaktor i gazetës Le Danube/Tuna /Dunav (1865–1877).

Kjo ishte gazeta e parë zyrtare e një vilajeti në Perandorinë Osmane. Ajo krijua për të mbështetur politikat e administratës provinciale. Ajo botohej njëkohësisht në turqisht osmane dhe bullgarisht, me redaktorë nga të dy komunitetet.

Kryeredaktorët e saj ishin Ismail Qemali dhe Ahmed Midhat Efendi, ky i fundit një nga figurat më të njohura të gazetarisë dhe letërsisë osmane të fundit të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX.

Ndërkohë, më 1920, u botua në Londër, libri me kujtimet e Ismail Qemal Bej Vlorës, në formën e një autobiografie me redaktimin e gazetarit Sommerville Story, dhe me parathënien e autorit amerikan William Morton Fullerton me titullin “The Memoirs of Ismail Kemal Bey”. Domethënës është fakti që Ismail Qemal Vlora është i vetmi personalitet i shquar i Perandorisë Osmane, kujtimet e të cilit janë botuar pikësëpari në anglisht.

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • …
  • 868
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Antonio Bellushi (1934, Frasnitë – 19 qershor 2024) mbledhës i zellshëm dhe studiues i pasurive etnokulturore e gjuhësore të Arbëreshëve dhe Arbërorëve
  • Jetimi që nxori zbuluar shtetin…
  • Qyteti antik 2400-vjeçar i Çukës së Aitoit
  • Dita e Veteranëve, përkujtojmë shqiptarët që shërbyen me nder në Ushtrinë e SHBA
  • Lëvizjet e popullsisë shqiptare jashtë kufijve shtetërorë dhe vendosja e saj në Shqipëri: Një analizë historiko – hartografike dhe socio – ekonomike
  • “DUA”, propozimi zyrtar i Kosovës për Oscar në kategorinë “Filmi më i mirë ndërkombëtar”
  • 1928 / URA E ZOGUT MBI LUMIN MAT — RRËFIMI EKSKLUZIV I ERWIN SCHNITTER, INXHINIERIT ZVICERAN QË DREJTOI PUNIMET PËR NDËRTIMIN E SAJ
  • NIKOLLA NAÇO (1843–1913) – ATDHETARI QË E VURI PASURINË, DIJEN DHE JETËN NË SHËRBIM TË SHQIPËRISË
  • MURI I BERLINIT RA, POR MURET POLITIKE DHE IDEOLOGJIKE MIDIS SHQIPTARËVE VAZHDOJNË TË QËNDROJNË
  • Dy “Qemalët” e mëdhenj që themeluan dy shtete mbi rrënojat e një perandorie
  • THANK YOU to the City of St. Petersburg and Chief Anthony Holloway for Supporting Albanian School VATRA!
  • A egzistonte koncepti i kombit në kohën e Skënderbeut?
  • Dardane Halimi: “ALB Connection was created to give every Albanian-owned business in America a voice and visibility”
  • KRIJIMI I NJERIUT TË RI: NGA IDEOLOGJIA KOMUNISTE TE KULTURA E PËRFITIMIT NË SHQIPËRINË E SOTME!
  • Transpozimi poetiko-dramatik i veprës “Trungu ilir” të Sabri Hamitit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT