• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kryeministri Kurti priti në takim anëtarët e bordit të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane

August 24, 2023 by s p

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla dhe Shefi i Stafit, Luan Dalipi mirëpriti në kryeministri Joseph DioGuardi, Kryetar i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Shirley Cloyes DioGuardi, Drejtoreshë Ekzekutive e Fondacionit Shqiptaro-Amerikan, anëtarë të bordit dhe anëtarë tjerë të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane.

Ky takim vjen pas pjesëmarrjes në ceremoninë e inaugurimit të “Murit të Nderit” nga Fondacioni Shqiptaro-Amerkan dhe Shoqata e Miqësisë Kosovë – Izrael, që u zhvillua gjatë ditës së sotme.

Duke iu uruar mirëseardhje në vendin tonë, kryeministri Kurti, tha se është i gëzuar dhe i nderuar që së bashku sot përuruan në Parkun e Qytetit “Murin e Nderit”, përmes së cilit po shënohet, nderohet dhe përkujtohet akti heroik i shpëtimit të hebrenjve. Në këtë takim kryeministri Kurti, nënvizoi se tashmë po bëhen 33 vjet kur përfaqësuesit amerikanë, Bob Dole, Tom Lantos si dhe Joe DioGuardi, arritën në Prishtinë për t’i dhënë mbështetje Kosovës, luftës saj çlirimtare dhe thirrjeve të popullit për liri, demokraci dhe republikë.

Kryetari i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, ish-kongresisti amerikan Joe DioGuardi, u shpreh se me ”Murin e Nderit” të inauguruar sot po ndërtohet një urë mes popullit hebre dhe popullit të Kosovës. Ndërkaq, Drejtoresha Ekzekutive e Fondacionit Shqiptaro-Amerikan, Shirley duke dhënë mbështetjen për Kosovën, falënderoi kryeministrin dhe shtetin e Kosovës që e bëri të munduar që ”Muri i Nderit” të bëhet realitet.

Me të pranishmit u bisedua edhe rreth gjendjes aktuale politike ku edhe i njoftoi më gjerësisht për situatën politike në vend dhe për progresin, arritjet dhe reformat gjatë qeverisjes së deritanishme, si dhe për mbështetjen e Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane për Qeverinë dhe për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

Filed Under: Opinion

𝐏𝐞̈𝐫𝐤𝐮𝐣𝐭𝐨𝐡𝐞𝐭 𝐦𝐞𝐬 𝐝𝐡𝐢𝐦𝐛𝐣𝐞𝐬 𝐝𝐡𝐞 𝐧𝐝𝐞𝐫𝐢𝐦𝐢𝐭, 𝟐𝟑 𝐠𝐮𝐬𝐡𝐭𝐢, 𝐃𝐢𝐭𝐚 𝐄𝐮𝐫𝐨𝐩𝐢𝐚𝐧𝐞 𝐭𝐞̈ 𝐏𝐞̈𝐫𝐤𝐮𝐣𝐭𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐭𝐞̈ 𝐕𝐢𝐤𝐭𝐢𝐦𝐚𝐯𝐞 𝐭𝐞̈ 𝐑𝐞𝐠𝐣𝐢𝐦𝐞𝐯𝐞 𝐓𝐨𝐭𝐚𝐥𝐢𝐭𝐚𝐫𝐞, 𝐧𝐞̈ 𝐢𝐬𝐡 𝐤𝐚𝐦𝐩𝐢𝐧 𝐞 𝐢𝐧𝐭𝐞𝐫𝐧𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐭𝐞̈ 𝐓𝐞𝐩𝐞𝐥𝐞𝐧𝐞̈𝐬

August 23, 2023 by s p

Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit/

Tepelenë 23 gusht 2023 – U zhvilluan sot ceremonia e përkujtimit në ish kampin e internimit të Tepelenës, në kuadër të Ditës Europiane të Përkujtimit të Viktimave të Regjimeve Totalitare, e përcaktuar nga Parlamenti Europian, KE dhe Këshilli i Europës.

Përfaqësues të Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe të mbijetuar e familjarë të tyre në kampin e internimit 1949-1953, familjarë të të pagjeturve të komunizmit në zonën e Tepelenës, nderuan vuajtjen e të miturve, grave e të moshuarve pa faj që u internuan në Tepelenë duke vendosur kurora dhe lule pranë ekspozitës informuese në ish-kamp ngritur nga AIDSSH.

Të pranishëm, në ceremoni ishin kryetari i Bashkisë së Tepelenës, z. Termet Peçi, kryetari i Bashkisë së Mirditës, Albert Melyshi, Et’hem Fejzollari, drejtues i Shoqatës Mbarëkombetare Antikomuniste te ish-të Përndjekurve Politikë, përfaqësues të komuniteteve fetare të zonës, përfaqësues të Institutit për Integrimin e ish-të Përndjekurve Politikë, shoqata të të përndjekurve dhe kujtesës, përfaqësues të institucioneve publike dhe shtetërore si Bashkia e Tepelenës, Prefektura e Gjirokastrës, Prokuroria, Policia Rajonale, Universiteti, përfaqësues të grupeve të interesit, trupit diplomatik, aktorë të shoqërisë civile, gazetarë dhe të rinj.

Në 23 gusht të vitit 1939, u nënshkrua Pakti Molotov-Ribbentrop. Kjo marrëveshje midis Gjermanisë naziste dhe Bashkimit Sovjetik i parapriu Luftës së Dytë Botërore dhe nxori forma të ndryshme të dhunës totalitare, përfshirë këtë migrimin e detyruar, punën skllavëruese, krimet e luftës dhe gjenocidin, veçanërisht Holokaustin.

𝐃𝐫. 𝐆𝐞𝐧𝐭𝐢𝐚𝐧𝐚 𝐒𝐮𝐥𝐚, kryetare e Autoritetit, tha : “𝑆𝑒 𝑘𝑗𝑜 𝑑𝑖𝑡𝑒̈ 𝑠ℎ𝑒̈𝑟𝑏𝑒𝑛 𝑠𝑖 𝑛𝑗𝑒̈ 𝑘𝑢𝑗𝑡𝑒𝑠𝑒̈ 𝑝𝑒̈𝑟 𝑚𝑖𝑙𝑖𝑜𝑛𝑎 𝑞𝑒̈ 𝑣𝑢𝑎𝑗𝑡𝑒̈𝑛 𝑛𝑒̈𝑛 𝑘𝑒̈𝑡𝑜 𝑟𝑒𝑔𝑗𝑖𝑚𝑒, 𝑑𝑢𝑘𝑒 𝑝𝑒̈𝑟𝑓𝑠ℎ𝑖𝑟𝑒̈ 𝑎𝑡𝑎 𝑡𝑒̈ 𝑏𝑢𝑟𝑔𝑜𝑠𝑢𝑟 𝑛𝑒̈ 𝑘𝑎𝑚𝑝𝑒𝑡 𝑒 𝑝𝑒̈𝑟𝑞𝑒𝑛𝑑𝑟𝑖𝑚𝑖𝑡, 𝑔𝑢𝑙𝑎𝑔𝑒̈𝑡 𝑑ℎ𝑒 𝑏𝑢𝑟𝑔𝑗𝑒𝑡. 𝑁𝑒 𝑠𝑦𝑛𝑜𝑗𝑚𝑒̈ 𝑡𝑒̈ 𝑛𝑑𝑒𝑟𝑜𝑗𝑚𝑒̈ ℎ𝑖𝑠𝑡𝑜𝑟𝑖𝑡𝑒̈ 𝑒 𝑛𝑗𝑒𝑟𝑒̈𝑧𝑣𝑒 𝑡𝑎𝑛𝑒̈ 𝑞𝑒̈ 𝑢 𝑑𝑒𝑡𝑦𝑟𝑢𝑎𝑛 𝑚𝑒̈ 𝑓𝑜𝑟𝑐𝑒̈ 𝑡𝑒̈ 𝑗𝑒𝑡𝑜𝑗𝑛𝑒̈ 𝑛𝑒̈ 𝑘𝑒̈𝑡𝑜 𝑘𝑎𝑚𝑝𝑒 𝑑ℎ𝑒 𝑡𝑒̈ 𝑝𝑎𝑟𝑎𝑛𝑑𝑎𝑙𝑜𝑗𝑚𝑒̈ 𝑞𝑒̈ 𝑡𝑟𝑎𝑔𝑗𝑒𝑑𝑖𝑎 𝑒 𝑡𝑦𝑟𝑒 𝑡𝑒̈ 𝑚𝑜ℎ𝑜ℎ𝑒𝑡 𝑒 ℎ𝑎𝑟𝑟𝑜ℎ𝑒𝑡.

𝑁𝑒 𝑗𝑢 𝑖𝑛𝑘𝑢𝑟𝑎𝑗𝑜𝑗𝑚𝑒̈ 𝑡𝑒̈ 𝑔𝑗𝑖𝑡ℎ𝑒̈ 𝑠ℎ𝑜𝑞𝑒̈𝑟𝑖𝑛𝑒̈ 𝑡𝑒̈ 𝑚𝑒̈𝑠𝑜𝑗𝑒̈ 𝑝𝑒̈𝑟 𝑣𝑖𝑘𝑡𝑖𝑚𝑎𝑡 𝑑ℎ𝑒 𝑛𝑒̈𝑝𝑒̈𝑟𝑚𝑗𝑒𝑡 𝑎𝑘𝑡𝑖𝑣𝑖𝑡𝑒𝑡𝑒𝑣𝑒 𝑡𝑜𝑛𝑎 𝑠𝑦𝑛𝑜𝑗𝑚𝑒̈ 𝑡𝑒̈ 𝑟𝑟𝑖𝑠𝑖𝑚 𝑛𝑑𝑒̈𝑟𝑔𝑗𝑒𝑔𝑗𝑒̈𝑠𝑖𝑚𝑖𝑛 𝑒 𝑝𝑢𝑏𝑙𝑖𝑘𝑢𝑡 𝑝𝑒̈𝑟 𝑟𝑟𝑒𝑧𝑖𝑞𝑒𝑡 𝑞𝑒̈ 𝑖 𝑣𝑖𝑗𝑛𝑒̈ 𝑠ℎ𝑜𝑞𝑒̈𝑟𝑖𝑠𝑒̈ 𝑝𝑟𝑒𝑗 𝑖𝑑𝑒𝑜𝑙𝑜𝑔𝑗𝑖𝑣𝑒 𝑒𝑘𝑠𝑡𝑟𝑒𝑚𝑖𝑠𝑡𝑒 .

𝑃𝑒̈𝑟𝑚𝑒𝑠 𝑡𝑟𝑒𝑔𝑖𝑚𝑒𝑣𝑒 𝑖𝑛𝑑𝑖𝑣𝑖𝑑𝑢𝑎𝑙𝑒 𝑡𝑒̈ 𝑣𝑖𝑘𝑡𝑖𝑚𝑎𝑣𝑒 𝑡𝑒̈ 𝑖𝑑𝑒𝑜𝑙𝑜𝑔𝑗𝑖𝑠𝑒̈ 𝑘𝑜𝑚𝑢𝑛𝑖𝑠𝑡𝑒 𝑛𝑒 𝑟𝑢𝑎𝑗𝑚𝑒̈ 𝑘𝑢𝑗𝑡𝑖𝑚𝑖𝑛 𝑒 𝑡𝑦𝑟𝑒, 𝑟𝑒𝑓𝑙𝑒𝑘𝑡𝑜𝑗𝑚𝑒̈ 𝑑ℎ𝑒 𝑟𝑒𝑎𝑔𝑜𝑗𝑚𝑒̈ 𝑛𝑑𝑎𝑗 𝑐̧𝑑𝑜 𝑠ℎ𝑒𝑛𝑗𝑒̈ 𝑡𝑒̈ 𝑝𝑎𝑑𝑟𝑒𝑗𝑡𝑒̈𝑠𝑖𝑠𝑒̈, 𝑑ℎ𝑢𝑛𝑒̈𝑠 𝑑ℎ𝑒 𝑠ℎ𝑡𝑦𝑝𝑗𝑒𝑠. 𝑁𝑒 𝑖 𝑘𝑒̈𝑟𝑘𝑜𝑗𝑚𝑒̈ 𝑡𝑒̈ 𝑟𝑖𝑛𝑗𝑣𝑒 𝑡𝑒̈ 𝑚𝑜𝑠 𝑗𝑒𝑛𝑒̈ 𝑖𝑛𝑑𝑖𝑓𝑒𝑟𝑒𝑛𝑡𝑒̈, 𝑡𝑒̈ 𝑟𝑒𝑎𝑔𝑜𝑗𝑛𝑒̈ 𝑑ℎ𝑒 𝑡𝑒̈ 𝑚𝑒̈𝑠𝑜𝑗𝑛𝑒̈ 𝑛𝑔𝑎 𝑒 𝑠ℎ𝑘𝑢𝑎𝑟𝑎.”

𝐙. 𝐀𝐥𝐛𝐞𝐫𝐭 𝐌𝐞̈𝐥𝐲𝐬𝐡𝐢, kryetar i Bashkisë së Mirditës tha në fjalën e tij: 𝐾𝑢𝑗𝑡𝑖𝑚𝑒𝑡 𝑒 𝑓𝑎𝑚𝑖𝑙𝑗𝑎𝑟𝑒̈𝑣𝑒 𝑡𝑎𝑛𝑒̈ 𝑞𝑒̈ 𝑖𝑛𝑡𝑒𝑟𝑛𝑢𝑎𝑛 𝑛𝑒̈ 𝑘𝑒̈𝑡𝑒̈ 𝑘𝑎𝑚𝑝 𝑛𝑢𝑘 𝑚𝑢𝑛𝑑 𝑡𝑒̈ ℎ𝑎𝑟𝑟𝑜ℎ𝑒𝑛, 𝑣𝑢𝑎𝑗𝑡𝑗𝑒𝑡 𝑒 𝑡𝑦𝑟𝑒 𝑑𝑢ℎ𝑒𝑡 𝑞𝑒̈ 𝑠ℎ𝑜𝑞𝑒̈𝑟𝑖𝑎 𝑡’𝑖 𝑛𝑗𝑜ℎ 𝑞𝑒̈ 𝑡𝑒̈ 𝑚𝑜𝑠𝑝𝑒̈𝑟𝑠𝑒̈𝑟𝑖𝑡𝑒𝑛 𝑛𝑒̈ 𝑡𝑒̈ 𝑎𝑟𝑑ℎ𝑚𝑒𝑛. 𝐸̈𝑠ℎ𝑡𝑒̈ 𝑠ℎ𝑢𝑚𝑒̈ 𝑒 𝑟𝑒̈𝑛𝑑𝑒̈𝑠𝑖𝑠ℎ𝑚𝑒 𝑞𝑒̈ 𝐴𝑢𝑡𝑜𝑟𝑖𝑡𝑒𝑡𝑖 𝑡𝑒̈ 𝑣𝑎𝑧ℎ𝑑𝑜𝑗𝑒̈ 𝑡𝑒̈ 𝑚𝑏𝑙𝑒𝑑ℎ𝑒̈ 𝑡𝑒̈ 𝑑ℎ𝑒̈𝑛𝑎 𝑑ℎ𝑒 𝑡𝑒̈ 𝑝𝑢𝑏𝑙𝑖𝑘𝑜𝑗𝑒̈ 𝑑𝑜𝑘𝑢𝑚𝑒𝑛𝑡𝑒 𝑞𝑒̈ 𝑘𝑎𝑛𝑒̈ 𝑙𝑖𝑑ℎ𝑗𝑒 𝑚𝑒 𝑘𝑒̈𝑡𝑒̈ 𝑝𝑗𝑒𝑠𝑒̈ 𝑡𝑒̈ 𝑑ℎ𝑖𝑚𝑏𝑠ℎ𝑚𝑒 𝑞𝑒̈ 𝑓𝑎𝑚𝑖𝑙𝑗𝑒𝑡 𝑡𝑜𝑛𝑎 𝑘𝑎𝑙𝑢𝑎𝑛.

Z𝐧𝐣.𝐀𝐫𝐝𝐢𝐭𝐚 𝐑𝐞𝐩𝐢𝐬𝐡𝐭𝐢, këtë vit përfaqësuese e një institucioni italian të Historisë, prej vitesh Drejtoreshe e kërkimit në Autoritet, u shpreh: 𝑈𝑛𝑒̈ 𝑣𝑖𝑗 𝑠𝑜𝑡 𝑘𝑒̈𝑡𝑢 𝑠𝑖 𝑐𝑑𝑜 𝑣𝑖𝑡 𝑚𝑒 23 𝑔𝑢𝑠ℎ𝑡 𝑝𝑒̈𝑟 𝑡𝑒̈ 𝑝𝑒̈𝑟𝑘𝑢𝑗𝑡𝑢𝑎𝑟 𝑏𝑎𝑏𝑎𝑖𝑛 𝑡𝑖𝑚 𝑖 𝑐𝑖𝑙𝑖 𝑖𝑠ℎ𝑡𝑒 13 𝑣𝑗𝑒𝑐 𝑘𝑢𝑟 𝑢 𝑖𝑛𝑡𝑒𝑟𝑛𝑢𝑎 𝑛𝑒̈ 𝑇𝑒𝑝𝑒𝑙𝑒𝑛𝑒̈, 𝑎𝑞 𝑠𝑎 𝑠𝑜𝑡 𝑒̈𝑠ℎ𝑡𝑒̈ 𝑖𝑚 𝑏𝑖𝑟. 𝑉𝑖𝑗𝑚𝑒̈ 𝑠𝑖 𝑓𝑎𝑚𝑖𝑙𝑗𝑎𝑟𝑒̈, 𝑝𝑜𝑟 𝑒𝑑ℎ𝑒 𝑚𝑒 𝑝𝑒̈𝑟𝑔𝑗𝑒𝑔𝑗𝑒̈𝑠𝑖𝑛𝑒̈ 𝑞𝑒̈ 𝑛𝑎 𝑗𝑎𝑝𝑖𝑛 𝑑𝑒𝑡𝑦𝑟𝑎𝑡 𝑖𝑛𝑠𝑡𝑖𝑡𝑢𝑐𝑖𝑜𝑛𝑎𝑙𝑒 𝑠𝑒𝑝𝑠𝑒 𝑘𝑢𝑗𝑡𝑒𝑠𝑒̈𝑛 𝑛𝑢𝑘 𝑒 𝑏𝑒̈ 𝑛𝑑𝑜𝑡 𝑛𝑗𝑒̈ 𝑛𝑗𝑒𝑟𝑖 𝑖 𝑣𝑒𝑡𝑒̈𝑚, 𝑎𝑗𝑜 𝑒̈𝑠ℎ𝑡𝑒̈ 𝑝𝑟𝑜𝑑𝑢𝑘𝑡 𝑖 𝑏𝑎𝑠ℎ𝑘𝑒̈𝑣𝑒𝑝𝑟𝑖𝑚𝑖 𝑡𝑒̈ 𝑛𝑗𝑒𝑟𝑒̈𝑧𝑣𝑒 𝑑ℎ𝑒 𝑖𝑛𝑠𝑡𝑖𝑡𝑢𝑐𝑖𝑜𝑛𝑒𝑣𝑒.

𝐄𝐭’𝐡𝐞𝐦 𝐅𝐞𝐣𝐳𝐨𝐥𝐥𝐚𝐫𝐢, kryetar i Shoqatës Antikomuniste e Ish-të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë: 𝑈𝑛𝑒̈ 𝑖𝑠ℎ𝑎 5 𝑣𝑗𝑒𝑐 𝑖 𝑖𝑛𝑡𝑒𝑟𝑛𝑢𝑎𝑟 𝑛𝑒̈ 𝑇𝑒𝑝𝑒𝑙𝑒𝑛𝑒̈ 𝑑ℎ𝑒 𝑚𝑢𝑛𝑑 𝑡𝑒̈ 𝑞𝑢𝑎𝑗𝑒̈ 𝑚𝑒 𝑝𝑙𝑜𝑡 𝑔𝑜𝑗𝑒̈ 𝑞𝑒̈ 𝑎𝑗𝑜 𝑞𝑒̈ 𝑛𝑑𝑜𝑑ℎ𝑖 𝑚𝑒 𝑛𝑒 𝑖𝑠ℎ𝑡𝑒 𝑔𝑗𝑒𝑛𝑜𝑐𝑖𝑑. 𝑁𝑒 𝑢 𝑛𝑑𝑒̈𝑠ℎ𝑘𝑢𝑎𝑚 𝑒𝑑ℎ𝑒 𝑝𝑠𝑒 𝑓𝑒̈𝑚𝑖𝑗𝑒̈. 𝑁𝑗𝑒𝑟𝑒̈𝑧𝑖𝑡 𝑡𝑎𝑛𝑒̈ 𝑣𝑎𝑧ℎ𝑑𝑜𝑗𝑛𝑒̈ 𝑡𝑒̈ 𝑣𝑢𝑎𝑗𝑛𝑒̈ 𝑎𝑡𝑎 𝑛𝑢𝑘 𝑖 𝑘𝑎𝑛𝑒̈ 𝑔𝑗𝑒𝑡𝑢𝑟 𝑒𝑛𝑑𝑒 𝑒𝑠ℎ𝑡𝑟𝑎𝑡 𝑒 𝑠ℎ𝑢𝑚𝑒̈ 𝑝𝑟𝑒𝑗 𝑎𝑡𝑦𝑟𝑒 𝑞𝑒̈ 𝑣𝑑𝑖𝑞𝑒̈𝑛 𝑛𝑒̈ 𝑘𝑒̈𝑡𝑒̈ 𝑘𝑎𝑚𝑝.

Përfaqësuesi i komuniteti fetar 𝐒𝐡𝐞𝐡 𝐇𝐲𝐬𝐞𝐧 𝐇𝐨𝐫𝐦𝐚𝐯𝐚 ngriti zëri për të pagjeturit e Tepelenës dhe shprehu mbështetjen e tij për t’i ardhur në ndihmë këtij procesi.

Më pas fjalën e mori 𝐒𝐢𝐦𝐨𝐧 𝐌𝐢𝐫𝐚𝐤𝐚𝐣, fëmijë kur familja e tij, nëna dhe motrat i internuan në Tepelenë: 𝐸 𝑔𝑗𝑖𝑡ℎ𝑒̈ 𝑘𝑗𝑜 𝑡𝑟𝑎𝑔𝑗𝑒𝑑𝑖 𝑚𝑏𝑖 𝑛𝑗𝑒̈𝑟𝑒̈𝑧 𝑘𝑟𝑒𝑗𝑡𝑒̈𝑠𝑖𝑠ℎ𝑡 𝑡𝑒̈ 𝑝𝑎𝑓𝑎𝑗𝑠ℎ𝑒̈𝑚 𝑛𝑑𝑜𝑑ℎ𝑖 𝑛𝑒̈ 𝑘𝑜ℎ𝑒̈ 𝑝𝑎𝑞𝑒. 𝐷𝑒𝑡𝑦𝑟𝑎 𝑗𝑜𝑛𝑒̈ 𝑒̈𝑠ℎ𝑡𝑒̈ 𝑡’𝑖 𝑘𝑢𝑗𝑡𝑜𝑗𝑚𝑒̈ 𝑎𝑡𝑎 𝑞𝑒̈ 𝑙𝑎𝑚𝑒̈ 𝑝𝑎𝑠 𝑑ℎ𝑒 𝑡𝑒̈ 𝑖𝑛𝑘𝑢𝑟𝑎𝑗𝑜𝑗𝑚𝑒̈ 𝐴𝑢𝑡𝑜𝑟𝑖𝑡𝑒𝑡𝑖𝑛 𝑞𝑒̈ 𝑛𝑒̈ 𝑑𝑟𝑖𝑡𝑒̈𝑛 𝑒 𝑑𝑜𝑘𝑢𝑚𝑒𝑛𝑡𝑒𝑣𝑒 𝑡𝑒̈ 𝑟𝑒𝑗𝑎, 𝑘𝑢 𝑣𝑒𝑛𝑑, 𝑘𝑗𝑜 ℎ𝑖𝑠𝑡𝑜𝑟𝑖 𝑡𝑒̈ 𝑏𝑒̈ℎ𝑒𝑡 𝑒 𝑛𝑗𝑜ℎ𝑢𝑟 𝑛𝑔𝑎 𝑒 𝑎𝑟𝑑ℎ𝑚𝑗𝑎.

Të mbijetuarit e kampit, familjarë të viktimave dhe të internuarve, përfaqësues të institucioneve qendrore e vendore mbajtën intervista në median e pranishme, në të cilat u fol për historitë e kampit, nevojën për muzealizimin e tij, përpjekjet për identifikimin e të zhdukurve dhe kthimin në vend kujtese si destinacion i vizitueshëm i shkollave, etj.

Kampi me tela me gjemba i Tepelenës është një nga faqet e errëta të diktaturës, ku u mbajtën për disa vjet në kushte çnjerëzore me mijëra familjarë të kundërshtarëve të regjimit, gra, fëmijë e të moshuar, të pafajshëm.

Sot, duke e avancuar përpjekjet për zbardhjen e historisë së Tepelenës, Autoriteti në bashkëpunim me Bashkinë Tepelenë, synon ta bëjnë kampin një ndër sitet historike të vizitueshme gjerësisht, për të rrëfyer një histori të gjatë shtypjeje dhe mbijetese, që zë me Luftën e Dytë Botërore dhe vijon me vendosjen e regjimit komunist.

Pas vizitës përkujtimore në kamp, AIDSSH vijoi aktivitetin në Pallatin e Kulturës së qytetit me organizimin e Simpoziumit Shkencor Ndërkombëtar “𝐓𝐞𝐩𝐞𝐥𝐞𝐧𝐚 𝐧𝐞̈ 𝐝𝐲 𝐤𝐨𝐡𝐞̈ – 𝐍𝐠𝐚 𝐤𝐚𝐳𝐞𝐫𝐦𝐚𝐭 𝐢𝐭𝐚𝐥𝐢𝐚𝐧𝐞, 𝐭𝐞 𝐤𝐚𝐦𝐩𝐢 𝐦𝐞 𝐭𝐞𝐥𝐚 𝐦𝐞 𝐠𝐣𝐞𝐦𝐛𝐚”, i cili trajton, në dritën e dokumenteve arkivore, Tepelenën e Luftës së Dytë Botërore dhe atë të pasluftës në vitet e funksionimit të kampit të internimit.

Filed Under: Opinion

23 gushti – Dita Evropiane e përkujtimit të Viktimave regjimeve totalitare

August 23, 2023 by s p

Bujar Leskaj/

Mё 23 gusht, është dita e paktit të mossulmimit, nënshkruar nga Bashkimi Sovjetik dhe Gjermania naziste. Pakti i mossulmit apo i mosluftimit ndërmjet Bashkimit Sovjetik e Gjermanisë naziste qe një tronditje për mbarë botën. Armiqtë e përhershëm të përbetuar, Hitleri e Stalini nënshkruanin këtë marrëveshje për të ndarë së bashku pjesën e mirë të Evropës. Një besëlidhje ndërmjet dy totalitarizmave kryesore, nazist e komunist.

Për këtë arsye Parlamenti Evropian propozoi që 23 gushti të shpallet Dita Evropiane e viktimave të stalinizmit dhe të nazizmit. Zyrtarisht quhet “Dita evropiane e memories të viktimave të stalinizmit e të nazizmit”.

Pikërisht në Ditën Evropiane e Përkujtimit të Viktimave të regjimeve totalitare, duhet të kuptojmë se kjo ditë nuk është nuk është vetëm një ditë kujtese, por edhe një ditë e cila na fton të reflektojmë dhe të nderojmë qëndrestarët antikomunistë që u përballën me diktaturën kriminale të E.Hoxhës në vitet 1941-1990.

Shqipëria ende ka mangësi në dënimin e krimeve të komunizmit.

Kujtesa dhe nderimi për heronjtë dhe viktimat e regjimit totalitar komunist në Shqipëri, regjim që mohoi liritë dhe të drejtat, fjalën, mendimin dhe dinjitetin njerëzor është detyrë dhe detyrim moral, ligjor,politik dhe kombëtar për të gjithë Ne ,sot dhe përgjithmonë

34.135 shqiptarët e burgosur dhe dënuar për arsye politike, 59.009 qytetarët e internuar në kampe përqendrimi, 7.022 prej të cilëve vdiqën, 984 të vdekurit në burgjet e regjimit dhe 6.027 burra dhe gra, djem dhe vajza të ekzekutuar me dhe pa gjyq gjatë diktaturës e konfirmojnë faktin që regjimi totalitarist i etërve të sektit Rama në pushtet nuk ka qenë kurrë i duhuri dhe ata asnjëherënë anën e duhur të historisë!

Ndaj duhet të kujtojmë, nderojmë dhe të përkulemi përpara sakrificës viktimave dhe të reflektojmë për të mos lejuar asnjë formë të autoritarizmit të na ndajë nga Europa, nga Perëndimi, liria dhe demokracia.

Qoftë i paharruar kujtimi i viktimave , qëndrestarëve dhe heronjve antikomunist të sistemit totalitarist në Shqipëri!

Filed Under: Opinion

Rruga e Hirit dhe rruga e natyrës në romanin “Këpuca e aktorit”

August 22, 2023 by s p

Dr. Ernest Nasto

Chicago/

Mendoj se romani Këpuca e Aktorit shënon një arritje kulmore të letërsisë shqipe të ditëve tona dhe është një vepër për të cilën në fakt mund të thuhet shumë, sepse kumtet e saj janë të shumëllojshme, siç është venë gjerësisisht në dukje nga kritika. Është e vërtetë që ajo mund të merret si metaforë e rrugëtimit të çalë të Shqipërisë “me një këpucë”, që ajo ka gërshetime stilesh të ndryshëm, dhe që përmban gjithashtu edhe elemente autobiografike. Por këtu dua të ndalem në një këndvështrim të veçantë duke e parë si një ndërthurje e rivalitet ndërmjet “rrugës së hirit hyjnor (grace)” dhe “rrugës së natyrës”.

Këto kategori të botëkuptimit kristian janë përdorur e shtjelluar prej kohësh nga mendimtarë e filozofë të ndryshëm, dhe posaçërisht nga danezi Soren Kierkegaard (1813 – 1855). Ndërsa lexoja librin e Zhitit, më risilleshin në kujtesë këto tema dhe mënyra si i ka trajtuar ato regjisori Terrence Malick në filmin e tij të famshëm të vitit 2011 The Tree of Life. Kjo vepër u konsiderua në masë nga kritikët si një arritje unike, dhe e njëjta gjë mund të thuhet edhe për romanin që po analizojmë këtu.

Sipas Kierkegaard rruga e natyrës është një mënyrë të jetuari ku vetja është tërësisht në qendër, me synimin për të arritur objektivat me çfarëdo mjeti, me konkurencë të tipit “ose do të shtypësh të tjerët, ose do të shtypesh vetë”, pra “ose ti, ose unë”, dhe me hakmarrje të pamëshirshme ndaj çdo cënimi që mund të pësosh prej të tjerëve, d.m.th. ajo që Zhiti e quan diku në roman “pamëshirshmëria e kohës”. Me fjalë të tjera “rruga e natyrës” është disi e kundërt me kuptimin e fjalëve “e natyrshme” apo “natyrore” të cilat i përdorim në jetën e përditshme për të shenjuar normalen apo të zakonshmen.

Rruga e hirit hyjnor, nga ana tjetër, është mënyra e të jetuarit duke e parë jetën si dhuratë, duke venë në qendër të saj jo veten, por të mirën e të tjerëve, me mirënjohje, me dashuri, me tolerancë, me kërkim drejtësie (por kurrë hakmarrjeje) e mbi të gjitha me mëshirë e falje, duke i përhapur këto sa të mundesh rreth teje. Kjo rrugë mund të shihet edhe si një lloj nostalgjie, ose etjeje për të gjetur vendin tënd në jetë, atë për të cilën je krijuar, dhe ku gjërat janë ashtu si duhet të jenë.

E rëndësishme për mua është se këtë Hektori, si personazhi kryesor, e përfaqëson në roman po aq sa edhe Shqipëria me përpëlitjet e saj përgjatë historisë. Edhe në sensin e tri kohëve, është qartësisht e dukshme se të tre brezat e familjes Tomorri e përfaqësojnë këtë etje për rrugën e hirit, për të qenë në vendin që u takon, to feel home.

Dua të theksoj veçanërisht këtu se autori në jetën e tij e ka bërë me vendosmëri zgjedhjen në favor të rrugës së hirit, siç është evidente për të gjithë ata që kanë privilegjin ta njohin nga afër. Ai është dëshmi e gjallë e mënyrës së të jetuarit me hir, që duhet të jetë një frymëzim e inkurajim për ne të gjithë.

Ndërkaq në libër të dy rrugët ndërthuren me mjeshtëri, me stilin narrativ dhe monologjet e tipit të “përroit psiqik”, të cilat u lejojnë heronjve kryesorë të secilës pjesë, në thelb Moisiut dhe Hektorit, gjykime për çka ndodh përreth e për karakteret me të cilët ata ndeshen e ndërveprojnë gjatë jetës.

Tashti, dihet se jeta e çdokujt, dhe e çdo vendi e shoqërie, i ngërthen të dyja këto rrugë, pavarësisht se në shumë raste rruga e natyrës është mbizotëruese, por qëllimi është që ajo të jetë sa më e pakët përkundrejt rrugës së hirit. Kështu p.sh. në libër vihet re se gjatë jetës së Moisiut, pra në kohën e mbretërisë, këto janë dukshëm në një harmoni më të madhe dhe hiri është mjaft i pranishëm (sepse gjërat janë më së shumti në vendin e tyre), krahasuar me dy periudhat e mëpastajme kur harmonia dhe hiri pothuaj zhduken nën diktaturë, për t’u rishfaqur me ndrojtje, aty-këtu, në postdiktaturë.

Rruga e hirit shprehet në kohën e parë tek karakteri i Bukuranit, gjyshit të Hektorit, me tiparet si mikpritja, kujdesi për të tjerët, etja për kulturë e drejtësi, dhe sidomos tek figurat historike që autori ka futur si personazhe në roman. Kjo është vetë një meritë e veçantë dhe aspekt i rrugës së hirit, sepse synon drejtësi për figura të tilla, dikur të anatemuara nga regjimi diktatorial.

Hiri shprehet tek Safet Butka (“profesori i Butkallinjve”) për të cilin autori thotë se “kishte shumë butësi në pamje, edhe në sytë që i ndriçonin”, me inkurajimin që ai i jep Mojsiut të ri për shkollën dhe për të vazhduar ëndrrën e tij për t’u bërë aktor, sepse me atë do t’u japë të tjerëve qytetërim. Po ashtu At Gjergj Fishta, me “zërin e altartë”, me nxitjen për përhapjen e dijes, sepse “edhe dija asht dashni”. Apo edhe Mit’hat Frashëri, me fjalët plot pasion për kulturën e librat, me dashurinë për shqiptarët, me përpjekjet e mëdha për të ndaluar vëllavrasjen, sepse edhe ata të anës së kundërt “janë djemtë tanë”, një shprehje e qartë shpirtmadhësie.

Në rrugën e hirit është edhe Moisiu në Elbasan, me teatrin e Normales dhe revistën Normalisti, që shpërndan qytetërim dhe synon të edukojë të rinjtë, ashtu si edhe tërë vendin, asokohe shumë i ri, me vlerat më të mira klasike (kjo për mua ka edhe një jehonë personale, sepse nëna ime ka luajtur Borëbardhën në moshën 11 vjeçare si aktore e teatrit të ciklit të ulët të Normales, duke u përgëzuar për këtë në faqet e Normalistit).

Sa për Marien, gruan e Moisiut, tërë jeta e saj është mishërim i hirit, edhe vetë Hektori bën më vonë paralele fort të gjetura të së ëmës me Shën Mërinë dhe Nënë Terezën.

Në pjesën e dytë, nën diktaturë, jeta e Hektorit-aktor përshkohet nga tensioni i vazhdueshëm ndërmjet të dy rrugëve, megjithëse prania e hirit është ulur ndjeshëm, sepse çdo gjë është përmbys. Vihet re se tek Hektori ka shumë tallje, qesëndi e ironi, por urrejtja s’është e pranishme, e madje edhe për tipa si Çaçoja Hektori shpreh kryesisht përbuzje. Ndërkaq Çaçoja, siç simbolizohet edhe nga vetë emri, është shembull i vrazhdësisë e mizorisë, i rrugës së natyrës në mënyrë absolute, pa asnjë fije hiri hyjnor, pa asgjë pozitive, vetëm me veten e tij në qendër, plot me intriga e prapaskena, me vigjilencë për të luftuar armikun e kudogjendur, etj.

Janë disa çaste kur edhe tek Hektori mbizotërimi i natyrës përshkruhet veçanërisht bukur, si p.sh. tek thyerja e pjatave të mira, në një kundërvenie të dukshme me të shoqen, Erikën, e cila është, edhe ajo si e vjehrra, mishërim i rrugës së hirit. Tensioni është i pranishëm në mjaft shprehje të goditura, si p.sh. kur Hektori, meqë banonte të lagjja Komuna e Parisit, thotë “Parisin e dua, por Komuna më tremb”.

Ndërkaq në pjesën e tretë në përgjithësi mund të thuhet që rruga e hirit fillon të ketë shfaqje të ndrojtura, pavarësisht se zhgënjimi është i madh dhe toni mbizotërues kthehet drejt ironisë. Përçuesja më e madhe e rrugës së natyrës, me dhunë dhe arbitraritet, mbetet qeveria me aktin e prishjes së teatrit si kuadri në të cilin vendoset i gjithë romani. E megjithatë duket se shembujt e të vepruarit sipas rrugës së hirit rriten mjaft në krahasim me kohën e diktaturës dhe futen gjithashtu personazhe që përfaqësojnë fort hirin, si Atjoni dhe Irisi. Prania e tyre duket qartë që e shtyn fort edhe Hektorin drejt rrugës së hirit, dhe shtytja vetë është shprehje e kësaj rruge.

Irisi nga ana e vet e vazhdon rrugën e hirit, sidomos me dashurinë dhe respektin e madh për të atin: ajo vjen në 60 vjetorin e tij në mënyrë spektakolare, në një gjest mirënjohjeje të pafund, dhe dihet se mirënjohja është një nga shfaqjet kryesore të hirit.

Një personazh i veçantë që tregon vetëm hir është studenti nga Milano, Atjoni, për të cilin Irisi thotë “ky djalë i mrekullueshëm… si tepër për të qenë e vërtetë”.

Hektori ndërkaq vazhdon me tensionin ndërmjet të dyjave, siç thamë, dhe shprehje e tensionit janë talljet plot me ironi therëse, sipas rrugës së natyrës, që ai bën për sistemin e ri, demokraturën, por nga ana tjetër ai është në rrugën e hirit me mospranimin për t’u bërë deputet, sepse, si aktor, ai është plotësisht në vendin e vet. Them që Hektori i ka të dyja, sepse shumë herë ato s’mund të ndahen kollaj, por megjithatë hiri është shtuar në mënyrë të dukshme.

Edhe vetë etja e Hektorit për drejtësi në fund të fundit shpreh hir, sepse e tillë është çdo ndjenjë e akt që i kundërvihet së keqes, edhe pse me shumë ironi…”ata u bënë të pasur, por ne fituam moralisht, a ka pasuri më të madhe se morali?”

Një figurë tërësisht me hir është Nënë Tereza, të cilën Hektori e përshkruan me admirim të dukshëm, si një “enigmë shtatpakët dhe “dritë përqarkuese shumë më e madhe se ajo vetë”. Skena e shenjtërimit të murgeshës shqiptare nga Kalkuta mendoj se është një nga kulmet e hirit, kur Hektori reciton vargjet e saj “jeta është dhuratë, dhuroje” d.m.th. jepni jetë, krijojeni, duajeni jetën dhe të mirën për të gjithë, dhe kur aktorët “me gjuhën e trupit dhanë ca kumte sa të lashtë, po aq edhe modernë, të përgjithmonta”.

Rruga e hirit është kulmore edhe tek takimi i Hektorit me Atjonin, kur ky i jep idenë për të sjellë teatrin tek njerëzit në kovën e ekskavatorit gjatë pandemisë, si edhe e tërë skena në ëndërr me Atjonin, Irisin e Marinin. E po ashtu fund e krye me hir është fjalimi i Hektorit nga kova për dashurinë e njerëzve për njeritjetrin, për bukurinë (që “do të shpëtojë botën”) dhe për sinqeritetin (“mbani maskat, por mos harroni fytyrat”).

Edhe në fund Hektori po lutet, megjithëse në dëshpërim, dhe skena me Atjonin vjen si kurorëzim i gjithshkaje të hirshme që kemi parë gjatë librit: “si i dërguar nga Qielli… nga andej vij… për kaq isha… sa për ty…”. Në atë çast ndriçimi hyjnor Hektori mendon se “studenti duhet të jetë engjëll, s’mund të jetë ndryshe”, ndërsa bie në gjunjë në lutje para ikonës së nënës së tij, Maries.

Vazhdimësia e rrugës së hirit jepet nga Irisi dhe Marini, me vendosmërinë për përhapjen e dashurisë e të kulturës, dëshmuar nga nisja me avion për në Ukrainë, për të dhënë shfaqje në mes të luftës. Dhe një mbyllje tepër e gjetur është fjalia e mbrame e romanit: “Unë jam shtatzënë, – mërmëriti (Irisi) dhe ndjeu brenda vetes qiell plot dritë”.

Kush fiton ndërmjet këtyre dy rrugëve? Kur natyra i mbaron të gjitha, kur ajo e shteron vetveten, a do ta ketë hiri fjalën e fundit?

Vërtet që jeta e Hektorit në roman ka shumë dramë dhe ironi, pra ka rrugën e natyrës, por në fund dhe vendosmërisht, ashtu si edhe tek autori, triumfon qartë rruga e hirit.

Filed Under: Opinion Tagged With: Ernest Nasto, Visar Zhiti

Barbie, kukull apo realitet?

August 21, 2023 by s p

Dr. Iris Halili/

Të paktën për aq kohë sa ekzistojnë rrjetet sociale, unë nuk kam hasur ndonjë vepër apo shfaqje artistike të ketë marrë vëmendjen e shoqërisë si filmi Barbie, që është shfaqur në ekranin e madh së fundmi. Së pari, mendoj se ka pasur kërshëri të madhe, pasi propaganda që e parapriu apo e shoqëroi, ishte po aq e madhe. Një show i ditëve të fundit në Netflix, citonte: “Ka dy lloj njerëzish: ata që krijojnë dhe ata që shesin. Midis këtyre, ata që shesin janë më të rëndësishmit”, (Painkiller). Pikërisht, mediatimi i lartë i shitjes së filmit Barbie e bëri atë edhe më të bujshëm.  Më pas, fotot tërë ngjyra të fekshme, ku dallohet roza e femrave të të gjitha moshave, si përpara, përgjatë dhe pas përfundimit të filmit, mbushën instagramin dhe facebookun, gjë kjo që  e shtoi edhe më shumë interesin për filmin tek të gjitha moshat dhe sekset.   

Por besoj një arsye tjetër e madhe është se filmi duket sikur përcjell nostalgji për fëmijërinë e vajzave të tre gjeneratave: gjeneratës X, millenium dhe asaj Z. Tek gjenerata X nuk futen vendet e botës së tretë, apo ato të botës ish- komuniste nga vij edhe unë, pasi në këto vende Barbie erdhi pas viteve 90-të, dmth gati tri dekada pasi qe krijuar. Por, gjithsesi, kulturat dhe vajzat që u rritën me Barbin dhe koleksionet e saj, kishindëshirë të ktheheshin pas në fëmijëri e të përjetonin apo  të rikujtonin çastet kur vishnin e zhvishnin Barbin dhe ëndërronin ditën kur të bëheshin elegante, të hijshme dhe të bukura si ajo. Dhe filmi ishte një ilustrim shumë i mirë i këtij rasti.   

Ai ka një nisje që paradoksalisht rrëfen sesi ndërroi vendi apo misioni i femrës në familje dhe në shoqëri. Vajzat e vogla flakin në një anë kukullën “Bebe” dhe në vend të saj zgjedhin kukullën “Barbie”. Ky detaj është në fakt simboli i shumë transformimeve që kanë ndodhur dhe po ndodhin në shoqërinë ku jetojmë. 

Edhe unë i kam dashur shumë kukullat. Sigurisht në vogëlinë tonë ne nuk kishim kukulla me flokë apo “fancy”, por kishim ato kinezet plastike që i lidhnim dhe i zgjidhnim gjithë ditën me shallet e mamave. Edhe unë kisha një kukull të madhe kineze dhe kujdesesha shumë për të, duke imituar kujdesin që mamaja ime dhe gjyshja ime tregonin ndaj meje. Mbaj mend një natë dimri, gjyshja mi afroi këmbët tek reflektori që të më ngroheshin. Ju kujtohen ata reflektorët që kishin një rezistencë të kuqe që të përvëlonte po t’i afroheshe shumë afër ? Të nesërmen unë ia ngroha këmbët kukullës tek reflektori dhe sigurisht si plastikë që ishte asaj iu dogjën thembrat. Këtë detaj nuk do ta harroj asnjëherë. Ato kukulla plastike, pa flokë dhe pa tipare ishin bebet /fëmijët imagjinarë për të cilët vajzat e brezit tim u kujdesëm t’i ushqeheshim, madje edhe t’i kuronim me ilaçe sa herë që sëmureshin. Kështu u rritën sa e sa breza vajzash të vogla deri kur në horizont u shfaq Barbie, kukulla sexy me flokë të gjatë dhe këmbë të bukura. Kuptohet kukulla të bukura ka pasur edhe përpara, por ato ishin pak a shumë gjithmonë imazhi i vajzave të vogla dhe jo zonjushave  të rritura. 

Barbie dhe revolucioni i saj shkoi përtej asaj çka na përshkruan feministja e parë Simone De Beauvoir tek  libri i saj monumental “Seksi i dytë”,  ku ajo me të drejtë thotë se superioriteti i femrës gjendet në anatominë e saj pasi femra ka një organ më tepër se mashkulli, femra është në gjendje të bëjë fëmijë falë këtij organi, femra jep qumësht nga gjiri i saj, femra ka kështu epërsinë e mëmësisë. 

Ndryshe nga De Beauvioir, filmi Barbie ka tjetër qasje dhe e sheh misionin e femrës të përcaktuar jo aq nga anatomia e saj, sesa nga bukuria dhe inteligjenca e saj. Barbie është femra vanitoze me të cilën vajza e vogël luan duke përftytyruar çdo ditë e me tepër veten të arrirë estetikisht dhe të pavarur në një botë ku ajo mbisundon. Jo rastësisht të gjitha Barbit, kukulla të filmit, janë më së shumti femrat e karrierës dhe në mes të gjitha atyre, vetëm njëra është shtatzanë. Ato janë të gjitha të famshme, jetojnë vetëm dhe janë mëse të realizuara në jetë!! Por prej ketu lindi dhe kritika ndaj Barbit dhe rolit të saj: A janë dhe a mund të jenë të gjitha femrat si shëmbëlltyrë e Barbit ? Sigurisht që jo, por tashmë të fiksuara që në vogëli pas atij imazhi, shumë prej tyre duan të jenë si ajo: të gjitha me të njëtën pamje, të gjitha të bukura, të gjitha të të mbushura me ndërhyrje të kirurgjisë plastike, paçka se në fund, ato duken jo reale, si vetë kukulla Barbie: “Life in Plastic, is fantastic!!”. 

Por le të kthehemi tek filmi Barbie. Mendoj se realizuesit e kanë ndërtuar në disa plane, shumë prej të cilave u janë afruar deri në fund, por disa i kanë lënë qëllimisht të hapura pasi ka shumë ide për diskutim, sidomos në shoqërinë e sotme në përgjithësi dhe atë amerikane në veçanti. Barbie kukull (kupto vajza e vogël e rritur me kukullën Barbie), kur doli në realitet kuptoi se ajo nuk pati të njëjten forcë që kishte në botën e ëndrrave fëminore. Në jetën reale, në fuqi, ishin meshkujt që sikur thuhet nga një personazh mashkull në film: “ne bëjmë sikur i japim hapësirë femrës të drejtojë, por kjo është një botë sërish e dominuar nga ne“. Barbie, në realitet, shihet si provokuese dhe joshëse për meshkujt, por asnjëherë më shumë se kaq. Ndërkohë, që kur takon një grup adoleshentesh, Barbie ndeshet me vajzat e brezit Z, (brezi më i ri bashkëkohor). Ato jo vetëm që nuk e pëlqejnë,  por edhe e dëbojnë pasi për to ajo reflekton bukurinë dhe elegancën superiore femërore. Ajo është më shumë fake – domethënë, jo natyrale! E dërmuar, Barbie kërkon të kthehet prapë në Barbiland (kupto botën feminore), “ku të gjitha problemet e feminizmit duket sikur janë realizuar”, citim ky nga filmi dhe që duket si profeci e modelit se deri ku mund të shkojë një shoqëri e dominuar vetëm nga femrat!! Por kur arrin në Barbiland, Barbie shikon se gjërat kishin ndryshuar, pasi Ken duke përfituar nga mungesa e Barbit dhe duke u njohur me forcën e patriarkalizmit (tek vizitoi botën reale së bashku me Barbin), i ishin hapur sytë dhe kishte krijuar në vend të Barbiland -Kenlandin. Në këtë imazh si në përrallë duket sikur Barbiland simbolizon mbretërinë e femrave dhe Kenland atë të meshkujve. Për të rimarrë pushtetin, Barbie dhe mikeshat e saj, lidhen fuqishëm me njëra-tjetrën, thurin intriga e bashkëpunojnë për të vënë në lojë xhelozinë e Kenit dhe Kenrave të tjerë në Kenland. Duket sikur Eva dhe Adami është sërish në simbolikë dhe femra Barbie ka marrë rolin e modelit të femrës që vepron me intrigë dhe provokime. Kjo nuk e nderon Barbin dhe Barbiet në film, por pikërisht për këtë filmi ruan vlera realiste në përcaktimin e natyrave të dy sekseve. Kështu, pasi e ka rimarre fuqinë e humbur në Barbiland, Barbie nuk do më të jetë kukulla e përkëdhelur e ëndrrave fëminore dhe vendos të kthehet në realitetin e vërtetë jetësor, siç thotë dhe vetë e të shkojë nga plastika e kukullave tek plastika reale e Los Angeles. Ajo ka hequr takat dhe ka veshur pantoflat e sheshta “Birkenstock” që ndonëse të pranuara si shumë të rehatshme janë varianti femëror më i afërt i sandaleve burrërore. Këtu përfundon dhe imazhi i historisë 60- vjeçare të Barbit dhe fillimi i një modeli të ri kukulle, ku në vend të ngjyrave të shumëllojta, i veshin ngjyrat neutrale, në vend të minifundit i veshin pantallonat, ndërkohë që në shpinë i varin një çantë të madhe që sikur fsheh ecjen tipike dhe delikate të Barbit, atë në majë të gishtave. Me këtë prezantim të ri të krijohet mendimi sikur Barbie tashmë kërkon falje për vanitetin që krijoi ndër sa e sa breza vajzash. Jo më kot momenti i parë i sëmundjes së Barbit në film është kur këmbëve të saj të brishta u ka humbur harku i shputës (kupto atë hark që krijon këmba e femrës tek vesh këpucë me taka, ose kupto që ajo ishte kaq larg nga të qënurit me këmbe në tokë, dmth kishte filluar të mos adaptohej me një frymë imazhi të ri femëror; janë këto dy nga edhe më shumë interpretime që mund t’i behen këtij momenti në film).  

Barbie e lë Barbiland e vetme. Ajo as e ka dashur dhe as nuk do të jetë me Kenin. Në fakt, historia e Barbit nuk është si ajo e Biblës. Barbie ka lindur përpara Kenit. Kjo sa për të ritheksuar se që në gjenezë kjo kukull ka dashur t’i japë femrës një tjetër model nga ai që ne kemi të trashëguar. Shumë kritikë, duke dashur ta përcaktojnë filmin si feminist, mendojnë se me portretizimin e Kenit filmi e ka vendosur mashkullin në një pozicion inferior dhe gati grotesk.  Unë mendoj ndryshe. Mendoj se filmi shënon sinqerisht pozicionin që po merr mashkulli në ditët e sotme. Ata po e humbin gjithmonë e më tepër komoditetin që kanë pasur ndër shekuj; Sa më shumë femrat bëhen të pavarura dhe sa më shumë ato nuk e shikojnë familjen dhe fëmijët si qëllimin kryesor në jetë, aq më shumë mashkullit i bie pushteti dhe privilegji 

Momenti i fundit në film është kur Barbie, pasi ka lënë Barbiland, shkon e vetme tek gjinekologu. Pak e vështirë për të kuptuar nëse kemi tani Barbin që po i rikthehet mëmësisë apo është thjesht Barbie që nga kukull është bërë njeri i vërtetë dhe femër me organe riprodhuese.  Këtë, filmi, e le të hapur për diskutim. 

Si përfundim, do të thoja se përpos disa recitimeve feministe gati të tepruara në film, apo përpos mbylljes së filmit me Barbin nën imazhin e një femre liberale dhe feministe të ditëve tona, që jeton vetëm dhe e pavarur, përsëri unë nuk do ta konsideroja këte film si manifest feminist. Unë mendoj se filmi është sa histori e kaluar, aq edhe histori e ardhme. Ai përcjell mesazhe si për femrën, ashtu edhe për mashkullin e kohës sonë; është i gjithi i mbështetur në karaktere personazhesh që do të donin faqe të tëra të analizoheshin dhe të interpretoheshin me kujdes. Filmi është një vertikale e të gjitha brezave që prej atij kur lindi Barbie e deri në ditët e sotme. Filmi më duket se duhet të jetë i dashur si për  femrat ashtu edhe për meshkujt pasi është dhe nuk është feminist, është dhe nuk është maskilist. Ai për mua është realist, ndaj dhe për këtë do përshëndetur. Femrave u pëlqen se në të shohin procesin në të cilin ka shkuar dhe po shkon vendi i saj në shoqëri, gabimet e bëra përgjatë këtij rrugëtimi por dhe fitoret e arritura. Meshkujt e pranojnë si realitet të asaj që po jetojnë çdo ditë në shoqërinë amerikane dhe jo vetëm. Janë pikerisht ata që po ndiejnë dalëngadalë pozicionimin e tyre ndryshe në një mjedis shoqëror ku femrat gjithmonë e më tepër po bëhen dominante dhe ku meshkujve do u duhet të rindërtojnë   rolin e tyre në një mjedis shoqëror që ndryshon çdo ditë dhe që është larg realitetit të baballarëve të tyre. 

Nuk di se ç’mund t’u kenë thënë nënat vajzave të tyre pasi kanë parë filmin Barbie, po unë djalit tim i thashë: “Barbie është simboli i çdo gjëjë që femra ka arritur apo edhe ka humbur në këto dekada”.  Më shumë se një kukull, ajo u kthye në simbolin e një revolucioni social që ende nuk ka përfunduar.  

Dikur thonin se fëmija e parë për femrën është vazhdimi i kukullës së saj të fundit. Që nga viti 1959-të kur lindi Barbie vajzat e vogla kanë patur një model të vetëm kukulle. Dhe më pas në  jetën e tyre reale, ky model ka ardhur natyrshëm pasi jeta e njeriut nuk është gjë tjetër vetëm se përsëritje dhe ripërsëritje e gjurmëve të fëmijërisë. Ndaj dhe Barbiland në film duket sikur është sa simboli i asaj ku do të shkojë femra, aq është në të njëjtën kohë përfytyrimi që vajza e vogël ka patur përgjatë fëmijërisë për të ardhmen e saj. 

Filed Under: Opinion Tagged With: Iris Halili

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 130
  • 131
  • 132
  • 133
  • 134
  • …
  • 858
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT