• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PSE WAGNER GRUP PERBEN KERCENIM JO VETEM PER FEDERATEN RUSE POR ME GJERE?

June 30, 2023 by s p

Dr. Dritan Demiraj

Ndërkohë që të gjitha qeveritë e botës po ndjekin me vëmendje situatën e brendshme të sigurisë në Federatën Ruse, janë rritur si asnjëherë më parë shqetësimet në lidhje me situatën politike të vendit që ka në dispozicion të tij sasinë më të madhe dhe të fuqishme të arsenalit nuklear në botë.

Në këtë këndvështrim, mendoj që është relevante të bëjmë një analizë edhe për faktin që këtë grup e ndjek për vite me radhë duke konkluduar në vitin 2015 dhe 2022 me botimin e dy librave modestë në lidhje me strukturën, kapacitetet, përfshirjen e tij në sulmet kibernetike, në rrëzimin e qeverive në vendet e Sahelit, Magrebit, Lindjen e Mesme në mbështetje të qeverive në Republikën Qëndrore të Afrikës, Sudan, Mali, Libi, Venezuelë, Somali, në mënyrë shumë aktive në mbijetesën e regjimit të Bashar al-Asadit në Siri, më pas në konfliktin në Ukrainë por jo vetëm deri në veriun e Kosovës, në Serbi dhe Republikën Serpska.

Një nga strategjitë e ‘suksesshme’ të presidentit Vladimir Putin pas vitit 2010 ka qënë rritja e influencës ruse nëpër botë, nëpërmjet ekzekutimit të operacioneve të fshehta të luftës së parregullt jo vetëm në Siri, Libi, Ukrainë por edhe më gjerë.

Për këtë qëllim përveç ekzekutimit të operacioneve të fshehta të shërbimeve sekrete ruse SRV dhe GRU, Moska në mënyrë metodike ka zgjeruar prezencën dhe përfshirjen në këto operacione të kompanisë së saj më të madhe të sigurisë e cila njihet me emrin Grupi ‘Wagner’. Kjo kompani deri dje drejtohej nga biznesmeni/krimineli rus Jevgeni Prigozhin. Ajo ka qënë e përfshirë edhe në aktivitete të tjera destruktive dhe kriminale.

Pra thënë ndryshe, ‘Grupi Wagner’ ka qënë një zgjatim ose instrument force i politës së jashtme të Federatës Ruse, por vetëkuptohet në mënyrë të fshehtë dhe i padeklaruar me qëllim rritjen e projektimit të fuqisë ose influencës politike me njësi të armatosura.

Në këtë këndvështrim, mund të përmendim kapacitetet e saj të mëdha në fushën e luftës kibernetike, kapacitete të cilat janë të tilla për shkak të mbështetjes që ky grup merr drejtëpërdrejtë nga GRU-ja dhe SVR-ja. Grupi Wagner drejton Agjensinë e Kërkimeve të Internetit IRA, për të cilën kam shkruar në detaje në librin ‘Shërbimet Sekrete të Federëtas Ruse’. Në të njëjtën kohë Grupi ‘Wagner’ ka ekzekutuar me sukses misione të ndryshme luftarake dhe të luftës informative, nëpërmjet veprimeve të drejtëpërdrejta në luftim, stërvitjes së ushtrive të ndryshme në Afrikë, shërbimeve të mbrojtjes, të ruajtjes së bazave ose ndërtesave qeveritare, etj.

Strategjia e Federatës Ruse nëpërmjet kompanive private ushtarake, është implementuar me qëllim që të ulë fuqinë dhe autoritetin e SHBA-ve, Francës, Britanisë së Madhe dhe të rrisë influencën e Moskës në kontinentin Afrikan dhe më gjerë duke përdorur forca me profil të ulët, të afta të sigurojnë për drejtuesit e korruptuar në këtë rajon siguri fizike, stërvitje ushtarake, këshillim dhe asistencë ushtarake.

Kjo kompani në Libi ka mundësuar stërvitje ushtarake, inteligjencë dhe mbështetje në fushëbetejë për Ushtrinë Kompëtare të Libisë (LNA) e cila drejtohet nga Marshalli Khalifa Haftar dhe për qeverinë e tij në Tobruk.

Pavarësisht kësaj mbështetje, mercenarët e Grupit Wagner dështuan të mposhtnin forcat kundërshtare në Tripoli, të cilat mbështeten nga presidenti turk Rexhep Taip Ergogan. Nga viti 2015 deri në vitin 2022, përdorimi i këtyre forcave jashtë Federatës Ruse është rritur 7 fish sa i përket numrit të vendeve ku operon kjo kompani. Në vitin 2015 kjo kompani operonte në katër vende, në vitin 2022 ajo operon në 27 vende. Kompanitë private ushtarake ruse, kanë qënë aktive në vende të Afrikës, Lindjes së Mesme, Europë, Azi dhe në Amerikën Latine në vende si: Republika Qëndrore e Afrikës, Iraku, Libia, Sudani, Siria, Venezuela, Ukraina, etj.

Grupi Wagner i cili njihet edhe si “PMC Wagner” është një organizatë/agjensi paramilitare private ruse. Ajo ka marrë pjesë në shumë konflikte, kryesisht në konfliktin civil në Siri, në krahun e qeverisë së Presidentit Bashar al-Asad, nga viti 2014-2015 në konfliktin luftarak në rajonin Donbas, Ukrainë duke ndihmuar separatistët e republikave të vetëshpallura të Donetskut dhe Luhanskut. Shërbimet perëndimore të inteligjencës mendojnë se Grupi Wagner është një njësi speciale e Ministrisë Ruse të Mbrojtjes që vepron në fshehtësi. Ajo përdoret nga qeveria ruse në zonat e konfliktit ku trupat ushtarake ruse nuk mund të përdoren haptazi.

Grupi Wagner është krijuar në vitin 2014 dhe vepron në aleancë me forcat e armatosura ruse, ushtrinë Arabe Siriane, forcat e armatosura të Sudanit, të Afrikës Qëndrore, Libisë, lufton kundër ISIS-it, forcave të Armatosura të Ukrainës, Frontit al-Nusra, Tahrir al-Shamit, HTS-së dhe Ushtrisë së Lirë Siriane (FSA).

Ajo që e bën Grupin Wagner të suksesshëm në fushën e betejës, është pikërisht lidershipi i saj, struktura organizative, mbështetja financiare, mbështetja mediatike, mbështetja politike nga ministria e jashtme nëpërmjet ambasadave në shtetet ku vepron dhe mbi të gjitha deri në fillim të vitit 2023, mbështetja me armatime, baza stërvitore, inteligjencë por jo vetëm nga ministria e mbrojtjes dhe më e rëndësishme mbështetja e padeklaruar në publik e presidentit Vladimir Putin dhe lidhjet e drejtuesve të saj me shërbimin sekret të GRU-së.

Të gjithë drejtuesit e strukturave të saj janë ish gjeneralë të ushtrisë ruse, ish kolonelë dhe n/kolonelë të Drejtorisë së III-të, Drejtorisë së IV-rt, Drejtorisë së V-të dhe më e rëndësishmja Drejtorisë së VIII-të të GRU-së e cila është drejtoria e operacioneve të fshehta, operacioneve speciale dhe klandestine ose e cila njihet ndryshe si Drejtoria e Sabotazhit. Ajo ka nën komandën e saj pesë Brigada shumë të stërvitura të forcave speciale ‘Spetsnaz’, të cilat janë të angazhuara në maksimum në konfliktin aktual të Ukrainë që nga pushtimi i Gadishullit të Krimesë në vitin 2014 dhe në ekzekutimin e operacioneve të inteligjencës dhe operacioneve speciale në pesë rajonet e pushtuara si në Gadishullin e Krimesë, Kherson, Zhaporizhzhia, Donetsk dhe Luhansk.

Grupi Wagner drejtohet nga ish koloneli Dmitri Utkin, ish komandant Brigade i Forcave Speciale Spetznas Ruse-GRU (Detashmentit 700 Spetsnaz i Brigadës së 2-të të Pavarur) të Drejtorisë Kryesore të Inteligjencës Ruse-GRU). Ai ka lindur në Kirovohrad Oblast në ish Republikën Socialiste Sovjetike të Ukrainës në Bashkimin Sovjetik në vitin 1970, pra është shtetas ukrainas. Dimitri Utkin doli në pension në vitin 2013 dhe filloi të punonte në kompaninë private ‘Moran Security Group’, e krijuar nga veteranë të ushtrisë ruse e cila realizon misione sigurie dhe stërvitje nëpër botë, e specializuar në sigurinë kundër piratëve.

Në të njëjtin vit, menaxherët kryesorë të ‘Grupit Moran Security’ u përshinë në krijimin e organizatës ‘Corpusi Sllav’ në qytetin e Shën Petërsburgut që realizonte nën kontraktime për mbrojtjen e fushave të naftës dhe infrastrukturës së saj në Siri. Dmitri Utkini për herë të parë ka qënë në Siri si pjesë e këtij Korpusi (Sllavonic Corps).

Grupi Wagner u shfaq për herë të parë në vitin 2014 së bashku me Dimitri Utkin në rajonin e Luhanskut në Ukrainë. Emri i kompanisë rrjedh nga pseudonimi që Utkini kishte në ushtri (Wagner) dhe origjinën e ka nga pasioni i Utkinit për Rajhun e Tretë Gjerman. Në datën 9 dhjetor 2016, Dimitri Utkin është fotografuar me Vladimir Putinin në Kremlin dhe është dekoruar me medalje trimërie së bashku me tre persona të tjerë Alexander Kuznetsov, Andrey Bogatov dhe Andrey Troshevin. Menjëherë pas publikimit fotoja shkaktoi një skandal mediatik. Kuznetsovi (i ashtuquajturi Ratibor) është komandanti i Batalionit të I-rë të zbulimit/sulmit Wagner, Bogatovi është komandanti i Batalionit të IV-rt të zbulimit/sulmit Wagner, ndërsa Troshevi është zv/komandant Batalioni. Ndërkohë më pas zëdhënësi i Kremlinit deklaroi se Dmitri Utkin u dekorua me medaljen e “Trimërisë” dhe Titullin “Hero i Rusisë” në një ceremoni të organizuar nga presidenca për nder të kontributit të tij në Siri.

Por si dhe përse mori kaq shumë rëndësi përdorimi i kërtij grupi në strukturën e të ashtuquajturës ‘Lufta Hibride’ dhe ‘Lufta e Gjeneratës se Re’ (RNGW) të Federatës Ruse?

Në vitin 2013, gjenerali rus Valeri Gerasimov urdhëroi ushtrinë ruse dhe shërbimet sekrete ushtarake ‘GRU’, të fillonin praktikimin e Luftës së Gjeneratës së Re (RNGW), e cila do të realizohej me medoda jo ushtarake, për të arritur qëllimet, objektivat politike dhe strategjike ushtarake të Kremlinit. Këtu mund përmendim protestat popullore, infiltrimin e forcave speciale dhe agjentëve të fshehtë ushtarakë, civilë dhe përdorimin e tyre me pretekstin si ‘forca paqeruajtëse’ si psh në rastin e pushtimit të Gadishullit të Krimesë në vitin 2014.

Për këtë qëllim, Federata Ruse nën drejtimin e gjeneralit Valeri Gerasimov ka adoptuar Luftën Hibride (Gibridnaya Voyna). Lufta Hibride (Gibridnaya Voyna) është një përzierje e luftës konvencionale dhe e fushave të sofistikuara të operacioneve të propagandës dhe të keqinformimit, përfshirë këtu përpjekjet e Federatës Ruse për të influencuar opinionin publik përmes financimit të partive politike brënda vendeve të NATO-s dhe angazhimit të përditshëm të organizatave joqeveritare (NGO) me mënyra klandestine.

“Doktrina Ushtarake Gerasimov” u ‘armatos’ në momentin kur presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi pushtimin e Gadishullit të Krimesë në vitin 2014, duke pushtuar në të njëjtën kohë edhe rajonin lindor të Donbasit në Ukrainë. Në atë kohë në terren u dislokuan edhe mercenarët e “Grupit Wagner”, grup i cili u shfaq për herë të parë në vitin 2014 në rajonin e Luhanskut në Ukrainë. Mercenarët rusë dhe serbë u përfshinë në betejën për marrjen e kontrollit të aeroportit në verën e vitit 2014.

Edhe në ditët e sotme, ata kanë qënë forcat kryesore që kanë mundësuar pushtimin e Soledarit, Vuhledarit, Bahmutit, Avdivkas, Druzhkivkas dhe Kostanivkas duke shkaktuar një dëm shumë të madh për ushtrinë e Ukrainës dhe duke asgjësuar pothuajse çdo ditë nga një batalion ukrainas.

Gjatë viteve 2014-2015, shumë ekspertë perëndimorë i referoheshin veprimeve të ushtrisë dhe të agjensive ruse të inteligjencës si pjesë e Luftës Hibride. Lufta Hibride përfshin përdorimin e taktikave të egra dhe të buta, me qëllim arritjen e objektivave të ushtrisë dhe të presidentit të Federatës Ruse Vladimir Putin. Megjithatë, me qëllim fshehjen e veprimeve të tyre destruktive, rusët në vazhdimësi akuzonin perëndimin dhe SHBA-të, se po përdornin në mënyrë aktive luftë hibride kundër Federatës Ruse.

Në raste të tjera, mund të përmendim termin rus ‘Veprime të limituara’ ku mund të përfshihen grupet ‘proxy’ si në rastin e dislokimit të ‘Grupit Wagner’ në Siri, me mbështetjen e tyre me transport, pajisje luftarake dhe inteligjencë nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Federatës Ruse dhe nga GRU-ja. Po kështu edhe gjatë përfshirjes së Rusisë në konfliktin civil në rajonin e Donbasit gjatë viteve 2014-2021, ku Federata Ruse vendosi të përfshihej në mënyrë indirekte. Milicitë ‘proxy’ si në Siri ose në Donbas në të dyja rastet mbështetën objektivat indirekte ruse, ku mund të përmendim mercenarët, milicitë vendase, kontraktorët civilë ose forcat qeveritare.

Që nga viti 2014, mercenarët e kompanive ushtarake ruse të sigurisë kanë operuar në Ukrainë, Republikën Arabe të Sirisë, Republikën e Afrikës Qëndrore, Libi, Sudan, Mozambik, Venezuelë, Serbi, etj dhe në ditët e sotme në luftimet intensive në Bakhmut dhe në Soledar. Fshehtësia e mënyrës sesi veprojnë këto forca, i kanë mundësuar Federatës Ruse që të përdorë të dy anët e konfliktit në mënyrë të njëkohshme, duke siguruar mbështetje të fshehtë ushtarake për vendin që është i përfshirë në konflikt dhe nga ana tjetër të deklarojë haptazi se është një ndërmjetës i sinqertë në konflikt. Statusi ‘privat’ i këtyre forcave, i ka krijuar mundësi Federatës Ruse që të mos mbajë përgjegjësi për civilët e vrarë prej tyre dhe për dhunën që ata kanë shkaktuar.

Nga fundi i muajit shtator të vitit 2017, forcat e Wagnerit në bashkëpunim me forcat ruse dhe qeveritare siriane, sprapsën një sulm të fuqishëm të terroristëve xhihadistë në veri të qytetit Hama. Në fund të këtij muaji, gjatë një kundërofensive të ISIS-it në provincën e Deir ez-Zorit, dy kontraktorë të Wagnerit u kapën të gjallë nga militantët. Fillimisht Kremlini u distancua nga kjo ngjarje, por kur njëri nga vëllezërit e të kapurve peng akuzoi qeverinë ruse se po përpiqej të mos ndërhynte për lirimin e qytetarëve të saj, atëherë njësia siriane “Gjahtarët e ISIS-it” deklaroi se ishte gati të paguante 1 milionë dollarë për lirimin e sejcilit rus.

Në rast se xhihadistët e ISIS-it nuk do t’i kishin publikuar nëpër media këto mercenarë si shtetas rus, atëherë lajmi për përfshirjen e tyre në Siri nuk do të kishte qënë aq i madh. Në shumë raste Kremlini zyrtar është përpjekur që të justifikojë përfshirjen e tyre dhe sa herë ata janë arrestuar, kapur të gjallë ose janë vrarë, qeveria ruse është justifikuar se ata veprojnë si vullnetarë pa dijeninë e Kremlinit zyrtar.

Forcat e fshehta ushtarake janë duke ekzekutuar operacione ushtarake në mbështetje të kërkesave të politikës së jashtme ruse njëlloj si operacionet e luftës politike, pavarësisht se në disa raste suksesi i tyre është vënë në pikëpyetje si në rastin e mësipërm në Siri. Edhe në Mozambik, në momentin kur forcat e Wagnerit arritën në vend në mbështetje të forcave vendase kundër kryengritësve Islamikë, shumë shpejt këto forca u detyruan të tërhiqeshin në bazat e tyre duke u akuzuar nga qeveria e Mozambikut si forca të stërvitura shumë dobët në luftën në xhungël dhe pa respekt ndaj forcave vendase, për të cilat ata kishin shkuar për t’i stërvitur dhe mbështetur në këto operacione.

Edhe në Republikën e Afrikës Qëndrore, forcat e Wagnerit kanë hasur vështirësi të bashkëpunojnë me sukses më qytetarët vendas.

Nga ana tjetër, Grupi Wagner ka arritur disa suksese në Libi, ku mercenarët e tij kanë qënë një burim i rëndësishëm suksesi për ushtrinë e Marshallit Khalifa Haftar i cili ka kontrollin e zonës që është e pasur me naftë dhe me gaz të lëngët në Libi. Grupi Wagner në atë kohë ka përfshirë shumë mercenarë në Libi.

Si përfundim nuk mund të lëmë pa përmendur sukseset e Grupit Wagner në Ukrainë. Në fillim të muajit korrik të vitit 2022, gazeta ruse ‘Istories’ raportoi se Grupi Wagner filloi rekrutimin e të burgosurve në dy burgje të qytetin e Shën Petërsburgut. Në muajin gusht të vitit 2022, Mediazona raportoi se kishte marrë mesazhe nga të burgosurit rusë të cilët pretendonin se ata po rekrutoheshin nga ‘bosi’ i Grupit Wagner Jevgeni Prigozhin për të luftuar në Ukrainë konkretisht në qytetet Rybinsk dhe Plavsk.

Pas këtij rekrutimi në burgjet e Shën Petërsburgut, përafërsisht 300-350 të burgosur u regjistruan për të luftuar në Ukrainë. Në një video e cila kishte lidhje me rekrutimet në burgje e publikuar në datën 14 shtator 2022, Jevgeni Prigozhin deklaroi se të burgosurit kishin filluar t’i bashkoheshin fushatës së luftimit në Ukrainë që nga data 1 korrik e vitit 2022. Pikërisht gjatë betejës në Solidar dhe në Bakhmut të dënuarit u përdorën me shumë intensitet me qëllim që të ekspozonin pozicionet ukrainase ndaj sulmeve nga njësitë e artilerisë ruse. Në datën 20 maj të vitit 2023, Jevgeni Prigozhin deklaroi marrjen e plotë të kontrollit të Bakhmutit pas 224 ditësh luftimi, ku janë vrarë dhe mijëra luftëtarë nga të dy krahët.

Informacione më të detajuara në lidhje me këtë grup mund të gjeni në librin e botuar së fundi, “Shërbimet Sekrete të Federatës Ruse”, një libër jo vetëm që është unik nga përmbajtja por që botohet për herë të parë në hapësirën Ballkanike.

Dr. Dritan Demiraj.

Filed Under: Opinion Tagged With: Dritan demiraj

Shqiptarët Myslimanë mblidhen në xhaminë e Staten Island për festën e Kurban Bajramit

June 29, 2023 by s p

Nga Beqir SINA New York/

STATEN ISLAND- NY: Në xhaminë « Albanian Islamic Cultural Center » në Staten Island – NY, qindra besimtar muslimanë nga komuniteti shqiptar u sot heret në mëngjes ( e mërkurë 28 qershor) u bën bashk për të falur Kurban Bajramin.

Kurban Bajrami, ose Festa e Sakrificës, është një nga dy festat fetare më të mëdhatë të festuara nga myslimanët në mbarë botën. Ajo përkujton gatishmërinë e Abrahamit për të sakrifikuar djalin e tij përpara se të ndërhynte Perëndia.

Përveç pjesëmarrjes së besimtarve në seancat e liturgjisë fetare, lutjeve dhe faljes së Kurban Bajramit në xhami, besimtarët u shpërndan duke uruar njëri tjetrin dhe vazhduar me vizita në mjediset e tyre familjare për të festuar dhe më pas për të vizituar varrezat e të afërmëve të tyre.

Ndërsa, sot Muslimanët në mbarë botën, festojnë Kurban Bajramin festën e sakrificës, Shqiptarët muslimanë në Staten Island edhe ate për të festuar si mbar bota myslimane u mblodhën bashkë në xhaminë e tyre për t’i bêr lutjet e tyre Zotit të Plotfuqishëm për mirëqenien e tyre, dhe bekimet për familjet e tyre dhe komunitetin.

Qindra besimtarë e besimtare ishin edhe te xhamia e tyre e bërë gati për të ofruar ritualet ne dy falje të Kurban Bajramit. Xhamia ishte e mbushur përplot me besimtar ku binte në sy bashkimin e tyre ne tre brezat e shumicës së familjeve. Te bashkuar, baba gjyshi dhe nipi apo mbesa.

Qendra kulturore islame shqiptare e cila është një nga xhamitë më të mëdha në qytetin e Nju Jorkut dhe Shtetit të Nju Jorkut, thotë kryeimami i kësaj xhamie Dr. Dhulkarnejn Vardari i cili mbajti ligjeraten e tij rreth urtesive te Kurban Bajramit, storien e Profetit Ibrahim dhe te birit te tij Ismailit.

« Sakrifica dhe bujaria jan pjese fundamentale e karakterit te Muslimanit. Kete na e personifikon Ibrahimi as dhe familja e tij. Ne Storien e Ibrahimit mesojm se si duhet familja, femiu, dhe si definohet familja » tha pas faljes së namazit të Kurban Bajramit, Dr.TAHIR Kukaj i cili mbajti hutben për festën e kurbanit duke përcjell dhe mesazhin e Bajramit të këtij viti i cili tha ai është familja.

Në hutben e tij Dr. Kukaj tha se « Populli yne eshte i fortë sa eshte kujdesi ndaj familjes dhe femijeve. Festa e Kurban Bajramit nuk i perket vetem Muslimaneve, ne fakt kjo feste eshte feste per mbare njerezimin e ne menyre te veçant per Muslimant,te Krishteret dhe Hebrenjt. Ibrahimi ishte dhe mbetet figura emblematike per besimtaret e ketyre besimeve Qiellore. »

Ndërsa vazhdoi se në kete feste te sakrifices, besimtaret ofrojn Kurban, qe ne nje kuptim do thote, sakrifice por edhe afrim. Ne i afrohemi Zotit duke i sherbye familjes, konunutetit, popullit tone dhe mbare njerezimit. »

Imam Tahir Kukaj përcolli mesazhin e urimit nga kjo xhami : « Uroj qe populli yne te festoj perhere dhe perhere te jemi te bashkuar ne çdo hap te jetes tone si komb dhe ai popull. »

Filed Under: Opinion Tagged With: Beqir Sina

Me emrin e Zotit të Gjithmëshirshmit, Mëshiruesit

June 28, 2023 by s p

Imam Adnan Berbatovci/

Xhamia Shqiptare Toronto, Kanada

Të nderuar Besimtarë të dashur

Me që jemi duke jetuar në atmosferën e Kurban Bajramit, festë kjo e muslimanëve në tërë boten e normalisht edhe e Shqiptarëve Musliman, më lejoni që ne emrin tim personal dhe të Keshillit dhe Xhematit të Xhamisë Shqiptare në Toronto të ju uroj këtë festë te bekuar të Kurban Bajramit, duke e lutur Zotin e Madh, Krijuesin tone që kjo festë

të na gjej të lumtur ne gjirin familjar dhe atë miqësor.

Kurban Bajrami , kjo festë e sakrificës, dhënies, harmonisë e solidaritetit me njeri tjetrin , tregon më së miri se si duhet të jemi gjithmonë në raportet me vellezërit tanë dhe me mbarë botën pa dallim. Menyra e Madhërimit të Zotit Fuqiplotë si gjithmonë edhe gjatë këtyre ditëve që kaluan, ditët e Dhul Hixhes dhe Ditës së Arafatit, eshtë pikërisht ajo që njerëzimi ka nevojë të ketë në konsideratë.

Të gjithë ju jeni të Ademit, e Ai eshte krijuar nga dheu. Shprehet kështu Muhamedi a s , për të dhënë sinjal të drejpërdrejtë se trajtimi i njerëzve duhet të bëhet në mënyre të barabartë, pa iu cenua e drejta e tij askujt, sepse njeriu ndoshta mund të jap shumë gjera bazuar në rrethanat që jeton, por assesi nderin dhe integritetin e tij. Pikërisht kjo thënie e Muhamedit a s u tha në kohën kur shoqëria arabe e asaj kohe kishte ende elemente fanatike të nacionalizmit duke u përpuzur dhe ofenduar çdo gje që nuk i përkiste atyre.

Kurban Bajrami, eshtë festë ku zilia, smira inati e çdo ves i ligë duhet ta kenë përfundimin këtu, për të filluar jeta e re, dita e re, fjalori i ri, vepra e re, në mënyre qe edhe vet të përjetojmë çaste e dite të lumtura por edhe shëqoria të ndihet e lumtur dhe plot vullnet në realizimin e gjerave pozitive për mbare botën.

Maratona fillon me hapin e parë, edhe për vepra të mira , iniciativa të mira , bashkim të Shqiptarëve , duhet ta qesim hapin e parë, me qëllim të mire dhe me shpresë se për punen tonë do shpërblehemi pa dyshim nga Zoti i Madh.

Kurban Bajrami, ka edhe anen shumë të dhimbshme kur kujtojmë ndodhinë e Ibrahimit a s me djalin e tij Ismailin a s . Kur Babi Ibrahimi u testua nga Zoti fuqiplotë ta bëjë Kurban të birin për hir të tij. E Ai e kaloi me sukses testin, kjo për të kujtuar njerëzimit se sakrifica për hir të Zotit shpërblehet, ne rastin konkret u shpërblye me nje kurban nga qielli- dash, sepse qëllimi ishte vetem testimi e jo therrja e femiut njemend, testim ky që vërtetoi se Babai i Pejgamberëve Ibrahimi a s , në zemrën e tij nuk kishte dashuri me të madhe se sa të Zotit xh .sh.

Prandaj neve sot therrim Kurban për të kujtuar këtë sakrifice dhe ketë testim mjaftë të vështirë, ne aspektin tjeter siç thotë Muhamedi a s , vepra me e mire te Zoti ditë e Kurban Bajramit eshte therrja e Kurbanit.

Keshtu që, me therrje, kujtojmë sakrificën e testin, zbatojmë një urdher te Zotit të Madherishëm., dhe tregohemi solidar duke e shpërndare Kurbanin ne familje, mes miqësh dhe te ata që kanë nevojë.

Thuaj namazi- Lutja ime, kurbani im, jeta dhe vdekja bëhet betëm për hire të Zotit të botëve.- Kuran.

Le ti urojmë edhe të gjithë haxhitë, e posaqërisht vëllezërit dhe motrat tanë Shqiptarë të të gjithë Shqiptarisë dhe tiu themi Haxh të pranuar e lutje të pranuara Ishalla.

Krejt në fund , Kurban Bajram të

mbarë, lutje të pranuara, Kurbanet që i keni therrur kabul u bëfshin ishalla.

Dhashtë Zoti i Lartë, që ta bekoj ketë tokë këtë popull dhe ketë vend që jetojmë, Kanadanë dhe ShBA, si dhe ta bekoj edhe Shqiptarinë anembanë.

Urime , për Hajr e me begati e pritshim Kurban Bajramin .

Me respekt Adnan Berbatovci.

Imam – Xhamia Shqiptare Toronto , Kanada.

Filed Under: Opinion

Bisedë me stërnipin e Ismail Bej Vlorës, z. Qamil Ismail Vlora

June 27, 2023 by s p

Ati i Pavarësisë së Kombit Shqiptar Ismail Bej Vlora u përjetësua dhe në Amerikë në vendin më demokratik të botës. Një nga rrugët kryesore në Staten Island, New York u pagëzua me emrin e madh të Ismail Qemalit.

Në këtë ceremoni madhështore ishte i ftuar dhe nipi i Ismail Bej Vlorës Qamil Ismail Vlora.

Ju ftoj të ndiqni bisedën!

Ju jeni një prej pinjollëve të familjes së madhe kombëtare të Ismail Qemal Bej Vlorës. Çfarë peshe keni mbi supe duke qenë pasardhës i tij?

Mendoj se të jesh pasardhës i një figure historike, siç është figura e Ismail Qemal Bej Vlorës, figurë e lidhur pazgjidhshmërisht me ngjarjen më të madhe të shqiptarëve, pikërisht atë të Shpalljes së Pavarësisë apo Ditës së Flamurit, më shumë se krenari është një peshë e rëndë, por që nuk të lodh, përkundrazi, edhe pse në momente të shkurtra apo të rralla, të jep një kënaqësi krejtësisht të veçantë, siç ishte edhe kënaqësia e papërshkrueshme e momentit kur, rrethuar nga qindra shqiptarë që jetojnë në Amerikë, por edhe shtetas amerikanë dashamirës të Shqipërisë, emri i Tij u zbulua i shkruar mbi pllakën që do mbetet në breza në një nga rrugët e New York-ut.

Cilat kanë qenë marrëdhëniet tuaja me regjimin komunist, pasi është fatkeqësi që pasardhësit e Ismail Qemal Bej Vlorës u lanë në hije dhe, për të qenë e sinqertë, nuk dinim ku ishit edhe pse prindërit tanë, nën zë, na tregonin se Ismail Qemal Bej Vlora kishte lënë 9 fëmijë?

Historia e familjes sime, përgjatë regjimit komunist, është një histori e gjatë dhe shumë e komplikuar në vetvete. Por, e thënë shkurt, ajo është një marrëdhënie mosbashkëpunimi midis familjarëve të mi dhe regjimit komunist, të cilët u distancuan në mënyrë të hapur kundrejt sistemit që po instalohej në Shqipëri, pasi ata nuk kishin asgjë të përbashkët me ideologjinë komuniste dhe nuk miratonin veprimet që ai sistem po zbatonte në Shqipëri, që në ditët e para të pasluftës.

Pikërisht, për këtë distancim apo refuzim për të qenë pjesë e atij sistemi, gjyshi im, Qamil Bej Vlora, djali i Ismail Qemal Bej Vlorës (emrin e të cilit unë mbaj) u arrestua, me akuzën «sabotator i pushtetit» pasi nuk kishte dorëzuar, në afatin e duhur, një revolver. Sigurisht ky ishte thjesht një pretekst për të ligjëruar veprimin e tyre pasi, në të vërtetë, ishte goditja që ata kërkonin t’i jepnin atij dhe familjes Vlora. Më pas, për të njëjtat arsye, pra të mosbashkëpunimit, në mënyra dhe forma të ndryshme, u persekutua gjithë familja jonë përgjatë gjithë periudhës së diktaturës komuniste. Njëkohësisht, paralelisht persekutimit të familjes, u shtrembërua edhe historia familjare e Ismail Qemalit, protagonistit të Shpalljes së Pavarësisë. Ajo tregohej jashtë mase e cunguar, si për prejardhjen e tij ashtu edhe për familjen që ai krijoi vetë, duke u martuar me Kleoniqi Surmelin, me të cilën pati plot 9 fëmijë, disa prej të cilëve ishin edhe bashkëpunëtorët më të ngushtë të tij, që e mbështetën dhe e ndihmuan në rrugëtimin drejt Pavarësisë e më pas deri në ditët e fundit të jetës.

Ku keni jetuar dhe cilat janë disa nga kujtimet tuaja në shkollë, miqësia apo diskriminimi që keni ndjerë në bangat e shkollës?

Unë kam lindur dhe jetuar në Tiranë, ku ndoqa edhe periudhën e shkollimit. Nuk mund të them se në periudhën shkollore ka pasur diskriminim ndaj nesh. Thjesht, edhe pse e parë nga jashtë mund të duket jo e rëndë, karshi nesh u ndoq një politikë indiferentizmi dhe mosvlerësimi. Ishte gjetur një mënyrë për të na luftuar në heshtje, duke mos na dhënë hapësirën që meritonim, duke na penguar në dëshirat tona, pasionet, rrugën studimore që do dëshironim, etj., gjëra që, në të kundërt, u krijoheshin, shpesh edhe pa meritë, fëmijëve që u përkisnin klasës së tyre. Unë vetë, duke patur pasion matematikën, kam mundur, edhe pse me vështirësi, të merrja pjesë në disa olimpiada kombëtare, ku edhe kam fituar çmime, por mendoj se nuk më jepnin vlerësimin që meritoja.

Pse ju detyruan të ndryshonit mbiemrin Vlora dhe pse Ismail Qemal Bej Vlora në kohën e diktaturës njihej vetëm si Ismail Qemali?

Historia e ndryshimit të mbiemrit të familjes sime është një histori e gjatë, e komplikuar dhe e mirëmenduar. Neve nuk na detyruan ta ndryshonim mbiemrin. Thjesht dhe në mënyrën më arbitrare na e ndryshuan atë. Në Bashkinë e Tiranës është akoma rregjistri i vitit 1946 ku, më 30 tetor të po atij viti, një komision i posaçëm, pa pyetur e pa lajmëruar askënd dhe pa shënuar asnjë motivacion, në fletën ku ishte e rregjistruar familja, mbi të katër personat e familjes që ishin të rregjistruar, përkatësisht gjyshi im, gjyshja, babai dhe xhaxhai, kanë ndërhyrë duke vendosur një vizë mbi mbiemrin ekzistues Vlora dhe duke shënuar përbri tij mbiemrin e ri: Ismaili, të zgjedhur prej tyre. Pra familja ime nga Vlora, mbiemër që e kishin trashëguar brez pas brezi, u gjet, pa e ditur as vetë, me një mbiemër të ri. Ky ishte një veprim mjaft i qartë dhe i mirëmenduar. Në atë kohë gjyshi im, bashkë me dy djemtë e tij, ishin të vetmit meshkuj që jetonin në Shqipëri dhe që kishin mbiemrin Vlora. Pra duke iu hequr këtë mbiemër, aq të njohur, autorët mendonin që, në këtë mënyrë, do ta zhduknin atë.

Kjo gjë vihet re qartë edhe në formën e emrit që përdorën ndaj Njeriut që Shpalli Pavarësinë. Ai u prezantua në historiografinë shqiptare thjesht si Ismail Qemali, pa titullin Bej dhe pa mbiemrin familjar, me qëllim që ta ngulitnin në kujtesën e re kombëtare të shkëputur nga historia e familjes së tij. Mbiemri Vlora, me aq kontribut në historinë tonë, filloi pak nga pak të lihej në harresë aq sa edhe sot, fatkeqësisht, dihet fare pak për paraardhësit e Ismail Qemal Bej Vlorës, themeluesit të shtetit tonë shqiptar, dhe për prejardhjen e tij.

Na tregoni ju lutem diçka për gjyshin tuaj, Qamil Bej Vlorën, djalin e Ismail Qemal Bej Vlorës.

Gjyshi im ishte djali dhe fëmija më i vogël i Ismail Qemalit. Ai lindi në Stamboll, më 14 dhjetor 1895. Si djalë i Ismail Qemalit atij iu desh të përballej me vështirësi të ndryshme që në fëmijëri. Ishte pikërisht koha kur Ismail Qemali kishte dalë hapur kundër politikës së Sulltan Hamidit II-të, gjë që e detyroi të arratisej nga Turqia në vitin 1900, duke marrë me vete vetëm një pjesë të familjes. Gjyshi im atë kohë ishte vetëm 5-vjeçar dhe mbeti në Stamboll bashkë me nënën e tij dhe dy vëllezërit e mëdhenj të cilët, shumë shpejt, u arrestuan dhe u internuan larg Stambollit. Kështu ai e kaloi fëmijërinë vetëm me nënën e tij dhe larg babait, për plot 8 vjet. Kur Ismail Qemali u kthye përsëri në Stamboll, në vitin 1908, gjyshi im ishte 13-vjeçar. Në ato vitet e para, kur familja u ribashkua, ai nuk i ndahej babait të tij mirëpo, në rrugëtimin e tij në shërbim të çështjes kombëtare, Ismail Qemalit i duhej shpesh të qëndronte larg familjes. Më pas, gjatë periudhës së Pavarësisë, kur Ismail Qemali ishte në Vlorë, gjyshi im u vendos në Francë ku edhe mbaroi studimet. U kthye në Shqipëri në shkurt 1919, kur, bashkë me dy vellezër, Et’hem beun dhe Qazim beun, shoqëruan trupin e pa jetë të babait të tyre nga Perugia e Italisë në Vlorë.

Gjatë qëndrimit në Vlorë u njoh me vajzën e Ahmet Aga Dyrmishit, Ylvien dhe nga martesa e tyre lindën dy djem: Ismail Qemal (im at) dhe Xhevdet. Më pas gjyshi u vendos në Tiranë, bashkë me familjen, dhe u punësua në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Ai kishte studiuar në Europë dhe fliste shumë gjuhë të huaja. Në Ministrinë e Jashtme nga nënpunës i thjeshtë arriti të emërohej Sekretar i Parë i asaj ministrie dhe të dekorohej fare i ri me urdhrin e Skënderbeut dhe atë të Legjionit të Nderit të Francës. Mirëpo edhe ajo periudhë e “qetë” familjare do ndërpritej më 1932 kur, i dyshuar si pjesëmarrës në “Organizatën e Fshehtë të Vlorës”, e cila mendohej se kishte për qëllim rrëzimin e monarkisë, u arratis nga Shqipëria (bashkë me familjen) dhe u vendos në Francë. Pas largimit të Mbretit Zog u kthye sërish në Shqipëri dhe u emërua anëtar i Këshillit të Shtetit.

Pas luftës, me ardhjen në pushtet të regjimit komunist, refuzoi bashkëpunimin me atë regjim gjë që i kushtoi përndjekjen. Më 10 dhjetor të vitit 1946, me akuzën “sabotator i pushtetit”, pasi, siç thashë edhe më sipër, nuk kishte dorëzuar brenda afatit një revolver që kishte në zotërim, u arrestua dhe u dënua me një vit burg. Në Arkivin e Ministrisë së Brendëshme janë akoma dokumentat që dëshmojnë mbi arrestimin e gjyshit tim, akuzat, masa e dënimit, etj. sidhe disa dokumenta të tjera që dëshmojnë se si Sigurimi i Shtetit ndiqte të gjitha lëvizjet e tij, me kë takohej, ku shkonte, etj. Gjatë vuajtjes së dënimit gjyshi im u prek nga turbekulozi dhe, pasi doli nga burgu, u kurua për pak kohë në senatoriumin e Tiranës ku edhe ndërroi jetë më 15 dhjetor 1950, në moshën 55-vjeçare.

Që nga ajo kohë familja ime u konsiderua si kundërshtare e atij regjimi ndaj edhe pasojat u ndjenë tek të gjithë ne, deri në vitin 1990, kur në vendin tonë morri fund regjimi komunist.

Çdo të thoshte për babain tuaj të pagëzohej me emrin e madh të Ismail Qemal Bej Vlorës?

Im at ishte i pari djalë që lindi në familje pas vdekjes së Ismail Qemalit. Lindi në Vlorë më 26 Korrik 1920, ndërkohë që Ismail Qemali kishte vdekur në janar të vitit 1919. Pra im atë pati nderin të trashëgonte emrin e tij duke u quajtur edhe ai Ismail Qemal, pra dy emra, siç përdorej në gjerësisht në atë kohë. Mendoj se të trashëgosh emrin e një personaliteti të njohur është, përveç kënaqësisë apo nderim, edhe një përgjegjësi mjaft e madhe. Im atë, në kohën kur në Shqipëri u instalua regjimi komunist, ishte një i ri 24 vjeçar. Studimet i kishte kryer në Francë dhe njihte disa gjuhë të huaja. Duke mos bërë asnjë lloj kompromisi me regjimin që u instalua në Shqipëri, veprim që, në radhë të parë do cënonte dinjitetin e tij por, për pasojë, edhe atë çka ai pikërisht përmes këtij emri përfaqësonte, jo vetëm që u ndie i nderuar me emrin që ishte pagëzuar por e lartësoi edhe më shumë atë.

Edhe pse në një periudhë të jetës së tij, fatkeqësisht të gjatë, e privuan të përdorte zyrtarisht mbiemrin e tij, nuk e ndaluan dot ta përdorte në jetën e tij private dhe vetë ai nuk linte rast pa e evidentuar atë. Në të gjithë korrespondencën që im atë mbante me kushërinjtë e tij që jetonin jashtë Shqipërisë, korrespondencë e shpeshtë dhe e ngjeshur për kohën, mbi zarf ai do vendoste emrin e tij të plotë: Ismail Qemal Vlora dhe, në po të njëjtën formë, i vinin të gjitha letrat. Gjithashtu edhe në ato pak raste kur i duhej të drejtonte ndonjë kërkesë zyrtare vendoste gjithmonë emrin e plotë. Pra, duke menduar kohën ku ai jetoi, ai veprim ishte një sfidë ndaj asaj padrejtësie që i kishin bërë.

Në vitin e fundit të jetës, 1990, pas disa përpjekjeve për të rimarrë mbiemrin e familjes, im atë arriti të bënte korrigjimin e duhur dhe të shumëpritur. Kështu edhe pse gjatë rrugëtimit të tij iu desh të njihte edhe atë padrejtësi sa dashakeqëse aq edhe absurde, ai u largua nga kjo jetë me atë mbiemër të nderuar që kishte patur fatin të lindte.

Ismail Bej Vlora ka lënë thesar të paçmuar për kombin. Ju keni dokumenta apo diçka tjetër?

Në peripecitë e shumta që kaloi vetë Ismail Qemali, e më pas gjithë familja e tij, sidomos pjesa e familjes që mbeti në Shqipëri, shumë dokumenta apo sende që i përkisnin vetë Ismail Qemalit, por edhe paraardhësve të tij, fatkeqësisht, humbën. Pjesa më e madhe e trashëgimisë familjare ndodhej në Vlorë, trashëgimi që u sekuestrua gjatë regjimit komunist. Vetë Ismail Qemali, kur u arratis nga Turqia më 1900-ën, u dënua me vdekje në mungesë dhe me sekuestrimin e gjithë pasurisë së tij. Po ashtu edhe më 1912-ën, ku u nis për të shpallur pavarësinë ai la në Stamboll gjithshka që kishte. Dokumentat personale të Ismail Qemalit, ato që mundën të shpëtonin, i kishte djali i tij, Qazim Beu, i cili u vendos në Strugë, ku edhe vdiq në vitin 1953. Dokumentat që ai kishte me vete duhet të kishin një rëndësi të madhe kombëtare pasi ai kishte shoqëruar të atin kudo në 20-vjeçarin e fundit të jetës. Qazim Beu jetonte i vetëm në qytetin e Strugës, kështu që nuk dihet fati që pësuan ato dokumenta aq të çmuara që ai kishte me vete.

Sot ne kemi shumë pak kujtime por, në gjithë këtë histori, ajo çka është më e rëndësishme është Vepra e Tij. Ajo mbeti për t’i shërbyer një kombi të tërë.

Le të hidhemi në ditën e inagurimit të rrugës «Ismail Qemali» në Staten Island, e inicuar nga z.Naser Nika, Dr.Bari Ceka dhe mbështetur nga të gjithë ne, ishte një ditë historike për Diasporën, Kombin dhe natyrisht edhe për ju. Si e mirëpritët dhe e përjetuat këtë lajm, këtë ditë historike ku fjala juaj mbetet shumë mbresëlënëse?

Kur mësova, nëpërmjet Internetit, se në Staten Island po bëheshin përpjekje që një rruge t’i vinin emrin «Ismail Qemali», sigurisht ndjeva një kënaqësi të madhe, pasi këto veprime tregojnë respektin, mirënjohjen dhe dashurinë që populli ka ndaj atyre burrave që luftuan e sakrifikuan për të krijuar shtetin shqiptar, atë që ne gëzojmë sot.

Pasi hyra në kontakt me një nga inisiatorët e këtij projekti të madh, z.Naser Nika, i cili me mjaft dashamirësi më sqaroi gjithcka që lidhej me këtë projekt, pra idenë, propozimin, miratimin e deri vendin ku do vendosej emri i tij, mendova të bëja përpjekjet e duhura për të qenë i pranishëm në atë eveniment.

Ajo ditë do mbetet thellë në kujtesën time, për pjesëmarrjen e madhe, personalitetet e shumta që e nderuan, për të gjithë ata që përshëndetën, për mënyrën e organizimit dhe për çdo detaj me të cilat ishte ndërtuar ajo ceremoni. Ndaj unë përfitoj të përsëris këtu falenderimet e mia dhe ato të familjes sime për të gjithë ju që menduat, u përpoqët dhe bëtë të mundur realizimin e këtij projekti kaq të rëndësishëm, jo aq për ne se sa për brezat që do vijnë.

Sigurisht një falenderim i veçantë shkon për dy inisiatorët e këtij projekti, z.Naser Nika dhe Dr.Bari Ceka si edhe për z.David M.Carr, anëtar i këshillit bashkiak të New York-ut, për mbështetjen që i dha projektit të tyre. Po ashtu një falenderim të veçantë për miqtë e nderuar amerikanë që ishin pjesë e asaj dite të shënuar për të gjithë ne, si edhe të gjithë të pranishmëve që u mblodhën aty për të qenë prezent e për ta bërë më të bukur e më emocionuese atë ditë.

Dhe së fundi një falenderim po aq të veçantë edhe për ju, për fjalën tuaj përshëndetëse, plotë emocion e atdhedashuri dhe për këtë bisedën tonë…

Duke ju uruar çdo mbarësi, uroj gjithashtu që të kemi sa më shumë raste të tilla për t’u mbledhur e për t’u takuar sërish…

22 Qershor, 2023

Staten Island, New York

Filed Under: Opinion Tagged With: Keze Kozeta Zylo

Shfaqet në New York dokumentari “E Bukura nën Pranga”

June 26, 2023 by s p

Nga Anna Gjoni

New York/

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare kundër torturës (26 Qershor 2023) në një nga ambjentet e Producer Club Theaters në Manhattan, u shfaq filimi dokumentar “The Beauty in Shackles”, “E Bukura nën Pranga” realizuar nga Organizata e Gruas “Shpresë & Paqe” në New York. Dokumentari i dedikohej popullit shqiptar, specifikisht grave dhe fëmijëve që kanë përjetuar tortura, krime, vrasje, internime nga komunizmi në Shqipëri, sllavo-komunizmi në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, në Çamëri nga shovinizmi grek e në të gjitha trevat shqiptare, ku ka patur persekucion e genocid.

Anëtaret e kësaj organizate së pari falenderuan Zv/ Ambasadorin e Republikës së Kosovës në New York, Z. Fatmir Zajmi sëbashku me bashkëshorten e tij, pjesëmarësit në këtë event, si dhe “të zotin e Shtëpisë” Z. Alfred Tollja, që vazhdimisht tregohet i gatshëm për të ofruar hapësira të tilla për komunitetin tonë në këtë Qendër Arti. Të cilat thanë se e vlerësojnë vërtetë dhe i janë mirënjohëse.

Sa i përket dokumentarit, i cili përfundoi në janar të vitit 2020, por për arsye të Covid-19, u shfaq pikërisht këtë kohë, anëtaret e “Shpresë & Paqe” falenderuan bashkëpunimin e mirë me ish të burgosurin dhe të arratisurin politik Prof. Sami Repishti PhD, i cili nuk mundi të ishte prezent, ish të internuarin politik dhe gazetarin e palodhur Z. Beqir Sina, gazetaren Rafaela Prifti, që edhe ajo nuk mund të ishte e pranishme, pasi i ati saj shkrimtari shumë dimensional e patrioti Naum Prifti u nda nga jeta, montazhierin Valon Dervishi, Zj. Saranda Bekteshi nga Shkupi, si dhe producenten e këtij dokumentari Merlin Tushe, e cila për shkallën e saj të lartë të inteligjencës është pranuar në “Organizatën e Gjenive të Botës” në SHBA.

Duke qenë se edhe popullsia shqiptare përfshirë në të gjitha trevat e saj ka pësuar tortura, vrasje, pushkatime, internime, dhunime, malltrajtime nga qeveritë komuniste dhe sllavo komuniste organizata “Shpresë & Paqe” çdo vit më 26 Qershor përkujton këtë datë në respekt të viktimave të torturës.

“Sipas statistikave tha Znj. Dajçi, gjatë periudhës komuniste në Shqipëri u pushkatuan 450 gra, u burgosën 7367 gra, nga 1065 persona ish të burgosur politik, që vdiqën burgjeve, qindra prej tyre ishin gra. Qindra prej tyre humbën aftësinë mendore, qindra fëmijë kanë vdekur kampeve të internimit, 33 prej tyre në kampin shfarrosës të Tepelenës.

Gjatë atij regjimi makabër në Shqipëri, çdo 3 ditë do ti bëhej gjyqi çdo qytetari. Ose do të ekzekutoheshin me apo pa vendim gjykate dhe eshtrat e tyre nuk dihet akoma se ku ndodhen. Në Kosovë po ashtu kemi historikisht krime dhe genocid në popull, mbi gratë dhe fëmijët nga makineria serbe, mbi 20 mijë femra në Kosovë janë vrarë, përdhunuar dhe zhdukur në Kosovë. Po ashtu në Maqedoni siç kemi rastin e arsimtares Shpresa Tuda e të tjera që u persekutuan nga regjimi sllavo komuninst në Maqedoni, edhe në Çamëri kemi mjaft heroina që u masakruan nga shovinizmi grek edhe në trevat e tjera ku shqiptarët kanë përjetuar tortura dhe malltrajitme nga qeveritë sllavo komuniste serbe”.

Bashkëngjitur po vijojmë të japim të plotë fjalën e gazetarit Beqir Sina, mbajtur më 26 Qershor 2023 në Producer Club Manhattan, me rastin e shfaqes së dokumentrit, E Bukura nën Pranga. “Marrja ende me çështjen e persekutimit në Shqipërinë komuniste debatet dhe diskutimet shterpë dhe tejet të stërgjatura në këto 32 vjet, ndër shqiptarë mbi torturat, privimin e tyre, burgosjen dhe interrnimin deri te përdhunimi në qelit e burgjeve enveriane, tek femrat në Shqiperi, tregon vetëm një gjë, tani s’ka më dikush duhet të flas e të tregojë atë që ka parë e përjetuar në «shpinën» e tij.

Të tregojmë! E vetmja gjë që fituam dhe na ka mbetur!

Ose, si na e ka lënë “amanet” njeriu i perendisë “Rrno vetëm për me tregue” në veprën memuaristike të fratit françeskan Zef Pllumi, pra, ne jemi ata që duhet të tregojmë ose më e pakta duhet të ngrejmë, atë zerin që na është ngjirrur për më shumë se tre dekada në Shqipëri e rrugve të botës, me një apo tjetër formë tjetër atje ku jemi dhe kemi mundësi duhet bëjmë diçka të na dëgjohet zëri edhe diku larg. Ngase vet/heshtja në vet/vete ndoshta pa dashje dërgon «një mesazh të keqkuptuar» deri tani edhe te presekutorët tanë që nuk duan të na kuptojnë. Madje heshtjen tonë, fisnikërin tonë atë që ne nuk e bëjmë për hakmarrëje deri tani ata, pra presekutorët dhe bijtë e bijat e tyre, na e marrin për « dobësi» duke na vjedhur edhe vuajtjen, dënimin e peresekutimin tonë 45 vjeçar.

Ndërsa, ata ishin po këta që janë sot të preveligjuarit e çdo pushteti.

Atëhere! nese nuk e themi ne, nuk flasim ne, kush vallë do ta thotë a do të flasë më mirë se ne, «të çohen nga varri të vdekurit tanë, apo t’ua lëmë në dorë atyre ish-persekutorëve dhe trashëgimtarëve të tyre, ata që po na qajnë me lotë krokodili në gazeta e televizione, rrjetet sociale, paçka se ishin ata që na e bënë vetē gjëmën.

Ndërkohë, që sot ne të persekutuarit kemi disa nga përfaqësuesit tanë në Shqipëri e diasporë madje edhe femra që fuqishëm e ngrenë zërin madje edhe në ndonjë institucion ndërkombëtar si këtu në Amerikë që flasin dhe tregojnë për atë se çfarë ka ndodhur dhe kush e ka bërë: «Po – thonë ato – kanë ndodhur, tortura, persekutime dhe dhunë e përdhunime tek femrat në qeli në dhomat e burgimit apo paraburgimit dhe kapmet e presekutimit.

Nisur nga këto çfarë kanë bërë xhelatët dhe problemet të parealizuara që shqetësojnë dhe sot ish të persekutuarit politik në vendin tonë megjithëse le mundësi të limitizuara financiare të paktën ne në Amerikë, kemi Organizatën e Gruas Shqiptare Amerikane (The Women’s Organization “Hope & Peace”) me themeluese Mimoza Dajçin, që ka marrë barrën e rëndë për të folur dhe luftuar për të drejtat e të persekutuarve politikë e për dinjitetin e tyre në Amerikë.

Edhe pse vendi ynë Shqipëria, akoma nuk i është bashkangjitur vendeve ish komuniste në Europën juglindore në ngritjen e një vepre obelisk, muze ose memorial për kujtimin e nderimin e ish të burgosurve politik, të interrnuarve dhe të presekutuarve, dënimin e krimeve të komunizmit sipas platformës së gjyqit të Nurembergut, si Gjermania, Polonia, Çekia, Hungaria, Rumania , Estonia, Lituania e tjerë, janë gratë shqiptare, ish të peresekutuara në Shqipërinë komuniste të diktatorit Enver Hoxha, një pjesë e tyre tashmë jetojnë në Shqipëri, por dhe ato që morën rrugën e kurbetit me familjet e tyre edhe pse larg atdheut kanë vendosur të tregojnë dhe e ngrenë zërin e ryre fuqishëm duke thënë se nuk do të ndalin zërin e tyre derisa e drejta dhe dinjiteti i ish të burgosurve politik, të pushkatuarve e të internuarve politikë të Shqipërisë të shkojë në vend.

Qendrimet e tyre nuk janë hakmarrëse të paktën për këto gra fisnike pjesëtare të familjeve më të mira shqiptare, patriote e atdhetare, demokrate qysh në genin e tyre, ato kanë ideale që luftojnë të bindura dhe me shpresë se e drejta duhet të triumfojë, sepse pasojat akoma po i vuan ajo shtresë mbi kurrizin e saj jo fizikisht por moralisht dhe materialisht.

Tetë vende të lindjes nga 13 vende ish komuniste e kanë mbështetur deri tani dhe kanë realizuar për tre dekada që prej rrëzimit të mortajës inisiativa dhe nisma madhore ligjore për ish të dënuarit politik, të internuarit në kampet e punës së detyruar, dhe të presekutuarit përjashtuar vendin tonë të dashur Shqipërinë.

Çudi!!

Vendi ynë që ka përjetuar diktaturën më të egër në Europë hesht e qëndron indiferent kundrejt atij persekutimi aq të madh sa përjetuam ne një pjesë e shqiptarëve që na quajtën këta të sotmit «Armiqtë «por se e vërteta ishte ashtu si e treguan edhe këto 32 vjet që ne ishim ata që e donim më shumë Shqipërinë, sepse ne ishim me Amerikën dhe jemi deri në vdekje, deri sa i bëmë dhe i kthyem edhe ata me Amerikën.

Por edhe pse qeveritë shqiptare sidomos kjo pasardhsja e Partisë së Punës Partia Socialiste, ortakia e atyre që kreu krimet për 45 vjet duket se nuk kanë interes të dënojnë krimet e komunizmit në Shqipëri”- përfundon kështu fjalën e tij Z. Sina.

Për veprimtarinë shoqërore në dobi të të drejtave të grave dhe fëmijëve dhe arritjet e tyre në komunitet kjo organizatë ka bashkëpunim të mirë edhe me liderët politikë në New York, ku me kërkesë të “Shpresë & Paqe” janë vlerësuar disa nga anëtaret e saj, nga ish Presidenti Ruben Diaz. Jr. Kryekontrollori i New Yorkut Scott Stringer, Senatorja Nathalia Fernandez. Edhe për këtë rast Senatorja Nathalia Fernandez vlerësoi me Çertifikatë “Mirënjohje” zonjat Hava Bushati Repishti (pas vdekjes) Nana e Prof. Sami Repishtit PhD, Bahrie Bytyqi (Nana e tre heronjve që dhanë jetën për lirinë e Kosovës, Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi) Altina Sina, Ariana Hoxha, Gjylizare Murati (pas vdekjes) Sabije Veseli, Fikrie Dulatahu, Majfturie Daci, Kimete Haxhaj dhe Nebahat Berlajolli. Edhe një vit më parë politikanja demokrate Nathalia Fernandez, po me kërkesë të kësaj organizate dekoroi poeten dhe humanisten Prof. Rita Saliu dhe aktivistet Cynthia Arzy, Janulla Rrapi dhe Anna Gjoni.

Eventi u moderua nga gazetari Beqir Sina, si një ndër miqtë e mirë e kolegët më të veçantë të kësaj organizate. Të pranishëm gjithashtu ishin regjisorja Mrika Krasniqi dhe luftëtarët trima të UÇK-së, zotërinjtë Fatmir Rexha dhe Shufki Mata. Pas shfaqes së dokumentarit, ku pati edhe duartrokitje, pasi përshtypjet ishin mjaft pozitive, fjalën e mori skenaristja dhe regjisorja e dokumentarit “E Bukura nën pranga” Znj. Mimoza Dajçi, e cila me punën e saj të përkushtuar e të kujdesshme evidentonte qartë vuajtjet e sakrificat e femrës shqiptare nga armiqtë e vendit të brendshëm e të jashtëm si në Shqipëri, Kosovë e të gjitha trevat shqiptare. Me pas folën me rradhë, i ati i tre djemve, tre heronjve që dhanë jetën për lirinë dhe paqen në Kosovë nga makineria serbe Z. Ahmet Bytyqi, Kryetarja e Shoqatës “Marigona” Znj. Sabije Veseli, zotërinjtë Alfred Tollja, Zj. Janulla Rrapi dhe Z. Valon Dervishi qē u angazhua me montazhin e këtij filmi dokumentar.

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 148
  • 149
  • 150
  • 151
  • 152
  • …
  • 866
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT