• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KONGRESI KOMBËTAR I LUSHNJES (21-31 JANAR 1920) 

January 28, 2023 by s p

Nga Kevin HAXHIU*/

Pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912 një vitë më vonë në vitin 1913 në Konferencën e Ambasadorëve në Londër Fuqitë e Mëdha vendosën copëtimin e territorit të Shqipërisë në favor të vëndeve fqinje.Në vitin 1915 Traktati i fshehtë i Londrës vendosi që territori i Shqipërisë të copëtohej edhe më shumë se në vitin 1913.Në vitin 1918 në Konferencën e Paqes në Paris nga Fuqitë e Mëdha (Blloku i Antantës-fitues të luftës) dhe vëndet fqinje kërkuan që Traktati i Fshehtë i Londrës i vitit 1915 të zbatohej.Delegacioni i dërguar nga qeveria e Durrësit nuk po e përfaqësonte aspak si duhej Shqipërinë duke mos i dhënë asnjë zgjidhje këtij problemi të madh.Gjatë gjithë kësaj kohe Shqipëria ishte në kaos dhe rreziku për copëtimin e saj ende vazhdonte.Ndaj patriotët shqiptarë të gjendur në këto rrethana vendosën që në Shqipëri të mbahej një tjetër Mbledhje Kombëtare që të mbronte Pavarësinë e Shqipërisë dhe territorin e saj.Në muajin nëntor të vitit 1919 u mblodh organizata nacionaliste “Krahu Kombëtarë” në shtëpinë e ish Prefektit të Durrësit Abdyl Ypi.Në këtë takim merrnin pjesë patriotë shqiptarë të cilët diskutuan për mbledhjen e një kongresi kombëtarë pasi rreziku për copëtimin e Shqipërisë ishte i madh.Në këtë takim u vendos që t’i bëhej një thirrje Parisë së Lushnjes pasi në qytete të tjera ishin bërë përpjekje por nuk arritën dot të organizonin mbajtjen e një kongresi.Ata iu drejtuan patriotit Sheh Ibrahim Karbunara dhe në 31 dhjetor 1919 patriotë lushnjarë që i përkisnin parisë së qytetit të Lushnjes u mblodhën në Teqenë e Karbunarës.Atje u ngrit edhe Komisioni Nismëtarë me 28 anëtarë për Thirrjen dhe Organizimin e Kongresit.Anëtarët e Komisionit Nismëtarë për Thirrjen dhe Organizimin e Kongresit të Lushnjes ishin:Besim Nuri,Ferit Vokopola,Nebi Sefa,Qemal Mullaji,Eshref Frashëri,Sheh Ibrahim Karbunara,Abedin Nepravishta,Bajram Haxhiu,Taullah Sinani,Llazar Bozo,Emin Vokopola,Zija Mullaji,Mustafa Vokopola,Jonuz Sefa,Skender Pojani,Kadri Jenisheri,Teki Libohova,Filip Papajani,Jakov Bozo,Andrea Papaj,Qerim Arapi,Rasim Hoxha,Arif Kurti,Abdyl Aziz,Muntar Luarasi,Hamit Xheka,Reshat (Hysni) Shazivari,Hasan Islami Like.Komisioni Nismëtarë nisi ftesa me objekt që çdo krahinë e Shqipërisë të zgjidhte delegatët e saj që do ti përfaqësonin në Kongres.Komisioni gjithashtu përgatiti organizimin e mbledhjes,krijimin e kushteve për delegatët gjatë kohës që do të qëndronin në Lushnje,organizmin e forcave vullnetare për të mbrojtur dhe siguruar qetësinë gjatë kohës që do të mbahej mbledhja.Kongresi u mblodh në Lushnje në shtëpinë e Kaso Fugës në 21-31 Janar 1920.Në Kongres morën pjesë 56 delegatë ku gjithësecili përfaqësonte krahinën prej nga ishte zgjedhur.Delegatët në Kongresin Kombëtarë të Lushnjes janë:-Prefektura Durrës:Abdi Toptani,Irfan Ohri,Mytesim Këlliçi,Rexhep Jella,Shezivar Alltuni,Xhaferr Ypi.-Malësia e Gjakovës:Hasan Batusha,Xhemal Beg Bushati.-Prefektura Dibër:Ahmet Zogu,Dine Dema,Dine Nasuh Maqellara,Ramiz Daçi.-Prefektura Shkodër:Ejup Sabri Bushati,Hoxha Kadri,Mati Logoreci,Ndoc Çoba,Rexhep Shala,Xhemal Naibi.-Prefektura Elbasan:Aqif Pashë Elbasani,Adem Gjinishi,Asllan Shahini,Filip Papajani,Kasem Sejdini,Qazim Dyrmishi,Sali Ceka.-Prefektura Korçë:Beqir Rusi,Eshref Frashëri,Ferid Frashëri,Gjokë Ndini Gusho,Idhomen Kosturi,Koço Kota,Sali Butka,Selaudin Blloshmi.-Prefektura Berat:Bektash Cakrani,Hysen Nikolica,Iliaz Vrioni,Kamber Belishova,Llambi Goxhomani,Llazar Bozo,Spiro Papa,Sheh Ibrahim Karbunara.-Prefektura Vlorë:Dhimitër Qypi,Myqerem Hamzaraj,Qazim Kokoshi,Ymer Ali Radhima.-Prefektura Gjirokastër:Ali Këlcyra,Ali Kumbaro,Arshi Shehu,Dervish Seit Grosha,Kasem Radovicka,Kiço Koçi,Rasim Babameto,Shezai Çomo,Spiro Kosova,Veli Harshova.-Diaspora:Sotir Peçi.Kongresi i Lushnjes vendosi që nuk do të pranonte asnjë vendim për copëtimin e Shqipërisë nga Fuqitë e Mëdha në favor të vëndeve fqinje dhe u shpreh për pavarësinë e plotë të Shqipërisë.Kongresi rrëzoi qeverinë ‘italiane’ të Turhan Pashë Përmetit dhe delegacionin e dërguar prej saj në Konferencën e Paqes në Paris pasi nuk po e kryenin funksionin për të cilin ishin zgjedhur në dhjetor  1918 në Kongresin e Durrësit.Në kongres u zgjodh një qeveri e re me Kryeministër Sulejman Delvinën,zëvëndëskryeministër dhe Drejtor i Përgjithshëm i Punëve Botërore Eshref Frasheri,ministër i punëve të brëndshme Ahmet Zogu,ministër i punëve të jashtëm Mehmet Konica,ministër i financave Ndoc Çoba,ministër i drejtësisë Hoxha Kadri,ministër i luftës Ali Riza Kolonja,ministër i Arsimit Sotir Peçi,Drejtor i Përgjithshëm i Post-Telegrafit Idhomen Kosturi.Kongresi zgjodhi dhe delegacionin e ri shqiptarë pranë Konferencës së Paqes në Parisë me anëtarë:Imzot Luigj Bumci,Mehmet Konica,Mihal Turtulli.Kongresi zgjodhi në krye të shtetit një organ kolegjial Këshillin e Lartë (Regjenca) në të cilin bënin pjesë Aqif Pashë Elbasani,Mihal Turtulli,Imzot Luigj Bumçi dhe Abdi Toptani.Në Kongresin e Lushnjes u zgjodh edhe Senati me 37 senatorë që do të kryente funksionin legjislativ.Kongresi i Lushnjes miratoi aktin kushtetues “Bazat e Kanunores së Këshillit të Lartë” (Statuti i Lushnjes) me 6 nene dhe në të  cilën sanksionohej sovraniteti i plotë i shtetit shqiptarë dhe kjo bazohej edhe në të gjitha vendimet që u miratuan në kongres.Forma qeverisëse që sanksionohej në Statutin e Lushnjes ishte Monarkia por që vëndin e saj e zuri Këshilli  i Lartë deri në ardhjen e mbretit në fron.Senati dhe “Bazat e Kanunores së Këshillës së Lartë” përfaqësojnë  i pari Parlamentin dhe e dyta Kushtetutën e Parë Shqiptare sepse u zgjodhën e u miratuan nga një kuvend kombëtarë (Kongresi i Lushnjes) që përfaqësonte vullnetin e popullit shqiptarë.Pas përfundimit të punimeve të Kongresit në 31 janar 1920 Ministri i Punëve të Brëndshme Ahmet Zogu u dërgoi çdo prefekture një qarkore me anë të së cilës populli njihej me vendimet që ishin marrë në Kongresin Kombëtarë të Lushnjes.Qeveria e Durrësit e cila kishte përkrah saj italianët bëri përpjekje për të mos e njohur Kongresin e Lushnjes dhe vendimet e tij.Gjithashtu u përgatit për të sulmuar organet e reja të zgjedhura në Kongresin e Lushnjes.Nisur nga kjo gjëndje disa prej delgatëve mendonin të qëndronin edhe për disa ditë në Lushnje deri sa të qetësohej gjëndja por në këto rrethana  tepër  i  gatshëm dhe i guximshëm për të vendosur organet e reja në Durrës ishte Ministri i Punëve të Brëndshme Ahmet Zogu i cili edhe kur erdhi si delegatë në Lushnje garantoi sigurinë për mbledhjen kombëtare me forcat e tij.Ahmet Zogu kryesoi udhëtimin për në kryeqytetin e Shqipërisë Durrës por kur u njoh me rezistencën e italianëve që ishin atje,Zogu për të shmangur përplasjen vendosi me zgjuarsi dhe maturi që përkohësisht organet e reja qeverisëse ti vendoste në Tiranë sepse kryesore në atë kohë ishte të fillonin punën institucionet.Më 11 shkurt 1920 institucionet e zgjedhura në Kongresin e Lushnjes hynë në Tiranë ku patën një pritje madhështore nga populli dhe Tirana “de facto” u bë kryeqytet i përkohëshëm i Shqipërisë.Shqipëria që prej kohësh ishte e pushtuar dhe në rrezik nga planet grabitqare të fuqive të mëdha për ta coptuar edhe më shumë territorin e saj,tashmë nga vendimet që u morën në Kongresin e Lushnjes do të ishte e lirë dhe me institucionet e saj sovrane,të ligjshme dhe demokratike.

* KEVIN HAXHIU – Stërnip i Nismëtarit të Kongresit të Lushnjes,Patriotit Bajram Haxhiu.

Filed Under: Opinion Tagged With: Kevin Haxhiu

Sopranoja Shqiptare Ermonela Jaho “Artisja e Vitit 2023” Sonte në Operën Metropolitan

January 26, 2023 by s p

Rafaela Prifti/

Sonte në Operën Metropolitan të Nju Jorkut, sopranoja shqiptare Ermonela Jaho interpreton rolin e një prej heroinave operistike më të njohura, atë të Violetës tek Traviata e Verdit. Kjo është nata e pestë dhe e fundit e shfaqjeve të janarit në Nju Jork për sezonin muzikor 2022-2023.

Ermonela Jaho, e njohur si “ylli shqiptar në skenën botërore të operes” u shpall javën e kaluar “Artistja e Vitit 2023″ nga juria e çmimeve ndërkombëtare të muzikës klasike. Kryetari i jurisë Remy Franck deklaroi se fituesit në kategoritë përkatëse, të përzgjedhur nga shumë kandidatë, janë simbole të përsosmërisë për muzikën klasike.” Sopranoja shqiptare e pranoi çminin dhe falenderoi jurinë nëpërmjet një mesazhi të regjistruar me video nga Barcelona.

“Vlerësimi i jurisë flet për punën dhe profesionalizmin e sopranos Ermonela Jaho. Çdo çmim për artistët tanë është ogur shumë i mirë për Shqipërinë,” thotë baritoni i njohur Kreshnik Zhabjaku. Këtë javë ai është në mesin e provave për rolin e Nikollaqit në Karnavalet e Korçës, një prej perlave të repertorit të muzikës shqiptare, e cila do rivihet në skenën e Operës dhe Baletit të Tiranës në muajin shkurt.

Çdo njohje dhe triumf i artistëve shqiptarë në botë të gëzon, por ajo që peshon më shumë nga të gjitha është kombësia, sepse “kur e hap programin, ngjitur me emrin e artistit, shkruhet “Albania” dhe kjo është krenaria më e madhe për ne,” shprehet Kreshnik Zhabjaku, solist me role titullare mbresëlënëse https://www.kreshnikzhabjaku.org/repertoire

Për sopranon shqiptare, Ermonela Jaho, skena e operës Metropolitan në Nju Jork është një nga shtëpitë e saj në botë, siç i quan ajo sallat e teatrove ku jep shfaqje gjatë sezoneve vjetore. Dhe vërtet publiku botëror e mirëpret me ngrohtësi dhe e duartroket në skenat më prestigjioze të muzikës klasike, si Royal Opera House, Covent Garden, Opera National de Paris, Metropolitan Opera, Wienner Staatsoper, Bayerische Staatsoper, Berliner Staatsoper, Teatro Real në Madrid, Grand Teatre del Liceu në Barcelona, Teatro alla Scala në Milan, nga Evropa në Shtetet e Bashkuara, nga Azia në Australi. Trupi i saj i imët arrin të depërtojë në të gjithë sallën në sajë të zotërimit mjeshtëror të dhuntive të saj. Ajo mbush çdo kënd të skenës me praninë magnetizuese të saj dhe përjetimit të roleve të njohura nëpërmjet një filtri tepër fin të botës së saj të brendshme.

Stili i saj i interpretimit dallohet për tone autentike emocionale, ku jetësohet vizioni unik i sopranos shqiptare për heroinat klasike, të cilat janë intepretuar nga ikona të muzikës operestike. Instrumenti i saj më i fuqishëm nuk është domosdoshmërisht “zëri i bukur” apo “teknika e të kënduarit” thotë Ermonela, por emocioni njerëzor, që është gjuha universale për të gjitha audiencat në çdo kohë dhe në çdo vend.

Në mars të vitit 2018 interpretimi i Cio-Cio-San tek Madama Butterfly i kompozitorit Giacomo Puccini nga Ermonela Jaho mahniti publikun dhe kritikët e muzikës në Nju Jork. Dielli arriti të merrte një intervistë ekskluzive me artisten shqiptare në dhomën e saj të veshjes në Metropolitan Opera në Nju Jork. (gazeta Dielli, mars 2018) Gjatë bisedës ajo rrëfeu se veçantia e saj buron nga qenia e saj si grua shqiptare tek e cila është ‘depozituar’ gjithë historia e femrës shqiptare dhe paraardhëseve të saj, një thesar i patjetërsueshëm dhe i pakopjueshëm i unit të saj artistik.

Sonte Ermonela Jaho interpreton për publikun njujorkez rolin e Violetës, me anë të së cilës sopranoja shqiptare përcjell një botë të brendshme me nuanca origjinale të një dhembjeje aq të personalizuar saqë dallohet nga të gjitha Violetat e tjera përpara saj. Sensitiviteti është shprehje e vizionit të saj unik për klasiken, thuhet në gazetën Nju Jork Tajms për të.

Për fituesit e çmimeve ndërkombëtare të Muzikës Klasike për vitin 2023, ICMA ka njoftuar se do të ketë një ceremoni të posaçme në Forumin Kombëtar të Muzikës në Poloni në 21 prill.

Foto nga Julika Prifti

Ermonela Jaho, 27 tetor 2019, Richard Tucker Gala Carnegie Hall, organizuar nga Richard Tucker Music Foundation

Filed Under: Opinion Tagged With: Rafaela Prifti

ASLLAN BUSHATI: “DIKTATI I ADM-ve NË LUFTËN E FTOHTË E PAS SAJ”

January 26, 2023 by s p

Nga Frank Shkreli

Fjala është për librin, “Diktati i ADM-ve në luftën e ftohtë e pas saj”, me autor ish-Gjeneralin Asllan Bushati botuar kohët e fundit.

Libri i ish-ushtarakut të lartë në Ushtrinë Shqiptare, Gjeneralit Asllan Bushati mbulon një subjekt për të cilin shumë pak njerëz janë të informuar, ndërsa ka më pak prej të tjerëve që dëshirojnë të dinë e të mësojnë më shumë për Armët e Dëmtimit në Masë (ADM-ve) dhe për rreezikun që paraqet ekzistenca e tyre për mabrë njerëzimin. 

Por ama, është një subjekt i rëndësishëm dhe i paevitueshëm, që nuk mund të anashkalohet — edhe nëse do të donim ta injoronim një gjë të tillë, si individë dhe si shoqëri. Sepse armët bërthamore, kimike apo biologjike — duam a s’duam — janë të pranishme edhe në botën e sotëme (30-e sa vite) pas luftës së ftohtë, ndoshta dhe të më të përhapura se kurrë më parë, përfshir edhe periudhën e luftës së ftohtë, prej pothuaj gjysëm shekulli. 

Armët bërthamore, biologjike e kimike “të dëmtimit në masë”, siç i cilëson  atoautori — unë do preferoja t’i quaja ato Armë të Shkatërrimit në Masë, sepse të tilla janë. Mbi të gjitha, ato përbejnë një subjekt të frikëshëm e kërcënues për njerëzimin dhe për mbijetimin e këtij planeti. Si i tillë, është një çeshtje me rëndësi, që na imponohet të gjithëve kudo që jetojmë – është e doemosdoshme që si qytetarë të cilitdo vend qoftë, të lexojmë e të mësojmë më shumë për këto armë të shkatërrimit në masë e që për njerëzimin janë një rrezik real, i pranishëm dhe i përgjithmonshëm, për derisa ato nuk zhduken nga faqja e dheut, me marrveshje ndërkombëtare, për eliminimin e tyre njëherë e mirë. Një mundësi reale kjo, por aq e parealizueshme sot, siç ka qenë edhe gjatë dekadave të kaluara të luftës së ftohtë dhe më vonë. Prandaj, për autorin Bushati eliminimi i këtyre armëve vdekje-prurëse në masë,  është një nevojë themeltare për njerëzimin, siç është edhe, “Njohja e përgjithëshme dhe e thelluar e ADM-ve”, që sipas tij, “do të na shtynte të mendojmë si njerëz të civilizuar të këtij globi, për një të ardhme më të mirë, më jetëgjatë, më të kulturuar, për vete dhe për breznitë e ardhshme.”

Kjo është e rëndësishme, shkruan Asllan Bushati, se mediat kombëtare dhe ndërkombëtare nga frika për të mos përhapur panik në popullsi nuk kanë njoftuar siç duhet të dhënat në lidhje me rreziqet e mundshme që vijnë nga armët e shkatërrimit në masë (ADM), qoftë në kohë lufte, por edhe nga aksidentet ose nga terrorizmi ndërkombëtar, në kohë paqeje.

Autori e shpreh shqetësimin e tij në lidhje me përdorimin e këtyre armëve, e sdiomos të armëve kimike, duke pohuar se megjithë marrveshjet ndërkombëtare dhe opinionit publik kundër përdorimit të tyre, këto armë janë përdorur, sipas tij, në disa vende të botës, përfshir ish-Jugosllavinë, ku fillimisht janë përdorur nga ushtria ish-jugosllave kundër shqiptarëve të Kosovës në vitet 1981, 1990 dhe 1991 dhe më vonë edhe kundër objekteve civile të kroatëve e boshnjakëve.  Gjenerali Bushati shpreh shqetësimin e tij në librin, “Armët e Dëmtimit në Masë (ADM-ve)”, se Serbia si pasardhëse e ish-Jugosllavisë ka prodhuar gjatë viteve armë të tilla të shkatërrimit në masë, përfshir armët kimike, Autori shkruan se Serbia përben një rrezik të madh për Shqipërinë dhe për Kosoën në këtë fushë, pasi, sipas tij, Serbia posedon,”në thellësitë territorit të saj, ajo ka trupa operative-strategjike  dhe një sasi të madhe raketash “Skud”, të cilat janë rrezik potencial kundër Kosovës dhe Shqipërisë.” 

Në të vërtetë, shkruan Z. Bushati,  ishte pikërisht Kosova si poligon e hapësirë dhe shqiptarët, si banorë të saj –ata që Serbia i shënjestroi në fillim të 1990-ave me sulme armësh kimike dhe të tjera. “…shihni pamjet telelvizive, ata (serbët) e kanë përdorur gazin helmues edhe në oborret e spitaleve”, citon autori aktivistin e të drejtave të njeriut në atë kohë, të shquarin Prof. Dr Zekeria Cana. Z. Bushati thekson se, megjithse lufta ka pushuar në ish-Jugosllavi, “fryma anti-shqiptare atje është shumëfishuar”, ndërkohë që “arsenali kimiko-ushtarak (serb), jo vetëm nuk është zvogëluar, por është shumuar e sofistikuar me ndihmën e Rusisë”, shkruan Bushati.  Autori paralajmëron se kjo situatë e krijuar, “përben me të vërtetë një rrezik real për shqiptarët, jo vetëm në Kosovë, por si komb. Ai i bën thirrje Shqipërisë dhe Kosovës, se megjithë ombrellën e NATO-s, dy shtetet shqiptare duhet të vlerësojnë gjëndjen aktuale dhe të ndërmarrin masat e nevojshme tekniko-ushtarake për të përballuar gjëndjen në hapësirat shqiptare Shqipëri-Kosovë, por përfshir edhe trojet shqiptare në Mal të Zi e në Maqedoninë e Veriut. 

Autori Asllan Bushati — ish-ushtaraku i lartë në Ushtrinë Shqiptare — ka zgjedhur kohën e duhur që të shkruante dhe të botojë librin doracak, “Diktati i ADM-ve në luftën e ftohtë e pas saj” mbi rrezikun e armëve bërthamore, kimike dhe biologjike ndaj njeërzimit.  Sepse një numër gjithnjë e më i madh eskpertësh të armëve bërthamore dhe të çeshtjeve strategjike ndërkombëtare – amerikanë dhe ndërkombëtarë – sidomos përball agresionit rus në Ukrainë dhe kërcnimeve të Kremlinit për të përdorur armët bërthamore në Evropë si përfundim i atij konflikti

 — kanë paralajmëruar se ndoshta kurrë më parë nuk ka ekzistuar rreziku më i madh se sot, për përdorimin e armëve bërthamore të shkatërrimit në masë.  Siç ve në dukje edhe autori Bushati, Lufta e Ftohtë mund të ketë marrë fund, por regjime — si Serbia dhe të tjera – janë duke rritur arsenalet e tyre të armëve bërthamore, biologjike dhe kimike, duke rrezikuar paqën dhe sigurinë rajonale e botërore, shprehet autori.  

Shumë prej nesh nuk jemi të mirë informuar për këtë rrezik që vjen nga armët bërthamore, kimike dhe biologjike e me të cilin përballet njerëzimi, jo vetëm nga regjime diktatoriale por edhe nga grupe terroriste, anë e mbanë botës, që mund t’i blejnë ato armë nga shtete diktatoriale, siç mund të ketë ndodhur në të kaluarën.  

Subjekti i armëve bërthamore, kimike dhe biologjike është një subjekt për të cilin unë – si shumë të tjerë — nuk jam edhe aq i mirë-informuar, duke menduar, gabimisht, se nuk do të kemi kurrë nevojë të merremi me to. Por, duke lexuar librin e Z. Bushati mësova shumë gjëra.  Ashtu kam besimin se edhe lexuesit e tjerë të këtij libri do të mësojnë shumë mbi këtë subjekt, ose të pakën ky libër do të tërheq sado pak vëmendjen e tyre, qoftë edhe për një kohë të caktuar, sa për të reflektuar ndaj këtyre armëve të shkatërrimit në masë dhe për rrezikun e madh që ato përbejnë për njerzimin dhe se ato vazhdojnë të mbeten një kërcënim i madh për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vendi ku ne jetojmë si komunitet larg trojeve tona të origjinës, por edhe për bashkëvëllëzrit tanë në trojet e veta në Ballkanin Perëndimor — Shqipërinë dhe Kosovës.  Në këtë kuptim, autori Asllan Bushati, bën një shërbim të madh për lexuesin dhe për shoqërinë duke na bërë që të reflektojmë mbi rrezikshmërinë e mundësisë së një kombinimi të mundëshëm të teknogjisë moderne dhe armëve bërthamore me fanatizmin politik, fetar ose çfardo lloji tjetër. Natyrisht, se ashtu si edhe për botën tjetër, as për shqiptarët, subjekti i armëve të shkatërrimit në masë nuk është një subjekt i këndëshëm as i pëlqyeshëm, për të cilin është kollaj të bisedohet, të diskutohet ose të shkruhet. Por, megjithëkëtë, gjëja më e rëndësishme dhe më urgjente për botën sot, sipas autorit të librit, “Diktati i ADM-ve në Luftën e Ftohtë e pas saj”, është menaxhimi i sukskeshëm i përhapjes së armëve bërthamore dhe kimike si dhe pakësimi i këtyre armëve të rrezikshme për botën mbarë – sidomos, atyre armëve kimike e bërthamore, që janë nën kotrollin e vendeve armike të demokracive të botës perëndimore. Unë nuk e ndjekë këtë subjekt në median shqiptare, por nuk jam në dijeni të ndonjë literature në gjuhën shqipe mbi armët bërthamore, biologjike dhe kimike. Kjo e bënë librin e Asllan Bushatit një botim të rrallë por të nevojshëm në fushën e rrezikshmërisë këtyre armëve për njerëzimin.  Prandaj libri i Z. Asllan Bushati duhet të konsiderohet si një kontribut i çmueshëm për stimulimin, në mos të një debati serioz mbi një subjekt tepër serioz, atëherë, uroj që sa do pak ky libër të stimulojë një dialog publik mbi këtë subjekt tepër të rëndësishëm, megjithse dy shtetet shqiptare nuk posedojnë armë të tilla – janë vendet fqinje siç është Serbia që posedojnë armë kimike dhe e cila ka treguar në të kaluarën se ajo është më se e gatëshme t’i përdori ato kundër fqinjve – siç sugjeron edhe autori Asllan Bushati në librin që promovohet sot në Vatër. 

Frank Shkreli

May be an image of 1 person and text

       Njoftimi i promovimit të librit të Z. Asllan Bushati nga Federata Pan-Shqiptare Vatra

DJEGIA E MANDATEVE, NJË VENDIM POLITIK I TEJSKAJSHËM, POR I DOMOSDOSHËM ...
Text

Description automatically generated

Autori i librit, Z. Asllan Bushati

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli

Biseda me Mjeshtrin e Fotografisë Roland Tasho

January 25, 2023 by s p

Rafaela Prifti/

Ju keni një karrierë 40 vjeçare në profesionin e fotografit. Në cilën prej katër dekadave të punës do donit të riktheheshit, ose cilën periudhë kohe do donit ta vizitonit, por tashmë me bagazhin e njohurive që keni sot?

Jeta e një fotografi është interesante sepse gjithmonë njihet me vende, kultura e njerëz të ndryshëm. Unë isha njeri me biografi jo të mirë dhe në vitet 90 isha i punësuar si fotograf te revista Ylli. Shërbimet e punës i kryeja me anë të një motori që ishte diçka e rrallë në Shqipërinë e asaj kohe. Nga ana profesionale, gjërat më interesante që i ndjenim të gjithë shumë ishin ndryshimi dhe lëvizjet e viteve ‘90, ‘91 dhe ‘92, kur rinia dhe populli prisnin të ndodhnin ndryshime, atëherë kur kishte entuziazëm dhe kur ke një aparat në dorë, i ndjen këto në formë edhe më intensive. Pas viteve 2000 situata filloi të përmirësohej. Unë pata fituar dy bursa jashtë ku mu dha mundësia të shoh si mendohet apo edhe si lëvizet si fotograf, pra nisa të mendoj si fotograf jo thjesht të fotografoja. Kështu, lindën një pas një, cikle të projekteve si ai i diasporës shqiptare, karrigia për shkrimtarët, të huajt me kostume popullore shqiptare e të tjera. Duke kthyer kokën pas mendoj se tek unë vërehet serioziteti i punës sime dhe atë që në profesionin tonë e quajmë gjetje fotografike. Këto gjetje më kanë dhënë dorë dhe më kanë nxjerrë më në pah. 

E kini ditur gjithmonë se do bëheshit fotograf? Ju e kini mësuar zanatin më shumë si autodidakt apo jo? Keni menduar ndonjëherë se çfarë do të krijonit po të mos kishit pasur pasionin për fotografinë?

Kur kam filluar punë në vitin 1982. Nuk kishte të bënte shumë pëlqimi i profesionit. Dhe unë nuk kisha lidhje familjare me zanatin. Kur shkoja te zyrat e punës në Tiranë që kanë qenë aty te Selvia në lagjen tonë nuk kisha ndonjë ide të caktuar për punë. Kisha një kushëri operator dhe ishte diçka që më dukej me interes. Por pasi kisha shkuar disa herë me radhë, një ditë përfaqësuesja e zyrës së punës më tha se do më gjente një vend pune si fotograf. Ky ishte zanat i këndshëm dhe nga ana tjetër mund të ishte hapur vend fjala vjen për mekanik, elektricist. Kështu e fillova punën e fotografit por e mora me seriozitet dhe pastaj u dashuruam me njëri tjetrin, unë dhe profesioni. 

Kur thatë se kishit motor dhe se keni punuar te revista Ylli, a mund t’i shpjegoni këto dy referenca për brezin e sotëm? Ç’do të thotë të kishe motor në vitet ‘80 në Shqipëri dhe diçka për revistën Ylli. Këtu mund të përmend, se babai im ka punuar në redaksinë e saj, disa vite para jush.

Babai juaj ka pasur pjesë në formimin tim. Për mua libri Cikua dhe Beni ishte pjesë e fëmijërisë sime. Fshati i babait tuaj Rehova e Kolonjës ishte edhe fshati ku u rrit gjyshja ime nga ana e mamasë, Vangjeli (Thoma) Ndreka, përpara se të martohej në Vodicë. Ndonëse libri ishte shkruar për një kohë tjetër, unë mbaj mend sekuenca të tëra prej tij sot e kësaj dite si psh vendi ku i mbante gjyshja sheqerkat, parakalimi para vajzave të fshatit me gomar etj. Ndërsa për pjesën e motorit, duhet thënë se të kishe motor në vitin 1987 ishte ngjarje në Tiranë. Për ta kuptuar këtë them se është njësoj si të dalësh sot në Tiranë me Ferrari. Madje njerëzit ndalonin në rrugë se motori ishte edhe i bukur por unë mbaja skafandër dhe shumë vetë më njihnin nga targa e motorit, prandaj pyesnin: Kush është ky 1031? 

A dihet se ku është motori sot? 

Motori ishte “i shtetit” pra më ishte dhënë nga revista. Pas viteve ‘91 revista u mbyll, motorin e dorëzova dhe ato të gjitha ishin pjesë e peripecive të atyre viteve. 

Pas punësimit te revista Ylli ju dolët në profesion të lirë?

Po dola në profesion të lirë dhe revista u mbyll. Ishte një moment zhgënjimi por duke punuar me agjencitë e huaja kuptova se fotografë të mirë të AFP-së, Reuters-it etj largoheshin nga puna. Kur pyesnim ku është filani, na thoshin “Ka dal freelance.” Atëherë e kuptova se kjo funksionon në profesionin tonë. Më pas hapa një ekspozitë me ngjarjet e ‘90 dhe ‘91. Kjo më dha kënaqësi sepse pas hapjes në Tiranë dalja në perëndim dhe në vende të tjera si Itali, Belgjikë, Gjermani ishte një përrallë për mua. Përveç pamjeve që shikonim në TV, ne atëherë ishim të padalë. Me këtë rast provova një kënaqësi të veçantë profesionale.  

Për ngjarjet e fillimit të viteve ‘90 ju ishit edhe dëshmitar, edhe fotograf. Po kështu edhe më pas në etapa të tjera të kohës. A e kanë formatuar këto karrierën tuaj dhe si jeni përgjigjur ju momenteve të tilla?

Po, kam ecur shkallë shkallë. Nga një punëtor në laborator në ndërmarrjen komunale ku laja fotografitë tek reporter në revistë, te reportazhet entuziaste të lëvizjes së ‘90, siç e dimë, dhe pastaj te projekte, që janë një stad tjetër, si për shembull, portreti. Unë fitova edhe dy bursa në Paris. Këto janë momente të mira në profesion. Shkrimtarët si babanë tuaj, Kadarenë, Shvarcin unë i shikoja si të paarritshëm. Ne e kishim shtëpinë aty te zyrat e gazetës Zëri i Popullit dhe mbaj mend se mamaja më tregonte kur shihte ndonjë prej tyre të kalonte aty: ‘Ky është shkrimtari i madh Petro Marko!’ e kështu për të tjerët. Por kur mu dha rasti t’i fotografoj, lidha edhe një farë miqësije me disa prej tyre, dhe takoheshim herë pas here. Këto janë pra edhe kënaqësitë e profesionit.

Si ka evoluar fotografia juaj nga një dekadë në tjetrën? A kaluat te portreti si shprehje e artit tuaj fotografik në pjesën tjetër të karrierës dhe në vazhdim?

Është njësoj siç rritet njeriu, shkallë shkallë. Në fillim mund të pëlqej peizazhi, perëndimi ndërsa sot ato të duken pak a shumë vulgare, pra ka shkallët e rritjes edhe profesioni. Portreti është shumë interesant por më interesante sesa zhanret e fotografisë është gjetja e një ideje pra një koncept. Projektin e kristalizon vetë pastaj këshillohesh me familjen dhe miqtë e fushës, e shkruan bukur dhe e paraqet psh te ambasadat, meqë unë jam marrë me ato, të cilat e pranojnë dhe miratojnë. Unë këto projekte i kam edhe si fëmi meqenëse përfshijnë një kohë nëntë mujore, pra nga janari fillon parashtrimi i projektit, në muajt shkurt-mars miratohet buxheti dhe nga shtator-tetori unë dorëzoj projektin. Ky është ritmi i disa punimeve të miat që më ka ngjitur. Një pikë e rëndësishme është edhe arkivi. Duke pasur një arkiv shumëvjeçar aty mund të ketë material të bollshëm, për gjetjen e idesë siç ndodhi me projektin e vajzave të ikura. Ekspozita, e cila u hap para 6 apo 7 viteve, u prit mirë në Tiranë. Një pjesë nga ato foto ishin të kërkuara nga koha e punës në revistë kur duhej bërë një shkrim për një talent psh një soprano apo mjeke e re që luan edhe në film, si rasti i Anisa Markajanit. Kur fillova të merrem me diasporën shqiptare dhe shikoj se kam gjithato fotografi më lindi ideja që më çoi t’i ritakoj ato dhe ndodhi që t’i gjej në profesionet e tyre si Inva Mula, Anisa Markajani dhe me radhë.

E përbashkëta e qindra e mijra fotografive të subjekteve të fotografuara në kohë dhe vende të ndryshme jeni ju, sepse secili subjekt ka qëndruar para lentes së aparatit tuaj dhe është fotografuar nga ju. Çdo foto e juaja “flet” për subjektin po aq sa “flet” edhe për ju. Këndi i aparatit mund të ndryshojë, teknika e fotografimit edhe teknologjia por syri i fotografit është ai që është. Si e përjetoni ju raportin me krijimet tuaja dhe si e përcillni atë te shikuesi?

Kur punoja librin Qëndresa për shqiptarët e Kosovës me fotografi nga kampet ku erdhën shqiptarët, në parathënien e librit Ambasadori i misionit evropian Michel Berreti shprehu idenë se nëpërmjet fotografisë pasqyrohet vetja. Kjo mund të thuhet për fotografinë si edhe për portretin. Po marr si shembull foton e babait tuaj ku unë kam dashur të jap Naum Priftin por edhe portretin e autorit të librit Cikua dhe Beni, e me radhë. Të gjithë shikojnë fotografinë por ka shumë përtej saj. 

Cilët kanë qenë fotografët që keni admiruar dhe i admironi?

Kam parë fotografë të mirë por nuk kam imituar asnjë. Mendoj se fotografia është diçka e brendshme po e pate të ndjerë dhe e do, duket, përndryshe stonon. Nuk mësohet në shkolla. Kërkon sakrificën e vet. Shembulli i portreteve të shkrimtarëve është shumë i mirë se shkrimtarët edhe sot më thonë se ai është portreti më i mirë që kanë. Kjo ndodh ngaqë aty është punuar. Pra, parapërgatitja dhe thyerja e barrierës me subjektin dhe fotografin është po aq e rëndësishme sa edhe fotografia. Me kalimin e kohës syri mësohet të shikojë dritën, të dalloj kompozimin dhe të shoh edhe shumë elemente të tjera. Dikur një fotograf italian më thoshte se fotograf bëhesh atëherë kur i shikon të gjitha sikur të jesh prapa lentes së aparatit, pra me sy fotografi.   

Te ekspozita juaj me e re Një Karrige për Shkrimtarët kam vënë re se ka një përzgjedhje të caktuar të shkrimtarëve dhe emrave të njohur të letërsisë dhe kulturës shqiptare. Ndonëse është nga projektet më të gjata që përfshin më shumë se dy dekada ju më duket jeni treguar i kursyer në numrin e subjekteve të fotografuara mesatarisht 2-3 në vit. A mendoni se keni pasur kritere shumë selektive për këtë projekt dhe a e quani të papërfunduar?

Këtë projekt e kam nisur në vitin 1998 dhe kam pasur bashkëpunimin e shkrimtares Mira Meksi, madje në zyrat e fondacionit të saj janë bërë fotografitë. E kam thënë se ishte nisma ime personale pa mbështetje financiare dhe institucionale dhe se 46 shkrimtarët dhe autorët e fotografuar janë mjaft. Do doja të kisha dy figura si Petro Marko dhe Lasgush Poradeci por aty janë një elitë e mendimit dhe letrave shqipe. Për këtë flet pozitivisht edhe fakti që ende flitet edhe një muaj pas hapjes së ekspozitës në 19 dhjetor në Tiranë.  

Ju përmendët njohjen e artistëve të paraqitur në këtë projekt dhe faktin që ne jemi rritur me librat e tyre dhe ata kanë arritur statusin e autorëve klasikë. Por njohja është term relativ sot sepse brezi i 20 vjeçarëve të sotëm që shkojnë te Qendra e Librit dhe Leximit mund t’i kenë dëgjuar emrat e tyre por, pa i paragjykuar, mund të mos i kenë lexuar veprat e tyre. Si mendoni se e vlerësojnë ata ekspozitën? Çfarë përftojnë prej saj dhe nga ju si mjeshtër?

Padyshim ky është brezi i ri dhe shumë gjëra kanë ndryshuar. Por unë nuk kam dashur të bëj antologjinë e letërsisë shqipe. Nëse dikush mund të frymëzohet për projekte të tjera për shembull me autorë të diasporës, këtu mjafton të duash profesionin. Për mua është e përfunduar. 

Më lejoni një ndërhyrje këtu. Babai im Naum Prifti, një nga shkrimtarët e fotografur në këtë projekt, thotë me humor se është hera e parë dhe e fundit që kam firmosur një karrige dhe që jam fotografuar në aktin e firmosjes së karriges. Kjo më bëri të mendoj për përqasjen midis një akti të themi të panatyrshëm dhe një simbolike të dyfishtë që ka vetë objekti, pra një send shtëpiak që na mbledh në shtëpi dhe njëkohësisht vendi ku ulet shkrimtari për të punuar dhe jo, ta zëmë, një makinë shkrimi. A janë këto të menduara apo ide impulsive? 

Meqë e njihja portretin bardh e zi, unë kisha menduar të bëja portrete por ndonjëherë detajet t’i ofron vetë jeta. Në atë kohë kisha sajuar një gjysmë dhome të errët në shtëpi dhe fotot pasi kalonin procesin e stampimit dhe larjes i kaloja me një tharëse por meqë ajo ishte prishur i vura të vetëthaheshin në karrige dhe minder. Aty lindi ideja. Nga ana tjetër, shkrimtarëve, të cilët janë mësuar të firmosin dhe nënshkruajnë librat e tyre, kjo ide ju dukej interesante. Unë u nisa të bëj portrete dhe fotografimi gjatë aktit të nënshkrimit të karriges erdhi më vonë. Ajo mori peshën e vet. Edhe një muaj pas hapjes së ekspozitës, shumë vetë interesohen për gjendjen e karriges. 

Sa rëndësi kishte qëndrimi juaj në Paris? 

Qëndrimi me bursë në Paris ka pasur shumë rëndësi për mua. Nuk mund të bëhesh fotograf pa qenë në Paris. Kur hapa ekspozitën time të parë aty erdhën pesë francezë dhe blenë pesë punë nga të cilat u ndjeva krenar, Ishte një lloj vlerësimi dhe kënaqësije. Banoja pranë Katedrales së Notre Dam dhe kisha shumë fotografi të saj. Përveç këtyre kisha fotografi me shumë personalitete dhe këto foto i paraqita në ekspozitë. Në Paris u riformatova si fotograf dhe ia ktheva këtë të mirë Parisit me hapjen e ekspozitës për të.   

Te projekti Karrigia por edhe në projekte të tjera si Vajzat e Ikura ju krijoni një lloj hallke lidhëse të dy kohëve, në anglisht përdoret edhe fjala menteshë. E shikoni veten të tillë?

Nuk jam nisur me këtë synim por kështu ndodh dhe për këtë ndihmon shumë arkivi i pasur dhe puna e gjatë e katër dekadave. Tani e tutje do ta përdor edhe fjalën menteshë për fotografinë time. 

Nëse një ditë do hapej një ekspozitë me të gjitha punimet tuaja si do të dukej? Çfarë ka ndryshuar dhe çfarë ka mbetur e njëjtë te punimet tuaja?

Shumë interesante për tu menduar kjo. Tirana e qetë e para viteve ‘90 ku jemi lindur e rritur, pastaj vitet e vrullshme të ‘90 më pas shkatërrimet e ‘97 dhe përgjakjet kot fare, fillojnë vitet 2000 me rindërtime që nuk kanë lidhje me Tiranën, transformimet e mira në disa raste por në pjesën më të madhe të këqija. Herë pas here mendoj të hap një ekspozitë retrospektive. Kanë ndodhur shumë ndryshime në këto vite dhe në këtë rast arkivi është i mirë. 

Me fotografitë e Tiranës dhe me një arkiv kaq të pasur me portrete, pas 40 vjetëve karrierë, cila është gjurma që ka lënë arti juaj në fotografinë shqiptare sot?

Unë e ndiej se kam lënë gjurmë po vërej se mungon interesimi nga institucionet. 

Përse?

Unë di të bëj dallimin midis Tiranës, Italisë, Francës, ku vërehet një disnivel i madh i njohjes së fotografisë. Niveli për vlerësimin e saj të lë për të dëshiruar këtu tek ne. I është bërë jehonë ekspozitave dhe projekteve por nuk shoh vlerësim të përgjithshëm. Librat dhe botimet janë mbështetur nga institucione dhe nga përfaqësitë e huaja në Tiranë. Këtu bie në sy mangësia.

Cilat kanë qenë aparatet që keni përdorur dhe me çfarë punoni sot?

Atëherë kam pasur aparat të kohës me të cilat punonim të gjithë. Ishin marka Praktika kurse tani kam një aparat shumë të mirë dixhital, por nuk kam qenë i dhënë pas njohjes së teknologjisë. Përveç se më duhet një lente e mirë, unë e kam ndërtuar fotografinë mbi bazën e gjetjes dhe të idesë më shumë sesa te numri i pikseleve.

Edhe pas 40 viteve të tjera cili është elementi më identifikues i fotografisë suaj?

Nuk di të them ndonjë përkufizim por portretet m’i kërkojnë në raste vdekje dhe momente të tjera dhe veçanërisht fotot e ciklit të diplomatëve të veshur me kostume popullore shqiptare janë të identifikueshme si të miat. 

Si do ta përshëndetni lexuesin tonë dhe publikun këtu?

Unë e njoh Vatrën dhe kam takuar shumë gjatë vizitës sime në Amerikë në vitin 2009.  Një nga vizitat ka qenë me rastin e 100 vjetorit të themelimit të Kishës autoqefale shqiptare dhe një vizitë tremujore për projektin me shqiptarët e suksesshëm të Amerikës. Ndërkohë po mendohem për projektet e ardhshme.

Ju falemnderit dhe suksese! 

Fotot e kopertinave dhënë nga fotografi Roland Tasho 

Nga cikli Shqiptarët në Amerikë: Foto Anthony Athanas, Kostandina (Luka) Lukes – Kryebashkiake, Worcester 2009

Shënim: Biseda është redaktuar dhe përshtatur nga intervistuesja. 

Filed Under: Opinion Tagged With: Rafaela Prifti

JU MIRËPRESIM SONTE TE VATRA

January 25, 2023 by s p

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 179
  • 180
  • 181
  • 182
  • 183
  • …
  • 866
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT ORTODOKSË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Fan Noli, apostull i ringjalljes shqiptare
  • KOSOVA NË NATO DHE ASNJËHERË ASOCIACION SERB
  • ELIOT ENGLE DHE HARRY BAJRAKTARI: NJË BASHKËPUNIM QË FUQIZOI ZËRIN SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • “Ngërçi Presidencial në Kosovë Zbulon një Dobësi të Kushtetutës”
  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT