• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Greva e pedagogëve dhe korrigjimet në ligjin e Arsimit të Lartë

October 22, 2022 by s p

Nga Romeo Gurakuqi/

Ditën e hënë, më 17 tetor 2022, KM i vendit zoti Edi Rama mblodhi Konferencën Rektorëve të universiteteve publike dhe private. Ky takim u zhvillua ditën e parë të fillimit të shkollës, ndërkohë që një pjesë e rëndësishme e profesorëve universitarë vijon me vendosmëri grevën, me synim kryesor rritjen e pagës së pedagogut, që është me e ulëta në të gjitha vendet evropiane.

Çdo drejtues qeverie në Evropë ndër aktet që kryen herë pas here është verifikimi i impaktit që kanë në jetën e përditshme të vendit të tij, reformat që ka ndërmarrë. Për më tepër kjo duhet të ndërmerret, kur ke luksin të të “dhurojnë” tre mandate për KM të vendit, dy të tilla pas ndryshimit rrënjësor të sistemit universitar shqiptar. D.m.th., të hënën e kaluar, 7 vite pas ndryshimit të Ligjit mbi Arsimin e Lartë, duhej të kishte ardhur dita, që pikërisht në Aula Magna të MAS, të kryhej një analizë të plotë e pasojave të implementimit të Ligjit të vitit 2015 dhe akteve nënligjore që janë nxjerrë nga qeveritë dhe ministrat përkatës. Në fakt një analizë e tillë nuk ndodhi. KM nuk ishte i përgatitur për një vetëvlerësim të tillë dhe me sa kam informacion, ai dhe qeveria e tij nuk kanë as edhe një raport të brendshëm, një analizë të tillë, në asnjë hallkë të ekzekutivit. Kjo mungesë e thellë në treguesin e përgjegjshmërisë qeverisëse, besoj se ka ardhur për dy arsye: së pari, nuk ekziston një vullnet për ta ndërmarrë analizën strukturore dhe impaktin në jetën sociale dhe universitare të reformës së 2015; së dyti, në Shqipëri ka veç pak profesionistë, që janë në gjendje të kryejnë matje të tilla të nevojshme komplekse, por ata specialistë sot ndodhen të paangazhuar në konsulencën e ekzekutivit për Arsimin e Lartë dhe Shkencën. Si në çdo bord shtetëror, qeveria e partisë kujdeset në përzgjedhjen politike të anëtarëve dhe shpërndarjen e fondeve vetëm brenda komunitetit besnik socialist.

Çfarë duhej të kishte analizuar, vlerësuar KM i vendit para se të mbërrinte në sallën e MAS për të komunikuar me rektorët, profesoratin, studentët, prindërit dhe publikun?

Unë mendoj se Ai dhe këshilltarët e tij duhet të kishin ngritur këto pyetje dhe dhënë, së paku për vete, përgjigjet respektive:

1. A ka mundësuar Reforma e 2015 arritjen e objektivit të qeverisë për të cilin është ndërmarrë ndryshimi i legjislacionit organik? A janë përmbushur kërkesat e publikut për arsim cilësor në vend, përmes rekrutimit të profesoratit të ri të shkolluar në Perëndim, programeve të reja dhe një drejtimi të ri, jashtë kastave të kaluara, i universiteteve publike?

2. A e përpiloi Qeveria, tanimë pas 7 vitesh, “Letrën e Prioriteteve” të saj në raport me arsimin e lartë dhe universitetet në RSH?

3. Si e kishte strukturuar në pikëpamje kronologjike zbatimin e reformës qeveria? Sa vite ishte parashikuar faza tranzitore e implementimit të Ligjit të vitit 2015 ? A mendon KM se IAL publike janë strukturuar dhe fuqizuar mjaftueshëm, janë vendosur me barazi dhe me kualitet në treg sa të mbijetojnë, ndërsa IAL private janë bërë serioze, respektuese të ligjit, të drejtave të profesoratit, me kurrikula që nuk ndryshojnë më për arsye jo akademike, varësisht ëndrrave të pronarëve, borxheve, gjobëvënësve dhe kredive të tyre?

4. Si ka ecur në dinamikë kohore nxjerrja e akteve nënligjore në raport me implementimin e ligjit, specifikisht? A ka pasur një planifikim ideor në këtë dinamikë dhe në cilën fazë ndodhet përmbyllja e këtij procesi në tetorin 2022?

5. Cila është trajektorja e numrit të studentëve në përgjithësi dhe atyre cilësorë ne veçanti, që vijnë nga shkollat e mesme drejt universiteteve të vendit, të ardhurat familjare të atyre që mbesin në Shqipëri, dhe atyre që largohen, duke krahasuar vitin 2022 me vitin 2013?

6. Sa shpenzon për shkollimin e një studenti në Tiranë, një familje shqiptare, përfshirë tarifën e studimit, e ndarë në publik dhe privat, koston e jetesës në kryeqytet?

7. A ka përfunduar përllogaritja kostos së universiteteve për student, publik dhe privat, dhe si do të financojë qeveria shtresat në nevojë për shkollimin e fëmijëve?

8. Çfarë rregullimesh ka parashikuar qeveria për studentët që ndjekin degët MATEMATIK, FIZIKË dhe e mësuesve të Ciklit të Ulët të shkollës 9 vjeçare?

9. A është krijuar me të vërtetë ai tregu i famshëm universitar, ku studenti zgjedh universitetin më të mirë, ndërkohë që vetë universitetet janë rritur, stabilizuar, ndërkombëtarizuar dhe kanë veç një mision: edukimin cilësor dhe kërkimin shkencor?

10. Si ka ndryshuar buxheti i shtetit për arsimin e lartë nga viti 2013 në vitin 2022 dhe si e mbështeti qeveria vetë reformën me para, si kusht themelor që një reformë të ketë sukses? Pse nuk e ka rritur qeveria financimin e arsimit të lartë edhe pas 7 vjetëve pas nxjerrjes së ligjit ?

11. Si është strukturuar dhe si janë përdorur nga universitetet publike dhe private të ardhurat nga tarifa studentore?

12. Sa biblioteka janë themeluar, investuar, pajisur me literaturë të re ? A ka kryer një kontroll MAS mbi investimet e bibliotekave në IAL private, mbasi pa biblioteka, pa literaturë, pa akses në revistat bashkëkohore online, nuk ka universitet, nuk ka kërkim shkencor, nuk ka ecje të njëkohshme me Evropën dhe ky investim ka qenë i projektuar nga reformatorët e vitit 2015, si kusht i domosdoshëm për të arritur sukses.

13. A ka kryer një vlerësim qeveria, se si ka ndikuar reforma në qarkullimin e elitave universitare në IAL publike, në thyerjen e kastave të ngulitura nga kohë që nuk mbahen mend; në specializimin e departamenteve, në zbatimin rigoroz të statusit të profesorit universitar (academic tenure) ? Si respektohen standardet e konkurrencës së lirë ? Sa abuzime janë kryer nga departamentet që janë verifikuar nga kontrolli i MAS dhe si janë korrigjuar dhe ndëshkuar fajtorët e devijimit të të drejtës për konkurrim të lirë ?

14. Në vitin 2014 MAS ndërmori një nismë shumë të mirë për stabilizimin e sistemit të IAL private, që kishin rrënuar sistemin universitar shqiptar në pararëndje. Mirëpo pyetja që bëhet sot është kjo : ku është Shqipëria e vitit 2022 me atë të 2014-2015 në aspektin e plotësimit të detyrave të atij kontrolli rigoroz të ndërmarrë asokohe ndër IAL private ? Sa i plotësojnë standardet IAL private ? Si i respektojnë kushtet e stabilitetit programor në raport me licencimin, akreditimin dhe rankimin ? Si i respektojnë ngarkesat e pedagogëve dhe lëndët e specializimit të tyre ? Si respektohet Statusi i Profesorit Universitar ? Si janë paguar profesorët e brendshëm nga viti 2014 deri në vitin 2022 ? Si janë paguar detyrimet ndaj shtetit ? Me çfarë lloj kontratash mbahet stafi ? etj., etj..

15. Kostoja e jetës në Shqipëri dhe paga e pedagogut: a ka ndonjë studim krahasimor në këtë drejtim ? A mund të ketë universitete cilësore, kërkim shkencor dhe profesorat të mirëfilltë, pa stabilitetin financiar të stafin pedagogjik dhe shkencor ?

16. Sa e përgatit shkolla e mesme shqiptare studentin me aftësi për të përballuar në shkencat natyrore Universitetin e shekullit XXI ?

17. Si është e mundur që ndryshon aq shpesh pronësia e universiteteve private në Shqipëri dhe a ka dijeni paraprakisht KM i vendit mbi këto destabilizime dhe zhvendosje pronësore ? Kush luan ndër prapaskenat tona në kurriz të shkollimit cilësor? A ndërhyn ai në orientimin e pronësive ? Sa është e përfshirë është politika në këto këmbime dhe si i kontrollojnë organet ligj zbatuese veprimtarinë financiare, aktet e zhvendosjes së pronësisë, zbatimin e ligjit mbi fondacionet, ose ShPK, etj.

Me keqardhje mund të them se KM kryelartë i vendit tim nuk bëri asnjë prej pyetjeve verifikuese, që ia imponon detyra dhe përgjegjësia, pa përgjigjet e të cilave nuk mund të krijojë bindjen se, impakti i reformës ka qenë pozitiv, amullia e periudhës pararendëse, sikurse e cilësoi ai vetë, është tejkaluar, universitetet janë shndërruar në konkurrenciale dhe mirëfilli ndërkombëtare, studentët nuk largohen më nga Shqipëria me dhjetëra-mijëra, bibliotekat universitare janë shndërruar në vende studimi dhe kërkimi, profesorati është tanimë klasë e mesme e stabilizuar, kastat kanë rënë, elitat ndryshojnë varësisht meritave dhe konkurencës në punë e studim, buxheti është dyfishuar sipas premtimit, kërkimi shkencor gëlon në çdo pore të jetës akademike, e çfarë të them unë më shumë ?! Ai në fakt, u mor me aspekte që nuk i kërkohen një Kryeministri: me metodat e mësimdhënies, renditjen e universiteteve dhe mbrojtjen e pozicionit të panjohur të shkollave tona në botë, vetingun e profesoratit, me kapacitetet (në formë evazive dhe të papërcaktuar se çfarë kupton me këtë term), premtoi për kontroll të kushteve që duhet të përmbushen, ndërkohë që duhej ta kishte bërë përditë dhe në vazhdimësi, vetë -deklarimin e të dhënave, bordin e akreditimit, rankimin, për specializimin e universiteteve, ndarjen dhe bashkimin e tyre, d.m.th. me çdo gjë mikro që nuk është detyrë e tij dhe me asgjë makro që është detyra e tij e drejtpërdrejtë. Ngjan se ai e ka kuptuar rolin që ka, si një passatempo dhe se jo shkolla, por të tjera aspekte të ditës janë kryesore për KM e vendit tim, nga humori i të cilit varet jeta jonë, çmimi i naftës, paga e profesorit, shkollimi i fëmijëve, shëndeti publik, gëzimi i hapësirave publike, lulëzimi i biznesit, punësimi, digjitalizimit, emigracioni dhe shndërrimi i tmerrshëm kombëtar që ka vendosur në veprim vrastar etj..

Në fakt, unë nuk pres më shumë nga Kryeministri i një vendi qe në qendër të Tiranës, rrëzon Teatrin Kombëtar, ngre pa fund Kulla të shëmtuara, por jo Bibliotekën Kombëtare. Edhe aq sa dinte për universitetet, ishte mjaft. Është KM i një vendi, në fakt, pa Bibliotekë Kombëtare të aksesueshme me sistemet moderne dhe me biblioteka universitare të vendosura ndër kate shkollash, shpesh herë edhe në magazina dhe dhoma.

Dhe në qoftë se duhet të them dy fjalë mbi opinionin tim mbi atë çfarë ndodhë në sistemin universitar, do të shtoja se është një situate e rëndë. Sistemi është i pa financuar, në kolaps të plotë dhe me ritmet mbrapa që ecën, nuk do jetë asnjëherë konkurencial, as me Malin e Zi, as me B-H, dhe as Maqedoninë e Veriut. Autonomia, në vend që të përforconte akademizmin dhe cilësinë e universiteteve, rriti klientelizmin e brendshëm, përforcoi klientelat pararendëse më të njëjtët njerëz që sundojnë si ‘monarkë’ të vërtetë ndër Departamente dhe Dekanate prej dekadash, që nga koha e Ramiz Alisë. Kontrollorët ndodhën në skenë direkt, ose ne prapaskenën vendimarrëse, përmes drejtuesve të rinj ruralë, që përkulen ndër labirinte ku nuk futen dot njerëzit e mirëfilltë të punës dhe dijes. Një piramidë njerëzish që nuk çahen dot, mbasi shkëmbejnë interesa dhe ndajnë atë pak para që hyn nga të ardhurat prej të tretëve. Ky shkëmbim ndodh vetëm për klanin, grupin e votuesve të sigurtë për mbajtjen e postit, shërbëtorët që bëjnë punën të gatshme për të vendosur emrin shefat. Përndryshe, kush nuk bën pjesë ndër grupe të tilla ‘kooperativistësh’ me akademi, është tërësisht i cenueshëm në jetën e përditshme, e ka derën të mbyllur, flakët në hije, me kërcënimin e kyçjes së gojës para “rretheve okulte të interesave private”. Duhet të kuptoni zoti KM se profesorët e universiteteve shtetërore dhe akademive studimore kanë një pagë që nuk mjafton as për nevojat jetësore për gjysmën e muajit, jo më për arsim cilësor dhe shkencë, për udhëtime akademike, për përthithje studentësh në degët universitare etj.. Dhe ju nuk keni asnjë të drejtë të kërcënoni, të ngatërroni njerëzit e dijes me tregtarët e dijes. Kupolat universitare kane krijuar “principata” dhe askujt që vjen nga jashtë nuk u hapet rruga; mburojë kundër ndërhyrjes së ndonjë qeverie iluministe hipotetike që mund të krijohet ndonjëherë, kanë dhe kanë me pasë gjithmonë, autonominë, kartën e së cilës e valëvisin sipas dëshirës, nganjëherë edhe me mbështetjen dhe dritëshkurtësinë e opozitave që këmbehen në Bazarin politik të Tiranës. Krahinarizmi, nepotizmi dhe klani mbisundues është fryma komanduese dhe referenca për të bërë hajr. Universitet private janë një drame me vehte: në vend që të jenë në shërbim te publikut, mbasi kështu janë konceptuar në ligj, sikurse e tha edhe vetë KM, ato janë shndërruar në biznese të mirëfillta në funksion të një grupi aksionerësh të lidhur me politikën, ose një individi që herë duket dhe herë humbet në prapaskenat e Tiranës së errët. IAL private ndërrojnë programet çdo vjetë, disa prej tyre ndërrojnë edhe kontratat e profesoratit dhe lëndët çdo semester, në funksion të kursimit te profesorëve, të cilët ngarkohen përkundër specializimit të sanksionuar në ligj, me nga 5 deri më shumë lëndë të reja dhe askush ndër institucionet ekzekutive shtetërore nuk i pengon, por ua akrediton programet pa ia nda. Ministria nuk e kontrollon dot, me mekanizmat që ka në dispozicion, stabilitetin e profesoratit ndër universitetet private, as mënyrën se çfarë ndodh me fondet e grumbulluara nga tuition fees, ku filtrohen të ardhurat; pse ikin ndër shumë llogarina, nga ikin dhe pse nuk përdoren sikur e kërkon ligji mbi fondacionet- vetëm për Universitetin. Mijëra studentë emigrojnë jashtë vendit mbasi maksimumi që shpenzojnë në muaj është 750 euro, ndërkohë që po kaq duhet për të jetuar edhe në Tirane me koston e jetesës marramendëse qe ka lëshuar pa frena vetë Edi Rama. Duhet të kujtojmë se shërbimi që marrin studentët, po qëndruan në Shqipëri është i atillë, që nuk hyn në asnjë llogari të të qenurit sistem universitar.

Kjo e gjitha tregon, i nderuari zoti Kryeministër, se një ndërhyrje e re, e thellë dhe e saktë, duhet te ndodhë. Asnjëherë ajo që aktrove të hënën.

Një KM normal nuk i sheh qytetarët e tij që e kundërshtojnë, profesorët që bëjnë grevë dhe e kritikojnë, gazetarët që shkruajnë, si armiq, por si oponentë konstruktivë në rrugën e përbashkët drejt përmirësimit. Afërmendsh të gërmohet e të kërcënohet profesori protestues, për shkak të ushtrimit të të drejtave sindikaliste, se në fund i bën dëm edhe Shqipërisë. Unë po ju them që le të shërbejë thirrja e profesoratit për ngritje pagash si një thirrje mendje për qeverinë tende, për shoqërinë dhe për universitetet në tërësi, si start për korrigjim të mirëmenduar dhe të studiuar paraprakisht.

Një ndërhyrje vullnetmirë dhe dashamirëse e njerëzve që dijnë dhe kanë dashuri për vendin, dijen, arsimin dhe brezin e ri, te ardhmen e Shqipërisë, duhet të ndodhë dhe duhet të lejohet. Ajo që keni ndërtuar në vitin 2015, me keqardhje e them, KA DËSHTUAR, jo për shkak të programimit të reformatorit kryesor, por për shkak të rumpallës së gjithanshme që është krijuar në vend në këto vite, të sabotimit të mediokrëve që e implementuan, të korrupsionit dhe mos-studimit të kushteve specifike të Shqipërisë, që nuk ka rezerva të ngjashme me UK, për të futur ne treg, ashtu në kurriz të familjeve të varfra shqiptare, shkollën e lartë, për hatër të disa aventurierëve me ambicje të shfrenueme për pasurim të pamerituar në kurriz të profesorëve dhe studentëve.

Përgjigjet arrogante, nga shumë krahë, duhet të lihen mënjanë sot. Një KËSHILL i Ri i Arsimit dhe Shkencës, me pak njerëz që e kanë kompetencën e nevojshme në programim, duhet të ri-themelohet, pa ngurrim dhe pa bujë shumë, për të kryer korrektimet në Ligjin e vitit 2015, ose duke përmirësuar atë të 2008. Ndryshe, tatëpjeta do vijojë, vërtetë e mbuluar nga kërpudhat dhe gardhet që gëlojnë nëpër ndërtesën kryeministrore, por e zbuluar tërësisht në dyert e ambasadave të huaja në Tiranë dhe në pikat e kalimit të kufirit shtetërorë, ku rropaten për shpëtim fëmijët tanë.

Fjala.al

Filed Under: Opinion

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken me adresim të veçantë në hapje të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, të organizuar nga Presidenca e Kosovës

October 21, 2022 by s p

Me iniciativë të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, më 22-23 tetor, në Prishtinë i zhvillon punimet Forumi Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, një organizim i pari i këtij lloji në historinë e Kosovës. Forumi organizohet në bashkëpunim me zëvendëskryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme, znj. Donika Gërvalla Schwarz dhe mbështetet nga partnerë vendorë dhe ndërkombëtarë.

Në edicionin e parë të tij, WPS, pritet të grumbullojë mbi 400 pjesëmarrës, nga vende të ndryshme të botës, në fokus të të cilit do të jetë trajtimi i çështjeve që ndërlidhen më gratë, paqen dhe sigurinë.

Në këtë Forum, pritet të marrin pjesë liderë botërorë, ekspertë, akademikë, përfaqësues të shoqërisë civile, të rinj dhe përfaqësues nga grupe të tjera të interesit.

Forumi synon të diskutojë jo vetëm sfidat në përballje me paqen dhe sigurinë globale, por edhe trajtimin dhe zgjidhjet eventuale.

Ndryshe, WPS është Forum, i cili paraqet një nga zotimet e institucioneve të Republikës së Kosovës për Samitin për Demokraci, të organizuar nga presidenti i SHBA-ve, Joe Biden.

***
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken me adresim të veçantë në hapje të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, të organizuar nga Presidenca

Në hapje të edicionit të parë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili fillon punimet nesër (e shtunë) dhe mbahet me iniciativë të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pjesëmarrësve do t`i drejtohet me një adresim të veçantë, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Forumi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë me temë “Ndërtimi i Aleancave për Paqe të Qëndrueshme”, organizohet për herë të parë në historinë e re të Kosovës dhe përbën një nga zotimet në kuadër të Samitit për Demokraci.

Fjalimi i Sekretarit Blinken është dëshmi e mbështetjes së vazhdueshme dhe e partneritetit të palëkundur ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve që bazohet mbi vlerat e përbashkëta të demokracisë, paqes dhe prosperitetit.

Ndryshe, Forumi në edicionin e parë të tij do të mbledhë 126 folës nga 33 shtete, 6 kontinente dhe mbi 400 pjesëmarrës, të cilët gjatë dy ditëve do të trajtojnë çështje që ndërlidhen më gratë, paqen dhe sigurinë.

Në këtë Forum, pritet të marrin pjesë liderë botërorë, ekspertë, akademikë, përfaqësues të shoqërisë civile, të rinj dhe përfaqësues nga grupe të tjera të interesit.

Filed Under: Opinion

FEDERATA PANSHQIPTARE E AMERIKËS “VATRA” ORGANIZON SIMPOZIUM SHKENCOR ME RASTIN E 110-VJETORIT TË PAVARËSISË SË SHQIPËRISË

October 19, 2022 by s p

“110 VJETORI I PAVARËSISË SË SHQIPËRISË NË VATËR”

E Diel, 27 Nëntor 2022

Ora 2:00 p.m në selinë qendrore të “Vatrës”

2437 Southern blvd, Bronx, NY. 10458

Me rastin e 110-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, Federata Pan-shqiptare “Vatra” organizon simpozium shkencor. Ky aktivitet ka për qellim të bashkojë studiues, profesor, gazetar e profesionist të fushës, të cilët do të sjellin kontributet e tyre shkencore falë kërkimeve në dokumente (vendase dhe të huaja), monografi, artikuj shkencorë dhe nëpërmjet hulumtimeve në shtypin periodik të kohës, (shqiptar dhe të huaj). Koha në dispozicion për çdo kumtesë do të jetë (maksimumi 10 minuta), ndërsa materiali i plotë do të botohet në gazetën “Dielli”.

Tematika orientuese e Simpoziumit:

-Rilindësit Kombëtar Shqiptar, Kongresi i Manastirit, roli dhe kontributi historiko-kulturor në funksion të unitetit kombëtar.

-Roli i Fuqive të Mëdha në Pavarësinë e Shqipërisë.

-Shqiptarët dhe politika e Perandorisë Osmane në prelud të Pavarësisë së Shqipërisë.

-Lufta Ballkanike dhe rreziku i tokave shqiptare.

-Roli i “Vatrës” dhe i diasporës shqiptare në shpalljen e Pavarësi së Shqipërisë.

-Kleri shqiptar dhe Pavarësia e Shqipërisë.

-Pavarësia e Shqipërisë dhe njohja e Shtetit Shqiptar në Arenën Ndërkombëtare bazuar në shtypin shqiptar dhe të huaj.

-Çështja shqiptare në kancelaritë e huaja në dhe në konferencat Ndërkombëtare.

Shënim:

Për të interesuarit, ju lutemi dërgoni titullin e plotë të punimit, një abstrakt deri në 250 fjalë për temën që do të trajtoni, emrin e autorit, gradën/titullin akademik, adresën e postes elektronike në

e-mailin: 110vjetoripavarsisenevater@gmail.com

Pranimi i kumtesave do të jetë deri më datën 4 nëntor 2022.

Bordi Organizativ i Simpoziumit do të njoftojë me e-mail ligjëruesit që do të përzgjidhen për të marrë pjesë në simpozium brenda datës 7 nëntor 2022.

Bordi organizativ i simpoziumit shkencor:

Dr. Paulin Marku (kryetar)

Z. Idriz Lamaj (anëtar)

Z. Frank Shkreli (anëtar)

Msc. Marjana Zeneli Bulku (anëtare)

Dr. Sokol Paja (anëtar)

Dr. Pashko Camaj (anëtar)

Filed Under: Opinion

Në Lindau të Gjermanisë, u promovuan veprat e gjenocidit serb mbi shqiptarët

October 19, 2022 by s p

Shkruan: Nusret PLLANA/

Në lokalet e Hotelit Gasthof zum Zecher Lindau, të pronarit Osman Krasniqi, u promovua libri i xhepit “Mos harro kurrë – Vergiss Niemals”, të autorëve: Nusret Pllana e Agim Aliçkaj, përkthyer në gjermanisht nga Arlinda F.Çitaku.

Përveç bashkëatdhetarëve tanë, të qytetit të bukur Lindau me rrethinë, në këtë manifestim kulturor, edukativ e shkencor, morën pjesë edhe anëtarët e kryesisë së Ligës shqiptaro – zvicerane: z. Milihat Halimi, Samet Rexhepi e Faton Kurtishi, të cilët po ndihmojnë moralisht e materialisht për botimin dhe promovimin e këtyre veprave me vlerë shkencore, kombëtare e historike, që kanë për qëllim informimin dhe sensibilizimin e opinionit përparimtar, evropian e botëror, për gjenocidin  serb mbi shqiptarët për rreth dy shekuj me radhë. 

Në këtë promovim veprash publicistike e dokumentare, mori pjesë edhe i burgosuri politik dhe  luftëtari i lirisë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, vëllai i dëshmorit të kombit Beqë Gashi, z.Zhujë Gashi – Kryetar i Këshillit të prindërve në Bylah, afaristi i mirënjohur Ilir Kelmendi dhe shumë veprimtarë e luftëtarë të lirisë, të cilët morën pjesë aktive në promovim, me ç’rast e  ndoqën me interesim të veçantë  edhe filmin dokumentar Kush i vret fëmijët, të producentëve: Nusret Pllana e Esat Shala. 

Autorët e librit Mos harro kurrë, Nusret Pllana e Agim Aliçkaj, përzemërsisht e falënderojnë bashkëveprimtarin e tyre dhe organizatorin e këtij manifestimi, z.Ahmet Hetemi dhe z.Osman Krasniqi, për suksesin e këtij promovimi, dhe kontributin e tyre të çmuar në funksion të mos – harresës së kujtesës historike. 

Filed Under: Opinion

GAZETA DIELLI NJOFTON VATRANËT, ABONENTËT DHE KOMUNITETIN

October 17, 2022 by s p

Gazeta “Dielli” – Organ zyrtar i Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra, njofton vatranët, abonentët, komunitetin dhe dashamirësit e Diellit dhe të Vatrës rreth Numrit Special të gazetës Dielli me rastin e Festës së Flamurit Kombëtar:

Çmimet për publikim të njoftimeve, urimeve, reklamave, mesazheve sensibilizuese, botimeve specifike, shpalljeve të ndryshme në gazetë do të jenë si më poshtë:

1 Faqe me ngjyra – 550 Usd

½ Faqes me ngjyra – 350 Usd

¼ Faqes me ngjyra – 200 Usd

1 Faqe pa ngjyra – 350 Usd

½ Faqes pa ngjyra – 250 Usd

¼ Faqes pa ngjyra – 150

Gazeta “Dielli” fton të gjithë patriotët shqiptarë në Amerikë, Kanada e më gjërë, organizatat, shoqatat, grupimet atdhetare, shkollat shqipe, shoqëritë kulturore, klubet patriotike, rrjetin e bizneseve në mërgatë e mëmëdhe që ti bashkohen kësaj fushate për forcimin e gazetës Dielli dhe promovimin e identitetit, vlerave e historisë sonë kombëtare.

Çdo njoftim duhet të vijë në gazetën Dielli përpara datës 5 Nëntor 2022.

Të gjitha njoftimet duhet të dërgohen në adresën elektronike zyrtare të gazetës Dielli: gazetadielli@gmail.com dhe pagesat përkatëse të postohen në Adresën e Vatrës: 2437 Southern Blvd, The Bronx, NY 10458.

Mirënjohje dhe falenderim të përzemërt për të gjithë ata që do i bashkohen kësaj fushate.

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 184
  • 185
  • 186
  • 187
  • 188
  • …
  • 859
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT