• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUJTESË PËR NJË MIK TË PATAKUAR ASNJËHERË

October 1, 2022 by s p

“Kur fati na ka hequr një mik, nuk ka ilaç më të mirë se sa të gëzojmë kujtimin e tij

e të rigjejmë në të ndonjë gjë që është thënë mprehtësisht apo trajtuar urtësisht”

NICOLÒ MACHIAVELLI (1469 – 1527), shkrimtar politik e historian italian.

Nga Eugjen Merlika

Pak muaj më ndajnë nga largimi i parakohshëm prej kësaj bote i një miku, i cili edhe pse nuk ishte pranë meje fizikisht, madje nuk kishim as numërat e telefonit të njëri tjetrit, la një zbrazësirë të madhe në zemrën time. Ai ishte i ndjeri Dalip Greca, me të cilin më lidhte një jetë bashkëpunimi në fushën e gazetarisë, pothuajse sa hapësira kohore e një brezi njerëzor. Na ndante një oqean ujor, por na bashkonte ideja e shërbimit, nëpërmjet shkrimeve, një epoke të re, jo vetëm të jetëve tona, por edhe të Vëndit në të cilin kishim jetuar.

Vinim të dy nga një qytet në mesin e Shqipërisë, fatkeqësisht i njohur nga të gjithë shqiptarët si një qëndër internimesh politike, një vënd grumbullimi i familjeve të “armiqve të klasës”, “kundërshtarëve” zyrtarë të regjimit komunist. Ishte qyteti i Lushnjës, i famshëm historikisht për Kongresin që u zhvillua në të në muajin e parë të vitit 1920, i cili i hapi rrugën një kursi të ri të politikës shqiptare e, njëkohësisht, aktit historik që solli në qëndrën e jetës politike të vetmin Mbret të ardhshëm të Shqipërisë bashkëkohore, Ahmet bej Zogollin. 

Dalipi kishte lindur n’atë qytet ndërsa un isha adoptuar prej tij që në moshën dhjetëvjeçare. Në mesin e viteve pesëdhjetë Shteti komunist e përzgjodhi këtë qytet e rrethinat e tij në buzë të kënetës shekullore të Tërbufit, si një vënd të përshtatëshëm për të krijuar sektorët e një ferme bujqësore, që do të bëhej m’e madhja e Vëndit, duke mbajtur emrin e datës kur u vendos komunizmi në Shqipëri e që përkonte me ditën e largimit të ushtarit të fundit gjerman nga toka e saj e pushtuar gjatë luftës së Dytë botërore. Ajo krahinë do t’ishte pra, një vënd i posaçëm internimi, më i zgjeruari e më i ashpri i sivëllezërve të tij të shpërndarë në të gjithë Shqipërinë, me tetë sektorë, në të cilët çdo ditë, për 36 vite, zhvillohej famëkeqja “luftë e klasave”, e çuar në përmasa skajore, para të cilave Soveto e Afrikës së Jugut ishte një shembëlltyrë e zbehtë e urrejtjes njerëzore dhe e dallimit klasor e racor….

Miqësia ime me të ndjerin kryeredaktor të Diellit, nuk lindi n’ata mjedise të realitetit lushnjar, mbasi ne n’atë kohë nuk njiheshim me njëri tjetrin. Un isha një banor i rregullt familjarisht i sektorëve të internimit të Plukut, Savrës, Gradishtit, përsëri të Plukut e së fundi të Grabianit, ku ishte internuar familja, mbas dënimit tim për agjitacion e propagandë më 1980. Miku im, Dalipi, kishte qënë më fatlum, duke mos patur një mbiemër që i shkaktonte bezdi mjediseve të larta të politikës e të vartësve të saj në Shqipërinë komuniste. Kishte lindur në Lushnjë në vitin 1950. Kishim gjashtë vite ndryshim, i lindur un në vitin 1944. Shkollën e mesme e kishte mbaruar në gjimnazin “Abaz Shehu” të Tepelenës, në qershor 1969, vit në të cilin un kreva shërbimin ushtarak në Ndërmarrjen Bujqësore Ushtarake të Burrelit. Tepelena ishte emri i qytetit të përzgjedhur nga Byroja Politike për të ndërtuar në fushën me katër kazerma të mëdha të ushtrisë italiane gjatë luftës italo-greke, kampin e dëbimit apo të shfarosjes, ndoshta më të llahtarshmin e të gjithë Lindjes komuniste evropiane. N’atë kamp kisha kaluar rreth tre vite të fëmijërisë sime, së bashku me nënën e gjyshen time.

Mbas mbarimit të gjimnazit, Dalipi shkoi në Shkodër, ku u diplomua me nota shumë të mira për gjuhë-letërsi në Institutin e Lartë pedagogjik dyvjeçar. Me t’a mbaruar atë u mobilizua në marinë për të kryer shërbimin ushtarak. Ajo ishte një nga armët më të vështira edhe në sajë të gjatësisë së shërbimit prej tre vitesh. Me të mbaruar atë shërbim, në sajë të vullnetit për të studjuar e dëshirës për të qënë sa më i përkryer në ushtrimin e profesionit të mësuesit, u regjistrua në Universitetin shtetëror të Tiranës, përsëri në degën gjuhë-letërsi, pa shkëputje nga puna. Punonte si mësues i gjuhës e letërsisë në qytetin e Lushnjës edhe mbasi mbaroi shkëlqyeshëm fakultetin e dytë. Pasioni për mësuesinë e mbajti n’arsim deri në vitin 1983. Më pas ai mori një tjetër rrugë, atë të gazetarisë, në fillim në gazetën vendore të qytetit të lindjes “Shkëndija” e më pas në organin e partisë republikane “Republika”, mbas dhjetorit 1990. Duhet theksuar se Dalip Greca kishte një talent të lindur për gazetarinë, që doli në pah më shumë mbas vitit 1990, kur ai, si dhe gjithë të tjerët kolegë të tij, u liruan nga vargojtë e partishmërisë që duhej të kushtëzonin përmbajtjen dhe stilin e të shkruarit.

Jeta dhe vepra e brezit tonë ka patur në fundin e viteve tetëdhjetë të shekullit të shkuar, një kthesë epokale, që ka përcaktuar e ndryshuar kursin e jetës vetiake e profesionale të secilit në veçanti, por edhe të shoqërisë shqiptare në tërësi. Ajo ngjarje madhore qe dështimi paqësor i komunizmit evropian si sistem, e megjithë “qëndresën heroike” të komunistëve dogmatikë të Shqipërisë për të mos e pranuar dukurinë evropiane (“Shqipëria nuk është as Lindje as Perëndim” Ramiz Alia dixit), enveristët shqiptarë nuk qenë në gjëndje t’a shtynin më shumë se një vit mungesën e ndryshimit, por arritën të shmangnin atë term, në kuptimin rrënjësor të tij, e t’a zëvendësonin me atë të tjetërsimit, në kënetën e të cilit vazhdojmë ende të lundrojmë. Vëndi i ynë, që deri në dhjetëvjeçarin e parafundit të shekullit të njëzetë, ruante dhe mbronte me ligje të sajuara shtatoret e Stalinit në sheshet e tij, i drejtuar që prej tridhjetë vitesh nga një grusht politikanësh të improvizuar të vitit 1991, mbetet ende sot i mangët përsa i përket demokratizimit të vërtetë. Paaftësia endemike për ndryshime rrënjësore përcaktoi edhe ecurinë e sistemit të ri që u kthye në një përzjerje hibride mes atij që linim pas e atij që ëndërronim me naivitetin fëminor që na karakterizonte.  

Si për shumicën e shqiptarëve ashtu edhe për ne të dy ata ndryshime sollën  pritmëri të reja. Dalipi u aktivizua menjëherë në lëvizjen e re që synoi në ndryshimin e sistemit e lënien mbas krahëve të regjimit komunist. Ai mori pjesë në partitë e reja që lindën më porosinë e “partisë nënë”, mbas dhjetorit 1989, duke zgjedhur partinë republikane, të themeluar nga shkrimtari e ish oficeri Sabri Godo. Mua ajo periudhë më gjeti në internim, të dhënë mbas lirimit nga burgu me amnistinë e 15 nëndorit të vitit 1982. Ato kohë të fillimit të tjetërsimit të sistemit, u mbushën me shpresa e iluzione për të gjithë shqiptarët, kryesisht për ata që kishin ndjerë më shumë përmbi shpinë barrën e diktaturës, në të gjitha shfaqjet e saj mizore. Ato lidheshin më së shumti me largimin familjarisht jashtë Shqipërisë.

Mbas “mrekullisë” hyjnore të shëmbjes së komunizmit lindi një prirje e shfrenuar për të arritur fizikisht në “botën e lirë”, të cilën e njihnim në mënyrë shumë sipërfaqësore e nuk ishim aspak të përgatitur për t’a përballuar. Synimi i parë u bë nxjerrja n’atë botë e fëmijëve për të ndryshuar jetën e tyre. Në ata që vinin nga kampet e internimit, që kishin patur “guximin”, apo “marrëzinë” të ripërtërinin mbiemrin e familjes me pasardhës, qëllimi i vetëm i jetës u bë ndryshimi i pritmërisë së jetës së tyre, vënia në kushtet e një normaliteti njerëzor, me mundësi studimi në universitet, larg një mjedisi mizor e armiqësor, të drejtuar nga kriminelë. U bë detyrë urdhëruese e atyre prindërve të shmangnin për fëmijët e tyre qënien n’ato mjedise në të cilët kishin lindur e në të cilët ishin përballuar me dallimin klasor që në foshnjëri, duke njohur mbi shpinë çdo ditë urrejtjen e pamundësinë për të sendërtuar në jetë dëshirat dhe ëndrrat  në vartësi vetëm të aftësive e vullneteve të tyre. I tillë ishte rasti i im dhe i familjes sime që, në gushtin e vitit 1991u shpërngul në Itali, në vëndin e lindjes së nënës, e cila e ripa atë Vënd për herë të parë mbas 47 vitesh të kaluara në shumicën dërmuese në kampet e internimit.

Jeta e mërgimit ka vështirësitë e veta, sidomos në vitet e para. Por ato vështirësi nuk kishin krahasim me mynxyrën që kishim lënë mbas krahëve e në të cilën kishim jetuar për afër gjysëm shekulli. “Liria jep rezultate!” qe kryefjala e vizitës së sekretarit amerikan të Shtetit, Xhejms Bejker në Shqipërinë e sapo dalë zyrtarisht nga komunizmi. Fjala e mbajtur në tubimin, besoj më të madhin e karierës së tij diplomatike, qe ballafaqimi i parë i shqiptarëve me Perëndimin e ëndërruar e me Vëndin udhëheqës të tij, SHBA. Ndërsa postulati i Bejkerit vononte sendërtimin në Shqipëri, për shqiptarët e mërguar, megjithë vështirësitë, herë herë të pakapërxyeshme, liria fillonte të jepte rezultatet. Merrej frymë lirisht, pa frikën e ndjekjes nga prapa të oficerit të sigurimit apo të spiunit të tij, që kishte shënuar gjithë jetën tonë të shkuar. Fillonin të vinin edhe kënaqësitë nga studimet e fëmijëve e, krahas punës së rëndomtë, të viheshin në veprim aftësitë e fjetura e të pashprehura kurrë. Filluan shkrimet e botimet e librave, shprehje e lirë e mendimit pa zinxhirë.

Ndërkaq Dalipi jepte ndihmesën e tij jetës së re tek gazeta Republika e përgatitej të kalonte oqeanin, për të provuar aftësitë e tij në Vëndin simbol të demokracisë. Këtë e sendërtoi më 20 korrik 1999. Viti 2000 e gjeti në redaksinë e gazetës “Illyria”. Ai vit qe ai i takimit tonë virtual. Një mik familjar i imi, ing. Mërgim Korça, i dërgoi për botim Illyrisë një syzim timin: “Elegji për brezin tim”, të cilin e kisha botuar në Romë në gazetën “Bota shqiptare” të botuesit Roland Sejko. Shkrimi u botua menjëherë në Illyria e un mora përgëzimin e redaktorit të saj e ftesën për të filluar një bashkëpunim që zgjati më shumë se njëzet vite.  

Gjatë atyre viteve marrëdhëniet tona u bënë më të ngushta, më të ngrohta e më miqësore. U karakterizuan nga një korrektësi shëmbullore, nga një respekt i ndërsjelltë deri në dashamirësi. Mbaj mënd që në rastin e 90-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, Dalipi më kërkoi një ndihmesë në hartimin e një numëri të posaçëm të gazetës, kushtuar atij përvjetori. E pranova me kënaqësi atë ftesë e shkruajta një syzim me titull “Në kapërcyell të mijëvjeçarëve (Marrëveshje e mosmarrëveshje mes shqiptarëve )” dhe i dërgova dy shkrime të Mustafa Krujës me tituj: “Të shpallët e Pamvarësisë” dhe “Kuptimi i XXVIII Nandorit”. Ishin shkrime kushtuar përvjetorëve të asaj ngjarje madhore në të cilën ai kishte qënë i pranishëm duke firmosur “Deklaratën e Mëvehtësisë”. Mbaj mënd se Dalipi më dërgoi numurin e shtypur të gazetës që kishte plot njëqind faqe.

Mbas disa vitesh pune te Illyria Shoqata “Vatra” vendosi t’i besojë Dalipit detyrën e redaktorit të “Dielli” që kishte afë tre vite që nuk dilte në shtyp. Por gjatë kësaj kohe, krahas punës me redaksitë e gazetave, ai gjeti kohën e vullnetin për të nxjerrë në dukje edhe aftësitë e tij të studimit në një tjetër fushë, që nuk ishte ajo, në të cilën ishte diplomuar dy herë në Shqipëri, gjuha e letërsia shqipe. Vëndi i adoptuar sikur e nxiti të njohë edhe fushën ekonomike. Kështu ai filloi e përfundoi në dy vite Institutin Tecnology of Busines në New York. Nuk më pati shkruar kurrë për këtë arritje të tij, që meritonte përgëzime e lavdërime të sinqerta në moshën e tij. Por ai burrë ndoshta e kishte me të tepër prujtuninë, që përbënte një dhunti jo vetëm të natyres por dhe t’edukatës që kishte marrë që herët në familje, e që është një nga virtutet më të çmuara të karakterit njerëzor. Megjithë diplomën e tretë, një dukuri jo fort e zakonshme  në fushën e publiçistikës, e që nxjerr në pah brumin e tij përbërës të intelektit, Dalip Greca mbeti përjetë i lidhur me fushën e ëndrrave të rinisë, duke i kultivuar ato deri në orët e fundit. Ai mbeti i zotuar shpirtërisht e mendërisht  me Vatrën e me organin e saj, më se shekullor, “Dielli”, në shërbim të të cilëve vuri të gjithë aftësinë e vullnetin e tij të pazakontë, në një veprimtari të gjatë, me zellin e dëshirën për të punuar në heshtje, pa bujë e lëvdata, duke kërkuar shpërblimin e mundit të tij në ndërgjegjen e tij, më shumë se në vlerësimet e të tjerëve. 

Bashkëpunimi ndërmjet një publiçisti dhe botuesve të tij është një proçes që, në shumicën e rasteve, sidomos kur është i gjatë e i frytshëm, pa tjetër krijon një farë lidhjeje që i kalon caqet e një njohjeje të thjeshtë. Mes meje e Dalipit ka ndodhur kështu. Ne jo vetëm njoftonim njëri tjetrin edhe për problemet e ndërsjellta familjare, e në raste vështirësish, sidomos shëndetësore, ishim pranë, sigurisht nëpërmjet mesazheve. Kështu për ngushullimin tim, me rastin e ndërrimit jetë të babait të tij ai u përgjigj me këto fjalë: “I dashur mik, Të falënderoj me shpirt për mesazhin. E vlerësoj shumë dhe ndjehem i lehtësuar. Babain e vizitova dy javë para se të ikte nga kjo jetë, Më mbeti peng që nuk munda t’i hidhnja një dorë dhe. U a shpërblefsha në gëzime.” Mesazhi mban datën 11 shtator në përgjigje të ngushullimit tim të 10 shtatorit 2018.

Më parë, në vitin 2017 un ndërrova kompiuterin. Ndoshta, për fajin tim, gjatë veprimit me të, u fshinë nga ai dhjetra shkrime e përkthime që kisha botuar ndër vite. I shkruajta Dalipit, duke kërkuar ndihmën e tij. Brënda pak ditësh ai m’i dërgoi më shumë se tridhjetë shkrime origjinale, veç përkthimeve. Ishte një dëshmi e kujdesit të tij, për të cilin i jam shumë mirënjohës.

Më 13 shtator 2018 i dërgova Dalipit këtë e-mail: “I dashur Dalip, Uroj të jesh mirë me shëndet e lus Zotin të të lehtësojë dhimbjen e madhe. Po të dërgoj  një film dokumentar mbi kampin e Tepelenës, të xhiruar nga Admirina Peçi, me dëshminë e gruas së xhaxhait tim, Klara Mirakaj Merlika. Po t’a dëgoj që, brënda mundësive tuaja, t’a shpërndash ku ke mundësi e të duket e arsyeshme. Është një mënyrë për të mos e lënë të mbulohet me pluhurin e harresës atë periudhë tragjike të  historisë sonë, me që janë mjaft në Shqipërinë tonë që e dëshirojnë atë gjë.”

Mbas dy orësh mora këtë përgjigje: “I dashur Eugjen, E pashë me një frymë…. E tmerrshme…. Çdo njeri me “shpirt, me mish, me gjak”- si thotë Klara- nuk mund t’i mbajë lotët… Pasi e ke ndjekur dokumentarin të mbeten në mëndje Cuklina, nëna që pa me sytë e saj vdekjen e 13 fëmijëve… dy binjakët që u shuan brënda një çasti…. Apo Dila e Prenda Gjikola, …. 24 fëmijët e shuar për 24 orë….. Tifo që gëlltiste jetë, tifua…. Uria…. përvuajtja e grave dhe e fëmijëve…. Një dokumentar që thotë shumë, një rrëfim drithërues i Klara Mirakës….. Dhimbje për vuajtjet e saj dhe atyre qindra grave, fëmijëve, pleqve, të syrgjynosur aty pa asnjë lloj faji…. Faleminderit që m’a dëgove…. E shpërndava….. E vendosa edhe në faqen e Diellit dhe Vatrës në Facebook.”   

Ajo përgjigje ishte një dëshmi e shpirtit të tij fisnik e të dhëmshur, që tronditej e ligështohej për dramat e tragjeditë e popullit të tij, ndjente dhimbje për bashkatdhetarët që kishin vuajtur me dhjetëvjeçarë të tërë nëpër kampet e internimit, për padrejtësitë, mortnimet e salvimet e njerëzve të pafajshëm që ishin mbyllur n’atë kamp çfarosjeje, për pleqtë, fëmijët e gratë shqiptare. Dalip Greca ishte i bindur se ai realitet mizor i Vëndit të tij të martirizuar duhej bërë i njohur jo vetëm për botën e huaj, në të cilën ai jetonte, por edhe për të rinjtë shqiptarë që nuk e kishin jetuar. Si publiçist e redaktor i “Dielli”-t, ai e vuri atë organ shtypi në përdorim të përhapjes të së vërtetës historike, duke hulumtuar në mjediset e shqiptarëve t’Amerikës, mbi veprimtaritë e shumë atdhetarëve që, në Vëndin e tyre, u quajtën “armiq populli”, ndërsa ata ishin vetëm kundërshtarë të armiqve të vërtetë të shqiptarëve e të shqiptarizmit. Ata u quajtën të tillë jo vetëm nga sistemi kriminal i politikës, që nuk përbëhej vetëm nga nomenklatura komuniste në të gjithë nivelet, por edhe nga kultura që u vu në shërbim të saj. 

Puna e gazetarit dhe dëshira e tij vetiake për të njohur diasporën e vjetër bashkatdhetare e vuri në lidhje me shumë antarë të saj  dhe nga dëshmitë e intervistat e tij me to lindi libri “Armiqtë që e donin me shpirt Atdheun”. Me atë libër ai jo vetëm tregoi të vërteta të mohuara për një gjysmë shekulli nga atdheu i tyre, por i ktheu një borxh nderi që publiçistika shqiptare i detyrohej figurave t’atyre që kaluan gjithë jetën duke ëndërruar Vëndin e tyre e duke përtypur dhimbjen e tyre të thellë për fatin e tij. Janë shumë të pakët ata intelektualë të regjimit që kanë menduar të kryejnë një veprim të këtillë si Dalip Greca, të nxjerrin në pah të vërtetën për veprimtaritë e bashkatdhetarëve të tyre kundërkomuniste, të cilët lanë atdheun për të mos pranuar dhunën e diktaturës, e në jetën e tyre u përballën me vështirësi nga më të ndryshmet, por gjithmonë duke mbajtur lart dinjitetin njerëzor e shqiptar e duke ushqyer  në zemër dashurinë për vëndlindjen. Madje, fatkeqësisht, ka në Shqipëri “intelektualë” që gërmojnë në dokumentat e Sigurimit të Shtetit komunist, për të gjetur ndonjë “njoftim” për korifejtë e kulturës shqiptare e maja të saj si Ernest Koliqi dhe Martin Camaj, e për të ngritur mbi ta “hamëndje bashkëpunimi” me shërbimet e fshehta të huaja në dëm të Shqipërisë. Kjo ndodh në ditët tona dhe e gjithë godina që ata ngrenë për të poshtëruar ata emra të ndritur, është një veprim thellësisht kundër-atdhetar e i turpshëm.

Dalip Greca shkon ballëlartë në gjyqin e ndërgjegjes së tij e të kombit sepse në veprimtarinë e tij i ka shërbyer vlerësimit e nxjerrjes në pah të vlerave kulturore shqiptare të shprehura nga kundërshtarët e regjimit, në të cilin ai lindi, u formua e jetoi. Ky qëndrim e nderon atë edhe në përjetësi, ashtu siç ishte një fletë nderi sa ishte në jetë. Në këtë hulli  të mendimit e të veprimtarisë së tij publiçistike hyn edhe qëndrimi i ngrohtë që ai ka shfaqur në rastin kur i nënëshkruari i ka dërguar për bibliotekën e “Vatrës”, një kolanë të veprave të gjyshërve të tij, Mustafa Kruja e Sotir Gjika si dhe të vëllimeve të tij vetiakë. Falënderimeve të redaktorit të “Dielli”-t për atë veprim i është përgjigjur me këtë mesazh të datës 4 nëndor 2019:

“Jam shumë i gëzuar që libri im i fundit do të jetë në dispozicion të lexuesve të Vatrës. Ndjehem dhe un një pjesë e vogël e asaj organizate të lashtë, në të cilën ka dhënë ndihmesën e vet edhe gjyshi i im, Sotir Gjika, rreth 110 vite më parë. Faleminderit shokut tim të fëmijërisë, që e plotësoi porosinë. Faleminderit edhe ty, Dalip, për bashkëpunimin e gjatë në rreth 20 vite, gjithmonë me respekt e konsideratë të ndërsjelltë, marrëdhënie shëmbullore edhe se nuk kemi patur fatin të takohemi fizikisht, edhe se, në mos gabofsha, jemi parë një herë në Lushnjë, kur ti punonje për Republikën. Shpresoj se Zoti do të na ndihmojë të shihemi përsëri. Përshëndetjet më të përzemërta”

Në vazhdën e shkëmbimeve të mesazheve me këtë mik të vyer, po sjell atë të tij në përgjigje të urimit tim për daljen në pension, dukuri të cilën un, ndoshta gabimisht e lidha me ndryshimet në vitet e fundit në kryesinë e Vatrës:

“I dashur Eugjen,

Nuk kam fjalë për të shprehur mirënjohjen dhe respektin për mesazhin e ngrohtë që më dërguat me rastin e pensionimit tim.

Kisha kohë që e mendoja ndarjen e dhimbëshme nga Dielli. Kohët e fundit janë vështirësuar punët në Vatrën e Diellit, me grupime brënda dhe jashtë saj, ndërkohë që shëndeti im ka kohë që më jep sinjale “hap rrugën”. Në këto kushte e mora vendimin dhe e publikova në gazetë, pa u dhënë kohë drejtuesve të Vatrës për diskutime. Sonte, ata shtrojnë një darkë në nderin tim, me pjesëmarrjen e drejtuesve të qëndrës e degëve, me ftesa të konfirmuara për ardhje nga ambasadat e konsullatat e Kosovës dhe të Shqipërisë, me një dekorim “Kalorësi i Urdhërit të Skënderbeut” nga Presidenti, me një mirënjohje “Faik Konica”nga Vatra, etj. Pra nuk po më heq Vatra, po shkoj të pushoj, ndërkohë që kam kohë të sistemoj materialet e mia më të mira në ndonjë libër si një Histori të Diellit mes dy shekujve jete, që e kam nisur një vit më parë, por do të dojë kohë.

Për ju i dashur, shpreh mirënjohje dhe respekt të veçantë për mbështetjen dhe bashkëpunimin e gjatë  prej dy dekadash. Shpresoj që të mos e ndërprisni bashkëpunimin me Gazetën Dielli. E-maili: gazetadielli@gmail.com.

Me shumë të fala

Dalipi”

Në përgjigjen e tij ai më sqaronte me sinqeritet arsyet e dorëheqjes që kishin të bënin më shumë me shëndetin e tij. Nuk kam arsye mos t’i besoj fjalëve të tij e ajo që më jep kënaqësi të veçantë është respekti i institucioneve në rastin e dorëheqjes e vlerësimi i tyre i merituar për të. Por të gjitha këto gërshetohen me një ndjenjë të thellë dhimbjeje e keqardhjeje për ndarjen e parakohëshme nga familja, miqtë e dashamirët, nga jeta në një kohë kur ishte zotuar në veten e tij të sendërtonte një vepër, për të cilën kishte punuar e mbledhur materiale për vite të tëra. Ajo vepër do t’ishte “Një histori e Diellit mes dy shekujve jete”, një histori madhore e njërës nga bashkësitë më të mëdha e më të rëndësishme të shqiptarëve në botë, asaj në kontinentin e ri, që strehoi në gjirin e tij bujar shpresat, ëndërrat, përpjekjet, mundin e disa brezave shqiptarësh, të cilët gjetën n’atë Vënd të madh “Tokën e premtuar”. Së fundi ai më la një porosi, të cilën do të mundohem t’a sendërtoj deri sa Zoti të më japë mundësi të shkruaj, atë të “mos ndërpres bashkëpunimin me Gazetën Dielli”. Është amaneti i tij i fundit, që kthehet në një detyrë parësore në atë pjesë jete që më ka mbetur të përshkoj.

Kjo letërzë është ndoshta gjëja m’e bukur që më ka mbetur nga bashkëpunimi e miqësia e gjatë me Dalip Grecën. Është si “kënga e mjellmës” e miqësisë sonë, të përcjellë në vite të gjata nëpërmjet valëve të internetit, që zvogëlojnë e zhdukin hapësirat gjeografike, duke na afruar shpirtërisht me familjarët, shokët, miqtë, dashamirët, njerëzit me të cilët na lidhin botkuptimi, shllimet, shijet kulturore, qëllimet e synimet e jetës, përftimet e ngulitura nga përvoja e viteve, përkatësia një gjuhe, një populli, një Vëndi, në të cilin lindëm secili me të veçantën e tij, me fatin e tij, por duke ruajtur në zemër një flakë, atë të dashurisë për të e të dëshirës për t’a parë atë sa më të mirë, të bukur të begatë, sa më njerëzor e fisnik. Uroj që ky këndvështrim i botës të mos mbetet vetëm pasuri e brezit tonë, por të përcillet edhe te bijtë e nipat tanë.

Po e përfundoj këtë kujtesë të dhimbëshme për mikun tim të dashur me sjelljen e mesazheve të fundit  të shkëmbyer me të e që përkojnë me urimet e zakonshme për festën e parë të vitit 2022:

“E premte, 31dhjetor 2021

I dashur Dalip,

Arritëm në ditën e fundit të një viti që nuk qe shumë i mbarë për gjithë botën e që solli edhe për ty ndryshime, mbas vitesh të tëra pune të zellshme në publiçistikën shqiptare. Edhe këtë Vit të Ri, si shumë të tjerëve përpara, të vijnë urimet e mija më të përzemërta ty dhe familjes tënde për shëndet të mirë, mbarësi e gëzime, plotësim dëshirash, qetësi e suksese në punën tënde që vazhdon edhe se je në pension!

Miqësisht

Eugjeni”

“E hënë, 3 janar 2022

I dashur Eugjen,

Nga zemra ju falënderoj për urimin dhe mesazhin e ngrohtë që më dërguat me rastin e Vitit të Ri. 

Edhe un e familja ime ju përcjellim urimet më të mira. Qoftë një vit i mbarë për ju, familjen dhe miqtë viti 2022!

Të fala

Dalip Greca”

Jeta njerëzore ka kufijtë e saj, ka fundin e saj të pashmangshëm për çdo krijesë njerëzore që lind, jeton e vepron në këtë “lëndinë lotësh”, që është bota e jonë. Dukuria më e sigurtë në këtë jetë është fundi i saj, ikja prej saj, që së bashku me ardhjen në këtë botë përbëjnë edhe të panjohurat më të mëdha me të cilat përballen të gjithë njerëzit prej shumë mijëvjeçarësh…. Asaj dukurie nuk ka mundur askush t’i shmanget, ajo i barazon të gjithë, pavarësisht nga vlerat, ndihmesat, veprat e mira apo jo të tilla, rëndësia apo kotësia e tyre, fati i mirë apo i keq që shoqëron kohën e qëndrimit mbi këtë tokë…. 

Për ata që e besojnë, jeta vazhdon edhe mbas ikjes nga kjo tokë,me shpirtin që nga ai çast fluturon në një botë tjetër Kjo na frymëzon shpresën tek përjetësia, duke na e lehtësuar edhe çastin e fundit që jetojmë, edhe frymën e fundit. Për mikun tim të nderuar, Dalip Grecën, ai çast ishte pjesë e 16 majit të këtij viti 2022. Por veç asaj jete që na pret e “nga s’na u kthye kurrë udhëtari”, secili lë mbrapa trashëgiminë e tij njerëzore, morale, mendore, kulturore, të cilat përbëjnë kujtimin e tij që mbetet i gjallë tek familjarët, miqtë, shokët e në raste si ai i Dalipit, në shumë njerëz, të njohur e të panjohur, në zemrën e mëndjen e të cilëve ai ka hyrë nëpërmjet fuqisë së pendës së tij.       

Paqe në përjetësi shpirtit të tij të bardhë e jetëgjatësi pafund kujtimit të tij të mdritur!

Shtator 2022

Filed Under: Opinion Tagged With: Eugjen Merlika

VATRA PROMOVON NESËR VEPRËN E SHQIPTARIT TË MADH “SKËNDER IMER THAÇI MES SHQIPËRISË, KOSOVËS DHE MALIT TË ZI”

September 30, 2022 by s p

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA promovon nesër, e Shtunë 1 Tetor 2022, ora 11 AM në adresën: Jacobi Medical Center(Salla Iliria) 1400 Pelham Pkwy South, Bronx, NY 10461, librin e historianes Leonora Laci me titull: “SKËNDER IMER THAÇI MES SHQIPËRISË, KOSOVËS DHE MALIT TË ZI”.

Ftohet komuniteti të marrë pjesë.

Filed Under: Opinion

“SHPIRTI I NDARË” OSE SKIZOFRENIA

September 29, 2022 by s p

Alfons Grishaj/

Në përditëshmërinë tonë, ballafaqohemi me njerëz të afërt që ndryshojnë sjelljen sikur t’mos i kishim njohur kurrë më parë, dhe  të habitur shprehemi: “Ua…po si ndryshoj ai apo ajo?” Kjo kategori nuk ka ndryshuar, sepse ashtu ka qenë (Kripto-skizofrene- Kripto-bipolar, Kripto- NMS etj), por shkalla e rëndesës së sëmundjes na sjell para syve realitetin e panjohur. Të prekurit nuk mund t’i ndash në personalitete melankolike, flegmatike, kolerike apo sanguine, se, nuk kanë vetëdije dhe nënvetëdije, andaj skizofrenia quhet, “ shpirt i ndarë”. Sipas meje, pa marrë rolin e spsecialistit…, por vetëm të vëzhguesit, përjetuesit dhe studiuesit  të këtij fenomeni: të sëmurët e prekur e kanë origjinën nga geni, vuajtja dhe tragjedia e momentit.

Fjala skizofreni u përdor për herë të parë nga Paul Eugen Bleuler, psikiatrist zvicerian, doktor i një shkalle superiore që u bë tepër i njohur me studimet në psikiatri dhe termat e tija u përdorën nga doktorët më në zë, përfshi këtu dhe Zigmund Frojd. Një ndër pikat e skizofrenisë është sjellja katatone (Ç’rregullsi në sjellje). Ece-jaket tona të përditshme pothuajse nuk e vënë re pa u përplasur me të. Disa “shkollarë”, sjelljen skizofrene e servirin si mendim ndryshe, “kozmik”, si “zhvillim kontravers…” Le të ndalemi pak këtu! Sepse, po e ngatërruam termin filozofik me tipologjinë dhe termin e sëmundjes bëjmë një gabim trashanik.

        Bisedat dhe shkrimet  kontraverse e kanë zanafillën që nga koha e Platos, Sokratit, Niçes, etj … duke pasur filozofinë dhe vlerën autentike, pa pasur nevojën e deformimt dhe devijimit në nonsens. Njohja e realitetit vë në lëvizje monitorimin e  sjelljes së personit. Nëse personi është i paqartë në përgjigje dhe irealen e paraqet si realitet, duke këmbëngulur në “vërtetësinë e patjetërsueshme” (pa hyrë në dëgjimin e zërave…etj), logjikisht na informon për simptomat e sëmundjes. Megjithë përparimin e shkencës rezulton se, mjekimet anti-psikopatike sjellin një dramë pothuajse të njëjtë, Vetëvrasje! Proklorperazine, Dopamina, Haloperidoli, 2×1, Kloropromazine 100, Triflouperazinë, elektroshok etj…nuk janë një zgjidhje permanente, por vetëm përmirësojnë situatën në mpirjen e  neuroneve agresive.

       Disa e ngatërrojnë Skizofreninë me shpirtin pozesuar (possessed). Testamenti i Ri  shpjegon se, Jezu Krishti u ndesh mbi 20 raste të tilla, ku Dialli kish pushtuar trupat e njeriut…Father Cipriano de Meo, shpjegon se, shpirtrat e prekur nga dialli…reagojnë menjëherë nga lutjet dhe janë të gatshëm të përgjigjen në format më violente, kurse rasti me “shpirtrat e ndarë” (skizofrenia) reagimi është zero. Të njëjtën gjë shpjegon dhe Gabriel Amorth, exorsisti më i madh i kohës moderne… Pra, nuk është e vështirë për t’i dalluar dhe ndarë rastet. Qoftëse, personi i prekur nga “Lo spirito del male” nuk duron predikimet dhe lutjet e exorcistit, vërtetohet katërcipërisht që personi është prekur nga dialli. Ndërsa  i sëmuri skizofren nuk reflekton ndaj predikimit, lutjeve dhe tërheqjes së vëmendjes të shoqërisë në ambjentin që e rrethon, përkundrazi , shkalla e rëndesës rritet!

     Aktualisht, jemi ndeshur dhe vazhdojmë të ndeshemi me fenomenin Covid-19 që është i zgjuar dhe agresiv. Covid-19 është si bateria që elektrizon dhe aktivizon sëmundjen e rrezikshme (pikat e dobëta të trupit tonë), të njohura ose të “fjetura”, deri tek kanceri dhe zkizofrenia…Gjatë kësaj periudhe kovidiane, ka pasur shumë vetëvrasje, varje, flakje nën shinat e trenit, hedhje nga ndërtesat, vrasje në familje. Ndërsa vetëvrasjet me armë kanë qenë më të rralla. Shkapërcimet logjike kanë qenë në shkallën më të lartë, frymëzuar dhe trajtuar si një “dialektikë  Hegeliane”, nga  Hidra-t dhe hipokritët që na rrethojnë në udhëtimin human. Megjithatë, humanizmi duhet të jetë sa më vigjilent…Pasi të evidentohet fenomeni, i sëmuri duhet të largohet nga terreni apo shtrati “komod”. Paralelisht duhet t’u bëhet me dije familjes dhe trupës mjekësore, gjithashtu dhe shoqërisë dhe institucioneve ku militon i sëmuri… Sepse, masa profilaktike, izolimi kontrollon paranojën dhe hebefreninë, duke e zbutur sëmundjen  në nivelin e përmirësimit të pranueshëm.

Ta dini ! Askush nuk i bie më fanfareve për një balonë Zhyl Vernejane, “Pesë Javë në Balonë”, ose trumpetizon  “Fler De Mari”, si ikonë e qëndresës që nuk përkon me “misterin e fajit”…Sepse, shkenca dhe realiteti nuk sheqerizohen me fluska sapuni në ozonin e grisur, por prekin me dorë si, St. Toma, duart e Krishtit në misterin e  Hyut. Dashuria për njeriun është dashuria për Zotin! Ndërsa dashuria për Zotin është dashuria për jetën shumë dimensionale në bukurinë qiellore të udhëtimit të shpirtit në infinit. Hipokrizia dhe humanizmi i rremë i lules dhe i thikës, kurrsesi nuk bëhen balsam në koloninë skizofrenike të shekullit 21, përkundrazi, benzinë! Çdo njeri që lëndon dikë tjetër nuk është njeri i mirë! Ndërsa çdo njeri që përpiqet në shërimin e të sëmurit apo të lënduarit…ecën në llavën vullkanike pa e ndjerë magmën!

Filed Under: Opinion Tagged With: alfons Grishaj

Promovim i veprave që denoncojnë barbarinë dhe mizorinë serbe deri në shkallë gjenocidale, nga Serbia nazifashiste e gjakatare

September 28, 2022 by s p

Shkruan: Nusret Pllana 

Organizator: Ansambli “ VATRA”, në Bylah – Cyrih

25 Shtator 2022, CYRIH

Në sallën e mbushur nga kurbetçarët tanë, jo vetëm të Zvicrës, por edhe nga Gjermania, Austria, Italia dhe më gjerë, u bë promovimi i librit të xhepit “VERGISS NIEMALS – MOS HARRO KURRË “, gjermanisht- shqip, të autorëve: Nusret Pllana e Agim Aliçkaj, e përkthyer në gjermanisht nga Arlinda(Fadil) Çitaku. 

Përveç programit të pasur kulturo – artistik të Ansamblit “VATRA”, të Cyrihut, u promovuan edhe dy filma dokumentarë: ”Kush i vret fëmijët” dhe “ Dëshmitë e Heshtura”, të autorit N. Pllana.

Me pjesëmarrjen e tyre, përveç shumë bashkatdhetarëve tanë na nderuan edhe: Ish Konsulli i Republikës së Kosovës në Cyrih, Dr. Sali Sefa, Konsulli i Republikës së Kosovës në Cyrih, z. Sami Kastrati, bashkëshortja e Heroit të kombit Agim Ramadani, znj. Shukrie Ramdani – zyrtare e lartë e Konsullatës së Republikës së Kosovës në Cyrih, znj. Sadete Aliçkaj – e cila enkas kishte ardhur nga New Yorku, për ta shoqëruar bashkëshortin e saj, Prof. Agim Aliçkajn, Prof.dr. Fadil Çitaku, z.Lulzim Krasniqi – Kryetar i Ansamblit“VATRA”, z. Nexhmedin Isufi( ish Kryetar i Ansamblit “VATRA”), luftëtari emblematik i UÇK-së dhe vëllai i dëshmorit të kombit Beqë Gashi, z. Zhujë Gashi – Kryetar i Këshillit të prindërve në Bylah, z. Driton Zeqiraj, Fotoreporteri, z. Burim Kryeziu, aktori dhe regjisori Adem Kicaj bashkë me ARTI TV, shkrimtari dhe gazetari, z. Xhevdet Kallaba, shkrimtari dhe gazetari, z. Rexhep Rifati, anëtarët e Kryesisë së Ligës Shqiptaro – Zvicerane, motra e Heroit të kombit Agim (Bardh) Zeneli, Violetë Zeneli, miq gjermanë e zviceranë, të cilët u shokuan me pamjet e librit dhe përmbajtjen e filmave dokumentarë, me pamje të rënda e tragjike, vrasje, masakrime, dhunime, vrasje të shumta të fëmijëve e grave shtatzëna, dëbime me përmasa antologjike të shqiptarëve nga trojet e tyre stërgjyshore, vetëm e vetëm pse ishin shqiptarë, sa që jo rrallë herë, nga dhimbja dhe emocionet e shumta nuk përmbaheshin nga lotët që i “tradhëtonin” shpesh.

Kapitull i veçantë i kësaj mbrëmje madhështore ishte programi kulturo – artistik i djemëve dhe vajzave të Ansamblit “VATRA” të Cyrihut, të cilët me performansën e tyre të mrekullueshme, përcilleshin me duartrokitje të shpeshta frenetike, e shpeshherë edhe me lot në sy nga të pranishmit në sallë.

Promovimin e udhëhoqi me kompetencë e profesionalizëm, z. Shaban Haliti, të cilin e falënderojmë nga zemra.

Dhe, fare në fund të këtij programi të larmishëm, znj. Kimete Havolli, për t’i nderuar autorët e veprave të cilat i promovuam së bashku, kishte gatuar dhe përgatitur një tortë të madhe në formë libri, duke ia shkruar edhe titullin: “The Terror Of Serbian Occupier Over Albanians”.

Në emrin tim dhe mikut tim të çmuar, z. Agim Aliçkaj, të gjithëve ju falënderohemi nga zemra për pjesëmarrjen dhe kontributin Tuaj të madh me rastin e këtij manifestimi kulturor, edukativ e shkencor, që të vetmin qëllim e kishte mos – harresën e kujtesës historike dhe denoncimin, por edhe dënimin e Serbisë pushtuese e gjakatare për gjenocidin dyshekullor mbi shqiptarët!

Vazhdojmë më tutje…!

Filed Under: Opinion

Emërtimi i portit të Shëngjinit në porti Wilson dhe kontributi i Fan Nolit në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane

September 27, 2022 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Të hënën e datës 5 gusht, 1924 revista e njohur TIMES në SH.B.A botonte një lajm të shkurtër telegrafik që përmbante një lajm të shkurtër por shumë të rëndësishëm për Shqipërinë. “Kryeministri Fan Noli i Shqipërisë ka bërë një ndryshim gjithëpërfshirës në vendin që udhëheq. Në nder të ish-presidentit Woodrow Wilson, porti i Shëngjinit, një nga katër portet e Shqipërisë, iu vu emri në Wilson. Kryeministri u shpreh se shqiptarët mendojnë se Presidenti i SHBA-së i pengoi Fuqitë që të ndërhynin në kufijtë e vendit në Konferencën e paqes të vitit 1919”. Në vazhdën e politikës izocionaliste që kishte përfshirë SH.B.A pas presidencës së Wilsonit (1914-1921) ka të ngjarë që ky lajm të ketë pa u vënë re nga politika amerikane. Por edhe për politikën shqiptare të kohës që e prodhoi këtë lajm ai ishte më tepër një veprim simbolik për të shprehur mirënjohjen ndaj SH.B.A sesa veprim për të përfituar politikisht siç ka ndodhur rëndom më vonë në politikat e lobigjenve të politikanëve shqiptarëve. Në Shqipëri në fuqi si Kryeministër i vendit ishte Fan Noli, një nga djemtë e Amerikës. Ai sëbashku me Faik Konicën dhe të tjerë korifej të Vatrës kishin sjellë një erë modernizmi në politikën e kulturën politike shqiptare.

Nga SHBA-ja kishin ardhur idetë në vitet 20’, ku Shqipëria kish eksperimentuar për herë të parë me zgjedhjet e lira dhe demokratike përmes veprimtarisë dhe publicistikës së dy nga korifenjve të ”Vatrës”, Fan Noli dhe Faik Konica, të cilët lanë gjurmë të pashlyeshme në mendimin politik, filozofik dhe kulturor të Shqipërisë. Por ndihma e SHBA-së nuk kish konsistuar vetëm në transmetimin e ideve, apo dhe më herët në ndihmën e dhënë për përhapjen dhe lëvrimin e gjuhës shqipe nëpërmjet rrjetit të tyre protestant në Korçë e Manastir, por dhe në ndihmë të drejtpërdrejtë si në rastin e Konferencës së Paqes në Paris, më 1919-1920, ku plani prej 14 pikash i Presidentit Thomas Woodroë Wilson (1856-1924) u bë ombrella mbrojtëse për ruajtjen territoriale të Shqipërisë, vazhdimësinë politike dhe stabilitetin e saj.Pikërisht si njohje dhe meritë e këtij kontributi të Presidentit amerikan Wilson u emërua dhe Shëngjini, porti Wilson.

Marrëdhëniet shqiptaro-amerikane për Nolin do të ishin të një rëndësie të veçantë përgjatë gjithë jetës së tij. Ai nuk do të mënonte të ftonte dhe marrëdheniet me qeverinë komuniste të Tiranës në vitet 1946-1950 kur kjo qeveri nuk rivendosi marrëdheniet diplomatike me SH.B.A për shkakun absurd të ms njohjes së traktave të nënshkruara para luftës. Për këtë arsye, disa herë ai komunikoi me udhëheqjen komuniste shqiptare nëpërmjet disa telegrameve. Noli këmbëngulte se për t’u pranuar në O.K.B dhe përshmangur rrezikun grek, Shqipërisë i duhej patjetër të kishte marrëdhënie të mira me aleatët britanikët dhe amerikanët. Pranimi i Shqipërisë në O.K.B. do siguronte një njohje kolektive të qeverisë shqiptare dhe rrjedhimisht, edhe sigurimin e tërësisë së saj territoriale. Në këtë kontekst, në mesazhin dërguar Enver Hoxhës, ai sugjeronte “pranimin e menjëhershëm të traktateve, i cili do të sillte automatikisht njohjen amerikane, pranimin në O.K.B. dhe mundësinë për të mbrojtur me sukses integritetin e Shqipërisë.” Mirëpo qeveria shqiptare vazhdonte të shprehte rezervat e veta për sa i përket pranimit të traktateve të nënshkruara para 7 prillit 1939 me SH.B.A. Këto rezerva, që në thelb, ishin qëndrime izolacionaliste. Ato shprehnin frikën dhe dyshimin ndaj perëndimorëve, por edhe tutelën diplomatike të vendosur nga Jugosllavia. Emigracioni shqiptar në Amerikë, Fan Noli dhe “Vatra”, qenë të pakënaqur nga delegacioni shqiptar i kryesuar nga Tuk Jakova dhe mënyra se si e ushtronte politikën e jashtme të Shqipërisë në kërkesën e saj për t’u anëtarësuar në O.K.B. Noli, duke parë mos reflektimin e qeverisë shqiptare për çështjen e traktateve, i shkroi një letër Enver Hoxhës më 30 shtator 1946. Në letër theksonte: U lodha duke ju përsëritur që duhet t’i pranoni traktatet në parim dhe pa kondita sepse kjo është vetëm një çështje formule, pa rëndësi praktike.

Në fakt, Shqipëria nuk cenohej asgjëkund, nëse pranoheshin traktatet. Duket se ishte një frikë e ekzagjeruar dhe e imponuar prej jugosllavëve dhe sovjetikëve, sesa një realitet që më shumë do të ndikonte keq në ekonominë shqiptare. Vladimir Didejer, historian dhe njeri i afërt i Titos, pas prishjes shqiptaro-jugosllave do të shprehej në librin e vet, “Marrëdhëniet Shqiptaro-jugosllave 1939-1948”, të botuar në Beograd më 1949 se në qoftë se qeveria shqiptare do t’i kishte pranuar kushtet e traktateve, ‘qarqet financiare amerikane do ta kishin skllavëruar ekonomikisht Shqipërinë, përfundimisht.” Ky përfundim tingëllonte ironik, jo vetëm për faktin se Jugosllavia i kishte pranuar të gjitha traktatet për të rivendosur marrëdhënie diplomatike me SH.B.A, por edhe sepse vetë Enver Hoxha deklaronte në pleniumin VI të PKSH, në prill 1946 se votimi i delegatit amerikan kundër pranimit të Shqipërisë në Kombet e Bashkuara lidhej me mospranimin e disa traktateve dypalëshe dhe sidomos, me atë të vitit 1922, për kombin e favorizuar, i cili praktikisht nuk ka gjetur zbatim”, ndërkohë u bënte të ditur të pranishmëve që të njëjtat traktate ishin pranuar nga Çekosllovakia dhe Jugosllavia. Pra dukej qartë edhe sipas fjalëve të Hoxhës, që mosmiratimi i traktateve dhe varësia ekonomike e Shqipërisë nga SH.B.A ishte më shumë njëpretekst për të mos normalizuar marrëdhëniet ose në rastin më të mirë, për të imponuar kufizime ndaj Misionit Civil Amerikan. Për 45 vjet më radhë Shqipëria dhe SH.B.A nuk do të kishin marrëdhënie diplomatike dhe kësisoj Shqipëria ishte i vetmi vend në Lindjen komuniste që kish refuzuar vendosjen e marrëdhenieve diplomatike me SH.B.A pa Luftës së Dytë Botërore. Marrëdheniet shqiptaro-amerikane u normalizuan në 25 mars 1991 dhe ambasada amerikane në Shqipëri u hap në datën 2 tetor 1991. E gjendur në fillimet e veta të normalizimit të jetës demokratike pas aksidentit të dhimbshëm dhe të vështirë historik të mbizotërimit të dogmës komuniste në jetën e vet publike dhe shoqërore, Shqipëria gjeti shumë shpejt në SHBA një vend mik dhe aleat që filloi të kontribuojë shumë në ndërtimin e institucioneve demokratike në vend dhe ushtrimin e drejtpërdrejtë të demokracisë liberale. Ndihma e ofruar nga SHBA-ja konsiston në të njëjtat parime demokratike dhe plane afatgjata për të kontribuar për stabilitetin në rajon, ndaj asnjë faktor politik nuk duhet të mërzitet apo ta quajë të tepërt këshillimin e tyre në problemet e brendshme të demokracisë në Shqipëri. Mesazhi i tyre ka qenë gjithmonë i hapur dhe i çiltër si në vitet 20’, ku nëpërmjet aktivistëve të “Vatrës” kontribuonin në themelimin e jetës demokratike Shqipëri; në 1946, kur e këshillonin qeverinë komuniste të kohës të organizonte zgjedhje të lira si kusht kryesor për prosperitetin e vendit; sërish në vitet ‘90 për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike e tashmë në dhjetëvjeçarin e shekullit XXI, me respektimin e institucioneve. Kjo qëndrueshmëri e tyre ndaj vendit të vogël dhe aleat, që jo rrallë ka ndezur xhelozira tek fqinjët, duhet përshëndetur dhe jo anatemuar pasi për një vend si Shqipëria, që tridhjet vjet më parë ishte një ishull i vetmuar i marrëzisë komuniste, është një fat politik të ketë këtë mbështetje politike nga SHBA-ja si fuqia e vetme dhe njëkohësisht demokratike në botë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Dorian Koci

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 195
  • 196
  • 197
  • 198
  • 199
  • …
  • 866
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT ORTODOKSË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Fan Noli, apostull i ringjalljes shqiptare
  • KOSOVA NË NATO DHE ASNJËHERË ASOCIACION SERB
  • ELIOT ENGLE DHE HARRY BAJRAKTARI: NJË BASHKËPUNIM QË FUQIZOI ZËRIN SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • “Ngërçi Presidencial në Kosovë Zbulon një Dobësi të Kushtetutës”
  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT