• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ditëlindja e Shën Nënë Terezës u kremtua me një akademi solemne

August 29, 2022 by s p

Të premten, më 26 gusht, në Qendrën “BogdaniPolis” u përkujtua ditëlindja e shenjtëreshës shqiptare, Shën Nënë Tereza, me një akademi solemne të organizuar nga Katedralja e Prishtinës, përkatësisht Dioqeza e jonë Prizren-Prishtinë.

Jeta është mundësi, pranoje.

Jeta është bukuri, admiroje.

Jeta është lumturi, shijoje.

Jeta është ëndërr, zbatoje.

Jeta është sfidë, ballafaqoje.

Jeta është detyrë, kryeje.

Jeta është lojë, luaje.

Jeta është e çmueshme, nderoje.

Jeta është pasuri, ruaje.

Jeta është dashuri, përjetoje.

Jeta është fshehtësi, zbuloje.

Jeta është premtim, plotësoje.

Jeta është pikëllim, tejkaloje.

Jeta është himn, këndoje.

Jeta është tragjedi, zbute.

Jeta është aventurë, zbërtheje.

Jeta është kënaqësi, meritoje.

Jeta është jetë, mbroje.

Me këto vargje poetike dhe urate të Nënë Terezë për JETËN nisi akademi solemne, me të cilën edhe filluan zyrtarisht “Ditët e Nënë Terezës”, të cilat do të zgjasin deri më 5 shtator. Sivjet këto ditë të veçanta përkojnë me 25-vjetorin e kalimit të saj në amshim.

Akademinë solmne e hapi, Sh. T. Imzot Dodë Gjergji, i cili thekësoi rëndësinë e këtyre ditëve kushtuar Nënë Terezës, për të marr nga shembulli dhe jeta e kësaj gruaje të madhe e të shenjtë. “Janë 25 vite kur Nënë Tereza ka kaluar në amshim, vite këto që ajo nuk është fizikisht ndër ne, por janë vite kur më intenzivisht jemi me të. Sepse dëshirojmë t’i ngjajmë asaj në përvujtëri, në dashuri, në thjeshtësi, në sakrificë, në punët e vogla të përdishtme por me një dashuri të madhe, për të qenë edhe ne si ajo laps në dorën e Zotit, që nëpërmjet jetëve tona të shkruajë në zemrën e njerëzve dashurinë e vet. Nënë Terza ka qenë e tërhequr prej një rreshti ungjillor, përkatësisht të Krishtit, i cili thotë: isha i uritur, më keni dhënë të ha, kam qenë i etur, më keni dhënë të pi, kam qenë i zhveshur, më keni veshur, kam qenë në burg, keni ardhur  të më vizitoni, kam qenë shtegtar e më keni pëbujtur… Vërtet, – vazhdoi ipeshkvit – Nënë Tereza në çdo njeri të uritur në këtë botë e ka parë Krishtin e uritur, në çdo njeri të etur e ka pa etjen e Krishtit në kryq. Prandaj, ajo edhe e ka marr si motot të jetës së saj dhe të motrave të saja, klithjen e Jezusit “Kam etje”. Atëherë, nëse e marrim këtë moto të Nënë Terezës dhe e përkthejmë në ditët e sotme, mund të them se sot ne kemi etje për dashuri, si popull, si vend, si familje, kemi etje për njëri-tjetrin. Prandaj, ju ftoj të gjithëve, gjithë kombin tonë, që ta shuajmë këtë etje e të mbushemi me dashuri, duke e marr shembull Nënën, e cila thonte se e kam në zemër Popullin tem Shqiptar. Le të ecim pra gjatë këtyre nëntë ditëve, vazhdoi imzoti, të ushtrohemi në dashuri, që të mund ta shohim në sy njëri-tjetrin, t’ia shtrijmë dorën njëri-tjetrit, ta përkrahim njëri-tjetrin, e të ecim së bashku për të ndërtuar të ardhmen tonë të përbashkët. Le të jetë një mbrëmje e begatshme, e frymëzuar prej kësaj Nane, që kur të dalim nga këtu, të mund të jemi edhe ne pak Nënë Tereza”, ishin fjalët nxitëse të ipeshkvit tonë.

Akademia vazhdoi me promovimin e librit anglisht të Don Lush Gjergjit, “I hold my Albanian People in my hart” i cili është përkthim i librit shqip “E kam në zemër popullim tem Shqiptar. Bashkëbisedime me Nënë Terezën”, i përkthyer bukur nga Z. Avni Spahiu, i botuar sivjet nga Sh. B. “Drita” dhe “Iliria” New York. Përkthyesi ishte edhe promovues i librit, i cili theksoi se populli ynë është i bekuar për shenjtorët që ia ka dhanë botës. Nënë Tereza është ajo që qëndron në piedestalin e shentjorëve në shek. XXI. Për njerëzit që e kanë takuar atë, që nuk janë shumë, ka qenë një privilegj i madhe. Njëri prej tyre ka qenë Don Lush Gjergji, i cili i ka shkruar disa libra për jetën dhe veprën e saj. Këtu e kemi njërën prej këtyre librave të përkthyera në anglisht, me një titull të veçantë “Unë e kam në zemër Popullin tem Shqiptar”, i cili vë në spikamë lidhjet e Nënë Terezës me shqiptarët, 5 vizitat e saj në Kosovë e të tjera. Paraqitjen e plotë mund ta lexoni në këtë lidhëse: Nënë Tereza – përfaqësuesja e virtyteve të kombit tonë (drita.info)

Akademia u pasurua me muzikë të përzgjedhur siç është “Valsin Hyjnor” himnin e  Nënë Terezës, i kompozuar nga Lorenc Antoni dhe Genc Tukiçi, e i interpretuar shkëlqyeshëm nga sopranoja Arta Jashari,  e shoqëruar në piano nga Panvera Hoxha.

Edhe pse kanë kaluar 25 vjet të kalimit në amshim, Shën Nënë Tereza mbetet muzika hyjnore që Zoti na e dhuron nga qielli në botën e sotme me plotë zhurma e shqetësime. Ajo dinte të falënderonte për muzikën kështu:

Të falënderoj, o Zot,

Për dhuratën e muzikës.

Në praninë tënde e pranojnë harmoninë e mahnitshme të saj.

Kur këndoj për Ty,

Të dëgjoj në këngën tënde!

Nënë Tereza ka jetuar si vajzë e re në Shkupin atëhershëm ku ka pasur banda muzikore shqiptare dhe kanë kultivuar këngën e bukur shqiptare. Ajo gjithnjë ka qenë e angazhuar në këto aktivitete kulturore, artistike. Prandaj, edhe një akademi kushtuar asaj nuk mund të mos ketë edhe këtë përmasë të këngës së bukur shqiptare për ta kujtuar një kulturë të kultivuar në qytetin e saj të lindjes. Kështu, kënga “Kroi i fshatit tim”, u këngua me shumë art nga sopranoja Arta Jashari, e shoqëruar nga tingujt e pianos e luajtur nga Pranvera Hoxha. E për të plotësuar këtë pjesë muzikore, ishte Genc Krasniqi, mjeshtri i kitarës, i cili e këndoi këngën “Kaçurrela”.

Ligjëratën kryesore të Akademisë, e mbajti Don Lush Gjergji, biografi i Nënë Terezë, i cili u përqëndrua në librin e tij të fundit si një trashëgimi dhe frymëzim. Ligjërata e plotë mund të lexohet në këtë lidhëse: Pse libri “E kam në zemër pupullin tem Shqiptar”? (drita.info)

Fjalë rasti mbajti kryetari i Komunës së Prishtinës z. Përparim Rama, i cili pasi përshëndeti dhe falënderoi për këtë akademi të shkëlqyeshëm, ai ndau me pjesëmarrësit një kujtim dhe eksperiecë në Londër e cila lidhet me Shën Nënë Terezën dhe që ka qenë inspirim në jetën e saj. Njëra ndër thënie e saja që e ka përcjell jetën e tij, ishte “Ne jo të gjithë mund të bëjmë gjëra të mëdha, por mund të bëjmë gjëra të vogla me dashni të madhe.”

Akademia u përmbyll me një koktej rasti, e cila ishte organizuar për të bashkëndarë momente vëllazëre dhe urimi për këto ditë të rëndësishme shpirtërore dhe kulturore në nder të shenjtëreshës shqiptare./drita.info

Përgatiti për Dritën: Doruntina Gjini

Filed Under: Opinion

NJË SHËNIM I VOGËL PËR 112 VJETORIN E LINDJES TË SHËN TEREZES

August 26, 2022 by s p

NGA  NDUE  BACAJ

Letra e Nënë Terezës për Ramiz Alinë në vitin 1989 - Exit ...

Nënë Tereza ka lindur  me 26 gusht 1910 në qytetin  Shkupit nga bashkeshortet  patriot shqiptarë Kolë e Drane Bojaxhi..Emri i saj si krijesë e brishtë e kësaj bote kishte qenë GONXHE, dhe këtë emër e mbajti derisa kjo gonxhe çeli lulen e shenjtë, që pas thirrjes shpirtërore nga vetë Jezu Krishti, kjo bijë e racës sonë ju përkushtua me sakrifica besimi , ndjeja njerzore e hyjnore , për të sjellë shpresë te të pashpreset e te të dëshpëruarit, për të sjellë jetë tek ata që po vdisnin, për të sjellë shërim tek të sëmurët, për të sjellë besim tek të paorinetuarit. Është fat i paçmuar për Racen tonë Iliro –Shqiptare  që vetë Krijuesi bëri emer që bija jonë  të  shenjtërohet, pasi në trupin e saj kishte dërguar shpirtin e shenjtë, duke e bërë misionare dhe shenjtore e kësaj bote. Zgjedhja e bijës sonë Nënë Tereza  nuk kishte qenë e rastësishme, pasi nga Raca jonë ndër dy-mijë vite Kristianizmit, i kishim falur  rreth 600 shenjtorë e martirë, që gjaku dhe veprat e tyre janë në themelet e këtij besimi e qytetërimi, frutet e të cilit i gëzojnë edhe ata që nuk e duan sot në fillimet e shekullit XXI… Nënë Tereza u bë misionare e bamirësisë, tek motrat Loreto e pastaj krijoi misionin e saj që e përhapi në 123 vendet e botës, ku India e Largët ishte epiqendra e deri në atdheun e saj të sapo çliruar nga diktatura komuniste. Misioni i shpresës së bamirësisë së Nënë Terezës ishte aq i madh sa e njohën jo vetëm shtete e qeveri, por edhe vetë Vatikani. Misioni i Nënë Terezës zgjati mbi 60 vite, kohë që e bëri të thirrej bijën tonë Moter, Nënë e më në fund Shenjëtore, të të gjithë botës. Bota e civilizuar jo vetëm ja njohu veprat e bamirësisë e mëshirës për njerëzit në nevojë, por e vlerësoi me çmimin NOBEL (në vitin 1979) , ndërsa mjerisht shteti komunist në ato kohë e anatemonte dhe nuk e lejonte të vinte as tek varret e njerëzve të saj të dashur në Tiranë (Nënës e Motrës). Shqip “Ne” duke i mbyllë dyert bijës sonë, Nënë e Botës, ne i mbyllëm vetvehtes shpirtin e Shenjtë që Zoti kishte dërguar mbi ne … Gjithsesi Nënë Tereza na fali ne shqiptarëve, sepse e dinte se nuk jemi ne populli që e përbuznim e mbyllnim dyert, por ishin djajtë e kuq që na kishin kapur për fyti (ndoshta si sprovë nga vetë Krijuesi). Nënë Tereza lutej për të gjithë popujt e botës që vuanin nga mjerimi, skamja, padrejtësia , sëmundjet e epidemitë, dhe ndër lutjet më të fuqishme duket se kishin qenë edhe ato për popullin  shqiptar që lëngonte nga epidemia e kuqe komuniste dhe  (Kosova) nën pushtuesit serbë.. Nënë Tereza e kishte çuar zërin e saj në mbrojtje të popullit nga kishte lindur  deri te Presidenti i SHBA-s  Bill Klinton të cilit i ishte drejtuar me fjalët : “Biri im bëj diçka për shqiptarët e mi”. Ndersa Bill Klintoni do të deklaronte : “Nënë Tereza ishte e para që më bëri ta dua kombin shqiptar; ndihem krenar që plotësova një detyrë morale ndaj saj dhe vlerave të lirisë”… Në pak vite që i kishin mbetur mbi këtë tokë bijes sonë të Shenjtë Nënë Terezës, ne e nderuam e respektuam si asnjë popull tjetër në botë, ndërsa bija jonë hyjnore na fali e na njohu si “GJININË” e saj, shpesh mëkatare jo për fajin tonë… Fatësisht vetë selia e shenjtë me anë të ish Papës famëmadh Gjon Pali II falenderoi kombin tonë për këtë bijë të shenjtë që i dhamë kësaj bote halleshume, ku ndër të tjera thotë “… Edhe në kohën e Izolimit të plotë të Shqipërisë kjo rregulltare e përvuajtur ishte ajo që përçonte emrin e atdheut tuaj në mbarë Boten. Në personin e Nënë Terezës Shqipëria është nderuar gjithmonë, pasi ky ishte misioni i saj dhe i gjithë atyre ndjekësve të vërtetë të Krishtit dhe Apostujve të tij që përhapnin dashurinë dhe jetën mbi dhembshurinë e kësaj bote. Për këtë ju falenderoj sot (Ju shqiptarëve) në emër të Kishës Katolike, që i falët botës këtë bijë të madhe të tokës e popullit tuaj…”. Vlenë të cilësohet se edhe presidenti i asaj kohe i republikes Islamike të Iranit , Muhamet   Khatani (pas vdekjes së Nënë Terezes) do të thoshte : ”Madheshtia e Nënës Tereze  konsiston në shpirterimin e madh  nga mendimet e mëdha  të vlerave morale dhe fetare, që ajo mbante per të miren e njerzimit.”. Nga ky vlersim i mrekullueshem per Nënë Terezen (nga  një  Presidenti me profil të lartë fetar) ,“gjejne” mbeshtetje edhe  fjalet proverbiale  të Papa Gjon Palit dytë se në ketë botë ka dy  FE apo besime, ata që besojne ne Zot , dhe ata që nuk besojnë.   Vatikani që nga 19 tetori i vitit 2003 nisi proçesionin e Shenjtërimit të Nënë Terezës , procesion  që “kulmoi” me firmosjen e dekretit të shenjtërimit të Nënë Tereze  me daten 4 shtator 2016 nga Papa Francesku. Vlenë të shenohet se nëse ne shqiptaret si ditë perkujtimi e feste per Nënë Terezen , që nga viti 2004 kemi  shpallur 19 tetorin , në shtetin e Nju Jorkut , Senati dhe Asambleja e këtij shteti kanë shpallë  (në 2017) , 4 shtatorin  festë zyrtare që  do njihet  si të gjitha festat e tjera të veçanta.  Neper  Botë në përgjithësi e në trojet etnike Shqiptare në veçanti filluan t’i kushtojnë shumë vepra arti e emërtime të ndryshme, ku spikat ndertimi  i Katedrales kushtuar Shenjtores Terezë në Prishtinë (Kosovë) , shugurimi i të cilës u bë me 5 shtator 2017 , me rastin e 20 vjetorit që Nënë Tereza ndërroi jetë. Në Vau të Dejës është ndertuar katedralja kushtuar Shenjëtores. Ndërsa para disa viteve në Shkodër, pas shumë vështirësive (që suallen disa paragjykime me mendësi   antieuroperëndimore) , u bë e mundur që në qendër të qytetit të kemi “truporen” e saj , e cila me sa duket do të zëvendësojë për Shkodrën e Malësinë Zojën e Shkodrës, të larguar nga rreziku i aziatikëve që në vitin 1467…    “  Në këtë  shënim perkujtimor për ditlindjen e 112 të shejnëtores Terezë nuk po mundem të qëndroj pa ju drejtuar me një lutje me shprese se do të ma dëgjoj Shenjëtorja Terezë.: “SHENJTORJA TEREZË   LUTU PËR  NE MËKATËNORËT TË KTHEHEMI NË SOFRËN  EUROPERËNDIMORE,  TË LARGUAR  PREJ  KOHËSH  PADREJTËSISHT DHE PA DËSHIRËN E SHUMICËS SË SHQIPTARËVE…. Lutu Shenjtorja  Terezë edhe për shtetaret, pushtetaret dhe institucionet shtetrore që  të kujtohen se mund të bëhën më njerzor… Duke  u ardhur fundi ketyre fjalëve zemre per shenjetoren Tereze mendova ta  mbyllë duke cituar disa nga fjalët-lutje të nënë Terezes me 10 dhjetor 1979 me rastin e marrjes të çmimit nobel në Oslo- Norvegji.

“O Zot, më bëj të jem mjet i paqes Sate:
ku ka urrejtje, bëj ta sjell dashurinë,
ku ka fyerje, bëj ta sjell faljen,
ku ka mospajtim, bëj ta sjell bashkimin,
ku ka dyshim, bëj ta sjellë fenë,
ku ka gabim, bëj ta sjell të vërtetën,
ku ka dëshpërim, bëj ta sjell shpresën,
ku ka pikëllim, bëj ta sjell gëzimin,
ku ka ërrësirë, bëj ta sjell dritën…

”(Citimi i këtyre fjalëve-lutje të Nënë Terezës, janë marrë nga përkthimi i Rev. “DRITA ”ku ka pasur për bazë fjalimin original në  anglisht,të  Oslos Norvegji 10 dhjetor 1979, i postuar tek web faqja zyrtare e Çmimit Nobel: /http://www.drita.info/ )

Filed Under: Opinion

Lukë Kaçaj…

August 25, 2022 by s p

Mevlan Shanaj/

Ndër emrat e mëdhenj botëror të belcantos kisha dëgjuar Enrico Carusso si tenor i pakrahasueshëm dhe Beniamino Xhili. Një emër i madh dhe shumë i komentuar te Opera e vjetër ishte Luk Kaçaj, sipas pëshpërimave gjatë kohës së studimeve kishte pasur vlerësime maksimale duke e krahasuar me këngëtarin e tyre më të madh të gjithë kohërave! Chaljapin! Nga Zef Çoba një shtesë(Nje detaj i treguar nga te gjithe shoket e Lukës, studente bashkekohes ne Konservatorin Çajkovski te Moskes: Studenti i kantos basi Nicolaj Ghiaurov(nga Bullgaria), ne provim kendonte gjithmone para Lukes, kurre mbas Lukes…. Ky artist eshte shpallur nder me te medhenjte e shek. (XX), çka i ka taku me kene Luke Kaçes? )

Në Tiranë ishte padyshim vokali më tronditës edhe pse në ato vite ishin një grup me solistë të operës dhe baletmaestra që mbanin një repertor botëror! Kujtoj : Gaqo Çako, Mentor Xhemali, Gjoni Athanasi, Avni Mula e tj si edhe Agron Alia me Zoica Haxho një dyshe e shkëlqyer, apo Skënder Selimi, Panajot Kanaçi, Besim Zekthi, Miltiadh Papa, Xhemil Simixhiu etj. Nga viti 1967 u organizua një si tip koncerti në Operën e vjetër ku golin e bëri Luk Kaçaj! Më kujtohet” Don Bazilio “nga Berberi i Sevilies i Rosinit dhe “O ju male “nga filmi Skënderbeu.Po në atë kohë si studentë nëpër këmbë të së njëjtës godinë ishim miqësuar me Luk Kaçën. Miqësia erdhi spontanisht , ne ju afruam për ta uruar për suksesin dhe aty shkëmbyem nga një fernet, që ishte më e preferuara për gjigandin Luk Kaçaj.Pas ca kohësh shkuam në Dajti se aty kishte fernet Branca pija italiane që për kohën mbahej si më e mira! Pasi u kthyen disa gota, Luka trup madh kishte zbërthyer këmishën dhe nga kënaqësia hodhi një gotë në kokë që ti rridhte mbi gjoks. Ne si studentë të rinj u mrekulluam nga xhesti bohem i bas baritonit më të mirë jo vetëm të Shqipërisë , por edhe më gjerë. Thuhej se ishte zëri i dytë në Europë për nga përmasat.Italianët që gjithë herët kanë ndikuar në kulturën tonë, shquheshin për tenorët po ky zëri i pjekur i trashë gjëmonte dhe tundëte xhamat e sallës kur jepte koncert. Kështu me këtë natyrë “ populiste” me ne studentët bëheshim shumë herë si të barabartë në tavolinë. Në një rast erdhi në lokalin ku ishim ulur Ana e bukur deri në bukuri, e shoqja veshur krejt në të zeza. Luka u çua dhe vajti i dha zarfin. Ishte dita e rrogave , asaj me sa duket i ishin nevojitur lekët dhe erdhi pa pritur të vinte Luka në shtëpi! U kthye Luka në tavolinë dhe na tha, më kishte dalë prej mëndjes që Ana po më priste në shtëpi! Pas disa kohësh u takuam edhe në Gradishtë ku po xhironte në filmin “ Dasma” (Ismail Kadare,regjisor Piro Milkani) aty në atë film ishin edhe Albert Minga, Timo Flloko! Sigurisht ishte ngjarje e bukur që Luka po interpretonte në film. U takuam dhe pasi u përshëndetëm provuam edhe nga një gëzuar rakie , nuk kishte fernet! Më pas nuk di si rrodhën ngjarjet , por u çuditëm që ky gjigand u arrestua demonstrativisht në Institutin e Arteve ku ishte pedagog dhe u burgos!!Atë e kishin larguar nga Opera në kulmin e karrierës dhe sipas zërave shkak ishte madhështia e tij që e hëngrën xhelozët. Dihet që kudo xhelozia është shkatërrimtare , por në rastin e Lukës ishte vrastare. Pasi e larguan nga opera ziliqarët, ai punonte si pedagog i kantos në Institutin e Arteve.Është koha që ndoshta e mbyste trishtimin me ndonjë gotë! Krejtësisht e pabesueshme akuza “ Agjitacion Propagandë” për aq sa e njihnim jo ne,por studentët e tij direkt.Të vetmen gjë që nuk kishin dëgjuar nga artisti i përmasave botërore , pakënaqësitë për kohën. Ishte shumë i përmbajtur si një nxënës i zellshëm i shkollës së Françeskanëve në Shkodër, për të cilën ishte krenar. Aty ishte zbuluar talenti i tij i një djali të ardhur nga Bajza !Kishte pamje malësori tipik në paraqitje si nga shtati dhe pamja! Pasi kishte ditë që kishte dalë prej burgu shtatlarti , po ecte i vetëm , buzë Lanës me plepa. Isha veti i dytë, ndalëm para tij për ta takuar, ai eci drejt nuk na përshëndeti dhe as që ndali! Mbetëm të shtangur! E biseduam më pas përse nuk përshëndetet Luka?! Na thanë që kur doli nga burgu, ka mbetur në hallet e tija, nuk përzihet me askënd. Punonte për të mbijetuar si hamall diku nga pzari i Ri. Mendoni hamall, këngëtarit që kur kishte dhënë koncerte në disa vende i ishin bërë oferta direkte për ta mbajtur! Të gjitha i kishte refuzuar( nga pohimet e hetuesëve kur ishte i burgosur). Më vonë në RTSH isha si shef dhe nga Julian Napoleoni , erdhi si skenar Luk Kaçaj. Ishte një ngjarje e bukur. U bë me përkushtim dokumentari dhe për të gjithë ne qe një kënaqësi! Na buronte së brendëshmi një gëzim për ta shumëzuar madhështinë e këtij martiri të regjimit diktatorial të një artisti në përmasa europiane. ( ky dokumentar duhet të jetë në Arkivin e RTSH).Mendoj se do jetë dënuar vetëm e vetëm nga çpifjet e kolegëve që stimuloheshin shumë në ato vite , por edhe pse ishte françeskan katolik që i shkonte për shtat çdo intrigë!Te shpirti i tij kishte vetëm art pasi notat muzikore i jepnin lirinë .Filosofia e tij ishte ajo e mësuesit të tij At Gjergj Fishta” Ku ashtë shpirti i Zotit aty ashtë Liria” ( Ubi spiritus Domini ibi libertas)Sikur të kisha mundësi të pyesja atë burrë të mënçur Fishtën: A kishte ëndrra në fund të jetës dhe të çfarë karakteri ?A i ishin paksuar miqtë me kalimin e viteve pasi të njohurit dihet që shtohen deri në fund të jetës! A kishte ditë që nuk donte të mbante inat me veten? Po të keqes i kthente krahët , i qëndronte heshtur apo i rrinte përballë!

P..S. Zef Çoba, më thotë se sot pushon në varrezat e Bajzës!

Filed Under: Opinion

Nëna jonë Terezë, ndërmjet dy ditëlindjeve: për tokë e për qiell. Pali VI për shenjtëreshën shqiptare

August 24, 2022 by s p

Duke e kujtuar Shën Nënë Terezën, në 25-vjetorin e kalimit në amshim, po ju njohim me fjalën e mbajtur nga Papa Pali VI në ceremoninë e dorëzimit të Çmimit Ndërkombëtar për Paqen “Gjoni XXIII”, ditë e mërkurë, më 6 janar 1971. Është një nga çmimet e para ndërkombëtare, që merrte Nënë Tereza, ende pak e njohur në botë, për të arritur, pastaj, hap pas hapi, në tribunën e Nobelit për Paqen, më 17 tetor 1979, e njohur tashmë botërisht si gruaja më e varfër, e më e famshme në planet.

Fjalimi i Papa Pali VI:

“Pas fjalëve, që u thanë për të kumtuar dorëzimin e Çmimit Ndërkombëtar për Paqen, me emrin e paraardhësit tonë të ndjerë, Nënë Terezës, e pranishme mes nesh, mund të duket se gjithçka u tha e se nuk na mbetet tjetër, veçse të shprehim kënaqësinë për ngjarjen fatlume. E këtë po bëjmë, duke i falënderuar të gjithë ata, që e përgatitën, posaçërisht Këshillin e Fondacionit, që ka meritën e dorëzimit të këtij Çmimi për herë të parë; e po e bëjmë këtë, duke falënderuar gjithë të pranishmit në këtë kremtim kaq kuptimplotë, duke i shprehur, pastaj, admirimin tonë, asaj që iu dorëzuar Çmimi dhe ndjekësve e bashkëpunëtorëve të saj e duke i bekuar me gjithë zemër. Gjithçka duket, kështu, e kryer. Mund të themi qetësisht: takimi përfundoi; pas tre vjetësh, në dashtë Zoti, do të mblidhemi përsëri, me kë nuk e dimë, por e dimë mirë se do të na shtyjë për t’u mbledhur, i njëjti ideal i Paqes, sepse Çmimi ka karakter të përhershëm. Tani për tani, e kujtuam edhe më sipër, do të na dukej se s’mbeti më asgjë për t’u thënë.

Po të mos e ndjenim të gjithë në shpirt se gjithçka mbetet ende për t’u thënë. Fjalimet, që dëgjuam e motivacioni, që u lexua për dorëzimin e Çmimit, themelimi e Themeluesi i Çmimit, qëllimi i tij, Paqja, dhe rregulltarja e përvuajtur, së cilës iu dorëzua, vepra e saj e kuadri historik, shoqëror e njerëzor, në të cilin radhitet kjo vepër, i gjithë ky kremtim, mbeten për t’u komentuar, për t’u rimenduar, për t’u kuptuar. Gjithçka këtu është objekt reflektimi. Ne të gjithë bëjmë mirë të marrim me vete nga ky takim, propozimin për meditim. Shpirtrat janë plot frymëzim për të menduar e, ndoshta-ndoshta, jo vetëm për të menduar, por sidomos, për të bërë. Duhet falënderuar, pikësëpari, Zoti, që na jep, ndërmjet sa e sa aktheve e mundimeve të jetës sonë të përditshme, një ngushëllim kaq të dlirë, kaq të gjallë, kaq shprehës: e mira është mes nesh, e mira vepron, e mira sundon: ç’ngushëllim, ç’mësim, ç’shpresë! Për të lidhur fillin e mendimit, që zhdridhet menjëherë në shpirtin reflektiv, vërejmë se ky koment do të vijonte pa fund. Të zgjedhim shpejt e shpejt ndonjë shtysë.

Shtysa e parë na nxit ta kritikojmë vetë veprimtarinë tonë në këtë çast: thua është në përkim me shpirtin e krishterë të jepen, në praninë e publikut, çmime për një vepër të mirë? Vepra e mirë a nuk duhet bërë në heshtje e përvujtëri, sipas Ungjillit, që na porosit të mos e dijë as e majta, veprën e mirë, që bën e djathta e të mos e presim shpërblimin e merituar për veprën e kryer nga askush tjetër, veç Atit, që shikon në fshehtësi? (Cfr Mt 6,3-4) Është e vërtetë: e mira duhet bërë përvujtërisht, pa kurrfarë mburrjeje e publiciteti; nuk duhen pritur çmime nga njerëzit e në kohë; çmimin ia jep vetë Zoti, atij që bën mirë; por Zoti thotë edhe se drita nuk duhet vënë nën shinik, por mbi pishtar, që t’i shndrisë të gjithë njerëzit e shtëpisë; e shton (gjë që do ta kënaqë edhe modestinë e Nënë Terezës), se kjo dritë duhet të ketë dy qëllime, pavarësisht nga nderimet, që meriton drita: i pari është shndritja e të tjerëve, i dyti, lumnimi i Atit qiellor (Cfr Mt 5,15-16), nga i cili buron çdo mirësi (Jak 1,17). E këtë duam të bëjmë edhe ne, me dorëzimin e këtij Çmimi, e sigurisht deshi ta bëjë edhe Papa Gjoni, duke e shndërruar në një fondacion të qëndrueshëm, që e mira të nxisë të mirën, gjithnjë më me fryt. Kemi pse të kënaqemi. Ky Çmim, pra, u dorëzua me ndjetin e përhapjes gjithnjë më me fryt të së mirës e me besimin se paraqitëm para syve të publikut, një shembull të vërtetë bamirësie.

E kështu, ftohemi për një aspekt tjetër reflektimi, sa ngushëllues, aq paradoksal, në përkim me ligjet, që udhëheqin ekonominë e së mirës. Po flisnim për Ligjin e përvujtërisë, e po zbulojmë një tjetër; e mira përhapet. E edhe e keqja, për fat të zi. Sa i fortë është ndikimi i saj, sa ngjitës, sa i rëndë, e sa i mjerë kush e ka në shpirt (Cfr Mt 18,7). Por kështu është edhe e mira. Na e thotë vetë vepra e Nënë Terezës. Edhe një herë u zbuluan energjitë e pashterrshme të së mirës, rezervat e zemrës njerëzore, të cilat përhapen e bëhen vepruese kur leva e flijimit të vetvetes, leva e guximit, me ndihmën e Zotit, i bën të shpërthejnë e të shndërrohen në vepra të prekshme. E ja edhe një ligj i ri i kësaj ekonomie të mrekullueshme të së mirës: pikërisht në çastin e procesit të saj dinamik e të mungesës, në disa raste, të plotë, të mjeteve të domosdoshme për ta bërë të mirën, këto mjete gjinden vetvetiu: varfëria bëhet burim pasurie, zbraztësia e saj mbushet, mundimshëm, po, por mrekullisht; historia e veprave të bamirësisë e dokumenton këtë ligj. Lojë e Provanisë e fenomen i mirësisë njerëzore, që për t’u shprehur, shpesh herë ka nevojë për mungesat e tjetrit e nxitjen e atij, që ka gjeninë e së mirës, karizmën e bamirësisë.

Nga këto vërejtje, lindin të tjera. Kjo, për shembull: kur një vepër bamirësie nis të matet me nevojat, të cilat i përmbush, e zbulon përmasat e frikshme të këtyre nevojave, që më përpara besonte se mund të plotësoheshin, se ishin më pak të tmerrshme e më të lehta për t’u mbartur me nënshtrim të plotë. Atëherë, në vend të gëzimit nga rezultatet e para pozitive, shtypet nën peshën e papërfytyrueshme të së keqes, që deshi ta përballojë, e kështu shkon përpara me frikën e dorëzimit përballë ligësisë e me ankthin e kufizimeve vetjake; vuan e vijon të ecë nën barrën e vuajtjes, vuajtje, që bëhet bashkim; bëhet, në kuptimin etimologjik, dhimbsuri; e pikërisht kjo, në vend që t’i shterojë forcat, paradoks tjetër i bamirësisë, i ringjall e i bën gjithnjë më cilësore. E atëherë vepra bamirëse fiton një vlerë, që shkon përtej meritës së ushtrimit të saj konkret; bëhet, së pari, dëshmi, dëshmi e dyfishtë, që ngre me forcë zërin për t’i kujtuar botës nevojat e njerëzimit, të lëna në heshtje, të harruara, të gjykuara si të pashërueshme, për t’i treguar opinionit publik ekzistencën e një problemi të hapur e përvëlues; së dyti, bëhet predikim i heshtur, që nuk tregon vetëm nevojat, por edhe mundësitë për t’i përmbushur. Është e mrekullueshme; del në pah elementi i ri, motivi mbinjerëzor, që e bën të lehtë gjithë këtë guxim, motivi mistik, motivi engjëllor, ai, që e shndërron fytyrën e të varfrit të uritur, të foshnjës së mekur, të lebrozit të neveritshëm, të kriminelit të tmerrshëm, të njeriut në të shuar, në fytyrën misterioze të Krishtit: e një lloj joshjeje shpirtëore e magjeps Motrën, Vëllain, që i kushtohet krejtësisht bamirësisë, sepse tashmë dashuria e krishterë bëhet arsye kryesore e të jetuarit, i thith të gjitha të tjerat, edhe ndjenjat më të denja njerëzore, që e shtynë dhe e larton gjithçka, me prirjen për të arritur deri në lartësi heroike.

Edhe një herë në historinë e Kishës e në progresin e shoqërisë, Ungjilli përmbushet e kremtohet e rindez në zemrat e njerëzve gëzimin e së mirës, shpresën e jetës ideale, të vërtetën e shndritshme të Ireneut “Lumnia e Zotit, është njeriu i gjallë!”.

E gjithë kjo, sipas nesh, fiton një vlerë të madhe në kuadrin modern të botës që rritet, duam të themi, në përpjekjen e sinqertë, që po bën njerëzimi i sotëm me denoncimin e vetvetes, duke folur për nevojat e pamasa të shoqërisë moderne, me shtrirje botërore: padijen, urinë, sëmundjet, punën, zvetënimin e rreziqet, që kërcënojnë vetë fitoret e saj. Na duhen, sot, më shumë se kurrë, kur vetëdija universale po zgjohet, energjitë e pakufishme të njeriut për njeriun, energji që ndërmarrje bujare e të fuqishme të bashkësisë ndërkombëtare po i vënë në jetë, ndërsa vetë këto ndërmarrje kanë nevojë që ideali njerëzor të mos zbehet e të mos humbasë, por të ketë gjithnjë më shumë dëshmitarë të vlerës së tij tejet të lartë.

Tani Gruaja, që ne po e nderojmë me këtë Çmim, është pikërisht dëshmi e kësaj vlere të lartë; njeriu, shembëllim i Hyjit, gjymtyrë e Krishtit, pasqyrë e atij, që e kundron e zbulon në të vetveten, zbulon vëllain. Nëna e përvuajtur Terezë, në figurën e së cilës dëshirojmë të shikojmë mijëra e mijëra njerëz të kushtuar- full time- shërbimit të më nevojtarëve, bëhet shembull e simbol i këtij zbulimi, në të cilin fshihet sekreti i paqes në botë, në kërkim të së cilës jemi të gjithë; zbulimi, gjithnjë aktual, se çdo njeri është vëllai ynë!

Vëllazërimi e paqja janë ontologjikisht sinonime. Njëri e tjetra kanë një rrënjë të përbashkët, për ne krejt të qartë, që na paraqitet sot si misionare e dashurisë së krishterë, si apostulle e vëllazërisë e kasnece e paqes. Ja, pra, pse po ia japim Çmimin për paqen, shoqëruar me bekimin tonë për të gjithë ata, që bashkëpunojnë në veprën e saj”. (radio vatikani)./drita.info

Filed Under: Opinion

Viktimat e diktaturës dhe turpi ynë me të shkuarën

August 23, 2022 by s p

Agim Baçi/

Sot, më 23 Gusht, është Dita Europiane e Përkujtimit të Viktimave të Sistemeve Totalitare, e njohur si Dita e Shiritit të Zi. Për Shqipërinë kjo ditë vijon të mos jetë vetëm një Ditë Përkujtimi, por një nga ato ditët që duhet të na trondisë me pafuqinë që kemi patur mbi 30 vite për të lexuar të shkuarën, për t’i dhënë atë që duhej ish të dënuarve dhe të internuarve politikë dhe ish pronarëve që iu rrëmbye prona. Ndërkohë që Gjermania, Polonia, Rumania e mjaft vende të tjera që kanë kaluar regjime të ngjashme kanë vijuar të zbardhin e të ndëshkojnë atë rregjim gjakatar, në Shqipëri kjo gjë ka ndaluar që nga viti 1997 kur u rikthyen në pushtet socialistët, e duke vijuar të mbetet pa zgjidhje as kur në pushtet u rikthye PD në vitin 2005 deri në vitin 2013.

Sot nuk dihet se sa shqiptarë janë në dijeni se në 45 vite diktaturë u ekzekutuan me dhe pa gjyq 6 mijë e 27 burra dhe gra, djem dhe vajza. Po kështu, ka patur 34 mijë e 135 shqiptarë të burgosur dhe dënuar për arsye politike, 59 mijë e 9 qytetarë të internuar në kampe përqendrimi ku mbi 7 mijë prej tyre vdiqën prej trajtimit shatazarak në këto kampe. Po kështu, prej dhunës në burgjet politike numërohen 984 të vdekur gjatë kohës së dënimit. Ndërkohë që mijëra e mijëra të tjerë u survejuan. Mjafton të kujtojmë atë që deklaronte ish kreu i Komisionit Shtetëror të Kontrollit të Figurave, Nafiz Bezhani se, në fund të vitit 1990, një një Tiranë me 300 mijë banorë kishim 30 mijë spiunë dhe bashkëpunëtorë të ish Sigurimit famëkeq.

Por çfarë ndodhi me ne që nuk e zbardhëm dot të shkuarën?

Në vitet e para pas Marsit 1992, entuziazmi i përmbysjes së diktaturës ishte aq i madh sa shumë nga shqiptarët që kishin vuajtur u mjaftuan vetëm me frymëmarrjen në liri dhe me mundësinë e jashtëzakonshme për të thënë gjithçka që në 45 vite nuk e thonin dot me zë të lartë. Por, ky ndoshta ishte edhe gabimi që më pas nisi e u bë gati i pandreqshëm – sepse rënia e një elite emrash që kishin drejtuar nomeklaturën komuniste ishte veçse maja e ajsbergut, ndërkohë që nuk ishte rrëzuar shpirti ideologjik që kish mbajtur gjallë atë sistem.

Kështu, ish elitat e diktaturës vijuan të drejtonin jetën publike. U lanë në vendimrraje e shkrime të së shkuarës e prognozës për të ardhmne akademikët e emëruar nga partia, arkitektët e emëruar, shkrimtarët dhe regjizorët e emëruar, profesorët e përzgjedhur me aq kujdes nga partia për të edukuar brezin e ri, të cilët në vend të dijeve kishin vetëm devotshmërinë dhe bindjen. Dhe thuajse shumica e tyre jo vetëm që nuk u zhduk nga jeta publike, por u fut në politikë, duke marrë vendime jo vetëm për mënyrën se si duhet të lexonim te shkuarën, por edhe për të ardhmen tonë.

Lënia në fuqi e elitës së emëruar në diktaturë, e cila në vend të dijes kishte brumosjen me ideologji, si dhe sjelljen me frikë dhe servilizëm, solli kotësinë e shumë debateve publike, duke kontribuar hapur në rrënimin moral të shoqërisë së sotme, e cila nuk ka më asgjë me ç’të krenohet, që të jetë shembull.

Por cilat janë pasojat më fatale të mungesës së dekomunistizimit dhe çfarë paraqiste lënia në fuqi të elitës së emëruar në kohën e diktaturës?

Shkollat dhe institucionet e dijes mbetën peng i mentalitetit dhe histrorigrafisë së ideologjisë komuniste. Ndërkaq, ish të përndjekurit mbetën klasa më pak e integruar në shoqërinë shqiptare. Spaçi – simboli i ligësisë së atij sistemi-, bashkë me Qafë Barin dhe vendinternimet e shumta mbetën shumë larg syve të qytetarëve dhe larg debateve mediatike. Madje, nuk janë të paktë ish të përndjekurit që nuk arritën dot të ktheheshin në shtëpitë që kishin pasur, duke mbetur edhe sot e kësaj dite në vendinternimet e asaj kohe. Po kështu, ish pronarët u përballën me moskthim, mosnjohje dhe madje rrëmbim të pronës, duke sjellë një katrahurë që ende nuk sheh një dritë legalizimi dhe qartësimi. Prona është ende një çështje aq e mprehtë sa beteja bëhet thuajse në të gjitha gjykatat.

Ndërsa ironikisht, ish-sigurimi u duk i fortë në lidhjet e tyre, duke hyrë në lojë, i ndihmuar nga neglizhenca e qeverive të pas vitit 1992 për të bërë dekomunistizimin. Nga mungesa e leximit të së djeshmes, thuasje e gjithë shoqëria u vu nën presion të dyshimit, , ku një numër i madh spiunësh e bashkëpunëtorësh u munduan të bëjnë pis këdo që dinte të vërtetat e tyre.

Pasojë e kësaj pafuqie politike janë sot faktet që ish pronarët kanë mbetur po ish pronarë, ish të përndjekurit kanë mbetur ende të papranuar, ndërsa politikisht, edhe te partitë që prezantohen si të djathta, ende “Beu” konsiderohet si mëshirimi i së keqes në fjalorin politik. Filmat e kohës së diktaturës janë ende fjalori i vetëm mbi të cilin ndërtohen batutat politike.

Historia në shkolla vijon të jepet nga shumica e atyre që e kanë deformuar. Dhe për pasojë, shumica e fëmijëve të sotëm dinë më shumë se ç’ka ndodhur në ish-Bllok, se sa në Spaç, në Burrel, apo në të gjitha vendet e ish internimit. Librat e At Zef Pllumit, Ejll Çobës, Lek Pervizit, Fatos Lubonjës, Visa Zhitit, Daut Gumenit, apo dëshmi rrënqethëse të ish të dënuarve politikë apo të familjarëve të tyre, të botuara nga Instituti i drejtuar nga Agron Tufa dhe Çelo Hoxha, nuk janë në asnjë antologji shkollore.

Këto pasoja të moslejimit si duhet të ngrehinës që na la diktatura komuniste kanë vulën e tyre në krizën e përgjithshme, sidomos në atë të krizës tonë morale si shoqëri. Një krizë që ka nevojë urgjente të lexohet, nëse kemi ende dëshirën t’u themi fëmijëve se këtu mund të jetohet.

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 201
  • 202
  • 203
  • 204
  • 205
  • …
  • 866
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Posta nga Haga – Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung, 12.04.2026
  • Bedri Dedja (20 nëntor 1930 – 13 prill 2004)
  • Aty ku historia nuk lexohet, por përjetohet…
  • Pafajësia kolektive…
  • Diaspora shqiptare në botë: Nga “Të ndërtojmë Amerikën” tek “Të ndërtojmë Shqipërinë”
  • Noli dhe Konica në dritën e “Diellit”
  • Personalitete kombëtare në New York nderuan jetën dhe veprën e Eliot Engel
  • Shtypi shqiptar në vitet e fundit të sundimit osman
  • VATRA URON BESIMTARËT ORTODOKSË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Fan Noli, apostull i ringjalljes shqiptare
  • KOSOVA NË NATO DHE ASNJËHERË ASOCIACION SERB
  • ELIOT ENGLE DHE HARRY BAJRAKTARI: NJË BASHKËPUNIM QË FUQIZOI ZËRIN SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • “Ngërçi Presidencial në Kosovë Zbulon një Dobësi të Kushtetutës”
  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT