• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KOSOVA ME AMERIKËN…

September 11, 2021 by s p

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

PRISHTINË, 11 Shtator 2021/ Kosova solidarizohej fuqishëm me Amerikën e goditur nga sulmet terroriste të para 20 viteve – 11 Shtatorit 2001. Atëherë media raportonte se, e gjithë Prishtina ishte në Sheshin Nëna Terezë në shenjë solidariteti me Popullin Amerikan dhe duke dënuar sulmet terroriste kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Amerikë, ne jemi me ty – ishte motoja kryesore e pankartave. Shumë nga qytetarët, që kishin dalë në sheshe e rrugë për të përkrahur Popullin Amerikan dhe për të protestuar kundër terrorizmit që i goditi SHBA-të, ishin mbështjellë me Flamurin Amerikan. Manifestime solidariteti dhe protesta kundër terrorizmit u mbajtën edhe në qytetet tjera të Kosovës si në Ferizaj, Prizren, Mitrovicë, Pejë, Gjakovë, Gjilan etj. Pjesëmarrja e popullatës edhe në këto qytete ishte e madhe. Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, i cili ndodhej për një vizitë në Kanada, me rastin e sulmeve kundër SHBA-ve, Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhorxh Bush, i dërgonte këtë telegram:I nderuari President,Me rastin e sulmit mbi Qendrën Tregtare në Nju Jork dhe mbi Pentagonin, drejtuar kundër civilëve dhe fuqisë Tuaj, pranoni simpatinë time dhe të Popullit të Kosovës, i cili këtë tragjedi po e jeton me dhembje dhe në zi.E dënojmë këtë sulm dhe jemi të bindur se të gjithë ata që bëjnë akte terrori dhe horrori kundër civilëve dhe fuqisë Tuaj dhe kundër njerëzimit, duhet të ndalen.Në këto momente të rënda, jemi së bashku me Ju dhe me Popullin Amerikan, që së bashku me aleatët Tuaj ia sollët lirinë Kosovës.Jemi të bindur se Ju do të mendoni një strategji të re të mbrojtjes për SHBA-të dhe për miqtë Tuaj e për botën e lirë demokratike.Juaji sinqerisht,Dr.Ibrahim RugovaNë 11 Shtator 2001 Televizioni i Kosovës dhe televizionet e tjera nacionale e lokale janë kyçur drejtpërdrejt në rrjetin amerikan CNN me përkthim simultan për të përcjellë raportimet për sulmet terroriste në Amerikë. Poashtu gazetat e përditshme të Kosovës shkruanin gjerësisht. Gazeta tradicionale e Kosovës “Rilindja” me kryetitullin në ballinë “Sulm terrorist në SHBA” dhe me dënim të fuqishëm të sulmit e me shumë mesazhe solidarizimi me Shtetin e Popullin Amerikan botonte shkrime e fotografi në të gjitha faqet e saj – e tëra i kushtohej ngjarjes tronditëse dhe zhvillimeve e reagimeve pas saj. Gazeta “Bota Sot” në gjerësinë e tërë faqes së parë kishte titullin “Seri aktesh terroriste kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, supozohet për mijëra të vrarë”.Gazeta “Koha Ditore” në faqen e parë shkruante në kryetitull “Në Nju Jork sulmohet civilizimi botëror”.Gazeta “Zëri” në ballinë kishte titullin kryesor “Sulm terrorist kundër Amerikës”.Gazeta “Kosova Sot” kryetitull kishte “Terrroristët sulmojnë Amerikën”.Të gjitha gazetatat e Kosovës botonin shumë shkrime e fotografi në ballina e faqe të brendshme.KRYEMINISTRI KURTI: KOSOVA BASHKËNDJEN THELLË ME SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot ka shkruar: I gjithë burgu i Quprisë në Serbi ushtoi nga thirrjet e ekzaltimit dhe çirrjet e delirit të gardianëve. Mendova mos kishin shënuar Jugosllavia ose Cërvena Zvezda në ndonjë ndeshje sportive. Mirëpo jo. Aeroplanët e marrë peng kishin qëlluar dhe rrënuar kullat binjake në Nju Jork. Pasditja e zymtë e burgut u bë ditë e zezë e 11 shtatorit 2001. I kisha kaluar 2 vjet e 4 muaj e gjysmë nga 15 vjet burg sa më patën dënuar. Këto sulme terroriste në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndryshuan rrjedhën e historisë dhe kuptimin e kësaj date, e cila do të jetë përgjithmonë përkujtim i jetëve të humbura, por edhe i rëndësisë së guximit dhe trimërisë përballë fatkeqësive. Sot përkujtojmë 20 vjetorin e sulmeve vdekjeprurëse që na tronditën të gjithëve, nderojmë, me dhembje e solidaritet, familjet e 2977 viktimave të pafajshme dhe mbarë kombin amerikan. Kosova bashkëndjen thellë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aleat historik dhe i pazëvendësueshëm i Kosovës.

Filed Under: Opinion Tagged With: Behlul Jashari, kosova

Mjaft më me përçarje

September 10, 2021 by s p

Sadik Elshani

Bashkimi kombëtar i shqiptarëve në një shtet të vetëm është e drejta e jonë e ligjshme që na është mohuar padrejtësisht nga të tjerët. Bashkimi kombëtar duhet të jetë në qendër të vëmendjes, përpjekjeve tona, duhet të jetë synimi ynë përfundimtar, kurorëzimi i ëndrrave të brezave të tërë të atdhetarëve tanë që tërë ia kushtuan çështjeve madhore kombëtare. Edhe nga shtrati i vdekjes akademik Mark Krasniqi na porosiste, na linte dëshirën e tij të fundit, amanitin e tij: “Kurrë mos hiqni dorë nga bashkimi kombëtar”. Si do të arrihet dhe kur do të arrihet bashkimi kombëtar, kjo çështje varet nga shumë faktorë, të jashtëm dhe të brendshëm. Në ndërkohë duhet ta ulim kokën e të punojmë, të ndërtojmë dy shtetet shqiptare, Kosovën dhe Shqipërinë dhe të përpiqemi që vëllezërit tanë në Çamëri, Maqedoni, Mal të Zi, Luginën e Preshevës e Sanxhak, t’i gëzojnë të gjitha të drejtat njerëzore e kombëtare. Në këtë shkrim të shkurtër nuk dua të përqëndrohem në rrugët sesi mund të arrihet bashkimi kombëtar, këtë do ta bëj në një shkrim tjetër më të zgjeruar, të cilin ka kohë që e kam ravijëzuar (skicuar). Ka shume rruge, forma, ecuri për ta arritur ëndrrën shumëshekullore të shqiptarëve: bashkimin e të gjithë shqiptarëve në një shtet të vetëm. Por, bashkimi kombëtar kurrë nuk do të ndodhë nëse shqiptarët e ndjekin rrugën e mbrapshtë të përçarjes. Pra, hapi i parë drejt një bashkimi kombëtar është që t’i lëmë anash zënkat meskine, intrigat e përçarjet e pakuptimta me njëri-tjetrin – dukuri të shëmtuara që janë duke e dëmtuar rëndë kombin tonë. E për fat të keq, kombi sot shumë keq na është përçarë. Ndoshta ende nuk e ka arritur atë shkallën alarmante, por nuk është duke shkuar në drejtimin e duhur, dëshiruar: përçarje në të gjitha nivelet, nga shoqatat, institucionet, organizatat e ndryshme e gjer në nivelet më të larta ndërshtetërore, Kosovë – Shqipëri. Përçarje në trojet tona etnike, përçarje në diasporën shqiptare. Ndoshta disa përcarje nëpër shoqata, organizata, grupime bashkatdhetarësh në shikim të parë na duken të parandësishmë e që nuk çojnë ndonjë peshë të madhe, por në të vërtetë janë shenja, simptome të një sëmundjeje të rëndë që kanë kapluar edhe nivelet më te larta shtetërore, institucionet më të larta arsimore e shkencore: universitetet dhe akademitë e shkencave. Prandaj, edhe këta politikanë, këta udhëheqës partiakë e shtetërorë nuk kanë pikur nga qielli, por kanë dalur nga gjiri i kësaj shoqërie.  Shoqëria e shëndoshë, e bashkuar nxjerrë prijës që bashkojnë, ndërsa shoqëria e përçarë nxjerrë përçarës. Edhe diaspora shqiptare që jeton e vepron, që është pjesë e shoqërive të përparuara demokratike përendimore, nuk është immune ndaj këtyre dukurive negative. Ja, edhe këtu në ShBA, në diasporën shqiptaro – amerikane që jeton e vepron në shtetin më demokratik të botës, po ndodhin përçarje nëpër shoqata e organizata të ndryshme. Para ca javësh u bë e njohur në shtypin e diasporës se një përçarje ka ndodhur në Pan – Albanian American Congress – PAAC (Pan Kongresi Shqiptaro – Amerikan), një grupim i formuar vetëm disa muaj më parë nga njerëz të edukuar, veprimtarë të dalluar shumëvjeçarë të bashkësisë sonë, me qëllimin për t’i promovuar vlerat dhe interesat e shqiptarëve dhe amerikanëve. Në këto raportime u bë e njohur se dy anëtarë janë përjashtuar nga kryesia, ndërsa këta dy anëtarë në faqën e PAAC -ut njoftojnë se Bordi Themelues i Kongresit i ka përjashtuar kryetarin dhe një anëtar të kryesisë. Nuk i di rrethanat e kësaj përçarjeje, kush ka të drejtë e kush është gabim – kjo ka pak rëndësi, sepse nuk kam ndërment t’i shes mend, moral askujt, nuk dua ta luaj rolin e gjyqtarit, arbitrit. Emrat nuk janë me rëndësi, sepse ne i kemi emrat tanë vetjak (personal), por para kombit e botës jemi vetëm, shqiptarë. Por, ajo që është shqetësuese është fakti se një grupim i vogël njerëzish të shkolluar, të përkushtuar që veprojnë në një shoqëri demokratike nuk mund të gjejnë gjuhë të përbashkët. Ata që janë atdhetarë, që punojnë për kauzat e larta të kombit e atdheut duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët, gjuhën e kompromisit – gjuhën e atdhedashurisë. Është krejt normale që për cështje të ndryshme të ndieshme të diskutohet, të argumentohet, të debatohet, të ketë mendime ndryshe e mospajtime,por në fund interesat e atdheut, kombit duhet të mbizotërojnë mbi ato personale. Njerëzit e arsyeshëm gjithmonë e gjejnë një gjuhë të përbashkët, arrijnë në një kompromis të pranueshëm nga të gjitha palët. Pse të përfundojmë me zënka, përçarje?! Shqiptari shqiptarin nuk e ka armik, por vëlla. Për fat të keq, edhe Vatra, njëra nga organiztat më emblematike të historisë sonë kombëtare, po ballafaqohet me një dukuri të tillë. Edhe në këtë rast nuk dua as ta fajësoj e as ta mbroj asnjërën palë të përfshira në këto debate të brendshme. Por, kjo nuk është mirë. Shoqatat, organizatat, grupimet e ndryshme në diasporë, që veprojnë në shoqëritë, shtetet demokratike e me përvoja të gjata qytetarie duhet të jenë shembull për të mirë për të gjitha institucionet shoqërore, arsimore, kulturore e shtetërore në trojet tona etnike. Të jenë shembull sesi duhet organizuar e vepruar për të mirën e kombit. Rrushi e sheh rrushin e piqet – thotë një fjalë e urtë e jona. Dikush duhet të shërbejë si shembull. Të mos e zhgënjejmë popullin tonë, sepse ai shpreson dhe pret shumë nga diaspora shqiptare. T’i japim shpresë popullit e t’i tregojmë botës se edhe ne jemi të zotët që të krijojmë një shoqëri të përparuar, të ndërtojmë institucione serioze dhe shtet të qëndrueshëm e ligjor. Zënkat, përçarjet duhet të jenë shumë shqetësuese për të gjithë,sepse janë shenja të një shoqërie kaotike, të sëmurë. Prirjet tona për zënka meskine, arrogancë e kapadaizëm, përçarje, janë duke u pasqyruar qartë edhe në nivelet më të larta të dy shteteve tona shqiptare, Shqipërisë dhe Kosovës. Sot, kryeministri i Shqipërisë ka marrëdhënie shumë më të mira, më të ngrohta, më të përzemërta me presidentin e Serbisë sesa me kryeministrin e Kosovës. Ka absurd më të madh se ky, ka nevojë për ndonjë koment më tepër?! Dhe këto marrëzira po ndodhin pikërisht në këto çaste kyçe kur të gjithë duhet te jemi të bashkuar për ta forcuar shtetësinë e Kosovës, përparuar gjendjen, përmirësuar pozitën e të gjithë shqiptarëve që jetojnë në trojet e tyre, por jashtë kufijve shtetëror të Shqipërisë e Kosovës. Në rrethana të tilla është e pamundur që të kemi një vizion të qartë për të ardhmen, një strategji të përbashkët kombëtare. Nga këto përçarje janë duke përfituar vetëm armiqtë tanë. Bashkimi kombëtar nuk mund të bëhet me shqiptarë të përçarë. Mjaft më!

Philadelphia, më 9 shtator, 2021

Sadik Elshani është doktor i shkencave dhe veprimtar i bashkësisë shqiptaro – amerikane.

Filed Under: Opinion Tagged With: komuniteti shqiptar, Sadik Elshani

URIM I PËRZEMËRT PËR NJË MIK, PATRIOT DHE VATRAN TË VEÇANTË

September 10, 2021 by s p

Nga Mondi Rakaj

Sot është një ditë speciale jo vetëm për ty miku i veçantë Alfons Grishaj por edhe për familjen tënde, miqtë e tu, bashkëpunëtorët, vatranët dhe këdo që ka pasur nderin të punojë ngushtë me ty.  Ishte Shtatori i vitit 2009 kur u  njohëm, me rastin e ardhjes së Mjeshtrit të Madh të humorit shqiptar në Michigan, Gezim Kruja. Eksperienca jote shumë vjeçare në lëvizjen studentore, përmbysjen e regjimit komunist, lidershipin e Partisë Demokratike, na ndihmoi jashtëzakonisht shumë edhe këtu në Michigan.

Nën lidershipin tand në Michigan, u rihap dega e Vatrës në Michigan. Përgjatë rrugëtimit tand pati suksese dhe arritje për të cilat të gjithë jemi dëshmitarë. Me propozimin tand u dekoruan të gjitha qëndrat fetare në Michigan, nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani. Rruga jonë për ngritjen e një shoqërie Vatrane të shëndoshë në Michigan nuk ishte e lehtë por kur drejtësia qëndron në anën e të ndershmit dhe të drejtit, koha e nxjerr në shesh gjithmonë të vërtetën. Sot është ditë gëzimi dhe urimi për ty, për ne si miq dhe çdo njeri që ka njohur ndershmërinë, profesionalizmin dhe përkushtimin tand. Gjashtë dekada të mbushura me sfida, suksese dhe arritje që ne të gjithë i njohim. 60 vite të mbushura me krenari dhe sukses. Ditëlindja jote është një moment falenderues për të gjithë ne për besnikërinë që ke treguar, për kulturën, pjekurinë, urtësinë dhe maturinë. Ne jemi rritur çdo ditë me ty, ne mësojmë çdo ditë prej teje. Unë dhe shoqnija Vatrane urojmë të bahesh 100 vjeç me gjithë të mirat dhe bekimet e Zotit. Pas çdo burri të suksesshëm, qëndron një grua e zonja, e cila është Mirela, që bashkë me të keni kriju një familje të mrekullueshme. Fëmijët Almi, Gerhardi, Aurora dhe Kevin po shkollohen dhe janë fëmijë të mrekullueshëm në komunitetin shqiptar në Michigan. Ti je patriot i respektuar dhe i nderuar, një vatran i përkushtuar dhe mik e njeri model. Urime nga zemra Brother Alfons, u bafsh 1 shekull.

Mondi Rakaj

Michigan

Më 10 Shtator 2021.

Filed Under: Opinion Tagged With: alfons Grishaj, Mondi Rakaj, Vatra Michigan

Kosova propozon filmin ‘Zgjoi’ nga Blerta Basholli për Oscars 2022

September 8, 2021 by s p

Dielli

Tri herë fituesi i Fesitvalit të Sundance ‘Zgjoi’ nga Blerta Basholli propozohet nga Kosova si kandidati i saj zyrtar për garën e Oscars. “‘Zgjoi’ është sa intim, aq edhe universal, që prekë thellë me tregimin, e dhimbjes, qëndrushmërisë dhe përfundimisht triumfit. Filmi është i realizuar me mjeshtëri në mënyrë realiste, të përmbajtun dhe me gravitet të thellë. Tregimi i vërtetë i Fahrie Hotit në ‘Zgjoi’-n është shprehje kinematografike inspiruese në sfidimin e status quose dhe rolet nënshtruese të konstruktuara nga shoqëria në Kosovë dhe botë” deklaroi e komitetit selektues pas përzgjedhjes së filmit. “Zgjoi” ka për producent Yll Ukën, Valon Bajgorën dhe Agon Ukën; drejtor fotografie Alex Bloom, montazher Enis Saraçi dhe Félix Sandri, dhe me bashkëproducentë, Britta Rindelaub-in, Kristijan Burovski-n, Tomi Salkovski-n, dhe Paskal Semini-n. Në rolin kryesor luan Yllka Gashi, ndërsa në rolet tjera luajnë Çun Lajçi, Kumrije Hoxha, Aurita Agushi, Kaona Sylejmani, Mal Noah Safçiu, Adriana Matoshi, Astri Kabashi, Molikë Maxhuni, Blerta Ismaili, Valire Haxhijaj Zeneli, Armend Smajli, Ilir Prapashtica, Xhejlane Terbunja, Shkelqim Islami etj; “Zgjoi“ është bashkëprodhim në mes të Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, dhe me drejta të shitjes globale nga LevelK.

Filed Under: Opinion Tagged With: kosova, Oscars, Zgjoi

Agron Hasanaj: Arti vizual, traditë e përcjellë ndër vite nga një brez tek tjetri

September 7, 2021 by s p

Përgaditi për Gazeta Dielli, E.B. Nju Jork

Pedagogu i shquar z. Agron Hasanaj, nëpërmjet studios së tij të mirënjohur “Art Studio Kavalet” ka fuqizuar ndër vite breza të artdashësve. Veprimtaria e tij artistike dhe edukative ka tërhequr vëmendjen e publikut artdashës shqiptar dhe të huaj, për idetë, tematikën dhe mesazhet e larmishme në pikturën e tij. E veçantë e veprave të tij personale si dhe në grup nga studentetët e studios së tij, janë pasqyrimi i mitologjisë shqiptare dhe bukuritë natyrore të trevave shqiptare, të interpretuara me nivel të lartë artistik, koloristik dhe tipik të tij.

Agron Hasanaj është artist i talentuar në artet e fotografisë, pikturës, dhe skulpturës si dhe pedagog i studios së famshme “Art Studio Kavalet”. Ka lindur më 1967 në Tiranë. Në 1985 kryen studimet në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë dega pikturë. Në vitin 1991 zhvendoset në Berlin. 

Në 2009 Agron Hasanaj diplomohet në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, dega pikturë kavaleti, me prof. Edi Hilën. Më pas studion për një vit në Akademinë e Arteve në Dusseldorf, Gjermani me prof. Reinhold Braun dhe Arnim Tölke.

Në 2005 Agron Hasanaj krijon Art Studio Kavalet, një atelie arti profesionale me prioritet edukimin artistik në zhanret: Vizatim, Pikturë, Skulpturë dhe Fotografi. Me qasjen e saj integruese ndaj artit Studio Kavalet u ofron studentëve mundësi të jashtëzakonshme për të zhvilluar aftësinë e tyre krijuese (www.artkavalet.com). 

Ekspozita të përzgjedhura

2003 – “Marubi”, Ekspozita e fotografisë, Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë.

2004 – “Marubi”, Ekspozita e fotografisë, Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë.

2005 – “Marubi”, Ekspozita e fotografisë, Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë.

2009 – “I muri dopo Berlino”, Ekspozitë në grup, Spazio Tadini, Milano, Itali.

2017 – “Watercolor Rhapsody”, Ekspozitë personale, Galeria FAB, Tiranë.

2018 – “Ksamil 2018”, Ekspozitë në grup, Qendra Dea, Sarandë, Shqipëri

2018 – “Small Canvas”, Ekspozitë personale, Galeria e Artit, Sarandë, Shqipëri

2021 – “Festivali Frankofon”, Ekspozitë në grup, Sozopol, Bullgari.

Gazeta Dielli: Kur filluat të merreni më zanafillën krijuese si piktor, fotograf dhe skulptor?

Agron Hasanaj: Fillimet e mia datojnë shumë herët, qysh në fëmijëri. Vizatimet e para datojnë rreth moshës 6 vjeç. Me kalimin e viteve këto eksperienca u rritën dhe u kultivuan më shumëˇ, sidomos në Liceun Artistik Jordan Misja Tiranë dhe më pas në Akademinë e Arteve Tiranë dhe Akademinë e Artit Dusseldorf. 

Përveç pikturës, kam qenë gjithmonë i interesuar për zhanret e tjera artistike si skulptura dhe fotografia të cilat i kam lëvruar shpesh, veçanërisht gjatë periudhës që kam jetuar në Gjermani si dhe tani që kam studion time të Artit.

Gazeta Dielli: Krahas studimeve në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë, jeni diplomuar në Akademinë e Artit në Tiranë, dhe më pas keni studiuar një vit në Akademinë e Arteve në Dusedorf. Na flisni pak rreth kësaj përvoje?

Agron Hasanaj: Që kur jetoja në Gjermani, dhe u njoha me kulturën dhe Artin e atij vendi aspiroja të studioja në një nga shkollat e artit atje. Pas mbarimit të Akademisë në Tiranë, mu dha mundësia të aplikoja dhe të pranohesha në Akademinë e Artit në Duseldorf, një nga shkollat më të mira të Artit në Gjermani. Ishte një përvojë shumë mbresëlënëse dhe me shumë risi për mua si artist, siç është liria në përzgjedhjen e tematikave, realizimi i tyre duke ndërthurur teknika të ndryshme si instalacion, fotografi etj dhe fryma e kritikës dhe bashkëpunimit me studentë dhe pedagogë nga kombësi të ndryshme.

Gazeta Dielli: Na flisni pak më tepër për përvojën tuaj si pedagog? 

Agron Hasanaj: Puna me studentët është shumë emocionuese pasi secili student është unik me historinë dhe motivimin e tij për t’u ushtruar në artet vizuale. Unë përpiqem të krijoj atmosferën e duhur ku çdokush që dëshiron të marrë edukim artistik mund të realizojë potencialin e tij të plotë në lartësinë që dëshiron.

Është kënaqësi dhe shumë motivuese për mua si pedagog kur shikoj studentët e mi që realizojnë aspiratat e tyre artistike duke marrë pjesë në ekspozita të ndryshme ose duke u pranuar në shkolla të ndryshme të artit si në Shqipëri edhe jashtë saj.

Gazeta Dielli: Keni jetuar në Shqipëri dhe Gjermani. Çfarë ju ra në sy nga bota artistike e dy vendeve?

Agron Hasanaj: Bota artistike Gjermane është shumë dinamike, e mbushur me aktivitete ekspozita, galeri dhe panaire arti, kombëtare dhe ndërkombëtare që i japin mundësi artistëve të prezantojnë punimet e tyre denjësisht. Këto aktivitete në Shqipëri janë më të pakta.

Gazeta Dielli: Si përkrahen artistët piktorët dhe skulptorët nga institucionet shqiptare dhe ato gjermane?

Agron Hasanaj: Shteti Gjermani ndihmon përmes sponsorizimeve dhe aktiviteteve që organizon, dhënien e hapësirave për studio dhe ekspozime. Gjermania ka traditë artistike dhe fuqi ekonomike më të madhe dhe sigurisht edhe mbeshtetja për artin është më e madhe. Në Shqipëri bëhen përpjekje në krijimin e hapësirave për ekspozim. Studio Kavalet organizon çdo fund sezoni ekspozita me punimet e studentëve që organizohen pranë Institucioneve të ndryshme siç është Muzeu Historik Kombëtar, Qendra rinore ose Galeria pranë Akademisë së Arteve etj.

Gazeta Dielli: Sa vleresohen veprat e artit në Shqipëri? 

Agron Hasanaj: Interesi ka ardhur në rritje nga viti në vit. Organizohen konkurse për dekorimin e hapësirave publike përmes veprave të ndryshme të artit veçanërisht skulpture. Gjithashtu ka galeri dhe koleksionistë të cilët blejnë vepra arti.

Gazeta Dielli: Si lindi ideja për hapjen e studios Art Studio Kavalet?

Agron Hasanaj: Ideaj lindi duke venë re interesimin qe kishin miq dhe të njohur të mi për të marre mesime arti. Me kohë kjo kërkesë u rrit, numri i studentëve u shtua dhe u diversifikuan grupet e studentëve në zhanre të ndryshme aristike.

Gazeta Dielli: Në Shqipëri keni hapur disa ekspozita të suksesshme të fotografisë, pikturës dhe skulpturës. Na flisni pak për temne e ekspozitave “Mite & Legjenda” dhe “Muza e një Qyteti”?

Agron Hasanaj: Ekspozita “Mite & Legjenda” organizuar nga studentët e Studio Kavalet kishte si motiv dhe subjekt nderthurjen e artit me mitologjinë, veçanërisht asaj shqiptare.

Arti dhe mitologjia mund të mendohen si një e vetme. Pa artin nuk do të ishte e mundur të njihnim ndonjë mit, ose tek e fundit njohja jonë do të ishte shumë e limituar. Në ditët tona shumë vepra arti që shihen në muze në një mënyrë apo një tjetër kanë lidhje me mitologjinë.

Ekspozita “Muza e një Qyteti” me punimet e studentëve të Studio Kavalet ka si temë muzën apo frymëzimin që të ofrohet e që e gjen shpesh tek qytetet muze në Shqipëri si Berati, Gjirokastra dhe Butrinti. Vjetërsia si relika e tyre më e rrallë tundon artistët e çdo kohe të eksplorojnë nëpër hapësira e shtigje të pashkelura.

Eshtë pikërisht modestia e këtyre peizazheve, rrugicave e portave me sokak që mbartin emocionin dhe nostalgjinë e kohës të cilat frymëzojnë gjithmonë.

Gazeta Dielli: Në Nju Jork dhe Teksas ka qendra kulturore shqiptare dhe shkolla shqipe me të rinj me origjinë shqiptare të lindur në Amerikë. A keni menduar për bashkëpunime me institucione të tilla edukative dhe kulturore? 

Agron Hasanaj: Prej vitesh në studio kavalet ka patuar studentë shqiptarë që jetonin në vende të ndryshme si Amerikë, Angli, Itali të cilët frekuentonin studion për periudha të shkurtëra sipas kohës që gjendeshin në Shqipëri. Interesimi i tyre ishte i madh sidmos për tema që lidhen me kulturën dhe traditën shqiptare, peizazhe të qyteteve, apo veshjeve tradicionale

Duke parë këtë interesim kam menduar gjithmonë për gjetjen e mundësive për organizimin e projekteve të ndryshme të mësimdhënies apo workshop-eve artistike në vendet ku banojnë shqiptarë në Amerikë dhe Europë. Kjo do të krijonte mundësi për prezantimin dhe njohjen e kulturës dhe traditës shqiptare përmes artit tek brezat e rinj qe po rriten jashtë Atdheut, si dhe japin mundësi për të tërhequr një publik sa më të gjerë shqiptar dhe jo vetëm.

Këto workshop-e mund të përmbyllen me një ekspozitë gjithpërfshirëse me punimet e studentëve pjesmarrës. 

Të interesuarit për të organizuar evente dhe bashkëpunime kulturore-artistike-edukative në Sh.B.A dhe Europë mund të lidhen me studion me Tel, +355 684 067 771, me e-mail artkavalet@gmail.com ose në webfaqen www.artkavalet.com.

Filed Under: Opinion Tagged With: Agron Hasanaj, Arti vizual, Tradita Artistike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 260
  • 261
  • 262
  • 263
  • 264
  • …
  • 859
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT