• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Mjaft më me përçarje

September 10, 2021 by s p

Sadik Elshani

Bashkimi kombëtar i shqiptarëve në një shtet të vetëm është e drejta e jonë e ligjshme që na është mohuar padrejtësisht nga të tjerët. Bashkimi kombëtar duhet të jetë në qendër të vëmendjes, përpjekjeve tona, duhet të jetë synimi ynë përfundimtar, kurorëzimi i ëndrrave të brezave të tërë të atdhetarëve tanë që tërë ia kushtuan çështjeve madhore kombëtare. Edhe nga shtrati i vdekjes akademik Mark Krasniqi na porosiste, na linte dëshirën e tij të fundit, amanitin e tij: “Kurrë mos hiqni dorë nga bashkimi kombëtar”. Si do të arrihet dhe kur do të arrihet bashkimi kombëtar, kjo çështje varet nga shumë faktorë, të jashtëm dhe të brendshëm. Në ndërkohë duhet ta ulim kokën e të punojmë, të ndërtojmë dy shtetet shqiptare, Kosovën dhe Shqipërinë dhe të përpiqemi që vëllezërit tanë në Çamëri, Maqedoni, Mal të Zi, Luginën e Preshevës e Sanxhak, t’i gëzojnë të gjitha të drejtat njerëzore e kombëtare. Në këtë shkrim të shkurtër nuk dua të përqëndrohem në rrugët sesi mund të arrihet bashkimi kombëtar, këtë do ta bëj në një shkrim tjetër më të zgjeruar, të cilin ka kohë që e kam ravijëzuar (skicuar). Ka shume rruge, forma, ecuri për ta arritur ëndrrën shumëshekullore të shqiptarëve: bashkimin e të gjithë shqiptarëve në një shtet të vetëm. Por, bashkimi kombëtar kurrë nuk do të ndodhë nëse shqiptarët e ndjekin rrugën e mbrapshtë të përçarjes. Pra, hapi i parë drejt një bashkimi kombëtar është që t’i lëmë anash zënkat meskine, intrigat e përçarjet e pakuptimta me njëri-tjetrin – dukuri të shëmtuara që janë duke e dëmtuar rëndë kombin tonë. E për fat të keq, kombi sot shumë keq na është përçarë. Ndoshta ende nuk e ka arritur atë shkallën alarmante, por nuk është duke shkuar në drejtimin e duhur, dëshiruar: përçarje në të gjitha nivelet, nga shoqatat, institucionet, organizatat e ndryshme e gjer në nivelet më të larta ndërshtetërore, Kosovë – Shqipëri. Përçarje në trojet tona etnike, përçarje në diasporën shqiptare. Ndoshta disa përcarje nëpër shoqata, organizata, grupime bashkatdhetarësh në shikim të parë na duken të parandësishmë e që nuk çojnë ndonjë peshë të madhe, por në të vërtetë janë shenja, simptome të një sëmundjeje të rëndë që kanë kapluar edhe nivelet më te larta shtetërore, institucionet më të larta arsimore e shkencore: universitetet dhe akademitë e shkencave. Prandaj, edhe këta politikanë, këta udhëheqës partiakë e shtetërorë nuk kanë pikur nga qielli, por kanë dalur nga gjiri i kësaj shoqërie.  Shoqëria e shëndoshë, e bashkuar nxjerrë prijës që bashkojnë, ndërsa shoqëria e përçarë nxjerrë përçarës. Edhe diaspora shqiptare që jeton e vepron, që është pjesë e shoqërive të përparuara demokratike përendimore, nuk është immune ndaj këtyre dukurive negative. Ja, edhe këtu në ShBA, në diasporën shqiptaro – amerikane që jeton e vepron në shtetin më demokratik të botës, po ndodhin përçarje nëpër shoqata e organizata të ndryshme. Para ca javësh u bë e njohur në shtypin e diasporës se një përçarje ka ndodhur në Pan – Albanian American Congress – PAAC (Pan Kongresi Shqiptaro – Amerikan), një grupim i formuar vetëm disa muaj më parë nga njerëz të edukuar, veprimtarë të dalluar shumëvjeçarë të bashkësisë sonë, me qëllimin për t’i promovuar vlerat dhe interesat e shqiptarëve dhe amerikanëve. Në këto raportime u bë e njohur se dy anëtarë janë përjashtuar nga kryesia, ndërsa këta dy anëtarë në faqën e PAAC -ut njoftojnë se Bordi Themelues i Kongresit i ka përjashtuar kryetarin dhe një anëtar të kryesisë. Nuk i di rrethanat e kësaj përçarjeje, kush ka të drejtë e kush është gabim – kjo ka pak rëndësi, sepse nuk kam ndërment t’i shes mend, moral askujt, nuk dua ta luaj rolin e gjyqtarit, arbitrit. Emrat nuk janë me rëndësi, sepse ne i kemi emrat tanë vetjak (personal), por para kombit e botës jemi vetëm, shqiptarë. Por, ajo që është shqetësuese është fakti se një grupim i vogël njerëzish të shkolluar, të përkushtuar që veprojnë në një shoqëri demokratike nuk mund të gjejnë gjuhë të përbashkët. Ata që janë atdhetarë, që punojnë për kauzat e larta të kombit e atdheut duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët, gjuhën e kompromisit – gjuhën e atdhedashurisë. Është krejt normale që për cështje të ndryshme të ndieshme të diskutohet, të argumentohet, të debatohet, të ketë mendime ndryshe e mospajtime,por në fund interesat e atdheut, kombit duhet të mbizotërojnë mbi ato personale. Njerëzit e arsyeshëm gjithmonë e gjejnë një gjuhë të përbashkët, arrijnë në një kompromis të pranueshëm nga të gjitha palët. Pse të përfundojmë me zënka, përçarje?! Shqiptari shqiptarin nuk e ka armik, por vëlla. Për fat të keq, edhe Vatra, njëra nga organiztat më emblematike të historisë sonë kombëtare, po ballafaqohet me një dukuri të tillë. Edhe në këtë rast nuk dua as ta fajësoj e as ta mbroj asnjërën palë të përfshira në këto debate të brendshme. Por, kjo nuk është mirë. Shoqatat, organizatat, grupimet e ndryshme në diasporë, që veprojnë në shoqëritë, shtetet demokratike e me përvoja të gjata qytetarie duhet të jenë shembull për të mirë për të gjitha institucionet shoqërore, arsimore, kulturore e shtetërore në trojet tona etnike. Të jenë shembull sesi duhet organizuar e vepruar për të mirën e kombit. Rrushi e sheh rrushin e piqet – thotë një fjalë e urtë e jona. Dikush duhet të shërbejë si shembull. Të mos e zhgënjejmë popullin tonë, sepse ai shpreson dhe pret shumë nga diaspora shqiptare. T’i japim shpresë popullit e t’i tregojmë botës se edhe ne jemi të zotët që të krijojmë një shoqëri të përparuar, të ndërtojmë institucione serioze dhe shtet të qëndrueshëm e ligjor. Zënkat, përçarjet duhet të jenë shumë shqetësuese për të gjithë,sepse janë shenja të një shoqërie kaotike, të sëmurë. Prirjet tona për zënka meskine, arrogancë e kapadaizëm, përçarje, janë duke u pasqyruar qartë edhe në nivelet më të larta të dy shteteve tona shqiptare, Shqipërisë dhe Kosovës. Sot, kryeministri i Shqipërisë ka marrëdhënie shumë më të mira, më të ngrohta, më të përzemërta me presidentin e Serbisë sesa me kryeministrin e Kosovës. Ka absurd më të madh se ky, ka nevojë për ndonjë koment më tepër?! Dhe këto marrëzira po ndodhin pikërisht në këto çaste kyçe kur të gjithë duhet te jemi të bashkuar për ta forcuar shtetësinë e Kosovës, përparuar gjendjen, përmirësuar pozitën e të gjithë shqiptarëve që jetojnë në trojet e tyre, por jashtë kufijve shtetëror të Shqipërisë e Kosovës. Në rrethana të tilla është e pamundur që të kemi një vizion të qartë për të ardhmen, një strategji të përbashkët kombëtare. Nga këto përçarje janë duke përfituar vetëm armiqtë tanë. Bashkimi kombëtar nuk mund të bëhet me shqiptarë të përçarë. Mjaft më!

Philadelphia, më 9 shtator, 2021

Sadik Elshani është doktor i shkencave dhe veprimtar i bashkësisë shqiptaro – amerikane.

Filed Under: Opinion Tagged With: komuniteti shqiptar, Sadik Elshani

Komuniteti shqiptaro-amerikan përcolli për në amshim, veprimtarin, bamirsin dhe fisnikun malësor, Lekë Gojçaj

August 10, 2020 by dgreca

Nga Frank Shkreli*/

Javën që kaloi, komuniteti shqiptaro-amerikan humbi njërin prej aktivistëve më të njohur të tij, Lekë Gojçaj.  Megjithëse nën rregulla shumë të kufizuara për arsye të pandemisë aktuale që ka goditur mbarë botën, komuniteti shqiptaro-amerikan, me një pjesëmarrje të madhe përcolli për në amshim, me më të madhin respekt, veprimtarin, bamirsin dhe fisnikun malësor, Lekë Gojçaj, ditën e enjtë të javës që kaloi.

Leka njihej në komunitetin tonë si një veprimtar i dalluar, i cili gjëndej gjithmonë i gatëshëm për të ndihmuar dhe kurdoherë që e lypte nevoja, i angazhuar në nismat atdhetare, fetare dhe shoqërore të komunitetit, por edhe më gjërë.  Por mbi të gjitha, Lekë Gojçaj njihej dhe do të mbeten — së bashku me vëllain e tij Pashkon, i cili gjithashtu ka ndërruar jetë para disa viteve — si dy shqiptare fisnikë malësorë, mërgimtarë që i kishin përcaktuar vetes misionin e shenjtë dhe patriotik për të vendosur sa më shumë shtatore të Shënjëtëreshës Nënë Tereza, anë e mbanë trojeve shqiptare dhe në botë.  Këtë donin ta bënin me qëllim për t’ia bërë të njohur këtë bijë të dalluar të Kombit Shqiptar një bote të dyshimtë e cila ende nuk e njihte origjinën e saj shqiptare si duhej, ose e njihte bazuar në keq identifikime dhe në informacionin që sot konsiderohet si “fake news, të sllavëve të jugut dhe të armiqëve historikë të Kombit shqiptar.  Përveç shtatoreve gjigante qai kishte spnsorizuar, Lekë Gojçaj nuk linte derë pa trokitë nga Washingtoni e deri në Vatikan për të dhuruar shtatoret më të vogëla prej argjendi, Papës zyrtarëve të lartë të politikës amerikane në Washingtonin, përfshir kongresmenë e senatorë, me qëllim që edhe ata të njohin më mirë Nënë Terezen, si shqiptare që ishte dhe nepërmjet saj të njihnin më mirë edhe Kombin shqiptar, që deri në vitin 1990 ishte vet-izoluar nga bota perëndimore për pothuaj 50-vjet komunizëm.       

I ndjeri Lekë, përveç aktiviteteve të tjera, ka botuar edhe një libër me titull, “Shtatoret e Përjetësisë”, mbi jetën dhe veprimtarinë e familjes Gojçaj në Hot të Malësisë së Mbishkodrës nga ku e ka origjinën familja dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku kemi gjetur strehim dhe siguri.  Pjesën e parë të të librit ai ia ka kushtuar   shtatoreve të Nenë Terezës që ai dhe vëllai i tij kanë sponsorizuar duke i vendosur në trojet shqiptare dhe në Amerikë.

Suksesin e realizuar, që ka bërë të mundur edhe shpenzimet për këto shtatore, në një biznes imobilar si emigrant në Shtetet e Bashkuara, Leka ia dedikonte punës së rëndë prej disa dekadash, familjes dhe mbi të gjitha nenës së tij.  Në një intervistë me Zërin e Amerikës, Leka ishte shprehur se,“Pasurinë më të madhe, kisha nënën me vete.  Jo se kam qenë punëtor i madh, jo se kam patur edukatë për biznes, por kemi punuar me djersë të ballit, na kanë ndihmuar miq e dashamirë.  Kjo ishte meritë e të gjithëve, e Zotit mbi të gjitha, e vëllait tim Pashkut, i cili është punëtor i vërtetë, natë e ditë nuk lodhet”, është shprehur ai disa vjetë më parë në një program për VOA-n.

Ishte pra ky sukses në biznesin e tij imobilar që ia kishte bërë të mundur, që nderimin, respektin dhe mahnitjen e tij pas “madhështisë së shpirtit të Nenë Terezës”, siç thotë ai, ta çonte në vend duke realizuar ëndërrën e tij për të ndërtuar sa më shumë shtatore kushtuar Nenë Terezës në trojet shqiptare dhe në Amerikë. Ishte në vendlindjen e vëllezërve Gojçaj në Malësi, që më 13 qershor, 1996, atyre u lindi ideja e projektit për shtatoren e Nenë Terezës, — shënon Lekë Gojçaj në librin e tij, “Shtatoret e Përjetësisë”. 

Këtë nderim dhe mahnitje me Nënë Terezën, Lekë dhe Pashko Gojçaj janë përpjekur ta shprehin gjatë jetës së tyre me vepra – përfshir, pikërisht, edhe ndërtimin e disa shtatoreve të Nenës Tereze, që me sponsorizimin e tyre kanë bërë të mundur, këtu në Shtetet e Bashkuara dhe në trojet shqiptare.  Realizimin e kësaj nisme e kanë filluar me vendosjen e shtatores së parë të Shënjëtores shqiptare, në vendlindjen e tyre në Tuz të Malësisë,  (18 tetor, 1997) që mendohet të jetë edhe shtatorja e parë e Nenë Terezës, në botë.  Gojçajt kishin vendosur që shtatorja e Nenë Terezës të ishte produkt i punës së tre skulptorëve shqiptarë — të përzgjedhur me qëllim nga vëllezrit Gojçaj — përfaqësues të tri feve kryesore të shqiptarëve: Vasil Rakaj, katolik, Sadik Spahia, mysliman dhe Vasiliev Nini, ortodoks, për të dëshmuar, sipas Lekë Gojçajt, harmoninë fetare ndër shqiptarët, por edhe për treguar se Nenë Tereza u përket të gjithë shqiptarëve, pa dallim. 

Shtatoren e dytë të Nenë Terezës, vëllëzrit Gojçaj e vendosën para Kishës , “Zoja e Shkodrës” në Hartsdale të Nju Jorkut, me 10 shtator, 2000, kur Nenë Tereza e cila shpesh kishte vizituar komunitetin shqiptaro-amerikan në Nju Jork – tani u bë pjesë e pandarë e këtij komuniteti, pranë Kishës Katolike, Zoja e Shkodrës” në Nju Jork.  Vëllëzrit Gojçaj ndihmuan gjithashtu me një shtatore edhe Kishën Katolike Shqiptare në Detroit.

Shtatorja e tretë e Nenë Terezës e kishte radhën të vendosej në Prishtinë, kryeqytetin e Dardanisë së lirë, si një premtim, shkruan Lekë Gojçaj, që ai i kishte dhënë Presidentit të parë historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovës, në një takim me një grup shqiptaro-amerikanësh.  Premtimi u bë realitet me 2 Korrik, 2002, datë që përkonte me shpalljen e “Deklaratës Kushtetuese të Kosovës”.  Në përurimin e shtatores së vendosur në rrugën kryesore të kryeqytetit të Kosovës që edhe mban emrin “Nenë Tereza”, pat marrë pjesë edhe Presidenti Ibrahim Rugova.

Për shtatoren e katërt (vepër e skulptorit shqiptarXhelil Rufati nga Maqedonia), e kishte radhën Struga, qyteti shqiptar në Maqedoni, si rezultat i një propozimi që u kishte ardhur vëllezërve Gojçaj nga Jashar Pollozhani, Kryetar i Shoqatës Humanitare Nënë Tereza në Strugë.  Përurimi i shtatores së Nenë Terezës në Strugë u bë me 17 prill, 2004, kur “Katër vajza si zana zbuluan shtatoren e Nenë Terezës, i gjithë sheshi shpërtheu në një duatrokitje të gjatë.”  Nga ai moment Nenë Tereza u bë pjesë e pandashme e qytetit piktoresk me shumicë shqiptare, buzë Liqenit të Ohrit, thuhet në librin, “Shtatoret e Përjetësisë”, të autorit Lekë Gojçajt.

Pastaj radhën e kishte Mitrovica në jesën veriore të Kosovës, që edhe atje të ngrihej shtatorja e Nenë Terezës.  Për vendosjen e shtatores në Mitrovicë bashkpunoi i njëjti komision shqiptaro-amerikanësh që kishte bashkpunuar, më heret, për vendosjen e shtatores së Nenë Terezës në Strugë.

I ndjeri Lekë Gojçaj, në librin “Shtatoret e Përjetësisë” shpreh zhgënjimin e tij të thellë se nuk ia doli që shtatoren e Nenë Terezës ta vendosnin edhe pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB-ja) në Nju Jork, që ishte një dëshirë e madhe e tij.  Sipas tij, ai hasi në pengesa të konsiderueshme, pasi OKB-ja nuk pranon dhurata nga individë, por vetëm nga shtetet anëtare.  Vëllezërit Gojçaj pastaj kishin menduar që t’i dhuronin shtatoren e Nenë Terezës, Shqipërisë si shtet anëtar i OKB-së, por siç duket as me shtetin shqiptar (nepërmjet misionit të tij pranë OKB-së), nuk gjeti bashkpunimin e nevojshëm për të realizuar endërren e tij për miratimin e vendosjes së shtatores së Nenë Terezës pranë OKB-së në Nju Jork.

Lekë Gojçaj ndërroi jetë pa realizimin e këtij projekti në OKB, por vëllezërit Gojçaj kanë lenë gjurmë të pashlyeshme dhe dëshmi historike duke vendosur shtatoren e Nenë Terezës nepër rrugë dhe sheshe anë e mbanë trojeve shqiptare, si edhe në botën e re, këtu në Shetet e Bashkuara të Amerikës.  Si rrjedhim, siç është shprehur edhe Dom Lush Gjergji, biografi i Nenës Tereze në një mesazh ngushëllimi me rastin e vdekjes së Lekë Gojçajt, duke vlerësuar kontributin e vëllezërve Lekë dhe Pashko Gojçaj, ka thekësuar se,“Emrat e tyre janë të shkruar jo vetëm në mendjen e shumë shqiptarëve, por edhe më shumë në zemra dhe ndërgjegje, sepse ata edhe më shumë kanë dëshmua fisnikërinë, bujarinë, mikpritjen, bamirësinë, si stil jete dhe veprimi, duke pasur dhe kultivuar gjithnjë dhe kudo ide dhe ideale të larta shpirtërore, kulturore, kombëtare dhe fetare shqiptare.”

Në mesazhin e tij, Dom Lush Gjergji falënderoi vëllezirt Gojçaj edhe për ndihmën dhe mbështetjen e tyre në ndërtimin e Katedrales “Nëna Tereze” në Prishtinë, që, sipas tij,  “Ishte sfidë për të gjithë ne”, por që, “Për vëllezërit Lekë dhe Pashk Gojçaj, ishte rast i mirë i bashkëpunimit, vëllazërisë dhe dëshmisë së çdo shqiptari, pa dallim vendi apo feje — që dëshmon para nesh dhe mbarë njerëzimit, që ne në Nënën Tereze e kemi gjetur vetveten dhe të vërtetën, jetën dhe dashurinë, flijimin dhe dhurimin, si mundësi për të jetuar dhe për të vepruar me dashuri dhe për dashuri”.  Jeta, puna dhe veprimtaria kulturore, fetare dhe atdhetare e vëllezërve Gojçaj nuk mund të vlerësohej më mirë se kështu.

Nenë Tereza, atëherë dhe sot, një prej personaliteteve më të admiruara të botës edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ..

*

Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë

Ish-Drejtor Ekzekutiv i Këshillit Kombëtar- Shqiptaro-Amerikano (NAAC)

Filed Under: Featured Tagged With: Frank shkreli, komuniteti shqiptar, Lek gojcaj, Percollli

A duhet të na shqetësojë zbrazja e shkollave shqipe në Zvicër & Shtimi i fëmijëve që frekuentojnë xhamitë e mësojnë arabisht?

January 24, 2020 by dgreca

Nga Elida Buçpapaj/

Ju ftoj që t’i shihni këto foto dhe këta fëmijë, këto vajza të vogla të veshura me soj hixhabi (hijab).

Ku janë bërë këto foto sipas mendjes tuaj?

Në Iran, Arabinë Saudite?

Përgjigjen po e jap unë.

Ata janë fëmijët tanë, emrat i kanë Erblina, Ermal, Diella, Shkumbin, Tomorr, Vesa, Shqiponjë dhe janë pjesë e gjeneratës të re të komunitetit shqiptar në Zvicër, të cilët marrin edukim fetar dhe në vend të gjuhës shqipe, mësojnë arabisht;

Skandaloze apo jo!

Për traditën shqiptare e kam fjalën!

Ata fëmijë të fiksuar në foto kanë lindur në Zvicër, në një vend sekular, që respekton besimin me kushtetutë, por që, në jetën publike të vendit, besimi i takon tërësisht sferës private, ndërsa ato vajza të vogla shqiptare që posa kanë filluar pubertetin apo jetën e bukur të adoleshencës janë të detyruara të mbajnë veshje të imponuar nga feja dhe flokët e tyre të bukura prej fëmije t’i lidhin me shami!

Ka një trend shumë alarmant. Ndërsa shkollat shqipe në Zvicër po zbrazen nga fëmijët e komunitetit shqiptar, po shtohet frekuentimi i tyre nëpër xhamitë shqiptare, frekuentim që nis prej moshës minorene.

Një mendje diabolike po i orienton prindërit e komunitetit shqiptar që t’i çojnë fëmijët e tyre të nxejnë mësime të fesë dhe t’ju binden rregullave të saj, sikur të jetë shtet teokratik në zemrën e një vendi laik si Zvicra që i bindet dhe respekton ligjet e Kushtetutës.

Besimi fetar në kushtetutën e Zvicrës është zgjedhje e lirë, pa cënuar sekularitetin e Konfederatës Helvetike. Seicili beson, pa prishur lirinë e besimit të tjetrit, në respekt të rregullave të një vendi të emancipuar dhe modern.

Zvicra po ashtu e ka të rregulluar me ligj edhe finacimin e institucioneve te kulteve te besimit kristian, që financohen zakonisht nga komunat ose nga taksa e fesë.

Mos harrojme se në një të shkuar jo të largët Zvicra i përkiste pothuaj e gjitha besimit krisitian. Ndërsa sot në përbërjen e saj ka edhe një komunitet mysliman, që mendohet se shkon rreth 700 mijë, por që praktikantë janë një pjesë e vogël.

Këtu është përfshirë edhe ajo pjesë praktikante e komunitetit mysliman shqiptar, që erdhi në Zvicër, jo si etnitet fetar, por si emigrantë, në kërkim të strehës, të sigurisë, punës dhe dinjitetit. Dikur, prindërit e këtyre fëmijëve që sot i çojnë nëpër imamë, ishin njerëz pa asnjë bazë ekonomike, në mëshirë të fatit, të larguar nga vendi i prejardhjes pasi aty nuk kishte asnjë shpresë. Kur erdhën në Zvicër fillimisht ata nuk e kishin mendjen tek feja por të gjenin punë, një pjesë tjetër gjetën strehë si azilantë politikë.

Për çudi vokacioni për të praktikuar fenë islame u lindi nga mesi i dhjetëvjeçarit të parë të milenarit të ri, kur papritmas një pjesë ateistësh shqiptarë bënë ndryshim drastik të jetës së tyre shpirtërore, u shpallën besimtarë të islamit, zgjatën mjekrat dhe i veshën gratë e tyre me hixhab!

***

Pak histori

Në konstitucionin shpirtëror të shqiptarëve feja islame është me tipare thellësisht kombëtare, imamët shqiptarë kanë qenë njerëz të dijes, shkencës, mbrojtjes të gjuhës dhe veprimtarë politikë, të lidhur me Rilindasit.

Kujtojmë këtu Ymer Prizrenin, një nga organizatorët e Lidhjes të Prizrenit apo Hoxha Tahsinin nga Konispoli, rektori i parë i Universitetit të Stambollit, apo Myderriz Ismail Ndroqin, një nga organizatorët e Kongresit të Lushnjes më 1920, kur Tirana u shpall kryeqytet i Shqipërisë dhe ai e emërua kryetari i parë i bashkisë. Institucionet fetare shqiptare, qoftë kristiane apo islame, i bashkonte dashuria për kombin, fe dhe atdhe, gjuhën dhe kulturën shqiptare.

Në Medresenë e Tiranës kanë studjuar mendje të ndritura si Vexhi Buharaja, përkthyes i Hoxha Tahsinit, Sami Frasherit, Naim Frasherit, dokumenteve të Lidhjes të Prizrenit deri tek Firdusi apo shkencëtari i gjuhës shqipe Shaban Demiraj etj dhe programi i Medresesë miratohej nga shteti. Studentët pas Medresese mund te vijonin rrugën e fesë apo të ndryshonin drejtim.

Në Medrese ka studjuar edhe im atë, poeti Vehbi Skënderi. Aty e çoi im gjysh, kryemyftiu Demir Skënderi, ndërsa djalin tjetër të tij, xhaxhain tim Kadri Skënderi e regjistroi në Shkollën Amerikane të Kavajës. E kam përsëritur këtë fakt, për të treguar se cili ishte islami shqiptar. Gjyshja ime, gruaja e Demir Efendiut, falej shtatë herë në ditë në shtëpinë e saj, por vishej si të gjitha gratë, jo sikur sot këto vajza të vogla shqiptare, të lindura në mes të Zvicrës.

Sipas Prof.Ferit Duka, “Islami shqiptar menjëherë pas shpalljes të pavarësisë lujti një rol konstruktiv dhe paqëtues në jetën e shqiptarëve…Kongresi myslima i 1929 e shpalli gjuhën shqipe si gjuhë e vetme e lutjeve dhe predikimit.” Prej asaj kohe Kurani u përkthye shqip.

Pas Luftës së Dytë Botërore fati i fesë në Shqipëri ka qenë tragjik. Diktatura sapo erdhi në pushtet nisi burgosjen dhe vrasjen e elitës shqiptare, pjese e së cilës ishin edhe klerikët katolikë dhe myslimane dhe me 1967 e ndali me ligj, duke u kthyer në vendin e vetëm ateist në botë. Ishte kohë e tmerrit, kur shkaterroheshin objektet e kultit, pa marre parasysh se ishin pjese e trashegimisë kulturore dhe duke vijuar persekutimi i klerit. E megjithatë, shqiptarët nuk e humbën lidhjen me Zotin. Ata bënin pelegronazhe të fshehta dhe individuale nepër teqe dhe vende të shenjta që tashmë ishin kthyer në gërmadha dhe ku shërbimi fetar ndalohej me ligj.

Në 1991 posa në Shqipëri u lejua liria e besimit, më kujtohet se Profesor Shefqet Ndroqi, pasardhës i myderriz Ismail Ndroqit u përfshi në organizimin e fesë islame në Shqipëri, sipas traditës shqiptare. Ai vetë kishte studjuar mjekësi në Paris dhe ishte mjek i shquar, por u angazhua për të mbrojtur identitetin shqiptar të fesë islame. Në 1991 në Shqipëri u ribotua Kurani në gjuhën shqipe.

Me këtë rast pyes, ato fëmijë nga Komuniteti shqiptar në Zvicër nëse e lexojnë Kuranin në shqip? Jo, e lexojnë arabisht!

E pra, ky islam që praktikojnë këta fëmijë nuk është i njëjtë me islamin shqiptar.

***

Financimet e dyshimta të xhamive në Ballkan deri në Zvicër

Problemi i financimeve të dyshimta lindi në Shqipëri prej 1991, në Kosovë pas çlirimit, kur nga Arabia Saudite dhe vende islamike filluan të vinin ndihma, para dhe bashkë me të edhe islami ndryshe, me hixhab, burkë dhe në gjuhën arabisht.

Është e qartë se financimet lidhen me qëllime të mbrapshta.

Edhe në Zvicër vitet e fundit janë ngritur shpesh dyshime për financimin e xhamive, të cilat po ashtu janë denoncuar si frymëzuese të qendrimeve ekstreme deri edhe furnizuese të islamit radikal me rekrutë të ISIS. Midis tyre pati edhe të rinj shqiptarë të lindur apo rritur në Zvicër, që u vranë në Siri.

Po përse ? Islami në vetvete dhe islami shqiptar, si besim është paqsor.

Zvicra ka mbyllur xhami sepse ka patur prova të pakundërshtueshme se në vendin e kultit nxitej urrejtja dhe radikalizmi.

Kohët e fundit në gjithë mediat botërore u shpërnda lajmi se një hoxheshë shqiptare me emrin Ikballe Berisha Huduti u arrestua në Kosovë sepse bënte thirrje për hakmarrje ndaj SHBA dhe Izraelit për vrasjen e gjeneralit iranian Qasem Solimani. Kjo hoxheshë financohet nga Irani, ajo ka fondacionin e saj dhe në kushtet e varfërisë që mbizotëron në Kosovë, ajo përdor mjerimin e popullësisë për të afruar njerëz të cilëve u ofron “mëshirë” të helmatisur në emër të një islami agresiv, që nuk ka lidhje me islamin shqiptar.

Ka dyshime edhe për financimet e xhamive shqiptare që kanë ndikuar deri në organizimin e fesë islame në komunitetin shqiptar në Zvicër.

Por nëse për dyshimet e financimeve duhen prova, praktikimi i fesë, në arabisht bie ndesh direkt me rregullat e Islamit shqiptar.

Jemi duke folur për numër të kufizuar praktikantësh, por me tendencë rritje, ndërsa mësimi i gjuhës shqipe ka tendencë rënie.

Këtu marrin rëndësi të dorës të parë ata përfaqësues shqiptarë të fesë islame në Zvicër që janë trashëgimtarë të besimit Islam sipas traditës shqiptare.

Përpara tre dekadave, komuniteti shqiptar në Zvicër financonte për kauzën e lirisë dhe dije, sot për xhami dhe arabisht !

Kur kemi ardhur në Zvicër më 1992 dhe vendosur këtu prej fillimvitit 1996, komuniteti shqiptar jepte 3% të pagës për të financuar institucionet paralele të shtetit dhe arsimin në Kosovë pasi krimineli Milosheviç i mbylli të gjitha shkollat shqipe, në të gjitha nivelet deri edhe Universitetin e Prishtinës. Prej asaj kohe në Zvicër u krijua edhe LAPSH-i, Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë në Zvicër dhe në të gjithë Konfederatën u hapën shkollat e para të gjuhës shqipe, të cilat prej asaj kohe frekuentohen nga fëmijët shqiptarë.

Deri sa ishte gjallë Ibrahim Rugova, komuniteti shqiptar në Zvicër kishte një orientim thellësisht Perëndimor. Vizioni i këtij komuniteti pati si kauzë lirinë, pavarësinë e shtetit të Kosovës dhe po ashtu i kontribuonte edukimit të brezit të ri, duke krijuar kushte që fëmijët të mësonin gjuhën amëtare, historinë dhe kulturën.

Me vdekjen e Rugovës, komuniteti shqiptar në Zvicer është futur në qorrsokak. Për shkak të ndikimit shumë negativ që vjen prej politikave të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë, përfaqësitë diplomatike këtu në vend se të jenë unifikuese, përmes urave kulturore dhe gjuhësore, kthehen në instrumenta përçarëse.

Përpara 3 dekadave në Zvicër nuk kishte xhami shqiptare. Në dhjetëvjetëshin e fundit numëri i xhamive shqiptare ka arritur 85 dhe tendenca është në rritje. Ndërsa shkollat shqipe në zbritje. Ndërtimi i xhamive apo blerja e objekteve të kultit kanë kushtruar qindra milionë franga, të cilat mund të ishin investuar për shkollat shqipe, mediat, jetën kulturore dhe artistike në të mirë të interesit të komunitetit dhe sidomos brezit të ri.

Po pyetja legjitime vjen? Keto miliona franga nga vijnë? Nga komuniteti shqiptar apo nga vende islamike?

Nëse komuniteti shqiptar në Zvicër do të investonte  për një zhvillim normal të shkollës shqipe, për 30 vjet rrugëtim, sot shkolla shqipe dhe mësimi shqip do të duhej të ishte i përhapur në çdo komunë zvicerane dhe frekuentimi do të duhej të vinte gjithmonë në rritje. Vetë Zvicra është e interesuar duke vënë në dipozicion objektet e mësimit dhe shpesh herë edhe ka financuar vetë.

Por një dorë e zezë i orienton prindërit e fëmijëve shqiptarë jo drejt shkollave shqipe, por nga xhamitë ku fëmijët suret e Kuranit dhe lutjet i thonë në gjuhën arabe.

Kur kam biseduar me mësuesit e LAPSH-i, ata pohojnë faktet e trishta me zemër të plagosur, por nuk kanë fuqi të ndikojnë në komunitet; ndërsa përfaqësitë diplomatike shqiptare edhe pse kanë marrë sinjale të qarta nga shteti zviceran bëjnë shejtanin indiferent. Dhe dihet se indiferentët marrin anën e regresit dhe çallmave.

Kjo është situata e një pjese të brezit të ri të komunitetit shqiptar në Zvicër, (uroj të jetë sa më e vogël) që rrezikon të marrë një orientim dhe formim fetar krejt ndryshe nga tradita e tre feve shqiptare.

Imamët shqiptarë në Zvicër e (sh)përdorin Kushtetutën zvicerane dhe abuzojnë me lirinë fetare, sepse u imponojnë fëmijëve rregullat islame, jo vetëm brenda objekteve të kultit, por edhe jashtë tyre, duke krijuar barriera në integrimin e fëmijëve në jetën sociale, pasi vajzat janë të detyruara të mbajnë hixhabë.

Unë mendoj se kushtetutshmëria e shtetit sekular zviceran cënohet edhe në faktin se zgjedhjen fetare njeriu e bën në moshë madhore, kur vendos vetë se cilës fe i përket, të jetë monoteist, politeist apo ateist. Dërgimi i fëmijëve nëpër xhami dhe imamë për t’u edukuar me fe dhe mësuar arabisht bëhet nga prindërit, çka duket qartë si shkelje e lirive të individit, pasi fëmijëve u imponohen rregulla, që nuk i ka shoqëria ku jetojnë.

Natyrisht shteti zviceran është shumë i kujdeshëm dhe vigjilent për të mbajtur nën kontroll situatën dhe sigurinë kombëtare. Kur rrezikon të dalë situata jashtë kontrollit veprojnë mekanizmat demokratike, sikur janë referendumet dhe iniciativat që nëse marrin shumicën e votave kanë fuqi ekzekutive ligjore.

Sikur është vepruar në kantonet e Tiçinos dhe Sant Gallen ku prej disa vitesh është ndaluar me ligj mbajtja e burkës dhe nikab-it.

Kambanat e alarmit po bien edhe për komunitetin shqiptar në Zvicër, që të organizojë forcat e veta, për t’u orientuar drejt rrjedhave që përkojnë me sistemin që ka Zvicra, ku shteti i së drejtës mbaron me kushtetutë plurikulturalizmin.

Mos harrojmë se feja e shqiptarit, sipas Vaso Pashës është shqiptaria;

mos harrojmë, poetin e Rilindjes, Naim Frashëri, që na e ka lënë amanet se vetëm drita nga dija e diturisë përpara do të na shpjerë;

mos harrojmë se orientimi i shqiptarëve si europianë është Perëndimi dhe vlerat e humanizmit.

Mos harrojmë se Zvicra na mikpriti, na dha strehë e dinjitet, na krijoi kushte për integrim dhe zhvillim, na bëri pjesën e saj, sepse pjesa më e madhe e komunitetit shqiptar është e natyralizuar dhe ne e kemi detyrë të respektojmë kodin e rregullave të mikpritësit me të cilin unifikohemi si europianë!

Por mos harrojmë kryesoren se fëmijëve u kemi borxh t’i edukojmë e t’i shkollojmë si qytetarë të ndershëm, në një shoqëri të lirë me sistem demokratik.

Gjeneratave të reja u takon e ardhmja, progresi, ata i ndriçon dija dhe vetëdija si qytetarë të një shoqërie Perëndimore, sekulare që kanë mision ta ndryshojnë botën për më mirë dhe kurrësesi ta kthejnë pas.

Fjalë kyçe: Elida Buçpapaj, komuniteti shqiptar, shkolla shqipe, Zvicër, Fëmijët, Islami, mësimi fetar

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, femijet, Islami, komuniteti shqiptar, mësimi fetar, Shkolla shqipe, zvicer

PËRSE HESHT KOMUNITETI SHQIPTAR NË SHBA?

July 11, 2018 by dgreca

APATIA DHE HESHTJA E SHOQATAVE NË SHBA KARSHI PROVOKIMEVE TË FUNDIT NË SHAS !/

1 Perleshje-ne-shas1 kisha-shen-merise-shas

 Nga Esad GJONBALAJ/

Ka kohë që shoqatat shqiptaro-amerikane me origjinë nga trojet tona etnike nën Mal te Zi dhe me veprimtari në SHBA i ka zënë një gjumë i thellë letargjik  dhe i ka rrok apatia në aspektin e veprimtarisë për çështjen kombëtare. Shumëkush mund të pyet dhe habitet : pse valle heshtin dhe nga çka ose nga kush frikësohen apo a e din misionin e tyre shoqatat tona:Vite më herët shoqatat tona përmes Këshillit Koordinues të Shoqatave  bashkërëndonin dhe bashkëvepronin aktivitetet kombëtare dhe ishin shembull i rrallë i një përafrimi të pa parë deri atëherë në aspektin kombëtar.  Ishte kohë kur për çdo cenim të te drejtave  të shqiptarëve nën Mal te Zi reagohej dhe veprohej menjëherë . Reagohej ashpër me denoncime publike, por shtrohej edhe ndikim në shtetet tona si në Shqipëri dhe në Kosovë, që të ndërhyjnë me ndikimin e tyre për cenimin e të drejtave te vëllezërve tanë nga autoritet malaziase, qoftë ne nivel të pushtetit lokal dhe apo të atij qëndror.

 Ditëve të fundit ishim dëshmitar të provokimeve të klerit ultranacionalist  të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi ndaj shqiptarëve autokton në lokalitetin  Shas afër Ulqinit, me pretekst të kinse mbajtjes së një liturgjie fetare. Për të penguar këtë veprimtari ilegale në themelet e kishës mesjetare shqiptare të Shën Gjonit në Shas kishin dal disa dhjetra shqiptarë (katolikë e myslimanë) me vetëorganizim dhe kanë merituar  çdo lavdatë për veprimet e tyre atdhetare aq më tepër kur dihet se klerikët qëllimkëqinj kishin ardhur me mbrojtje policore.

 Mosreagimi dhe heshtja e diasporës lidhur me këtë provokim është e pajustifikueshme sepse diaspora e në veçanti shoqatat mision kryesor të tyre kanë dhe duhet ta kenë atdhetarinë.Ne anën tjetër të medaljës, për herë te parë Këshilli Nacional  i Shqiptarëve në Mal të Zi ishte në krye të detyrës duke reaguar lidhur me rastin konkret dhe duke qenë në krye të  misionit të cilin e ka obligim  dhe duhet ta ketë.

  Edhe pjesa dërmuese të partive tona politike  ishin të vonuara dhe të mangëta në reagimet e tyre.

 Shoqatat, gjegjësisht kryesitë e tyre duhet të zgjohen nga gjumi dimëror dhe mos të gjejnë vetëkënaqësinë e tyre vetëm në projekte të natyrës financiare por të veprojnë me mentalitet pragmatik dhe vizionar në aspektin kombëtar, respektivisht të mbrojtjes së kombit dhe të trashëgimisë tonë kulturore.

 Mosreagimi i shoqatave nuk është në interesin e komunitetit sepse dihet se historikisht shoqatat dhe organizatat e tjera  shqiptare ne mërgim gjithnjë preambulë të aktiviteteve të tyre e kanë pasur  dhe duhet  kanë realizimin e qëllimeve  për kauzën  kombëtare.

 Fotot përshkrimi:  1. themelet e kishës mesjetare shqiptare të Shën Gjonit në Shas

  1. Pamje gjate ballafaqimeve te shqiptarëve me klerikët serb ne Shas dhe policia malaziase

Filed Under: Emigracion Tagged With: Esad Gjonbalaj, komuniteti shqiptar, serbet, Shasi

KOMUNITETI SHQIPTAR , UNIFIKIMI I KËRKESAVE

March 21, 2018 by dgreca

KOMUNITETI SHQIPTARO – AMERKAN TË VOTOJË NË BLLOK, ME KËRKESA TË UNFIKUARA/

1 Marku KomunitetiNGA ESAD GJONBALAJ/

New York 20 Mars 2018- Komuniteti shqiptaro-amerikan gjithnjë më shume po faktorizon vetveten dhe rolin e ti në institucionet e shtet Amerikan. Edhe takimi i mbrëmshëm i komunitetit, i pari kësaj natyre, kishte si qëllim që votuesi shqiptarët të votojnë të organizuar dhe ne formë blloku, dhe në këtë mënyrë kërkesat dhe interesat tona si komunitet të jetësohen përmes faktorizimit si votues.2-3

Kështu së shpejt do të ndërmerren dhe implementohen nisma të kësaj natyre ne koordinim dhe bashkërendim me zt Mark Gjonaj si zyrtar i lart i qytetit te New Yorkut dhe në bashkëpunim të ngushtë me komunitetin si tërësi, me shoqatat dhe aktivistet  e shumet që ka komuniteti i ynë. Kontribut ne këtë aspekt mund te dhuroj çdo shqiptar duke u regjistruar si votues e pastaj duke  Votuar në koordinim me kërkesat e komunitet ku edhe përfitimet nëse votojmë si komunitet i organizuar  e jo si individ do të jenë te shumta për të mirën e komunitetit shqiptaro-amerikan.

Nga takimi qe u mbajt mbrëma ne ambiente e Royal Regency Hotel, Yonkers NY me pjesëmarrje të zgjeruar nen udhëheqjen e Mark Gjonaj ne formë bashkëbisedimi që të gjithë u dakorduan që do japin kontributin e tyre maksimal në këtë aspekt sepse janë pjekur kushtet që të veprojmë si komunitet i organizuar në proceset zgjedhore duke ditur se potencialet tona janë të shumta.

Filed Under: Featured Tagged With: bllok, Esad Gjonbalaj, kerkesa, komuniteti shqiptar, Mark Gjonaj

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 5
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Shqipëtarët me besim të pakufishëm se Amerika se do të jetë miku ynë i përjetshëm
  • Eugene Pittard dhe kontributi i tij nё zbulimin e periudhёs sё Neolitit (7000-4500 p.Kr) nё Shqipёri
  • Argjentina një ëndërr e jetuar
  • “Kisha mesjetare e Shën Aleksandrit në Bokion (Pruell-Spiten): Historia dhe arkitektura”
  • 4 Korriku – Meteor i Demokracisë Botërore dhe Dritë Udhërrëfyese për Lirinë e Popujve
  • FEDERATA VATRA: AMERIKË, GËZUAR 4 KORRIKUN, 249 VJETORIN E PAVARËSISË
  • 10 arsye përse ne shqiptarët duhet të duam SHBA-në pa kushte
  • Jehona e Deklaratës së 4 Korrikut të vitit 1776 në SHBA dhe Shqipëria
  • Sotir Kolea, 4 shtator 1872 – 3 korrik 1945
  • Bajroni dhe dy këngë të Folklorit Shqiptar
  • Aty, ku fjala, kënga, vallja, lutjet, gëzimi e hidhërimi bëheshin vetëm shqip!
  • 7 Fakte Tronditëse Ujë me Akull ose me Temperaturë dhome
  • SHKOLLA VERORE SHQIPE NE KROACI, SELCE 2025
  • Drejtori Ekzekutiv i Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë Dr. Atdhe Hetemi priti në takim Dr. Elmi Berishën, kryetarin e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës, VATRA
  • Mësuesit e Shkollës Shqipe në Bavari

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT