• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Lider dhe jo më idhull

February 17, 2021 by dgreca

Nga Alfons Grishaj/

1-Në kohën tonë,  lideri modern është misionar dhe jo  idhull klasik, sepse koha nuk ia lejon një shkapërcim të tillë,  nga lider misionar në  idhull  dhe nga idhull në legjendë. Aktualisht, politikanët  perëndimorë nuk mund të bëhen më idhuj. E shikojmë përditë dhe më shumë që idhuj bëhen shpikësit si p.sh. Stive Jobs, sportistët si Tom Brady,  dijetarët  dhe filozofët si Wittgensttein, i cili  me një libër filozofik, ‘Tractaus Logico-Philosophicus”, u bë një ndër 50 filozofët më të mëdhenj të Perëndimit;  shkrimtarë  si  Joanne Kathleen Rowling, autore e  “Harry Potter”,  etj.

Shoqëria moderne civile perëndimore i urren idhujt politikë dhe nuk lejon një impakt të tillë, sepse, pasi i jep  votën lidershipit (subjektit)  politik  i dorëzon pushtetin brenda një afati kohor të përcaktuar, e jo një pushtet absolut të përhershëm apo të pakontrolluar që do ta bënte liderin diktator dhe pushtetin e tij diktaturë. Kontrata tranzitore e mandatit të pushtetit, ndiqet e vëzhgohet hap pas hapi nga shoqëria dhe në fund bëhet bilanci dhe vlerësimi historik i arritjeve apo i dështimeve. Që lideri të   respektohet apo mbetet i nderuar për një kohë të gjatë në kuptimin historik, kjo   varet nga vizioni i drejtimit nga ana e tij, por dhe impresioni i masës, e cila kërkesat dhe pritshmëritë i ka pothuajse gjithmonë të parashtruara në sensin e imediates.

Por,  ndodh nganjëherë që lideri në fund të një mandati të lartësohet nga urrejtje e kundërshtarit. Ndërsa 75 milionë amerikanë e përkrahën dhe e votuan Donald Trump si lider, kundërshtarët e sulmuan me dy impeachments të gabuara duke e kthyer atë në legjendë…, fodullëk ky që, do u kushtojë demokratëve karriget, sepse ata liderin kundërshtar normal e kthyen në  mit !!! Dhe mitet është e vështirë t’i luftosh, sepse më parë duhet t’i zhbësh, gjë që nuk është aspak e lehtë.

Në politikë, kanë qenë të paktë liderë që janë bërë idhuj dhe kthyer në legjendë (ne kemi Gjergj Kastriotin) që kanë bërë histori në shërbim të popujve. Shumë të tillë janë konsumuar nga pushteti që në fazën e parë të ballafaqimit me problemet e shtetit.  Ata janë sfumuar dhe  avulluar sipas qasjes spekulative,  injoro ligjin dhe mbjell lavdi personale mbi të. Bash në ato momente populli ndeshet me  vrasjen e shpresës, ku  papritmas ndjehet i kurthuar në skëterrën e kolapsit të shtetit. Në këto momente dramatike masa njeh mëkatin e kthyer në idhull, që për mendimin tim, nuk është asgjë tjetër vetëm pulsi i vdekjes që fiket ngadalë, ndërsa  shpirti  largohet e merr arratinë për në skëterrë, duke vështruar nga lart trupin e vet të pajetë të shtrirë mbi dhe  dhe masën me duar në kokë.  

Ashtu siç shkroi Nietzche in “Thus Spake Zarathustra” (Kështu foli Zarathustra): “Gjithçka ju jep, po ta adhuroni këtë idhull të ri: kështu ai blen shkëlqimin e virtytit tuaj dhe vështrimin e syve tuaj krenarë. Do peshkojë shumicën nëpërmjet jush! Po na u shpik një makinë ferri, një kalë i vdekjes me tingëllim zilesh të ndereve hyjnore”.

2.Sevdaja e idhujve të rremë e ka ndjekur popullin tonë në shekuj. Herë një Ballaban e herë një Enver, herë një Esat e herë një Erdogan, pastaj, në djall ti o vatan! Varfëria dhe pamundësia e ka ndëshkuar keq për këto mëkate, sa dhe sot në shekullin 21  për  një grusht miell (e kam thënë dhe më parë),  të jep votën dhe po i ndërtove një kasolle, të jep dhe votrën! Renegatë frymorë shfaqen aty-këtu duke ngritur buste pushtuesish e duke bërë tregti me flamurin tonë kombëtar, më i bukuri në alem.  Ashtu si Guri Rrokaj që i këndoi Erdoganit. E pra Guri e gur-leshët nuk e kuptuan asnjëherë se paketa e ndihmave të Erdoganit s’ është tjetër veçse thjesht ambalazhi i ideologjisë ekspansive neootomane dhe i marrëdhënieve tregtare Turqi-Shqipëri. Ai po i ndërton ato shtëpi apo spitale, bash me tepricat e superfitimeve nga këto marrëdhënie, ku prevalojnë prodhimet e dobta të kompanive me shërbimet më  skarco  në glob, të sjellura prej tij  në Shqipëri, duke ua shitur shqiptarëve “sapunin për djathë”  kundrejt një fitimi astronomik, në raport me shërbimin dhe produktin. Dhe kjo dhuratë rip off … vjen  bash  nga “idhulli”  turk, Erdo-Khan! Historikisht, që nga koha Ginghis Khan-it, Khanët kanë pasur dëshirë të fusin hundët e tyre që nga zemra e Azisë (Kinë) deri në Europë e “Arrnautllëk”.

Sa për ilustrim:

Aktualisht, interneti më i fuqishëm që shitet në Shqiperi nga kompania turke është, 100 Mbps (ndërsa në Amerikë, normalisht shkon tek 940 Mbps që kushton sipas ofertës, 30-40 dollarë në muaj). Në  Amerikë servisi turk do kushtonte  3-5  $, ndërsa në Shqipëri shitet 30-40 dollarë. Duke krahasuar nivelin midis dy vendeve konstaton se : Niveli i të ardhurave vjetore për klasën e mesme  në USA është 55-110 mijë dollarë në vit,  kurse të ardhurat vjetore në Shqipëri për klasën e mesme janë 6 deri në 12 mijë  dollarë në vit. Sipas një logjike të thjeshtë matematikore i bie  që “Vëllau” turk na e shet internetin e një niveli dhjetë herë më të dobët me një çmim 10 apo 20 herë më të lartë. Nëse këto janë marrëdhënie vëllazërore… që synojnë të na mbajnë skllevër të përjetshëm të një perandorie fantazëm…, mua s’më mbetet gjë tjetër vetëm të them, turqisht: Hosgeldiniz!: “Mirë se erdhët!”    

Popullin turk e dua, njëherë e një kohë e kam studiuar gjuhën dhe kulturën e tyre, duke shëtitur gjithandej Bizantin e transformuar që quhet Turqi, por që “idhujt” e këtij shteti duan të bëjnë sërish Sulltanat, çka nuk përputhet me idealet e popullit modern turk. Sikur të ish gjallë lideri historik turk me gjak shqiptari, Mustafa Kemal At’aturku, idhull i vërtetë që u bë mit, për shumë arsye,  Erdo – Khanët do ishin gjetkë!

3.Pasqyrimi realitetit të dhimbshëm shihet prej vitesh në jetën politike shqiptare. Ajo ka prodhuar vetëm idhuj të rremë. Dje, shumë u gëzuan që votimet në Dardani sollën  fitoren  e partisë së Albin Kurtit, mbase për një kthesë historike, duke shpresuar të paktën që kursi i zgjedhjeve të reja të mos të ndiqet nga drejtimi me mendësi të vjetra.

Nuk ka rëndësi se kush do jetë pas atyre që bënë luftën. Nëse Albin Kurti do mbajë të ndenjurat në Europë dhe mendjen në lindje, ai nuk do sjellë asgjë të re, vetëm do e keqësojë situatën. Nëse ai do këshillohet me njohës të politikës dhe ushtrisë me kahje europiane dhe perëndimore si Dr. Demiraj etj., gjëra të bukura do bëhen. Personalisht, më pëlqen Albin Kurti, se është shpirt rebel, i lirë, por në politikë… liria ushtrohet sipas një kodi që ka kufij të përcaktuar.  Së pari, ai dhe shokët  e tij, duhet të luftojnë për identitetin shqiptar, duhet  të korrigjojnë  flamurin,  gjë që nuk e bënë paraardhësit e tij.

Në Dardani, ndihet mungesa e Ghandit shqiptar, Ibrahim Rugova! Partia e tij pësoi një humbje shokuese! Pasuesve të LDK dhe popullit Dardan do u duhen dhe 40 vjet që të kuptojnë filozofinë e Rugovës, këmbënguljen për mbajtjen e flamurit të arbërit, pa kompromis. Ai ishte i vetmi politikan intuitiv e vizionar që mund ta bënte Shqipërinë Etnike, ndërsa sot kanë mbetur (përjashto Haradinaj e ndonjë tjetër) ca çudibërës që  bëjnë zig-zake si rrajzat, dhe shpesh herë për të mbuluar inferioritetin e tyre akuzojnë Abrahamin se u ul në tavolinë me Millosheviçin! Jo more bukëshkalë, pengmarrja nuk është ulje në bisedime. Ulje në tryezë ka bërë Fatos Nano, dhe sot askush nuk kujtohet se sa dëm i solli çështjes së Kosovës ai takim me kasapin e Ballkanit. E njëjta gjë dhe sot. Takimet e idhullit të PS, Ramëziu me Aleksandër Vuçiqin prej nga mbijnë teza “të reja” bashkëpunimi që përfshijnë deri edhe shkëmbimin e territoreve.

Sipas mendimit tim, objektiviteti i gjykimit nuk vjen asnjëherë i pastër nga ligësia e klanit subjektiv, por nga  pastërtia e qartësia e koshiencës objektive të masës, që jo rrallë herë dhe ajo bëhet irelative. Koka e udhëheqësit të lindur asnjëherë nuk mund të bëhet hejbe banditësh e  as kanaçe lypsarësh, por vetëm skeptër i rrugës së humbur.

Nëse nesër  në  Shqipëri  do  riciklohet  e vjetra dhe nuk bëhet rrokada  e ripërtëritjes së shpresës, krizat do thellohen, sepse shefi i bandave nuk është lidership, por idhull i krijuar nga turma që i shërben vetëm klanit,  psikologji kjo e klasës së degraduar që shprehet me motivin: “sa më të fortë të jemi sot, aq më të paprekshëm do jemi nesër”.

Sipas mendimit tim (pa hyrë në shkencat e filozofisë ky dhe ai tha…) , këta janë idhuj artificialë si në kohën prehistorike, të ngjyrosur sot nga dekori deklamativ i pompuar nga pasioni partiak.  Ata nuk vijnë si krijues, si konstitucionalistë, si njohës shteti, por nga një korrent i intoksikuar nga propaganda e rremë e partisë, dhe prej këtyre humbësve të ngjyrosur, populli shqiptar  do të ketë vetëm humbje.

Një popull i vogël me një varrezë të madhe partish është i destinuar të rrijë në vendnumëro ose të ripërsërisë krizat sepse psikologjia e idhullit kulmon tek uni dhe jo esenca e debatit konstruktiv brenda shoqërisë. Ne  shohim që dashuria ndaj vetvetes braktis kufijt e arsyes duke i anashkaluar kërkesat kolektive. Fatkeqësisht, kjo lloj  psikologjie sjell krizat.

Le të ndalemi për një minut, tek themeluesit e panumërt të partive në Shqipëri, të gjitha janë pjellë e dy partive nëna. Ata ikin porsa nëna ua ndërpret gjirin, bëjnë  kopenë e tyre duke i vendosur një emër grishës dhe e lëshojnë në kullotat ende të paplaçkitura për të vjedhur atë gjelbërim që ka mbetur! Të babëzitur e të pafrenuar në instiktet e tyre kafshërore ata nuk mund të krahasohen dot as më shpirtlartësinë e kafshëve të egra që pasi ngopen me prenë e tyre, e ndajnë tepricën me gjahtarët inferiorë sikur të duan të shprehin se e respektojnë kodin minimal të ligjeve të jetës tokësore: jeto por jepu mundësinë dhe të tjerëve që të jetojnë.

Ka ardhur koha për një Ubermensch… jo si ai i Nietzches anti-Krisht, por një mbinjeri  që ngjall shpresën dhe shëron plagët e atdheut .

Mjaft më me  trazicionin e stërzgjatur dhe idhujt e rremë…, le ta promovojmë një lidership të ri modern, një politikan që ka shkëlqyer në portofole të ndryshme, por që nuk ka pasur shans asnjëherë të jetë në krye të punëve të shtetit. Ai po shpalos një program realist dhe vital për ringritjen e Shqipërisë. Sjellja perëndimore e tij dëshmohet në kushtin e parë të kontratës që u ka parashtruar shqiptarëve: “Më provoni, nëse nuk e mbaj fjalën nuk dua mandat të dytë, nuk do kandidoj më”! Kjo tregon se ai e ka matur veten me metrin e kohës dhe  di çfarë duhet ndryshur për të ecur përpara. Vota ime dhe e miqve të mi do të jetë për të edhe sepse demokracia e kërkon domosdoshmërisht rikthimin e opozitës në pushtet, për t’i hapur rrugë zgjidhjes së krizave dhe ngërçeve të shumta politike. Jemi të bindur se Lulëzim Basha, nuk synon ta shndërrojë liderishipin e tij në objekt idhujtarimi. Por zgjedhjet që të na japin rezultatin që dëshirojmë duhen zhvilluar në atë frymë demokratike perëndimore të diskutimit dhe aprovimit në masë të gjerë të kontratës qeverisëse për vitet e ardhshme.

Vetëm kontrata e popullit me burrat e dheut do të mund të shërojë plagët e shoqërisë sonë dhe të çelë një perspektivë të re.

Filed Under: Opinion Tagged With: alfons Grishaj, dhe jo, Lider, më idhull

XHEVAT KALLAJXHIU- EDITOR I “DIELLIT”,NË NJË KOHË TË VËSHTIRË HISTORIKE

February 16, 2021 by dgreca

 Xhevat Kallajxhiu  Punoi për tre dekada  në redaksinë e seksionit shqip pranë  Zërit të Amerikës.  Pasi doli në pension, për 10-të vjet ishte editor i gazetës Dielli./

–Kallajxhiu u angazha në veprimtarinë e Vatrës dhe drejtimin e  Diellit në një kohë mjaftë të ndërlikuar. Ndikimi politik i regjimeve komuniste  të Tiranës dhe Beogradit (në dy mënyra të ndryshme ), para se Kallajxhiu të fillonte detyrën e editorit të Diellit, ishte shumë i thell në komunitetet shqiptare, këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai lloj ndikimi infektues i të dy regjimeve në fjalë,  i cili kishte mbjellur urrejtje të thell midis nesh, natyrisht kishte depërtuar edhe në radhët e Vatrës./

NGA IDRIZ LAMAJ/

Xhevat Kallajxhiu ishte gazetar, studiues dhe shkrimtar i njohur në tri periudha të ndryshme historike të Shqipërisë; në kohën e Shqipërisë së lirë, gjatë pushtimit fashistë të atdheut, dhe në mërgimin e tij të gjatë. Punoi për tre dekada  në redaksinë e seksionit shqip pranë  Zërit të Amerikës.  Pasi doli në pension, për 10-të vjet ishte editor i gazetës Dielli.

          Ai  ndrroi jetë në megrim në moshën 86 vjeçare. Në një shkrim të shkurtë nekrologjik të botuar në gazetën e njohur amerikane, THE WASHNGTON POST, tre ditë pas vdekjes së tij, jepet ky shenim:

          “…Xhevat Kallajxhiu ndrroi jetë me 6 Nëntor 1989 në spitalin Southern  Marylan Hospital Center në moshën 86 vjeçare.  Zoti Kallajxhiu jetoi në Forestville të shtetit Maryland dhe kishte lindur në Shqipëri.  Ai ishte gazetar dhe redaktor para dhe gjatë luftës dytë botërore. Në vitin 1949 emigroi në Shtete të Bashkuara të Amerikës, pasi kaloi pesë vjet nëpër kampet e refugjatëve në Itali.  Ai  për disa kohë punoi në New York si lavapjatës, para se të bëhej lexues (speaker) i lajmeve në Radion “Europa e Lirë”. Në vitin 1954 u transferua në Washington ku punoi për  “Zërin Amerikës” deri sa  doli në pension,  në vititn 1973…”.  Shenimi i gazetës THE WASHINGTON POST  mbështetet në të dhënat e dokumentave të tij shtetrore amerikane.

          Xhevat Kallajxhiu mori në dorë drejtimin e gazetës Dielli, tre vjet pasi doli në pension, në vitin 1976. Po të shikohet me vemendje ajo përiudhë, Kallajxhiu u angazha në veprimtarinë e Vatrës dhe drejtimin e  Diellit në një kohë mjaftë të ndërlikuar. Ndikimi politik i regjimeve komuniste  të Tiranës dhe Beogradit (në dy mënyra të ndryshme ), para se Kallajxhiu të fillonte detyrën e editorit të Diellit, ishte shumë i thell në komunitetet shqiptare, këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai lloj ndikimi infektues i të dy regjimeve në fjalë,  i cili kishte mbjellur urrejtje të thell midis nesh, natyrisht kishte depërtuar edhe në radhët e Vatrës.  

          Ky shkrim i mbështetur në korresponencën e Kallajxhiut dhe disa miqëve të tij, në shumë shkrime të Diellit dhe në shfletimin e një deng faqesh të Dosjeve të Sigurimit, synon pasqyrimin e gjendjes së vështirë të drejtimit të Diellit nga  Kalljaxhiu. Sipas korrespondencës, Kallajxhiu s’parit ndeshet me reagimet e ashpra nga intelektualët e mërgatës politike. Dr. Hamdi Oruçi i shkruan këtë letër me 10 Shkurt, 1977:

          I ndereshmi z. Kalljaxhi,

          Nuk pajtohem aspak me mendimet e jueja të shfaquna në letrën e juej të Shkurtit 1977. E qoftë i lavduem Zoti se kemi ende ndonji vend tjetër ku mund të botojmë “materialin” që “Dielli” i djeshëm dhe i sotëm nuk i botojnë.

          E kuptoj drejtimin që doni t’i jepni fletores “Dielli” – pa dritë. Shkrimet e IDRIZ LAMAJT  mbi Kaleshin klasifikohen “të kaluara dhe jo aktuale”, ato të FEKEÇIT, “nuk kuptohen nga ana e lexonjësëve të “Diellit”, ato të Mahmud Cungut nuk mund të botohen pa i ndryshuar se ashtu e do puna”, ato të Alarupit  janë të gjata dhe nuk kemi vend, ato të tjerëve, me bazë kulturore nuk merren parasysh. Pikërishtë edhe ato punime të mija të vogla nuk mund të botohen pa ndryshime, dhe mund të botohen në katër pjesë pa komente. Dmth., hiqi mendimet e paraqitë skeletin. Ashtu i do mushka…drute e kali ushqimet.  Lopa nuk i han fjalët e diktatorit gjinokastrit ‘faqezi’ për “Kosovën”, që ai e si shumë të tjerë vetëm llomotitin por nuk e kuptojnë as Kosovën e as kosovarët, bile tallen me atë dhe ata, pikrishtë siç nuk kuptojnë arbreshtë  e Italisë  por  duen ‘me pasion’ arbreshët e Amerikës, fjalët e faqeziut Diktator Gjinokastrit  nuk tingllojnë mirë sepse mund të gudulisin  të kaluemen  që nuk asht e bardhë, siç asht i shkreti NEXHAT PESHKËPIA:

          Dr. Hamdi Oruçi ishte mik i Kallajxhiut, antar i shquar i Vatrës, kontribues i veçantë i Diellit dhe studiues i njohur.

          Letra e Dr. Oruçit nuk mud të shikohet vetëm si mendim i tij personal. Shumë intelektual të mërgatës politike ishin zemruar me Kallajxhiun. Sipas tyre, jo vetëm për zbutjen e  qendrimeve të tij ndaj regjimit komunist në Shqipëri dhe mënyrën e trajtimit të çështjes të Kosovës në gazetën Dielli, por edhe për menjanimin  e shkrimeve të intelektualve të mërgatës politike. Ata nuk reagonin me polemika në shtypin e mërgatës, por e kritikonin ashpër me anë të korespondencës. Përjashtim të veçantë bëri Bilal Xhaferi,  i cili  polemizoi me Diellin  në Krahun e Shqiponjes,  me shkrimin: “SHUMË PO NDRITË  E PAK PO NXE”

          Pas ndërhyrjes time për uljen e tensionit kundër Diellit,  Bilali më dërgoi një letër të gjatë, në të cilën shkruan:

          “… Ne të dy kemi një gjë të përbashkët me njëri-tjetrin dhe me mijëra bashkë-atdhetarë të tjerë në mërgim, që luftojnë për idealet kombëtare; kjo botë e madhe e lirë, na ka kushtuar shtrenjtë, por nuk na ka thyer dot shpirtin për të luftuar gjeri në fund…”  Disa paragrafe të kësaj letre, ai i përdoroi më vonë në një shkrim tjetër, i cili nuk ka të bëjë me Diellin dhe me Vatrën. (Bilal Xhaferi, Krahu i shqiponjës, janar, 1978)”. 

          Nëpër faqet e dhjetra letrave të Kallajxhiut, dërguar miqëve të tij:  Rexhep Krasnqit, Hamdi Oruçit, Hasan Dostit, Zef Nekajt, Petraq Vuçanit, Nesti Andreas, etj. shihet edhe humori i tij thumbues ndaj kohës: Ç’jemi katandisur në të….

Në maj të vitit 1977, ai botoi në Dielli një shenim shumë të shkurtë rreth poezive të mija të  përkthyera në italishtë  nga Nermin Vlora. Në qershor të atij viti me shkruan në një letër: Kam ra në hall, nuk dij ç’të bëjë? Një mik  i përbashkët më shkroi: Ç’farë poeti është ai ? Kur t’i kthej përgjegjen do t’i  shkruaj: Nermini nuk dinë mirë italishten…  Me 6 Janar 1978 më dërgoi  këtë  kartolinë urimi për Vitin e Ri:  

          I dashuri z. Lamaj,

          Më ndjeni që po i përgjigjem me vonesë letrës suaj të 18 Dhjetorit. Kam qenë shumë i zënë me punë. Edhe mua me erdhi keq që nuk munda t’ju shihja gjatë  në Festën e Flamurit. Në reportazhin mbi Kremtimet në New York, që do të bëhet në numërin e Janarit 1979 të Diellit, bëj fjalë për Vatrën, Legalitetin dhe Komitetin (është fjala Komitetin “Shqipëria e Lirë”- IL).

          Edhe mua nuk me pëlqejnë polemikat dhe qëndroj larg dhe faji është i dyanshëm, sepse po të hedhësh, duhet edhe të preç, bile më rënd.

          Çështjen  e konfliktit kufitar  shqiptaro-grek e kam mbyllur dhe s’do të bëj më fjalë. Prandaj edhe shenimet që më keni dërguar ju, do ti ruaj me një anë, nuk do ti përdorë tashi. Por nëse keni diçka ekskluzive mbi Çamërinë, të lutëm m’i dërgoni. Tani për tani kam nevoj për një recension për të dy veprat e fundit të Prof. Martin Camajt. Nesti Andrea me tha se ju jeni i vetmi që mund të shkruani me kompetencë për këtë dhe se i keni lexuar veprat e tij, dhe i keni pëqyer.

          A ka mundësi pra që të bëni një recension mbi këto dy vepra. Do të më bëni një nder të madhe, edhe nëse ato i botoni më vonë në ndonjë vend tjetër. Dielli duhet të jetë i pari, mos ma merrni për të madhe.

          Në këtë rast ju bëj urimet më të mira për Vitin e Ri,  qoftë i mbarë për të gjithë ju! Xhevat Kallajxhiu.

          Korrespondenca e Kallajxhiut, sipas disa letrave dërguar H. Oruçit dhe R. Krasniqit, është pasyrim i sinqertë dhe real i  kohës kur drejtonte Diellin.  Ai i shkruan Krasniqit me 12 Dhjetor, 1978: “… Në qoftë se nuk kemi kujdes Vatra ndahet. Krahu jonë ka më pak se 100 antarë. Ne nuk kemi mundësi të  sigurojmë  botimin e Diellit. Nese bëjm këtë, pala tjetër del fituese, ata gjejnë përkrahje për botimin e gazetës…”

          Po të shikohen me kujdes Dosjet e Sigurimit  gjatë kohës që ai ishte drejtues i Diellit, shihet qartë se përcillej secila veprimtari e tij, e lëre më shkrimet që botonte në Dielli. Të gjitha bisedat dhe raportet e punës të Vatërs përfundonin  në zyrën e misionit të Shqipërisë pranë OKB-së. Për shembull:

          “Gjatë punimeve të Kuvendit, Harri Stoja, me cilësinë e kryetarit të organizatës, u shpreh qartazi se “Vatra” nuk duhet të mbaj qendrim armiqësorë ndaj Shqipërisë, duhet të afrohet më shumë me Shqipërinë, qellimi i “Vatrës” të mos jetë përmbysja e regjimit në fuqi në Shqipëri.” (GJENDJA NË ORGANIZATËN “VATRA”, TIRANË –  6, 27,  1985,  DOSJA – 334734).

          Gjatë atyre viteve, Kallaxhiu ballafaqohet edhe me një sfidë tjetër shumë të ndërlikuar; me ndikimin e thellë të politikës jugosllave mbrënda komunitetve shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Konsullata e Jugosllavisë në New York kishte kërkuar një takim me udhëheqësit e Vatrës dhe ata kishin shkuar në zyrën e konsullatës, ku kishte marrë pjesë edhe Kallajxhiu. Pas takimit, “një miku i tij” e kritikon ashpër Editorin e Diellit. Kllajxhiu i përgjigjet me një letër private, si për çudi letra  përfundon në Dosjet e Sigurimit të Shqipërisë. Paragraf i letrës tij:

          “… Neve vamë të Osman Gashi sepse na ftoj. Neve nuk  kemi frik të vemi edhe te Titua – , edhe tek të tjerët kur është puna për të mbrojtur Shqipërinë etnike. Këtë dua ta dini tani e përherë. Unë jam 70 – të e ca vjeç dhe e mora drejtimin e Diellit që ti sherbej atdheut e jo të mbyll ditët me turp. Unë nuk kam  nevojë për para, sepse nuk kam nevojë përse të jetoj më. Unë nuk kam nevoj të bëhëm president as mbret i Shqipërisë, sepse unë e hëngra timen…”.

          Osman Gashi ishte përfaqësues i konsullatës Jugosllave në New York. Në raportin e stërholluar të vizitës, i cili gjindet në Dosjet e Sigurimit, shihen edhe reagimet e Kallajxhiut kundër disa “kolegëve” të tij vatranë. Pas demontratave të përgjakshme në Kosovë, në vitin 1981,  ashpërsohet qendrimi i Vatrës kundër regjimit jugosllav. Editori përforcon fushatën e formës  nacionaliste të mërgatës politike në gazetën Diellit. 

           Ikonën e gazetarisë tonë në mërgim,  gjatë sherbimit 10 vjeçarë si Editor i Diellit, Dr. Elez Biberaj e vlerëson në këtë mënyrë:  

          “… Pas një karriere të shquar prej tre dekadash në Zërin e Amerikës, zoti Kallajxhi u bë  redaktor i Diellit, post në të cilin shërbeu nga viti 1976  deri në vitin  1986. Ai e ringjalli Diellin , rriti standardet gazetareske, zgjeroi fushatë e mbulimit dhe u përqendrua veçanerisht në sfidat me të cilat ndeshej diaspora, Shqipëria, Kosova dhe Çamëria…” (Dr. Elez Biberaj: Kumtesë e me rastin e 110 vjetorit të temelimit të gazetës “Dielli”).

          Xhevat Kallajxhiu në megrim përjetoi grindje të thella dhe polemika të ashpra  midis shokëve të tij të ngushtë në éliten e Ballit Kombëtar. Gjatë përiudhës 10 vjeçare në sherbim të Diellit, ai u ballafaqua me intriga, presione dhe prapaskena të kohës. Si rrall kush, të gjitha i përballoi me durim stoik dhe karakter të hekurtë prej atdhetari klasik. Bëri jetë të thjeshtë familjare dhe ishte mikpritës në shtëpi. Asnjëherë nuk e lëshoi penën nga dora.

          50 vjetët e fundit kam pas fatin të njihem përsonalishtë, të shkembej letra dhe bashkëpunoj me EDITORËT e DIELLIT: Athans Gegaj, Refat Gurrazezi, Qerim Panariti, Xhevat Kallajxhiu, Bilal Xhaferi dhe Llazo Vishnja (ndihmës editor),  Arshi Pipa, Anton Çefa dhe Dalip Greca. Dëshmi janë faqet e Diellit me shkrime të ndryshme, të  nënshkruara me emër, pseudonime, dhe shpesh herë vetëm me dy shkronja – IL. Me këtë shkrim të thjeshtë në kujtim të Xhevat Kallajxhiut me rastin e  112 Vjetorit të Lindjes Diellit, në shenjë respekti të veçantë për penën e tij të palodhshme, përshendes z. Dalip Greca, i cili, si të gjithë EDITORËT tjerë, është ballafaquar dhe ballafaqohet me sfidat e kohës; DIELLI SOT NDRITË DHE NXE !

Filed Under: Opinion Tagged With: Idriz Lamaj, Xhevat Kallajxhiu

ELMI BERISHA: GAZETA “DIELLI”, URIME DITËLINDJA E 112-TË!

February 15, 2021 by dgreca

“Dielli”, gazeta më e vjetër në botën shqiptare feston 112 vjetorin e themelimit të saj. Sot është një ditë gëzimi e krenarie për Vatrën, vatranët e çdo shqiptar. “Dielli” i Vatrës, “Dielli” i botës shqiptare, “Dielli” i diasporës, “Dielli” i kombit shqiptar vazhdon të ndriçojë, shkëlqeje e vezullojë edhe në shekullin e dytë të themelimit të tij. Ditëlindja e gazetës Dielli përbën gjithmonë një ngjarje kulminante mediatike, kulturore, historike, patriotike e politike në diasporën shqiptare të Amerikës e më gjërë. Në këtë ditë të shënuar për “Dielli”-n tonë të bukur e të shtrenjtë, nga zemra ju shpreh mirënjohjen time më të thellë: analistëve, studiuesve, gazetarëve, historianëve, politikanëve e veprimtarëve kombëtar që nuk kursejnë asgjë për të ndihmuar “Dielli”-n me eksperiencën dhe ekspertizën e tyre të vyer. “Dielli” erdhi si nevojë shpirtërore, informuese, kulturore dhe patriotike për shqiptarët e Amerikës duke vazhduar pa u ndalur në misionin e tij të shenjtë patriotik. Sot “Dielli” është kthyer në një ndër mediat më të nderuara dhe serioze në botën shqiptare. “Dielli” sot është një emër potent në botën e komunikimit dhe informimit masiv. Me veprimtarinë atdhetare, “Dielli” është kthyer në një monument historik, një memorie e çmuar kombëtare, një dritë e pashuar në qiellin e kaltër të shqiptarisë. “Dielli” ka vlera të pazëvëndësueshme në historinë e kombit tonë pasi ishte shkolla e parë e shqiptarëve të Amerikës për të mësuar shkrim e këndim dhe Abetarja për mësimin e Atdhetarizmit. Në këtë ditë speciale për “Dielli”-n përkujtojmë, shprehim falenderim, mirënjohje e konsideratën më të veçantë editorëve të “Dielli”-t ndër vite duke filluar nga: Fan S Noli, Faik Konica, Efthim Natsi, Kristo Dako, Kostë Çekrezi, Kristo Floqi, Loni Kristo, Andrea D. Elia, Bahri Omari, Aqile Tasi, Andon Frasheri, Refat Gurrazezi, Nelo Drizari, Petër Tiko, Qerim Panariti, Peter Prifti, Dr.Athanas Gegaj, Bilal Xhaferri, Xhevat Kalljaxhiu, Dr.Eduard Liçaj, Din Derti, Prof. Arshi Pipa, Anton Çefa e deri te Dalip Greca. Mirënjohës kurdoherë dhe i përulur me nderim si unë, çdo vatran e çdo shqiptar përpara kontributit tuaj të vyer e punës së jashtëzakonshme që është gdhendur në historinë e mrekullueshme të kombit tonë. Në këtë ditëlindje të veçantë për gazetën “Dielli” kam një thirrje të hapur për të gjithë vatranët, për shqiptarët e Amerikës dhe për çdo shqiptar kudo në botë që të kontribuojë në mbajtjen gjallë të kësaj gazete, këtij pishtari të pashuar atdhedashurie dhe kësaj pasurie të çmuar historike, mediatike, kulturore dhe patriotike. Kontributi për “Dielli”-n është kontribut për atdheun, për kombin tonë. Gëzuar përherë “Dielli” ynë. Shkëlqefsh e ndriçofsh në shekuj të shekujve.

Mirënjohës

Kryetari i VATRËS

 Elmi BERISHA

New York, 15 Shkurt 2021

Filed Under: Opinion Tagged With: Elmi Berisha, Urime 112 vjetori

Avdullah Hoti: Marr përgjegjësinë e plotë për rezultatin e LDK-së

February 14, 2021 by dgreca

Kandidati për kryeministër i Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherë kryeministër në detyrë Avdullah Hoti, tha se Kosova ka përmbyllur një proces të rregullt zgjedhor.

Sipas tij, kjo tregon për kulturën demokratike që është vendosur në procese zgjedhore, që siç thotë Hoti, është përmbushje e standardeve evropiane. 

Ai thotë se pret që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të përmbyllë sa më parë procesin e numërimit të votave dhe certifikimit të rezultateve, që t’i hapet rrugë themelimit të institucioneve të reja të vendit. 

Qeveria në detyrë, shtoi Hoti, do të kujdeset për mbarëvajtjen e punëve deri në zgjedhjen e qeverisë së re nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. 

“Rezultatet preliminare janë krejt tjera prej atyre që kemi pritur. Prandaj, unë e marrë përgjegjësinë e plotë për këtë rezultat zgjedhor të LDK-së. Në ditët në vijim do të diskutojmë gjerësisht me organet e LDK-së për këtë. Në emër të LDK-së ne do të jemi mbrojtës të pa kompromis të demokracisë dhe të orientimit properëndimor, duke qenë opozitë konstruktive në interes të shtetit të Kosovës”, tha Hoti. 

Rezultatet preliminare: Prin Lëvizja Vetëvendosje

Ndërkohë, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa në një postim në Facebook, ka shkruar se në ditët në vijim, do të bëjnë një analizë të thellë të zgjedhjeve. 

“Z. Hoti ka bërë një punë të shkëlqyeshme si kryeministër, por edhe gjatë fushatës. Çfarëdo të jetë, LDK e respekton rezultatin e zgjedhjeve”, ka shkruar Mustafa.

Nga rezultate e deritanishme preliminare që po publikohen në ueb-faqen e KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje po prin me vota.

Rezultatet preliminare nuk përfshijnë votat me kusht, votat me postë edhe votat e personave me nevoja të veçanta.

Dalja në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit ishte 47 për qind.

Në këto zgjedhje të drejtë vote kanë pasur mbi 1.7 milion qytetarë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Avdullah Hoti, Merr pergjegjesine, Rezultati I LDK

90 -VJETORI I RADIO VATIKANIT

February 13, 2021 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Të premten që kaloi me datë 12 shkurt 2021 u shënua 90-vjetori i themelimit të radio Vatikanit. 90-vjet më parë, Papa Piu i XI kishte përshëndetur punonjësit e kësaj radioje duke i falenderuar ata për, “Punën tuaj që arrin deri në vendet më të humbura. Ecni përpara me guxim dhe krijimtari kur i flisni botës.”  Ndërsa të premten, sipas radio Vatikanit, Papa aktual Françesku, duke përshëndetur në këtë përvjetor radio gazetarët, redaktorët dhe punonjësit e tjerë të kësaj radioje botërore, duke pasqyruar pikëpamjet e tija në lidhje me lirinë e medias dhe të fjalës së lirë, u bëri thirrje atyre që me punën e tyre të raportojnë të vërtetën dhe të ndërtojnë “të ardhmen me krijimtari”.

“Faleminderit për punën tuaj. Faleminderit për dashurinë që keni për të. Radio ka këtë gjë të bukur, që e çon fjalën edhe në vendet më të largëta. E sot e ndërthur edhe me pamje e me shkrime. Ecni përpara me guxim dhe krijimtari, duke i folur botës e duke ndërtuar kështu, një komunikim të aftë, që të na bëjë të shohim të vërtetën e gjërave”, është shprehur Papa Françesku në 90-vjetorin e radio Vatikanit, që njihet botërisht edhe si Zëri i Papës dhe i Kishës Katolike. 

Më kujtohej kur isha pranë Zërit të Amerikës në vitet e luftës së ftohtë dhe më vonë, se ekspertët e audiencave të radiove ndërkombëtare e konsideronin radio Vatikanin si njërën prej 5-6 radiove më me influencë dhe ndër më të dëgjuarat, sidomos në vendet ish-komuniste të Evropës Lindore dhe Qendrore e që transmetonte në dyzina gjuhësh të huaja. Si të tillë, e konsideronim edhe si konkurrente me programet tona të Zërit të Amerikës, veçanërisht për programet drejtuar disa vendeve ish-komuniste me popullsi dërrmuese katolike, siç ishte Polonia. 

Radio Vatikani ka një staf prej rreth 350 punonjësish të cilët transmetojnë në 41 gjuhët më të njohura të botës dhe jo aq të njohura, përfshirë gjuhën shqipe. Transmetimi i parë i radio Vatikanit në gjuhën shqipe shënon datën 3 tetor, 1951. Për drejtimin e programit të ri u thirr meshtari shqiptar në mërgim, Monsinjor, Zef Shestani.  Zëri i tij u dëgjua në valët e Radios së Papës më 3 tetor 1951, në orën 21, kur nisi transmetimi i parë i programit. Më vonë, Don Shestani thirri pranë tij si bashkëpunëtorë, Zef Palin, Andrea Shulin, motrën engjëllore, Luçia Laca dhe, si bashkëpunëtorë të jashtëm, Atë Danjel Gjeçajn, emëruar nga Selia e Shenjtë “Përfaqësues shpirtëror i shqiptarëve katolikë të mërguar”.

Pesë vjetë më parë, me rastin e 55-vjetorit të transmetimeve shqip të radio Vatikanit, si një prej programeve më të vogla për nga transmetimet dhe për nga stafi, thuhej se “Duke qenë përherë një nga gjymtyrët më të ligështa të Radios së Papës, e kemi ndjerë veten të rrethuar më shumë se të gjitha programet e tjera me atë kujdes që tregojnë prindërit për fëmijën e vogël. Kemi pasur e kemi gjithnjë pranë, Atin e Shenjtë, që nuk ka munguar ta mobilizojë Kishën universale në ndihmë të Shqipërisë si dhe të ndërmjetësojë vazhdimisht pranë bashkësisë ndërkombëtare për fatet e vendit të shqiponjave kemi ndjerë përherë praninë e Selisë së Shenjtë.”

Emisioni i parë në gjuhën shqipe i Radio Vatikanit drejtohej nga Don Zef Shestani

Thuhej gjithashtu se Shqipëria, Kosova e të gjitha trevat Shqiptare kanë qenë gjithnjë në zemrën e vëmendjen e papëve të Romës, ndërkohë që ne e kemi dhënë dëshminë tonë përmes fjalëve të transmetuara ditë për ditë me mjetin e brishtë, por të fuqishëm, të valëve të radios, i vetmi që as regjimi më i ashpër komunist nuk mundi t’a bllokonte plotësisht. Natyrisht, radio Vatikani në gjuhën shqipe shprehet krenare që mundi ta bëjë këtë shërbim në vitet më të errëta të historisë së Shqipërisë, kur vendi qe deklaruar zyrtarisht si i vetmi “shtet ateist” në botë. Por e njëjta radio dëshiron të vijojë ta shoqërojë ecjen e shqiptarëve në këtë epokë të re, në të cilën e vetmja paqe në liri, paqja politike e brëndshme e ndërkombëtare, paqja shoqërore e mbi të gjitha paqësimi i zemrave është ende detyrë që qëndron para nesh, thuhej në deklaratën e emisionit shqip të radio Vatikanit me rastin e 85-vjetorit të saj, pesë vite më pare. Radio Vatikani e realizoi këtë mision edhe gjatë krizës së Kosovës dhe angazhohen se do të bëjnë një gjë të tillë çdo ditë, duke u frymëzuar nga mësimet e Papës, në bashkim të thellë shpirtëror me Kishën katolike të pranishme në viset e gjuhës shqipe e me të gjithë burrat e gratë, veprimtarë e ndërtuesë të paqes. Në kohën kur regjimi komunist Enver Hoxhës bëri çmos të mbyllte çdo gojë që fliste në emër të Zotit, kur u rrokullisën kumbonët nga kumbonaret e heshtën uratët në Kishat e shkallmuara, zëri i radio Vatikanit vijonte të niste mesazhe përtej perdes së hekurt, përtej Adriatikut anë e mbanë trojeve shqiptare. U çonte shqiptarëve mesazhet e Atit të Shenjtë, mesazhe ngushëllimi e durimi, qëndrueshmërie e ngrohtësie vëllazërore, shprese e paqeje.

Telat me gjemba që ndanin Shqipërinë nga bota, nuk munden ta ndalonin këtë zë shprese të hynte në shtëpitë e atyre që besonin e shpresonin në Zot. Selia e Shenjtë nuk i kishte harruar bijtë e vet të masakruar. Në fillimet e veta, programi i radio Vatikanit në gjuhën shqipe transmetonte tri herë në javë.  Pastaj transmetimi u bë i përditshëm.Fillimisht, tematika ishte vetëm liturgjiko-kishtare, por më më vonë u pasurua, duke përfshirë dokumentet më të rëndësishme të papës, veprimtaritë dhe vizitat e Atit Shenjtë, për të vijuar me veprimtaritë e Kishës katolike në trevat Shqiptare e në botë, problemet e rëndësishme të etikës, të shoqërisë, të kulturës, letërsisë e artit, parë gjithnjë në këndvështrimin ungjillor. Në fillim rrethi i bashkëpunëtorëve vijonte të ishte tepër i ngushtë. Radioja fliste. Por ishte një monolog i gjatë. Një monolog i dhimbshëm, më se 40 vjeçar. Asnjë përgjigje nga dëgjuesit. Asnjë zë nuk dëgjohej përtej telave me gjemba. Zërat shqiptarë të radio Vatikanit flisnin me maturi, me kujdes të madh. Një fjalë e papeshuar mirë, përtej perdes së hekurt mund të shkaktonte një valë të re martirizimi. Po, lavdi Zotit, erdhi dita e ëndërruar. Diktatura u shemb dhe filloi bashkëbisedimi me dëgjuesit. Deri në vitin 1988 programin në hjuhën shqipe e drejtoi Monsinjor Zef Shestani. Pas këtij viti ai u largua nga mikrofoni për arsye moshe e sëmundjeje, duke e lënë drejtimin në duart e Gjon Gjomarkajt. Gjomarkaj vijoi ta drejtonte programin shqip deri në daljen e tij në pension, në vjeshtën e vitit 1992. Që nga kjo kohë, programi i gjuhës shqipe pranë radio Vatikanit e drejton aktualisht prifti nga Kosova, don David Gjugja. Në redaksi punojnë Katerina Nushi nga Prizreni, Ana Luka nga Shkodra dhe Klaudia Bumçi nga Tirana dhe një numër i konsiderueshëm bashkpuntorësh nga të gjitha trevat shqiptare në Ballkanin Perëndimor. 

*Bazuar kryesisht në burime të radio Vatikanit

          Kardinali shqiptar Ernest Simon Troshani me Don David Gjugjën, përgjegjës i radio Vatikanit në gjuhën shqipe

Filed Under: Opinion Tagged With: 90 -VJETORI I RADIO VATIKANIT, Frank shkreli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 288
  • 289
  • 290
  • 291
  • 292
  • …
  • 859
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT