• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

EDITORËT E DIELLIT NË 110 VITE HISTORI

May 1, 2023 by s p

Idriz Lamaj/

Folësit e mëparëshëm pasqyruan në detaje vlerat atdhetare dhe profesioniste të të ndjerit Dalip Greca, i cili pa dyshim do nxënë një vend të veçantë në historinë e Federatës Vatra, si editor i gazetës Dielli. Me fjalimet dhe kumtesat, me rastin e promovimit të dy veprave të tij, të botuara nga Vatra: EDITORËT E DIELLIT NË 110 VITE HISTORI dhe EDITORIALËT, e ndiejmë të gjithë vetën të nderuar.

Këtu do sjell dy-tre mendime personale, kush ishte Dalip Greca dhe si arriti këtë nderim dhe respektim të veçantë në rrethet e gjëra të vatranëve dhe të shqiptarëve të Amerikës. Dalipi kur erdhi në Shtetet e Bashkuara, ishte i njohur në Shqipëri si gazetar dhe përcjellës i shkathët i gjëndjes politike në atdhe, dmth, ai mori Diellin në dorë duke qenë i sigurt në qendrimet e tij atdhetare dhe intelektuale të pa lëkundshme. Të gjithë e dimë sa vështirë është me mbajt qendrim të pa lëkundur në shkrime, në kohë të ndryshimeve politike nga një sistem i egër komunist në një lloj demokracie të shthurur.

Sipas mendimit tim, Dalipi erdhi në këtë shkallë të lartë të respektit në sajë të ndershmërisë së trashëguar tradicionale familjare, të urtësisë dhe të solidaritetit të familjes Greca, dhe nga edukimi i tij shkollor që nga fëminia, si nxënës dhe student i shkelqyer. Në sajë të solidaritetit të tij familjar, ai emigroi këtu, solli familjen, dhe menjëherë familja e tij iu adaptua emigrimit me punë, edukim dhe mirësjellje si në rrethin familjar ashtu dhe në komunitetin tonë. Në sajë të këtij faktori, Dalipit i jepet mundësia ti përkushtojë veten Diellit dhe Vatrës. Ai prej ditëve të para në këtë vend, filloi të shkruante në gazetën Ilyria për historinë e shqiptarëve të Amerikës. Ndërsa, angazhimi i Dalipit për studimin e detajshëm të jetës dhe veprimtarisë të editorëve të Diellit, erdhi si brengë për harresën e kolegëve të tij në kohën që sot e quajmë moderne. Po të lexohen me kujdes faqet e studimit të tij për EDITORËT e DIELLIT, Dalipi e kthen lexuesin në vitet, vështirësitë dhe sakrificat e tyre, për krijimin dhe mbajtën gjallë të Vatrës dhe të Diellit. Lexuesi i sotëm i këtij libri, jo vetëm që njihet në hollësi me jetën dhe veprimtarinë e EDITORËVE të DIELLIT NË 110 VITE HISTORI, por njihet në hollësi edhe me të gjitha zhvillimet historike në trojet tona në Ballkan, dhe natyrisht këtu në Amerikë. Njihet me varfërinë, vuajtjet dhe sukseset tona kombëtare. Në secilin shkrim të tij gjenden paragrafe, fjali dhe copa shkrimesh të editorëve të Diellit, perla tërheqëse ndjenjash atdhetare, që lexuesin e kthejnë në kohën e tyre dhe e bëjnë krenar me kolegët e tij, me editorët e Diellit 114 vjetësh të vjetër. Me gjurmimin në imtësi të studimit të vet në jetën dhe veprimtarinë e editorëve të Diellit, ai thellohej për herë e më shumë në historinë reale të Vatrës dhe kohëve historike saj. Në këto studime pasqyrohehen valët e jetës së Diellit dhe të Vatrës, dhe të mërgimtarëve tonë të stabilizuar në këtë vend me vështirësi të pashpjegueshme.

Për botimin e këtij libri që mban në mbulesë emrin tim si përgatitës, shprehi falenderim dhe mirënjohje Vatrës, sepse Vatra finacoi botimin e historisë së vet reale. Për përgatitjen e librit: Për rënditjen, redaktimin e shikimin i secilës shkronjë e paragraf, falënderoj simotrën Elizabeta (Greca) Shehu, e cila është këtu midis nesh dhe rrin e heshtur. Urtësia dhe njerzillëku i saj gjatë përgatitjes së librit, shpesh herë më ka përmalluar dhe kthyer në kujtesën time sikur t’isha duke këmbyer mendime me Dalip Grecën, mikun tim të përjetëshëm.

Dalipin e kam pa shpesh herë të mërzitur, të lodhur, të dëshpëruar, ku shprehte vëllazërisht zhgënjimin e tij të gjithanshëm për negativitetin e reklamimeve të sotme përsonale, qoftë në radhët tona këtu në mërgim, qoftë në atdheun tonë etnik. Ai, gjatë bisedës i kalonte dhimbjet dhe streset e tij me shpresë për një të ardhme më të mirë dhe më të sinqertë midis nesh. Dalip Greca, mllefet e tij ndaj këtij negativiteti nuk ka munguar t’i shprehë në gazetën Dielli me një trajtim shumë të matur. Ai ishte i kujdesshëm kur shkruante, ose kur detyrohej të reagonte ndaj kritikave që i bëheshin Vatrës, Diellit, atij apo miqve të tij të ngushtë. Ai kontrollonte veten në mënyrë të çuditshme, por përgjigjen dhe qëndrimin e tij e jepte të qartë. Studimet, analizat dhe të gjitha shkrimet e Dalip Grecës dallohen për forcën e argumentit, kthjelltësinë e mendimit dhe thjeshtësinë e trajtimit.

Filed Under: ESSE Tagged With: Idriz Lamaj, Sokol Paja

AGNIA VASILJEVNA DESNICKAJA ALBANOLOGE DHE LINGUISTE E SHQUAR NDËRKOMBËTARE

April 4, 2023 by s p

Nga Idriz Lamaj

(Botuar në gazetën “Atdheu”, Tetor, 1982 )

Agnia Vasiljevna Desnickaja lindi me 23 gusht të vitit 1912 në Sednjev të krahinës Çërnogovës. Mbasi i mbaroi në vendlindje mësimet fillestare dhe të mesme, filologjinë e gjuhës gjermane e kreu në Istitutin Pedagogjik të A. I. Hercenit në Leningrad. Disertacionin e magjisturës me 1935 dhe atë të doktoratës me 1946 i mbaroi me sukses në Institutin shkencor-hulumtues të gjuhësisë në Universitetin e Leningradit.
Në fillim të veprimtarisë së saj shkencore, Agnia Vasiljevna u muar me çështje të gjermanistikës dhe gjuhësisë krahasuese-historike. Kështu, prodhimtaria serioze në fushën e specializimit të lartëpërmendur, e bëri të njohur emërin e saj, këtu e gjysëm shekullit më parë. Nga kjo fushë vlen të përmendet monografia “Alternimet e zanoreve në gjuhët gjermane”, studimet, “ Foljet kalimtare dhe jo kalimtare në gjuhën e vjetër islandeze”, “ Lidhjet e lashta gjuhësore gjermano-shqiptare shikuar në dritën e çështjeve të gjuhësisë areale indoeuropiane ”.
Qe nga botimi ktij studimi, Vasiljevna u interesua të mësonte në thellësi gjuhën shqipe, sepse, për këtë shkenctare të shquar ndërkombëtare, “faktet e gjuhës shqipe janë të paevituara për të ndriçuar shumë probleme të gramatikës krahasimtare indoieuropiane, të leksikut, të fonetikës dhe të gramatikës së gjuhëve Ballkanike”, etj. Në të njejtën kohë, për Desnickajen “rëndësia e shqipes për studime diakronike qendron se ajo është gjuhë e vetme e Europës Juglindore, e cila nuk e ka ndërprerë linjen e zhvillimit nga njëra prej grupit të gjuhëve Paleo-Ballkanike.”
Vepren e madhe shkencore-hulumtuese ajo e gërshetoi me sukses në veprimtarinë e saj pedagogjike dhe shkencore organizative. Pa ndërprerje mbajti ligjerata dhe botoi nga gjuhsia e përgjithshme dhe indoeuro-pianistika, ballkanistika dhe albanologjia, nëpër institutet e gjuhëve të huaja dhe në tubime akademike ndërkombtare.
Me nismen e saj dhe kërkesën këmbëngulëse, Agnia Desnickaja në vitin 1957 e hapi Seksionin e gjuhës dhe letërsisë shqipe në Universitetin e Leningradit për të cilin seksion edhe sot përkujdeset dhe e udhëheq Degën e Gjuhës Shqipe që është e vetmja qendër në Bashkimin Sovjetik në të cilën përgaditën specialistë të gjuhës shqipe.
Studimet albanistike të Desnickajës lidhen ngusht me kërkesat që bëri në treven shqiptare dhe kontaktet e kembimet e mendimeve me shkencëtarë të njohur shqiptar. Këtu duhet shquar fakti se gjatë marrëdhënieve partiake shtetërore midis Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik, (1949-1960), në krye të disiplinave të ndryshme të studimeve të kulturës tonë kombëtare ishin vu pseudoshkenctar e specialistë të partisë, gjë që rusifikimi i kulturës shqiptare përhapej me shpjetësi në të gjitha fushatë. Gjuhtarë dhe studiues si Eqrem Çabej, Selman Riza i Gjakovës, Mahir Domi, e sa e sa të tjerë ishin menjanuar dhe studimet e tyre kalonin nëpër duartë e cenzurimit partiak.
Në atë periudhë Desnickaja ndodhej në Shqipëri dhe ishte duke dhënë kontributin e saj në organizimin e themelimit të Universitetit Shtetëror të Tiranës. Kjo gjendje e vështirë i ra menjëherë në sy, dhe duke qenë e bindur në mendimet e saj të pa lëkundshme, ndërhyri enerigjikisht pranë autoriteteve të rregjimit dhe të gjithë studiuesit e lartëpërmendur i vuni në krye të punës dhe iu dha mbështetjen e vet të gjithanëshme. Në të vërtetë, vetëm me ardhjen e saj në Shqipëri iu dha rasti Prof. Çabejt dhe Prof. Selman Rizës që të jepnin provimet e thezave të docenturës në lidhje me çështje gjuhësore shqiptare.
Përshtypjet që i lanë studiuesit shqiptar, posaçerisht Prof. Eqrem Çabej, e bën që në secilin vend, Desnickaja nuk mungoi me shqua aftsinë e tyre, ndërsa Prof. Çabejn e cilësoi si shkenctar të kalibrit europian, dhe një prej gjuhtarëve më të mëdhenj dhe më prodhues të Ballkanit.
Gjatë qendrimit dhe vizitave që i bëri Shqipërisë, ajo shfrytëzoi secilën kohë dhe u thellua gjer në përsosmëri në gjuhën shqipe, posaçerisht e tërhoqi thesari i vlerave gjuhësore në trevën e Shqipërisë Veriut, sidomos të Shalës, Shoshit, Nikajve, Mërturit, Malësisë Gjakovës dhe Hasit.
Mbas prishjes së marrëdhënieve politike (përfshirë edhe ajo kulturore dhe ekonomike) midis Tiranës dhe Moskës, Desnickajes iu pren mundësit e vazhdimit të kontakteve direkte qoftë me trevën apo shkenctarët shqiptar. Megjithate, frytet e mbledhura dhe të studiuera me kujdes në lidhje me çeshtjet e gjuhës shqipe në fushën ndërkombëtare ajo i botoi njërën pas tjetrës: “Çështjet e studimeve europiane”, (1956), “Gjuha shqipe dhe dialektetet e sajë”, (1968), “Trajtat mbidialektore të gjuhëve dhe rëndësia e tyre për historinë e gjuhëve” (1970), “Gjuhësia krahasimtare dhe historia e gjuhëve”, etj. etj.
Seria e studimeve të lartëpërmendura dhe sa e sa studime të tjera të thella lidhen drejtë përsëdrejti me albanistiken dhe zanë vend të merituar sepse janë paraqitë me dinjitet të një shkence pa paragjykime politike dhe ideologjike ndaj atdheut dhe popullit shqiptar. Kjo ka rëndësi të veçantë, sepse ato zanë vend të palekundur nga arsyeja e kompetencës së studimit dhe aq më tepër se Desnickaja është e vetmja shkenctare e ritit ortodoks sllav që ka kaluar paragjykimet antishqiptare, që në të vërtetë janë inskenue nga trolli rus dhe janë shpërnda në mënyra çfrenuese dhe propaganduar nga përcjellësit e studimeve, serbe, bullgare, maqedone, malazeze dhe greke.
Desnickaja pohon se gjatë punës kërkimore-shkencore e kanë preokupuar këto sfera të albanistikës: “Dialektologjia, fillimet e formimit të gjuhës shqipe letrare, folklori, çështja e koines folklorike të Veriut; çështjet gramatikore, ajo e sistemit emror, problemet e fonetikës, çështja e prejardhjes së gjuhës shqipe, periodizimi i historisë së gjuhës shqipe, çështja e rindertimit të shqipes së vjetër.” Dhe, thënë të vërtetën, në secilën disiplinë të shquar me lartë ajo ka dhënë kontribut të çmueshëm shkencor.
Duke pas parasysh të gjitha këto studime shkencore si asnjë albanolog tjetëër i racës sllave, nuk duhet të çuditemi kur në Konferencësn Ndërkombëtare të Studimeve të Sllavistikës, të mbajtur në gusht të vitit 1973 në Varshavë, Desnickaja që ishte në krye të delegacionit Sovjetik paraqiti kumtesën me titull: “Mbi lidhjet boshjnjake-shqiptare në laminë e poezisë epike”. Kjo kumtes, pikërisht merret me problemin enigmatik të ciklit të Këngëve të Agallarëve të Jutbinës – Këngët e Mujit dhe të Halilit, në marrëdhënie me këngët serbokroate, boshnjake të Bosnjes dhe Hercegovinës.
Për më tepër se 70-të vjet, cikli i këngëve kreshnike shqiptare, posaçerisht ai mbi Mujin dhe Halilin, që në Parathënien ( e pa nënshkruar ) e vëllimit “Kangë popullore gegnishte” ( Sarajevë – 1911) të Vinçenc Prenushit, e deri në përmbledhjen, “komentimin dhe përkthimin” e “Albanske Junaçke Pesme” të Dr. Dragutin Miqoviqit, botuar me 1982 në Jugosllavi; studiues të huaj janë marrë shpesh me këtë cikël këngësh shqiptare dhe i kanë quajtur të bartura, të përkthyer, bazuar në traditën e këngëve boshnjake muslimane të Bosnjes. Këtë thezë të një anshme e kanë mbajtë gjall sllavistë e studiues të njohur si A. Shmaus, R
Medenica, dhe teori e mbështetur edhe nga prof. Stavro Skendi në studimin e doktoraturës së tij. Dyshim të veçantë ndaj traditës shqiptare të pavarur në Këngët e Kreshnikëve kanë mbajtë edhe A. Lord dhe mjeshtri i tij Prof. Parry, që sigurisht koleksioni i Prof. Lord-it është ndër më të mirët që janë mbledhur nga të huajt.
Ndërkaq, studimi i Agnia Desnickajës, e cila megjithëse pranon ngjashmërinë dhe përputhjen e disa detajeve që ekzistojnë në mes të këngëve kreshnike boshnjake dhe atyre shqiptare, që u kushtohen lidhjeve dhe marrëdhënieve historike gjatë shekujve, në bazë të krahasimeve që bën mes këtyre dy traditave të këngëve kreshnike, pohon se “…dallimet ndërmjet dy traditave epike janë aq të mëdha për nga elementet themelore sa që kjo i bën jo të drejta përfundimet mbi varësinë e njërës nga tjetra, që janë bërë me anën e krahasimit të detajeve. Prejardhja e epikës shqiptare me tërë specifikën e vet nuk mund të trajtohet si përpunim i elementeve të veçanta huazuar nga jashtë.” (Jeta e Re, Prishtinë, 1976, fq. 159 – 160).
Studimi i Desnickajës i nënvizuar më sipër, i bashkohet pa rezervë studimeve dhe tezave të studiuesëve dhe shkenctarëve më të njohur shqiptar si ato të Fishtës, Zadëjs, Çabejt, Haxhihasanit, Anton Berishës, Idriz Ajetit dhe më në fund Arshi Pipës, të cilët bindëshëm, e kanë mbrojtur teorinë e këtyre këngëve si epikë origjinale shqiptare.
Desnickaja, pas një studimi të gjithanëshëm të këtyre këngëve në versionin boshnjak dhe shqiptar vjenë në përfundimn se të dy versionet kanë pas fërkime dhe marrëdhënie të dorës së dytë, por në të vërtetë ato janë të pavarura nga njëra tjetra, dhe se këngëtë boshnjake i përkasin një periudhe më të vonëshme se ato shqiptare. Përfundimisht sipas saj, Krye-heroi i Këngve Kreshnike të Agallarëve të Jutbinës – Muji, është bartur, është huazuar nga tradita e vjetër e këngëve shqiptare. Ajo shkruan:
“… I kam studiuar tiparët karakteristike të këngëve shqiptare dhe të atyre serbo-kroate dhe kam ardhur në përfundim se ato janë zhvilluar në marrëdhënie reciporike por plotësishtë të pavarura në njëra tjetrën. Shkencëtarët që kishin zhvilluar teorinë e huazimit të eposit shqiptar nga eposi serbo-kroat s’kan të drejtë, gabohen plotësishtë”.
Me këtë qendrim të shpallur para sllavistëve të mbledhur në Varshavë u përgëzua edhe albanologu i mirënjohurë polonez, nxënësi i Europianistit me renome ndërkombëtare (Jan Otrembski), Vacllav Cimohovski (Waclaw Cimochwsi), i cili tërë jetën ia kushtoi studimeve të albanistikës.
Në saje të punës dhe kërkimeve të palodhëshme të Agnia Desnickajës, Seksioni i studimeve krahasuese historike të gjuhëve indoeuropiuane në Institutinë e Gjuhësisë pranë Akademisë së Shkencave të Bashkimit Sovjetik, të cilin institut e drejton Desnickaja, në vitet t e fundit, nën përkujdesjen dhe redaktimin e saj janë përgatitur dy monografi kolektive; “Struktura gramatikore Ballkanike” dhe “Çështja e Sintaksës të Gjuhëve të Aerealit Ballkanik”, botuar Nauka, 1. 1976. Monografia e dytë është botuar me 1979 në të njëjtën shtëpi bortuese.
Në këto dy monografi, Desnickaja dhe nxënsitë e saj, studiues serioz të albanologjisë, si A.V. Zhugra, I. I. Voronina, A. L. Sytov, L.V. Sharapova, J. A. Lopashev, kanë trajtuar çështje morfologjike dhe sintaksore të gjuhës shqipe të shikuara në rrafshin sindronik dhe diakronik në kuadrin e problematikës gjuhësore Ballkanike.

Shenim i redaksisë: Në dhjetor të vitit 2018 Serbët me anën e falsi-fikimeve historike arritën të regjistronin në Seksionin Kulturor të Uneskos, LAHUTEN tonë mijëvjeçare te vjetër, si vegël muzikore të trashegimisë së tyre historike. 41 vjet më parë me rastin e 70 Vjetorit të Lindjes të Agnja Desnickajes, Idriz Lamaj botoi një studim të përmledhtë, që ka të bëjë edhe me këtë çështje, me vjetërsin e Këngëve tona Kreshnike, të cilat kendohen me Lahutë. Shkrimi i z. Lamaj, sipas krahasimit me tekstin origjinal, është botuar në gazetën “Atdheu”, organ i organizatës “Levizja e Legalitetit”, 37 vjet më parë.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Idriz Lamaj

“Eposi i Kreshnikëve” dhe një përkujtim për Prof. Arshi Pipën e Prof. Stavro Skendin

March 31, 2023 by s p

Idriz Lamaj*

*Fjala e mbajtur në emër të Federatës Vatra në mikpritjen e Prof.Dr. Zymer Ujkan Nezirit në Selinë e Vatrës.

Në emër të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, i shpreh mirëseardhjen Prof. Zymer Nezirit, i cili do të mbajë ligjeratën: “Eposi i kreshnikëve – thesar monumental i trashëgimisë kulturore shqiptare “. Prania e Prof. Nezirit, sonte në selinë e Vatrës, është një nderim i veçantë për vatranët, dhe shqiptarët e Amerikës, sepse ligjerata e tij shkencore, do të na kthejë edhe në kujtesë, studiuesit e njohur amerikan si Prof. Miliam Pary dhe Prof. Albert Lord, të cilët shekullin e kaluar bënë gjurmime serioze për epiken homerike në Ballkan dhe në studimet e tyre shkencore shkruan edhe për këngët tona kreshnike. Ligjerata juaj Profesor Neziri, do na rikujtojë sot edhe dy ikona të njohura të kulturës tonë kombëtare, Prof. Arshi Pipen dhe Prof. Stavro Skendin, të cilët studiuan me përkushtim epiken tonë kreshnike. Prof. Pipa dhe prof. Skendi për vite me radhë dhanë mësim në universitete të njohura amerikane. Më në fund, vdiqen në mërgim, dhe lanë shumë studime të tyre të përhapura në publicistikën shkencore amerikane. Profesor Neziri unë jam rrit me këngët e kreshnikëve dhe kam pas fatin të njoh në person dy prej rapsodëve më të njohur të këngëve tona kreshnike: Selman Shpendin e Vuthajve nga krahina e Plavës dhe Gucisë dhe Gjergj Pllumin e Shalës së Dukagjinit, për të cilët kanë shkruar dikur Anton Çetta në Prishtinë dhe Ernest Koliqi në Romë. Për këngët tona kreshnike kam pas fatin të bëj dy-tre intervista me Profesorin Albert Lord, natyrisht me ndërmjetësimin e Prof. Pipës. Intervistat janë transmetuar në emisionin e gjuhës shqipe në Zërin e Amerikës. Mirënjohje dhe mirë se keni ardhur Profesor Zymer Neziri.

Filed Under: ESSE Tagged With: Idriz Lamaj

ULLMAR QVICK DHE HAMDI ORUÇI  KUNDËRSHTAR NË MENDIME DHE MIQ TË  NGUSHTË

February 1, 2023 by s p

Idriz Lamaj/

Vitin e kaluar u festua me pompozitet 50 Vjetori i Gjuhës Njësuar. Sjellja e një shkrimi të shkurtë nga Jozef Radi në rrjetin e shkrimeve Radi and Radi, të shkruar nga Ullmar Qvick me titull: “Gjuha e njësuar nuk është tempull”, më këtheu në kujtesën e një korrespondence të vjetër midis tij dhe të ndjerit Dr. Hamdi Oruçi. Thjeshtësia në shkrim dhe modestia në sjellje e këtij albanologu të njohur Suedez, shifet që në paragrafin e parë të shkrimit të tij mbi gjuhën e njësuar: 

“Me ndrojtje po shkruaj këtë tekst, së pari jam i huaj dhe vetëm sherbtor modest i gjuhës shqipe, së dyti është koha e festës së paqes, së treti është temë delikate. Dua të kontestoj disa norma gjuhësore, të cilat duhet të diskutohen deri te ndryshimi.” Dhe në disa fjali të tjera tregohet modestia e tij, si psh: “…tani disa i kanë shkruar kryeministrit se gjuha e njësuar është Kushtetutë. Kjo me duket qëndrim regresiv, sikur shtëpia pas 50 vitesh nuk do të kishte nevojë për riparim…”, etj. Urtësia i këtij studiuesi me provoj të gjatë e njohuri të gjëra në fushën e sutdimeve albanologjike, shihet edhe në korrespondencën e tij me Dr. Hamdi Oruçin, shkruar afër 50-të vjet më parë. 

  Ullmar Qvick, dy-tre dakadatë e funditë, është figurë e njohur në Shqipëri e në Kosovë, si në qarqet e studiuesve poashtu edhe në masat e gjera të lexuesëve. Ai është vlerësuar lartë për kontributin e tij në fushën e albanologjisë, dhe për ndikimin e dukshëm në lidhjen e miqësisë midis popullit shqiptar dhe atij suedez. Me qenë se lexuesitë e gazetës “Dielli”, këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë shumë pak të njohur me këtë përsonalitet të shquar dhe mik të sinqertë të shqiptarëve, sjellim një përmbledhje të shkurtë biografike të tij. Suedezi Ullmar Qvick, albanolog dhe mik i respektuar i shqiptarëve, për mëse gjashtë dekada i kushtoi miqësisë suedezo-shqiptare një dedikim të veçantë dhe u bë lidhës i hekurtë midis dy kombeve. Ai lindi me 13 qershor 1934 në Kristinehamn, qytet i njohur në perendim të Stokholmit. Rrjedh nga një familje e thjeshtë puntore. Studimet e larta i mbaroi në Karlstad, dhe në Universitetin e Uppsalës në Fakultetin mbi Njohuritë e Shteteve Lindore. Mbaroi shkollën e lartë pedagogjike për anglisht në Vasteras, dhe është njohës i shkelqyer i gjuhëve anglisht, frengjisht, gjermanisht dhe shqip. Është përkthyes, gjuhëtar, redaktues, shkrimtar, muzikolog, antropolog, dhe albanolog i respektuar në Shqipëri dhe në Kosovë. Sipas korrespndencës së tij me Dr. Hamdi Oruçin, Qvick merret me çështjet e gjuhës dhe kulturës shqiptare, që në vitet 60-të të shekullit të kaluar. Në letërkembimin e tyre (një dosje 72 faqesh), duket se korrespondenca midis tij dhe Dr. Oruçi ka filluar në janar të vitit 1970-të. Në një letër  tre faqesh (12 korrik, 1973) Qvick i shkruan Oruçit gjersishtë mbi familjen e tij, dhe ndikimin e tij dhe të  familjes të thjeshtë, në  një lloj komunizmi të butë të kuptimit suedez. Ai shkruan si është dashuruar me Shqipërinë e shqiptarët duke dëgjuar këngë shkodrane në Radio Tiranën, në dialektin e gegërisht, dhe se si, nga ato këngë, i është ngulitur dashuria për dialektin e gegërishtes. Në tre letra të vitit 1973, Qvick i shkruan Oruçit në hollësi për krijimin e Shoqatës të Miqësisë Shqipëri-Suedi. Siç dihet, gjatë sundimit komunist, disa vende “asnjanëse demokratike” krijuan shoqata miqësie me shtetet komuniste Europiano-lindore, ku përfshihej edhe Shqipëria megjithëse sundohej nga një regjim i egër stalinist. Natyrishtë, ato shoqata duhej te vepronin sipas interesave politike të shteti komunist shqiptar. Lidhur me këtë çështje, Ullmar Qvick duket shumë i sinqert ndaj mikut tij nacionalist në mërgim. Ai i shkruan Dr. Oruçit me 12 maj, 1974: 

       “… Në Shqipëri kemi të bëjmë me një rreth të ngushtë partiak që ka në duar jetën e vendit. Zhvillimi është vendosur sipas ideologjisë komuniste, më mirë t’a cilësojmë si leniniste-staliniste, sepse në Bashkimin Sovjetik është lindur dhe rritur degjenerimi i pushtetit partiak, anti-popullor, prapa maskës së “diktaturës së proletariatit”, me të ashtuquajturit “përfaqësues të kalsës puntore” në krye! Klasa punëtore paska nevoj për “përfaqësues”. Borgjezia, nga e cila buron Enver Hoxha, s’ka një nevoj të tillë. Këto janë mendimet e mija si socialist demokratik, anti doktrinar…” , etj. 

Në të njëjtën letër Ullmar shkruan: “…mund të pohojmë se zakonet e prapambetura duhet të luftohen, po, por shumica e zakoneve sipas Kanunit të Maleve, kanë qenë kurrizi i shqiptarit: burrnia, besa, nderi. Si mund të luftohen sot këto dhe të cilësohen si  zakone të prapambetura”.  Ullmar, në të njëjtën letër shkruan: “… gjendja e letërsisë shqipe është një vërtetim se si ia mungon lirinë e fajës shkrimtarit shqiptar. Për këtë kam shkruar me pseudonimin Ujk Mali në botimin e fundit të revistës Koha e Jonë...”. Në letër kuptohet se Dr. Oruçi e kishte e inkurajuar dhe këshilluar me kohë të shkruante vetëm me pseudonim në shtypin e mërgatës nacionaliste shqiptare, dhe të ishte vigjilent gjatë vizitave të tij në Shqipëri. Sipas një letre tjetër (16 mars, 1973), Ullmar Qvick vizitoi Shqipërinë për herë të parë në vitin 1970-të. Në këtë letër 6 faqesh ai i shkruan Oruçit:  

“…Herën tjetër do t’ju tregoj diçka edhe më gjërsishtë mbi vizitën  që bëra në Shqipëri në vitin 1970-të. Përshtypjet janë të shumta, ju lutëm të më shkruani çfarë doni të dini. Kam biseduar me njerëz nga të gjitha shtresat e popullësisë, nga ana tjetër s’kam kërkuar të dhëna “të koklavitura”. Kam vizituar qytetet Durrës, Tiranë, Berat, Fier e Elbasan, të gjitha në grup., dhe Kavajen në mënyrë klandestine! Kam vallëzuar mbi gjuhën e ujkut… Mora një përvojë të vlefshme, interesante. Vetëm më tregoni çfarë hollësirash kërkoni të dini...”. 

      Me 19 maj 1974, Hamdi Oruçi i dërgon një letër katër faqesh dhe  vlerëson lartë shkrimin e gjuhës shqipe nga ana e tij:  

“… Mbeta i habitun me shprehjet e bukura të gjuhës shqipe që Ju përdorni. Unë kam le në Shkodër dhe të gjithë shkollat i kam  mbarue në Tiranë ku si profesor të shqipes kam pas Aleksandër Xhuvanin, Henrik Lacaj, Eqrem Çabej, etj., dhe jamë i bindun se Ju e njihni gjuhën shqipe ma mirë se unë. E u a kam zili, por Ju përgëzoj me gjithë zermër. Me duket se disa vjet ma parë kam lexue nji letër të Juej dërgue gazetës “Liria” e Bostonit, ku tregojshe edhe atje se gjuhën shqipe e keni mësue tue ndigjue Radio Tiranën e natyrisht tue lexue libra shqip. E shtoi unë, edhe tue u shoqnue me miqë shqiptarë. Njohja e gjuhës shqipe dhe dashnia që ushqeni për Shqipnin e për Kombin Shqiptar, me ban krenar dhe përsëri u a them  në veshët se ua kam zili…”. Dhe vazhdon më tej:

“ Kam pasë fatin e mirë të njoh si Fishtën dhe Koliqin: Të dytin e kam pas edhe mik se ai bashkë me të ndjerët prof. Karl Gurakuqin dhe prof. Rosolin Petrotten, qenë shkaktarë të dhanjes së bursës së vazhdimit studimeve të mija që i pata fillue në Vjenë ti kryejshe në Palermë, ku mora larin akademnik të doktorit, që sot me vlen të mbaj familjen e të baj nji jetë të qetë. Të parin, Fishten e madh, e njohta në Shkodër se ai shkonte shpesh te nji kushëri i im, Caf Kërniqi, tregtar në rrugën 28 Nanduer, dhe shpesh më ka dhanë nga nji gjysëm Korone e e mbaj mend se më dha vetëm nji herë nji Koronë për të ble dordullma (gelato). Në ato kohna deri me 1940 Korona të Austro – Hungarisë dhe Paret e Groshët e Turqis Osmane si pare sermi qarkullojshin ligjshëm në Shkodër, qytet ku unë linda. Fishta bisedonte me mue në serbo-kroatishte, se unë gjysmën e shkollës fillore e kam krye në Cetinje të Malit të Zi, se atje banonte im atë si tregëtar e si i arratisun e kundërshtar i Zogut. Na të gjithë u këthyem në Tiranë, familjarisht, me 1931 dhe unë mbarova edhe filloren dhe Liceun e Shtetit  në Tiranë me 1942 dhe si mësues të shqipes pata Aleksandër Xhuvanin, Frano Alkaj, Henrik Lacaj dhe Eqrem Çabej e Namik Resulin, etj.”. Edhe Ullmar i shkruan Hamdiut në detaje për prindët, femininë, shkollimin, familjen dhe punën e tij të pandërprerë në Suedi.

Këta dy miq të ngushtë me mendime të ndryshme ideologjike, të shprehura qartë në këtë korespondencë, e bëjnë lexuesin të mendohet thellë mbi njohurit e tyre të gjithanëshme studiuese dhe karakterin dhe  e tyre të lartë njërzorë.  Me 6 dhjetor, 1974 Ullmar i shkruan Hamdiut: “…Unë si socialist me pikëpamje demokratike antidoktrinare, demokracia amerikane nuk me pëlqen, me duket një lloj demokracie kapitaliste që ka nevoj për një revolucion në Amerikë.” Ndërkaq, Hamdiu i përgjegjet shpjetë dhe ashpër në letrën që vijon: 

“Ndalu o qytetar  Qvick, mos u nxito.  Nxitimi nuk ka zgjidhë asnji mosmarrëveshtje, e problem të kohës.  Lufta e çdo ane nuk ka zgjidhë  asnji mosmarrëveshtje, e kundërta e saj  asht e vërtetë.  Revolucioni posë se ka mbytë vehten në gjak, dhe posë librave të hisstorisë, nuk  ka plotësue asgja. Revolucioni asht ai që përmbush shumë sende. Lufta civile në USA nuk përmbushi asgja. Revolucioni në Shqipni nuk përmbushi asgja përveç i tha nji klase ulu dhe u ngritë nji tjetër klasë.  Ja Suedia e Juej, nuk bani asnji luftë tash sa shekuj dhe nuk ngjau asnji rovolucijon, por asht në forfront të përparimit, ashtu siç asht Norvegjia e Danimarka, ani se në Danimarkë vetëvrasja asht kronike e patalogjike, por në të tre shtetet me popull të shendosh sundohen nga nji mbret që mbretnon dhe drejtohen nga nji qeveri që zgjidhet nga populli. Çfarë fitimi pati populli rus i shkretë? Ose ai kinez? Çfarë solli lufta e Koresë Veriut e asjo e Vietnamit? Asgj, humbje jete nga të dy anët. Pra, qytetar Ullmar ndaloje çapin, hec ma ngadalë e mos akuzo  menjiherë njerzit, mos akuzo Amerikën, e qeverinë e saj e popullin e sajë.” (Letër e Dr. Oruçit, 22 dhjetor, 1974). 

Me 11 janar, 1975, Qvick  i shkruan Oruçit një letër pesë faqesh  lidhur me përshtypjet e tij për Shqipërinë dhe Kosovën. Në letër shihet edhe reagimi ndaj letërs që i kishte dërguar Oruçi, për qendrimin e tij ndaj demokracisë kapitaliste amerikane. Ullmar shkruan ndër të tjera: 

“…Kam përshtypje të bukura nga Shqipëria, krahasimet  me vizitën e parë dhe me vizitën në Kosovë janë të favorshme. Por s’do të shkruaj për këtë, sepse si anti-komunist i bindur do të mërzitesh, dhe më mirë të kemi harmoni në letërkembimin tonë, apo jo? Kush ka një botëkuptim ose një   mendim, atë e mbron, dhe ti je për sistemin e Amerikës, ndërsa unë kam një mendim tjetër.” 

Në letrën e 16 gushtit, 1978, Ullmar i shkruan mikut të tij se i kishte sjell dhuratën e kërkuar nga Shqipëria. Hamdiu i kishte kërkaur Ullmarit ti sjellte nga vendlindja një NJË GURSHT DHE DHE DY-TRE GURË, që, kur të mbyllte sytë në mërgim, dheun dhe gurët e vendlindjes të hidheshin mbi trupin e tij. Suedezi, mik besnik i shkruan shqiptarit të mërguar:

“…Gurishte e Dhe nga rrethi i Shkodrës e nga Tirana i kam sjellur dhe ti dërgoj me pako. Mbledha edhe disa lule por ato u prishen gjatë udhtimit. Jam përsëri në Suedi, por në zemër kam mall për Shqipërinë…” Ai e mbyll letrën me përshtypjen e tij për atdheun e Hamdi Oruçit: “…Kujtoj fytyratë e qeshura, optimiste, këngët që kenduam së bashku, bisedime me njerëz që takova gjatë ekzkursioneve dhe rastësisht, natyrën e bukur me fushat plot gjelbrim dhe malet madhështore. Këto nuk harrohen. Me përshendetje miqësore, Ullmar !…”.  

Tani sjellim për lexuesit e Diellit një shenim të shkurtë biografik për studiuesin e veçantë të mërgatës politike shqiptare, i cili për më shumë se tre dekada mbuloi faqet e shtypit nacionalist shqiptar me shkrime profesionale të degëve më të ndryshme. Po të mblidhen shkrimet e Hamdi Oruçit të botuara në revistatë Shejzat dhe Koha e Jonë, dhe në gazetat Shqiptari i lirë dhe Dielli, do të përbënin disa vëllime voluminoze.  

Dr. Hamdi H. Oruçi lindi në Shkodër me 1 mars, 1923. Mbaroj Lyceun e Shtetit në Tiranë me 1942. Vazhdoi mësimet mjekësore në Vjenë e në Graz të Austrisë dhe mbaroi doktoratën e mjekësisë në Itali me 1953.  Sherbeu në Institutin  “Farlanin” të Romës dhe u diplomua në sëmundjet e mushkërive me 1955. Erdhi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 1955 dhe menjëherë u antarësua në Federatën “Vatra”, në vitin 1956. Ishte kryetar i kremtimeve vatrane për 60 Vjetorin e  gazetës “Dielli” dhe kryetar i Seminarit Ndërkombëtar që u mbajt në New York me 27-29 Nëntor 1969. Me 1970 botoi librin me kumtesa shkencore: “Seminari Ndërkombëtar i Federatës Panshqiptare Vatra”, në dy gjuhë. Ishte një prej përsonaliteteve më të shquara në përpjekjet kulturore shqiptaaro -amerikane, antar i shumë akademive mjekësore e kulturore në SHBA dhe në Europë, themelues dhe kryetar i “Klubit Republikan Shqiptaro-Amerikan”. Ai ishte ftuar disa herë në Kongesin Amerikan, në Shtëpi të Bardhë dhe në ministrinë e Jashtme amerikane  në Washington, për çështje shqiptare. Ushtroi profesionin e mjekësisë në Long Island të New Yorkut. Ishte i martuar me zonjen Lumto Oruçi, lindur Kokalari, dhe la tre fëmijë, Dianën, Eduardin dhe Shpresën. Hamdi Oruçi ndrroi jetë 10 dhjetor, 2001. Familja dhe miqët e ngushtë hodhën në varrin e tij dheun dhe gurët e Shqipërisë. 

Miqësia e ngushtë dhe ndryshimi i bindjeve ideologjike midis Ullmar Qvick dhe Hamdi Oruçit shihet qartë në letrat e tyre. Ato letra kanë vlerë për studiuesit e historisë, letërsisë, folklorit, gjuhësisë, muzikës dhe artit. Sa i përket gjuhës  njërsuar, Ullmar mban qendrim të urtë me bindje se gjatë dekadave, Gjuha e Sotme e Njësuar do të gëlltitet nga dialekti i gegërishtes, për të cilin dialekt ai shpreh një dashuri të veçantë. Ndërkaq, Hamdiu mbi këtë çështje mban qendrim të ashpër, duke e cilësuar gjuhën e njësuar si fushatë brutale ndaj gegërishtes nga rregjimit komunist dhe studiuesitë e Shqipërisë jugut. Ai në atë fushatë përjashton vetëm Prof. Eqrem Çabejn. 

Ullmar Qvick dhe Dr. Hamdi Oruçi mund të kenë këmbyer letra para dhe pas viteve 70-të.  Në letratë që kam shfletuar, 72 faqe të viteve 1972-1979, nuk shihet nëse kanë këmbyer letra në përiudha tjera, ose janë takuar me njëri-tjetrin. 

Shenim i redaksisë: 

Para dy vitesh, zonja Lumto Oruçi, i dhuroi z. Idriz Lamaj, mikut të ngushtë të Hamdi Oruçit, korrespondencën e pasur të bashkëshortit të saj. Në këtë korrespondencë shihet se Dr. Oruçi kishte letërkembim të shpeshtë me përsonalitete të njohura si: Mustafa Kruja, Ernest Koliqn, Martin Camaj, Zef Valentini, Karl Gurakuqi, Dom. Zef Oroshi, Rexhep Krasniqi, Nexhat Peshkëpia, Vasil Gërmenji, Dom. Vinçenc Malaj, Zef Nekaj, Safete Juka, Anesti Andrea, Lec Shllaku, Adalbert Fekeçi, tij. Zonja Oruçi i ka dhuruar Bibliotekës të Vatrës një pjesë të bibliotekës të Dr. Oruçit. Ndërkaq, katër-pes vitet e fundit,  z. Lamaj, përveç shumë dokumentave, revistave dhe gazetave me vlerë të rrallë, i dhuroi Bibliotekës të Vatrës mijëra kopje lbrash të bibliotekës së tij. I ndjeri Dapip Greca ka shenuar në gazetën  Dielli për këto dhurata tepër të vlefshme. Vitin e kaluar z. Lamaj i dhuroi Bibliotekës të Vatrës edhe 15 kutia tjera me libra.

Filed Under: Kulture Tagged With: Idriz Lamaj

ZERI I AMERIKES NË SHERBIM TË MARRËDHËNIEVE SHQIPTARO – AMERIKANE

July 29, 2022 by s p

Idriz Lamaj/

Me qenëse kam punuar shumë vite për  Zërin e Amerikës, në këtë rast paraqes një shkrim të shkurtë në të cilin kuptohet se çfarë roli ka luajtur Zëri  i Amerikës në emisionin e gjuhës shqipe, për qendrimin e qartë, të sinqerët dhe miqësor të popullit dhe shtetit amerikan ndaj popullit dhe shtetit shqiptar. Studiuesit shqiptar  nuk duhet të  lanë në heshtje, ose të anashkalojnë kontributin e këtij insditucioni të lartë të qeverisë amerikane, sidoemos në këtë përvjetor  kur bëhet fjalë për marrëdhënjetë miqësore midis dy vendeve. Gjithashtu, nëse shkruajnë për marrëdhënjet diplomatike gjatë këtij 100 Vjetori, duhet të shkruajnë kthjellët dhe qartë lidhur me fushatën e tërbuar të rregjimit komunist të Shqipërisë kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, prej vitit  1945 deri në përmbysjen e tij. Fushatë që  përafër një gjysëm shekullit  ka indoktrinuar shtresën intelektuale shqiptare, dhe i ka sherbyer në formën më servile  interesave të Beogradit dhe Moskës kundër shtetit dhe popullit amerikan. Intrigatë e tyre të sofistikuara shifen edhe sot në pjellën e tyre pushtetmbajtëse.  

Kur shkruajnë për vizitën e ministrit të Jashtëm amerikan  James Baker në Shqipëri,  duhet  të vëjnë në dukje se, në krahun e tij të djathtë ishte Dr. Elez Biberaj, drejtor i seksionit shqip i Zërit të Amerikës, i cili, me emisionet e transmetuara për vite me radh   kishte fituar  një respekt të veçantë në masat e gjëra të popullit shqiptar. Natyrishtë, ato emisione, për kupollën e rregjimit komunist në Tiranë dhe inteligjencën e indoktrinuar shqiptare,  ishin bërë smundje kanceroze të pashërueshme. Nuk ishte çështje rasti as miqësie përsonale, vizita e tij në Tiranë përkrah ministrit të Jashtëm amerikan.  

Tani le të shohim se çfarë mesazhi i dërgoi popullit shqiptar në vitin 1951, ministri i Jashtëm amerika.  Me rastin e rihapjes të transmetimeve në gjuhën shqipe të Zërit të Amerikës, me 13 maj 1951, ministri i Jashtëm amerikan, Dean Achenson i drrejton popullit shqiptarë këtë mesazh: 

“ Ndjej një gëzim të veçantë ‘t’i sjell popullit shqiptar një mesazh nga qeveria emerikane dhe nga populli amerikan në këtë rast.

Due rifilluar programin e gjuhës shqipe në anën e Zërit të Amerikës, qeveria amerikane dhe populli amerikanë çfaqin përsëri interesin tradicional për popullin shqiptar.  Kështu po përsëritet sot afrimi që na bashkon. Miqësia jonë e qëmotëshme duhet tani të forcohet dhe të marrë kuptim më të thellë. Sepse kjo miqësi është rrjedha  natyrale e faktit që Shtetet e Bashkuara t’Amerikës kanë qenë fare afër përpjekjes të popullit shqiptar për liri dhe pamvarësi. Gjatë viteve qeveria amerikane e kanë shikuar me sipmati dhe kanë përkrahur këtë përpjekje, duke ditur që përpjekja për liri pasqyron qellimet tuaja të vërteta.

Në fillim të këtij shekulli shumë patriotë Shquiptarë erdhën këtu në Amerikë dhe gjeten liri të plotë të punojnë për një Shqipëri të pavarur. Në Konferencën e Paqes më 1919, ku Presidenti Wilson çfaqi interes përsonal për të rithemeluar një Shqipëri indipendente, qeveria amerikane përkrahu përpjekjetë e patriotëve shqiptarë.

Gjatë kohës në mes të dy luftrave botërore Shtetet e Bashkuara t’Amerikës mbajtën lidhje të ngushta dhe miqësore me popullin shqiptar. Institutet mirëbërëse dhe arsimore, si për shembull Kryqi i Kuq Amerikan dhe organizata si: Near East Foundation dhe Rockfeller Foundation, u inkurajuan  t’u ndihmojnë shqiptarëve në përpjekjet e tyre për të zhvilluar institutet e tyre. Amerika ish e para nga kombet aleatë gjatë Luftës së Dytë Botërore që bëri një deklaratë zyrtare për rivendosjen e Shqipërisë së lirë, duke shpallur me 10 të Dhjetorit, 1942, që liria e Shqipërisë ish brënda kuptimit të parimeve të Kartës së Atllantikut.

Për këto që shenojmë më sipër kanë zënë vend  në histori,  në histoirinë tuaj të kohës së kaluar. Këtu e tutje Zëri i Ameriës do të bëjë fjalë mbi gjëndjen e sotme, si dhe mbi të ardhmen. Sot siç e dini ju vetë më mirë se unë, shprestat tuaja për një Shqipëri të lirë dhe të pavarur nuk janë plotësuar. Duke ju ndihmuar që të zhvilloni një shtet të lirë dhe të pavarur, i cili mund të zërë vendin e merituashëm në komunitetin e kombeve, qeveria amerikane do t’ju sjellë me anën e këtij programi mjetet e gjykimit, domethënë faktet. Zëri i Ameriklëës do t’ju sjellë atë që u ka munguar për një kohë mjaftë të gjatë, domethnënë, të vërtetën nga bota e lirë.

Qeveria e Sheteve të Bashkuara t’Amerikës, dhe populli amerikan ju dërgojnë përshendetjet e tyre. Dhe Zëri i Amerikës ju mirëpretë juve në radhët e dëgjonjësëve të saj”. 

Ky mesazh i ministrit Achenson është marrë nga gazeta Shqipëria, organ i Komitetit Kombëtar “Shqipëria e Lirë”. Ai komitet, me zyra dhe dhe shtyp të vetin, prej vitit 1950 deri në vitin 1992, ka funksionuar me punë të përditëshme, këtu në New York. Është mbështetur politikisht dhe është financuar nga ministria e Jashtme amerikane.  Institucione dhe autoritete të ndryshme botërore e kanë konsideruar si një Qeveri Shqiptare në Mërgim. Për këtë është deshmi shtypi i kohës dhe sa e sa vepra të botuara, tashi të harruara plotësishtë nga studiuesit tonë. Edhe për Komitetin “Shqipëria e Lirë” kam punuar afër një çerek shekullit. 

Filed Under: Opinion Tagged With: Idriz Lamaj

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 8
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Shqipëtarët me besim të pakufishëm se Amerika se do të jetë miku ynë i përjetshëm
  • Eugene Pittard dhe kontributi i tij nё zbulimin e periudhёs sё Neolitit (7000-4500 p.Kr) nё Shqipёri
  • Argjentina një ëndërr e jetuar
  • “Kisha mesjetare e Shën Aleksandrit në Bokion (Pruell-Spiten): Historia dhe arkitektura”
  • 4 Korriku – Meteor i Demokracisë Botërore dhe Dritë Udhërrëfyese për Lirinë e Popujve
  • FEDERATA VATRA: AMERIKË, GËZUAR 4 KORRIKUN, 249 VJETORIN E PAVARËSISË
  • 10 arsye përse ne shqiptarët duhet të duam SHBA-në pa kushte
  • Jehona e Deklaratës së 4 Korrikut të vitit 1776 në SHBA dhe Shqipëria
  • Sotir Kolea, 4 shtator 1872 – 3 korrik 1945
  • Bajroni dhe dy këngë të Folklorit Shqiptar
  • Aty, ku fjala, kënga, vallja, lutjet, gëzimi e hidhërimi bëheshin vetëm shqip!
  • 7 Fakte Tronditëse Ujë me Akull ose me Temperaturë dhome
  • SHKOLLA VERORE SHQIPE NE KROACI, SELCE 2025
  • Drejtori Ekzekutiv i Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë Dr. Atdhe Hetemi priti në takim Dr. Elmi Berishën, kryetarin e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës, VATRA
  • Mësuesit e Shkollës Shqipe në Bavari

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT