
Idriz Lamaj*
*Fjala e mbajtur në emër të Federatës Vatra në mikpritjen e Prof.Dr. Zymer Ujkan Nezirit në Selinë e Vatrës.
Në emër të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, i shpreh mirëseardhjen Prof. Zymer Nezirit, i cili do të mbajë ligjeratën: “Eposi i kreshnikëve – thesar monumental i trashëgimisë kulturore shqiptare “. Prania e Prof. Nezirit, sonte në selinë e Vatrës, është një nderim i veçantë për vatranët, dhe shqiptarët e Amerikës, sepse ligjerata e tij shkencore, do të na kthejë edhe në kujtesë, studiuesit e njohur amerikan si Prof. Miliam Pary dhe Prof. Albert Lord, të cilët shekullin e kaluar bënë gjurmime serioze për epiken homerike në Ballkan dhe në studimet e tyre shkencore shkruan edhe për këngët tona kreshnike. Ligjerata juaj Profesor Neziri, do na rikujtojë sot edhe dy ikona të njohura të kulturës tonë kombëtare, Prof. Arshi Pipen dhe Prof. Stavro Skendin, të cilët studiuan me përkushtim epiken tonë kreshnike. Prof. Pipa dhe prof. Skendi për vite me radhë dhanë mësim në universitete të njohura amerikane. Më në fund, vdiqen në mërgim, dhe lanë shumë studime të tyre të përhapura në publicistikën shkencore amerikane. Profesor Neziri unë jam rrit me këngët e kreshnikëve dhe kam pas fatin të njoh në person dy prej rapsodëve më të njohur të këngëve tona kreshnike: Selman Shpendin e Vuthajve nga krahina e Plavës dhe Gucisë dhe Gjergj Pllumin e Shalës së Dukagjinit, për të cilët kanë shkruar dikur Anton Çetta në Prishtinë dhe Ernest Koliqi në Romë. Për këngët tona kreshnike kam pas fatin të bëj dy-tre intervista me Profesorin Albert Lord, natyrisht me ndërmjetësimin e Prof. Pipës. Intervistat janë transmetuar në emisionin e gjuhës shqipe në Zërin e Amerikës. Mirënjohje dhe mirë se keni ardhur Profesor Zymer Neziri.