Idriz Lamaj/
Vitin e kaluar u festua me pompozitet 50 Vjetori i Gjuhës Njësuar. Sjellja e një shkrimi të shkurtë nga Jozef Radi në rrjetin e shkrimeve Radi and Radi, të shkruar nga Ullmar Qvick me titull: “Gjuha e njësuar nuk është tempull”, më këtheu në kujtesën e një korrespondence të vjetër midis tij dhe të ndjerit Dr. Hamdi Oruçi. Thjeshtësia në shkrim dhe modestia në sjellje e këtij albanologu të njohur Suedez, shifet që në paragrafin e parë të shkrimit të tij mbi gjuhën e njësuar:
“Me ndrojtje po shkruaj këtë tekst, së pari jam i huaj dhe vetëm sherbtor modest i gjuhës shqipe, së dyti është koha e festës së paqes, së treti është temë delikate. Dua të kontestoj disa norma gjuhësore, të cilat duhet të diskutohen deri te ndryshimi.” Dhe në disa fjali të tjera tregohet modestia e tij, si psh: “…tani disa i kanë shkruar kryeministrit se gjuha e njësuar është Kushtetutë. Kjo me duket qëndrim regresiv, sikur shtëpia pas 50 vitesh nuk do të kishte nevojë për riparim…”, etj. Urtësia i këtij studiuesi me provoj të gjatë e njohuri të gjëra në fushën e sutdimeve albanologjike, shihet edhe në korrespondencën e tij me Dr. Hamdi Oruçin, shkruar afër 50-të vjet më parë.
Ullmar Qvick, dy-tre dakadatë e funditë, është figurë e njohur në Shqipëri e në Kosovë, si në qarqet e studiuesve poashtu edhe në masat e gjera të lexuesëve. Ai është vlerësuar lartë për kontributin e tij në fushën e albanologjisë, dhe për ndikimin e dukshëm në lidhjen e miqësisë midis popullit shqiptar dhe atij suedez. Me qenë se lexuesitë e gazetës “Dielli”, këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë shumë pak të njohur me këtë përsonalitet të shquar dhe mik të sinqertë të shqiptarëve, sjellim një përmbledhje të shkurtë biografike të tij. Suedezi Ullmar Qvick, albanolog dhe mik i respektuar i shqiptarëve, për mëse gjashtë dekada i kushtoi miqësisë suedezo-shqiptare një dedikim të veçantë dhe u bë lidhës i hekurtë midis dy kombeve. Ai lindi me 13 qershor 1934 në Kristinehamn, qytet i njohur në perendim të Stokholmit. Rrjedh nga një familje e thjeshtë puntore. Studimet e larta i mbaroi në Karlstad, dhe në Universitetin e Uppsalës në Fakultetin mbi Njohuritë e Shteteve Lindore. Mbaroi shkollën e lartë pedagogjike për anglisht në Vasteras, dhe është njohës i shkelqyer i gjuhëve anglisht, frengjisht, gjermanisht dhe shqip. Është përkthyes, gjuhëtar, redaktues, shkrimtar, muzikolog, antropolog, dhe albanolog i respektuar në Shqipëri dhe në Kosovë. Sipas korrespndencës së tij me Dr. Hamdi Oruçin, Qvick merret me çështjet e gjuhës dhe kulturës shqiptare, që në vitet 60-të të shekullit të kaluar. Në letërkembimin e tyre (një dosje 72 faqesh), duket se korrespondenca midis tij dhe Dr. Oruçi ka filluar në janar të vitit 1970-të. Në një letër tre faqesh (12 korrik, 1973) Qvick i shkruan Oruçit gjersishtë mbi familjen e tij, dhe ndikimin e tij dhe të familjes të thjeshtë, në një lloj komunizmi të butë të kuptimit suedez. Ai shkruan si është dashuruar me Shqipërinë e shqiptarët duke dëgjuar këngë shkodrane në Radio Tiranën, në dialektin e gegërisht, dhe se si, nga ato këngë, i është ngulitur dashuria për dialektin e gegërishtes. Në tre letra të vitit 1973, Qvick i shkruan Oruçit në hollësi për krijimin e Shoqatës të Miqësisë Shqipëri-Suedi. Siç dihet, gjatë sundimit komunist, disa vende “asnjanëse demokratike” krijuan shoqata miqësie me shtetet komuniste Europiano-lindore, ku përfshihej edhe Shqipëria megjithëse sundohej nga një regjim i egër stalinist. Natyrishtë, ato shoqata duhej te vepronin sipas interesave politike të shteti komunist shqiptar. Lidhur me këtë çështje, Ullmar Qvick duket shumë i sinqert ndaj mikut tij nacionalist në mërgim. Ai i shkruan Dr. Oruçit me 12 maj, 1974:
“… Në Shqipëri kemi të bëjmë me një rreth të ngushtë partiak që ka në duar jetën e vendit. Zhvillimi është vendosur sipas ideologjisë komuniste, më mirë t’a cilësojmë si leniniste-staliniste, sepse në Bashkimin Sovjetik është lindur dhe rritur degjenerimi i pushtetit partiak, anti-popullor, prapa maskës së “diktaturës së proletariatit”, me të ashtuquajturit “përfaqësues të kalsës puntore” në krye! Klasa punëtore paska nevoj për “përfaqësues”. Borgjezia, nga e cila buron Enver Hoxha, s’ka një nevoj të tillë. Këto janë mendimet e mija si socialist demokratik, anti doktrinar…” , etj.
Në të njëjtën letër Ullmar shkruan: “…mund të pohojmë se zakonet e prapambetura duhet të luftohen, po, por shumica e zakoneve sipas Kanunit të Maleve, kanë qenë kurrizi i shqiptarit: burrnia, besa, nderi. Si mund të luftohen sot këto dhe të cilësohen si zakone të prapambetura”. Ullmar, në të njëjtën letër shkruan: “… gjendja e letërsisë shqipe është një vërtetim se si ia mungon lirinë e fajës shkrimtarit shqiptar. Për këtë kam shkruar me pseudonimin Ujk Mali në botimin e fundit të revistës Koha e Jonë...”. Në letër kuptohet se Dr. Oruçi e kishte e inkurajuar dhe këshilluar me kohë të shkruante vetëm me pseudonim në shtypin e mërgatës nacionaliste shqiptare, dhe të ishte vigjilent gjatë vizitave të tij në Shqipëri. Sipas një letre tjetër (16 mars, 1973), Ullmar Qvick vizitoi Shqipërinë për herë të parë në vitin 1970-të. Në këtë letër 6 faqesh ai i shkruan Oruçit:
“…Herën tjetër do t’ju tregoj diçka edhe më gjërsishtë mbi vizitën që bëra në Shqipëri në vitin 1970-të. Përshtypjet janë të shumta, ju lutëm të më shkruani çfarë doni të dini. Kam biseduar me njerëz nga të gjitha shtresat e popullësisë, nga ana tjetër s’kam kërkuar të dhëna “të koklavitura”. Kam vizituar qytetet Durrës, Tiranë, Berat, Fier e Elbasan, të gjitha në grup., dhe Kavajen në mënyrë klandestine! Kam vallëzuar mbi gjuhën e ujkut… Mora një përvojë të vlefshme, interesante. Vetëm më tregoni çfarë hollësirash kërkoni të dini...”.
Me 19 maj 1974, Hamdi Oruçi i dërgon një letër katër faqesh dhe vlerëson lartë shkrimin e gjuhës shqipe nga ana e tij:
“… Mbeta i habitun me shprehjet e bukura të gjuhës shqipe që Ju përdorni. Unë kam le në Shkodër dhe të gjithë shkollat i kam mbarue në Tiranë ku si profesor të shqipes kam pas Aleksandër Xhuvanin, Henrik Lacaj, Eqrem Çabej, etj., dhe jamë i bindun se Ju e njihni gjuhën shqipe ma mirë se unë. E u a kam zili, por Ju përgëzoj me gjithë zermër. Me duket se disa vjet ma parë kam lexue nji letër të Juej dërgue gazetës “Liria” e Bostonit, ku tregojshe edhe atje se gjuhën shqipe e keni mësue tue ndigjue Radio Tiranën e natyrisht tue lexue libra shqip. E shtoi unë, edhe tue u shoqnue me miqë shqiptarë. Njohja e gjuhës shqipe dhe dashnia që ushqeni për Shqipnin e për Kombin Shqiptar, me ban krenar dhe përsëri u a them në veshët se ua kam zili…”. Dhe vazhdon më tej:
“ Kam pasë fatin e mirë të njoh si Fishtën dhe Koliqin: Të dytin e kam pas edhe mik se ai bashkë me të ndjerët prof. Karl Gurakuqin dhe prof. Rosolin Petrotten, qenë shkaktarë të dhanjes së bursës së vazhdimit studimeve të mija që i pata fillue në Vjenë ti kryejshe në Palermë, ku mora larin akademnik të doktorit, që sot me vlen të mbaj familjen e të baj nji jetë të qetë. Të parin, Fishten e madh, e njohta në Shkodër se ai shkonte shpesh te nji kushëri i im, Caf Kërniqi, tregtar në rrugën 28 Nanduer, dhe shpesh më ka dhanë nga nji gjysëm Korone e e mbaj mend se më dha vetëm nji herë nji Koronë për të ble dordullma (gelato). Në ato kohna deri me 1940 Korona të Austro – Hungarisë dhe Paret e Groshët e Turqis Osmane si pare sermi qarkullojshin ligjshëm në Shkodër, qytet ku unë linda. Fishta bisedonte me mue në serbo-kroatishte, se unë gjysmën e shkollës fillore e kam krye në Cetinje të Malit të Zi, se atje banonte im atë si tregëtar e si i arratisun e kundërshtar i Zogut. Na të gjithë u këthyem në Tiranë, familjarisht, me 1931 dhe unë mbarova edhe filloren dhe Liceun e Shtetit në Tiranë me 1942 dhe si mësues të shqipes pata Aleksandër Xhuvanin, Frano Alkaj, Henrik Lacaj dhe Eqrem Çabej e Namik Resulin, etj.”. Edhe Ullmar i shkruan Hamdiut në detaje për prindët, femininë, shkollimin, familjen dhe punën e tij të pandërprerë në Suedi.
Këta dy miq të ngushtë me mendime të ndryshme ideologjike, të shprehura qartë në këtë korespondencë, e bëjnë lexuesin të mendohet thellë mbi njohurit e tyre të gjithanëshme studiuese dhe karakterin dhe e tyre të lartë njërzorë. Me 6 dhjetor, 1974 Ullmar i shkruan Hamdiut: “…Unë si socialist me pikëpamje demokratike antidoktrinare, demokracia amerikane nuk me pëlqen, me duket një lloj demokracie kapitaliste që ka nevoj për një revolucion në Amerikë.” Ndërkaq, Hamdiu i përgjegjet shpjetë dhe ashpër në letrën që vijon:
“Ndalu o qytetar Qvick, mos u nxito. Nxitimi nuk ka zgjidhë asnji mosmarrëveshtje, e problem të kohës. Lufta e çdo ane nuk ka zgjidhë asnji mosmarrëveshtje, e kundërta e saj asht e vërtetë. Revolucioni posë se ka mbytë vehten në gjak, dhe posë librave të hisstorisë, nuk ka plotësue asgja. Revolucioni asht ai që përmbush shumë sende. Lufta civile në USA nuk përmbushi asgja. Revolucioni në Shqipni nuk përmbushi asgja përveç i tha nji klase ulu dhe u ngritë nji tjetër klasë. Ja Suedia e Juej, nuk bani asnji luftë tash sa shekuj dhe nuk ngjau asnji rovolucijon, por asht në forfront të përparimit, ashtu siç asht Norvegjia e Danimarka, ani se në Danimarkë vetëvrasja asht kronike e patalogjike, por në të tre shtetet me popull të shendosh sundohen nga nji mbret që mbretnon dhe drejtohen nga nji qeveri që zgjidhet nga populli. Çfarë fitimi pati populli rus i shkretë? Ose ai kinez? Çfarë solli lufta e Koresë Veriut e asjo e Vietnamit? Asgj, humbje jete nga të dy anët. Pra, qytetar Ullmar ndaloje çapin, hec ma ngadalë e mos akuzo menjiherë njerzit, mos akuzo Amerikën, e qeverinë e saj e popullin e sajë.” (Letër e Dr. Oruçit, 22 dhjetor, 1974).
Me 11 janar, 1975, Qvick i shkruan Oruçit një letër pesë faqesh lidhur me përshtypjet e tij për Shqipërinë dhe Kosovën. Në letër shihet edhe reagimi ndaj letërs që i kishte dërguar Oruçi, për qendrimin e tij ndaj demokracisë kapitaliste amerikane. Ullmar shkruan ndër të tjera:
“…Kam përshtypje të bukura nga Shqipëria, krahasimet me vizitën e parë dhe me vizitën në Kosovë janë të favorshme. Por s’do të shkruaj për këtë, sepse si anti-komunist i bindur do të mërzitesh, dhe më mirë të kemi harmoni në letërkembimin tonë, apo jo? Kush ka një botëkuptim ose një mendim, atë e mbron, dhe ti je për sistemin e Amerikës, ndërsa unë kam një mendim tjetër.”
Në letrën e 16 gushtit, 1978, Ullmar i shkruan mikut të tij se i kishte sjell dhuratën e kërkuar nga Shqipëria. Hamdiu i kishte kërkaur Ullmarit ti sjellte nga vendlindja një NJË GURSHT DHE DHE DY-TRE GURË, që, kur të mbyllte sytë në mërgim, dheun dhe gurët e vendlindjes të hidheshin mbi trupin e tij. Suedezi, mik besnik i shkruan shqiptarit të mërguar:
“…Gurishte e Dhe nga rrethi i Shkodrës e nga Tirana i kam sjellur dhe ti dërgoj me pako. Mbledha edhe disa lule por ato u prishen gjatë udhtimit. Jam përsëri në Suedi, por në zemër kam mall për Shqipërinë…” Ai e mbyll letrën me përshtypjen e tij për atdheun e Hamdi Oruçit: “…Kujtoj fytyratë e qeshura, optimiste, këngët që kenduam së bashku, bisedime me njerëz që takova gjatë ekzkursioneve dhe rastësisht, natyrën e bukur me fushat plot gjelbrim dhe malet madhështore. Këto nuk harrohen. Me përshendetje miqësore, Ullmar !…”.
Tani sjellim për lexuesit e Diellit një shenim të shkurtë biografik për studiuesin e veçantë të mërgatës politike shqiptare, i cili për më shumë se tre dekada mbuloi faqet e shtypit nacionalist shqiptar me shkrime profesionale të degëve më të ndryshme. Po të mblidhen shkrimet e Hamdi Oruçit të botuara në revistatë Shejzat dhe Koha e Jonë, dhe në gazetat Shqiptari i lirë dhe Dielli, do të përbënin disa vëllime voluminoze.
Dr. Hamdi H. Oruçi lindi në Shkodër me 1 mars, 1923. Mbaroj Lyceun e Shtetit në Tiranë me 1942. Vazhdoi mësimet mjekësore në Vjenë e në Graz të Austrisë dhe mbaroi doktoratën e mjekësisë në Itali me 1953. Sherbeu në Institutin “Farlanin” të Romës dhe u diplomua në sëmundjet e mushkërive me 1955. Erdhi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 1955 dhe menjëherë u antarësua në Federatën “Vatra”, në vitin 1956. Ishte kryetar i kremtimeve vatrane për 60 Vjetorin e gazetës “Dielli” dhe kryetar i Seminarit Ndërkombëtar që u mbajt në New York me 27-29 Nëntor 1969. Me 1970 botoi librin me kumtesa shkencore: “Seminari Ndërkombëtar i Federatës Panshqiptare Vatra”, në dy gjuhë. Ishte një prej përsonaliteteve më të shquara në përpjekjet kulturore shqiptaaro -amerikane, antar i shumë akademive mjekësore e kulturore në SHBA dhe në Europë, themelues dhe kryetar i “Klubit Republikan Shqiptaro-Amerikan”. Ai ishte ftuar disa herë në Kongesin Amerikan, në Shtëpi të Bardhë dhe në ministrinë e Jashtme amerikane në Washington, për çështje shqiptare. Ushtroi profesionin e mjekësisë në Long Island të New Yorkut. Ishte i martuar me zonjen Lumto Oruçi, lindur Kokalari, dhe la tre fëmijë, Dianën, Eduardin dhe Shpresën. Hamdi Oruçi ndrroi jetë 10 dhjetor, 2001. Familja dhe miqët e ngushtë hodhën në varrin e tij dheun dhe gurët e Shqipërisë.
Miqësia e ngushtë dhe ndryshimi i bindjeve ideologjike midis Ullmar Qvick dhe Hamdi Oruçit shihet qartë në letrat e tyre. Ato letra kanë vlerë për studiuesit e historisë, letërsisë, folklorit, gjuhësisë, muzikës dhe artit. Sa i përket gjuhës njërsuar, Ullmar mban qendrim të urtë me bindje se gjatë dekadave, Gjuha e Sotme e Njësuar do të gëlltitet nga dialekti i gegërishtes, për të cilin dialekt ai shpreh një dashuri të veçantë. Ndërkaq, Hamdiu mbi këtë çështje mban qendrim të ashpër, duke e cilësuar gjuhën e njësuar si fushatë brutale ndaj gegërishtes nga rregjimit komunist dhe studiuesitë e Shqipërisë jugut. Ai në atë fushatë përjashton vetëm Prof. Eqrem Çabejn.
Ullmar Qvick dhe Dr. Hamdi Oruçi mund të kenë këmbyer letra para dhe pas viteve 70-të. Në letratë që kam shfletuar, 72 faqe të viteve 1972-1979, nuk shihet nëse kanë këmbyer letra në përiudha tjera, ose janë takuar me njëri-tjetrin.
Shenim i redaksisë:
Para dy vitesh, zonja Lumto Oruçi, i dhuroi z. Idriz Lamaj, mikut të ngushtë të Hamdi Oruçit, korrespondencën e pasur të bashkëshortit të saj. Në këtë korrespondencë shihet se Dr. Oruçi kishte letërkembim të shpeshtë me përsonalitete të njohura si: Mustafa Kruja, Ernest Koliqn, Martin Camaj, Zef Valentini, Karl Gurakuqi, Dom. Zef Oroshi, Rexhep Krasniqi, Nexhat Peshkëpia, Vasil Gërmenji, Dom. Vinçenc Malaj, Zef Nekaj, Safete Juka, Anesti Andrea, Lec Shllaku, Adalbert Fekeçi, tij. Zonja Oruçi i ka dhuruar Bibliotekës të Vatrës një pjesë të bibliotekës të Dr. Oruçit. Ndërkaq, katër-pes vitet e fundit, z. Lamaj, përveç shumë dokumentave, revistave dhe gazetave me vlerë të rrallë, i dhuroi Bibliotekës të Vatrës mijëra kopje lbrash të bibliotekës së tij. I ndjeri Dapip Greca ka shenuar në gazetën Dielli për këto dhurata tepër të vlefshme. Vitin e kaluar z. Lamaj i dhuroi Bibliotekës të Vatrës edhe 15 kutia tjera me libra.