Idriz Lamaj/
Folësit e mëparëshëm pasqyruan në detaje vlerat atdhetare dhe profesioniste të të ndjerit Dalip Greca, i cili pa dyshim do nxënë një vend të veçantë në historinë e Federatës Vatra, si editor i gazetës Dielli. Me fjalimet dhe kumtesat, me rastin e promovimit të dy veprave të tij, të botuara nga Vatra: EDITORËT E DIELLIT NË 110 VITE HISTORI dhe EDITORIALËT, e ndiejmë të gjithë vetën të nderuar.
Këtu do sjell dy-tre mendime personale, kush ishte Dalip Greca dhe si arriti këtë nderim dhe respektim të veçantë në rrethet e gjëra të vatranëve dhe të shqiptarëve të Amerikës. Dalipi kur erdhi në Shtetet e Bashkuara, ishte i njohur në Shqipëri si gazetar dhe përcjellës i shkathët i gjëndjes politike në atdhe, dmth, ai mori Diellin në dorë duke qenë i sigurt në qendrimet e tij atdhetare dhe intelektuale të pa lëkundshme. Të gjithë e dimë sa vështirë është me mbajt qendrim të pa lëkundur në shkrime, në kohë të ndryshimeve politike nga një sistem i egër komunist në një lloj demokracie të shthurur.
Sipas mendimit tim, Dalipi erdhi në këtë shkallë të lartë të respektit në sajë të ndershmërisë së trashëguar tradicionale familjare, të urtësisë dhe të solidaritetit të familjes Greca, dhe nga edukimi i tij shkollor që nga fëminia, si nxënës dhe student i shkelqyer. Në sajë të solidaritetit të tij familjar, ai emigroi këtu, solli familjen, dhe menjëherë familja e tij iu adaptua emigrimit me punë, edukim dhe mirësjellje si në rrethin familjar ashtu dhe në komunitetin tonë. Në sajë të këtij faktori, Dalipit i jepet mundësia ti përkushtojë veten Diellit dhe Vatrës. Ai prej ditëve të para në këtë vend, filloi të shkruante në gazetën Ilyria për historinë e shqiptarëve të Amerikës. Ndërsa, angazhimi i Dalipit për studimin e detajshëm të jetës dhe veprimtarisë të editorëve të Diellit, erdhi si brengë për harresën e kolegëve të tij në kohën që sot e quajmë moderne. Po të lexohen me kujdes faqet e studimit të tij për EDITORËT e DIELLIT, Dalipi e kthen lexuesin në vitet, vështirësitë dhe sakrificat e tyre, për krijimin dhe mbajtën gjallë të Vatrës dhe të Diellit. Lexuesi i sotëm i këtij libri, jo vetëm që njihet në hollësi me jetën dhe veprimtarinë e EDITORËVE të DIELLIT NË 110 VITE HISTORI, por njihet në hollësi edhe me të gjitha zhvillimet historike në trojet tona në Ballkan, dhe natyrisht këtu në Amerikë. Njihet me varfërinë, vuajtjet dhe sukseset tona kombëtare. Në secilin shkrim të tij gjenden paragrafe, fjali dhe copa shkrimesh të editorëve të Diellit, perla tërheqëse ndjenjash atdhetare, që lexuesin e kthejnë në kohën e tyre dhe e bëjnë krenar me kolegët e tij, me editorët e Diellit 114 vjetësh të vjetër. Me gjurmimin në imtësi të studimit të vet në jetën dhe veprimtarinë e editorëve të Diellit, ai thellohej për herë e më shumë në historinë reale të Vatrës dhe kohëve historike saj. Në këto studime pasqyrohehen valët e jetës së Diellit dhe të Vatrës, dhe të mërgimtarëve tonë të stabilizuar në këtë vend me vështirësi të pashpjegueshme.
Për botimin e këtij libri që mban në mbulesë emrin tim si përgatitës, shprehi falenderim dhe mirënjohje Vatrës, sepse Vatra finacoi botimin e historisë së vet reale. Për përgatitjen e librit: Për rënditjen, redaktimin e shikimin i secilës shkronjë e paragraf, falënderoj simotrën Elizabeta (Greca) Shehu, e cila është këtu midis nesh dhe rrin e heshtur. Urtësia dhe njerzillëku i saj gjatë përgatitjes së librit, shpesh herë më ka përmalluar dhe kthyer në kujtesën time sikur t’isha duke këmbyer mendime me Dalip Grecën, mikun tim të përjetëshëm.
Dalipin e kam pa shpesh herë të mërzitur, të lodhur, të dëshpëruar, ku shprehte vëllazërisht zhgënjimin e tij të gjithanshëm për negativitetin e reklamimeve të sotme përsonale, qoftë në radhët tona këtu në mërgim, qoftë në atdheun tonë etnik. Ai, gjatë bisedës i kalonte dhimbjet dhe streset e tij me shpresë për një të ardhme më të mirë dhe më të sinqertë midis nesh. Dalip Greca, mllefet e tij ndaj këtij negativiteti nuk ka munguar t’i shprehë në gazetën Dielli me një trajtim shumë të matur. Ai ishte i kujdesshëm kur shkruante, ose kur detyrohej të reagonte ndaj kritikave që i bëheshin Vatrës, Diellit, atij apo miqve të tij të ngushtë. Ai kontrollonte veten në mënyrë të çuditshme, por përgjigjen dhe qëndrimin e tij e jepte të qartë. Studimet, analizat dhe të gjitha shkrimet e Dalip Grecës dallohen për forcën e argumentit, kthjelltësinë e mendimit dhe thjeshtësinë e trajtimit.