Dr. Lulzim Nika/
Sot në përvjetorin e rënies së heroit Ilaz Kodra takova bashkëshorten dhe dy vajzat e tij dhe familjarët e tjerë.
Me respekt dhe nderim bëmë homazhe dhe u përulum para veprës së lavdishme dhe krenare të heroit Ilaz Kodra..
Ai shquhej për guximin, moralin dhe besimin në lirinë e Kosovës.
Ishte i veçantë për bashkëpunimin dhe respektin që gëzonte në mesin e ushtarëve.
30 prilli i vitit 1999 ishte ndër ditët më të përgjakshme të Luftës Çlirimtare të Kosovës.
Sot nderojmë kujtimin e atyre që dhanë jetën për liri.
“Nuk ka më të çmueshëm se jeta, por vetëm liria është më e çmueshmja. Prandaj, për liri do ta japim edhe jetën”. Ishin fjalët e Ilaz Kodrës.
Ky ishte Gjeneral Ilaz Kodra!
Kujtojmë heroin Ilaz Kodra, heroinën Antigona Fazliu, edhe 58 deshmorët dhe 235 martirët që ranë në fund të prillit të vitit 1999, për të mos vdekur kurrë.
Sot, mbushen njëzetepesë vjet nga rënia heroike e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ilaz Kodra, i cili së bashku me Komandantin historik Adem Jashari, ideologun Fehmi Lladrovci dhe me grupin e Drenicës ishin embrioni i UÇK-së, i cili ka qenë grupi i parë më i madh i organizuar që vepronte në teren, me aksione konkrete, duke organizuar sulme kundër aparatit shtetëror serb të instaluar në Kosovë.
Të gjitha faktet dhe të dhënat historike të shkruara dhe të dëgjuara nga dëshmitarët e kohës, na bindën për të arritur në një konkludim se Grupi i udhëhequr nga Adem Jashari, ku në te ishte edhe heroi i Kosovës Ilaz Kodra, ishte grupi i parë më i organizuar, dhe për nga numri më i madhi që filloi nën tytën e pushkës dhe sakrificës titanike që kërkonte liria e atdheut tonë të dashur, Kosovës!
Heroi Ilaz Kodra shquhej me besim të jashtëzakonshëm për ardhmërinë dhe lirinë e Kosovës, ishte i pathyshëm dhe përkundër rrethanave të rënda që përjetonte me humbjen e shumë shokëve, që së bashku kishin filluar projektin e lirisë së Kosovës.
Në këtë ofensivë gjakatare, ai ra për të mos vdekur kurrë, ra komandanti dhe heroi Ilaz Kodra, bashkë me shumë luftëtarë të tjerë, ranë në altarin e lirisë së Kosovës.
Rroftë liria e Kosovës, sakrifica e madhe e shumë e shumë brezave dhe luftëtarëve të rënë për të!
Lavdi Komandantit Ilaz Kodra!
Lavdi të rënëve për liri!