
Ramazan Çeka/
Vogëlushët këngëtarë, gurë të çmuar në kurorën e “Diamond Fest”.
Festivali i Fëmijëve “Diamond Fest” në Kosovë finalizoi me sukses edicionin e tij të 13-të, një ngjarje ku kënga bashkoi fëmijët pjesëmarrës nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Mali i Zi. Ky festival i solli Prishtinës freskinë, ngjyrat dhe shijen e vërtetë të artit muzikor për fëmijë. Në skenën e ndritur të “Klan Arena”, nën përkujdesjen dhe drejtimin e palodhur të drejtoreshës, znj. Njomza Mezini, u shpalos një mozaik i mrekullueshëm zërash dhe emocionesh. Si një kurorë me lule shumëngjyrëshe, fëmijët e përzgjedhur nga të gjitha trojet shqiptare debutuan me sukses, duke sjellë në këtë stinë verore aromën e bukur të krijimtarisë dhe talentit. Në prani të një publiku të jashtëzakonshëm, të pranishmit përjetuan një natë të paharrueshme plot energji dhe shkëlqim.
Gazmorë, të hareshëm e sportivë, artistët e vegjël vërshuan në tapetin e kuq e më pas në skenë, duke vrapuar nga të dyja anët e saj e duke krijuar imazhin e një kurore të gjallë e plot ngjyra, ashtu siç ishin edhe veshjet e tyre. Auditori i priti dhe i shoqëroi ata me duartrokitje e ovacione të zjarrta që nga fillimi e deri në fund të spektaklit. Skena, si çdo vit, ngjante me një bahçe të mbushur me zogj këngëtarë.
Ky sukses mbart edhe vulën e kompozitorëve, poetëve dhe mjeshtërve të muzikës, të cilët sollën krijimet e tyre më të mira artistike. Festivali dëshmoi profesionalizëm të lartë, duke synuar jo vetëm zbulimin e talenteve të reja, nga të cilët varet e ardhmja e trashëgimisë sonë kombëtare, por edhe trajtimin e temave që prekin botën dhe përjetimet e fëmijëve të sotëm.
Idetë dhe realizimet e tilla meritojnë vlerësimin më të lartë. Në këtë kontekst, “Diamond Fest” sa vjen e bëhet më madhështor, duke prekur majat e suksesit falë vëmendjes së pareshtur, përkrahjes dhe kujdesit të jashtëzakonshëm të ideatores dhe themelueses së tij, znj. Njomza Mezini, e cila rrjedh nga një familje me tradita në art e kulturë, me një kontribut të çmuar në Prishtinë e mbarë Kosovën.
Për 13 vite me radhë, ky festival tashmë tradicional e ka kthyer Kosovën në një amfiteatër kulturor mbarëshqiptar. Performancat dhe vlerat kulturore jehojnë fuqishëm kudo, duke i përngjarë yjeve në qiellin e verës dhe duke e bërë Kosovën një pikëtakimi me potencial të jashtëzakonshëm kulturor, të cilin çdokush do të ëndërronte ta shihte nga afër.
Por, nëse skena është vetëm njëra anë e medaljes, e veçanta e kësaj feste është se në ditën e shfaqjes e gjithë Prishtina shndërrohet në një skenë të madhe. Sheshet, trotuaret dhe mjediset e bukura të qytetit mbushen me gjallëri nga njerëz të të gjitha moshave. Fëmijët gëzojnë së bashku me prindërit e tyre, e veçanërisht me gjyshërit, që për disa çaste kthehen edhe vetë në fëmijë. Janë emocione të papërsëritshme, të cilat i përjetova edhe unë. Vera në këtë qytet nuk shqetësohet për motin; edhe nëse ka ndonjë rigë shiu, janë fëmijët si flutura dhe bilbila që e ngrohin dhe e gjallërojnë kryeqytetin.
Në këtë edicion u interpretuan 31 këngë të reja, që i dhuruan qytetit një atmosferë festive. Ishin 31 performanca të shkëlqyera të interpretuara nga fëmijë pothuajse moshatarë me vetë festivalin, me krijime të autorëve të njohur e të rinj nga Kosova e më gjerë, si dhe të kompozuara apo orkestruara nga mësuesit e tyre. Çdo gjë ishte perfekte, si vetë diamanti. Ky festival është vendi ku secili fëmijë shkëlqen me dritën e tij. Për realizimin e tij u angazhuan me sukses të gjithë dashamirësit e këngës: muzikantë, poetë, orkestrues dhe prindër.
Po i shkruaj këto radhë shumë i emocionuar. Informacioni për ju, të nderuar lexues, kalon në plan të dytë para ndjenjës që dua t’ju përcjell. Gjeografia e festivalit sivjet u pasurua edhe më tej, ku në skenë ushtoi magjishëm edhe zëri i Plavë-Gucisë. Ishte Eli Ahmetaj, këngëtarja e vogël 8-vjeçare, ajo që solli jehonën e vogëlushëve të Alpeve tona. Ajo u shndërrua në një dallandyshe të parë, duke dëshmuar se atje po rritet një brez i mrekullueshëm që zbukuron fidanishten e së ardhmes sonë.
Një kënaqësi e veçantë për mua ishte pjesëmarrja në këtë festival si autor, pasi kënga “Lule në Flamur”, me tekst e muzikë të krijuar nga unë dhe e orkestruar me mjeshtëri nga Andi Unaza, u interpretua me shumë nivel nga vogëlushja Eli Ahmetaj, e cila u vlerësua me Çmimin e Tretë.
Emocionet e mia u bënë edhe më të papërsëritshme kur e gjeta veten si anëtar të një jurie prestigjioze, të përbërë nga:
Prof. Dafina Smajli – Prishtinë
Prof. Ilir Latifi – Kumanovë
Prof. Rasim Gashi – Klinë
Teuta Bilçari (Tekstshkruese) – Berat
Ky ishte sa një vlerësim, aq edhe një përgjegjësi e madhe profesionale.
Ky edicion, që u mbyll nën aromën e zërave fëminorë, do të lërë mbresa të pashlyeshme për një kohë të gjatë në mbarë Kosovën e më gjerë, falë edhe pasqyrimit të kujdesshëm nga kamerat e Radio Televizionit të Kosovës (RTK).
Në përfundim të garës, juria shpalli këto çmime kryesore:
Fituesja e edicionit të 13-të – Anila Mahmudi, me këngën “Revolucion”.
Vendi i Parë nga Juria: Malda Avdyli, me këngën “Ëndërr”.
Vendi i Parë Junior: Anja Syla, me këngën “Për nënën”.
Është krenari të shohim se në mbarë trojet shqiptare po rritet një brez i mrekullueshëm artistësh. Ky djep i artit muzikor vazhdon të përkundet me përkushtim dhe dashuri falë njerëzve që i shërbejnë me zemër, ndër ta edhe Njomza Mezini, së cilës i takon një meritë e veçantë për organizimin e këtij festivali të suksesshëm.
Urime të gjithë fituesve dhe çdo fëmije që ngjiti skenën, sepse secili prej tyre është një fitues në zemrat tona. “Diamond Fest” mbetet shtëpia e talenteve, vendi ku ëndrrat marrin jetë.