
Nga Rafael Floqi nga libri “Noli dhe Konica në dritën e Diellit”.
Marrëdhënia midis Fan S. Nolit dhe Faik Konicës nuk është thjesht një kapitull historik; është një dramë psikologjike dhe kulturore, një balancë e brishtë mes admirimit dhe konkurrencës, mes afërsisë dhe largësisë, mes idealizmit të zjarrtë dhe ironisë së kthjellët. Nuk i përket as kategorisë së miqësive të qeta, as asaj të armiqësive të hapura.
Ajo i përket një zone të ndërmjetme, një hapësire ku dy gjigantë që e njohin njëri-tjetrin thellë, e kanë të pamundur të mos përplasen, por po aq të pamundur të shkëputen.
Në psikologjinë moderne, kjo marrëdhënie quhet frenemies (freenemy mik-armik angl. R.F): një raport ambivalent ku individët janë njëkohësisht miq dhe rivalë, bashkëpunëtorë dhe kritikë, të afërt emocionalisht dhe të rrezikshëm për njëri-tjetrin.
Pikërisht ky përshkrim i shkon për mrekulli Nolit dhe Konicës.
1. Madhëria e parë: Admirimi i fshehur
Në thellësi të marrëdhënies së tyre gjendet një admirimi i ndërsjellë që, megjithëse nuk artikulohej gjithmonë hapur, ishte themeli i tensionit krijues mes tyre.
Noli e njihte epërsinë estetike të Konicës dhe e pranonte këtë me sinqeritet: “Faiku ka bisturinë; unë kam shpirtin.”
Kjo është një nga ato fjali që mund t’i thotë vetëm një njeri i sigurt në madhështinë e vet shpirtërore.
Nga ana tjetër, Konica shihte te Noli një forcë morale që pak njerëz e kanë: një energji që e mobilizon popullin dhe e përfaqëson shpirtin e një kombi. Në një letër të hershme shprehet me një lloj drite të frikshme: “Noli është i madh sa të të frikësojë.”
Ky nuk është vetëm kompliment, është pranim i një peshe.
Të dy e ndjenin njëri-tjetrin si prani të pazëvendësueshme.
2. Madhëria e dytë: Bezdisja e domosdoshme
Por admirimi nuk mjafton për t’i mbajtur afër dy mendje kaq të ndryshme. Në fakt, pikërisht madhështia e secilit prej tyre krijon një lloj lodhjeje të pashmangshme.
Noli e ndiente ironinë e Konicës si një thikë të rafinuar, jo për shkak të ligësisë, por për shkak të saktësisë së saj. Noli ishte zë moral, zë profetik; retorika e tij ishte shpërthyese dhe e mbështetur te shpirti. Dhe ai e dinte se Konica, me syrin e tij estetik dhe gjykimin e saktë, do ta nuhaste çdo teprim, çdo idealizim të pakontrolluar.
Konica, në anën tjetër, lodhej nga intensiteti i Nolit. Ai besonte te puna e vogël, e duruar, te standardi dhe te përpikmëria.
Noli besonte te momenti historik, te flakërimi i ndërgjegjes. Për Konicën, Noli ishte shumë i madh për t’u menaxhuar; për Nolin, Konica ishte shumë kërkues për t’u ndjekur. Dhe megjithatë, kjo bezdi ishte një pjesë e pandashme e admirimit.
3. Forca që shtyjnë njëra-tjetrën drejt majës
Në shumë kultura, çiftet intelektuale funksionojnë si “kundër-forca” që e rrisin njëra-tjetrën. Noli dhe Konica janë shembulli shqiptar i kësaj simetrie të rrallë.
Pa Konicën, Noli do të rrezikonte të humbiste në idealizëm të pastër. Ai kishte gjenialitet moral, por jo gjithmonë durim analitik. Pa Nolin, Konica do të rrezikonte të mbetej në estetikë të kulluar, larg nevojave të popullit dhe larg emocioneve kolektive.
Noli, me pathosin e tij moral, e çonte Konicën drejt shpirtit. Konica, me kthjelltësinë e tij estetike, e çonte Nolin drejt mendjes.
Ata nuk e zëvendësonin njëri-tjetrin. Ata e përsosnin njëri-tjetrin, duke qëndruar të ndryshëm.
4. Pse nuk u grindën kurrë publikisht?
Kjo është një prej enigmave më fisnike të historisë sonë kulturore.
Në privat ata mund të kenë pasur heshtje të ftohta, zhgënjime, mosdakordësi të thella. Por në publik, asnjë nuk e sulmonin njeri- tjetrin. Asnjëri nuk e përdori tjetrin për përfitim politik apo retorik.
Pse?
Sepse ata e kuptonin se konflikti i tyre nuk ishte personal, ishte misionar. Dhe një grindje publike mes tyre do të ishte fitore për armiqtë e kombit. Ndaj Konica, që tallej me të gjithë Shqipërinë, nuk e talli kurrë Nolin.
Dhe Noli, që ngrinte kryengritje morale ndaj kujtdo, nuk e goditi kurrë Konicën personalisht.
Kjo është një etikë historike e rrallë.
5. Miqësi që nuk jetohet, por mbetet
Ata nuk ishin miq të përditshëm. Nuk i bashkonte rutina. Nuk ishin njerëz që do të uleshin për kafe. Por i bashkonte një diçka më e fortë: i bashkonte- historia.
Noli dhe Konica janë miqësi epokale, jo miqësi intime. Janë dy figura që nuk e kërkuan afërsinë personale, por e krijuan njëri-tjetrin përmes distancës krijuese.
Nuk i lidhi rehatia. I lidhi misioni.
Ata qenë frenemies, që krijuan kulturën moderne shqiptare
Nëse do të mungonte njëri prej tyre, kultura shqiptare do të ishte e gjymtuar: pa Nolin, do të mungonte thellësia morale dhe gjuha profetike; pa Konicën, do të mungonte eleganca, standardi dhe kritika estetike.
Ata janë dy këmbët e së njëjtës urë. Njëri mban drejtësinë. Tjetri mban formën.
Rivaliteti i tyre nuk ishte shkatërrues, por krijues. Miqësia e tyre nuk ishte e qetë, por ishte themelore. Ata janë frenemies në kuptimin më të bukur: dy energji që nuk mund ta duan njëra-tjetrën pa e sfiduar, dhe nuk mund ta sfidojnë njëra-tjetrën pa e respektuar.
Kjo dramë e heshtur është zemra e identitetit modern shqiptar.
Që në fillim, të dy e panë njëri-tjetrin si reflektim të atyre cilësive që vetë i kërkonin. Konica admiroi te Noli një poliglot të rrallë, një orator me temperament profetik, një njeri që “digjej me flakën e idealit”, siç do ta përshkruante vetë në mënyrë të tërthortë në shkrimet e tij për karakteret politike shqiptare.
Megjithatë, solemniteti i Nolit e shqetësonte Konicën, i cili ironizonte shpesh “predikimet me patos të tepëruar”, një thumb që i përket qartësisht Nolit edhe kur nuk përmendet me emër.
Nga ana tjetër, Noli e çmonte finesën e gjuhës koniciane, të cilën e quan “gjuha më e bukur e shqipes së shkruar”, por njëkohësisht e bezdiste cinizmi i Konicës, mungesa e besimit të tij në mundësitë morale të popullit, mendimi që Noli e dënonte shpesh në mënyrë të nënkuptuar në predikimet dhe shkrimet e tij politike.
Pavarësisht këtyre tensioneve, një simbiozë e pavullnetshme filloi t’i lidhte.
Konica kontribuoi si askush tjetër në formësimin e shqipes letrare moderne. Në artikull pas artikulli të Albania-s, gjuha e tij shkëlqen me atë që ai vetë e quante “estetikë e pastër e mendimit”.
Noli, nga ana e tij, solli solemnitetin moral dhe fuqinë e një etosi të ri: besimin se kombi shqiptar mund të ringrihej nga prapambetja dhe të ndërtonte shtetin e vet.
Për Konicën, arti i fjalës ishte bisturi; për Nolin, fjala ishte çekiç që duhej të binte mbi padrejtësinë.
Konicës i mungonte idealizmi i Nolit; Nolit i mungonte eleganca kirurgjikale e Konicës. Në këtë mënyrë, secili plotësonte boshllëqet e tjetrit. Njëri i jepte kulturës shqiptare gjuhën, tjetri i jepte shpirtin. Njëri i jepte kritikën, tjetri besimin.
Polemikat e tyre, të drejtpërdrejta ose të fshehta, nuk ishin vetëm akte përplasjesh egoje. Ishin akte të themelimit të kritikës moderne shqiptare. Konica shtynte përballë mediokritetit me fjalë që “prisnin si brisku i rrojës”; Noli ngrihej mbi padrejtësinë me fjalë që “thërrisnin drejtësinë”. Të dy kërkonin të vërtetën, por me mjete të ndryshme: njëri me bisturinë, tjetri me çekiçin.
Në këtë tension të vazhdueshëm u farkëtua një pjesë e mirë e vetëdijes kombëtare shqiptare.
Pa Konicën nuk mund të kuptohet standardizimi modern i shqipes. Pa Nolin nuk mund të kuptohet modernizimi politik dhe shpirtëror i shqiptarëve. Pa rivalitetin midis tyre, kultura shqiptare e fillimit të shekullit XX nuk do të kishte marrë atë pjekuri estetike dhe morale që e dallon.
Në fund, Konica dhe Noli nuk ishin kurrë thjesht kundërshtarë, as thjesht miq.
Ata ishin frenemies (miq-armiq) në kuptimin më të thellë të fjalës: të domosdoshëm për njëri-tjetrin, të papajtueshëm në temperament, të pandashëm në histori.
Është interesant fakti tregon Qerim Panariti, një bashkëpunëtor dhe mik i ngushtë i Fan Nolit, publicist i shquar, veprimtar aktiv i “Vatrës”, kryeredaktor i gazetës “Dielli”, i diplomuar për gazetari (1926), patriot i flaktë, antifashist e demokrat, analist në shtypin qendror amerikan, i cili botoi postum veprën e papërfunduar së Faik Konicës ” Shqipëria, kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore” i cili kujton se Noli pranoi dhe bëri parathënien e librit,” më 8 maj 1957– Peshkop Noli mbaroi hyrjen për librin e Konicës. Është e mirë”.
“Shqipëria – kopshti shkëmbor i Evropës juglindore” arriti sot mbasdite. Duket i bukur. Jemi gati të tronditur… F. Noli, gjithashtu, është i kënaqur me të.”
Vetëm duke lexuar tensionin midis tyre kuptojmë se si shqiptarët e diasporës kaluan nga romantizmi folklorik i shekullit XIX në modernitetin kritik të shekullit XX.
Dhe vetëm duke pra-nuar këtë dualitet, ne kuptojmë se përse historia vazhdon t’i për-mendë gjithmonë së bashku, edhe kur ata vetë mund të mos e kishin kërkuar këtë fat.