
Kjo ditë, është edhe dita e shën Jan Kukuzelit, kompozitorit shqiptar, këngëtar dhe reformator i madh i muzikës kishtare bizantine.
Dita Ndërkombëtare e Muzikës, u shpall më 1 tetor 1975 nga Këshilli Ndërkombëtar i Muzikës (International Music Council), një organizatë e themeluar nga UNESCO në vitin 1949.
Ideja u miratua në Asamblenë e 15-të të Këshillit në Lozanë më 1973, në një kohë tensioni të Luftës së Ftohtë, duke u konsideruar si simbol i fuqisë së muzikës si gjuhë e përbashkët e njerëzimit, si mjet komunikimi pa kufij dhe si urë që lidh kulturat e ndryshme. 1 tetori na kujton se muzika nuk është thjesht art i bukur, por edhe një formë e thellë shprehjeje shpirtërore dhe identitare.
Në traditën shqiptare dhe më gjerë në hapësirën bizantine, një figurë e shenjtë që lidhet ngushtë me muzikën është Shën Jan Kukuzeli (shek. XII–XIII), i njohur si “Engjëlli i muzikës bizantine”. Ai ishte një kompozitor, këngëtar dhe reformator i madh i muzikës kishtare, i cili solli një pasuri të re melodike dhe e ngriti artin e psalmit në një nivel të lartë artistik e shpirtëror. Kukuzeli u nderua nga tradita ortodokse, jo vetëm për talentin e tij muzikor, por edhe për jetën e tij të përkushtuar ndaj besimit dhe shërbimit shpirtëror.
Lidhja e Ditës Ndërkombëtare të Muzikës me figurën e Kukuzelit është domethënëse: në një kohë kur bota feston muzikën si gjuhë universale, kujtojmë se rrënjët e saj shpirtërore dhe artistike kanë qenë gjithmonë të pranishme në kulturën tonë.
Dita Ndërkombëtare e Muzikës festohet në mbarë botën me koncerte publike, koncertet e orkestrave kombëtare deri te workshop-et e vogla në shkolla, aktivitete komunitare, transmetime radiofonike e televizive, nisma digjitale nga platformat muzikore etj.