
Nga Mimoza Dajçi/
Në fillim të vitit 1692, në fshatin Salem pranë Masaçusetsit një grup vajzash të reja, përfshirë vajzën 9 vjeçare dhe mbesën e pastorit Samuel, nisën të shfaqnin simptoma të çuditshme dhe sjellje të pashpjegueshme. Mjeku lokal, nuk ishte në gjendje ta shpjegonte këtë situatë nga ana mjekësore dhe deklaroi se ato ishin nën ndikimin e “syrit të keq” ose magjisë.
Nën presionin e komunitetit, vajzat akuzuan tri gra të margjinalizuara, një grua skllave nga Karaibet, një grua të varfër të pa strehë dhe një grua të moshuar që nuk shkonte rregullisht në Kishë.
Gjatë marrjes në pyetje, Tituba pranoi (kryesisht nën dhunë dhe presion) se kishte bërë pakt me djallin dhe se në fshat kishte edhe shtriga të tjera. Ky pranim e shndërroi shqetësimin lokal në një panik masiv. Komuniteti puritan besonte me ngulm se Djalli vepronte aktivisht në botë dhe se çdo fatkeqësi ishte ndëshkim ose vepër e tij.
Konfliktet e brendshme për pronat, frika nga sulmet e popullsive indigjene dhe kriza politike krijuan një terren të pasigurt. Gjykata pranon “dëshmi” ku viktimat pretendonin se shihnin fantazmën ose krahët e shtrigës që i torturonte, gjë që e bënte të pamundur mbrojtjen juridike. Për më shumë se një vit u akuzuan mbi 200 persona, disa prej tyre vdiqën në burgje nga kushtet e vështira.
Procesi u ndalua në maj 1693 pasi Guvernatori i kolonisë ndaloi përdorimin e “dëshmive spektrale”, pasi akuzat prekën edhe figura mjaft të njohura. Sot, kjo histori nuk është më një gjyq real, por është kthyer në një dukuri kulturore dhe turistike në Massachusetts.
Gjatë shekullit të 20-të, e veçanërisht pas viteve 1970, Salem e përqafoi këtë pjesë të historisë si identifikim turistik. Qyteti mban simbole si stema zyrtare me figura shtrigash, makina policie me logon e shtrigave, dhe muze të shumta historike. Edhe pse Historia e shtrigave të Salemit është një nga ngjarjet më të errëta dhe më të njohura të historisë amerikane, çdo vit gjatë tetorit, veçanërisht për festën e Halloween-it, Salem pranon mbi një miliard vizitorë nga e gjithë bota.
Qyteti organizon parada, ture fantazmosh dhe shfaqje teatrale. Përveç argëtimit dhe festimeve tregtare, qyteti mban edhe memoriale solemne për të nderuar viktimat e pafajshme. Kjo histori përdoret shpesh si mësim kundër gjuetisë së shtrigave moderne, paranojës kolektive dhe censurës. Festohet zakonisht në Salem dhe zgjat gjatë gjithë muajit tetor. Festimet nisin zyrtarisht më 1 tetor dhe përfundojnë më 31 tetor, ditën e Halloween-it.
Aktivitetet zgjasin plot 31 ditë. Java e fundit e tetorit dhe veçanërisht nata e 31 tetorit mbledh numrin më të madh të vizitorëve. Festivali u krijua për herë të parë në vitin 1982 si një aktivitet modest 3 ditor për familjet, por sot është kthyer në festimin më të madh të Halloween-it në botë.
Festimet hapen me një paradë të madhe me kostume e shfaqje rruge në fillim të tetorit. Gjatë gjithë muajit organizohen ture nate për historitë e fantazmave, vizita në shtëpitë historike nga komuniteti modern Wicca. Për shkak të fluksit të jashtëzakonshëm prej më shumë se 1 milion vizitorësh gjatë tetorit, qyteti inkurajon të gjithë turistët që të përdorin trenin nga Bostoni, pasi rrugët dhe parkingjet e Salemit bllokohen plotësisht.