
Arben Iliazi/
Përfundova së lexuari librin “Poeti i vështirë Lasgush Poradeci (tekstualizëm dhe stil)”, Onufri, Tiranë 2024, një studim polisemantik letrar i tekstit dhe shenjave letrare, me një shumëllojshmëri kuptimesh, shtresash dhe mesazhesh në të njëjtën kohë, shkruar nga studiuesi dhe shkrimtari i njohur, Luan Topçiu, një dishepull i shquar i Lasgushit.
Lasgush Poradeci është, padyshim, një poet kanonik, një figurë klasike e letërsisë shqipe, i cili konsiderohet si një nga shtyllat e identitetit kulturor kombëtar, veprat e të cilit, për turpin e autorëve që hartojnë kurrikulat, nuk studiohen sa duhet nëpër shkolla e universitete.
Poezia e Poradecit dallohet për një stil unik, që ndërthur traditën gojore popullore me mjeshtërinë e lartë letrare, duke refuzuar rregullat e ngurta të kohës. Ky zgjedhim gjuhësor i dha poezisë së tij një autenticitet emocional dhe një ngrohtësi të drejtpërdrejtë.
Lasgushi himnizon lirinë, barazinë dhe vëllazërinë universale, duke e zhveshur poezinë nga pompoziteti dhe duke e futur në rrjedhat e letërsisë universale.
Në studimin e tij, Dr. Luan Topçiu e sheh Lasgushin si një figurë që qëndron në pragun e modernitetit tonë, me një ngashnjim poetik gati profetik, që i afrohet së vërtetës me një përpjekje transhedente. Duke bërë urën lidhëse midis rregullit klasik, ndjeshmërisë romantike dhe fillimeve të modernitetit, Lasgushi konsiderohet si “babai” i modernitetit poetik, që shkroi me një frymë dhe disiplinë klasike, si Sharl Bodler apo Paul Valeri në Francë.
Moderniteti romantik i Poradecit ushqehet nga romantizmi (melankolia, panteizmi, kulti i natyrës, idealizimi i dashurisë, dëshpërimi, kulti i së bukurës), por i transformon këto përmes simbolizmit dhe misticizmit modern, duke u fokusuar te filozofia e ekzistencës.
Pavarësisht temave mistike, dashurore dhe moderne, forma e tij poetike mbeti e përsosur, simetrike dhe rigoroze, besnike ndaj metrikës klasike. Lasgush Poradeci njihet për një disiplinë të jashtëzakonshme formale. Ai e gdhendte vargun me saktësi prej argjendari, duke ruajtur rregullat e rrepta të rimës, ritmit dhe muzikalitetit, çka i jep lirikës së tij një strukturë të pastër klasike.
Në këtë shqyrtim të rëndësishëm estetik ontologjik, Dr. Luan Topçiu synon të eksplorojë lidhjen e thellë midis qenies dhe estetikës te poeti, duke marrë në konsideratë individualizimin e topikëve sipas nevojave, interesave dhe aftësive unike të çdo lexuesi në ditët e sotme.
Në studimin e Dr. Topçiut nuk kemi të bëjmë me një vështrim estetik sakral, me prirjen për ta konsideruar bukurinë e vargut lasgushian si një shfaqje të hyjnores, të mbinatyrshmes ose të shenjtës, por vepra e Lasgushit na shfaqet në një horizont të plleshëm, mes filozofisë së ekzistencializmit, me një qasje filozofike dhe artistike, në një korpus poetik mitik, me hapësira të pafundme lirike.
Studimi “Poeti i vështirë Lasgush Poradeci (tekstualizëm dhe stil)” përmban disa kapituj si: “Poezia, vlera, interpretimi”, “Vështrim hermeneutik mbi poezinë filozofike”, “Paradigmat e pulsioneve të jetës”, “Vizioni poetik i vdekjes”, “Poeti dhe piktura”, “Paradigma e mallit” dhe “Vlera stilistike e fjalës”, “Lasgush Poradeci dhe ligjërimi modern i poezisë”.
Si dhe nënkapitujt: “Simbolika e shenjave të sistemit” dhe “Sistemi dhe përkatësia tekstuale”.
Mes kapitujve vërehet një bashkëlidhje strukturale, për të përpunuar një metodologji të vetën të analizës tekstuale, në nivel të thellë strukturor. Përmes një tipologjie semiotike (një procedurë analitike cilësore që studion shenjat, simbolet dhe mënyrën se si ato prodhojnë kuptim), autori nuk na jep vetëm tregues të ligjërimit poetik, por çmitizon mitin strukturalist të tekstit, duke “shkatërruar” idenë e pragmatizmit të pastër të leximit, që shpesh e ka konsideruar tekstin letrar të Lasgushit si të vjetër e të perënduar.
Semiotika bazohet në parimin se çdo gjë funksionon si një “shenjë” që mbart një mesazh të fshehur ose të hapur. Kjo metodë zbërthen strukturën e thellë për të kuptuar pse dhe si transmetohet ai kuptim. Dr. Topçiu është më shumë i interesuar të analizojë valencën estezike, pra perceptive, të përvojës estetike, duke depërtuar në kodet e poetit, metaforicitetin e brendshëm, strukturat poetike sipas efekteve të muzikalitetit, që krijojnë zona komplekse kuptimi dhe që përbëjnë një strukturë hierarkike shumë komplekse.
Përmes risive shenjuese të hapësirave të tekstit estetik, Topçiu krijon një subjekt diskursi analitik, të kompetencializuar, dhe flet për mundësi të pafundme leximi dhe rileximi të traditës poetike lasgushiane, në sintoni të plotë me artin poetik modern, jo vetëm atë shqiptar. Ky reflektim priret të shumëfishojë ligjërimet, duke pohuar sensibilitetin dhe raportin ndjesor me epokën, që tekstet lasgushiane vazhdojnë të prodhojnë edhe sot.
Analiza e Dr. Luan Topçiut, duke u përpjekur të rindërtojë një aksiologji etetike, tregon se përvoja estetike ka një moment që i mundëson lexuesit hyrjen tek e vërteta e Lasgushit.
Duke analizuar gjerësisht stadin estetik të Poradecit, L. Topçiu futet thellë në unin e thellë të poetit, atje ku ai vendos lirinë dhe shpirtin krijues dhe prej këndej analizon përmbajtjen filozofike, thellësinë e mesazhit lirik, rezonancën e brendshme muzikore dhe pastërtinë e vargut.
Duke u marrë gjerësisht me tekstin dhe stilin e Poradecit, në këtë studim është shumë e fortë ndjeshmëria ndaj aspekteve ndërsubjektive të ligjërimit lasgushian, ku autori analizon një korrelacion subjektivitetesh dhe ku gjuha shihet si instrument veprimi, jo thjesht një kod i antropologjisë poetike, për të transmetuar informacion, por mjeti kryesor që zbulon, dokumenton dhe rindërton përvojën ekzistenciale, shpirtërore dhe kulturore të poetit. Ajo shërben si një urë lidhëse midis vëzhgimit shkencor të kulturave (antropologjisë) dhe fuqisë shprehëse të artit (poetikës).
Studiuesi Luan Topçiu ka meritën se nuk e vlerëson Lasgushin me kritere thjesht akademike apo logjike, por me shkallën e emocionit shpirtëror që ai zgjon, përtej çdo përfytyrimi konkret, dhe me rezonancën ndërkulturore, që kapërcen kufijtë kombëtarë dhe gjuhësorë, duke krijuar një dialog shpirtëror dhe estetik midis kulturave të ndryshme në kontekstin evropian.
Krijimtaria e Poradecit ka arritur një status të padiskutueshëm për ta pranuar, pse jo dhe botërisht, si model i shkëlqimit estetik, duke u bërë pjesë e korpusit të veprave dhe autorëve themeltarë të letërsisë së shekullit të XX.