
Në zhargonin popullor shpesh përsëritet se çudia më e madhe zgjat tri ditë. Mbase kjo është edhe arsyeja që ata që manipulojnë e shpërdorojnë opinionin publik shqiptar i publikojnë skandalet me radhë, thjesht për interesat e tyre të sundimit, duke u munduar që ta largojnë sa më shumë të jetë e mundur fokusin e publikut nga veprimtaria e tyre kriminale në favor të agjendave të tyre të sundimit.
Për të konfirmuar këtë që thashë, mjafton t’u referoheni dy skandaleve të fundit që u publikuan së fundmi, të cilat realisht nuk janë as të reja dhe as të panjohura. Mjafton t’i referohemi deklaratës së Ylli Rakipit në emisionin “Opinion”, ku thotë se këto i dinin, duke iu referuar “zyrës” së Gysit, por edhe faktit se videot erotike të personave publikë shqiptarë paskan ekzistuar për rreth dy vjet në internet, ndërsa për publikun shqiptar u bënë të ditura vetëm sot.
Po përse ustallarët i nxorën pikërisht tani?
Sigurisht që po mendohej se do të konkretizohej qëllimi dhe misioni i protestës kombëtare, duke u munduar që, me këto skandale, t’i paraqesin publikut shqiptar si një film pa para të një historie rozë apo si shigjetim të grave, që realisht asnjëra nuk janë të tilla.
Mediat dhe portalet e shitura dhe të blera i trajtojnë skandalet në favor të agjendave të tyre dhe jo si një pasqyrë të një pushteti pervers, që një Zot e di se sa është numri i viktimave të këtyre organizmave perversë e kriminalë.
Shikoni me vëmendje fushën e veprimtarisë së skandaleve të fundit, por që janë shumë më tepër se kaq, që janë bërë publike, e shumë të tjera që presin momentin se kur ustallarët do t’i bëjnë publike.
A ka një fushë të jetës politike e shoqërore sot në Shqipëri që ky pushtet pervers të mos ketë promovuar nga kjo kategori e skandaleve, duke nisur nga kreu i qeverisë, së bashku me të gjithë kabinetin e tij dhe të gjitha agjencitë e strukturat, deri te zgjedhja e “kryetarit” të komunës, që e quajnë president, të cilin e morën nga një person nën hetim dhe e vendosën në krye të shtetit?
Krejt establishmenti, së bashku me mediat e tij të shitura e të blera, nuk thotë asnjë fjalë për viktimat e këtij pushteti e shteti pervers në të gjitha fushat e jetës, duke nisur nga politika e me radhë, kultura, arti, sistemi arsimor e punësimi, e deri te grabitja e pronës, punës e çdo gjëje, duke e shndërruar Shqipërinë në një tokë djerrë për vlerat njerëzore e njeriun e punës së ndershme, duke e shpopulluar e shkombëtarizuar vendin më të bukur e më të pasur të botës për njësi sipërfaqeje.
Përse nuk e zë askush me gojë historinë e suksesit të një vendi si Hong Kongu i sferës perëndimore, pasi stacioni i fundit i këtyre perversëve është burgu?
Shqiptarët janë zgjuar tashmë, brenda e jashtë Atdheut, dhe të gjithë duhet të bashkohemi e të çrrënjosim këtë të keqe të madhe që e ka zënë Shqipërinë, në respekt të dinjitetit njerëzor e krenarisë kombëtare, që mbështetet nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë:
Neni 2
- Sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket popullit.
- Populli e ushtron sovranitetin nëpërmjet përfaqësuesve të tij ose drejtpërsëdrejti.
Të ngremë një qeveri tranzitore me mandat më së paku njëvjeçar, që të garantojë një Kod të ri Zgjedhor, pjesë integrale e Kushtetutës së re që do të aprovohet me referendum popullor, ku, përveç të tjerave, të garantohet një proces zgjedhor i lirë e i ndershëm, ku në institucione të shkojë vullneti i popullit shqiptar dhe jo rriqnat e interesave antishqiptare që nuk na janë ndarë për më shumë se 100 vjet.
Kjo tashmë nuk është një vullnet apo dëshirë e një grupi të caktuar, por një thirrje emergjente e pjesës dërrmuese të shqiptarëve brenda dhe jashtë Atdheut, që e kanë kuptuar se veprimtaria e përfaqësuesve e agjendave të antishqiptarizmit, që i kanë lënë e po tentojnë t’i lënë vendin njëri-tjetrit, po e shuajnë kombin shqiptar nga harta gjeopolitike e Europës.
Lirinë dhe demokracinë i gëzojnë ata popuj e kombe që luftojnë që t’i kenë.
Ajet Delaj
New York