Kastriot Fetahu/
Ese
“Waterloo” e Napoleonit mbaroi brenda një dite, “Waterloo” e ABBA zgjat vetëm disa minuta, ndërsa “Waterloo” e poetëve nuk ka limit…
Mozaiku i tyre, si një monedhë ku ana e pasme e së cilës me dritëhijet e saj i ngjan një teatri pa sallë dhe pa skenë, aktorët janë ata… poetët.
Imagjinata “brutale” vizaton konturet e teatrit të panjohur me penela të errët, si fundi i një grope oqeanike që nuk shikohet kurrë, për të sjellë tek ju të vërtetën e fshehtë të atij metropoli shkronjash dhe ndjesish të dyzuara midis fletësh dhe mendjesh pasionante, që nuk maturohen kurrë.
A është letërsia një fushëbetejë ku trofetë presin të ndahen në fund të saj me emra poetësh të mëdhenj të gjithëpranuar nga “mexhelisi fejsbukian” si të vërtetat e “Darkës së fundit?”
Vërej gjithmonë njerëz që nxitojnë, njerëz të ngrysur që nuk qeshin, se janë zhytur në drithërimat e ndarjes së çmimit, si Alkinou e mëtonjësit e tjerë në Itakën e pritjes së paduruar të vendimit të martesës së Penelopës.
Shikoj njerëz që mblidhen në celula sektesh poetikë dhe përcaktojnë objektin e sulmit të rradhës.
Po ashtu edhe gazeta elektronike e portale që botojnë të njëjtët emra, duke hyrë në një garë të padeklaruar për ndarjen e trofeve.
Më duket sikur po krijojnë një çmim të tipit “Vasili Zaicev” i filmit *Armiku tek porta” dhe në vend të pushkës do t’i “varin lapsin” në muzeun kombëtar!
Nuk mungojnë as individë të vetshpallur shkrimtarë të afirmuar, fshehur nëpër cepa të globit që “vendosin gishtin” mbi emra butaforikë me kontekstin e çmimit të fituar tashmë…
Dikush, “fitues portalesh dhe i afirmuar nga ndonjë shkrimtar cepaglobsh,” arriti deri atje sa të vjedhë komplet statusin e një autori e, ta postoj nën firmën e vet…
Në një rast tjetër është një shkruese fjalish shkollareske të mënyrës dëftore që i zgjat vertikalisht e, i shet për poezi dhe më pas “korrupton me byreqe” një administrator grupi, duke “blerë famë poeteje” në Askund!
A duhet të jetë skrupuloziteti aksesor bazik tek njerëzit që mendojnë se i përkasin dimensionit të POETIT?
Djalli nuk bëhet dot poet dhe as nuk ngjyroset me të kaltër!
Nga ana tjetër shikoj njerëz, njerëz që më “dhunojnë” me postimet e shumta në rrjetet sociale gjatë një dite dhe nuk e di pse më sjellin në mendje ca gra të veshura me temina xixëlluese që kërcenin në sallone oborri faraonësh të Egjyptit të lashtë…
Më shfaqet ndonjëherë sikur rrjeti social poetik i ngjan një pylli ku ujqërit vetëplagosen ose plagosin njeri tjetrin dhe vdesin të vetmuar si ata lebrozët, që janë të dënuar ta shtyjnë jetën në xhungël pa njerëz.
Përtej asaj që duket, dëgjoj zëra që përcaktojnë autorësinë e veprave të disa poetëve si “dhuratë” nga të tjerë më të zotë. Vështroj edhe gjahtarë të të dy gjinive që ndjekin këmba këmbës të tjerët për të zbuluar mbështetësit e tyre.
Joseph Fouche, ministri i famshëm i policisë të perandorit Napoleon Bonaparti, do t’i kishte zili…
Në një tubim në Askund ishin shpërndarë copa letre si indulgjencat e kishës katolike në mesjetë, që të dhuronin jo faljen, po “fronin” e poetit dhe njerëz, njerëz të lumtur i tundnin në ajër ato si bishta balonash tabake të fëmijëve.
Ata as nuk ngriheshin dot në nivelin e personazheve të Khaled Hosseini.
Se di pse gjithmonë ashtu si “Godoja” edhe Martin Luther nuk shfaqet në horizont…
Ndërkohë njerëz, që u ngjasojnë zombieve, vizitojnë faqet respektive, pasi pjesën tjetër e konsiderojnë “underground” që nuk ju rrezikojnë çmimin, por edhe këta me strategji të pa deklaruara mbajnë ndezur “luftën e yjeve” (jo atë të Ronald Reagan) mes tyre. Ky lloj sekti aparteidist duket sikur më ilustron atë frazën e famshme të filmit “Dy njerëz të një qyteti,” në fillim të tij ku emetohej në faqen e bardhë prej tekstili të ekranit -Në Francë ka dy gijotina, një që rri në qendër dhe një që udhëton në periferi.-…
Guximi im për të shkuar në tregjet ambulantë është i paguximshëm. Fletë, fletë librash, fletë të mëdha antologjish me emra njerëzish të pafajshëm në krye të titujve poetikë, janë në garë se cila prej tyre mban më shumë fara, gështenja të pjekura apo shpikje të tjera agrokulturash në pritje për të përfunduar në sy të zmadhuar njerëzish nga dëshira për të stomakëzuar pjekësirat dhe flakur tutje emra profanësh që jetojnë me ëndrra antologo-olimpike…
A nuk është kjo gjë analoge me blerjen e skllevërve nga skllavopronarët në kohërat e gladiatorëve?
* *. *
Dikush, poete dhe mike vërtet e çmuar më shkruan një ditë nga vendi im për të më bërë me dije se X poezi e Y poeteje nuk është e shkruar nga ajo por nga një mik i saj. Unë besoj se ndodh kështu vërtetë dhe paguajnë madje për të pasur libra me autorësinë e vetë dhe poezi të shkruara nga të tjerë, por rastin konkret e njihja dhe nuk pranova këtë arësyetim.
Pas një çasti habie nga siguria që përcolli lajmin, m’u sintetizua se në fushëbetejën imagjinare të luftës për përcaktimin e poetëve po hynte në veprim edhe “garda pretoriane.”
Hingëllima kuajsh dhe nxitime fallxhoresh për të përcaktuar fate poetësh bëhen bashkë në veshët e mi.
Mikja ime, që dukej si emisare speciale, (më vjen në mendje “i dërguari Xhabir” i Dritëro Agollit), tashmë kishte avancuar në fazën e dytë të sulmit, duke e quajtur poezinë të vjedhur dhe ishte kaq e ngarkuar emocionalisht si të kishte marrë detyrën për ta ekzekutuar poezirrëmbyesen, që të kishte një më pak në rrugën drejt fundit të luftës dhe arritjes së çmimit “Poet i madh.”
Fjalë, thoshte, fjalë të vjedhura dhe unë hallakatesha më keq, sepse poezitë me fjalë shkruhen dhe te “mali i dhjetëmijë fjalëve” të shqipes, (Shekspiri përdorte njëzetmijë në krijimtari), a nuk rrotullohemi të gjithë?
Poezia i ngjan asaj masës së madhe të brumit, nga e cila nënat tona marrin toptha të vegjël dhe na bëjnë petët e byrekëve aq të shijshëm, që vetëm ato dinë ti bëjnë.
Nuk e di pse nuk hapet një garë për byrekbërësen më të mirë(?), mendova në çast…
Poezia nuk shkruhet me numra, por i ngjan një algoritmi fjalësh për subjektin që zgjedhim të trajtojmë, i kumtova pas pak.
Ka vjedhur idenë e një mikes time, më tha, pse ka shkruar poezi për dashurinë…
Dmth për pronësinë për të shkruar për dashurinë liçensojmë njërin, për vdekjen liçensojmë dikë tjetër e poetët e paliçensuar i mbyllim në gijotinë poetike…
Në konceptin tim, poezi ka pa limit në këtë botë, ndërsa temat, idetë, motivet janë të kufizuara dhe të gjithë në atë bojë do të ngjyejmë për të shkruar, a nuk shkroi Homeri për dashurinë(?), fola më shumë me veten se me të.
Vetëtimthi më erdhi në mendje se kohë më parë më kishte pyetur me cilin isha nga grupimet aktuale të poetëve dhe pse nuk botoja libër, sepse ajo kishte botuar… “një dëng” me libra!
Aleanca e grupime poetësh, misioni?
U rrënqetha, se përnjimend pyeta veten -Po poeti i lirë?…
Sa vlen liria ime kështu? Pse jemi në “luftë” dhe e largojmë paqen, si stuhia një varkë me vela të thyera në det të hapur?
Dhe ju “përgjigja” me stilin e George Orwell, se -sa më shumë që njoh “poetët” aq më shumë nuk jam poet!-
-E ke dëgjuar Volterin?- e pyeta në vazhdim…
Po, më foli, ai poeti anglez…
Jo, i thashë, është filozof, shkrimtar, satirist francez, themelues i iluminizmit, kritik i ashpër i kishës romake dhe nga kalorësit më të mëdhenj të lirisë, një prej njerëzve më inteligjentë e më të ditur në botë, ai ka thënë -Origjinaliteti nuk është asgjë veçse imitim i mençur. Shkrimtarët më origjinalë kanë huazuar nga njëri-tjetri!
Ajo ngeli për një çast dhe kruajti kokën instiktivisht duke shtuar -po ajo ka vjedhur një strofë komplet dhe një miku im poet më dërgoi një ditë një poezi të vjedhur nga ajo.-
-Mi nis- i thashë, poezinë e saj dhe origjinalin e vjedhur, por nuk e kuptoj dot pse ti e vendos veten në kompeticion me të?
Po nuk janë e njëjta, më foli, por ngjajnë…
Kuptova, fazat e sulmit përshkallëzoheshin pas çdo pengese faktike që i dilte para…
Se di përse poetin, një target i caktuar syresh, e kuptojnë si një titull që jepet me dekret. Dekretoheshin kontët dhe dukët, markezët apo baronët nga dinastia e Bourbonëve, po kurrë një poet.
Nuk mendoj se mikja ime e njeh Prosper Merimee, por unë nuk e harroj operan “Carmen” e Georges Bizet, libretin e saj e ka shkruar Merimee, sikurse dhe librete të tjerë të operave që kanë bërë histori, konsiderohet pionier i novelës dhe nga koha e tij nuk njoh asnjë dukë apo kont.
Ndërkohë lajmet e ditës lançonin se një grua u vra nga burri i saj dhe se korrupsioni ishte më i madh se një vit më parë nga statistikat e BE-së…
Por ne jemi të zënë me luftën e ndarjes së çmimit “POETËT E MËDHENJ,” ne që jemi sa gjysma e popullsisë së Chicagos aktualisht.
Po sikur të shpërthejë kjo “luftë” edhe në Chicago, mendova…
Dhe në këtë sofizëm drithërues mikja ime vazhdoi -ajo përsërit metaforat e të tjerëve…-
Nuk do e pëlqejnë poezinë e saj nëse ajo nuk prodhon risi metaforike, ju drejtova dhe isha edhe i gëzuar se në Chicago nuk “e njohin” Waterloo, por punojnë me seriozitet në çdo aspekt të jetës…
“Në momentin që filloni të mendoni se fitimi i dikujt tjetër është humbja juaj, ju e kufizoni veten duke menduar për konkurrencën dhe mungesat.”
Grant Cardone, sipërmarrës, investitor dhe autor amerikan.
Pas pak e pyeta -e njeh Salvador Dali?-
Dramaturg francez, u përgjigj, ndërkohë që unë buzëqesha pa dashur ta fyej, duke i treguar se Dali ka një sentencë shumë të bukur
-Burri i parë që krahasoi faqet e një gruaje të re me një trëndafil ishte padyshim një poet; i pari që e përsëriti ishte ndoshta një idiot.
Ndaj poezia e bukur nuk pranon përsëritje i kumtova “poetes” që pretendonte edhe vetë çmim në fund të luftës…
Po “Chri-Chri” e ke dëgjuar?.
Është Shevqet Musaraj…
Këtë herë qesha vërtetë dhe i bëra me dije se Nonda Bulka ka shkruar një pamflet të bukur “Nga Londoni në Paris, Nga Belgradi në Athinë,” duke stigmatizuar ekzibicionizmin në pararendje të luftës së dytë botërore dhe kështu edhe ti me idetë që përcjell për “luftën poetike.”
Ndërkohë më erdhi në mendimin tim armiqësia antagoniste midis Tolstoit dhe Turgenievit, sa Tolstoi e ftoi edhe në duel e përsëri ata e nderonin njëri tjetrin si shkrimtarë.
Asgjë nuk është perfekte, koha konsiderohet juria më e mirë dhe e vetme që “ndan çmimet e poetëve,” përsiata duke mbyllur bisedën dhe diskutuar më pas për “kafen” në Tiranë në gushtin e ardhshëm…
K.F.
Chicago 05/05/2023
Në filmin “Taken 1” në një skenë kur aktori kryesor, Bryan Mills (Liam Neeson), vret një kapo të mafies franceze, ai i thotë “Asgjë personale, është thjesht biznes.”
Intriguese filozofia e Mao Tse Tung… -Turbullo që të kthjellohet.-
Ai ishte filozof dhe jo vetëm një lider komunist autoritar, që mbështetej në teoritë e Confucius dhe Mencius.