• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Si râ murtaja komuniste ….

July 30, 2020 by dgreca

At’ dr. Paulin Margjokaj dhe libri i tij: “Si râ murtaja komuniste e muer dhenë-Liri prendimore apo despoti orjentale?”

Shkruan: Lekë Mrijaj-

Botimi i librit studimor në shqip: “Si râ murtaja komuniste e muer dhenë – Liri prendimore apo despoti orjentale?” i At’ dr. Paulin Margjokaj, është një libër shkencor ku përfshihen të dhëna të ndryshme faktike të një periudhë të idhët të historisë sonë dhe të mbeshtetësve të tyre servil komunist, padyshim që është edhe një libër i bazuar me dëshmi të fuqishme bazike të viteve të komunizmit, komunizëm i cili për shumë dekada e sundoi dheun.

Ky artikull shkrimi rreth botimit të këtij libri bëhët në kuadër të 45 vjetorit të përkujtimit të kalimit në amshim të At’ dr. Paulin Margjokajt. Ndaj nxitimthi pa humbur kohë dhe me një përkushtim të plotë nisa ta shfletoj, lexoj dhe t’i prezantoj disa nga të dhënat e këtij libri-kapitujt dhe nënkapitujt, për të cilin libër po e them me plot përgjegjësi se është një libër me vlera qe vërtetë ia vlen të lexohet, jo vetëm nga studiuesit por edhe nga politikanët, intelektualët e lexuesit e tjerë sepse shikuar hollë e hollë, ky libër pasqyron një lloj enciklopedie shumë të vlefshme, me të dhëna të nevojshme për rrjedhën e mortajës së komunizmit në Shqipëri e vendet tjera.

Një ndër burimet e tilla apo të gjeturat faktike veq librave të tjerë të At’ dr. Paulin Margjokaj është edhe ky libër studimor qe sjell fakte, dokumente, dëshmi, kujtime të ndryshme rreth të kaluarës moniste diktatoriale enveriane e rusoserbe, i cili libër u botua nga Provinca Françeskane në Shkodër, pikërisht nga At’ Aurel Gjerkaj OFM., Ministër Provincial, i cili edhe mbanë të drejtën e botimit të librave të botuara të françeskanëve.

Ky vëllim i këtij libri studimor është vëllimi i dytë i librit: “Kush janë anmiqtë e Shqipnisë” i botuar nga Botimet françeskane në vitin 2012 ndërsa si shtesë e librit është edhe pjesëza tjetër e librit: “Liri prendimore apo despoti orjetale?”, e që në total perfshin gjithsejt 241 faqe, me ISBN – 9789995697853. Libri në fjalë është nxjerrë në dritë disa muaj me parë apo në fund të vitit 2019. Pikërisht është botuar në 800 vjetorin e Shën Françeskut në Shqipëri 1219-2019, nën mbështetjen të plotë financiare të veprimtarit, studiuesit e publicistit të mirënjohur shqiptar, z. Tomë Mrijaj nga Nju Jorku.

Autori i këtij libri, At’ dr. Paulini edhe pse ishte françeskan, ai, ishte edhe një doktorant gjeograf dhe historian tejet i spikatur i cili e zotëronte shumë mirë edhe gjeografinë dhe historinë mbarëshqiptare dhe atë globale. Ai, u mor me studime rreth historisë së përgjithshme të Shqipërisë që me ilirët, epokën mesjetare, periudhën barbare të pushtimit osman e deri te historia e kohës sonë përfshirë edhe ideologjin komuniste gjë qe e njeh shumë mirë çështjen e Shqipërisë, problemet, shkaqet si dhe mbrapaskenat e saj.

Lënda studimore tematike e veprës së At’ dr. Paulin Margjokaj veç fjalës hyrëse dhe parathënies së autorit është ndarë edhe në tre pjesë tjera përbërëse tejet koncize me këtë përmbajtje të kapitujve.

Ndaj paraprakisht që nē fillim të librit gjejmë Diftojsi:

• Bleni II

• Pjesa II

• Si ra murtaja komuniste e muer dhenë. Vjenë 1967,

• Nuk mund të heshtojmë (Parathënie e Blenit I- Kush janë anmiqtë e Shqipnisë,

• Dy fjalë për emrat e mesiperm,

• Parathanje e autorit.

Në kapitullin e parë gjejmë nentitujt kje rrena:

1. Kerkojm vizën e kufinit mes rrenës dhe çmendjës,

2. Mjeshtrat e rrenës,

3. Rrenë – jerm – andërr.

Kapitulli i dytë i librit shperfaq tejët qartë dhe natyrshem qe i solli lufta e dytë ndihmuen fort qi të përhapej komunizmi rus me nentitujt siq vijon:

1. Anglezët dhe Amerikanët mish e shpirt me Rusë kundra Gjermanëve,

2. Nder sy të Rusve janë edhe Anglo-Amerikanët anmiq njini sikurse Gjermanët,

3. Huj i mad hi pat kap krent e ksaj lufte.

Ndërkaq në kapitullin e tretë mund të mësojmë për komunizmin si një shpirt sllav me nentitujt:

1. Popujt sllav e ndryshimet e tyne,

2. Shumica e krenPopujt sllav e ndryshimet e tyne,

3. Shumica e krenëve bolshevikë të Rusisë,

4. Shpirti sllav në komunizëm,

5. Gja e rrezikshme.

Ndersa në kapitullin e fundit apo të katërtin verejmë qartasi se kush shkoi me komunizëm me këta nentitujt:

1. Skamnori, pasaniku,

2. Puna e mungesa e dishirës me punue,

3. Uniforma e kadillëku,

4. Shfrytëzimi i njeriut,

5. Të tanë do të jemi barabar: nuk do të ketë ma zotni,

6. A asht gja ma lehtë me kenë komunist a kristian,

7. Rrnoftë liria!

8. Kur u ba magjupi pashë vrau t’anë,

9. Budallajt e dobishëm,

10. Si kje intelegjenca shqiptare e kohes mjes dy luftave,

11. Inatet fetare,

12. Toskë e Gegë.

Në kuadër të këtij libri pas kapitujve është përmbledhur edhe një shtojcë plotësuese me emrin: Liri prendimore apo despoti orjentale? – Pjesa e tretë – Perëndim/Lindje – Romak/Kristian me nentitujt e meposhtëm:

1. Qysh kur perdorët fjala Prendim,

2. Kufijt,

3. C’rrugë ndoq qytetrimi,

4. Koha e bushtit,

5. Si e kuptojm Oksidentin?

6. E Romakët a i duhen gja kujt?

7. Prendim-Kristijanizëm,

8. Pse asht a qi perparuem Prendimi?

9. Nji permbledhje e shkurtë.

Po i referohem në mënyrë konkrete pakëz librit: “Si râ murtaja komuniste e muer dhenë-Liri prendimore apo despoti orjentale?”, në të cilin autori i librit e analizon fije për fije mortajën komuniste e cila kishte ardhë në pushtet me parimet mesjetare otomane, marksiste e leniniste të sojit mashtrues satanik e qe epiqendrën të saj e kishte në Moskën sovjetike staliniste dhe vëndeve tjera perçafuese të komunizmit ( si jugosllavia, Polonia, Rumania etj.)e cila ideologji kishte një mbeshtetje të fuqishme nga Anglo-Amerikanët, Kina etj., shtete të cilat ishin kundrejt Gjermanisë hitleriane. Njëkohësisht autori në librin e tij përmend edhe shkaqet e ardhjes në pushtet të diktaturës komuniste, pikërisht flet per krimet e Enver Hoxhës e të Mehmet Shehut (siq i quan autori kanibalët e Ali Pashës, armiq mizor të kombit shqiptar) e arsyet që quan në shfarosjen me dhunë të intelektualve e klerikëve shqiptarë (ishte baza e shenjestrës së komunsitëve ) të cilët i arrestuan, diskriminuan, persekutuan lirinë e pergjithshme.

Vlen të potencohët në pjesën e këtijlibri shtesë: Pjesa e tretë – Perëndim/Lindje – Romak/Kristian autori jep mendimet e tija  se çfarë do të thotë orjental? E çfarë prendimor? Ndaj e permend se nga e ka prejardhjen Europa? Cili është roli i krishtërimit në formimin e identitetit europian? Ku i ka burimet kultura e përgjithshme në fjalë madje i spjegon edhe mentalitetet, orijentale e prendimore si dhe orientin dhe oksidentin nga këndveshtrimet e tija.

Biografia e At’ dr. Paulin Margjokaj:

Është lindur në Kçirë të Pukës në vitin më 26 shtator të vitit 1908. Në pagëzim prindërit i vëndosën emrin Bibë. ishte i biri i Dedës dhe i Lules së Gjin Gegës. Shkollën fillore dhe unike e kreu në Kolegjin Françeskan e më pas në liceun “ILLYRICUM”. Pas përfundimit të studimeve, ai caktohet mësues i ciklit fillor, po në kolegjin ku u diplomua. Me 26 mars 1932 u shugurua meshtar. Prej vitit 1938 deri më 1941 shërbeu si sekretar i Provincës shqiptare dhe si profesor i historisë dhe gjeografisë në liceun Illyricum. Arsimin e lartë për teologji e kryen gjatë viteve 1937-1940 në Siena, Firence. Në vitin 1941 u dërgua për studime të larta në Torino, ku më 9 dhjetor 1943 u bë doktorant në histori e letërsi. Pas përfundimit të studimeve, ai qëndron në Austri, ku jep mësim në seminare françeskane. At Paulin Margjoka vdiq në vitin 1975 dhe prej asaj kohë eshtrat e tij prehen në Vjenë të Austrisë, në pritje të plotësimit të amanetit të tij për t’u varrosur në Kçirën e vëndlindjës së tij.

At’ dr. Paulin Margjokaj numëron një sërë botimesh të ndryshme ndër të cilat po i përmend disa prej tyre:

Át Paulin Margjokaj, Njerzimi midis liris e tiranis.

Át Paulin Margjokaj, Si ra murtaja komuniste e muer dhen, Bleni II.

Át Paulin Margjokaj, Liri prendimore apo despotí orjentale.

Át Paulin Margjokaj, Kundrim i shkurt i historis ruse.

Át Paulin Margjokaj, Historia e shqipnis: a) Albanien in Altertum; b) Das Mittelalterliche Albanien; c) Albanien unter Tűkischer Herrcschaft.

Át Paulin Margjokaj, Dromca historike. Ditar kujtimesh.

Át Paulin Margjokaj, Studime historike rreth personalietit te Gjergj Kastriotit.

Át Paulin Margjokaj, Studime rreth personalietit të Át Bernardin Palaj, OFM.

Át Paulin Margjokaj, Tue shfletue shtypin e mërgatës.

Át Paulin Margjokaj, Studime të ndryshme rreth Lahutës s Malcìs e Át Gjergj Fishtës, OFM.

Át Paulin Margjokaj, Lugati i Legalitetit.

Át Paulin Margjokaj, Pro-memoria (1946)

Át Paulin Margjokaj, Pro-memoria (1948)

 Episode Historike nga jeta e Ali Pash Tepelenës në Romë,

At ‘Paulin Margjokaj, “Epizode historike”

Kush janë armiqtë e vërtetë të Shqipërisë etj…

Françeskani At’ dr. Paulin Margjokaj ka edhe qindra e qindra leterkëmbime nga me të ndryshme e dorëshkrime të birit kçiras të cilat gjenden dhe sot e kësaj dite në arkivat e seminareve françeskane të Austrisë të shkruara edhe në gjuhën gjermane etj.

Siq njoftohemi nga disa burime tjera thuhet se shumë shpejt do të dal në dritë edhe botimi tjetër më i ri libriti librit i cili do të titullohët “Ditari”, i At’ dr. Paulin Margjokaj.

Në bazë të një verdikti edhe Bashkia e Pukës më 26/08/2016 mori një vendim unanim në emërtim të segmentit të rrugës nacionale që shpie drejt për tek Kisha në Luf, që rruga e permendur në fjalë të emërtohet: “At Paulin Margjokaj”.

Ps: Libri: “Si râ murtaja komuniste e muer dhenë-Liri prendimore apo despoti orjentale?” i At’ dr. Paulin Margjokaj është shkruar në gegnishte ndaj artikulli në fjalë është realizuar në gjuhë standarde shqipe njëkohësisht është realizuar si homazh-në kuadër të përkujtimit të 45 vjetorit të kalimit në amshim të këtij françeskani shqiptar.

Filed Under: Opinion Tagged With: At Paulin Margjokaj, Lek mirjaj, OFM

Për një konkurs ndërkombëtar të arkitekturës për memorialin e sakrificës së fëmijëve të Kosovës

July 29, 2020 by dgreca

Shkruan: Arianit Bytyçi, arkitekt-

Institucionet e Kosovës me gjithë qindra e mijëra dëshmi të argumentuara për masakrat, për mbijetesën dhe sakrificën e popullit të Kosovës, edhe njëzet e një vite pas përfundimit të luftës çlirimtare nuk kanë arritur që në mënyrë të dinjitetshme të dokumentojnë luftën për liri dhe pavarësi. Ky dokumentim përveç tjerash mund të arrihet të bëhet edhe përmes arkitekturës publike.

Me gjithë disa tentativa për përfshirjen e disa eksponateve të luftës çlirimtare në Muzeun e Kosovës, institucionet e Kosovës ende nuk kanë arritur të ndërtojnë Muzeun e Luftës së UÇK-së dhe as nuk kanë ndërtuar Monumentin e Lirisë e të Pavarësisë në sheshin kryesor të kryeqytetit.

Në kuadër të nismave pozitive private, është për t’u vlerësuar ideja e gazetarit të luftës, veprimtarit Nusret Pllana për ndërtimin e një memoriali për 1370 fëmijët e vrarë të Kosovës nga viti 1981 deri më 1999. Është me rëndësi të përmendet fakti se z.Pllana është angazhuar shumë edhe përmes botimit të librave të dëshmive për masakrat serbe në Kosovë, të cilat i ka prezantuar edhe para kancelarive të qeverive të shteteve perëndimore. Si shoqëri dhe si shtet gjithmonë duhet të jemi mirënjohës për punën dhe angazhimin e veprimtarëve që prezantojnë luftën dhe sakrificën e popullit të Kosovës për liri, pavarësi e demokraci.

PËR NJË DETYRË PROJEKTUESE PËRMBAJTËSORE, ME QËLLIME, OBJEKTIVA DHE VIZION TË ARKITEKTURËS BASHKËKOHORE

Me gjithë respektin dhe vlerësimin për veprimtarinë e z.Pllana, nga aspekti arkitektonik kam bindjen se është e gabuar dhe përjashtuese për komunitetin e arkitektëve qasja e përzgjedhjes pa konkurs arkitekture e projektit të memorialit të prezantuar, e që thuhet se është hartuar nga disenjatorigrafik, miku im Rrezeart Galica dhe nga znj.Luana Mahmutaj.

Duke u bazuar në praktikat më të mira të shteteve të civilizuara, idetë për realizim të veprave aq të rëndësishme arkitektonike siç janë memorialet, obelisku apo edhe muzetë trajtohen përmes konkurseve vendore dhe ndërkombëtare të arkitekturës. Në këtë mënyrë, jam i bindur se duhet të trajtohet edhe ideja e z.Pllana për ndërtimin e memorialit për fëmijët e vrarë të Kosovës nga forcat pushtuese serbe.

Metodologjia e shpalljes së konkurseve të arkitekturës për ndërtimin e memorialeve siç është e njohur botërisht fillon me përgatitjen e një detyre projektuese përmbajtësore, ku përveç tjerash duhet të përfshihen edhe qëllimet, objektivat dhe vizioni që duhet të arrihet përmes realizimit të projektit të memorialit, në këtë rast të memorialit të sakrificës për liri të fëmijëve të Kosovës. Në rastin e memorialit të sakrificës së fëmijëve të Kosovës, objektiv e vizion kryesor i detyrës projektuese mund të ishte ky: “Përmes arkitekturës bashkëkohore të kualitetit të lartë, memoriali duhet të arrijë të prezantojë denjësisht në nivelin ndërkombëtar sakrificën e 1370 fëmijëve të vrarë të Kosovës nga viti 1981 deri më 1999”. Përveç kësaj do të duhej të analizoheshin lokacioni i duhur urbanistik, përmbajtjet hapësinore dhe çështje tjera me rëndësi për të arritur qëllimet, objektivat dhe vizionin e projektit.

Prandaj, qasja më korrekte institucionale për zhvillimin e mëtejmë dhe çuarjen përpara të iniciativës së memorialit të fëmijëve do të ishte përgatitja e një detyre projektuese të hartuar mirë, ku për arsye të mirënjohjes institucionale për iniciativën e ndërmarrë, do të duhej ishin pjesë e procesit edhe iniciatorët e ndërtimit të këtij memoriali, z.Nusret Pllana, z.Rrezeart Galica dhe znj.Luana Mahmutaj, por mbi të gjitha do të duhej të ishin pjesë edhe arkitektë vendorë e ndërkombëtarë të njohur për realizim projektesh të memorialeve të natyrës së njejtë. Bazuar në këtë detyrë projektuese, Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe me institucionet tjera relevante mund ta shpallnin konkursin ndërkombëtar të arkitekturës për hartimin e projektit për ndërtimin e memorialit të sakrificës së fëmijëve të Kosovës. 

PËR NJË JURI VLERËSUESE ME KREDIBILITET VENDOR DHE NDËRKOMBËTAR

Në këtë rrugëtim të shpalljes së konkursit, duhet pasur kujdes që caktimi i jurisë vlerësuese të projekteve konkurruese të bëhet në mënyrë transparente, në atë mënyrë që profesionistët që e kanë hartuar detyrën projektuese të mos jenë anëtarë jurie, pasi kjo paraqet konflikt të hapur interesi. Juria duhet të bëhet publike dhe po ashtu të jetë e përbërë nga emra të mirënjohur vendorë e ndërkombëtarë të arkitekturës publike, të arkitekturës së memorialeve të luftës. 

Vetëm kjo qasje e mirënjohur ndërkombëtarisht e shpalljes së konkursit ndërkombëtar të arkitekturës do ta promovonte ndërkombëtarisht në mënyrë të dinjitetshme idenë e memorialit të sakrificës së fëmijëve të Kosovës. Shpallja në mediat botërore e konkursit ndërkombëtar bazuar në detyrë projektuese të hartuar mirë, në këtë periudhë sfiduese për Kosovës, në kohën kur po tentohet të gjykohet ndërkombëtarisht lufta jonë çlirimtare, do tê rikthente kujtesën dhe fokusin e opinionit ndërkombëtar në sakrificën e madhe të popullit të Kosovës për liri e pavarësi. Kjo qasje do te sillte në Kosovë studiot më prestigjioze botërore të arkitekturës, do të inkurajonte përmes konkurrencës ndërkombëtare kualitetin e projektimit arkitektonik të studiove kosovare të arkitektures, dhe mbi të gjitha do ta vendoste në fokus të arkitekturës botërore vendin tonë, Kosovën tonë.

E fundit, por jo më pak e rëndësishme: duhet të përzgjidhet në mënyrë meritore projekti më i mirë i arkitekturës bashkëkohore i memorialit të fëmijëve të Kosovës. Nuk duhet lejuar që me nguti, me qasje joarkitektonike të komprometohet një ide kaq e madhe, siç është ideja e ndërtimit të një memoriali aq të rëndësishëm për dokumentimin e sakrificave për liri të popullit të Kosovës.

E kam thënë shpesh herë publikisht: në projekte kapitale duhet të vërehet dora mbështetëse, por mbi të gjitha dora orientuese e shtetit të Kosovës. Është rasti ideal që dora e shtetit të Kosovës të shihet në ndërtimin e një memoriali aq domethënës të sakrificës së fëmijëve të Kosovës, e që do të ishte edhe identitet arkitektonik bashkëkohor, pra vepër e mirëfilltë e arkitekturës publike të Kosovës. Ndryshe, çdo qasje tjetër joarkitektonike, nuk do të arrinte efektin e synuar ndërkombëtarisht, dhe në aspektin e idesë nuk do të arrinte t’i tejkalonte kufijtë e komunës në territorin e së cilës synohet të ndërtohet ky memorial !

Filed Under: Opinion Tagged With: Arianit Bytyçi, Arkitekture, Femijet kosovare, Konkurs Nderkombetar

FLET NGA GJERMANIA EKSKLUZIVISHT PËR GAZETËN DIELLI NË SHBA, BRUNILDA KODUZI

July 28, 2020 by dgreca

SHIFRAT E PËRHAPJES SË COVID-19, SA E RREZIKUAR ËSHTË GJERMANIA/

Brunilda Koduzi, radiologe në klinikën Neumaier me qendër në Regensburg, Bayern, Gjermani, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, rreth zhvillimeve më të fundit të pandemisë globale në Gjermani dhe specifikat e përhapjes së re të Covid-19. Me Brunilda Koduzin bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA.

PANDEMIA, ÇFARË PO NDODH NË GJERMANI

Aktualisht, 24.07.2020 Instituti Robert Koch deklaron në Gjermani 815 raste të reja të infektuar me COVID 19, kjo vetëm në 24 orët e fundit. Krahasuar me ditën e djeshme (23.07.2020) që dokumentonte 569 raste të reja apo ditën e pardjeshme (22.07.2020) me një numër rastest të reja prej 454 si dhe me numrin e rasteve të reja të të infektuarve në javët e fundit i cili varionte 400-600,mund të themi që Gjermania po perballet me një rritje te numrit të të infektuarve në ditë. Sipas Virologëve  situata shihet kritike, për shkak se ndjekja zinxhir e infeksionit si dhe zbulimi i vatrës së infeksionit është veshtirë të identifikohet. Janë të shumtë faktorët të cilët mund të kenë ndikuar ne këtë situatë. Si faktor kryesor shihet reduktimi i masave kufizuese, rikthimi i përditshmërisë ka rritur nivelin e kontakteve.  Një faktor tjetër mendohet se janë të infektuarit që kthehehen prej pushimeve nga vënde të ndryshme. Rritja e konsiderueshme e numrit të testimeve mendohet se ështe një tjetër faktor i cili ka influencuar në  shifrat aktuale, shembull sipas  Institutit Robert  Koch ku vetëm në javën e kaluar janë kryer  531 571 testime gjithsej në të gjithë Gjermaninë, krahasuar kjo me javën e dytë të majit (09.05.2020-15.05.2020) ku numri i të testuarve ishte 127 457.

SITUATA E COVID-19 NË BAYERN

Rasti i parë i infektuar me COVID 19 në Bayern daton me 27 Janar. Potenciali dhe rrezikshmëria e infektimit është cilësuar nga Instituti Robert Koch në këtë pjesë të Gjermanisë në përgjithësi e lartë. Ka një rikthim gradual të jetës dhe aktiviteteve të përditshme, duke u munduar në zbatimin rigoroz të distancës  dhe masave higjenike. Përsa i përket shqiptarëve që jetojnë në Bayern nuk kam një shifër zyrtare. Ne si mjekë, të cilët jetojmë dhe punojmë në Bayern kemi një bashkëpunim ndërkolegial me njëri tjetrin,  i cili u theksua gjatë situatës që u krijua nga pandemia, me krijimin e një grupi vullnetar mjekësh të cilët publikuan kontaktet e tyre personale për ti ardhur në ndihmë me informacione shqiptarëve të cilët jetojnë dhe atyre që prej rrethanave që krijoi pandemia globale ishin të detyruar të qëndronin në Bayern. Ky bashkëpunim u realizua falë organizimit të Shoqatës së Mjekëve në Gjermani, duke treguar që të gjithë bashkë jemi më të fortë.

COVID DHE SPECIFIKAT NË RADIOLOGJI:

Rastet e dyshuara apo të konfirmuara me COVID 19 në klinikat radiologjike kanë qënë dhe  vazhdojnë të jenë të përditshme, duke qëne se përveç testimit një rol të rëndësishëm ka edhe diagnoza imazherike nëpermjet grafisë torakale dhe skanerit(CT), të cilët na japin informacione mbi ndryshimet e mundshme që ka krijuar infeksioni në mushkëri, komplikacionet si dhe kontrollin në vazhdimësi të rasteve në varësi edhe të gjendjes klinike të pacientit.

MESAZHI PER LEXUESIT E DIELLIT DHE DIASPORËN NË USA

Situata e krijuar në muajt e fundit globalisht nuk ka qëne as nuk ështe për secilin nga ne kudo që jetojmë dhe çfarëdo profesioni që ushtojmë, aspak e lehte. Ne si shqiptar që jetojmë larg vendlindjes kemi treguar si gjithmonë solidaritetin që na karakterizon dhe forcën për të mbijetuar mbi çdo vështirësi. Une do lutesha të mos lejojmë frikën dhe ankthin të drejtojnë shëndetin tonë fizik dhe mendor apo të bëhen pjëse e përditshmërisë por me durim dhe përgjegjshmëri për jeten të qëndrojmë sëbashku pozitiv në sfidat e radhës. Edhe pse momentalisht vëmendja drejtohet në infeksionet e shkaktara nga COVID 19, duke marrë parasysh dhe spektrin e gjërë të patologjive të ndryshme që diagnostikojmë çdo ditë, do dëshiroja të theksoja se është mjaft e rëndësishme paraqitja, diagnoza dhe trajtimi në kohë i të gjitha patologjivë të tjera, të cilat janë po aq të rëndësishme. Mos hezitoni ti drejtoheni klinikave dhe spitaleve  apo të kontaktoni mjekët përkatës në kohë, sigurisht duke respektuar rregullat përkatëse. Përshëndetje të përzemërta për shqiptarët brenda trojeve të Shqipërisë dhe atyre në Diasporë!

KUSH ËSHTË RADIOLOGE BRUNILDA KODUZI

Ka përfunduar studimet për mjekësi të pergjithshme në Universitetin Nënë Tereza, Tiranë në vitin 2009. Specializimin për radiologji diagnostike e ka nisur në landin Nordrhein – Westfalen. Prej vitit 2018 punon për 12 klinika të specializuara për radiologji diagnostike, radioterapi dhe mjekësi nukleare në Bayern, klinikat Neumaier me qendër në Regensburg, në qytetin ku jeton aktualisht dhe filiale në qytete të ndryshme të Bayenit juglindor, ndër klinikat diagnostike më të mëdha dhe të njohura në Bayernin juglindor. Një pjesë të specializimit për radiologji intervencionale e ka kryer në Kliniken Universitare të Regensburg.

Filed Under: Featured, Opinion

LAZER STANI PER DIELLIN: KOLIQI DHE CAMAJ, MAJA TË LETËRSISË SHQIPE

July 27, 2020 by dgreca

Shkrimtari Lazër Stani komenton ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, debatin mbi figurën e Martin Camajt dhe Ernest Koliqit ku shprehet se dokumentet dhe dosjet e përpiluara nga sigurimi i shtetit, ky aparat monstruoz dhe kriminal, nuk mund të trajtohen si dokumente historike. Sigurimit nuk i ka interesuar kurrë e vërteta, po vetëm goditja, eleminimi, asgjesimi e diskreditimi i atyre që ai i konsideronte si kundërshtarë politikë të regjimit. Me Lazër Stanin bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA. 

BALTË MBI ERNEST KOLIQIN DHE MARTIN CAMAJN. PSE PIKËRISHT SOT KY DEBAT?

Nuk mund të them se është debat. Në këtë rast nuk ke se për çfarë të debatosh. Në këtë rast vetëm mund të refuzosh me përbuzje, riciklimin e akuzave të hartuara nga Sigurimi i Shtetit Komunist që synonte të denigrojë dhe të defaktorizojë dy prej personaliteteve kulturore më të rëndësishëm shqiptarë në shekullin e shkuar. Eshtë një praktikë e njohur kjo e përdorur nga shërbimet sekrete Lindore, ndaj personaliteteve kulturore disidentë, që nuk pajtoheshin me regjimet e dhunshme të instaluara në këto vende. Vlerësimi për Ernest Koliqin, Martin Camajn, por edhe Arshi Pipën, Petro Markon e ndonjë shkrimtar tjetër nuk mund të bëhet duke përdorur trillimet e Sigurimit të Shtetit ndaj tyre. Vepra e tyre letrare është dëshmia më e mirë e personalitetit të tyre letrar të padiskutueshëm, por edhe dëshmi e atdhedashurisë, e lidhjes se tyre shpirtërore me kombin dhe gjuhën shqipe. Joseph Brodsky shkruan se “për shkrimtarin ekziston vetëm një lloj patriotizmi, qendrimi i tij ndaj gjuhës.” Nëse i shohim në këtë kontekst, unë nuk di patriotë më të mëdhenj se Koliqin dhe Camajn. Të dy kanë shkruar një shqipe të mrekullueshme. Nëse e lexon krijimtarinë e këtyre dy shkrimtarëve, gjen një lidhje shpirtërore të fuqishme me gjuhën, arketipin, shpirtin dhe identitetin shqiptar, të pandotur nga rrjedhat e historisë. Vetëm një njeri që e do shumë vendin e vet, gjuhën e vet, kombin e vet, mund të shkruajë një letërsi të tillë. Në Shqipëri nuk kemi shumë gjëra për të cilat mund të krenohesh, por emrat e këtyre dy shkrimtarëve, gjithmonë më kanë bërë të ndjehem krenar për vendlindjen time, vendin tim. 

PSE SULMOHEN SHKRIMTARËT KUNDËRSHTARË TË REGJIMIT? PO ATA QË I SHËRBYEN REGJIMIT KOMUNIST?

Në librin tim të fundit “”Rugë pa krye” në njërën nga esetë kam shkruar ndër të tjera: “Dosjet e policisë sekrete, dosjet e sigurimit të shtetit patën tmerruar njerëzit për dekada me radhë. Njeriu në këto dosje gjymtohej, shtrembërohej, tjetërsohej, ngarkohej me një mijë e një të zeza, faje e krime të pabëra kurrë, deri sa një ditë ky njeri i dosjes e çonte njeriun e vërtetë në bankën e të akuzuarve, e shndërronte në viktimë të ndëshkimeve dhe dënimeve të padrejta”. Pikërisht kjo ka ndodhur, dosjet e përpiluara nga Sigurimi i Shtetit kërkojnë të çojnë edhe tani pas tridhjetë vjetësh, në bankën e të akuzuarve dy prej personaliteteve më të shquar të kulturës shqiptare, dy maja të ndritshme të letrave shqipe. Duket se “studimi” i prezantuar me dokumente të manipuluar dhe raporte të shkruara nga Sigurimi” është vetëm vazhdim i punës së nisur shumë vite më parë për të goditur këto personalitete, që me emrin dhe veprën e tyre i bënin hije shkëlqimit të rremë të diktaturës. Unë mendoj se dokumentet dhe dosjet e përpiluara nga Sigurimi i Shtetit, ky aparat monstruoz dhe kriminal, nuk mund të merren si dokumente historike. Sigurimit nuk i ka interesuar kurrë e vërteta, po vetëm goditja, eleminimi, asgjesimi e diskreditimi i atyre që ai i konsideronte si kundërshtarë politikë të regjimit. Dosjet e përpiluara prej tij janë të mbushura me shpifje, intriga, shtrembërime, falsifikime e manipulime të së vërtetës. Ato dosje vetëm se dëshmojnë se sa kriminal, monstruoz dhe antinjerëzor ishte regjimi në të cilin kemi jetuar; një ferr për njeriun dhe një parajsë për të ligun, kriminelin, të pashpirtin, intrigantin, manipulatorin, gjithfarë lloj monstrash që për fat të keq toka jonë i ka prodhuar me shumicë. 

ÇFARË PËRFAQËSOJNË CAMAJ E KOLIQI NË LETERSINË E KULTURËN SHQIPTARE?

Koliqi dhe Camaj janë individualitete krejt të veçantë të letrave shqipe, vijnë si zë autentik i shpirtit shqiptar, të pandotur e të papërçudnuar nga masakra që iu bë kulturës shqiptare në gjysmën e dytë të shekullit të njëzet. Eshtë kjo arsyeja ndoshta që ata urrehen nga bartësit ende aktivë të ideologjisë së diktaturës.

A E DËMTON SHOQËRINË DHE SHKENCËN KJO HAPJE ARKIVASH NGA NJERËZ JO KOMPETENTË?

Shoqërinë e dëmton sigurisht. Akte të tilla poshtëruese i bëjnë njerëzit të demotivohen, të ndjehen të zhgënjyer në vendin e tyre. A këta jemi ne? Nëse jemi kështu, e meritojmë këtë fat që kemi, ndaj hajt të ikim nga sytë këmbët, të shpëtojë kush mund të shpëtojë, në mos veten, të paktën fëmijët. Ndërsa për shkencën është vështirë të flitet. Ajo qëndron përtej këtyre banaliteteve.

ÇDO TË THOTË TË SULMOHEN MITET LETRARE TË NJË KOMBI?

Historia jonë është e mbushur me barbarizma të tilla. Eshtë përçmuar letërsia e vjetër shqipe dhe krijuesit e saj, autorët e Rilindjes, Faik Konica dhe Gjergj Fishta, At Anton Arapi dhe Ernest Koliqi e shumë e shumë shkrimtarë të tjerë. Komunizmi si filozofi në ADN-në e vet ka urrejtjen, sepse është i mbështetur mbi urrejtjen klasore dhe konfliktin që lind midis klasave të një shoqërie për shkak të kësaj urrejtjeje. Kjo ka sjellë shumë shkatërrime në vendin tonë, Shqipërinë. Dhe që për fat të keq është ende e pranishme, si sindromë, si lëngatë, që bren vlerat dhe virtutet e kombit. Një komb matet me njerëzit e tij të shquar, shkruante Ernesto Sabato. Nëse ne si komb i asgjesojmë njerëzit tanë më të shquar, e në mes tyre edhe Koliqin e Camajn, atëherë me çfarë do të matemi, me partizanin e vogël Velo? Megjithatë, në fund dua të shtoj se letërsia e mirë është superiore, është e paasgjesueshme. Të tillë janë edhe Koliqi e Camaj si autorë të një letërsie të tillë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Koliqi-Cama-Maja e letersise, lazer Stani, Sokol Paja

LAMTUMIRE DONIKA HILA!

July 25, 2020 by dgreca

TË SHTUNËN IU DHA LAMTUMIRA E FUNDIT DONIKA HILA/

Të premten pasdite nga ora 4 P.M deri në Orën 8. P.M në Shtëpinë Mortore Farenga Brodhers në Bronx, NY, familja, miq dhe të afërt, bënë homazhen pranë arkivolit të Donika Hila, e cila ndërroi jetë papritur në moshën 81 vjecare. Komuniteti i shprehu ngushëllimet familjeve Hila, Belliu dhe Beqiri. Nga Vatra ngushëlluan Zef Balaj- anëtari i kryesisë së Vatrës, Nazo Veliu-sekretare e Vatrës, ish nënkryetari Asllan Bushati,Mark Mrnacaj-anëtar i Kryesisë, së bashku me zonjën Kristinë, Paulin Mrnacaj –anëtar i këshillit të Vatrës, Aleks Mrnacaj, anëtar i Vatrës, dhe Kryeredaktori i Diellit, Dalip Greca.

Ndërkohë që familjet morën qindra mesazhe ngushëllimi përmes telefonatave dhe rrjeteve sociale.

Të Shtunën, që nga  Farenga Brodhers. kortezhi i makinave u nis në orën 9 e 30 drejt varrezave në Kensico Cemetery, 273 Lakeviw Ave, Valhalla, NY.

Edhe pse situata pandemike dikton rregulla strikte, pjesmarresit ishin të shumtë dhe natyrisht respektuan rregullat e mbrojtjes individuale,vendosen maskat, duke ruajte edhe distancën.

Pranë arkivolit përcollën mesazhe: Saimir Beqiri, Adem Belliu, Orges Beqiri, Vera Belliu dhe shumë të tjerë, të cilët kujtuan me respekt njeriun e tyre të dashur.Vajzat e Donikës, Lejla Beqiri dhe Mimoza Belliu, mbesat dhe niperit, shprehën dashurinë dhe mirënjohjen për nënë, gjyshen, njeriun e dashur, ndërkohë që u vendosën kurora dhe buqeta me lule. Nga Vatra ishin te pranishem Nazo Veliu, Asllan Bushati, Mark Mrnacaj me zonjen, Dalip Greca etj.

Pas varrimit Familjet shtruan drekën e lamtumirës në Yonkers, në shtëpinë e Adem Belliut. Pjestarët e familjes falenderuan pjesmarrësit,ndërkohë që përmes kujtimve, u shpreh nderimi për karakterin, sjelljen, humorin, fisnikërinë e njeriut të dashur, nënës, gjyshes, stërgjyshes, vjehrrës, Donika Hila.I pushofte shpirti ne Paqe! (Dielli)

Filed Under: Opinion Tagged With: Donika Hila, Lamtumire

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 317
  • 318
  • 319
  • 320
  • 321
  • …
  • 859
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT