• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LAMTUMIRE PIRRO MANI!

June 3, 2021 by dgreca

LAMTUMIRË PIRRO MANI- IKU MJESHTRI I MADH I REGJISURËS SHQIPTARE- SHKOI TE PUSHOJË “GJENERALI” I SKENËS-VATRA NGUSHELLON FAMILJEN

Sipas njoftimit të familjes sot në mëngjes, e Enjte 3 Qershor 2021, në shtëpinë e tij në Nju Jork, nën kujdesin e njerzëve të dashur të familjes, pushoi së rrahuri zemra e artistit të madh, e regjizorit më të shquar që ka nxjerrë Shqipëria, (Mjeshtër i Madh)Pirro Kosta Mani.

Federata Panshqiptare e Amerikes”VATRA” dhe Gazeta Dielli i percjellin ngushëllimet më të sinqerta Familjes Mani! Pirro Mani ishte biri i vatranit, inxhinirit Kosta Mani,qe studio në Institutin e famshëm MIT të Bostonit, dhe qe shoqeroi Fan Nolin gjatë udhëtimit në Shqipëri. Ai nuk u kthye më në Amerikë por kontribuoi per ndertimin e Shqiperise. Ndërroi jetë në kampin nazist-Mathauzen.

Hollësi për funeralin dhe ceremoninë e varrimit do t’i përcjellim më vonë.

Filed Under: Featured Tagged With: Lamtumire, Pirro Mani

Lamtumirë Kujtim Gjonaj regjisor i shquar, “Mjeshtër i Madh”

March 1, 2021 by dgreca

Nga Keze Kozeta Zylo/

Me lot në sy e pritëm lajmin e ndarjes nga kjo jetë të regjisorit të shquar Kujtim Gjonaj “Mjeshtër i Madh”. Tronditës ishte e-maili që mora nga mikja ime, shkrimtarja e mirënjohur Laureta Petoshati e cila më ngushëllonte për vdekjen e Kujtim Gjonaj një figurë elitare e artit.  

Mikja ime e penës nga Vlora e dinte mirë lidhjen tonë familjare pasi e dëgjoi nga goja e Kujtim Gjonaj kur moderoi promovimin e librave të mi në Muzeun Kombëtar në Tiranë para tri vjetesh i cili tha: “Ne jemi krenar që jemi nga oxhaku i Gjonajve në Mezhgoran të Tepelenës sonë”.

            Ai u rrit në kryeqendrën shqiptare në Tiranë ardhur 6 muajsh nga Mezhgorani i Tepelenës.  

Nuk kishte si të ndodhte ndryshe me Kujtimin, përveçse të dashurohej me artin, sepse të kesh parë nga afër muzgun e mëndafshtë blu mezhgoranas, borën e bardhë majave si vello transparente e nuseve në ditën e dasmës, lulet e bardha të kumbullave me një vijëzim rozë anash si qëndismë paje, gurgullimën e përroit që derdhet si argjend në lumin Vjosa dhe ndërkohë të dëgjosh për luftrat, bëmat heroike, për Shkollën Shqipe dhe mësuesit e shumtë të saj që shpërndanin dritën e diturisë, për firmëtarin dhe avokatin e Pavarësisë Feim Bej Mezhgoranin patjetër që diçka do të futet në rremba të gjakut dhe do të ngacmojë gjer në lulëzim marramendës një ditë… Dhe ndodhi me Kujtim Gjonaj.

Mjaft dokumentarë me figura nga më të ndritura historike dhe të artit kanë vlera të padiskutueshme, kanë shpirtin e një artisti me veshje të argjendtë poetike.

Nuk e di sepse kam një ndjesi të ndaloje së pari tek filmi dokumentar me titullin “MARGARITA”, ku vetë emri i saj plot shkëlqim nuk e ka munduar fare për titullin, sepse çdo shkronjë ndriçon, bën dritë.  Margarita është ikona e bukurisë femërore dhe e artit njëkohësisht.  Binomi bukuri dhe art i kanë dhënë perëndeshën e frymezimit regjisorit për të sjellë për publikun këtë film të realizuar mjeshtërisht.  Figura brilante e Margaritës, aktrimi i saj mahnitës me siguri në se do të jetonte në botën e lirë medoemos do të kishte tërhequr vëmendjen e Hollivudit…  Margarita edhe pse i ka kaluar të 80-at ajo qëndron si një hyjneshë e bukur dhe virtuoze në aktrim.  Loja e saj aktoreske është siç thotë Bokaçio për poezinë se: “Sa më shumë ikin vitet, aq dhe më brilante bëhen tercinat e Dantes”. 

Vetë Margarita është POEZI!…

Dokumentari për Çamërinë të titulluar “Endrra e Çamërise” duket sikur vjen nga lashtësia homerike, ku së bashku me skenaristin Enver Kushin trokasin fort në zemrat shqiptare, në ndërgjegjen kombëtare për zgjimin e saj, për Sulin, Prevezën, Paramithin e gjithë Çamërinë.  Çamëria në këtë dokumentar me gjithë materialin e sjellë nga arkivat e ndryshme jepet e plotë është një frymëzim për brezat, është prush që qëndron i ndezur, është dëshmi në ninëzat e syrit çam…

Ëndrra e Çamërisë duket sikur mbledh rreth oxhakut ne Ninat në fshatin e lindjes së Hasan Tahsinit, burrat e saj duke filluar me Hoxha Tahsin, poetin Bilal Xhaferri etj…  Me të drejtë filmi dokumentar është quajtur “Deti i diturisë”, ku Hoxha Tahsin nga rektori i Universistetit në Stamboll shkon dhe me studime në Universitetin e Sorbonës në Francë etj.  Filmi dokumentar është një libër i dijes që të ngërthen pas ekranit dhe përsëri kërkon që të mos mbarojë aq shpejt…  Eshtë populli çam i martirizuar, i dëbuar nga trojet që të sjellë pranë poetin Xhaferri me baladën çame i cili shkruan:  “Matanë largësive u zhduk e përflakur Çamëria dhe të gjitha rrugët tona shpien në veri/ Ulërin era e Mesdheut mbi trojet e lashta epirote/ mbi të shtrenjtat troje tona stërgjyshore/… Pas shpinave tona përplas tufani dyert e shkallmuara të shtëpive dhe rrugët zgjaten e zgjaten si veri/ Ne, popull muhaxhir, ecim nëpër shi…Lamtumirë, Çamëri”!

Regjisori Gjonaj ka punuar në nje nga institucionet më të mëdha të artit kombëtar në Kinostudio dhe padyshim solli me atë pasion, profesionalizëm artin e bukur shqiptar.  Të realizosh një sërë dokumentarësh filmik me figurat më të shquara historike do të thotë të bësh një punë voluminoze, cilësore të bredhësh gati fusha e male, shtete, dete e oqeane sepse e tillë është gjeografia e lëvizjes së shqiptarëve nëpë botë, nga historia, fati dhe vetja…

Dokumentari filmik “Ditët e fundit të një luani” për Ali Pashë Tepelenën me skenar nga poetët e mirënjohur Petrit Ruka dhe Sadik Bejko është një kontribut tejet i vyer i regjisorit Gjonaj dhe shtëpisë botuese “Bota Shqiptare”, është nje kontribut për të gjithë shikuesit e shumtë, sepse Ali Pashë Tepelena është burri që drodhi dhenë, është burri që i vuri kufirin tek thana hordhive turke që pas vdekjes së Gjergjit të Madh, është burri që ka tërhequr vëmendjen e më shumë historianëve dhe diplomatëve të huaj në histori për Shqipërinë…  

Ndonëse është e pamundur që t’i përmledhësh në një shkrim homazh të gjithë filmat dokumentarë që ka realizuar Gjonaj përsëri do të ishte e udhës së shenjtë të përmendnim Shenjtoren e Kombit shqiptar dhe të gjithë botës Nënën Terezë të sjellë nëpërmjet një dokumentari tejet special nga Gjonaj.  Sa herë që e transmetojmë në TV “Alba Life” në New York filmin dokumentar për Nënë Terezën shikues të shumtë na marrin dhe na kërkojnë që ta ritransmetojmë dhe ne shpesh here jua kemi realizuar dëshirën, sepse është një etje e tyre, është dashuri emigrantësh për kulturën, për figurat e shquara historike, ku mids tyre Nëna Terezë është pasaporta e identitetit, eshte mirësia e popullit të shumëvuajtur shqiptar.  

Duke i parë të gjithë filmat dokumentarë nga regjisori Gjonaj dhe realizimet marramendëse të cilat janë histori sepse kanë brenda zjarrin, hirin dhe vullkanin e kohërave, sjellin zëra dhe jehona të maleve kryelartë, pohoj se kjo krijimtari përbën një pasuri që do të ruhet përjetësisht në shpirtin e popullit.  

Eshtë një pasuri që të kujton regjisorin e famshëm hollivudian Steven Spielberg i cili thotë:  “I’ve always wanted to tell a story about Lincoln. I saw a paternal father figure; I saw someone who was completely, stubbornly committed to his ideals, to his vision”, 

që përkthehet: “Unë kam dashur gjithmonë për të treguar një histori rreth Abraham Lincolnit. Unë pashë një figurë te babait.  Unë pashë dikë që ishte i kompletuar dhe me kokëfortësi mbronte idealet, sipas vizionit të tij. 

Në dokumentarët me figurat më brilante të Kombit ai eksploroi me një perceptim të qartë intelektual, vizual, me një levizje të ndjeshme estetike dhe me nje shije të lartë elitare.

Ai iku në moshën më të pjekur 74 vjec. 

Filmat dokumentarë dhe skenarët që ka realizuar e vendosin në piedestal të artit.

Ike Kujtim Gjonaj në përjetësinë e Parajsës atje ku e ka vendin raca juaj!

Ngushëllime bashkëshortes suaj të bukur dhe fisnike zonjës Bukurije, djemve tuaj shembull dhe vajzës së mrekullueshme, ngushëllime nipërve që do ju mungosh aq shumë.  Ngushëllime botës së artit dhe miqve të artit që I respektoje dhe I cmoje aq shumë!

Lamtumirë mik dhe gjaku im i Gjonajve K U J T I M!

Me lot në sy, unë, Qemali dhe vajzat, New York 

Krijimtaria e Kujtim Gjonaj “Mjeshtër i Madh”

Skenare: Këshilltarët, (1979), Ata ishin katër, (1977), Thirrja, (1976)

Regjisor: Shëmbja e idhujve, (1995), Djemtë e Valiasit, (1984)

Dokumentarë: Ali Pasha Tepelena, Faik Konica, Jeronim de Rada, Naim, Mother Teresa and Sulejman Pitarka, Margarita, Hasan Tahsini, Gjithcka per Kosoven, ( Ramush Haradinaj) 2015 “

Saga e Dinejve( Abedin Dino dhe trashegimtaret) 2017 “

I fundmi i Rilindasve ( Josif Bageri) 2018 “

Vlerësimet

Mjeshtër i Madh nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bujar Nishani

Nderi i Tepelenës nga Bashkia me k/bashkiak Tërmet Peci

Cmimin  “Urdheri Naim Frasheri”

Cmimin “Kult”

Në vitin 1982 do të nderohet me Çmimin e II-të në Konkursin Kombëtar Letraro – Artistik për skenarin e filmit “Kryengritjet e Mëdha”, filmi “Më e madhja dashuri” do të vlerësohej si filmi më i mirë i vitit, 1986, filmi “Kështjella e këngëve” do të vlerësohej me Kupën e Festivalit në Festivalin e VIII-të të Filmit Dokumentar dhe Vizatimor Shqiptar, filmi “Shembja e idhujve” do të vlerësohej me Çmimin e I-rë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të shkurtër në Palermo (Palermo Film Festival), 1995, me Çmimin e I-rë në Konkursin e V-të Ndërkombëtar të Mesdheut të Filmit Dokumentar dhe Reportazhit (Premio Internazionale del Documentario e del Reportage Mediterraneo), 1998.

28 shkurt, 2021

New York

Filed Under: Kulture Tagged With: Keze Kozeta Zylo, Kujtim Gjonaj, Lamtumire

SHUHET NË MOSHËN 51 VJEÇARE KËNGËTARI RIFAT KIDA, KRYETARI I VATRËS NGUSHËLLON FAMILJEN

February 6, 2021 by dgreca

Miku im i fëmijërisë dhe i rinisë Rifat Kida e humbi betejën me sëmundjen e pashërushme, që e mundoi aq shumë. Së bashku me kujtimet e hershme dhe të vonshme përnjetoj dhe ndjej thellë në shpirt dhimbjen e rëndë.

Na ike shpejt miku im dhe pas na le dhimbjen dhe këngët e bukura.

Prehu në paqë në dheun e tokës që të lindi i dashur mik! Ti do të mbetesh në kujtimet dhe shpirtrat tanë.

Në emrin tim, të familjes dhe të Federatës Panshqiptare të Amerikës “VATRA” i përcjell ngushëllimet më të thella familjes, miqëve, motrës Resmie!

Pushofët në Paqe shpirti i lirë i Rifatit!

Elmi BERISHA

Kryetar i Federatës Panshqiptare të Amerikës”VATRA”

Nju Jork, 6 Shkurt 2021

Filed Under: Opinion Tagged With: Elmi Berisha, Lamtumire, Rifat Kida

LAMTUMIRË “ORIENTIMIT PERËNDIMOR” TË SHQIPTARËVE

February 1, 2021 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Jo se shqiptarët janë anti-perëndimorë, jo, jo.  Janë udhëheqsit e tyre.  Ndërsa, shqiptarët po boshatisin trojet drejtë perëndimit për një jetë më të mirë, udhëheqsit e tyre politikë shprehen mbështetës të vlerave të lindjes.  Këtë e vërtetoi, ditët e fundit, për të disatën herë gjatë këtyre viteve edhe Kryeministri aktual i Shqipërisë, Zoti Edi Rama i cili me sfida dhe me kërcënime të drejt për drejta ndaj Bashkimit Evropian, vazhdon — me hapa të vegjël por të sigurt — ta largojë Shqipërinë dhe shqiptarët, në përgjithësi, nga orientimi perëndimor i tyre, një angazhim ky i shpallur nga rinia shqiptare pas shembjes së komunizmit, me parullën, “E duam Shqipërinë si e gjithë Evropa”. 

Ditët e fundit, Kryeministri i Shqipërisë, Zoti Rama tha se ai vazhdon t’i ketë sytë nga lindja, drejt Turqisë dhe Lindjes së Mesme, duke shtuar se “Por ne nuk jemi të detyruar të presim tregun e BE domosdoshmërisht, sepse ka tregje të tjera. Është e mundur që produktet tona të mishit të dalin në tregje të mëdha në Lindje, që nga Turqia në Lindjen e Mesme”,  një kërcënim ky që ai e ka bërë edhe herë të tjera, në kontekste të tjera, qoftë ai, qoftë zëdhënsit e tij, gjatë viteve. Frank SHKRELI/ Lamtumirë BE- Alo Putin, Erdogan, Ajatollah, Xi Jinping? | Gazeta Telegraf — Ndërkohë që thirrjes së Ambasadores Amerikane, Zonjës, Yuri Kim drejtuar udhëheqësve të partive shqiptare që të mos vënë kriminelë në listat zgjedhore për parliament, Zoti Rama iu përgjigj ambasadës amerikane se partitë nuk janë përgjegjëse për pastërtinë e kandidatëve për në Kuvend. E çuditëshme ishte përgjigja e tij ndaj thirrjes së ambasadores amerikane:

“Ne kemi ligjin, zbatojmë ligjin. Përgjegjësia e kujtdo që gënjen në vetëdeklarim është përgjegjësi individuale jo partie.  Partitë nuk janë drejtori policie, verifikojnë në bazë të ligjit dhe sipas ligjit i kemi bërë verifikimet gjithmonë.  S’kemi ndërmend të ngremë salla torturash në selitë e partive…”, u shpreh Z. Rama. Siç duket, nga toni i përgjigjes — me zemërim dhe inat ndaj diplomates amerikane — sikur përfaqsuesja e Washingtonit, vërtetë, bëri thirrje për “salla torturash”, për të siguruar pastërtinë e kandidatëve.  Thjeshtë, Ambasadorja amerikane, bëri thirrje që partitë të mos përfshijnë individë të koruptuar në listat e kandidatëve për zgjedhjet e ardhëshme parlamentare në Shqipëri, duke i përcjellur klasës politike shqiptare mesazhin e administratës së re të Presidentit amerikan, Zotit Joe Biden se ajo është e vendosur t’i vejë një theks të ri luftës kundër korrupisonit. Sipas një kronike të Zërit të Amerikës nga Tirana, Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, kërkoi “Të kontrollohen mirë kandidatët, që të mos promovohet korrupsioni, të mos fyhen votuesit dhe të mos minohet demokracia shqiptare”, ndërkohë që disa ditë më parë ambasadorja, Kim, kur u takua me drejtuesit e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka thekësuar “Mbështetjen e SHBA për t’ju përgjigjur kërkesave të popullit shqiptar për politikë më të pastër, duke filluar me politikanë më të pastër”.  Një deklaratë kjo që siç duket zemëroi Kryeministrin e Shqipërisë.

Dekriminalzimi i politikës shqiptare ka qenë dhe është një vlerë amerikane, por edhe perëndimore, në përgjithësi.  Asnjë vend nuk është i pastër nga korrupsioni. As Amerika dhe as vendet e Evropës Perëndimore nuk kanë një politikë të përsosur dhe të pastër nga korrupsioni, por ama përpiqen, me aq sa është e mundur, me anë të ligjit dhe të normave të tjera të vlerave të shoqërisë, që të sigurohet një integritet politik nga partitë dhe nga individët e aprovuar prej tyre, që të kandidojnë si përfaqsues të denjë dhe të pa korruptuar të popullit.  Me doemos, përzgjedhja e kandidatëve të pa korruptuar është një përgjegjësi e udhëheqësve dhe e strukturave të tjera të partive politike, si edhe e enteve ligjore, por edhe e vet individëve.  Por, përzgjedhja e kandidatëve të pa korruptuar është edhe përgjegjësi ligjore, politike dhe morale e një shteti dhe përfaqsuesve të tij.  Sidomos, kur këta politikanë të përjetëshëm që pretendojnë për 30-vjet tani, të pakën me fjalë, se aspirojnë vlerat dhe orientimin perëndimor të Shqipërisë.  Ndërsa me vepra, por shpesh edhe me fjalë kërcënuese ndaj perëndimit — siç është rasti i deklaratave të fundit të Kryeministrit Rama – se Shqipëria nuk ka pse të presë për Evropën, ka alternativa tjera dhe jo vetëm për tregje, si Turqia dhe Lindja e Mesme.  

E kam thenë edhe herë të tjera se deklaratat kërcnuese nga udhëheqsit më të lartë të Tiranës zyrtare, në mbështetje të idesë se Shqipëria mund të këthejë sytë drejt alternativave të tjera aleancash jashtë BE-së, janë të pa përgjegjshme dhe të dëmshme për procesin e integrimit të shqiptarëve në Evropë, si dhe kundër interesave afatgjata kombëtare të shqiptarëve, në përgjithësi.  Deklarata të tilla kërcënuese duket se bëhen me qëllim për të dëmtuar ose për të neutralizuar përball interesave të tjera të huaja, jo vetëm atmosferën e bisedimeve me përfaqsues të BE-së, por dashtë e pa dashtë, mund të influencojnë negativisht edhe marrëdhënjet e kombit shqiptar me aleatët historikë të tij, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dihet se Washingtoni antarësimin e Shqipërisë dhe të Kosovës në Bashkimin Evropian e kanë pasur vazhdimisht dhe e kanë si një përparësi të politikës së tyre karshi shqiptarëve dhe të objektivave afatgjata të politikës amerikane në Ballklanin Perëndimor dhe në Evropë. 

Nëqoftse se vërtetë e do një gjë të tillë Tirana zyrtare, Shqipëria nuk do të futet në Europë me kërcënime por me një punë maksimale për përmbushjen e kushteve kryesore të Bashkimit Evropian, ashtu siç kanë bërë të gjitha vendet anëtare të këtij tregu.  Shqipëria duhej të kishte qenë anëtare e Bashkimit Evropian me kohë.  Për këtë nuk e ka fajin krejtësisht BE-ja siç pretendon Kryeministri Rama dhe politikanë të tjerë shqiptarë.  Shqipëria ka humbur — gjatë këtyre 30-viteve post-komunizëm — aq shumë raste të mira për integrim të plotë euro-atlantik.  Për këtë mungesë, fajin e kanë kryekput udhëheqsit shqiptarë, për mangësitë e tyre për tu përballur vet me korrupsionin, për tolerancën dhe madje edhe për nxitjen e korrupsionit si mjete këto për të siguruar fitore në zgjedhje due për të ruajtur pushtetin personal dhe partiak.  Koha nuk pret. Demokracia nuk pret! As Evropa nuk pret gjithmonë për shqiptarë! 

Ndërkohë që shqiptarët, si gjithmonë — sidomos rinia — është e orientuar drejt Perendimit, gjë që po e tregon edhe me largimin në masë nga trojet e veta drejtë Perëndimit – është e vështirë të kuptohet se si Kryeministri dhe politika shqiptare, në përgjithësi, shprehimisht pranojnë se i ka sytë drejtuar nga lindja, me të cilën siç duket klasa politike shqiptare — ndryshe nga pjesa dërmuese e shqiptarëve — ka më shumë gjëra të përbashkëta me lindjen se sa me vlerat perëndimore.  Veprat, sjelljet dhe deklaratat e një pjese të klasës politike shqiptare janë një çoroditje e këtyre vlerave dhe çdo ditë e më shumë kjo klasë politike po na bën të humbasim besimin historik në thënjen e Naim Frashërit se, “Dielli vërtetë lind në Perëndim”, për shqiptarët.

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, Lamtumire, Orientim Perendimor

Lamtumirë poeti penëndritur Luigj Çekaj!

January 5, 2021 by dgreca

 Nga Keze Kozeta Zylo/

Nuk kam shkruar gjatë gjithë jetës sime dhe t’i përcjellë publikut kaq shumë homazhe sa viti që shkoi dhe po aq gllabërues po duket dhe ky fillim viti…

Sot është ndarë nga jeta poeti penë ndritur Luigj Çekaj.  Lajmin e dhimbshëm e dha në llogarinë e saj në F/B, vajza e tij Enkolana Çekaj Mundija.  Me trishtim dhe keqardhje të madhe e prita këtë lajm të ndarjes së parakohshme të Luigjit mikut tonë të perbashket për të cilin kishim nje respekt reciprok nga më njerëzorët.  Kur ngushëlluam të bijen dhimbja të kaplonte shpirtin, kur tha që ju donte dhe ju respektonte shumë të dy me Qemalin.  Natyrshëm të vinë kujtime dhe komente pafund për shkrimet dhe poezite, përvojat tona artistike që shkembenim midis.  Poeti Luigj Çekaj është anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro Amerikanë e cila humbi një poet të mirënjohur, kurse Diaspora një atdhetar zemërzjarr.  

Dritë të pastë shpirti poeti penëndritur Luigj Çekaj!

Si homazh po sjellë pranë jush essenë time kushtuar poetit brilant Luigj Çekaj

Poezia e Luigj Çekaj një hartë me metafora plagësh…

…Pasi me ta mbusha sarkofagët, vjeshtat dhe lumenjtë/ Nxorra sytë nga vendi dhe vendosa t’i hedh në det/ Bota nënujore me lashtësinë e shkruar në shtrat/ Me sytë e mi sfidoi thellësinë e ujit të vet… 

Marrë nga poezia “Me lotët e popullit tim” fq.102

Kam kohë që lexoj poetin Luigj Çekaj, ish të vuajturin nga diktatura, por jo në kohën e akullt kur dritën mbyllnin nën gur morti…

I lexoj sot nën urën e dhimbjeve të emigrantëve që lëkundet në Oqean midis Shqipërisë dhe Amerikës.  Vetëtima zhuritëse e mohimit nën diktaturë nuk mundi dot t’ju zhveshë atyre fisnikërinë si poet dhe njerëz, edhe pse mbi shpinë të tyre rëndon pesha e vuajtjeve dhe e mundimeve si guri i Sifizit.

Ndonëse kanë kaluar 22 vjet nga rënia e diktaturës është e çuditshme se si këtyre poetëve të persekutuar dhe burgosur më parë nuk iu kushtohet vëmendje e merituar anipse poeti Çekaj rilindi në Amerikë…

Poezite e tij të shkruara brenda qelive pus të zi të burgjeve, apo nën një Hënë të përgjakur nga hanxhari i një gardiani, medoemos bëhen si gjoksi i Rozafës së murrrosur që la amanet për të ushqyer fëmijët.  Ndryshe çmimdhënësit i lënë poetët siç do të shprehet Çekaj në poezinë “Justinës”  Kryet si qyqe shkoj dhe i mbëhtes tek vrasësi im i vjetër.  De-pre-si-o-ni.

Ai shkruan me një butësi Bible për nënën e tij të shtrenjtë dhe kjo ndodh shpesh me poetë të kësaj race dhe ja se si:

Kur ti erdhe nga Shqipëria/ Besoja se as vdekjet nuk do të mund të na ndanin më/ si as distancat/ Ndërsa pranë teje kam celuloren me dyqind fotografi/ Një dosje dhimbjesh në ermrin tim/ Që më kujton prangat/ si dhe tre a katër stilokalema…

Këtë lidhje aq të ngushtë nënë e bir e bën dhe më hyjnore poeti bir që qan dhe e puth, dhe dy pikëlzat e lotit të tij varen si rruaza argjendi në qafën e bukur dhe të rrudhosur të nënës halleshumë.

Duke lexuar ndjen se poeti i burgosur i ka shkruar me lotin blu të Hënës vargjet dhe i ka stamposur brenda trupit ku me siguri kishte fshehur fletoren poetike të shpirtit.

Ai i shkruante natën në muret e ftohta të dhomës së burgut ku metafora bëhej zjarri i ngrohtë, ndërsa qerpikët e rënduar nga lodhja bënin roje për të ruajtur legjendat që shkruheshin në libërthin e zemrës.  

Libërthi u bë si një dritëz ylli, violinë Apostulli, një legjendë që do të tregohet gjatë… Autori shpesh duket dhe një romantik i kohës plot kulturë dhe mirësi dhe ja si e përshkruan bukurinë e një vajze meksikane:  Balli i saj paksa i verdhë, dukej si një shpatullëz hënet/ ku si dy pellgje të kaltër yjesh, i shkëlqenin fort dy sytë/ Ngado që ta shikoje/ dukej se ishte meksikane/ por një meksikane e çuditshme, që sfidonte dhe mrekullitë.  Me këto vargje Çekaj të kujton ciganen e bukur të Frederica Garsia Lorkës i cili u frymëzua prej saj dhe ja se si: “O mjellmë e zeshkët që noton në një liqen/ Me lotuse të rritura, me valë të portokallta/ Me karafila të kuq, ku shkulma kundërmon/ Foletë e roitura që ti mban nën flatra/ Martire andaluze, grua e mbetur beronjë/ Ç’janë puthjet e përflakura ti s’e di/ Puthjet e përziera me heshtje të thellë nate/ Dhe me zhurmën e turbullt të ujit që rri”.

Pena e tij nxjerrë nga gjoksi nimfat e bukura, perëndeshat e bukurisë që emocionojnë me ndjesi të holla si filigramet e artizanëve të punuara në shekuj aq mjeshtërisht në poezinë “Trëndafilat e Majamit”.  “Sapo i pashë këta trëndafila m’u kujtuan buzët e tua të kuqe/ Kopshtet erotike të Shkodrës dhe gjethet jeshile të tulipanit/ Tani dhe shpirti im i lodhur belbëzon dalëngadalë emrin”…

E bukura tërheq kudo e për më tepër një poet si Çekaj që prek ylberet përmallimthi në qerpikët e bukur të vashave.  Poeti aty ndërton folezën e dashurisë hyjnore, i cili i jep një dritëz të re botës dhe ndez flakën e dashurisë aq të munguar.  Poezitë e tij kanë mbirë natyrshëm si një ngushëllim për shpresë, ato janë filiza të një aristokrati të poezise dhe bëhen model qytetarie të një poezie në perfeksion.  

Vargjet e tij më duket sikur më sjellin pranë Ana Ahmatovën ku nobelisti Brodcki thotë se rigjeti gjuhen e ligjërimit në universin shurdhmemec.  

Në dhuratën me librat e tij që më dërgoi midis të tjerave në dedikim më shkruante se: “Lorka e quan poezinë thjesht si…”Një drer të plagosur”,  kurse unë vazhdon poeti me një modesti për t’u pasur zili, vjershat e mia dosido do t’i quaja “si një Njeri i plagosur” duke e zëvendësuar me artin e zëvendësimit fjalën dreri me njeri …

Ashtu si dreri me sy të magjishem dhe vështrim te butë që shetit pranë pemëve dhe ul kokën për të pirë ujë, buzë një pellgu a liqeni të pastër plagoset pafajësisht nga gjahtarët, ashtu më duket dhe poeti, zemra e të cilit u plagos pafajësisht nga gardianët e dhjamosur që zbatonin urdhërat e diktaturës verbërisht.

Diçitura e shkruar me një shkrim të bukur kaligrafik do të ruhet gjatë dhe me krenari në arshivën time personale dhe ndërkohë të kujton poetin tjetër hyjnor Frederik Rreshpjen me poezinë vdekjen e Dedelit të cilit varrin ja bënë në aerodromin e qiellit, ndërsa Zeusin modern e mallkoi.  Poezite e Çekajt jane si një far që fshehin shkëndijëza brenda metaforave të tyre me një ngarkese të theksuar emocionale plot gazavaje që prekin thellë zemrat e lexuesve të shumtë.

Shokët e burgut të tij janë dhimbja e madhe e poetit.  Një prej poezive kushtuar bashkëvuajtesve është ish të burgosurit politik “Luigj Kabashit” të cilët kanë lindur në një qytet me disidentë të rebeluar si metaforat e Selman Ruzhdiut, ku plagët e viktimave s’ka mundur asnjë pushtet t’i shërojë, mjerisht… 

“Me Luigjin, dashtë pa dashtë/ Kam patur një si fat absurd/ Sepse kur Ai shpresonte të dilte jashtë/ Unë trëmbesha se do të hyja në burg”/

Në poezitë e tij ngrihen probleme të mprehta sociale dhe shoqërore që po kalon shoqëria jonë.  Kështu hapja e dosjeve me të cilët spekullojnë shumë nga parlamentarët tanë ai shkruan:  “Hapeni shtatoren/ o ushtarë që të shoh/ Shkodrën dhe time motër…” Dhe krejt si në historinë e njërës nga ato me telefaks ma dërgoni urgjent “Dosjen”.  Dhe nxini ku të mundni/ Bëjeni sterrë deri në fund/…Se me “dosjen” time të bardhë, Kam ndërmend të bëj biznes, Në blefsha atje njëqind dollarë, Dy milion këtu do e shes…”

Ato pikojnë dhe trokasin mendueshëm mbi shpirtrat tanë, mbi shpirtrat e lexuesve, por nuk jam e sigurtë, se sa ndihen ndër shpirtra ligjvënësish??

Poezitë e Çekaj janë vatër e prushtë me thëngjij ndezur.  Ai bisedon poetikisht me shkrimtarë të shquar i ka ftuar për darkë në tryezën e tij dhe  ndjen dhimbje për njerëzit e papërgjegjshëm që gjejnë lloj lloj mënyrash per të hedhur baltë mbi punën e tyre dhe ja se si: “Parmbrëmë, Noli me Konicën qenë për darkë tek unë, Të dy nervoz, sepse i shanin në Internet edhe pas vdekjes!… Kurse Millosh Gjergj Nikolla/ Me një penë të ngulur në gjoks!  I tundur më tha: Atdheu im m’u ankua!  Tashti duket se s’ka më nevojë për mua!”

Marrë nga poezia “Shpirtrat e Shqiptarëve më duken si Ata të purgatorëve”, fq.34.

Poeti ndjen dhimbje gjer në eshtër për përbaltjen që iu bëhet burrave të ndritur të Kombit, apo vuajtjet e tmerrshme që pësoi kjo klasë fisnikësh, ndaj ai lutet duke thënë në poezinë: “Le të jem unë shpirti i fundit/ Që po gërryhem/ Nga tërë ky përrua gjaku/ Sajuar për zhdukjen e popullit tim.  Marrë nga poezia “Le të jem unë” fq.25

Duke përfunduar poezitë e Cekaj pashë dhe preka nga afër një hartë me metafora plagësh, ku pena e tij siç dhe shprehet është një lufte poetike, është hartë e dhimbshme plagësh vizatuar me thika hijesh mbi shpinë…

Staten Island, New York

5 Janar, 2021

Filed Under: ESSE Tagged With: Keze Kozeta Zylo, Lamtumire, Luigj Cekaj

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 10
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA PROMOVOI “DIPLOMACIA NDËRKOMBËTARE DHE ÇËSHTJA E KOSOVËS 1997-1999”
  • VATRA MORI PJESË NË PROMOVIMIN “ALBUM” TË NOLIT DHE NDEROI AT ARTHUR LIOLIN
  • VATRA VIZITË NDERIMI TE VARRI I NOLIT DHE MEMORIALI I KONICËS
  • VATRA BOSTON RIORGANIZOHET
  • Kristian Prenga, një fitore spektakolare në New York
  • SHQIPTARËT NË ARIZONA FESTUAN 7-8 MARSIN
  • “24 Marsi, data e mirënjohjes Kombëtare ndaj USA dhe NATO-s” !
  • Diaspora Amerikane në Nju Jork proteston: “Save Drin River, Save Dibra”
  • Vatra jonë arsimore “Shkolla Shqipe” në Zvicër hapi edhe një klasë në Feuerthalen, në kantonin e Zyrihut
  • DUKAGJINI KËRKON RRUGËN!
  • Sot, kujtojmë 143- vjetorin e lindjes së Mit’hat Frashërit
  • KUR PRISHESHIN TEMPUJT, ME SHOKUN E KLASËS VISARIN…
  • Sot 126 vjet nga numri i parë i “Albania”-s me botuesin vetëm 22 vjeç
  • Guri i budallait dhe mendja e zgjuar
  • “Strategjia e Mbrojtjes dhe Zhvillimit të interesave Kombëtare”!

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT