• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Nderim dhe Respekt për Gazetarin Sulejman Gashi

September 12, 2020 by dgreca

Nga çatitë e djegura të Kosovës pashë Flamurin kuq e zi që velëvitej i LIRË. (Sulejman Gashi)

Nga Keze Kozeta Zylo-

U nda nga jeta gazetari i mirënjohur Sulejman Gashi, lajmërim që e pashë të botuar tek gazeta “Illyria” ku i biri i tij Driloni lajmëronte për vdekjen e parakohshme të të Atit. 

Ikja e parakohshme e gazetarit të mirënjohur Sulejman Gashit është një dhimbje e madhe, jo vetëm për familjen e tij të shtrenjte për bashkeshorten fisnike dhe katër fëmijët yje, por dhe për gjithë Diasporën Shqiptaro-Amerikane dhe më gjerë. 

Nuk mund ta kaloj këtë lajm kaq të trishtë vetëm me një fjalë të thjeshtë si: “Ngushëllime”, nëpër statuse të ndryshme që kanë publikuar në F/B, por si koleg i çmuar shpreh respektin maksimal dhe mirënjohjen e pakufishme për çfarë i dha medias shqiptare në mënyrë tejet profesionale dhe plot kulturë. E kam takuar disa herë dhe kam pasur komunikim për botime të ndryshme, e kam parë në skena duke promovuar plot dinjitet dhe kulturë Atdheun e Tij, Shqipërinë dhe Kosovën që e deshte aq shumë. I kam dëgjuar të gjitha raportimet e gazetarit Gashi për RTK si dhe kam lexuar shkrimet në gazetën “Illyria” i cili ka qenë bashkëthemeluesi i saj dhe ka dhënë një kontribut të çmuar siç dhe shprehet kryeredaktori i gazetës “Illyria” Ruben Avxhiu dhe botuesi i saj z.Vehbi Bajrami.  Gjithçka qe ai dha në media janë pasuri e çmuar për letrat shqipe. 

Kurrë nuk do ta harroj aktivitetin madhëshstor per 5-Vjetorin e Kosovës organizuar nga Gazeta e mirënjohur “Illyria” në Manhattan, ku moderator i kësaj mbëmjeje ishte gazetari Sulejman Gashi.  Aktiviteti ishte i një niveli shumë të lartë, ishte për Kosovën martire, por më duhet të them se moderimi nga gazetari i shquar Sulejman Gashi nëpërmjet elekuencës në të folur si në shqip dhe në anglisht, zëri i tij burrëror i dha një ton dhe më të veçantë para pjesëmarrësve të shumtë si dhe politikanëve të lartë të Kongresit Amerikan.  Ajo që do të më ngelet në kujtesë dhe jo vetëm mua ishte se gazetari dhe atdhetari zemërzjarr Gashi, foli çfarë kishte ndjerë dhe parë si Biri i devotshëm i Kosovës.  

Midis të tjerash ai tha se:  “Ndihej i privilegjuar që të prezatonte këtë mbrëmje kushtuar pesë vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.  Ne sot do të nderojmë dhe kujtojmë të gjithë ata që dhanë jetën për Kosovën, të gjithë ata që janë midis nesh.  Ne duhet të kujtojmë se Liria erdhi me gjak, guxim dhe krenari…

Kur unë shkova në Kosovë pas dy muajsh që ishte çliruar, duke parë shtëpinë e prindërve që ishte djegur, eca në rrugën Prishtinë-Pejë në Qershor 1999, ndalova në fshatin Llapushnik dhe numërova 17 çati shtëpish që po rindërtoheshin dhe mbi to valëvitej Flamuri kuq e zi.  Duke i parë thashë me vete: Kjo është Liri.  Shumë herë ne jemi mbledhur në Nju Jork, Bronx, Nju Xhersi, Conektikat, Miçigan, Dallas, Boston dhe shumë herë në Washington DC të protestonim kundër diskriminimit dhe persekutimit të dy milionë shqiptarëve në Kosovë.

Z.Gashi vazhdoi se sot do të kujtoj dhe letrën që Presidenti Obama i cili ka përshëndetur pesë vjetorin e Pavarësisë së Kosovës dërguar udhëheqësve të Kosovës nga shefi i diplomacisë Amerikane z.John Kerry.  Shteti Amerikan do të vazhdojë të suportojë pavarësinë e Kosovës dhe ne do të mbetemi partner dhe miq.”

Edhe 6 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës organizuar nga Konsullata e Përgjithshme e Kosovës me Konsull të përgjithshëm z.Bekim Sejdiu e moderoi gazetari Sulejman Gashi. 

Mbrëmjen e filloi me këto fragmente: “Po shënojmë sonte gjashtëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës dhe dua të them se ne, komuniteti shqiptar në Amerikë, jemi shumë të privilegjuar për mysafirët që kemi sonte: “Ju kujtohet, gjashtë vjet më parë kur më 17 shkurt 2008 në Parlamentin e Republikës së Kosovës u mbajt një seancë solemne, më e rëndëishmja në historinë e saj, më gjithëprfshirëse në jetën politike ku të zgjedhurit e Kosovës morën përsipër atributin më të lartë të organizimit politik, krijimin e shtetit të pavarur që ishte një kurorëzim i idealeve, përpjekjeve dhe sakrificave dhe luftërave të vazhdueshme të brezave të tëra. 

Aty do të lexoheshin fjalët historike që i shqiptoi njeriu i cili me praninë e tij na nderon sonte. Ai është i njejti burrshtetas i para gjashtë vjetëve, ndonëse sot paksa më flokë më të zbardhura dhe me një periudhë udhëheqje të shtetit të Kosovës si shef i ekzekutivit të saj tash gjashtë vjet. 

Para se t’i japë fjalën, kujtoj edhe njëherë fjalët më historike që kryeministri i Kosovës 

z. Hashim Thaçi i shqiptoi para deputetëve të Kosovës, para miliona shqiptarëve dhe para botës:

 “Të mbledhur në mbledhje të jashtëzakonshme më 17 shkurt 2008, në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë… Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe Sovran.”

Bashkombës të nderuar, thërras para jush për një fjalë përshëndetëse në këtë solemnitet, kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi: 

Një falënderim i posaçëm dhe borxh i kemi edhe vendit tonë të adoptuar, vendit më liridashës në botë, vendit djep i demokracisë. Ndihma, përkrahja, mbështetja e politikës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk ka munguar në asnjë periudhë kohore në dy dekadat e fundit të cilat ishin vendimtare për proceset historike të krijimit të shtetit të Kosovës.

Gjatë këtyre gjashtë viteve, udhëheqësit amerikanë, në radhë të pare presidenti dhe Departmenti i Shtetit kanë ritheksuar përkushtimin e Washingtonit për ardhëmrinë e Kosovës, duke thënë se përvjetorët e Pavarësisë janë një rast që liderët e zgjedhur të Kosovës ta forcojnë përkushtimin e tyre për qeverisje të mirë si një parakusht i integrimit euro-atlantik.’ 

Ftoj para jush njërin ndër arkitektët e pavaërsisië së Kosovës, ndërmjetësuesin amerikan në bisedimet për statusin e saj përfundimtar, z.  Frank Wisner.”

Në e-mailat që shkëmbenim sidomos kur më duhet të botoja reportazhet për Kosovën dhe aktivitetet ku ai moderonte, ndjeja një komunikim tejet korrekt, një koleg gjeneroz që vetëm frymëzon, por që mjerisht jo dhe shumë janë të tillë sot… Më lejoni ju lutem ta ndaj me ju një prej e-mailave të tij se si ai me burrëri dhe delikatesë shpreh mirënjohjen për një kolege në diasporë si:

“Përshëndetje Zonja Kozeta, Edhe për mua ishte kënaqësi që ju takova, gjithëherë zonjë dhe profesioniste”.

Ne nuk kemi qenë bashkë vetem në aktivitete të Diasporës për Kombin, por ka rastisur dhe në darka familjare ku në një rast kemi qenë së bashku familjarisht në tavolinë dhe sigurisht siç ndodh rëndom në këto raste ke më shumë kohë për t’u prezantuar me anëtarët e familjes. Kështu në fejesën e Benjaminit dhe të Lidës fëmijët e pronarit te TV “Alb” Bajram Dreshaj ku ne ishim të ftuar dhe së bashku në një tavolinë, kur ai me tha emrat e fëmijëve të tij u kënaqa pamasë, u emocionova që çdo tingull i tyre më vinte si një këngë e bukur SHQIP.  

Emrat e tyre Drilon, Egzon, Janina dhe Saranda ishin gjithë Shqipëria. -Ja më tha Janinën dhe Sarandën i kam nga Jugu tuaj.  Tek emri Janina ndalova pakëz më shumë me një heshtje tronditëse së brendshmi… -Sa emër të bukur që i ke vënë Janines, shpresoj se ajo do të luftojë, kur të rritet t’ja kthejë Kombit Janinën.  Ky emër i thashë më kujton, kur sundonte Ali Pashë Tepelena i cili e kishte një nga qytetet më të rëndësishme në viset Perëndimore të Ballkanit, qendër dhe vatër e prushtë arsimore ku filloi të përdorej përveç greqishtes si gjuhë shkrimi dhe SHIQPJA. Janinën sa ishte gjallë nuk guxoi njeri t’ia merrte? Ku është Janina sot? – vazhdova une…  – Doemos qe e di historinë e Janinës së Ali Pashë Tepelenës u përgjegj qetësisht gazetari Gashi dhe ndaj jam frymëzuar për ta pagëzuar bijën time të shtrenjtë me këtë emër.  Unë këtë dhimbje dhe plagë të Atdheut që mjerisht janë me shumicë nuk dua t’i lë pashëruar, të paktën i mbjellë në trupin dhe shpirtin tim.  Atëhere Janina vazhdova unë është shpallur botërisht kryeqytet në familjen e madhe dhe të respektuar Gashi…  

Duke pasur një model të një njeriu qytetar në shpirt, të një gazetari brilant, të një emigranti që shkriu jetën e tij për Kombin nuk ka se si të mos shkojë në mendje që për këta bashkëkombas të ndritur dhe për punën e jashtëzakonshme të Diasporës shqiptaro amerikane të mos ngrihet një Muze këtu në New York, ku dhe janë shumica e emigrantëve nga të gjitha trevat e Shqipërisë. Shpresoj qe nje dite Biznesmenet e suksesshëm tëmblidhen me persnonalitete të shquara të Diasporës dhe të mendojnë seriozisht për këtë godinë të historisë së Diasporës e cila ka shkruar historinë me aq mund dhe sakrifica në shërbim të cështjes kombëtare.  E ëndërroj dhe mendoj se janë të gjithe kushtet dhe mundësitë për t’ja arritur qëllimit, mjafton që të ngrihet ekipi për ta udhëhequr këtë nismë për ngritjen e Muzeut të Diasporës Shqiptaro Amerikane ku fëmijët tanë dhe gjeneratat e ardhshme të njohin, respektojnë dhe të frymëzohen nga historitë e suksesit në Diasporë në Amerikë në vendin më demokratik dhe më dashamirës për Kombin tonë të përbashkët.  

Gazetari i shquar Sulejman Gashi ka lënë pas një trashëgimi të vyer për median shqiptare dhe do të kujtohet përgjithmonë.    

Ngushëllime familjes, bashkëshortes së tij finsike znj.Tone dhe të katërt fëmijëve, Drilon, Egzon, Janina dhe Saranda të cilët kanë katër vjet që i qëndrojnë pranë si dhe gjithë lexuesve që e respektuan aq shumë. 

Të qoftë i lehtë dheu i Kosovës për të cilën shkrive jetën me penë dhe me mund! 

Dritë të pastë shpirti koleg i çmuar Sulejman Gashi!

Staten Island, New York– 12 Shtator, 2020

Filed Under: Featured Tagged With: Keze Kozeta Zylo, Lamtumire, Sulejman Gashi

LAMTUMIRË ZEF PËRNDOCAJ!

August 29, 2020 by dgreca

…ZEF PËRNDOCAJ-ISH KRYETARI I VATRËS PËR SHTETIN E NEW YORK-UT, ANËTAR I BORDIT TË FEDERATËS QË PREJ VITIT 1975, U PËRCOLL ME NDERIME, LOT DHE LULE…

Vdekja e vatranit Zef Përndocaj me 24 gusht 2020 plagosi zemrat e familjarëve, miqëve dhe vatranëve. Ashtu sic e meritonte, Kisha, komuniteti dhe Vatra, e nderuan dhe e respektuan maksimalisht Njeriun e Mirë Zef Përndocaj. Masivisht komuniteti bëri homazhe për 7 orë dhe ngushëlloi Familjen Përndocaj, miqtë dhe të gjithë ata që e deshën dhe e respektuan.Federata Pan Shqiptare e Amerikës VATRA porositi një kurorë me lule në nderim të vatranit të përkushtuar,që e nis rrugëtimin me Vatrën që me 28 nëntor 1967,- ish kryetarit të degës së Vatrës për Shtetin e New York-ut, ish anëtarin e Bordit të Vatrës që nga viti 1975. Shërbimet funerale u organizuan në Shtëpinë mortore Ballard-Durand-Funeral Home, në qytetin White Palins, NY të premten me 28 gusht 2020, nga ora 2 e pasditës deri në 9 të mbrëmjes. Federata VATRA shkoi e grupuar për të ngushëlluar familjen Përndocaj dhe miqtë- Kryetari Elmi Berisha, Presidenti i nderit Agim Rexhaj, nënkryetarët Dr. Pashko Camaj, Besim Malota, sekretarja Nazo Veliu,arkëtari Marjan Cubi me zonjën Dila, anëtarët e kryesisë,Anton Raja, Zef Balaj me zonjën Lina dhe djalin David,Ibrahim Kolari, Mark Mrnacaj dhe Aleks Mrnacaj,Asllan Bushati, Veis Belliu, Editori Dalip Greca me familjen,më pas shkuan edhe anëtari i Këshillit të Vatrës Cezar Ndreu me Desi Ndreu, të bijën e vatranit Jonuz Ndreu, e cila sapo ka zënë vendin e të atit në Vatër,dhe Shpëtim Ndreu e të tjerë. Në emër të Fedeartës Pan Shqiptare të Amerikës VATRA, z. Agim Rexhaj, president Nderi i Vatrës, ka ngushëlluar nipin e Zefit, Dod Luli, ardhur enkas nga Shqipëria për këtë rast, si dhe të birin e Zefit Albert Përndocaj. Z. Rexhaj, evidentoi përkushtimin, devotshmërinë dhe bujarinë e vatranit të vjetër Zef Përndocaj. Homazhe kanë kryer edhe ish Kryetari Gjon Bucaj me familjen, si dhe vatranë të tjerë.

MESHA E DRITËS, LUTJE, LOT, DHIMBJE

Të Shtunën, 29 Gusht, në orën 10 paraditë, në Kishën Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” famullitari Don Pjetër Popaj, ka udhëheq Meshën e Dritës. Në emër të famullisë, Këshillit të Kishës, ai ka ngushëlluar familjen Përndocaj, është lutë për shpirtin e Zefit dhe ka vlerësuar karakterin burrëror, kombëtar dhe fetar të Zefit. Don Pjetri, tha ndër të tjera, se vëllai ynë Zefi, ka përjetuar vuajtje mundime, ka provu dënime që në moshë fëminore, ka parë babën në pranga, i kanë pushkatuar axhën,ka provue jetën e malit dhe është arratisë për t’i shpëtuar vuajtjeve të diktaturës komuniste. Zefit ia kanë dënuar familjen dhe të afërmit,ai provoi vështirësi të shumta, por besimi në Zot nuk ia humbi qetësinë dhe gjykimin…Kur i shkova para pak ditësh në spital,tha don Pjetri,edhe pse në gjendje të vështirë shëndetsore ai ishte i kthjelltë dhe në paqe me veten dhe Zotin…Zefi ishte njeri i mire, që respektonte gjithkënd, nuk ofendonte askënd, ishte i dashur me të gjithë, një familjar i përkushtuar, besimtar i devotshëm, në shoqëri i respektuar.Për cështjen kombëtare nuk u kursye. Ishte bujar për fe e atdhe. I qeshur me të gjithë; të gjithë i ka dashtë dhe i ka respektuar. Prania juaj sot në masë kaq të madhe në meshë, edhe pse në kushtet e kufizimeve të Pandemisë, tregon se dhe ju e keni dashtë shumë….

Gjatë meshes don Pjetri u ndihmua nga Lek Vata dhe Mhill Velaj.

Pas lutjeve, në emër të familjes ka përcjell mesazhin e dhimbjes por dhe të krenarisë për axhën e vet, nipi i Zefit, djali i vëllait të ndjerë Bibës, Dodë Bibë Përndocaj. Duke kujtuar castet më jetësore të Zefit, Doda ka portretizuar njeriun e mirë Zef Përndocaj. Kishte dhe raste, kur rrëfimi ndërpritej nga dhimbja dhe lotët… ndërsa mbesa Elizabeth, vajza e vajzës,na bëri për të qarë. Një mesazh shpirti për gjyshin e saj të mirë që e donte aq shumë.

Kjo meshë i pat të gjitha: Lutjet, lotët, dhimbjet.

Në meshë ishin të pranishëm edhe vatranët: Agim Rexhaj me zonjën Laura, Besim Malota, Zef Balaj me zonjën Lina dhe djalin David, Marjan Cubi me zonjën,Anton Raja, Idriz Lamaj me zonjën Alma, Lek Mirakaj, Asllan Bushati, Dalip Greca e të tjerë. Ishin në meshë edhe ish kryetari i Vatrës dr. Gjon Bucaj me familjen, Mithat Gashi dhe të tjerë. Pas meshës, kortezhi që shoqëroi arkmortin me trupin e pajetë të Zef Përndocaj udhëtoi drejt varrezave Gate of Haven në Hawthorne, New York.

LAMTUMIRA…

Pas lutjes fetare nga famullitari dom Pjetër Popaj, e ka marrë fjalën Dr. Gjon Bucaj, ish kryetar i Federatës VATRA. Z. Bucaj tregoi me detaje jetën e Zefit, që e nisi shtegtimin e jetës 80 vite më parë në fshatin Sang, të krahinës së Fanit të Mirditës,kur prindërit e tij të kujdesshëm, ia ruajtën andrrat, që të mos i prisheshin nga rrethanat jetësore, por erdhi tragjedia e komunizmit,që preku dhe Zefin e familjen e tij…Mbi ta ra persekutimin komunist,arrestime,internime, përndjekje, dhe qendresë. Zefi, tha dr. Bucaj, pa me sytë e tij djegjen e shtëpive, pa babën me pranga ndër duar, përjetoi kohën e vrasjes dhe qëndrimin legjendar të axhës së tij, që së bashku me një kumbar luftoi heroikisht dhe nuk u dorëzua… Më 1951 u detyruan të arratisen në ish Jugosllavi…(Të plotë lexoje në Diellin e printuar)

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, Lamtumire, zef perndocaj

LAMTUMIRE DONIKA HILA!

July 25, 2020 by dgreca

TË SHTUNËN IU DHA LAMTUMIRA E FUNDIT DONIKA HILA/

Të premten pasdite nga ora 4 P.M deri në Orën 8. P.M në Shtëpinë Mortore Farenga Brodhers në Bronx, NY, familja, miq dhe të afërt, bënë homazhen pranë arkivolit të Donika Hila, e cila ndërroi jetë papritur në moshën 81 vjecare. Komuniteti i shprehu ngushëllimet familjeve Hila, Belliu dhe Beqiri. Nga Vatra ngushëlluan Zef Balaj- anëtari i kryesisë së Vatrës, Nazo Veliu-sekretare e Vatrës, ish nënkryetari Asllan Bushati,Mark Mrnacaj-anëtar i Kryesisë, së bashku me zonjën Kristinë, Paulin Mrnacaj –anëtar i këshillit të Vatrës, Aleks Mrnacaj, anëtar i Vatrës, dhe Kryeredaktori i Diellit, Dalip Greca.

Ndërkohë që familjet morën qindra mesazhe ngushëllimi përmes telefonatave dhe rrjeteve sociale.

Të Shtunën, që nga  Farenga Brodhers. kortezhi i makinave u nis në orën 9 e 30 drejt varrezave në Kensico Cemetery, 273 Lakeviw Ave, Valhalla, NY.

Edhe pse situata pandemike dikton rregulla strikte, pjesmarresit ishin të shumtë dhe natyrisht respektuan rregullat e mbrojtjes individuale,vendosen maskat, duke ruajte edhe distancën.

Pranë arkivolit përcollën mesazhe: Saimir Beqiri, Adem Belliu, Orges Beqiri, Vera Belliu dhe shumë të tjerë, të cilët kujtuan me respekt njeriun e tyre të dashur.Vajzat e Donikës, Lejla Beqiri dhe Mimoza Belliu, mbesat dhe niperit, shprehën dashurinë dhe mirënjohjen për nënë, gjyshen, njeriun e dashur, ndërkohë që u vendosën kurora dhe buqeta me lule. Nga Vatra ishin te pranishem Nazo Veliu, Asllan Bushati, Mark Mrnacaj me zonjen, Dalip Greca etj.

Pas varrimit Familjet shtruan drekën e lamtumirës në Yonkers, në shtëpinë e Adem Belliut. Pjestarët e familjes falenderuan pjesmarrësit,ndërkohë që përmes kujtimve, u shpreh nderimi për karakterin, sjelljen, humorin, fisnikërinë e njeriut të dashur, nënës, gjyshes, stërgjyshes, vjehrrës, Donika Hila.I pushofte shpirti ne Paqe! (Dielli)

Filed Under: Opinion Tagged With: Donika Hila, Lamtumire

LAMTUMIRË FATBARDH DOÇI!

July 25, 2020 by dgreca

NGA VEIS BELLIU/ DIELLI


Të Premten i dhamë lamtumirën e fundit mikut tonë të dashur, babait, gjyshit, bashshkëshortit, Fatbardh Veli Doci, i cili ndërroi jetë me 22 korrik 2020, pas lëngimit për më shumë se një vit prej sëmundjes së rëndë të kancerit. Fatbardhi u lind në në Tplan të Tropojës me 1 tetor 1933. Ai u nda nga jeta në moshën 86 vjeçare.
Me 24 Korrik ishte takimi i fundit me Bardhin. Ndërsa qëndronim pranë arkivolit me trupin e pajetë të Tij në Shtëpinë mortore, ”Balsamo Funeral Home”, ndjeja dhimbjen që ma coptonte shpirtin për mikun e mirë që nuk do ta kemi më në mesin tonë.
Ndjej dhimbje ndërsa shtërngoj në pëllëmbë të dorës kartën e Lamtumirës me portretin e Bardhit, me përkushtimin:
Pusho në paqe!
Shkove, por kurrë nuk do të harrojmë!
Gjithmonë i Dashur…
Pas kartës përcjellëse, lexoj e rilexoj vargje pikëlluse, që përcjellin dhimbjen dridhruse:

Tik-taku i zemrës s’ndihet fare,
Në arkivolin e heshtjes, prehesh pa zë.
-Si s’kanë lënë një të vockël dritare?!
Fjete, që të zgjohesh, por zgjim s’ka më !…

Vetëm po të shihje ndoshta s’do e njihje
Askush s’të pa kurrë pa buzë në gaz.
Hija e vdekjes është vecse një hije
Se ti jeton në bëmat që le pas….

Lamtumirë Fatbardh Doçi, burrë fisnik një familje fisnike!

Bardhin e qamë dhe e nderuam në kushtet e jashtzakonshem të Pandemisë, kur rregullat janë të rrepta dhe grumbullimet e palejuara. Shërbimet funerale u kryen në Balsamo Funeral Home, në 3185 Ëestchester Avenue, Bronx, NY. Pas dy orësh morrëm rrugën drejt varrezave për t’i dhënë lamtumirëne fundit.
Bardhi do të kujtohet nga komuniteti shqiptar si një burrë i qeshur, i dashur me të gjithë, i papërtuar për të ndihmuar këdo që i kërkonte ndihmë….Shpesh do ta gjeje në mjediset e Jacoby Hospital, tek përkthente bashkatdhetarët, që nuk flasin anglisht, por ai nuk do të përtonte për të shkuar me nevojtarët edhe në zyrat e emigracionit e kudo. Bardhi nuk mungonte as në veprimtaritë e komunitetit shqiptar, në promovime, në ekspozita, në seminare, madje shpesh herë ishte vetë organizator. Të gjithë e mbajnë mend Sesionin shkencor kushtuar Konferencës së Bujanit, një ngjarje pak e njohur, ku ai jo vetëm që ishte referuesi kryesor, por dhe bashkorganizator. Ai ishte marrë gjatë me këtë ngjarje historike. Siç dihet Konferenca e Bujanit është mbajtur më 31 dhjetor 1943 e deri me 2 janar 1944, si rikonfirmim i rrethanave të reja të krijuara pas Mbledhjes së Mukjes dhe Konferencës së Pezës dhe si rezultat i mospërfshirjes së Kosovës dhe viseve tjera shqiptare nën sundimin e ish Mbretërisë SKS…Konferenca e Bujanit, e cila u mbajtë pikërisht për t’i kundërshtuar vendimet e Mbledhjes së II të AVNOJ -it në Jajcë (29-30 nëntor 1943) dhe mos përfshirjes së Kosovës si subjekt i pavarur që deri atëherë ishte përfaqësuar përmes Malit të Zi në KAÇKJ-së). Fatbardhi ishte këmbëngulës për ta zbardhur plotësisht të vërtetën historike dhe punoi plot përkushtim për këtë derisa finalizoi studimine tij.
Lamtumirë mik!

Filed Under: Opinion Tagged With: Bardhi Doci, Lamtumire, Veis Belliu

LAMTUMIRË IDAET (EDWARD) BUSHKA, FRYMA ATDHETARE E KOMUNITETIT SHQIPTAR NË WATERBURY

April 21, 2020 by dgreca

-Historia e Nacionalistit(Legalistit), vatranit, që për katër vjet bashkëpunoi me anglo-amerikanët për rrëzimin e diktaturës komuniste në Shqipëri…/

– Si arriti që të rikthehej në vendlindje dhe të shpëtonte familjen në vitin 1952…./

– Biznesmeni që bëri epokë në Amerikë …./

Përgatiti: Dalip Greca/

Idaet (Edward) Bushka ndërroi jetë në moshën 89 vjeçare me 17 Prill 2020, në Saint Mary’s Hospital –Waterbury, Connecticutt. Familja dhe miqtë humbën njeriun e dashur,Komuniteti shqiptar në Waterbury humbi njeriun që më së shumti i dha frymë atdhetar dhe mbolli farën e bashkimit, Komuniteti musliman humbi një ndër themeluesit dhe kontribuesin bujar, biznesi amerikan humbi një ndër biznesmenët më të sukesshëm, Legalistët humbën një nga ”mbretërorët” besnik. Pushoftë në Paqë shpirti i fisnikut Idaet Bushka.
Për shkak të pandemisë së virusit COVID-19, të gjitha shërbimet e nderimit dhe varrimit për zotin Bushka ishin private. Një ceremoni përkujtimore do të organizohet në një kohë të përshtatshme. Shërbimet funerale iu besuan Shtëpisë mortore: The Albini Family Funeral Home, 430 Chase Parkëay, Waterbury.
Në njoftimin mortor shkruhej: Në vend të luleve, kontributet përkujtimore mund të bëhen në kujtesën e Z. Bushka për: Boys & Girls Club of Waterbury.
….. ***

IDAET(EDWARD) BUSHKA, HISTORIA E BIZNESMENIT DHE ATDHETARIT

Idaet (Edward) lindi në Shqipëri më 5 korrik 1930. Ishte djali i të ndjerit Halil dhe Haxhire (Fazo) Bushka. U lind në Pilur të rrethit të Korçës, në Shqipërinë Jug-Lindore, rreth 22 Km larg
nga kufiri me Greqinë.Në vitin 1950, pesë vjet pas ardhjes në pushtet të diktaturës komuniste të Enver Hoxhës, Idaet(Edward) Bushka, asokohe 19 vjeç, dhe babai i tij Halili, të privuar nga liria, të kërcënuar nga burgosja, u detyruan të arratiseshin në këmbë përmes maleve të Pindit në Greqi.Familja Bushka ashtu si familjet Kulla ishin shpallë armiq të diktaturës, si mbështetës të Mbretit Zog. Ftamirsisht të dyja familjet u sinjalizuan në kohë për rrezikun e arrestimit dhe ata arritën që të arartiseshn. Grupi me të cilin u arratisën Idaeti me babanë Halilin përbëhej prej 25 vetash. Natyrisht që familjet Kulla dhe Bushka lanë “peng”njerëzit e tyre të dashur, në pamundësi për t’i marrë me vete, por që një ditë Idaeti do të kthehej dhe do ta shpëtonte pjesën më të madhe të familjes së mbetur.
Idaeti me babanë Halilin u detyruan të linin në shtëpi nënën dhe motrat e vëllanë, Skënderin. Ky ishte pengu që e mundoi dhe e shqetësoi shumë Idaetin. Kur mbërritën në Greqi, babë e bir, nuk i lanë bashkë, por i dërguan në kampe të ndryshme. Idaeti u intervistua nga shërbimet inteligjente amerikane-angleze dhe u pyet nëse ishte i gatshëm që të luftonte komunizmin, nëse mund të guxonte të hynte në Shqipëri në mënyrë ilegale.  
Agjensia e shërbimeve sekrete interesohej që të merrte sa më shumë të dhëna nga Shqipëria, përfshirë informacionin mbi forcën dhe lëvizjet e trupave ushtarake, vendndodhjen e rrugëve të furnizimit dhe listat e azhurnuara të shqiptarëve të burgosur ose të vrarë. Duke qenë i ri në moshë, i mbushur me mllef kundër diktaturës komuniste, Idaeti, dhe një pjesë prej grupit pranuan të aktivizoheshin. Shpesh herë ata kapërcyen kufirin duke udhëtuar natën, fshehtasi mes malesh dhe legalisht lëviznin nëpër Shqipëri për të grumbulluar të dhëna, duke rrezikuar jetën. Në një nga aksionet ai rrezikoi veten duke vendosë një bombë me rastin e një mitingu të udhëheqësve të lartë komuniste në Korçë, por që nuk shpërtheu. Idaet Bushka realizoi rreth 15 misione në Shqipëri për rreth katër vjet. Tre nga dhjetë pjestarët e grupit të tij u vranë duke tentuar të merrnin informacione nga Shqipëria. Vetë Idaet Bushka u qëllua disa here në aksionet e tij, por arriti të mbijetonte, duke marrë thjesht disa gjurmë kujtimi, vrimat e plumbave që shpuan pallton që mbante veshur. Misioni i tij më i rëndësishëm u bë në vitin 1952, kur ai drejtoi një grup illegal, që kishte si qëllim hyrjen në Pilur për të marrë motra e vëllezër të mbetur ”peng”. Pë vëllanë e vogël 5 vjeçar, i cili së bashku me një motër 8 vjecare, nuk mund ta përballonin udhëtimin e vështirë ndër male,gjeti një gomar dhe i vuri mbi të dhe i shpëtoi nga kthetrat e diktaturës. Por sërish i mbeti dhe një peng. Mjerisht ai nuk mundi të merrte nënën e tij Haxhire dhe vëllain Skënder, të cilët komunistët i kishin lëvizur larg Pilurit. 
Idaeti dhe pjesa tjetër e familjes së tij nuk u ribashkuan me nënën dhe vëllanë e tyre deri në vitin 1991, kur regjimi u shemb përfundimisht. Idaeti dhe babai i tij Halil ishin ndarë menjëherë pasi mbërritën në Greqi, kur Halili u transferua në një kamp tjetër refugjatësh. Të dy nuk e kishin parë njëri-tjetrin për dy vjet, dhe Halili nuk e kishte idenë se djali i tij po kryente misione të inteligjencës sekrete. Babai nuk kishte informacion se i biri e kishte shpëtuar pjesën më të madhe të familjes. Babai i tij nuk mund të besonte kur bashkatdhetarët në kampin e refugjatëve i thanë që familja e tij kishte mbërritur në Greqi. Ai nuk mund të besonte se ata do të ribashkoheshin dhe se të gjithë ata ishin sjellë përtej kufirit përmes maleve.
Idaeti dhe pjesa e familjes së shpëtuar erdhën në Shtetet e Bashkuara në 1954 dhe u vendosën në Waterbury, ku jetonin disa prej të afërmve të tyre.
Idajeti u martua me Margarita Priftin në vitin 1959 dhe lindën e rritën pesë fëmijë, katër prej të cilëve punojnë në biznesin familjar dhe nëntë nipër e mbesa.
Ai ishte njëri prej biznesmenëve më të suksesshëm në Waterbury për më shumë se 40 vjet. E nisi biznesin e moblijeve dhe pajisjeve të kuzhinës me 2 javë mësim dhe me 10 mijë dollarë të huazuara nga xhaxhai i tij, duke shfrytëzuar bodrumin e shtëpisë së tij në William Street, ku jetonte, dhe për 40 vjet me radhë e rriti biznesin dhe u bë numri 1 në rajon.
Idaeti dhe katër vëllezërit e tij më të vegjël hapën Mobilerinë “ Bushka” në Fairfield Avenue, një biznes që të katër vëllezërit e administruan së bashku për 40 vite. Në vitin 1994, familja Bushka kuptoi se kishte ardhur koha që biznesi të zgjerohej e të riorganizohej. Kështu, vëllai i tij Stiven qëndroi në “Bushka Lumber”, vëllai tjetër Jimmy hapi një kompani të lëndëve të drurit në Naugatuck, dhe Edward, djali i Idaetit dhe vajzat e tij hapën një tjetër – Millwork Amerikan në Wolcott Street në Waterbury.
Edward drejtoi biznesin e tij të rrethuar nga familja e tij siç bëri që nga momenti kur vuri këmbën në Amerikë. Ai ishte një baba krenar, një biznesmen i suksesshëm dhe një shtyllë e komunitetit të tij. Ai ishte një njeri i shquar. Edward ishte pjesë e bordit të drejtorëve të Bankës Mattatuck në Waterbury, ishte pjesë e bordit të Stoppers Crimeb Waterbury për disa vjet. Ai është nderuar me shumë çmime, si person i vitit nga Shoqata e Tregtarëve të Përpunimit të Drurit të Connecticut në 2012.
Idaeti ishte krenaria e Komunitetit Shqiptar. Ai është përzgjedhur Kryetar Nderi i Ditës i Bashkisë në Waterbury në Ditën Shqiptare të Pavarësisë, me 28 Nëntor, në nder të tij u ngrit Flamuri kuq e zi i kombit të Tij. Idaet (Edward) Bushka është vlerësuar me çmimin e arritjes së jetës nga komuniteti Mysliman Shqiptaro Amerikan në vlerësim të shërbimit dhe përkushtimit të tij për shumë vite.Duke qenë një biznesmen i suksesshëm, z.Bushka ndërtoi disa projekte tregtare dhe banesore në të gjithë qytetin e Waterbury. Ai ishte besnik i qytetit në të gjitha përpjekjet e biznesit të tij.
Idaeti ishte i dashuruar me qytetin dhe lagjen e tij, e cila e priti me respekt e krah hapur që kur hodhi këmbët aty si një emigrant 20-vjeçar me arsimim minimal. Ajo lagje i besoi atij dhe e lejoi të hynte në shtëpitë e tyre duke e ndihmuar të ndërtonte biznesin e tij gjatë 40 viteve. Dhe ai nuk u kursye, bëri gjithçka që të ndihmonte njerëzit. Ai sponsorizoi shumë herë bashkëqytetarët, i ndihmoi për ngritjen e bizneseve. Mirëpriti bashkatdhetarët e shumtë.Kjo buronte nga shpirti i tij, ishte trashëgimia e tij dhe e familjes. Ai iku nga kjo jetë si një njeri i madh, vetëmohues. Do t’u mungojë të gjithëve.
Pushoftë në Paqë shpirti i Tij!
Ngushëllime Familjeve Bushka dhe Kulla!

Filed Under: Politike Tagged With: dalip greca, Idaet Edward Bushka, Lamtumire

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 10
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Xhevat Kallajxhiu, kontributi patriotik e publicistik nga “Zëri i Amerikës” te gazeta “Dielli”  
  • Në veriun e Mitrovicës para 23 viteve serbët vranë e dëbuan shqiptarët
  • Boshnjakët dhe shqiptarët kërkojnë reciprocitet të të drejtave
  • Maya Angelou mbretëresha e poezizë zezake 
  • SHQIPTARO-AMERIKANËT SHËNOJNË 1-VJETORIN E VARRIMIT TË SENATORIT BOB DOLE
  • New Proposal on School Meals Includes First Limits on Added Sugars
  • Nga Dante Aligieri dhe piktori i famshëm italian Mariotto Albertinelli tek djali i Drenicës përndjekur nga genocidi serb
  • SHQIP NË ASPROPIRGO – ATHINË
  • 15 VJETORI I PAVARËSISË SË KOSOVËS NË NEW YORK
  • Emri im nuk është Marjuana!
  • PIKËPYETJE…
  • William McKinley, Presidenti i 25-të i ShBA
  • Kosova’s 15th Anniversary of Independence Celebration
  • PAL ËNGJËLLI, KRYEIPESHKËV I DURRËSIT I SHKRUAN GJERGJ KASTRIOTIT SKENDERBEUT – PRINCIT TË EPIROTËVE PËR FILLIMIN E LUFTËS KUNDËR SULLTANIT OSMAN – MEHMETIT TË II-TË
  • In Memoriam Presidenti Woodrow Wilson

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT