• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LAMTUMIRE SULEJMAN GASHI!

September 19, 2020 by dgreca

Kosova me shumë nderime e përcolli në amshim gazetarin Sulejman Gashi….-

-Në Prishtinë – homazhe, ngushëllime e mbledhje komemorative: Sulejman Gashi tërë jetën iu përkushtua gazetarisë dhe përfaqësimit të Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke u bërë zë i shqiptarëve. Sulejman Gashi i takonte brezit të gazetarëve, publicistëve dhe intelektualëve të një kohe specifike për Kosovën të cilët e morën mbi supe barrën e rrugëtimit të krijimit të shtetit të pavarur të Kosovës…Ishte dhe do të mbetet zëri i shpresës, zëri i Kosovës dhe i Shqiptarëve nga Amerika, korrespondenti nga Nju Jorku e Uashingtoni/

-Mirënjohje dhe falenderime të gjithëmonëshme edhe për raportimet e Sulejman Gashit korrespondent nga Amerika i gazetës së përditshme të rezistencës “Bujku” që dilte në Prishtinë pjesë e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor euroatlantik, dhe sfidonte ndalimin e gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja, të vetmes në gjuhën shqipe në atë kohë në Kosovë, të mbyllur dhunëshëm nga regjimi okupator serb/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 18 Shtator 2020/  Kosova me shumë nderime e përcolli sot në amshim gazetarin Sulejman Gashi, të vlerësuar për gjithë kontributin e tij e edhe si një diplomat në rrugën drejt lirisë e pavarësisë.

Homazhe e mbledhje komemorative janë mbajtur në Sallën “1 Tetori” në Kompleksin Universitar të Kosovës në Prishtinë, me pjesëmarrje të përfaqësuesve institucionalë e politikë, gazetarëve e qytetarëve të shumtë, të cilët edhe kanë ngushëlluar familjarët që i kanë pritur e më pas Sulejman Gashit i është dhënë edhe lamtumira e fundit.

Në mbledhjen komemorative është lexuar telegram i ngushëllimit i Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka vlerësuar se Sulejman Gashi tërë jetën iu përkushtua gazetarisë dhe përfaqësimit të Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke u bërë zë i shqiptarëve.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani në mbledhjen komemorative tha se gazetari Sulejman Gashi tregoi se ekziston vetëm një e vërtetë dhe atë e tregoi para gjithë botës.

“Ai ishte vetëm njëri që dha shumë për këtë vend. Ai iku, po la një të vërtetë – atë të njeriut që sakrifikon gjithçka. Sulejmani ishte një njeri i mirë dhe profesionist. Në këtë kohë përplasjesh ai tregoi se ekziston vetëm një e vërtetë dhe e tregoi para gjithë botës”, u shpreh ajo.

Kryeparlamentarja e Kosovës tha se Sulejman Gashi e deshi shumë këtë vend. “Kisha fatin e mirë ta takoja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe si studente. Sot të gjithë po i themi lamtumirë njeriut që na mbajti të informuar për disa dekada”, tha Osmani.

Kryeministri  i Kosovës Avdullah Hoti tha se Sulejman Gashi i takonte brezit të gazetarëve, publicistëve dhe intelektualëve të një kohe specifike për Kosovën të cilët e morën mbi supe barrën e rrugëtimit të krijimit të shtetit të pavarur të Kosovës.

“Ato ishin rrethana të jashtëzakonshme dhe Syla bashkë me kolegët e asaj kohe ditën më së miri të artikulojnë interesat e shqiptarëve në Kosovë dhe t’i mbrojnë ato para qendrave demokratike anë e mbarë botës”, theksoi ai.

Më tek kryeministri tha se, Sulejman Gashi do të kujtohet përgjithmonë me pietet për profesionalizmin e tij, për urtësi, për fjalën e peshuar dhe kulturën e lartë të komunikimit publik që kishte.

“Ai do të mbetet përherë një frymëzim dhe një shembull për brezat e rinj, veçmas për ata që do të merren me profesionin e gazetarit.

Zëri i tij do të jehojë përherë në kujtesën tonë si një kujtim i fuqishëm për një njeri të rrallë, që punoi me vetëmohim e me dashuri të madhe për familjen, për institucionin, për atdheun dhe humanizmin në përgjithësi.

Si kryeministër i Republikës së Kosovës, e ndiej për obligim të zotohem se do të punojmë me tërë përkushtimin tonë, në mënyrë që synimet e Sulejmanit dhe të brezit të tij për një Kosovë tërësisht të integruar në familjen e madhe të vendeve të përparuara të qytetërimit euroatlantik të bëhen sa më parë realitet”, theksoi kryeministri Hoti.

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi tha se Sulejman Gashi i shërbeu kombit gjatë gjithë jetës.

“Kudo kontribuoi shumë për Kosovën, lirinë dhe pavarësinë e saj. Sulejmani u vu në shërbim të kombit”, theksoi ish-kryeparlamentari Krasniqi – tani kryetar i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje e ish-kryeministri Albin Kurti tha se Sulejman Gashin do ta kujtojë si ambasador të Kosovës, ndonëse nuk e kishte një pozitë të tillë, por që me punë e tij e dëshmoi këtë.

“Në këtë nëntor bëhen 23 vjet prej kur e takova për herë të pare Sulejman Gashin. Ai na përgatiste për takime me zyrtarë amerikanë, punoi ditë e natë për misionin tonë në ndihmë popullit tonë. Në mendjen time do të mbetet njeri fisnik dhe punëtor dhe ishte ambasador i Republikës sonë ndonëse i pa shpallur”, tha Kurti.

Fillimisht, në mbledhjen komemorative, në emër të familjes së Sulejman Gashit foli vëllai i tij, Selajdin Gashi, duke theksuar  se po i japin  lamtumirën e fundit njeriut i cili tërë jetën ia kushtoi kombit dhe ndërroi jetë në 11 Shtator 2020.

“Familjarët, miqtë dhe institucionet janë të pranishme që të japin përshëndetjen e fundit të denjë siç e meritonte Syla, i cili ia kushtoi tërë jetën familjes, atdheut dhe kombit që e deshi shumë”, tha Selajdini.

Para përmbylljes së mbledhjes komemorative për Sulejman Gashin ka folur djali i tij, Drilon Gashi, i cili përkujtoi edhe raportimet e babait të tij gazetar nga shtëpia e tyre e zyra e korrespondentit në Amerikë për median në Kosovë.

“Babai ishte dhe do të mbetet zëri i shpresës, zëri i Kosovës dhe i Shqiptarëve nga Amerika, korrespondenti nga Nju Jorku e Uashingtoni”, u shpreh Driloni.

Në mbledhjen komemorative për Sulejman Gashin folën me kujtimet e vlerësimet më të larta  edhe Don Lush Gjergji, Mulla Xhevat Kryeziu – shok i fëmijërisë,  si dhe gazetarët që kanë punuar së bashku me të në kohë të ndryshme, Avni Spahiu, Skedner Durmishi, Asllan Bajrami e Ngadhnjim Kastrati, i cili është edhe drejtor i Radio Televizionit të Kosovës.

U përkujtua se Sulejman Gashi, mes tjerash, ishte korrespondent në Shtetet e Bashkuara të Amerikës i Radio Televizionit të Prishtinës e Radio Televizionit të Kosovës dhe i gazetës së përditshme të rezistencës “Bujku” që dilte në Prishtinë pjesë e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor euroatlantik, dhe sfidonte ndalimin e gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja, të vetmes në gjuhën shqipe në atë kohë në Kosovë, të mbyllur dhunëshëm nga regjimi okupator serb.

Edhe në këtë raportim si korrespondent në Kosovë i Gazetës DIELLI – organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, si kryeredaktor i parë – themelues i gazetës së përditshme të rezistencës “Bujku” që ka dalë nga 18 janari 1991 e deri në prag të vitit 1999 dhe si kryeredaktor i fundit i gazetës Rilindja, gazetar i së cilës isha që nga shtatori 1973, shpreh mirënjohjen dhe falenderimet e gjithëmonëshme për raportimet e Sulejman Gashit korrespondent nga Amerika dhe në këtë ditë lamtumire u shprehu ngushëllimet më të sinqerta familjes së tij e farefisit, miqëve dhe kolegëve gazetarë.

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Percjellja, Sulejman Gashi

Nderim dhe Respekt për Gazetarin Sulejman Gashi

September 12, 2020 by dgreca

Nga çatitë e djegura të Kosovës pashë Flamurin kuq e zi që velëvitej i LIRË. (Sulejman Gashi)

Nga Keze Kozeta Zylo-

U nda nga jeta gazetari i mirënjohur Sulejman Gashi, lajmërim që e pashë të botuar tek gazeta “Illyria” ku i biri i tij Driloni lajmëronte për vdekjen e parakohshme të të Atit. 

Ikja e parakohshme e gazetarit të mirënjohur Sulejman Gashit është një dhimbje e madhe, jo vetëm për familjen e tij të shtrenjte për bashkeshorten fisnike dhe katër fëmijët yje, por dhe për gjithë Diasporën Shqiptaro-Amerikane dhe më gjerë. 

Nuk mund ta kaloj këtë lajm kaq të trishtë vetëm me një fjalë të thjeshtë si: “Ngushëllime”, nëpër statuse të ndryshme që kanë publikuar në F/B, por si koleg i çmuar shpreh respektin maksimal dhe mirënjohjen e pakufishme për çfarë i dha medias shqiptare në mënyrë tejet profesionale dhe plot kulturë. E kam takuar disa herë dhe kam pasur komunikim për botime të ndryshme, e kam parë në skena duke promovuar plot dinjitet dhe kulturë Atdheun e Tij, Shqipërinë dhe Kosovën që e deshte aq shumë. I kam dëgjuar të gjitha raportimet e gazetarit Gashi për RTK si dhe kam lexuar shkrimet në gazetën “Illyria” i cili ka qenë bashkëthemeluesi i saj dhe ka dhënë një kontribut të çmuar siç dhe shprehet kryeredaktori i gazetës “Illyria” Ruben Avxhiu dhe botuesi i saj z.Vehbi Bajrami.  Gjithçka qe ai dha në media janë pasuri e çmuar për letrat shqipe. 

Kurrë nuk do ta harroj aktivitetin madhëshstor per 5-Vjetorin e Kosovës organizuar nga Gazeta e mirënjohur “Illyria” në Manhattan, ku moderator i kësaj mbëmjeje ishte gazetari Sulejman Gashi.  Aktiviteti ishte i një niveli shumë të lartë, ishte për Kosovën martire, por më duhet të them se moderimi nga gazetari i shquar Sulejman Gashi nëpërmjet elekuencës në të folur si në shqip dhe në anglisht, zëri i tij burrëror i dha një ton dhe më të veçantë para pjesëmarrësve të shumtë si dhe politikanëve të lartë të Kongresit Amerikan.  Ajo që do të më ngelet në kujtesë dhe jo vetëm mua ishte se gazetari dhe atdhetari zemërzjarr Gashi, foli çfarë kishte ndjerë dhe parë si Biri i devotshëm i Kosovës.  

Midis të tjerash ai tha se:  “Ndihej i privilegjuar që të prezatonte këtë mbrëmje kushtuar pesë vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.  Ne sot do të nderojmë dhe kujtojmë të gjithë ata që dhanë jetën për Kosovën, të gjithë ata që janë midis nesh.  Ne duhet të kujtojmë se Liria erdhi me gjak, guxim dhe krenari…

Kur unë shkova në Kosovë pas dy muajsh që ishte çliruar, duke parë shtëpinë e prindërve që ishte djegur, eca në rrugën Prishtinë-Pejë në Qershor 1999, ndalova në fshatin Llapushnik dhe numërova 17 çati shtëpish që po rindërtoheshin dhe mbi to valëvitej Flamuri kuq e zi.  Duke i parë thashë me vete: Kjo është Liri.  Shumë herë ne jemi mbledhur në Nju Jork, Bronx, Nju Xhersi, Conektikat, Miçigan, Dallas, Boston dhe shumë herë në Washington DC të protestonim kundër diskriminimit dhe persekutimit të dy milionë shqiptarëve në Kosovë.

Z.Gashi vazhdoi se sot do të kujtoj dhe letrën që Presidenti Obama i cili ka përshëndetur pesë vjetorin e Pavarësisë së Kosovës dërguar udhëheqësve të Kosovës nga shefi i diplomacisë Amerikane z.John Kerry.  Shteti Amerikan do të vazhdojë të suportojë pavarësinë e Kosovës dhe ne do të mbetemi partner dhe miq.”

Edhe 6 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës organizuar nga Konsullata e Përgjithshme e Kosovës me Konsull të përgjithshëm z.Bekim Sejdiu e moderoi gazetari Sulejman Gashi. 

Mbrëmjen e filloi me këto fragmente: “Po shënojmë sonte gjashtëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës dhe dua të them se ne, komuniteti shqiptar në Amerikë, jemi shumë të privilegjuar për mysafirët që kemi sonte: “Ju kujtohet, gjashtë vjet më parë kur më 17 shkurt 2008 në Parlamentin e Republikës së Kosovës u mbajt një seancë solemne, më e rëndëishmja në historinë e saj, më gjithëprfshirëse në jetën politike ku të zgjedhurit e Kosovës morën përsipër atributin më të lartë të organizimit politik, krijimin e shtetit të pavarur që ishte një kurorëzim i idealeve, përpjekjeve dhe sakrificave dhe luftërave të vazhdueshme të brezave të tëra. 

Aty do të lexoheshin fjalët historike që i shqiptoi njeriu i cili me praninë e tij na nderon sonte. Ai është i njejti burrshtetas i para gjashtë vjetëve, ndonëse sot paksa më flokë më të zbardhura dhe me një periudhë udhëheqje të shtetit të Kosovës si shef i ekzekutivit të saj tash gjashtë vjet. 

Para se t’i japë fjalën, kujtoj edhe njëherë fjalët më historike që kryeministri i Kosovës 

z. Hashim Thaçi i shqiptoi para deputetëve të Kosovës, para miliona shqiptarëve dhe para botës:

 “Të mbledhur në mbledhje të jashtëzakonshme më 17 shkurt 2008, në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë… Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe Sovran.”

Bashkombës të nderuar, thërras para jush për një fjalë përshëndetëse në këtë solemnitet, kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi: 

Një falënderim i posaçëm dhe borxh i kemi edhe vendit tonë të adoptuar, vendit më liridashës në botë, vendit djep i demokracisë. Ndihma, përkrahja, mbështetja e politikës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk ka munguar në asnjë periudhë kohore në dy dekadat e fundit të cilat ishin vendimtare për proceset historike të krijimit të shtetit të Kosovës.

Gjatë këtyre gjashtë viteve, udhëheqësit amerikanë, në radhë të pare presidenti dhe Departmenti i Shtetit kanë ritheksuar përkushtimin e Washingtonit për ardhëmrinë e Kosovës, duke thënë se përvjetorët e Pavarësisë janë një rast që liderët e zgjedhur të Kosovës ta forcojnë përkushtimin e tyre për qeverisje të mirë si një parakusht i integrimit euro-atlantik.’ 

Ftoj para jush njërin ndër arkitektët e pavaërsisië së Kosovës, ndërmjetësuesin amerikan në bisedimet për statusin e saj përfundimtar, z.  Frank Wisner.”

Në e-mailat që shkëmbenim sidomos kur më duhet të botoja reportazhet për Kosovën dhe aktivitetet ku ai moderonte, ndjeja një komunikim tejet korrekt, një koleg gjeneroz që vetëm frymëzon, por që mjerisht jo dhe shumë janë të tillë sot… Më lejoni ju lutem ta ndaj me ju një prej e-mailave të tij se si ai me burrëri dhe delikatesë shpreh mirënjohjen për një kolege në diasporë si:

“Përshëndetje Zonja Kozeta, Edhe për mua ishte kënaqësi që ju takova, gjithëherë zonjë dhe profesioniste”.

Ne nuk kemi qenë bashkë vetem në aktivitete të Diasporës për Kombin, por ka rastisur dhe në darka familjare ku në një rast kemi qenë së bashku familjarisht në tavolinë dhe sigurisht siç ndodh rëndom në këto raste ke më shumë kohë për t’u prezantuar me anëtarët e familjes. Kështu në fejesën e Benjaminit dhe të Lidës fëmijët e pronarit te TV “Alb” Bajram Dreshaj ku ne ishim të ftuar dhe së bashku në një tavolinë, kur ai me tha emrat e fëmijëve të tij u kënaqa pamasë, u emocionova që çdo tingull i tyre më vinte si një këngë e bukur SHQIP.  

Emrat e tyre Drilon, Egzon, Janina dhe Saranda ishin gjithë Shqipëria. -Ja më tha Janinën dhe Sarandën i kam nga Jugu tuaj.  Tek emri Janina ndalova pakëz më shumë me një heshtje tronditëse së brendshmi… -Sa emër të bukur që i ke vënë Janines, shpresoj se ajo do të luftojë, kur të rritet t’ja kthejë Kombit Janinën.  Ky emër i thashë më kujton, kur sundonte Ali Pashë Tepelena i cili e kishte një nga qytetet më të rëndësishme në viset Perëndimore të Ballkanit, qendër dhe vatër e prushtë arsimore ku filloi të përdorej përveç greqishtes si gjuhë shkrimi dhe SHIQPJA. Janinën sa ishte gjallë nuk guxoi njeri t’ia merrte? Ku është Janina sot? – vazhdova une…  – Doemos qe e di historinë e Janinës së Ali Pashë Tepelenës u përgjegj qetësisht gazetari Gashi dhe ndaj jam frymëzuar për ta pagëzuar bijën time të shtrenjtë me këtë emër.  Unë këtë dhimbje dhe plagë të Atdheut që mjerisht janë me shumicë nuk dua t’i lë pashëruar, të paktën i mbjellë në trupin dhe shpirtin tim.  Atëhere Janina vazhdova unë është shpallur botërisht kryeqytet në familjen e madhe dhe të respektuar Gashi…  

Duke pasur një model të një njeriu qytetar në shpirt, të një gazetari brilant, të një emigranti që shkriu jetën e tij për Kombin nuk ka se si të mos shkojë në mendje që për këta bashkëkombas të ndritur dhe për punën e jashtëzakonshme të Diasporës shqiptaro amerikane të mos ngrihet një Muze këtu në New York, ku dhe janë shumica e emigrantëve nga të gjitha trevat e Shqipërisë. Shpresoj qe nje dite Biznesmenet e suksesshëm tëmblidhen me persnonalitete të shquara të Diasporës dhe të mendojnë seriozisht për këtë godinë të historisë së Diasporës e cila ka shkruar historinë me aq mund dhe sakrifica në shërbim të cështjes kombëtare.  E ëndërroj dhe mendoj se janë të gjithe kushtet dhe mundësitë për t’ja arritur qëllimit, mjafton që të ngrihet ekipi për ta udhëhequr këtë nismë për ngritjen e Muzeut të Diasporës Shqiptaro Amerikane ku fëmijët tanë dhe gjeneratat e ardhshme të njohin, respektojnë dhe të frymëzohen nga historitë e suksesit në Diasporë në Amerikë në vendin më demokratik dhe më dashamirës për Kombin tonë të përbashkët.  

Gazetari i shquar Sulejman Gashi ka lënë pas një trashëgimi të vyer për median shqiptare dhe do të kujtohet përgjithmonë.    

Ngushëllime familjes, bashkëshortes së tij finsike znj.Tone dhe të katërt fëmijëve, Drilon, Egzon, Janina dhe Saranda të cilët kanë katër vjet që i qëndrojnë pranë si dhe gjithë lexuesve që e respektuan aq shumë. 

Të qoftë i lehtë dheu i Kosovës për të cilën shkrive jetën me penë dhe me mund! 

Dritë të pastë shpirti koleg i çmuar Sulejman Gashi!

Staten Island, New York– 12 Shtator, 2020

Filed Under: Featured Tagged With: Keze Kozeta Zylo, Lamtumire, Sulejman Gashi

SULEJMAN GASHI, BELOVED COLLEAGUE AND FRIEND, PASSED AWAY AT 61

September 12, 2020 by dgreca

by Rafaela Prifti-

A career journalist, a professional translator and a highly respected colleague, Sulejman Gashi passed away at 61. For those of us, who had the incredible fortune of knowing and working with him, there is a profound sense of loss. Vatra President Elmi Berisha expressed condolences to the Gashi family on behalf of the Executive Council, Board of Directors, branches and all members, describing Sulejman as an exemplary reporter, intelligent mind and a true patriot. His reporting career at TV Prishtina was interrupted, along with his Albanian colleagues, when the Serbian authorities shut down the medium in July 1990.  He and his family migrated to the United States. A year later, Sulejman Gashi was a founding journalist and editor of “Illyria”, the newspaper launched with two main commitments: independence for Kosova and democracy for Albania.
Through the end of 1990s, Mr. Gashi was a correspondent for Bujk, Kosova Information Center and other outlets. Throughout the war, his reporting stood out for its high standards of journalism. In 2001, when OSCE Mission established Radio Television Kosovo as an independent public service broadcaster, they reached out to media professionals with excellent credentials like Sulejman Gashi. He conducted live interviews with the highest government officials and international representatives earning the respect of all of them. Years later, he became US correspondent for Kosova national broadcaster, RTK.
Aside from his career in journalism, Sulejman Gashi was a US State Department Independent Contractor. His extraordinary command of English language won the respect and admiration of his colleagues. I was fortunate to meet him in a DOS language training workshop, which marked the beginning of a friendship that has shaped my life.

In 2016, while on assignment in Salt Lake City, Utah, he suffered a cardiac arrest and slipped into comma. Today, Drilon Gashi, surviving son, announced the passing of his father, stating that the burial will take place in his home country, Kosova:
“It is with great sorrow that we announce that our dearest loved one, Mr. Sulejman Gashi, passed away today on September 11, 2020. He fought very hard to recover from the difficult condition he sustained four years ago. Our loved one’s burial will take place in his country of origin, Kosova, which he loved very dearly. Sulejman Gashi lived a life and left a legacy of great significance for his family, his profession, his country and nation.  In the coming days we will provide more information on the arrangements. We are very grateful for the respect and love that all have for our dearest loved one, Sulejman, but kindly request that we all collectively respect the public health measures in place due to the pandemic.  We greatly appreciate your consideration of the our privacy in this very difficult time for our family and relatives.”

Today, messages of condolences are posted on social media by politicians, media executives, co-workers, friends and community leaders in Kosova and United States. After a few comforting words addressed to his family members earlier, I briefly communicated with former RTK colleagues, DOS interpreters and representatives of the Albanian-American community who join Dielli staff in being saddened by Sulejman Gashi’s departure. Vatra announcement about memorial service details to follow in the coming days. 

Filed Under: Featured Tagged With: Rafaela Prifti, Sulejman Gashi

VATRA NGUSHËLLON FAMILJEN E GAZETARIT SULEJMAN GASHI

September 11, 2020 by dgreca

Sot, e premte 11 Shtator 2020, katër vite pasi pësoi arrest kardiak, familja e gazetarit Sulejman Gashi, njoftoi ndarjen nga jeta. I biri i Sulejmanit, Driloni, konfirmoi ndarjen nga jeta sot në mëngjes. Në një postimi në rrjetet sociale Driloni shkroi se :“ai po luftonte shumë që të rikthehej nga gjendja e rëndë që kishte pësuar katër vite më parë. Varrimi i të ndjerit do të bëhet në vendlindjen e tij në Kosovë, vendin të cilin ai e deshi aq shumë. Sulejman Gashi bëri një jetë, dhe la një vepër, me domethënie të jashtëzakonshme për familjen, profesionin, vendin dhe kombin e tij”, shkruhet në postim.

         Kryetari i Vatrës z. Elmi Berisha,në emër të Kryesisë, Këshillit, degëve të Vatrës dhe të gjithë vatranëve, i përcjell ngushëllimet me të thella familjes Gashi. Sulejmani ishte modeli i gazetarit, intelektualit, atdhetarit që e deshi me shpirtin Kombin e vet! Pushoftë në paqe shpirti i gazetarit të palodhur, atdhetarit të përkushtuar, Sulejman Gashi.

   Gazeat Dielli e ka përcjellë me dhimbje ecurinë 4 vjecare të pas arrestit kardiak në Utah, mars 2016, të kolegut Sulejman Gashi, dhe sot, redkasia jonë ndjehet e pikëlluar për ikjen e Sulejmanit. I qoftë i lehtë dheu i Vendlindjes ! Ngushëllime bashkëshortes Tone, fëmijëve: Saranda, Janina, Drilon dhe Egzon! Ngushëllime miqëve dhe kolegëve!

Filed Under: Featured Tagged With: Familjen gashi, Sulejman Gashi, Vatra ngushellon

NJERIU QË DHA LAJME MBI DY DEKADA – SOT U BË VETË LAJM …

March 24, 2016 by dgreca

Nga Sinan KAMBERAJ/

Sulejman GASHI, i cili shpërndau lajme në eter nga New Yorku, për më shumë se dy decenie, duke ngritur shpresat dhe duke ngrohur zemrat e miliona  shqiptarëve në Ballkan, në orët më të liga të historisë së tyre, sot papritmas u bë vetë lajm.
Ai u bë lajm, të cilin familja dhe ne miqtë dhe kolegët e tij, nuk deshëm ta besonim, sepse ishte i rëndë. Sulejmani ishte goditur papritmas nga një sulm kardiatik dhe po përballej me sëmundjen e rëndë që ka mundur të të ndante prej nesh.
Ky lajm, padyshim i keq, e kishte një pjesë shpresëdhënëse: Sula e kishe sfiduar goditjen, duke u dhënë shpresa familjarëve dhe ne, të gjithë miqve të tij, se së shpejti do të kthehet midis tyre dhe midis nesh.
Në çastin e sëmundjes, Sulejmani gjendej me punë në Utah të Amerikës, ndonja katër orë fluturimi me avion nga New Yorku, duke shoqëruar si përkthyes një grup zyrtarësh nga Kosova.
Mësohet se mjekët bënë çmos t’ia shpëtonin jetën dhe, në saje të tyre, por edhe fatit – shpëtoi. Ndonëse relativisht larg shtëpisë, e shoqja dhe katër fëmijët e tij të mrekullueshëm, arritën t’i gjendeshin pranë në spital.
Familja njoftoi se Sulejmani ishte në një gjendje të rëndë, në shkallë komatoze. Këshillohej të transferohej nga Utah në New York për trajtim më të sofistikuar. Familja e kishte poashtu këtë dëshirë. Do t’i qëndronte pranë derisa ai ta merrte vetën, t’i kthehej jetës dhe punës. Falë shkathtësisë së fëmijëve, (e marr me mend fillimisht edhe ndrojtjtjen e tyre) – ata duke përfillur edhe sugjerimin e miqve të Sulejmanit, si dhe duke besur në njohjen e të të jatit nga shumë dashamirës të tij anëmbanë Amerikës dhe në Evropë – hapen një link në Face book, me kërkesë për mbështetje financiare për ta sjellë Sulejmanin nga Utah në New York, meqë sigurimet shëndësore nuk e bënin dot këtë punë.
Duheshin rreth 50,000 dollarë për ta sjellë Sulejmanin nga Utah në New York, me helikopter special, konform gjendjes së tij shëndetësore.

***
Dh, erdhëm te pjesa e tretë e lajmit për Sulën. Edhe kjo – pjesë e mirë e lajmit.
Për nëntë orë, qëkur në rrjetin e internetit familja bëri kërkesën për ndihmë dhe deri në çastin kur po i shkruaj këto radhë, miq e dashamirë të Sulës, shqiptarë e amerikanë, derdhën në llogarinë tij 58. 675 dollarë.
Familjes i takon për të falënderuar të gjithë donatorët, ata që po e mbështesin Sulën në këto çaste. Dhe, ajo po e bën këtë nga çasti në çast, në internet. Me telefonata … Po i falënderon të gjithë njerëzit zemërbardhë për mbështetjen financiare e morale.
Nuk është vendi as koha për ta elaboruar më gjatë këtë pjesë të lajmit
Megjithatë, nuk mund ta kaloj pa i thënë dy fjalë për solidaritetin e njerëzve tanë, ndonëse ky është një fenomen që kërkon një elaborim dhe trajtim më të hollësishëm..
Në këtë kohë të pakohë, kur për çdo ditë bombardohemi nga lajmet e këqia, që shpërfaqin katandisjen morale të shoqërisë shqiptare, – padyshim pasojë e keqqeverisjes së vendit tonë që nga paslufta e këndej, LAJMI se për 8 orë mund të mblidhen mbi 50. 000 dollarë, ndihmë humantitare për një njeri në nevojë, është një LAJM i mirë. Dhe, këta njerëz janë donatorë nga të gjitha trojet shqiptare. Nga mbiemrat kuptohet se janë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Presheva…. Solidarë, bashkë, si para 1999 – tës. Para çlirimit të Kosovës!
Ky është një lajm jashtëzakonisht i mirë!
Ky është një lajm që rrit shpresën se Kosova duhet dhe do ta marrë vetën, sapo qeveritarët hajdutë që e kanë kapur vendin dhe po e rrjepin për së gjalli, duhet të hapin udhë. Të largohen.
Dhe, duhet të largohen.
Kosova ka qeveritarë milionerë, multimilionerë që s’e dinë Zotin hak dhe s’qajnë krye për fatkqinjtë.
Qeveritarët keqpërdorues, keqqeverisës, të padijshëm e injorantë, duhet të ikin nga skena politike, sepse mileti s’mund të ikë nga vendi. Dhe, s’ka kuptim të ikë.
Donjeta Demolli, një vajzë, sigurisht nga Kosova, ia dërgoi Sulës në akonto 5 dollarë ndihmë. Pesë dollarët e saj janë sa 58, 690 dollarët që i dhanë të tjerët për Sulën.
Ajo e meriton Kosovën, ashtu siç e ka zemrën!
*
Familjen e Sulejmanit, si dhe ne të gjithë miqve e kolegëve të tij, na mban shpresa se ai do ta përballojë edhe këtë sfidë dhe ai do t’i kthehet jetës dhe punës përsëri.
Sulës, që shpresoj se do ta takoj shpejt, kur të pimë kafe në Arthur Avenue, do t’i kërkoj “falje” që s’u durova pa e “politikëzezu” pak këtë shkrim timin.
Mbahu, Sulo! Të uroj shërim të shpejtë.

NEW YORK, 24 mars 2016

JU MUND TE NDIHMONI: https://www.gofundme.com/sulejmangashi

Filed Under: ESSE Tagged With: 2 dekada, Njeriu i Lajmit, Sinan Kamberaj, Sulejman Gashi

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Eposi i Kreshnikëve” dhe një përkujtim për Prof. Arshi Pipën e Prof. Stavro Skendin
  • “Columbia University Albanian Society,” organizon ekspozitën muzeale “Fëmijët e së Nesërmes”
  • VATRA VIZITOI “ZËRIN E AMERIKËS”
  • Mary Camaj: Celebrating Albanian Heritage through Dance and Advocacy
  • KRESHNIKË, LEGJENDA DHE MUZIKË…
  • TRAZIRA GJEOPOLITIKE ME TRYSNI BËRTHAMORE
  • VATRA U TAKUA ME KRYETARIN E PARLAMENTIT TË KOSOVËS
  • Natyra dhe ne
  • TE VATRA SONTE NE ORA 6.30 PM, PROF.DR. ZYMER NEZIRI MBAN LIGJËRATË RRETH EPOSIT TE KRESHNIKEVE
  • “Diplomacia ndërkombëtare dhe çështja e Kosovës 1997-1999”
  • Bektashizmi në Shqipëri dhe roli i tij në përhapjen e shkollave shqipe
  • Kryetari Glauk Konjufca në Samitin për Demokraci: Kosova ka shënuar progres të jashtëzakonshëm
  • Artisti shqiptar, Alfred Mirashi – Miloti, vendos në Piazza Mercato, Napoli, skulpturën monumentale “Çelësi i së sotmes”
  • VATRA FTON TË GJITHË SHQIPTARËT E AMERIKËS NË PROMOVIMIN E LIBRIT: “FËMIJËT SHQIPTARË NË KOSOVË-VIKTIMA TË GJENOCIDIT SHTETËROR TË SERBISË”
  • Për herë të parë në Amerikë, ribotohet “Albumi” i Fan Nolit

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT