• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shpirti i gruas…

May 5, 2025 by s p

Laura Konda*/

Unë kam filluar të shkruaj poezi që në moshën 13-14 vjeçare dhe pavarësisht që profesioni im ka qenë gazetaria, poezia ka qenë dashuria ime e parë në fushën e letrave. Unë kam patur fatin të rritem në një familje letrarësh, babai im Drago Siliqi ka qenë poet dhe kritik letrar, nëna ime Drita Siliqi, ka qenë gazetare, përkthyese, profesoreshë e letërsisë në Universitetin e Tiranës. Ciklet e para me poezi i kam botuar kur isha 15-16 vjeçe, në gazetat “Drita” e “Zëri i rinisë” dhe te revista letrare “Nëntori”, në Shqipërinë e viteve të komunizmit. Redaktorët e mi të parë kanë qenë poetë të mirënjohur si Xhevahir Spahiu e Bardhyl Londo. Pasi përfundova studimet, rrethanat u krijuan që unë të filloja punë si gazetare, duke më distancuar nga angazhimi 100 për qind me poezinë, por pa më shkëputur prej saj. Kam vazhduar të shkruaj dhe përkthej poezi dhe prozë dhe këta dy vjetët e fundit jam marrë me përkthimin e një vëllimi poetik përmbledhës të poetes Natasha Lako nga një shtëpi botuese në Angli.

Por desha të theksoj një fakt që mendoj se është i rëndësishëm: ka një ndryshim thelbësor nga poezitë e botuara në vitet ‘70 dhe ’80 të shekullit të kaluar dhe atyre që kemi fatin të botohen sot. Ndërsa poezitë e mija të botuara në revistën “Nëntori” shiheshin me lente në kuptimin e vërtetë të fjalës, për të qenë korrekt politikisht, për të mos lënë asnjë lloj keqkuptimi në thonjëza, për ndonjë ironi të mundshme, apo ndonjë krahasim të papëlqyeshëm, apo një thikë me dy presa, siç thuhej në atë kohë, poezitë e botuara sot kanë fatin të botohen pa retushime, apo cungime. Të rinjtë ndoshta nuk e kuptojnë sot nocionin e autocenzurës, apo siç thuhej atëhere “krasitjeve” që u bëheshin veprave të tyre nga redaktorët. Një numër jo i vogël shkrimtarësh u viktimizuan, u vranë, u burgosën, u internuan, apo ju hoq e drejta e botimit, për shkak të krijimeve të tyre. Pati shkrimtarë të periudhës së komunizmit që mundën të mbijetojnë, por në kushtet e një autocenzure që shpesh rëndonte në cilësinë e veprave të tyre.

Dua të kujtoj një thënie të Volterit, “Poezia është muzika e shpirtit dhe mbi të gjitha, e shpirtrave të mëdhenj dhe të ndjeshëm”… Dhe shpirti i gruas është i gjerë dhe i ndjeshëm.

Antalogjia “Pena e gruas” është një arritje në dy aspekte. Së pari, ajo bashkon gra krijuese, që kanë sjellë në këtë botim emocionet e tyre të fuqishme me ndjeshmërinë e tyre të dyfishtë si gra dhe si poete. Së dyti kjo antologji ka sjellë bashkë gra krijuese të diasporës, duke e pasuruar letërsinë shqipe me përjetimet e origjinale të jetës së emigrantit. Ky është një botim shumë i veçantë, që kam besimin se do të pritet me shumë interes nga lexuesit shqipfolës. Përgëzime dhe falenderime të sinqerta.

*Fjala e mbajtur në promovimin e “Pena e Gruas”, Stamford, Connecticut, 19 prill 2025.

Filed Under: Opinion

Vatra promovoi veprën “Neoshqiptarizmi” të politologut Arian Galdini

May 4, 2025 by s p

Sokol Paja/

New York, 3 Maj 2025 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra në bashkëpunim me Qendrën Kulturore “Nënë Tereza” të Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës” promovoi librin “Neoshqiptarizmi” të politologut Arian Galdini. Me pjesëmarrjen a aktivistëve të komunitetit shqiptar në New York e më gjërë, libri “Neoshqiptarizmi” u prit mjaft mirë si një kontribut shkencor e atdhetar që fton për një nxitje e vetëdijësim kombëtar.

Në emër të Vatrës përshëndeti sekretari Dr. Pashko Camaj i cili vlerësoi librin e Galdinit si një botim që ngre vlerat kombëtare shqiptare e kontributorët e shquar të kombit shqiptar.

Prof. Dr. Besim Muhadri në kumtesën e tij theksoi se libri “Neoshqiptarizmi” i Arian Galdinit është një reflektim i thelluar filozofik, historik dhe politik mbi gjendjen e sotme të identitetit shqiptar dhe nevojën për një doktrinë të re që synon të ringjallë shpirtin kombëtar. Galdini i qaset problemit të identitetit shqiptar me një ton alarmues, duke theksuar se mungesa e vetëdijes historike, emigracioni masiv, konsumizmi global dhe fragmentimi social rrezikojnë ekzistencën e shqiptarisë si subjekt historik. Ai argumenton se vetëm një rilindje e re, një “Zgjim i Madh Kombëtar”, mund të shpëtojë shqiptarët nga humbja e tyre në përballje me sfidat moderne, tha ndër të tjera Prof. Muhadri.

Doktorantja Kristina Nano në fjalën e saj u shpreh se “Neoshqiptarizmi” nuk është thjesht një reflektim mbi shqiptarinë, por një manifest filozofik, ideologjik dhe politik, që shkon përtej një analize historike dhe propozon një rrugë të re për kombin shqiptar. Në të, Galdini ndërton një sistem të ri mendimi kombëtar, i cili jo vetëm që merr në konsideratë pasurinë intelektuale të Rilindjes Kombëtare, por gjithashtu e transformon atë në një doktrinë moderne dhe vizionare. “Neoshqiptarizmi” sipas Kristina Nanos nuk është një rikthim nostalgjik në të kaluarën, por një qasje intelektuale e guximshme, e cila kërkon të pozicionojë Shqipërinë dhe shqiptarët si një faktor historik e kulturor në Europën moderne.

Marjola Bejkollari, aktiviste e komunitetit shqiptar në New York dhe anëtare e Lëvizjes Diaspora për Shqipërinë e Lirë në diskutimin e saj u fokusua te rëndësia e votës së diasporës në proceset demokratike në Shqipëri, rrëfeu kalvarin e “Lëvizjes” në proceset gjyqësore në Gjykatën Kushtetuese deri në fitimin e të drejtës kushtetuese për votën e diasporës, aspekte të procesit të votimit dhe potencialet e kombit shqiptar në diasporë për të kontribuar dhe ndryshuar Shqipërinë.

Autori Arian Galdini zhvilloi në fund të promovimit zhvilloi një bashkëbisedim të përzemërt, informues, analitik e debatues që u prit me kureshtje e interes të lartë te të gjithë pjesëmarrësit. Galdini shtroi për debat e diskutim çështje kulturore, atdhetare dhe identitare kombëtare që ngjallën diskutime e qasje të ndryshme analitike rreth ekzistencës si komb, proceseve integruese, dilemave të ndryshme kombëtare e çështjeve që shqetësojnë mbarë kombin. “Neoshqiptarizmi” sipas Galdinit është një ftesë për kombëtarizëm të vetëdijshëm, për dalëzotësi të ndërgjegjshme, për një Shqiptari që nuk dorëzohet dhe nuk tretet, por ringrihet e ndriçon përmes vetëdijes dhe dashurisë për rrënjët. “Neoshqiptarizmi” është besimi se Shqipëria nuk është thjesht një vend, por një mision.

Për të gjithë të pranishmit, politologu Arian Galdini dhuroi librin e tij e cili u prit me dashamirësi dhe respekt nga mërgata e Amerikës.

Filed Under: Opinion

“Një vendim që bie ndesh me frymën e mirënjohjes kombëtare”

May 1, 2025 by s p

Reagim nga Federata Vatra lidhur me vendimin për ndërprerjen e ndërtimit të Sheshit “George H. W. Bush” në Prishtinë.

Federata Panshqiptare “VATRA”, si një nga organizatat patriotike më të vjetra dhe më me ndikim të diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shpreh kundërshtimin e saj të vendosur ndaj vendimit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Institutit të Trashëgimisë Kulturore për ndërprerjen e punimeve në ndërtimin e Sheshit “George H. W. Bush” në Prishtinë.

Ky vendim bie ndesh me frymën e mirënjohjes kombëtare ndaj një prej figurave më të rëndësishme të mbështetjes ndërkombëtare për popullin e Kosovës – Presidentit George H. W. Bush, i cili në vitin 1992, përmes një deklarate historike, të njohur si “Letra e Krishtlindjeve”, paralajmëroi qartazi udhëheqjen e atëhershme serbe se çdo përpjekje për ndërhyrje ushtarake në Kosovë do të përballej me reagimin e drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky akt i guximshëm diplomatik u bë një pikë kthese për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe ruajtjen e stabilitetit në rajon.

Në këtë rrugëtim të vështirë drejt lirisë dhe shtetformimit, nuk mund të harrohet roli jetik i mikut të madh të shqiptarëve, Senatorit Bob Dole, dhe veprimtarit të shquar shqiptaro-amerikan Jimm Xhema, të cilët kontribuan në mbështetjen konkrete të Kosovës në skenën ndërkombëtare.

Po ashtu, dëshiroj të theksoj se kam pasur nderin të jem bashkëpunëtor i ngushtë i Senatorit Bob Dole, si dhe përfaqësues i Presidentit Ibrahim Rugova pranë Zyrës së Senatorit Dole, me autorizim të drejtpërdrejtë nga vetë Presidenti Rugova. Në atë cilësi, me përkushtim të plotë kam lobuar për ndërgjegjësimin e institucioneve dhe opinionit publik amerikan për realitetin e rëndë që përjetonte populli i Kosovës, dhe për domosdoshmërinë e përkrahjes ndërkombëtare për të drejtën e tij për liri, paqe dhe vetëvendosje. Prandaj këtyre personaliteteve eminente, si komb dhe si Kosovë ju kemi borgj për jetë e mot.

Emërtimi i një sheshi në Prishtinë me emrin e Presidentit George H. W. Bush nuk është thjesht një gjest simbolik – është një detyrim moral dhe historik i yni, si komb. Është shprehje e mirënjohjes ndaj një miku të madh të shqiptarëve, një udhëheqës shtetëror i cili, në një moment kritik për Kosovën, dërgoi një mesazh të fuqishëm që pati ndikim të drejtpërdrejtë në mbrojtjen e popullit tone, dhe jo rastësisht vetëm disa vite më pas, George W. Bush, i biri i këtij burrshtetasi të madh, deklaroj një vit para shpalljes së pavarësisë së Kosovës nga toka e shqipeve se Kosova do të jetë shtet i pavarur dhe sovran.

Prandaj, në emër të Federatës Panshqiptare “VATRA”:

• Kërkoj rishikimin e këtij vendimi të gabuar, i cili nuk pasqyron as vullnetin qytetar dhe as ndjenjën e mirënjohjes kolektive të popullit të Kosovës;

• Shpreh përkrahjen e palëkundur për Kryetarin e Komunës së Prishtinës, z. Përparim Rama, në përpjekjet e tij për të realizuar këtë projekt me rëndësi kombëtare dhe për kryeqytetin e Kosovës.

• Ftoj institucionet shtetërore të tregojnë ndjeshmëri dhe respekt ndaj figurave historike që ndihmuan në çlirimin dhe ndërtimin e shtetit të Kosovës, duke i dhënë fund vendimeve burokratike që prekin sheshe dhe zona urbane me emra tepër të rëndësishëm që ndikuan në lirinë e popullit tonë.

• Historia nuk duhet të harrohet – ajo duhet të nderohet. Ndaj, apeloj në ndërgjegjen kombëtare dhe institucionale që Sheshi “George H. W. Bush” të përfundohet me dinjitet dhe të përfaqësojë përjetësisht lidhjen e veçantë mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Me nderime,

Dr. Elmi Berisha

Kryetar i Federatës Panshqiptare “VATRA”

Filed Under: Opinion

Vatra si urë lidhëse mes Shqipërisë, Kosovës dhe ShBA-së

April 30, 2025 by s p

Kastriot Fetahu/

Nuk e di pse sa herë dëgjoj apo shkruaj fjalën “Vatra” më sillet në mendimin tim një principatë, si principatat e Arbërisë, një principatë shpirtërore që qëndron si urë lidhëse e këtij vendi të bekuar që jetojmë dhe trojeve shqiptare në disa shtete, si principatë e Kastriotëve, sepse ajo bashkon të gjithë zërin shqiptar me qytetërimin perëndimor edhe pse një oqean larg.

Emblema e saj është shqiptaria. Në historinë e shqiptarëve, “Vatra” — Federata Panshqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, themeluar më 1912 në Boston— përfaqëson më shumë sesa një organizatë atdhetare: ajo është një vetëdije kolektive në mërgatë, një urë shpirtërore, politike dhe kulturore midis shqiptarëve të trojeve amtare dhe ShBA-së.

Vatra rezultoi si institucion i memorizimit kombëtar dhe veprimit historik, duke luajtur një rol filozofik në trinomin Shqipëri, Kosovë dhe Amerikë përmes idealit të lirisë dhe të bashkimit.

Në kohën kur kombi shqiptar përjetonte krizën e shpërbërjes osmane dhe rrezikun e copëtimit nga fuqitë ballkanike, Vatra u shfaq si një varkë shpëtimi. A nuk e shpëtoi botën tonë varka e Noes? Nga këndvështrimi filozofik, ajo nuk ishte vetëm një strukturë e organizuar, por një akt i ndërgjegjësimit të njeriut shqiptar për të kapërcyer ndarjen mes atdheut dhe mërgimit. Ajo mishëroi një koncept të zgjeruar të atdheut: atdheu është çdo hapësirë ku ndjenja e lirisë dhe identitetit jeton. Në këtë kuptim, Vatra funksionoi si një urë midis atdheut fizik dhe atdheut shpirtëror.

Kur themi Atdhe nënkuptojmë Shqipëri e Kosovë me të njëjtën mbështetje. Këtë e treguan dekadat e vonshme të shekullit XX, kur shqiptarët e Kosovës përballeshin me represionin serb dhe kërkonin mbështetje ndërkombëtare, Vatra mbeti një zë i fuqishëm në Washington për të drejtat e tyre. Përmes lobimit, publikimeve, organizimeve dhe protestave, ajo ndërtoi një urë që lidhi çështjen kosovare me ndërgjegjen amerikane.

A thua se gjenerali Wesley Clark ishte rastësisht një mik i madh i kombit tonë? Në këtë mënyrë, Kosova, edhe pse e ndarë gjeografikisht dhe historikisht nga Shqipëria, gjeti përmes Vatrës një zë të fuqishën për të artikuluar kërkesat për liri dhe pavarësi.

Në një deklaratë të vitit 1998, Federata shkruante:

“Një padrejtësi historike nuk shërohet me heshtje; ajo kërkon zëra, kërkon guxim, kërkon veprim.” Vatra mbetet simbol i ndërgjegjes kombëtare dhe universale, duke dëshmuar se kombësia shqiptare nuk është thjesht një fakt gjeografik, por një akt i vazhdueshëm frymëmarrjeje historike, kulturore dhe filozofike.

Kur studentja Hannah Arendt trokiti në derën e zyrës së profesorit të filozofisë, Martin Heideger, të dy filozofë të nivelit botëror, midis të tjerash ajo i thotë:”Profesor, më mëso si të mendoj”. Dhe duket sikur edhe Vatra ka bërë “Martin Heideger” për çeshtje të rëndësishme kombëtare me popullin shqiptar në trojet e tij. Një nga hallkat më të fuqishme të rolit lidhës të Vatrës u bë dhe gazeta “Dielli”. Botimi i përmuajshëm i saj shërbeu si dëshmi ekzistence e prosperiteti për vizionin largpamës të vatrës.

Një ndër sukseset më të mëdha ishte arritja që Presidenti Woodrow Wilson, në Konferencën e Paqes në Paris (1919), të mos e pranonte copëtimin e Shqipërisë. Presidenti Willson, një mik i madh i shqiptarëve edhe për arsyen e thjeshtë se Fan Noli, student Harvardi kishte miq disa njerëz në rrethin miqësor të presidentit Willson. Lobimi, ky mekanizëm i kohëve moderne ishte pjesë e qëllimeve të Vatrës në çështje kaq madhore.

Vatra me radion “Zëri i Amerikës” përcoi shpresë në vitet më të errëta të diktaturës në Shqipëri. Kur ne e kishim harruar botën e qytetëruar, ishte ajo që nuk na harroi ne. Në vitin 1963 Presidenti Xhon Kenedi në sheshin para bashkisë së Berlinit perëndimor deklaroi – “Unë jam një berlinez”, ndërsa jehona e atij sheshi mbërriti edhe tek ne. Ishte e njëjtë sikur të thoshte se jam edhe një shqiptar, pasi berlinezi përfaqësonte edhe pjesën e munguar, lindjen komuniste, në atë meting madhështor. Ne luftuam armikun e gabuar dhe nderuam mikun e gabuar, në ato kohëra dhe përsëri qytetërimi nuk na harroi…

Fan Noli, një nga themeluesit e Vatrës, shkruante:

“S’ka fe më të madhe, s’ka ideal më të lartë, se sa të shpëtosh kombin nga humbja.” Në këtë frymë, Vatra u bë mburojë për kombin shqiptar në arenën ndërkombëtare. Faik Konica, një shtyllë kryesore e Vatrës, në krijimin e saj pohonte:

“Pa kulturë nuk ka komb, dhe pa komb nuk ka liri.”

Në një apel të Vatrës të vitit 1919, drejtuar Konferencës së Paqes në Paris, theksohet:

“Shqiptarët e Kosovës nuk janë ndarë kurrë shpirtërisht nga trungu amtar; çdo përpjekje për t’i ndarë është një fyerje ndaj natyrës dhe historisë.”

Fan Noli, në një shkrim të tij, parashikonte:

“Kosova është plagë e gjallë që do të kërkojë një epokë të drejtësisë për t’u shëruar.” Ky parashikim gjeti përmbushje pjesërisht me ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999 dhe me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës në 2008, procese ku ndikimi i mërgatës dhe i Vatrës ishte i fuqishëm. Në rrjedhën historike, Vatra i ndërtoi urat me ShBA-të jo vetëm për interesa kombëtare, por mbi baza të përbashkëta vlerash: demokraci, liri dhe të drejta të njeriut.

Në një dokument programatik të vitit 1920, thuhet: “Ne, bijtë e një kombi të vogël, gjejmë mbështetje te një komb i madh, sepse idealet tona janë të njëjta: liria, drejtësia dhe përparimi.” Themeluesit e saj, figura të njohura si Fan S. Noli, Faik Konica, Kristo Dako dhe të tjerë, ishin mendjeformues dhe udhëheqës shpirtërorë, e të njëjtën gjë shohim dhe sot nga pasardhësit e tyre Elmi Berisha, gazeta Dielli me editorialistin Sokol Paja dhe figura të tjera të saj.

Në mendimin vatran, ekzistojnë dy nocione të atdheut: “atdheu i vendit” dhe “atdheu i shpirtit”Në këtë të fundit, shqiptarët në Amerikë përjetonin lidhjen me vendlindjen si një thirrje të brendshme, një mision historik për ruajtjen e identitetit dhe për afirmimin e kombit në arenën ndërkombëtare. Në marrëdhënien midis shqiptarëve dhe ShBA-së, Vatra veproi si një ndërmjetës moral. Ajo ndërtoi një identitet hibrid: shqiptar për nga rrënjët, amerikan për nga parimet.

Ky dualitet ndihmoi në afirmimin e çështjes shqiptare si çështje universale e të drejtave njerëzore dhe të vetëvendosjes.

Në një botë të globalizuar, ku identitetet shpesh treten ose komercializohen, Vatra është një shembull se si ruhet dhe transmetohet trashëgimia kulturore, duke u përshtatur me kohën pa ju arratisur thelbit. Sa reale më vijnë fjalët e gjeneralit të famshëm të luftës së dytë botërore, George Patton, i lindur jo më larg se 15 milje prej këtu, në Bedford, kur tha :”Një ushtar i vërtetë duhet të vdesë vetëm me një mënyrë, nga plumbi i fundit i betejës së fundit në luftën e fundit. Dhe beteja jonë e fundit nuk ka mbaruar na thotë Noli, Kosova është shqiptare.

Ndaj Vatra është një metaforë e ndërlidhjes shpirtërore të një kombi në mërgim me tokën amë dhe trojet shqiptare jashtë saj. Ajo është një urë që bashkon jo vetëm Shqipërinë dhe Kosovën, por edhe idealet shqiptare me parimet universale të botës perëndimore.

Si një vepër historike dhe filozofike e gjallë, Vatra na mëson se bashkimi i vërtetë nuk është vetëm fizik, ai është bashkim i idealeve, i kujtimeve, i shpresave dhe i ëndrrave të një populli që refuzon të harrohet.

Ndonjëherë më duket se Vatra është një vepër monumentale, është bredhi i Krishtlindjes kombëtare dhe dega e Bostonit, si dritat e atij bredhi.

Filed Under: Opinion

NOLI DHE KONICA: PIONIERËT QË NDËRTUAN URËN MEDIATIKE PËR KOMBIN

April 28, 2025 by s p

Ilir Ikonomi*/

Në fillimet e shekullit të 20, Fan Noli dhe Faik Konica e përdorën me sukses shtypin në gjuhën shqipe për të ndihmuar në përparimin e tyre politik dhe kulturor.

Gurin e parë themeltar të një gazete për shqiptarët e Amerikës e hodhi Sotir Peci, i cili nisi të botojë gazetën Kombi më 20 qershor 1906. Noli arriti në Amerikë nga Egjipti më 31 maj të atij viti dhe shumë shpejt shkoi të punojë për Kombin. Por gazeta hasi në vështirësi të mëdha, sepse shqiptarët nuk e kuptonin rëndësinë e një gazete dhe ngurronin të abonoheshin.

Kombi rezistoi deri në fund të vitit 1908, kur Peci u largua për në Shqipëri. Pasi u shlyen borxhet e gazetës, Noli vendosi që me makineritë e Kombit të themelojë një gazetë të re më 15 shkurt 1909, e cila u quajt Dielli. Për Nolin, ky ishte rasti i parë që të kishte krejtësisht në dorën e tij një mjet kaq të fuqishëm propagande.

Një vit më parë, Noli kishte themeluar kishën shqipe dhe vazhdonte punën e vështirë për përkthimin e teksteve liturgjike. Ai nuk kishte mundësi të kujdesej edhe për Diellin, prandaj thirri për ndihmë Faik Konicën, i cili nxirrte në Londër revistën Albania. Konica ishte i njohur në qarqet e shqiptarëve emigrantë në botë. Ai erdhi në Boston në tetor 1909 dhe menjëherë mori drejtimin e Diellit, i cili kishte mbetur thuajse pa fonde.

Prania e dy njerëzve mjaft të ditur dhe aktivë në krye të komunitetit shqiptar ishte një rastësi fatlume. Noli dhe Konica e bënë Diellin një gazetë, ndikimi i së cilës shtrihej deri në Shqipëri. Brenda shoqërisë Besa-Besën që financonte Diellin, fillimisht pati dyshime se Konica po përpiqej t’i jepte gazetës një kahje pro-austriake. Në fakt, sipas të dhënëva arkivore, ai ende paguhej nga austriakët dhe besonte se ata ishin shpëtimi i vetëm për Shqipërinë. Mosmarrëveshjet me komisionin që kontrollonte gazetën u shuan shpejt, por Dielli vazhdoi të përballej me vështirësi financiare.

Për një periudhë të shkurtër, nga 20 marsi deri në 15 maj 1911, Konica u largua nga Bostoni dhe nxori në Sent Luis të Mizurit një gazetë të quajtur Trumbeta e Krujës, koleksioni i së cilës ekziston online në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë. Ai kishte shkuar në Sent Luis i ftuar nga komuniteti shqiptar i atjeshëm. Shkroi disa artikuj mjaft të mirë, por iu desh të kthehej në Boston për të mbledhur ndihma që do t’i shkonin kryengritjes së Malësisë. Gjatë mungesë së Konicës, gazeta Dielli në Boston drejtohej nga Noli.

Dielli i kësaj kohe është një burim i pasur informacioni historik për veprimtarinë e shqiptarëve të Amerikës. E them këtë, sepse të dhënat për këtë periudhë nga burime të tjera janë fare të pakta.

Në fund të vitit 1912, kur fati i Shqipërisë rrezikohej seriozisht dhe idetë për pavarësinë kishin nisur të konkretizohen, Noli u nis për në Evropë dhe menjëherë pas tij Konica. Të dy përfunduan në Londër, pastaj në Trieste. Gjatë kësaj kohe, ata e furnizonin Diellin me shkrime që shqiptarët e Amerikës të informoheshin për gjendjen në trojet shqiptare, por mungesa e tyre fizike ndikoi që cilësia e gazetës të binte. Noli u kthye në Boston në maj të vitit 1915 dhe mori frenat e gazetës. Konica ndenji në Evropë shumë më gjatë. Ai u kthye në shtator 1921, duke u bërë drejtor i Diellit dhe kryetar i Vatrës, ndërkohë që Noli i kishte hyrë luftës politike në Shqipëri. Gjatë periudhës 1921-1924, Konica u bë një polemist i fuqishëm dhe një kritik i pamëshirshëm i grupit të politikanëve konservatorë në Shqipëri. Kjo i zemëroi politikanët shqiptarë dhe çoi në ndalimin e përkohshëm të Diellit në Shqipëri, gjë që flet për rolin e madh të kësaj gazete. Ndërkohë, Noli, mbronte me zjarr në parlamentin shqiptar veprimet e Konicës në gazetën Dielli.

Edhe pse me ulje-ngritjet e veta, shtypi i shqiptarëve të Amerikës, sidomos Dielli nën Nolin dhe Konicën luajti një rol të jashtëzakonshëm për çlirimin dhe iluminimin shpirtëror të shqiptarëve në të dyja anët e Atlantikut.

Gazeta Dielli e periudhës 1909-1924 gjendet në masën rreth 80 përqind në Bibliotekën e Kongresit në Uashington. Një nga punët e mia të tanishme është që gazeta të dixhitalizohet në mënyrë që të mund të lexohet në internet.

*Kumtesa e dërguar me rastin e simpoziumit të 113 vjetorit të themelimit të Federatës Vatra, mbajtur në Boston më 26 Prill 2025.
Foto: hejza.com

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 39
  • 40
  • 41
  • 42
  • 43
  • …
  • 864
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!
  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT