• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Vepra e Kryetarit Karagjozi dhe idealet Vatrane do të rrojnë në Përjetësi

April 5, 2018 by dgreca

NGA AGIM REXHAJ/

1 agim rexha

Sot është një ditë e trishtuar pasi po ndahemi nga Kryetari ynë i dashur!Që prej ditës së parë kur e kam njohur, Presidentin tonë të nderuar të VATRËS, tani të ndjerin Z. Agim Karagjozi, e deri më sot, kam patur nderin dhe mundësinë të flas dhe tu adresohem njerëzve në shumë tubime në emër të Federatës tonë. Por kjo është fjala ime më e vështirë:Të flas pikërisht në funeralin e tij.

E njoha Z. Karagjozi në ditët e vështira kur Shqipëria ishte nën sundimin e dikataturës më të egër komuniste, ndërsa Kosova dhe viset tjera në ish Jugosllavi përjetonin genocid  nën thundrën e Hitlerit të Ballkanit, Miloshevicit.

E njoha këtë burrë të rrallë shqipëtar në tërë kuptimin e fjalës, në kohërat kur atdheu kishte nevojë më shumë se kurrë dhe kur historia ishte bash në kapërcyell të vetin për të kaluar në një fazë tjetër të jetës së shqiptarëve:

Kalimin në demokracinë e modelit perëndimor në njërën anë të kufirit shqiptaro – shqiptar, dhe heqjen e zgjedhjes sllave dhe çlirlimin një herë e përgjithmonë në anën tjetër.

Pata nderin dhe fatin e rrallë, që  të isha njëri nga nxënesit e dëgjueshëm dhe të vëmendshëm të burrit të urtë , Kryetarit tonë të Përhershëm, z Agim Karagjozit.

Punova me të pa u lodhur dhe pa iu ndarë për të arritur ato objektiva kombëtare që VATRA i ka patur përherë, dhe që nën drejtimin e z Karagjozi dhe si për dashamirësi të historisë ndaj tij, u realizuan pikërisht gjatë kohës kur ai ishte në drejtim të VATRËS:

U arrit  demokratizimi i Shqipërisë, Çlirimi dhe formimi i Shtetit Demokratik të Kosovës, zbutja e represionit ndaj vëllezërve tanë në rrethinta kufitare të dy shteteve.Kam ndarë me të tërë shqetësimin që ky patriot i madh kishte për vëllezërit shqipëtarë, në cdo cep të botës, në Shqiperi, Kosovë,Maqedoni,Mal te Zi,Presheve, Camëri dhe Diasporë.

Lavdi Veprës së Tij!

Vetë ekzistenca e shtetit shqiptar dhe për më tepër ekzistenca e Bashkësisë Shqiptaro Amerikane këtu në Amerikë, nuk mund të kuptohet pa ekzsistencën e VATRËS. Në harkun kohor prej 106 vjetësh, vetë VATRA nuk mund të kuptohet pa aktivitetin dhjetëra vjecar(60) të Agim Karagjozit dhe drejtimin e Saj prej Tij që nga Viti 1992 deri në vitin 2010.

Gjatë kësaj periudhe VATRA, ashtu si një herë e një kohë nën drejtimin e Konicës dhe të Nolit ndihmoi në formimin dhe mëkëmbjen e shtetit shqiptar, po ashtu nën drejtimin e Agim Karagjozit ndihmoi në ndryshimin e formës së qeverisjes dhe vendosjen e shqiptarëve në sisteme demokratike.

Roli i  Z Karagjozi në këtë udhëtim të dekadave të fundit ishte një rol i rëndësishëm dhe i shquar. Edhe pasi ai vetë, si një demokrati i vërtetë, për shkak të moshës dhe vështirësve të shëndetit, e la drejtimin e VATRËS, ne Vatranët e nderuam si President Nderi. Dhe ai në këtë cilësi ndërroi jetë.

Të ishe pranë z Karagjozi dhe të drejtoje VATRËN me të, gjë që unë kam patur fatin ta bëj, ishte një kënaqësi e vecantë. Ai ishte njeriu që më shumë dëgjonte sesa fliste; Ai ishte simboli i maturisë në vendimarrje dhe urtësisë në debat.Ai ishte njeriu që përkujdesej për çdo gjë, dhe shqetësohej për fatin e kombit tonë.Ai qantë si një fëmijë kur njoftohej për ato që ndodhnin përtej detit me shqiptarët, por që merrte edhe vendimet më të forta duke frymëzuar njerëzit për aksion.

Ai ishte një shqiptar që e njihte më mirë se kushdo tjetër, historinë e VATRËS dhe korifejve të Saj.

Duke qenë në drejtim të saj, ai ishte po ashtu edhe njeriu më modest dhe më i thjeshtë. Ai dëgjonte çdokend që kishte një mendim të mirë për kombin.

Ai e deshi VATRËN aq shumë sa para tre muajsh në fillimin e Janarit të këtij viti, në një ditë të acartë u shfaq papritur në VATËR për të ndjekë një ndër aktivitetet e Saj, në promovimin e librit te Ambasadorit Mal Berisha, As sëmundja as mosha nuk mundën ta ndalonin.

Agim Karagjozi e njohu mirë shpirtin e shqiptarëve. Ai diti të shquajë më së miri, ata që ja kishin me të drejtë kombit shqiptar dhe ata që nuk ja kishin. Ai u dekorua nga Presidenti i Shqipërisë Zoti Bujar Nishani dhe mban tituj të Lartë Nderi i Kombit të lëshuar nga Ai Institucion.

Agim Karagjozi ishte mik i Presidentëve Berisha dhe Rugova, i heroit të Demokracise Azem Hajdari dhe bëri gjithcka për dy shtetet tona shqiptare. Ai ishte mik i cdo shqiptari demokrat, përparimtar, i atyre që mbi gjithcka kanë idealin tonë Kombëtar.

Sot ne po ndahemi nga Presidenti Ynë. Është një moment i vështirë, shumë i vështirë, por edhe një çast solemn, krenarie dhe nderimi, që patëm fatin të kontribuonim për çështjen tonë kombëtare krah për krah Tij.

Sot është një moment lamtumire i natyrshëm por edhe një moment nderimi për trashëgiminë e pashoqe që ai na ka lënë.

Është një moment që ne të gjithë vatranët dhe të gjithë shqiptarët patriotë të betohemi mbi trupin e tij se Vepra e Tij dhe idealet e Vatranëve do të rrojnë.

Është një moment që duhet të ndajmë krenarinë që në mesin e shqiptarëve të Amerikës jetoi dhe punoi për çështjen tonë një burrë i madh, një patriot i vërtetë, vepra e të cilit do të jetojë ashtu si e paraardhesve të VATRËS.

Të qoftë i lehtë dheu’ i Tokës së Lirë, i dashur Presidenti im i perjetshëm I Nderit!

Zoti ta bëkoftë shpirtin!

Lavdi Veprës së Vatranëve dhe Tuajës!

Rroftë Kombi Shqiptar!

U prehsh në Paqë i dashur Kryetar!

*Fjala ngushëlluse e Nënkryetarit të Vatrës në ceremoninë e përcjellëse të Presidentit të nderit të Vatrës, Agim Karagjozi

Nënkryetar I VATRËS

Neë York, 4 Prill 2018.

Filed Under: Opinion Tagged With: agim Rexhaj, idealet vatrane, Perjetesi, Vepra e Kryetarit Karagjozi

DHUNIMI I KUJTESЁS HISTORIKE

April 5, 2018 by dgreca

“Nuk e bёn tё keqen gёnjeshtra qё kalon nёpёr tru, por ajo qё hyn e rrёnjoset nё tё”- FRANCIS BACON (1561 – 1616), filozof e Burrё Shteti anglez/

1-eugjen-merlika-225x300

Nga Eugjen MERLIKA/

Si njё ish banor i kampit tё dёbimit tё Tepelenёs dhe i kampit burg tё Spaçit, u shtanga kur lexova intervistёn e prof. Pёllumb Xhufit nё “Panorama”. Qё nё fillim ai bёn njё pohim tepёr tё guximshёm, kur shprehet : “Unё kam vёnё re qё ka pasur njё tentativё mistifikimi tё historisё sё kampit tё Tepelenёs”. Nёse do t’i vinim termit “mistifikim” fjalёn pёrkatёse shqip “mashtrim”, do tё arrinim nё pёrfundimin se tё gjithё ata qё kanё folur e dёshmuar nё kёta 27 vite pas komunizmi pёr pёrvojёn e tyre tё jetёs nё kampin e Tepelenёs nё vitet 1949 – 1953, duhet tё kenё patur njё strategji tё parafabrikuar, pёr tё nxirё sa mё shumё njё faqe “tё lavdishme” tё periudhёs komuniste, siç ishte ajo e pesё viteve tё ekzistencёs s’atij kampi.

Sinqerisht, mё duket jashtё çdo lloj arsyeje njё pohim i tillё. Jo vetёm qё nuk ka asgjё tё shtuar nё rrёfimet e ish banorёve fatkeqё tё kampit tё Tepelenёs, por ajo qё ёshtё treguar e shkruar mbetet maja e ajsbergut e atij tmerri qё ka qёnё ajo pёrvojё e lemerishme. Aq ёshtё e vёrtetё saqё oficerё, edhe madhorё, tё ministrisё sё Brёndёshme, nё kohёt e fundit para prishjes sё kampit, i thonin tё internuarve se “ёshtё faji i juaj qё nuk jeni ankuar, mbasi ne nuk i kemi ditur kёto gjёra”. Sigurisht, kishte njё prirje tё theksuar, n’ata raste, pёr tё larё duart si Ponc Pilati nga katrahura njerёzore e atij kampi, bёmat e brёndёshme tё tё cilit ata i njihnin shumё mirё, sepse i urdhёronin vetё.

Por nёse mund tё kuptohet prirja pёr tё mos marrё mbi shpinё krimet e Tepelenёs mё 1953, mё duket krejtёsisht e papranueshme qё, mbas 65 vitesh, njё profesor historie tё padisё pёr mashtrues tё gjithё dёshmitarёt qё kanё folur pёr jetёn nё kampin e Tepelenёs. Akoma mё cinike e djallёzore ёshtё pёrpjekja pёr tё mbёshtetur tezёn e tij mashtruese nё njё apo disa dokumenta tё CIA-s, qё shёrbehen sikur t’ishin fletё tё Ungjillit. Pёr mё tepёr, kjo strategji nuk ka qёllim tjetёr, veçse tё mashtrojё nga katedra e historisё zyrtare ata shqiptarё, qё janё shumica, e qё nuk e njohin atё pёrvojё. Shpjegimi i tij, mbi arsyet e krijimit tё kampit tё Tepelenёs,  ёshtё lehtёsisht i  kundёrshtueshёm edhe me logjikёn e njё fёmije.

“Qёllimi i krijimit tё tij ishte pёr tё zhvendosur familjet e t’arratisurvet politikё dhe qё futeshin nga Jugosllavia vazhdimisht tё armatosur, nё mёnyrё qё tё mos shёrbenin si bazё pёr kёto banda, tё cilat do tё pёrdornin kёto familje si baza, si strehё pёr tё vazhduar mё tej misionin e tyre”.

Sa ёshtё i pavёrtetё ky pohim, mjafton tё kujtojmё se nё Shqipёrinё komuniste ekzistonin 23 burgje dhe 48 kampe internimi, tё cilёt kanё filluar nga funksionimi qё nё ditёt e para tё vendosjes sё regjimit. Madje nё dokumentat e arkivit tё ministrisё sё Brёndёshme gjёndet edhe njё shkresё urgjente e vitit 1944, gjatё ditёve tё luftёs sё Tiranёs, me anёn e sё cilёs Enver Hoxha urdhёronte : “Tё organizohen burgjet dhe fushat e pёrqёndrimit. Dhe tё burgosen tё gjithё ata elementё tё akuzuar me faje tё mёdha, me tradhёti tё naltё dhe bashkёpunim tё haptё me okupatorin dhe gjithashtu me kriminelёt e dorёs sё parё. Tё gjithё robёrit tё mblidhen nё kampin e pёrqёndrimit…”

Kampet e pёrqёndrimit dhe burgjet ishin synimi i parё pёr tё cilin duhej tё kujdesej regjimi i “çlirimtarёve”. Megjithatё profesori kёrkon tё bindё me logjikёn e “historisё sё historianёve”, se ai kamp ishte njё gjё e rastёsishme e krijimi i tij ishte i kushtёzuar nga veprimtaria e t’arratisurve. Madje ai nuk mban parasysh se po t’ishte ashtu, familjet nё vend qё tё çoheshin nё Tepelenёn e veçuar do tё liheshin nё vendin e tyre e do tё shёrbenin si karrema pёr tё kapur t’ashtuquajturit diversantё. Nё tё vёrtetё ai kamp u krijua nё kushtet mё tё papёrfytyrueshme tё jetesёs, jo thjesht pёr tё strehuar aty familjet e t’arratisurvet, tё cilat si praktikё liroheshin sapo kёta tё fundit arrestoheshin apo vriteshin, por pёr tё mbyllur aty familjet e tё gjithё atyre, nga veriu e jugu i Shqipёrisё, qё nuk u pajtuan me komunizmin, duke i kthyer nё kavie sprovash pёr tё parё se deri ku mund tё qёndronte organizmi njerёzor.  Pra, shpjegimi i profesorit nuk ka asnjё bazё vёrtetёsie, por shёrben pёr tё pёrligjur tezёn e tij se ai kamp ishte njё domosdoshmёri e rrethanave tё kohёs, e jo njё shprehje e mizorisё sё pashembulltё tё enverizmit shqiptar.

Profesori “human” ёshtё i shqetёsuar se pohimet e sё vёrtetёs sё kampit tё Tepelenёs dhe krahasimi i tij me Aushvicin fyeka kujtesёn e hebrenjvet. Asgjё mё hipokrite nuk mund tё pёrfytyrohet, mbasi asnjё i pёrndjekur nuk mund tё fyhet se dikush tjetёr ka provuar pёrvoja tё ngjajshme me tё tijat. Qёllimi i profesorit ёshtё i qartё : tё mos flitet pёr Tepelenёn qё ka qёnё emblema e terrorit komunist shqiptar, tё minimizohet Tepelena qё, me kohё, tё fillojё rehabilitimi i gjithё sistemit shtypёs, sё paku tё mos quhet mё i keq se gjithё sivёllezёrit e tij tё Lindjes komuniste. Jam plotёsisht i njё mёndje me profesoreshёn e nderuar tё historisё, zonjё  Enriketa Pandelejmoni, kur ajo shprehet : “Sot, nё 27 vjet post-komunizmi, nё Shqipёri vihet re njё revansh ndaj ish tё pёrndjekurvet dhe viktimave tё komunizmit, pёr tё mohuar e lёnё nё harresё krimet dhe dhunёn e ushtruar gjatё 1944 – 1990”.

Zёdhёnёs e madje teoricien i kёtij revanshi bёhet edhe Xhufi, nёpёrmjet intervistёs sё tij. Kaq bajat ёshtё roli qё ka marrё mbi vete, sa qё nuk kursehet tё huazojё shprehjen e famёshme tё romakёve tё lashtё “divida et impera” : “Pёr tё bёrё njё pasqyrё dhe njё rishikim tё historisё sё diktaturёs, tё restauroheshin burgjet e Burrelit dhe tё Spaçit, pёr mua, ata janё dy simbolet e represionit komunist. Nё kёtё kuptim mё duket se ka njё shpёrpjestim, por edhe njё dhunё dhe padrejtёsi qё u bёhet tё gjithё atyre tё burgosurve politikё, shumё prej tё cilёve edhe kanё vdekur nё kata dy burgje”.

            Ёshtё neveritёse kjo pёrpjekje e profesorit komunist pёr tё futur njё pykё nё mes tё viktimave tё sistemit tё tij, duke u shtirur sikur i vjen keq se po i cёnohet “e drejta” e njё pjese nё dobi tё njё pjese tjetёr. Ёshtё njё pёrpjekje cinike dhe trashamane pёr tё vёnё kundёr njёri tjetrit njerёz qё kanё vuajtur njёsoj nga njё diktaturё pёr tё cilёn tё gjithё ata ishin vetёm numura. Nuk ka asnjё dhimshuri nё shpirtin e profesorit pёr njё pjesё tё tyre, ka vetёm njё qёllim tё fshehtё pёr tё shkatёrruar kujtesёn e Tepelenёs e pёr tё “ngritur” ato tё Burrelit e Spaçit. Kjo vjen jo se atij i vjen keq pёr ata qё vdiqёn nё Spaç e Burrel, por duke i dhёnё pёrparёsi kёtyre burgjeve si dёshmi e dhunёs komuniste, tё vijё pastaj nё pёrfundimin se ata ishin e vetmja fytyrё e vёrtetё e asaj dhune, pёr tё shkuar mё tej nё pёrpjekjen e rehabilitimit, duke i quajtur tё njёjtё me tё gjithё burgjet e Vendeve tё tjera.

            Harron, apo shtiret se harron se ka njё ndryshim tё madh ndёrmjet objekteve tё krahasimit tё tij. Tepelena ka qenё kampi simbol me tela me gjemba, nё tё cilin ishin mbyllur mijra gra, pleq e fёmijё tё pafajshёm, mbi tё cilёt nuk rёndonte asnjё vendim gjyqёsor, pёr pasojё dhuna e ushtruar mbi ta nuk kishte as minimumin e ligjёshmёrisё. Si e tillё ajo bёhet objekt pёr t’u asgjёsuar nё kujtesё, mbasi nё atё rast nuk ka asnjё argument qё tё pёrligjё, sado pak, paligjshmёrinё e plotё tё vetё ekzistencёs sё kampit.

            Pёr t’i ardhur nё ndihmё vetes, nё projektin e tij djallёzor, autori i intervistёs huazon, nuk dihet se nga, ndofta nga arkiva e CIA-s, njё gёnjeshtёr tё madhe sa njё mal, i beson edhe vetё asaj e u a servir lexuesve tё Panoramёs apo teleshikuesve tё Ora News, si njё tё vёrtetё qё i vihet pёrballё kujtesёs sё Tepelenёs : “Po ka patur edhe njё kamp nё Maliq, por kushtet aty ishin shumё mё tё kёqia se kampi i Tepelenёs, gjithmonё sipas raportit tё CIA-s”. Do tё mjaftonte vetёm ky pohim qё nuk i pёrgjigjet sё vёrtetёs , mbasi ai kamp nuk ka ekzistuar asnjёherё, pёr tё shumёzuar me zero tё gjithё impiantin mashtrues dhe djallёzor tё intervistёs sё profesorit. Nёse ai zotёri do tё kishte me tё vёrtetё qёllimin e tё shkruarit tё historisё sё vёrtetё, do t’u ish drejtuar arkivave e tё sigurohej nёpёrmjet dokumentave mbi argumentet e tij. Madje ai mёton se ka qenё vetё nё ish kampin e Tepelenёs dhe atje ka gjetur dy kazerma me tulla, ndёrsa e vёrteta ёshtё se aty kanё qenё pesё kazerma, nё secilёn prej tyre banonin 500 vetё, me vetёm 60 cm. gjёrёsi pёr secilin. Nuk e di a i ka shkuar ndёr mёnd profesorit tё pyeste se si bёnin 2000 apo 2500 njerёz pёr tё kryer nevojat e tyre me vetёm dhjetё banjo…..

Por atij dёshmitё e dokumentat e vёrteta qё boton Kastriot Dervishi nuk i interesojnё, sepse i duken “mё tё plotfuqishme” e mё “tё padiskutueshme ata” tё CIA-s. Pa dashur tё ve nё diskutim saktёsinё e veprimtarisё sё CIA-s, mendoj se ata dokumenta, nё lidhje me kampin e Tepelenёs, pёr tё cilёt Xhufi thotё se “vinin nga dorё e parё ”, e cila mund tё ketё qenё ajo e oficerёve tё sigurimit shqiptar, mbasi tё tjerёt e kishin absolutsht tё pamundur komunikimin me shёrbimin amerikan, janё tepёr tё diskutueshme, pёr tё mos thёnё se janё pallavra. Pёrforcohet ky mendim kur, simbas profesorit, aty bёhej fjalё dhe pёr “orare tё zbavitjes, apo shplodhjes”. Ёshtё njё tallje mizore me vuajtjet e ish banorёve tё kampit, si i nёnёshkruari, fakti qё tё tilla gёnjeshtra gjejnё vend nё faqet e mediave tё sistemit demokratik shqiptar edhe mbas mё shumё se njё çerek shekulli tё tjetёrsimit tё regjimit.

Duke u kthyer tek pohimi i Xhufit pёr kampin e pёrfytyruar tё Maliqit, mё duhet tё pёrcaktoj se kampet e Maliqit si Vloçishti, Orman Pojani dhe Maliqi kanё qenё kampe tё punёs sё detyruar pёr tё burgosurit, e kanё funksionuar nё periudhat mars – nёntor 1948, prill – nёntor 1949, maj – nёntor 1950. NЁ mars 1951 u krijua kampi n° 1 nё Podgorie, i cili u largua nё shtator t’atij viti nё Gosё tё Kavajёs, mё pas nё Rinas e nё vitin 1954 u vendos nё Bulqizё me numurin 301.

Nga kjo katedёr mashtrimi tё provuar profesor Xhufi qorton dhe i bёn vёrejtjet e tij Autoritetit pёr informimin, ish tё pёrndjekurve politikё, kryetarit tё bashkisё sё Tepelenёs, madje edhe ndonjё studjuesi tё njohur, qё mbart “mёkatin” e “botimit tё dokumenteve”. Nga po ajo katedёr ai jep vendimet e tij tё paapelueshme se “Ҫdo krahasim i realiteteve tё tjera represive, siç ёshtё edhe kampi i Tepelencёs, me kampet e tjera tё shfarosjes nё masё, ёshtё antihistorike e spekulative”!!!

Prirja e tij pёr tё zvogёluar apo asgjёsuar tё vёrtetёn historike pёr kampin e Tepelenёs, nuk ёshtё vetёm njё fyerje e pёrbindёshme pёr viktimat e pafajshme t’asaj mynxyre, por edhe njё dhunim i papranueshёm i sё vёrtetёs historike tё shqiptarёve. Nё njё farё mase ёshtё vazhdim i ushtrimit tё dhunёs me mjete tё tjera, kёsaj rradhe “akademike”, nga po ata njerёz qё e ideuan dhe vunё nё zbatim gjatё gjysmё shekulli turpin shqiptar tё kampit tё dёbimit tё Tepelenёs.

Prill 2018

Filed Under: Opinion Tagged With: DHUNIMI, Eugjen Merlika, I KUJTESЁS HISTORIKE

NDËRROI JETË “KOSOVARI” NGA GJIROKASTRA

April 4, 2018 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Komuniteti shqiptaro-amerikan humbi edhe një  prej aktivistëve më të dalluar të tij dhe më të dedikuar ndaj çështjes shqiptare në përgjithësi, për më shumë se një gjysëm shekulli. Inxhinier Agim Karagjozi ndërroi jetë fund javën që kaloi në moshën 92-vjeçare dhe u varros të mërkurën më 4 prill në varrezat Pinelawn në Farmingdale të Nju Jorkut.   Në një njoftim të gazetës Dielli, organ i Federatës Pan-Shqiptare Vatra të Amerikës — të cilën ai e drejtoi si Kryetar i saj për dy dekada – thuhet se i ndjeri Agim Karagjozi ndërroi jetë në një spital në Long Island të Nju Jorkut, duke lënë në pikëllim Zonjën Rozi, djemtë Zyhdinë dhe Shpëtimin, vajzën Angel, motrën Bukuroshe, vëllanë Vesim, mbesën Miranda (Telegrafi) nipin Armand (Vincani), si dhe shumë nipa e mbesa, kushërinj e familjarë të shumtë në SHBA dhe në Shqipëri

1 karagjozi1-300x225Kush ishte Agim Karagjozi?  Sipas biografisë zyrtare të botuar në gazetën Dielli, Agim Karagjozi lindi në Gjirokastër, me 1 shtator 1926.  Arsimin fillor e nisi në qytetin e Lindjes, ku kreu katër klasat e para ndërsa klasën e pestë e vijoi në Vlorë.  Në vitet 1938 –1944 vazhdoi shkollimin në liceun e Korçës, në gjimnazin e Gjirokastrës dhe në gjimnazin e Tiranës.  Edhe pse i ri u përfshi në Luftën e Dytë Botërore, ku u bë pjesë e Ballit Kombëtar dhe u aktivizua me Rininë e Ballit, në vitete 1943-1944, kryesisht, në sektorin e propagandës, por mori pjesë në luftë edhe me armë në dorë, duke shkuar deri në Kosovë, verën e vitit 1944 si vullnetar në batalionin “Besnik Çano”, që shkoi në Kosovë për të luftuar kundër forcave të Mihajloviçit në Qafë të Morinës.

Si shumë bashkohas të tij, anëtarë të Ballit Kombëtar dhe nacionalistë të tjerë, në nëntor të vitit 1944, largohet nga Shqipëria me shumë bashkluftarë të vet dhe pas pothuaj katër vitesh qendrimi në kampe refugjatësh në Itali, bashkë me babanë, emigruan në Turqi.   Nga viti shkollor 1948–49 deri në qershor të 1955, Agim Karagjozi ndoqi studimet në kolegjin amerikan Robert College në Stamboll të Turqisë, ku u diplomua në inxhinieri, dega elektrike.

Përfundimisht, ashtu si shumë bashkvendas të tij anti-komunistë, në vitin 1956, vendoset në Amerikë.  Që nga viti 1960, bëhet pjesë e Federatës Panshqiptare “Vatra” dhe nga viti 1992-2010, ishte edhe kryetar i saj, ndërkohë që pat drejtuar edhe degën nr. 29 të kësaj Federate në Nju Jork, thuhet në portretin e përgatitur nga Kryeredaktori i Diellit, Dalip Greca. Në mars të viti 2010, për arsye shëndetësore, ai dha dorëheqjen si kryetar dhe Vatra e zgjodhi president nderi.

Përjetoi më shumë se gjysëm shekulli jetën si vatran aktiv dhe udhëheqës i saj dhe si anëtar i nderuar i komunitetit shqiptaro-amerikan.  Njohu Imzot Nolin, përfaqësoi vatranët e Nju Jork-ut dhe Nju Xhersit në ceremoninë zyrtare të varrimit të Imzot Nolit dhe udhëhoqi fondin për ndërtesën e Vatrës.  Ishte mik i presidentit historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, mik i heroit të Demokracisë Shqiptare Azem Hajdari, i presidentit të parë demokrat të Shqiptarëve Dr. Sali Berisha etj.  Në kohën e luftës së Kosovës, megjithse në moshë të shkuar, me bashkëpunëtorët e tij të ngushtë vatranë – sikur donte të përfundonte misionin e tij të filluar në Kosovë në vitin 19944 ku shkoi për të luftuar forcat sllave — shkojnë deri në Tropojë, ku u takuan me luftëtarët e plagosur të Ushtrisë Clirimtare të Kosovës, dhuruan ndihma në medikamente dhe të holla për Luftën Çlirimtare të Kosovës. Më kujtohet me një rast në Washigton ku kishte ardhë për të marrë pjesë në takimet e shumta me zyrtarë të lartë amerikanë gjatë krizës në Kosovë, përfshir Presidentin Klinton siç mund të shihet në fotografinë më poshtë – i ndjeri Karagjozi më tha se edhe “Unë jam Kosovar, megjithse kam lindë në Gjirokastër”.  Ishte një mbështetës i fuqishëm i proceseve demokratike në Shqipëri e Kosovë, megjithse më në fund edhe ai – si shumë ne të tjerët në këtë vend – dhe si patriot që ishte, shkoi i zhgënjyer për mungesën e përparimit drejtë demokracisë dhe integrimeve të shqiptarëve në organizmat euro-atlantike, madje pothuaj 30-vjet pas shembjes së regjimit komunist në Shqipëri dhe 10-vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Ishte një njeri dhe patriot, që edhe po të kishe ndonjë kundërshtim me ‘të, të bënte ta doje dhe respektoje për parimet dhe atdhedashurinë që ushtronte vet dhe të cilat përpiqej, deri në ditët e fundit të jetës së vet – me shembullin e tij — t’ua kalonte këtë frymëzim edhe brezave të ri në Vatër dhe në mbarë komunitetin shqiptaro-amerikan.

Në këtë frymë ishte edhe pjesëmarrja e tij në takimin me Presidentin Klinton në Shtëpinë e Bardhë për të inkurajuar administratën amerikane të asaj kohe dhe për të sensibilizuar politikën amerikane në pëgjithësi, përfshirë Kongresin amerikan, që të ndërhynte për të penguar shtypjen e përgjakshme nga forcat terroriste të policisë dhe ushtrisë serbe ndaj shqiptarëve në Kosovë.

1 Harry

Nga takimi i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan me Presidentin Bill Klinton dhe këshilltarë të sigurimit kombëtar amerikan në Shtëpinë e Bardhë, për të biseduar mbi krizën në Kosovë, pranverën e vitit 1999.  Agim Karagjozi është i dyti në të djathtë.

Në një shkrim kushtuar Agim Karagjozit me rastin e vdekjes, Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe shprehet se ish-kryetari i Vatrës i ka dhënë intrevista të shumta VOA-s shqip, në të cilat Zoti Karagjozi ka shprehur dëshirën që Shqipëria të njihte përparim në rrugën e re të demokracisë dhe inkurajonte shqiptarët e Amerikës që të ndihmonin me të gjitha mjetet atdheun që po rilindëte.   Ai do të mbahet mend për shpirtin atdhedashës, që shërbeu si frymëzim për anëtarët e Vatrës dhe për komunitetin shqiptaro-amerikan.  Ai dha një ndihmesë të dorës së parë për ruajtjen e vazhdimësisë së Vatrës dhe organizoi punën që gazeta e saj “Dielli” të dilte pa ndërprerje, megjithë vështirësitë financiare.  Të gjithë ata shqiptaro-amerikanë që e njohën atë, qoftë për së afërmi qoftë për së largu, janë dakort me vlerësimin e radios se, “Agim Karagjozi do të mbahet mend si njeriu i përkushtuar, që luftoi deri në fund për të bërë detyrën ndaj atdheut, edhe në rrethanat më të vështira.”

Në këtë frymë edhe unë, si dashamirës i kahmotshëm i Agim Karagjozit si dhe i shumë bashk-kohasve të tij, të cilët megjithse larg dhe të përbuzur për 50-vjet nga komunizmi, qëndruan përkrahës të ndritur të çështjes kombëtare shqiptare anë e mbanë trojeve tona – marr pjesë në pikëllimin e familjes së tij dhe të mbarë komunitetit tonë këtu në Shtetet e Bashkuara për humbjen e madhe me zhdukjen nga kjo jetë e inxhinier Agim Karagjozit –me ndjenjat më të gjalla miqësie, ndërkohë që i dërgoj përdhimtimet e mia më të sinqerta familjes së tij të ngushtë dhe mbarë farefisit këtu në Shtetet e Bashkuara dhe në Shqipëri.

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, Kosovari, nga Gjirkastra

Nje humbje e madhe per diasporen shqiptare ne Amerike

April 1, 2018 by dgreca

agim KaragjoziNga Lulzim BASHA/

U nda nga jeta Presidenti i Nderit dhe kryetari per dy dekada i VATRES, patrioti i paepur, intelektuali dhe humanisti i shquar, zoti Agim Karagjozi.
Ndarja nga jeta e Agim Karagjozit eshte nje humbje e madhe per diasporen shqiptare ne Amerike, per Federaten Panshqiptare VATRA, dhe per familjen e miqte e tij te shumte.
Me kontributin dhe perkushtimin e tij monumental ne sherbim te interesave te Shqiperise e shqiptareve zoti Agim Karagjozi ngrihet ne kujtesen e kombit si nje nga personalitetet me te shquara te kohes, qe me perkushtimin, sakrificat e dashurine e pamate per Shqiperine e shqiptaret perfaqesoi denjesisht shpirtin e bukur e patriot te shqiptarit ne SHBA.
Ne emrin tim dhe te Partise Demokratike i shpreh ngushellimet me te ndjera bashkeshortes se tij zonjes Rozi, vajzes se tij Angel, djemve Zyhdiut dhe Shpetimit, vatraneve, miqve dhe bashkepunetoreve te tij ne mbare diasporen shqiptare ne SHBA, dhe cdo miku e dashamiresi te kombit tone, per kete humbje te madhe.
Vepra dhe kujtimi i Agim Karagjozit do te jetoje perhere ne mendjet dhe zemrat mirenjohese te mijera bashkatdhetareve, si model e frymezim per te zhvilluar e fuqizuar vlerat kombetare ne gjurmet e kontributit te tij per nje Shqiperi te lire, demokratike e te zhvilluar. U prehte ne paqen e Zotit!

Filed Under: Opinion Tagged With: Humbje, Lulzim Basha, ndarja e Agim Karagjozit

Vandal e huligan është Edi Rama, jo kuksianët…!

April 1, 2018 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Nëse dje i quajti organ gjenital i shkrefur, sot i quan fundërrina. Ky është kryelegeni që qeviris shqiptarët. Dhe ashtu me hip-popet e pasme, frymë marrë, vështrim prej ujku, i referohet huliganizmit dhe vandalëve mbi pronën private. I kërcënon kuksianët me reprezalje dhe dënime të rënda etj.

Shkon deri aty sa të urdhërojë ato sulmet blic të pasmesnatës për ca protestues, qytetarë, pasi nuk ka këllqe të merret me magazinat e grumbullim – përpunimit të drogës. Nuk ka këllqe të luftojë bazat e shpërndarjes së drogës. Apo avionët mushkonja që kanë nisur rishtas transportin nga fushat e vdekura të Bedatit. Ato fusha, a vende, që deri dje etërit e tij burgosnin për së gjalli mendimin ndryshe, të deklasuarit, sot bijtë i përdorin për transport të bimëve narkotike. Eshtë në filozofinë e dështakëve, bërja e një veshi shurdh e një syri qorr, kontrabanta. Apo eksportet e errëta që shkojnë totalisht kundër me politikat social ekonomike të perëndimit. E bënin edhe etërit dikur. Sot e bëjnë bijtë. E gjitha për të mbuluar bjerrjen e një ekonomie që ka vdekur. Dhe që kryelegeni kërkon ta rimbursojë me drogë dhe fushata mbjelljesh me punë vullnetare. Arrston pas mesnate me ca operacione shefash që përdoren si mjetet bordelloje në llogari të partive me pretekstin e dëmtimit të pronës private. Në këtë rast, investitorit a konçesinarit të rrugës së kombit. Pa diskutim një nga ata që ka derdhur thasë me lekë që Edi Rama të lyej e ngjyej autobuzët e fushatave. Ato para tashmë një kancer i informalitetit shqiptar në financat e partive politike. Mirëpo kur flet pikërisht një politikan si ai, për dëmin ekonomik, është të vësh duart në kokë. Pasi dëmi i një protestuesi është i paimagjinueshëm me dëmin që ai e soji i tij i kanë sjellur këtij vendi. Të gjithë janë gati ta mbysin atë kuksianin që i sillte me varre çyçyvesë që prodhon ajër të kondicionuar, sipër atyre kuvlive që marrin para. Por askush nuk kujtohet të mbysi këta, si soji i këtij kryelegeni, shushunjë, i cili nga një djalë papafingoje në rrugët e Pigalit në vitin 1998, sot është krymilioneri i Shqipërisë. Dhe me që jemi tek dëmi publik…, kush ka memorie, ky…., është një nga politikanët që përmes bojkotit, çadrave dhe protestave me djegie e që morën koka njerëzish, ”bindi” edhe Europën se duhej të vinte në pushtet. Një kalama plangëprishës që nuk njohu asnjë lloj bashkëpunimi, e, që nuk ofroi asnjë alternativë mes sojit të tij opozitar dhe pushtetit. Ashtu sikur edhe sot, nxin ditë më ditë punën e paraardhësve, sikur të jetë akoma në opozitë. Nuk njohu asnjë institucion, nuk mori pjesë kërkund, veç bojkot. Punë e pa bërë por e paguar. Dëm i drejtpërdrejtë ekonomik. Krim…, e megjithatë askush nuk i shkoi natën, blic, brigadë skafandrash e ulërimash. Askush, edhe kur dogji në 21 janarin famëkeq. Askush nuk ia dërgoi policinë atij dhe ca të tjerëve, të cilët u bën deri ministra. Dhe ka kurajon, ashtu duke kërcyer bythësh, të quaj huliganë ca protestues kuksianë. Kur duhej të bënte të kundërtën. Atë që bëjnë gjithë shtetarët normalë në kësi situata. Bisedojnë dhe nuk kërcënojnë. Po nuk kanë faj edhe ata, o legen. Se kanë se kujt t’i ngjajnë. Të kanë shembull të gjallë dhe model perfekt.

Mbrëmjen e madhe të pashkës, dy njerëz e përjetuan keq. I pari sulltani i Turqisë që kërcënoi kryeministrin e Kosovës. Dhe i dyti sulltani i drogës në një vend të vogël të ballkanit perëndimor, Edi Rama. E shqetësuan ca ”huliganë” kuksianë që i prishën planin fitimprurës për bankën e gruas. Mirëpo, ndërsa i pari ka të drejtë, pasi hiqet si një myslam esnaf, kur në fakt është një sharlatan fanatik që ka ëndërr të ripërtërijë perandorinë osmane. Dhe nuk ia ndjen shumë për Pashkën…

Ky i dyti, nuk ka se si të mbulojë dështimin, arkën bosh të shtetit. Për shkak se ai dhe soji i tij e ka zbrazur të gjithën.

Filed Under: Opinion Tagged With: Ilir Levonja, Vandal eshte Edi Rama

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 435
  • 436
  • 437
  • 438
  • 439
  • …
  • 860
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PLUHUR VEZULLUES YJESH NGA LASGUSHI IM
  • BASHKËBISEDIM KULTUROR – Kristo Floqi dhe Komedia Shqiptare
  • MESAZHE TË BUKURA NJERËZORE
  • Kushtrim Shyti, djali i mësuesit, poetit dhe dëshmorit të UÇK-së, Mustafë Shyti, vizitoi Vatrën
  • KOSOVO CINEMA IN NEW YORK CITY: DOUBLE BILL WILL SCREEN IN MANHATTAN AND BRONX FOR BRONX WORLD FILM’S 15th ANNIVERSARY
  • NUK MUND TË ANASHKALOHET ROLI I ERNEST KOLIQIT NË FORMIMIN E MARTIN CAMAJT
  • MALI I ZI, VENDI KU KSENOFOBIA NDAJ SHQIPTARËVE ËSHTË NË RRITJE E SIPËR
  • “Kosova Lindore, dje, sot dhe sfidat e së ardhmes”
  • TIDENS TEGN (1929) / LETRA E EVELYN STIBOLT, MËSUESES NORVEGJEZE TË KUZHINËS SHKOLLORE : “EKSPERIENCA IME NË SHKOLLËN PËR VASHA NË KORÇË…”
  • FOTO – STUDIO VENETIKU dhe fotografja e parë shqiptare që vdiq në burgjet e diktaturës
  • KLINIKA E POEZISË, VISARI NË UNIVERSITETIN ILLINOIS, SHBA…
  • Dialogu dhe politika e jashtme e Kosovës, katër vitet vendimtare për shtetin
  • KRISHTLINDJET…
  • Enedio Metushi: “Për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës sonë shqiptare”
  • Shoqata “Rrënjët Shqiptare” festuan festat e fundvitit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT