• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LËVIZJA KOMBËTARE PËR ALFABETIN SHQIP

February 19, 2025 by s p

Dr. Nikollë Loka/

Në Perandorinë Osmane, si në të gjitha vendet në modernizim të shekullit XIX, zhvillimet politike u shfaqën si një proces i ndërthurur me zhvillimet në fushën e arsimit. Nga Lidhja e Prizrenit dhe deri në shpalljen e Pavarësisë, përfaqësues të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare parashtruan si kërkesa të ngutshme njohjen e kombësisë shqiptare dhe çështjen e shkollave shqipe, bashkimin e tokave shqiptare në një vilajet të vetëm, si dhe formimin e një Shqipërie autonome.

Pas ndalimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, qëndrimi i administratës osmane ndaj shqiptarëve ishte që t’i pengonte ata të përdornin dhe zhvillonin publikisht gjuhën e tyre. Krahas pengimit të arsimit në gjuhën shqipe, në shkolla u ndaluan botimet dhe librat në gjuhën shqipe. Në fakt, shkollat ​​shqipe, duke filluar nga shkolla e parë shqipe, e hapur në Korçë, u mbyllën një nga një. Me këto masa, autoritetet osmane u përpoqën që çështja e arsimit shqip të mos shndërrohej në një lëvizje që do të siguronte arsimin në gjuhën kombëtare për të gjithë shqiptarët.

Gjatë debateve të para në lidhje me zgjedhjen e një alfabeti shqip gjatë viteve 1860 dhe 1870, autoritetet osmane, në dukje, preferuan alfabetin arab si zgjidhje, por gjithashtu favorizuan krijimin e një alfabeti “origjinal” të shqipes si më i favorshëm sesa adoptimi i drejtpërdrejtë i greqishtes, ose shkrimin latin. Është e rëndësishme të theksohet se shqiptarët nuk i konsideronin si kërcënim alfabetet me bazë latine, edhe pse misionet fetare dhe më vonë diplomatët austrohungarezë dhe italianë ndihmuan në përhapjen e tyre. Natyrisht, autoritetet osmane i shihnin veprimtaritë misionare dhe konsullore si ndërhyrje të huaja në punët e Perandorisë dhe një përpjekje për të nxitur separatizmin kombëtar, trazirat dhe shpërbërjen.

Zhvillimet që kishin ndodhur në dy dekadat e fundit të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX për hapjen e shkollave në gjuhën shqipe, rritja e numrit të botimeve shqip dhe zhvillimi i proceseve të kulturës kombëtare në përgjithësi, e bënë domosdoshmëri përcaktimin e një alfabeti të vetëm. Për më tepër, rilindësit me të drejtë, mungesën e një alfabeti të vetëm të shqipes e konsideronin jo vetëm një problem gjuhësor e kulturor, por edhe një problem politik që pengonte bashkimin e shqiptarëve. Çështjen e alfabetit e shtron në një mënyrë të ashpër Sami Frashëri, sipas të cilit problemi i shkrimit dhe i këndimit, pra, problemi i alfabetit është i lidhur me fatin e ekzistimit të popullit shqiptar si komb.

Revolucioni xhonturk dhe shpallja e kushtetutës krijuan kushte pak a shumë të favorshme për

zhvillimin e lëvizjes kombëtare shqiptare. Shumica e veprimtarëve të lëvizjes kombëtare brenda e jashtë vendit dhe organet e shtypit atdhetar, e quanin të dobishme që shqiptarët të shfrytëzonin liritë që u dha kushtetuta për të zhvilluar në mënyrë legale lëvizjen kulturore kombëtare, për të hapur shkolla shqipe në tërë vendin dhe për të përhapur me të gjitha mjetet mësimin e gjuhës shqipe. Me shpalljen e Monarkisë Kushtetuese, në sistemin arsimor osman lindi një problem tjetër i rëndësishëm, që ishte problemi i arsimimit në gjuhët vendase.

Pas revolucionit xhonturk, në themel të politikës nacionale xhonturke u vu doktrina e osmanizmit që i shpallte të gjithë shtetasit e Perandorisë “osmanllinj” dhe “të barabartë para ligjit”. Me këtë rast u lejua ngritja e klubeve kulturore dhe hapja e shkollave në gjuhët e kombësive të ndryshme. Në Shqipëri u hapën shumë klube kulturore dhe lëvizja për shkollën shqipe u shtri në të gjithë vendin. Meqenëse shkollimi shqip nuk mund të ndalohej më dhe ishin njohur kombësitë e Perandorisë, vazhduan përpjekjet për t’i mbajtur shqiptarët të përçarë. Çështja e përdorimit të alfabetit turko arab e nxitur nga xhonturqit, është quajtur me të drejtë si pjesë e politikës “përçaj e sundo” dhe të asaj panislamiste, si dhe është cilësuar si mollë sherri e hedhur prej tyre në mes të shqiptarëve. Duke mbështetur alfabetin arab për shqiptarët, autoritetet turke ishin të vetëdijëshme se shqiptarët myslimanë do të vazhdonin të mbeteshin kulturalisht me Perandorinë, ndërsa për miletet e tjera nuk u interesonte. Futja në përdorim e alfabetit latin nuk kaloi pa probleme, sidomos në veri të vendit, ku paria konservatore dhe ulemat turkoshake kishin ndikim më të madh. Megjithëse disa shkolla në vilajetin e Kosovës filluan të përdorin alfabetin latin, disa nga prijësit fetarë, të nxitur nga komiteti i xhonturqve në Selanik, e quanin këtë alfabet “të pa fe” dhe kërkonin përdorimin e alfabetit arab si faktor bashkimi për tërë Perandorinë Osmane. Një goditje tjetër kundër arsimit shqiptarë u bë në Kongresin e xhonturqve të mbajtur në Selanik në maj të vitit 1909 ku komisioni që punoi për problemin kombëtar e kulturor të kombësive jo turke në Perandri doli me këto propozime: Të gjitha shkollat fillore të betën ashtu siç kanë qenë d.m.th. në gjuhën turke. Të gjitha gjimnazet ku mësimi nuk zhvillohet në gjuhën turke të mbyllen dhe nxënësit të kalojnë në gjimnazet turke. Mësimi në këto gjimnazi do të zhvillohet vetëm në gjuhën turke.

Kundër përpjekjeve të autoriteteve osmane dhe mbështetsve të tyre, vendimet e Kongresit të Manastirit shprehën vendosmërinë e elitës kulturore shqiptare për të ruajtur pavarësinë nga turqit e rinj, në zhvillimet kulturore kombëtare, duke bërë që të dështonin përpjekjet xhonturke për ta nënshtruar lëvizjen kulturore shqiptare dhe për ta vënë në funksion të projekteve të tyre politike.

Zgjedhja e alfabetit latin kishte dhe një dimension të qartë politik dhe tregonte aspiratat perëndimore të shqiptarëve si komb. Në fakt, vetë kontrasti midis alfabetit latin dhe atij turk do ta bënte vetëdijen shqiptare të ishte ndryshe nga ajo e turqve.

Xhonturqit ishin kundër shfaqjes së ideve kombëtare dhe idesë së bashkimit të shqiptarëve me përkatësi fetare të ndryshme, prandaj u pozicionuan kundër alfabetit latin në shkollat shqipe. Ky ishte manifestimi i parë i politikës reaksionare xhonturke ndaj arsimit të kombësive jo turke e sidomos ndaj shqiptarëve në Perandori. Mbështetësit e alfabetit arab mbronin pikëpamjen se “ndryshimi i alfabetit nënkuptonte ndryshimin e fesë dhe përdorimi i shkronjave latine nënkuptonte largimin nga ”islami”.

Pas fitores mbi kundërevolucionin e prillit 1909, Komiteti xhonturk “Bashkim e Përparim” e forcoi pushtetin politik. Prandaj ai e hoqi pothuajse krejtësisht maskën që mbante deri atëherë dhe fillojë të zbatonte një kurs më të ashpër e më të hapur kundër lëvizjes arsimore shqiptare e përgjithësisht asaj kombëtare. Në maj 1909 u arrsetuan 17 veta nga Struga, Pogradeci dhe Ohri të akuzuar si agjentë të Sulltan Hamitit. Midis të arrestuarve nga Ohri ishin: Hamdi Bej Ohri, Xheladin Beu, kryetar i klubit dhe Mehmet Beu të cilët ishin përpjekur për të çelur një shkollë shqipe në atë qytet.

Në fund të vitit 1909 dhe në fillim të vitit 1910, çështja e alfabetit të gjuhës shqipe mori përmasat e një problemi të madh politik e kombëtar në të cilin u përfshinë shtresa të ndryshme shoqërore dhe qarqe politike e fetare të vendit. Të shtyrë nga reaksioni xhonturk një grup deputetësh shqiptarë në Parlamentin e Stambolli, nga të cilët asnjëri nuk dinte të shkruante e të lexonte shqip dhe disa prej tyre nuk ishin as të kombësisë shqiptare, i drejtuan një mesazh Kryeministrit Turk me anën e të cilit kërkonin gjoja “në emër të shqiptarëve” që të përdorej alfabeti arab për shkrimin e gjuhës shqipe dhe të ndalohej ai kombëtar”. Një propagandë të madhe për alfabetin arab bëri Rexhep Nuredin, i cili ishte aktivizuar në Klubin e Manastirit por njëkohësisht, me porosi të Komitetit Xhonturk, ishte emëruar myfti i atij qyteti. Ai filloi me botimin e një abetareje shqipe me shkronja arabe dhe vazhdoi me një turne në Dibër e në Mat për të propaganduar në të mirë të alfabetit arab. Për të njëjtin qëllim, shkoi edhe në Stamboll, ku veproi, sidomos midis deputetëve shqiptarë. Edhe autoriteti më i lartë fetar i Perandorisë Sheh ul-Islami ishte shprehur në favor të përdorimit të alfabetit arab, pasi sipas tij “alfabeti arab është shumë i lehtë për t’u mësuar dhe fëmijët mund ta mësojnë atë shpejt.

Turqit e rinj bënë për vete një pjesë të klerit mysliman, duke e nxitur ta shkruajnë gjuhën shqipe me alfabetin arabo-osman. Nën ndikimin e këtyre klerikëve, një pakicë e myslimanëve shkodranë ishin të pakënaqur me krijimin e klubit shqiptar dhe me përpjekjet për hapjen e shkollave shqipe që do të përdornin alfabetin latin. Kjo gjendje ishte dhe në Kosovë, ku shteti osman ndërhyri publikisht. Valiu i Kosovës, bashkë me deputetin Said Efendia kishte mbajtur mitingje në Sjenicë, Ferizaj, Gjakovë, Prishtinë, Shkup, Pejë, Gostivar, Dibër, Tetovë, Preshevë e gjetiu me qëllim bindje dhe heqje dorë nga shkrimi latin. Ndërkohë simpatizuesit e shkronjave turko-arabe nga klubi i Aksarajt “Mahfel” dërguan njëfarë Arif Hiqmeti, kinse gazetar, nga fshati Llojan i Kumanovës ta studiojë gjendjen dhe të kontaktojë me parinë muslimane për të krijuar besimin se “shkronjat turko- arabe janë shkronjat e Zotit dhe ai di vetëm ato t’i lexojë, kurse shkronjat gjahure Zoti nuk i pranon dhe i dërgon të gjithë në xhehnem” (Mustafa, 2018:96). Në mbështetje të xhonturqve dolën serbët, përmes një organizate “të serbëve otomanë”, të themeluar në Shkup me pëlqimin e xhonturqve, që i kishte degët e veta në të gjithë Kosovën dhe Maqedoninë. Në vitin 1910, kjo organizatë iu bashkua një fushate të fuqishme të xhonturqve kundër përdorimit të alfabetit latin nga shqiptarët.

Në mbrojtje të alfabetit latin dolën deputetët atdhetarë shqiptarë. Pas interpelancës së deputetëve në Parlament dhe demarsheve të Hasan Prishtinës te Ministri i Arsimit, qeveria e Stambollit kumtoi zyrtarisht se “e konsideronte çështjen e alfabetit si problem të brendshëm të shqiptarëve, por ndërkohë arriti urdhëresa që “mësimi i gjuhës shqipe në shkollat private dhe shtetërore të zhvillohej vetëm me alfabetin turk”. Në telegramin e dërguar Valiut të Kosovës, Ministri i Arsimit kishte theksuar se “telegrami i mëparshëm, për mospërzierjen në çështjen e alfabetit, ishte dërguar ngase qeveria me këtë donte të mësonte disponimin e popullit, dhe se vendimi i ri pasoi në mbështetje të vullnetit të shprehur nga vetë shqiptarët” (The Times, Aug 05, 1910). Në zbatim të vullnetit qeveritar, Ky Vali i kishte dërguar telegram Ministrisë së Arsimit në Stamboll duke e informuar se “të gjithë ato shkolla që mësojnë me shkronja latine do të mbyllen”.

Njëra nga kërkesat e kryengritjes shqiptare të vitit 1910 ishte dhe çështja e arsimit shqip, ku përfshihej edhe problemi i alfabetit. Shtypja e kryengritjes shqiptare të Kosovës në vitin 1910 u pasua me luftën kundër kulturës dhe gjuhës shqipe, duke mbyllur klubet e hapura shqiptare nën pretekstin se ishin “vatra të revoltës”; me burgosjen dhe ndalimin e kryeredaktorëve, redaktorëve dhe gazetarëve të gazetave shqipe. Me urdhër të Portës së Lartë u ndaluan librat dhe gazetat në shqip dhe u mbyllën shkollat në gjuhën shqipe. Në ato kushte, shkollat shqipe punuan në kushte ilegale. Vazhduan arrestimet e atdhetarëve shqiptarë. Në Shkup arrestohet Kryetari i klubit të atyshëm Beqir Efendiu dhe mësuesi i gjuhës shqipe Bedri Pejani; në Manastir Fehim Zavalani, Vllezërit Kristo e Dhemitër Qeriazi etj. Në Elbasan Kristo Dako e Lef Nosi; në Dibër Qamil Daci; në Tiranë Ibrahim Dalliu, Mahmut Furtuzi, Jusuf Elezi; në Durrës Nikollë Kaçorri etj.

Në mars të vitit 1911, një qarkore e Ministrisë së Brendshme në Stamboll kërkonte riçeljen e shkollave, sikundër dhe çeljen e shkollave të reja dhe përdorimin e alfabetit latin. Por përpjekjet përçarëse të xhonturqve vazhduan edhe më tej, duke e trajtuar problemin e arsimit shqip dhe të alfabetit latin si të dëmshme për fenë myslimane dhe të rrezikshme për interesat e Perandorisë. Si në fillim, edhe gjatë zhvillimit të kryengritjes shqiptare të vitit 1912, u paraqitën kërkesa në lidhje me arsimin dhe shkollën shqipe. Kërkesa të tilla u shprehën nga kryengritësit e Malësisë së Gjakovës, të Hasit, të Mitrovicës, Dibrës, Junikut etj. Edhe në bisedimet midis kryengritësve shqiptarë të përfaqësuar nga Hasan Prishtina dhe autoriteteve osmane, çështjet arsimore zinin mjaft vend. Nga 14 kërkesat e Hasan Prishtinës drejtuar delegacionit osman në bisedime, 5 ishin për shkollat dhe arsimin shqip. Autoritetet osmane nuk mundën t’u imponohen shqiptarëve në çështjen e alfabetit dhe nuk e ndaluan dot procesin e veçimit kulturor të shqiptarëve nga osmanët, që do të çonte në formimin e shtetit të pavarur shqiptar.

Filed Under: Opinion

BETEJA E NJË KOMBI PA SHTET NË MBROJTJE TË TOKAVE DHE IDENTITETIT TË TIJ

February 18, 2025 by s p

Ruajtja e tokave dhe identitetit kombëtar, ashtu si paraardhësit tanë mbrojtën Nokshiqin dhe Plavën me jetën e tyre, sot kemi për detyrë të ruajmë gjuhën, kulturën dhe identitetin tonë kombëtar. Asimilimi dhe ndarja janë kërcënime që mund të shmangen vetëm përmes një angazhimi të vazhdueshëm në edukim dhe vetëdije kombëtare.

Nga Prof.dr. Skender ASANI

Historia shqiptare është e mbushur me beteja të lavdishme që dëshmojnë për trimërinë dhe vendosmërinë e popullit tonë për të mbrojtur tokat dhe identitetin e tij. Një nga këto beteja, shpesh e anashkaluar në historiografinë e përgjithshme, është Beteja e Nokshiqit e vitit 1879. Kjo fitore e lavdishme kundër forcave malazeze dëshmon për aftësitë e shkëlqyera ushtarake dhe përpjekjet diplomatike të shqiptarëve në mbrojtje të trojeve të tyre. Në këtë 145-vjetor, është e rëndësishme të kujtojmë këtë ngjarje historike dhe të nxjerrim mësime për të ardhmen e kombit tonë.

Pas Luftës Ruso-Turke (1877-1878), Kongresi i Berlinit vendosi ndryshime territoriale në Ballkan, duke shpërblyer Malin e Zi me toka shqiptare, përfshirë Hotin, Grudën, Plavën dhe Gucinë. Kjo ndarje ishte e papranueshme për shqiptarët, të cilët nuk pranuan të dorëzonin trojet e tyre. Lidhja Shqiptare e Prizrenit, një organizatë patriotike dhe ushtarake e krijuar në vitin 1878, u bë mburojë e interesave shqiptare dhe organizoi rezistencën ndaj këtyre vendimeve të padrejta.

Në dhjetor të vitit 1879, trupat malazeze u përpoqën të pushtonin Nokshiqin, një zonë kyçe pranë Plavës dhe Gucisë. Shqiptarët, të udhëhequr nga prijës të shquar si Ali Pashë Gucia, Sulejman Vokshi dhe bajraktarët e krahinave përreth, ngritën një mbrojtje të organizuar dhe përdorën strategji të zgjuara luftarake. 1. Pozicionimi Taktil – Shqiptarët përdorën terrenin malor për të mbrojtur veten dhe për të zhvilluar luftë guerile kundër forcave më të mëdha malazeze. 2. Uniteti dhe Mobilizimi i Popullit – Fisnikët dhe populli u bashkuan për një qëllim të përbashkët, duke treguar se çështja kombëtare ishte mbi interesat lokale. 3. Kundërsulmet Vendimtare – Pas disa përleshjeve, shqiptarët kaluan në kundërsulm dhe zmbrapsën ushtrinë malazeze, duke e detyruar të tërhiqej me humbje të mëdha.

Fitorja e Nokshiqit ishte një sukses i jashtëzakonshëm për shqiptarët, jo vetëm në aspektin ushtarak, por edhe diplomatik. Për herë të parë, një komb pa shtet organizoi një rezistencë të suksesshme kundër vendimeve të fuqive të mëdha dhe mbrojti me armë tokat e tij. Kjo betejë ndihmoi në forcimin e qëndrimeve të Lidhjes së Prizrenit dhe i tregoi botës se shqiptarët nuk do të pranonin ndarjen e trojeve të tyre pa luftë.

Rëndësia e Bashkimit Kombëtar siç dëshmoi Beteja e Nokshiqit, uniteti ishte arma më e fuqishme e shqiptarëve. Edhe sot, sfidat kombëtare kërkojnë një bashkëpunim të ngushtë mes shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi dhe diasporë. Çështjet kombëtare duhet të jenë mbi interesat personale dhe politike.

Rëndësia e diplomacisë dhe zërit ndërkombëtar në 1879, shqiptarët jo vetëm që luftuan në terren, por përdorën edhe diplomacinë për të mbrojtur interesat e tyre. Edhe sot, është jetike që Shqipëria dhe Kosova të kenë një strategji të qartë diplomatike për të mbrojtur çështjet e tyre kombëtare në arenën ndërkombëtare.

Ruajtja e tokave dhe identitetit Kombëtar ashtu si paraardhësit tanë mbrojtën Nokshiqin dhe Plavën me jetën e tyre, sot kemi për detyrë të ruajmë gjuhën, kulturën dhe identitetin tonë kombëtar. Asimilimi dhe ndarja janë kërcënime që mund të shmangen vetëm përmes një angazhimi të vazhdueshëm në edukim dhe vetëdije kombëtare.

Beteja e Nokshiqit mbetet një nga shembujt më të ndritur të trimërisë dhe zgjuarsisë shqiptare. Në 145-vjetorin e saj, ajo na mëson se liria dhe dinjiteti kombëtar fitohen dhe mbrohen vetëm me përkushtim, unitet dhe vendosmëri. Ky është një mesazh i fuqishëm për brezat e sotëm dhe të ardhshëm: historia na mëson, por varet nga ne që të mos e përsërisim atë me humbje, por me fitore.

(Kumtesë me rastin e 145 vjetorit të “EPOPESË SË NOKSHIQIT”)

Shkup, 18 shkurt 2025

Filed Under: Opinion

Presidenti Trump e uron Presidenten Osmani për 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

February 17, 2025 by s p

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pranuar letër urimi nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald J. Trump, me rastin e 17-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Në mesazhin e tij, Presidenti Trump ka përgëzuar popullin e Kosovës për rrugëtimin drejt pavarësisë, duke vënë në pah qëndrueshmërinë dhe vendosmërinë që e kanë shoqëruar këtë proces. Ai ka theksuar mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara për Kosovën dhe angazhimin e saj për ndërtimin e një shoqërie demokratike për të gjithë qytetarët, pa dallim.

“Lidhjet midis popujve tanë janë të forta dhe ne presim me padurim t’i zgjerojmë ato, veçanërisht përmes rritjes së mundësive për investime, me qëllim që të sjellim më shumë prosperitet për të dyja vendet tona. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me Kosovën në forcimin e institucioneve demokratike dhe promovimin e rritjes ekonomike përmes një mjedisi të qëndrueshëm dhe të drejtë biznesi”, thuhet në mesazhin e tij.

Presidenti Trump ka nënvizuar gjithashtu rëndësinë e integrimit të mëtejshëm të Kosovës në komunitetin euroatlantik dhe ka vlerësuar mbështetjen e palëkundur të Kosovës ndaj Ukrainës përballë agresionit rus.

Në fund të urimit, Presidenti Trump ka theksuar se Dita e Pavarësisë së Kosovës është një moment për të reflektuar mbi arritjet e deritanishme dhe për të parë drejt një të ardhmeje edhe më të ndritur.

Të bashkëngjitur gjeni urimin e plotë.

Filed Under: Opinion

Diaspora shqiptare e Amerikës dhe çështja e Kosovës

February 16, 2025 by s p

Prof. Dr. Romeo Gurakuqi/

Diaspora shqiptare në SHBA e vitit 2025, mënjanë brohoritjeje për administratën e re në Shtëpinë e Bardhë, ose përqendrimit të panevojshëm, ditë e natë, në zgjidhjen e çështjeve individuale pa impakt mbi emergjencat e shqiptarëve në vorbullën e sotme të pandalshme botërore ku e drejta e vendosur ndërkombëtare nuk respektohet, do të ishte mirë të merrej me lobimin profesional dhe njohës, pranë Ekipit Udhëheqës Republikan, të Çështjes së Kosovës në të tërë dimensionet e veta, si dhe në informimin me prioritet të të njëjtëve, mbi Ne, mbi identitetin tonë kombëtar, rrugën tonë në histori, vendin tonë në Europë, perspektivën tonë integruese dhe mbi të gjitha mbi aksiomen se Arbëria nuk ka asnjë lidhje nacionale me Çështjen Gaza; vendi ynë nuk ka asnjë kapacitet ekonomik, financiar dhe territorial për të mbartuar mbi supet e saj të brishta pasojat e krizave të prodhuara gjetkë.

Sa nuk është vonë, sa kohë që ende Skicat e Çmendura të hedhura me cinizem dhe injorim mbi fatet e jetët tona, fillimisht në media, si tatim pulsi për të urtët që nuk bzajnë, nuk janë kthyer në Vendime Shigjetuese dhe të Pakthyeshme mbi trojet tona, ju vëllezër dhe motra të Arbërisë dhe Dardanisë në SHBA, që llogarisni për nga mundësitë kuptimore, loboni siç do të duhet për Atdheun e të Parëve, Shqiponjën me dy Shtete, në qoftë se nuk doni të vendoseni para fakteve të kryera, njëlloj siç po vendosen këto ditë Ukraina dhe populli i saj i martirizuar, ose palestinezët e Gazës.

Filed Under: Opinion

GAZETA “DIELLI”, GËZUAR DITËLINDJEN E 116-TË

February 15, 2025 by s p

Sokol Paja/

“Dielli” i Vatrës, “Dielli” i shqiptarëve të Amerikës, “Dielli” i Rilindjes Kombëtare, “Dielli” i botës shqiptare, “Dielli” i shpirtit shqiptar, “Dielli” i mërgatës përtej Atlantikut, “Dielli” i kombit shqiptar sot feston ditëlindjen e 116-të. Që prej 15 Shkurtit 1909, Gazeta “Dielli” – “Nderi i Kombit” është gazeta më e vjetër në botën shqiptare, regjistri, arkiva, historia, krenaria, identiteti, lavdia, trashëgimia dhe vazhdimësia e Vatrës, vatranëve e shqiptarëve të Amerikës.

Gazeta “Dielli” është institucion atdhedashurie, shkollë gazetarie, referencë historie, pasuri kombëtare dhe identitare shqiptare.

“Dielli” është dritë që do ndriçojë përjetë qiellin e shqiptarisë. “Dielli” është e shkuara e tashmja dhe e ardhmja e mërgatës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gazeta “Dielli” është një dëshmi autentike e përpjekjeve të shenjta për shqiptarinë prej patriotëve, atdhetarëve e veprimtarëve të shquar të çështjes kombëtare. Gazeta “Dielli” është fillimi i shekullit të dytë të frymëzimit kombëtar, ruajtjes, trashëgimit dhe konsolidimit të vlerave më të çmuara të kombit tonë.

Gazeta “Dielli” është pasuri e çmuar historisë së lavdishme të kombit tonë, gjuhës, kulturës, medias, traditës dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve të Amerikës dhe mbarë trojeve shqipfolëse.

“Diell”, ndriço, qëndro, shkëlqe e vezullo në shekuj të shekujve.

Mirënjohje përjetë editorëve të “Diellit”, kryetarëve të “Vatrës”, çdo vatrani e patrioti për mbështetjen, përkrahjen dhe dashurinë ndaj gazetës më të shquar të botës shqiptare në mërgim.

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 44
  • 45
  • 46
  • 47
  • 48
  • …
  • 856
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT