• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Presidenti Thaiç fton Atin e Shenjtë të vizitojë Kosovën

September 28, 2017 by dgreca

-Papa Françesku priti në audiencë private presidentin Thaçi/

1 Papa Thaci

-Presidenti Thaçi e informoi Atin e Shenjtë për konsolidimin e shtetit të Kosovës, për bashkëjetesën ndërmjet komuniteteve dhe feve të ndryshme.

-Jemi të lumtur që në fillim të muajit është shuguruar Katedralja e Nënë Terezës në Kosovë/

-Presidenti Thaçi ia përcolli Atit të Shenjtë edhe një herë ftesën e përzemërt, në emër të të gjithë qytetarëve, që të vizitojë Kosovën/

VATIKAN, 28 Shtator 2017-Gazeta DIELLI/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në një audiencë private është pritur sot nga Ati i Shenjtë, Papa Françesku, në Selinë e Shenjtë në Vatikan.

Presidenti ka theksuar se Kosova vazhdon të ruajë durimin, besimin dhe vlerat që kemi si shoqëri – dashurinë dhe solidaritetin në familje dhe në shoqëri, respektin për dinjitetin e secilit, tolerancën dhe bashkëpunimin.“Vatikani është udhërrëfyes dhe motivues për të qëndruar të paluhatur në mbrojtjen dhe promovimin e këtyre vlerave. Prandaj, edhe jemi krenarë me Nenën Terezë, sepse askush më mirë se ajo nuk i ka mbrojtur dhe përhapur kudo në botë këto vlera”, ka shtuar ai.Presidenti Thaçi është shprehur i lumtur dhe mirënjohës që Kosova ka ndërtuar marrëdhënie miqësore me Selinë e Shenjtë.“Por, do të dëshironim që këto të ngritën në nivelin e njëjtë që e gëzojnë të gjithë popujt e tjerë të botës”, ka theksuar ai. Presidenti Thaçi e informoi Atin e Shenjtë për konsolidimin e shtetit të Kosovës, për bashkëjetesën ndërmjet komuniteteve dhe feve të ndryshme. “Kosova është shembull i dialogut ndërmjet komuniteteve dhe bashkëjetesës fetare”, ka shtuar ai.Presidenti ka falënderuar Atin e Shenjtë për mbështetjen që Vatikani i ka dhënë Kosovës në kultivimin e paqes dhe demokracisë.

“Jemi të lumtur që në fillim të muajit është shuguruar Katedralja e Nënë Terezës në Kosovë. Ju faleminderit që keni dërguar të çmuarin Kardinalin Ernest Simonin”, ka shtuar ai.Ai ka informuar Papën për organizimin e konferencës së përvjetshme, “Inter-Faith Kosova”,  në të cilën liderë fetarë, akademikë, politikanë, shkencëtarë, ndër ta shumë ish-liderë shtetesh dhe laureatë të çmimit Nobel për Paqe, takohen dhe diskutojnë për thellimin e dialogut ndërmjet feve në tërë botën.Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, e informoi Atin e Shenjtë, Papa Françeskun, edhe për themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe për Pajtim. “Synimi është që të mbyllim kapitullin e konfliktit dhe të hapim kapitullin e bashkëpunimit”, ka pohuar i pari i vendit.Ai më tej ka thënë se po zhvillojmë dialogun me Serbinë,  në ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore, normalizim të marrëdhënieve dhe njohje reciproke.“Pra, po punojmë që të promovojmë, në Kosovë, në rajon dhe në botë, vlerat, si paqja, dialogu, bashkëpunimi, toleranca, bashkëjetesa. Kjo është Kosova e sotme, edhe pse shumë ende e kanë në mendje Kosovën e kaluar – atë të luftës dhe shkatërrimit”, ka thënë ai.

Në fund, presidenti Thaçi ia përcolli Atit të Shenjtë edhe një herë ftesën e përzemërt, në emër të të gjithë qytetarëve, që të vizitojë Kosovën./b.j/

Filed Under: Opinion Tagged With: fton Papa Franceskun, Presidenti Thaçi, te vizitoje kosoven

Ndodhka dhe kështu ?!

September 26, 2017 by dgreca

1 Alfons-Grishaj

Nga Alfons Grishaj/Në demokraci mendimet dhe ndryshe marrin shpesh kuptim edhe kur ndodh që t’i biesh ndesh grupimit tënd politik, biles në disa Parlamente me traditë, herë pas here  votat rrjedhin në drejtim të kundërt. Kjo është e pranueshme, duke pasur parasysh çështjet jetike apo interesat strategjike të vendit. Por, kur bëhet fjalë që vota duhet të shprehë edhe një qëndrim të natyrës së filozofisë politike, atëherë vota është e shenjtë dhe e pakompromentueshme. Atëherë, diskutimi për votën merr kuptim të plotë, sepse demokracia e kërkon arsyetimin për të. Sigurisht, ishte e papranueshme që vota e opozitës të shkonte në favor të zgjedhjes së Gramoz Ruçit, Kryetar të Parlamentit Shqiptar. O Zot, ndodhka dhe kështu ?!

1 Alfonsi2Shqetësimi i disa liderëve të PD lidhur me rrjedhjen e dy votave “demokratike”, që iu bashkangjitën thesit socialist për zgjedhjen e Ruçit kryeparlamentar, më duket i drejtë. Logjika e tyre përkon me logjikën e pastër perëndimore dhe rregullat e demokracisë. Vota e besuar, vota e besës, nuk mund të tjetërsohet. Nuk mund të votosh pro një personi, kur mbi shpatullat e tij rëndon një krim makabër komunist si ai i 2 Prillit 1991. Ruçi është i rëndësishëm për partinë e tij, ai është artikulacioni i vërtetë që lidh brezat e dy kohëve historike të saj, por interesat e vendit janë të tjera, të një tjetër perspektive, imazhi i së cilës kompromentohet rëndë nga besimi i një posti aq të lartë një ish ministri të diktaturës. Me Ruçin kryetar Parlamenti, Shqipëria, me kuotë të ulët kreditesh në arenën ndërkombëtare, dëshmon veten të lidhur ende me të shkuarën e hidhur, se strukturat politike të komunizmit kanë ende shumë pushtet dhe se ardhmja demokratike e vendit është ende e largët. Të përfaqësohesh sot në perëndim me ish ministrin e brendshëm të diktaturës, nuk do të thotë tjetër veçse të sfidosh botën demokratike, e cila e ka dënuar tashmë komunizmin si një nga përvojat më çnjerëzore të historisë. Me këtë zgjedhje, Partia Socialiste vulosi përfundimisht qëllimet e saj regresiste, se progresizmi i saj është vetëm demagogji, dhe se qëllimi i saj nuk është demokracia, por vetëm riciklimi në pushtet i strukturës së saj komuniste.

Në kohën kur zhvillohej gjyqi i “2 prillit”, së bashku me Eduard Perjakun, i shpëtuam jetën Gramoz Ruçit, tek po hynte në Gjykatën e Shkodrës, kur një i plagosur i “2 Prillit”,  po e priste tek dera e Gjykatës për ta ekzekutuar “Kryetarin e Parlamentit” të sotëm, por ne e ndaluam të vepronte… Veprimi jonë që i shpejtë dhe pa bujë. Ishim kundër vetgjyqësisë, qoftë dhe ndaj kriminelëve komunistë. Asokohe, ne besonim se një ditë drejtësia do thoshte fjalën e vet, dhe Ruçët e soji i tyre do ta merrnin ndëshkimin nga ligji. Sot e pranoj që kam gabuar përsa i përket shpresës për drejtësi, por nuk jam i penduar kurrë për shpëtimin e një jete. Pikëpamjet universale nuk ndryshojnë kurrë. Zoti e fali jetën. Atë nuk mund ta marrë askush, as në emër të ligjit, as në emër të kodeve shpaguese. Ky është ndryshimi i njerëzve që besojnë  në Zot, dhe ateizmit komunist …

Komunizmi është si mikrobi i tuberkulozit që fle deri kur trupi dobësohet për t’u zgjuar përsëri agresiv, duke kafshuar pamëshirë. Rilindja Socialiste e Edi Ramës, është dhe Partia Komuniste e Gramoz Ruçit që fjeti për ca vite dhe u rizgjua me kolorin e viteve të Enverit. Ky zgjim shihet në një dyzinë postesh të larta që i mbajnë sot të njëjtat mbiemra që i kishin dje. Kjo që po them, shumëkujt mund t’i ngjajë si luftë klasash, por nuk është. Një strukturë trashëgimore politike, vazhdon të ruajë privilegjet e pushtetit, ndërsa “vegjëlia”, përfshi këtu edhe bazën e vetë PS, përpëlitet me breza të tërë në varfëri e padrejtësi.

Për këto arsye është e rëndësishme që të ndalemi tek tjetërsimi i votës së dy deputetëve demokratë. Një veprim i tillë vret shpresën për demokraci të vërtetë. Një veprim i tillë perceptohet sikur opozita nuk ka kapacitetet e mjaftueshme për misionin e vet historik, atë të dekomunistizimit të vendit, proces ky që ka mbetur në vend. Prandaj, i bëj thirrje demokratëve të lënduar në sedër t’i lënë deklaratat retorike dhe të punojnë sëbashku për konsolidimin e vlerave demokratike, jo për curriculum vitae, por për bashkimin e vlerave kundër antivlerave të kampit të blerësve të votës, kundër krimit shtetëror narkoman, kundër tradhëtisë, kundër fantazmës komuniste që po riinstalohet në Shqipëri. Ju siguroj se, këtë ndryshim nuk mund ta bëjnë as tradhëtarët, as internacionalistët proletarë, as egoistët dhe matrapazët, as demokratët parazitë (që hiqen se kanë punuar, biles që në fillimet e demokracisë), por vetëm njerëzit që e duan Shqipërinë, demokratë idealistë dhe intelektualët me, ose pa parti, që me të vërtetë u dhimbset Shqipëria dhe dëshërojnë që ta rreshtojnë atdheun tonë aty ku e meriton: në vendet e zhvilluara botërore.

Filed Under: Opinion Tagged With: alfons Grishaj, dhe kështu ?!, Ndodhka

DEZINFORMIMI RUS – NJË KËRCËNIM SERIOZ NDËRKOMBËTAR

September 21, 2017 by dgreca

2-Frank-shkreli-2-300x183-1

 

Nga Frank Shkreli/

Kohët e fundit, mediat amerikane dhe evropiane kanë shkruar dhe komentuar me shqetësim duke dhënë alarmin mbi përpjekjet e Rusisë së Presidentit Putin për të përhapur lajme të rrejshme anë e mbanë botës, me qëllim për të avancuar agjendat e politikave të Kremlinit.   Desinformation”, sipas fjalorit të Websterit, është informacion fals që ka për qëllim për të çorientuar, ose pë të futur në rugë të gabuar, veçanërisht i refererohet propagandës së përhapur nga një ent qeveritar kundër një shteti, një fuqie kundërshtare, ose medies.   Këtij shqetësimi publik në rritje e sipër në media perëndimore, i janë bashkuar edhe ente qeveritare dhe jo-qeveritare në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropë. Një prej këtyre enteve është edhe Kongresi amerikan.

Javën që kaloi, Komisioni i Helsinkit i Shteteve të Bashkuara, organizoi një forum ose një sesion dëgjimi për të diskutuar desinformimin rus, — përhapjen e lajmeve të rreme – fenomen ky të cilin eskpertët e cilësuan si kërcënimin më të madh ndërkombëtar, kërcënim që bën të mundur dhe justifikon agresionin nga ana e Rusisë, si mbrenda vendit ashtu edhe në mbarë rajonin e 57 vendeve anëtare të Organizatës për Sigurinë dhe Bashkpunimin në Evropë, (OSBE-së).   Komisioni i Kongresit amerikan u shpreh se dezinformimi rus, me anë të përhapjes së lajmeve të rrejshme, i shërben interesave strategjike ruse të regjimit të Putinit, duke shkelur rëndë normat dhe standardet e përcaktuara të OSBE-së, duke filluar nga abuzimet me të drejtat bazë të njeriut mbrenda Rusisë e deri tek ndërhyrjet ushtarake në vendet fqinje si dhe ndërhyrjet ruse në zgjedhjet elektorale në disa vende, thuhet në njoftimin e Komisionit Amerikan të Helsinkit.   Në lidhje me ndërhyrjet e Rusisë në zgjedhjet elektorale, Fondi Marshall Gjerman njofton se ka dokumentuar ndërhyrjen ruse në zgjedhje ose në punët politike të të pakën 27-shteteve, duke filluar nga viti 2004 e këtej, nepërmjet fushatave dhe sulmeve hibernetike në rrjetët më të njohura sociale botërore.

Në fjalën e hapjes së sesionit në Kongresin amerikan mbi këtë çështje – ku morën pjesë senatorë dhe kongresmenë nga të dy partitë politike kryesore të vendit –theksohet në njoftimin për medien, se Senatori republikan i shtetit Kolorado, Kori Gardner nënvijoi kërcënimin serioz që paraqet përhapja e lajmeve të rrejshme nga Rusia ndaj rendit liberal politik ndërkombëtar dhe nënvijoi se si masat desinformuese të ndërmarra nga Rusia, “Minojnë sigurinë dhe shkelin të drejtat e njeriut të popujve në rajonin e vendeve anëtare të OSBE-së.   Objektivi i Rusisë nepërmjet kësaj fushate”, shtoi senatori amerikan, “Është që të përhapë frikën, të shkaktojë mosmarrveshje dhe keqkuptime midis palëve, me qëllim për të minuar institucionet demokratike dhe për të dobësuar institucionet politike dhe aleancat jetike Perëndimore, siç janë NATO-ja dhe Bashkimi Evropian.”   Ndërsa, kolegu i tij, Senatori demokrat i shtetit Mariland, Ben Kardin, vuri në dukje fushatën ruse të desinfomimit, në lidhje me agresionin rus në Krime dhe në rajonin Donbas, duke theksuar gjithashtu përpjekjet ruse për të influencuar zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar në Amerikë, duke nënvijuar se fushata të tilla ndërmirren duke përdorur dhe duke përfituar nga institucionet tona demokratike të hapura, me qëllim për të avancuar agjendat strategjike të Rusisë.   Ndërkaq, bashkryetari i Komisionit të Helsinkit, Kongresisti republikan Kris Smith i shtetit Nju Xherzi – i njohur si mbrojtës i vendosur i të drejtave të njeriut anë e mbanë botës — i karakterizoi përpjekjet ruse të desinformimit, si pjesë e një strategjie ruse të një “lufte hibride” që duhet të përballohet nga Shtetet e Bashkuara dhe nga aleatët e tyre, duke përdorur një strategji të një “mbrojtjeje hibride”, kundër dezinformimit aktiv të Rusisë.

Në sesjonin e Kongresit amerikan, javën e kaluar, mbi këtë temë, ishte i ftuar edhe Xhon Lansing, Drejtori i Bordit të Transmetimeve të SHBA, (BBG), kreu i agjencisë që ka nën mbikqyrje Zërin e Amerikës, Radion Evropa e Lirë dhe transmetues të tjerë qeveritarë.   Z. Lansing në dëshminë e tij para anëtarëve të Kongresit bëri një paraqitje të strukturave dhe të veprimtarisë transmetuese të enteve nen mbikëqyrjen e tij, si dhe rolin shpjegoi  rolin që ato luajnë në neutralizimin e përpjekjeve ruse të dezinformimit.   “Strategjia ruse” — tha përgjegjësi për transmetimin e programeve amerikane anë e mbanë botës –“përpiqet të shkatërrojë thelbin e vet idesë të ekzistencës së fakteve dhe objektivitetit.   BBG-ja po i përshtatet sfidës së re duke u ofruar audiencave anë e mbanë botës një alternativë ndaj dezinformimit rus, me informacione dhe lajme objektive, të pavarura dhe profesionale”, u tha ai ligjvenësve amerikanë.

Ndërsa Molly McKew, Drejtoreshë e “Fianna Strategies” i tha Kongresit se fushata e desinfomimit nga ana e Rusisë, “Është thelbi i një lufte që shteti rus ka ndërmarrë kundër Perendimit në përgjithësi dhe kundër Shteteve të Bashkuara, në veçanti.”   Ajo u foli ligjvenësve amerikanë mbi nevojën për një përgjigje të bashkrenduar mirë ndaj kësaj fushate ruse, nga qeveria e Shteteve të Bashkuara dhe nga aleatët e tyre, ndërsa propozoi që ushtria amerikane të luaj një rol më të madh për të kundërshtuar përpjekjet ruse të desinformimit.

Melissa Hooper, Drejtoresha e “Human Rights and Civil Society Programs at Human Rights First”, i tha Kongresit se dezinformimi në fushën mediatike, është vetëm një prej metodave që përdor Moska për realizimin e agjendës së saj në nivel ndërkombëtar.   Dezinformimi i Rusisë, shtoi ajo, “Është pjesë e përpjekjeje të koordinuara mirë, me qëllim që të ndërpriten dhe të sulmohen normat liberale të demokracisë perëndimore kudo që paraqitet mundësia, duke përdorur influencën e saj ekonomike, ndërprerjen e zgjedhjeve dhe dobësimin e institucioneve shumëpalëshe perëndimore.”   Ajo veçanërisht theksoi rëndësinë e zgjedhjeve në Gjermani më 24 shtator dhe mundësinë që përpjekjet ruse të desinformimit, të influencojnë rezultatin përfundimtar të tyre.

Sesioni në Kongresin e Shteteve të Bashkuara mbi përpjekjet ruse të desinformimit në mbarë botën sidomos në rrjetët kryesore sociale, u mbyll me një paralajmërim të fortë nga Senatorja Xhinë Shahinë e shtetit Nju Hampshër.  “Unë besoj”, u shprej ajo, “se dezinformimi rus është një prej kërcënimeve më të mëdha me të cilën përballet sot demokracia jonë.   Ky është një kërcënim ndaj themeleve të vet demokracisë amerikane.   Dhe kjo nuk ka asgjë të bëjë me republikanë ose me demokratë.

Ekspertët diskutuan gjithashtu edhe për efikasitetin e kundërmasave të marra nga Shtetet e Bashkuara ndaj dezinformimit rus, në platforma të ndryshme, përfshirë rrjetët sociale.   Dhe nëse burimet aktuale buxhetore janë të majftueshme për t’u përballur me këtë kërcënim serioz ndaj rendit demokratik dhe nëse është i mjaftueshëm bashkpunimi aktual në luftën kundër manipulimit rus të rrjetëve sociale mbrenda vet qeverisë së Shteteve të Bashkuara, përfshirë Departamentin Amerikan të Shtetit, Departamentin e Mbrojtjes dhe USAID-i, por edhe nëse bashkrendimi me aleatët e Amerikës në Evropë, është i mjaftueshëm.Senatori republikan i shtetit Kolorado, Kori Gardner – duke venë në dukje seriozitetin e situatës së krijuar nga përhapja e lajmeve të fals nga Moska – bëri në fund të forumit një paralajmërimin se, “Objektivi përfundimtar i përpjekjeve për dezinformim nga ana e regjimit rus të Putinit, është për të zëvëndësuar rendin aktual botëror të udhëhequr nga Perëndimi  — dmth, sundimi i ligjit dhe institucionet demokratike perëndimore — me një rend të udhëhequr nga autoritarët, që kërkojnë nënshtrim të verbër e pa kundërshtim ndaj pushtetit autoritar të tyre”.

Filed Under: Opinion Tagged With: Dezinformimi rus, Frank shkreli, kercenim nderkombetar

Dështimit nuk ke çfarë t’i heqësh

September 21, 2017 by dgreca

…. Kjo është demagogji,(dhe mendoni se projektligjin e paraqet e majta!!!)  kur koha ka zhveshur herët nga dekoratat kallpe heronjtë e xhaketave të dokut të cilët here të shikojnë me lot në sy, here të flasin me inat. I ka zhveshur edhe për një fakt kokëfortë që ne nuk duam ta shohim, ata mbajnë dekoratat e shalle në qafë, jetojnë me to, por frymojnë me sytë nga fëmijët emigrantë./

5-Ilir-levonja-2-288x300-1-250x260

Nga Ilir Levonja/

Kur bisedon me të njohurit, por edhe me gjerë, plot syresh të flasin për valixhet me dekorata të baballarëve. Me sa kuptohet regjimi i kohës i kishte me tepricë. Dhe kjo është e kuptueshme pasi mbështetej në frymën e masave. Mua më kujtohet ai imi, një të tillë e mbante sipër dollapit të rrobave. E ruante me një fanatizëm sikur të ishin aty thesaret e karaibeve nga koha e kolonizimeve. Një vandak i tërë çertifikatash jo sulmues i pare, i dytë. Sidomos gjatë planeve që do sillnin përparimin e vendit. Por edhe ca kutiza veshur me llush, brenda sëcilës rrinin ca medalione bronzi.., apo ca çertifikata luksi me kore të trashë në të kuqe të thellë që stononin me ambjentin tone prej dy divanësh shtatë mijë lekësh, një bufe, e ato bandat e mureve me pejzazhe ekzotike nga Kina e largët. Dhe poshtë tyre, një librezë kursimi me rëndësinë e valixhes së kodeve bërthamore të Vladimir Putinit a Donald Trumpit. Kursime jete me qëllimin që të mos varrosej me lekë borxh. Kur erdhi dita, çfarë ishin aty nuk mjaftonin as për qivurin, jo më të tjerat. Por ai realitet më kujtoi një bisedë me gjyshin e sime shoqe, kur më tha një radhe se ne, njerëzit e thjesht, populli këto zakonet e hyrje daljeve i bënim nga halli. Me qëllimin të ndihmonim njëri-tjetrin, sidomos në vaki. Se morti vjen i paftuar!
Mu kujtuan këto kur pashë disa veteranë në Pezë. Në ato kronika gjysmë ironike të disa televizioneve, ku me bukë me vete përkujtonin luftën, babe Myslymin etj. Nga ana tjetër si ai ironiku, si ai mendje mbushuri (veterani) mendje top, dukeshin si një botë që asnjëherë nuk kanë për të ngjitur.
Por kanë për të vazhduar në atë avazin, njëri gozhdës e tjetri patkoit. Një ironi klasike e së përditshmes tone.
Sot në Shqipëri ka një përfolje për dekoratat. Një projekt ligj që do futet së shpejti në Kuvend. Kryesisht synon që t’i hiqen titujt hero i popullit, hero i punës socialiste, hero i popujve të Jugosllavisë, hero i popujve të Bashkimit Sovjetik etj., Enver Hoxhës dhe shpurës së tij. Do jetë vetëm për këta, apo edhe për të tjerët nga pas. Nuk e di, pasi nuk e gjej gjëkundi si draft… Po nuk është çështja kjo. Çështja është tek një lloj ideollogjie me të cilën ne duam të ndërtojmë demokracinë.
Gjatë këtyre njëzetë shtatë viteve demokraci, nuk pati kurrë një inisiativë intelektuale së pari për të qëruar të kaluarën nga ato momente a njerëz që kanë dëmtuar si realitetin e luftës, por edhe janë bërë shkaktarë e pjesëmarrës në krimet e diktaturës së proletariatit. E njëjta gjë edhe me ata që pretendojnë përmes shembujve dhe kulturës së viteve dyzetë, se janë ajka e antikomunizmit me të mirat dhe të këqijat që kanë. Sot diskutohet e shkuara, përqeshet, ironizohet, me të njëjtin ton si ai viteve dyzetë. Dhe kjo është e hidhur përballë realitetit të kohës, i cili kërkon njëkohësisht, pendesën, reflektimin, uljen e nervave dhe hapjen udhë të vlerave në mënyrë të atillë që kombi të ketë heronjtë e tij. Jo heronjtë e palëve. Kjo mbajtje krahu, nga palët, është sot arsyeja pse shqiptarët si dje në diktaturën e proletariatit, edhe sot në këtë dëm demokracinë tone, kanë në shtëpitë e tyre valixhe të mbushura me dekorata. Pa asnjë vlerë morale, por edhe monetare jo, jo. Kjo është demagogji,,(dhe mendoni se projektligjin e paraqet e majta!!!) – kur koha ka zhveshur herët nga dekoratat kallpe heronjtë e xhaketave të dokut të cilët here të shikojnë me lot në sy, here të flasin me inat. I ka zhveshur edhe për një fakt kokëfortë që ne nuk duam ta shohim, ata mbajnë dekoratat e shalle në qafë, jetojnë me to, por frymojnë me sytë nga fëmijët emigrantë.
Dështimit nuk ke çfarë t’i heqësh. Me të tjera ligje bëhet bëhet ekonomia e tregut.

Filed Under: Opinion Tagged With: Ilir Levonja, Mos i hiqni dekoratat

Preokupimi i sinqertë i prindit amerikan

September 20, 2017 by dgreca

1 albana

(Duke lexuar librin e Ben Sasse “The Vanishing American adult”)/

2 albana M Lifschin

Nga Albana M. Lifschin/
Duke folur për rritjen e brezit të ri, grekët e lashtë dhe romakët dallonin midis atyre që “piqen mirë si rrushi dhe bëjnë verë të mirë dhe atyre që moshohen keq dhe përfundojnë në uthull”.
Libri ka për qëllim që të ngjallë debate të nevojshme për të bërë lidhjen midis mënyrës se si po rriten fëmijët e sotëm amerikan dhe të ardhmes së Amerikës.
Autori pohon se “ne sot jetojmë krizën e daljes nga mosha e adoleshencës dhe hyrjes në maturi, e cila s’ka paralel në historinë e Amerikës; Në këtë libër Ben Sasse ndan shqetësimin e tij si prind dhe si patriot. Vite më parë, Ben Sass(Senator i Nebraskës) ka qenë president i Midwestern College në Nebraska, pozicion që e mundësoi atë t’i studionte nga afër fenomenet e moshës së re, dhe konkludoi se nëqoftëse të rinjtë e sotëm nuk do të edukohen me një synim të caktuar si “gjeneratë që do të drejtojë vendin”, ky do të qe kërcënim real për mënyrën e jetesës amerikane.
Dalja nga adoleshenca dhe hyrja në moshë te pjekur përmban në vetvete përgjegjësi vetiake dhe shoqërore. Sipas statistikave, 30% e studentëve në kolegjet amerikane e lënë atë që në vitin e parë të studimeve. Vetëm 40 për qind e tyre diplomohen. Një e treta e të rinjve të moshave 18-34 vjeç jetojnë me prindërit.
Shumica e fëmijëve mbi moshën 13 vjeç harxhojnë më shumë se 60 % të kohës duke konsumuar median në internet. Dikur, shumë nga fëmijët që dilnin nga adoleshenca, bëheshin ekonomikisht të pavarur e krijonin familjet e tyre. Sot kjo gjeneratë duket e vonuar, ose e ka “kapërxyer” pa e përjetuar atë. Autori vëren se gjenerata e re e amerikanëve ka nevojë të maturohet, të mësojë për Amerikën, për të veçantën e këtij vendi; të mësojë se liritë që gëzojnë sot nuk duhen marrë si të mirëqëna një herë e përgjithmonë, por duhet punuar për t’i ruajtuar e trashëguar ato; të mësojë për historinë e dhe kushtetutën amerikane që mbahet e shenjtë nga prindërit e tyre.Presidenti Ronald Reagan ka thënë:“Liria nuk na përket thjesht si trashëgimi. Për mbrojtjen e saj duhet luftuar vazhdimisht, nga çdo gjeneratë, sepse ajo i vjen popullit vetëm njëherë. Ata që e kanë njohur lirinë dhe pastaj e humbasin, nuk kanë për ta parë më”.
Mënyra se si rriten fëmijët e sotëm, thekson autori, lidhet me statusin e të ardhmes së vendit. Ne jetojmë në Amerikën e adoleshencës së përjetshme. Fëmijët tanë nuk e dijnë tashmë se ç’është një i rritur(adult) dhe si mund të bëhesh i tillë. Shumë syresh as nuk e shohin të arsyeshme se përse duhet ta dijnë. “Por më shumë problematike se kjo, është që ne prindërit kemi harruar që kjo është detyra jonë.
Adoleshentët i karakterizon pasiviteti. Sot Amerika gëzon një superbollëk që nuk e ka patur asnjëherë në historinë e saj. Eshtë vështirë t’i zgjosh fëmijët nga plogështia që u shkakton bollëku. Gjenerata e prindërve dinte të bënte dallimin midis luksit dhe nevojës. Njeriu jeton edhe pa luks. Kurse fëmijët e sotëm nuk e njohin dallimin midis “I need” dhe “I want”. Bollëku i jashtëzakonshëm i Amerikës ka ushqyer një pasivitet të dukshëm. Pasiviteti sot karakterizon jo vetëm moshën e adoleshencës por edhe ata që janë më të rinj e po ashtu edhe ata që kanë hyrë në moshë të pjekur. Njerëzit janë mësuar që në foshnjërine e tyre që t’i kenë të gjitha të gatshme para tyre, duke mos lëvizur asnjë gisht për to.
Ideali amerikan që puna është një komponent i nevojshëm për t’u formuar si njeri i pjekur, përmbledh në vetvete edhe përgjegjsinë. Shumica e amerikanëve kanë lindur me një ndjenjë të brendëshmë shpirtërore për ta investuar kohën në mënyrë produktive. Amerika e ruan etikën e vjetër të punës, madje edhe kur përpjekja për mbijetesë nuk është më e nevojshme. Njihet proverbi : “Duke ndenjur kot, ne vjedhim vetveten”. Këto mësime që janë marrë e kultivuar nga gjyshërit e prindërit, egziston rreziku të harrohen nga brezi i sotëm i adoleshentëve. “Puna- këshillonte Albert Ajnshtajni nipin e tij –është e vetmja gjë që i jep jetës kuptim”. Autori sjell shëmbuj interesantë nga jeta dhe figurat e rëndësishme të historisë së Amerikës, si edhe e njerëzve të zakonshëm.
Teodor Ruzvelti , ish presidenti i SHBA, pati një vegjëli e rini të vështirë për shkak të shëndetit të lig. Me punë dhe vullnet të madh ai e shndëroi veten në një njeri të fuqishëm fizikisht. Me forcën e vullnetit djali jo vetëm u përmirësua, por shkoi edhe me tej. Ai mori mësime boksi në mënyrë që t’i dilte vetes për zot e të mos i trëmbej askuj. Më vonë, student në kolegjin e Harvardit, Tedi Ruzvelt u shqua në një kampionat boksi duke fituar admirimin e spektatorëve “ Në botë nuk vlen asgjë, nëse nuk është arritur përmes veshtirësive” thoshte Ted Ruzvelti Edhe kur u bë president i SHBA , ai luante futboll e bënte boks. Në filmin amerikan “Shawshank Redemtion”, ka një skenë domethënëse, kur te burgosurve iu kërkua të dilnin vullnetarë për një punë të vështirë. Dolën 100 të burgosur. Ata punuan shumë mbi çati dhe puna u shpërblye me një shishe birrë për secilin. Personazhi i filmit i luajtur nga Morgan Freeman thotë: “ Ne pimë birrën duke patur diellin mbi kokë dhe u ndjemë si njerëz të lirë”
Autori konkludon që fëmijët bëhen të pjekur e të përgjegjshëm për të ardhmen ,jo përmes pekuleve,,përkëdheljeve, por nëpermjet njohjes së punës e vëshirësive të saj. – Për të rinjtë e sotëm amerikanë, dalja nga adoleshenca dhe hyrja në moshën kur kultivohet pjekuria dhe përgjegjsitë, tingëllon si një shaka, ndryshe nga e kaluara kur kufiri midis këtyre dy fazave ishte krejt i qartë.
Të preokupuar për edukimin e fëmijëve me ndjenjën e punës, Ben Sass sëbashku me bashkëshorten vendosen ta dërgonin vajzën e tyre 14 vjeçe në fermë, për një muaj. E lanë atje, në familjen e një fermeri duke e këshilluar të punonte shumë e pa u ankuar,e t’i bënte krenar prindërit. Vajza u mor me të gjitha llojet e punëve, që nga pastrimi i grazhdit , ushqimi i lopëve e deri tek përvoja e pjelljes së bagëtisë. Vajza i dërgonte nënës së saj mesazhe çdo ditë dhe shprehej e emocionuar nga çdo gjë të re që mësonte. Disa prej tyre nëna e saj i përcillte në fb tek të njohurit e saj. Vajza adoleshente po kalonte një përvojë të re dhe ndihej e gëzuar. Vajza u kontaktua nga Wall Street Journal dhe u bë një shkrim për të. Ndërkohë që prindërit po mendonin se si ta shpërndanin këtë eksperiencë, për t’u përqafuar edhe nga prindër të tjerë, ja behën njerëzit e ligjit duke u thënë prindërve që ata kishin thyer ligjin e punës sipas të cilit për moshën e vajzës nuk lejohej të punonte. Disa shtete dhe ligji federal e bëjnë shumë të vështirë për adoleshentët (15 , 16, 17 vjeç) edukimin e ndjenjës së punës, ndërkohë që fëmijët e fermerit rriten në fermë dhe punojnë së bashku me prindërit. Rritja e një brezi të vlefshëm e jo të llastuar, e një brezi që nuk i trembet vështirësive, ky duhej të jetë preokupimi i prindërve të sotëm .
Dhënia pas botës materiale
Sociologu Kristian Smith në testimet e tij me të rinj të moshës 18-23 vjeç, arriti në përfundimin se gjenerata Z( ata që kanë lindur pas 1995) dhe një shumicë e madhe e millenials(atyre që kanë lindur midis 1980 -1995 ) janë materialistë të pandryshueshëm(të pareflektushëm) dhe robër të konsumerizmit. Nga ata që u intervistuan, 65% thanë se bërja e pazarit, blera e sendeve të ndryshme, prishja e parasë u jep kënaqësi të madhe. Edhe pse pyetjet ishte të ndërtuara në mënyrë të tillë që t’i orientonin drejt vlerave morale shpirtërore përsëri përgjigjet shkonin drejt kënaqësisë materiale. Më tepër se gjysma e të rinjve që po dilnin nga adoleshenca ishin të një mendje që mirëqënia matet me atë që pronëson, dhe blerja e sa më shumë gjërave i bën ata më të lumtur, dhe se ata përftojnë kënaqësi të madhe vetëm nga blerja e tyre. Askush nuk përmendi, (asnjë!) nuk u shpreh me skepticizëm ndaj mungesës së mënçurisë e seriozitetit në citimin “Paraja e blen lumturinë”. Në të kundërtën, përgjigjet qenë të njejta: “Nëse të pëlqen diçka, bleje”, çfarëdo që të bën ty të lumtur!” Kur të rinjve iu kërkua mendimi nëse ishin shumë të fiksuar pas bërjes së pazarit, shtimit të mallit material, një nga përgjigjet e shqetësoi sociologun në veçanti: “Hej, ky është kapitalizmi. Unë tani jam bërë tifoz i madh i tij”.
M’u kujtua libri i gazetarit Mitch Albom(fitues i çmimit Pulitzer)
(“ Tuesdays with Morie”(Të martat me Morin) i cili e lidhte lumturinë e njeriut jo me anën materiale, por me atë shpirtërore, me vënien e dijes, kapacitetit të njeriut në shërbim njerzimit.
Dhënia pas pasurisë është një sëmundje që ka pushtuar edhe rininë dhe familjet në vendlindjen tonë. Të rinjtë, ashtu si prindërit i shesin mënd njeri tjetrit për çdo të mirë materiale që blejnë e posedojnë. Një farë konkurimi material i pashpirt.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: “The Vanishing American adult”, Albana M. Lifschin, Ben Sasse

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 465
  • 466
  • 467
  • 468
  • 469
  • …
  • 860
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Sot dita e lindjes së atij që i dha Shqipërisë Pavarësinë numër 2: Thomas Woodrow Wilson
  • DR. STEPHAN RONART (1933)  : “JA SI PJETËR BUDI DO TA RISHKRUANTE LETRËN E TIJ DËRGUAR 4 SHEKUJ MË PARË DUKËS SË SAVOJËS PËR TURIZMIN AKTUAL NË SHQIPËRI…”
  • PLUHUR VEZULLUES YJESH NGA LASGUSHI IM
  • BASHKËBISEDIM KULTUROR – Kristo Floqi dhe Komedia Shqiptare
  • MESAZHE TË BUKURA NJERËZORE
  • Kushtrim Shyti, djali i mësuesit, poetit dhe dëshmorit të UÇK-së, Mustafë Shyti, vizitoi Vatrën
  • KOSOVO CINEMA IN NEW YORK CITY: DOUBLE BILL WILL SCREEN IN MANHATTAN AND BRONX FOR BRONX WORLD FILM’S 15th ANNIVERSARY
  • NUK MUND TË ANASHKALOHET ROLI I ERNEST KOLIQIT NË FORMIMIN E MARTIN CAMAJT
  • MALI I ZI, VENDI KU KSENOFOBIA NDAJ SHQIPTARËVE ËSHTË NË RRITJE E SIPËR
  • “Kosova Lindore, dje, sot dhe sfidat e së ardhmes”
  • TIDENS TEGN (1929) / LETRA E EVELYN STIBOLT, MËSUESES NORVEGJEZE TË KUZHINËS SHKOLLORE : “EKSPERIENCA IME NË SHKOLLËN PËR VASHA NË KORÇË…”
  • FOTO – STUDIO VENETIKU dhe fotografja e parë shqiptare që vdiq në burgjet e diktaturës
  • KLINIKA E POEZISË, VISARI NË UNIVERSITETIN ILLINOIS, SHBA…
  • Dialogu dhe politika e jashtme e Kosovës, katër vitet vendimtare për shtetin
  • KRISHTLINDJET…

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT