• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PRESIDENTI THAÇI: Rrugën ma prenë!

June 29, 2020 by dgreca

-Do të jap dorëheqje nëse konfirmohen akuzat/

  • Nuk e di a ishte rastësi apo ishte intrigë që-në mes të rrugës drejt Shtëpisë së Bardhë – doli njoftimi për një aktakuzë të pakonfirmuar…A thua ky do të jetë çmimi i fundit që duhet paguar për lirinë e Kosovës?
  • Do ta mbaj këtë barrë dhe ta mbroj veten time, luftën tonë për liri, me çdo forcë që kam.
  • Nuk do të lejoj që këto akuza false të zhvendosin vëmendjen e Kosovës nga marrja e vendit që meriton në bashkësinë ndërkombëtare, si anëtare e Kombeve të Bashkuara, NATO-s dhe Bashkimit Evropian.
  • Adresimi i Presidentit të Republikës së Kosovës për qytetarë

Motra dhe vëllezër,

bashkëqytetarë dhe bashkatdhetarë, në Kosovë, në Shqipëri, në Maqedoni, në Mal të Zi, në Luginën e Preshevës dhe në diasporë,

Ju drejtohem sonte nga kjo zyrë ku prej 1542 ditësh kam nderin e jashtëzakonshëm të ushtrimit të detyrës së lartë të Presidentit të shtetit tonë, Kosovës së lirë, të pavarur dhe demokratike!

Zemra ime është e lënduar, por jo e thyer.

Mendja ime është e rënduar, por jo e turbulluar.

Gjaku im është i nxehur, por i pastër dhe i njëjtësuar me gjakun e bashkëluftëtarëve që humba në luftë.

Është i njëjtë me gjakun e atyre që më kanë dashur e më kanë mbështetur pa kursim në këtë rrugëtim për liri dhe shtetndërtim.

E në këto çaste edhe me gjakun e atyre që më kanë kundërshtuar, më kanë paragjykuar apo gjykuar ndryshe nga çfarë unë do të dëshiroja.

Ndjehem sot, si asnjëherë më parë, krejt i çliruar prej brengave dhe peshës së ballafaqimeve politike.

Këto brenga nganjëherë kanë marrë përmasa më të mëdha se sa që e kanë merituar.

Kanë mjegulluar në sytë tuaj faktin e thjeshtë se jemi të gjithë bij e bija të kësaj toke dhe të gjithë e duam më të mirën për atdheun tonë, Kosovën.

Por, politika i ka edhe këto.

Është krejt e natyrshme që në këtë moment jo të lehtë për mua, më janë kujtuar ata që kanë dhënë jetën për liri.

Të tjerë që i kam njohur gjatë rrugës time të gjatë, nga koha kur isha një djalë idealist që doja të ndryshoja botën, e deri tek e sotmja me thinja të bardha.

Kam kujtuar momente historike e momente krejt personale.

Kam menduar për prindërit e mi, gjyshërit, familjen dhe djalin tim, Endritin.

Ai që sot është bërë burrë e mund ta shoh në sy pa mu dridhur qerpiku lidhur me gjoja nisjen e një procesi për krime lufte!

E kam kuptuar shumë herët se ne, luftëtarët e UÇK-së, do të paguanim një çmim të madhe njerëzor, familjar e politik.

Ky është çmimi për lirinë e Kosovës.

Është e drejtë që duhet të zbardhet çdo pretendim e çdo akuzë për krime lufte, prej kujtdo dhe kudo që ka ndodh.

Bashkëluftëtarët e mi, me disa prej të cilëve paqja na ka ndarë shpesh në taborë të ndryshëm politikë, i kanë sfiduar me forcën e madhe të së vërtetës shumë fabrikime të ulëta dhe në fund pafajësia e tyre ka shkëlqyer mbi plehun e akuzave monstruoze.

Njëjtë do të jetë edhe me mua dhe me vëllain tim nga gjaku i luftës, Kadri Veseli.

Të dashur qytetarë,

Gabime politike në paqe mund të kem bërë, por krime lufte asnjëherë!

Edhe po të kthehesha mbrapa, në kohën e zezë të Slobodan Millosheviqit, do të bëja të njëjtën gjë, duke iu përgjigjur plumbit armik me plumbin e etjes për liri dhe duke mos i hyrë kurrë në hak asnjë qytetari serb, rom apo shqiptar.

Por, një gjë më lejoni ta bëj shumë të qartë:

Mbi dy dekada i kam mbështetur iniciativat për ngritjen e gjykatave me përfshirje apo mbikëqyrje ndërkombëtare.

Ky parim mbetet i njëjtë edhe sot, kur jam unë, Hashim Thaçi, që personalisht do të mund të përballem me një gjykatë për të cilën kam dhënë mbështetjen time politike, me fjalë e me votë.

Në atë kohë, kishim përballë vetëm dy rrugë.

Njëra të cilës i kam besuar tërë jetën e i besoj edhe sot – ecjes përpara në aleancë të ngushtë me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian;

Dhe e dyta që kjo çështje t’i lihet në dorë Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ku kanë ndikim të fuqishëm vendet që e kundërshtojnë shtetin e Kosovës.

Vendimi im ishte strategjik në përputhje me vizionin për të ardhmen e Kosovës.

Dhe nuk kam shikuar për përfitime ditore e politike.

Sot, kush thotë se qenkam bërë pengesë, madje edhe sabotues i kësaj gjykate, në rastin më të mirë është i keqinformuar dhe në rastin më të keq është tendencioz.

Por, nga ana tjetër, dikush duhet ta bëjë bilancin e këtyre 21 viteve hetime, procese dhe gjykime për krimet e luftës në Kosovë.

Të dashur qytetarë,

Unë do të isha njeriu më i lumtur nëse do të shihja se bashkësia ndërkombëtare aplikon standarde të njëjta mes Kosovës e Serbisë në adresimin e krimeve të luftës.

Fatkeqësisht, jo vetëm që nuk e shoh këtë standard e proporcionalitet, por shoh të kundërtën e tij.

Dhe ja ku jemi sot.

Serbia ecën në rrugën e negocimeve për anëtarësim evropian, ndërsa Kosova nuk gëzon të drejtën e lëvizjes së lirë!

Natyrisht që unë nuk shoh këtu ndonjë komplot kundër Kosovës.

Por është fakt dallimi në qasjen e bashkësisë ndërkombëtare ndaj dy vendeve.

Padyshim edhe ne kemi gabimet dhe përgjegjësitë tona.

Unë i pari dhe bashkë me mua krejt udhëheqësit e partive politike në Kosovë, që prej disa vitesh nuk kemi arritur ta ruajmë kohezionin politik.

Por asnjë faj a gabim i yni apo i imi, nuk e justifikon faktin që Kosova qe 21 vjet vazhdon me proceset e ballafaqimit me krime lufte në hapësirën e saj.

E në anën tjetër në Serbi ka rënë heshtja e varrit për krimet e luftës.

Këtë heshtje të Serbisë e bën edhe më të rëndë heshtja e bashkësisë ndërkombëtare.

Ne jemi angazhuar, unë personalisht jam angazhuar fuqimisht, për dialog e paqe me Serbinë.

Por, nuk pajtohem as nuk e pranoj dot faktin që për mijëra shqiptarë të zhdukur nga makineria vrastare e Sllobodan Millosheviqit, eshtrat e të cilëve janë në dheun e Serbisë, të mos ketë as deklarata të ndërkombëtarëve.

A mos vallë duhet të presim edhe ditën kur të na thuhet se duhet t’i kërkojmë falje Serbisë për të zhdukurit tanë, për nënat e motrat tona ta përdhunuara, për spastrimin etnik dhe gjenocidin kundër nesh?!

Kjo pyetje absurde lind natyrshëm pasi askujt në Serbi më nuk i kërkohet llogari për krimet e luftës!

Megjithatë, nuk dua të zgjatem sot me këtë teme krahasimi të proporcioneve të drejtësisë për krimet e luftës, e cila me siguri do të zërë vend në historinë e drejtësisë dhe politikës ndërkombëtare si një faqe e zymtë e tyre për këto dy dekada.

Qytetarë të nderuar,

Në këto dy dekada kam pasur privilegjin të kem mbështetjen e shumicës prej jush, duke shërbyer në krye të institucioneve më të larta shtetërore.

Natyrisht, në këto dy dekada, pa dashje, kam bërë edhe ndonjë lëshim.

Disa prej këtyre sot i di edhe vetë.

Unë nuk hezitova që me bashkëluftëtarët të bëj luftë me armë e me diplomaci kundër Serbisë, pa marrë parasysh çmimin që mund të paguaja, deri edhe me jetën time.

Lufta ka përfunduar.

Kosova është e lirë dhe shtet sovran.

Prandaj në dy dekadat e fundit kam punuar dhe do të punoj për paqe dhe pajtim me Serbinë dhe në tërë Ballkanin.

Sot jetoj jo thjesht për veten e për familjen time,… por edhe për ata shokë që kam varrosur gjatë luftës,… për prindërit dhe për fëmijët e tyre e për nipat e mbesat e tyre.

Jetoj për misionin historik të cilit i përkas bashkë me Kadri Veselin, Ramush Haradinajn, Fatmir Limajn, e shumë të tjerë që ishin të parët në luftën për liri, por edhe të parët të goditur e të sulmuar pas lufte.

Të dashur qytetarë,

Ne nuk shkuam në luftë për të fituar zgjedhje e as për të marrë pushtet.

Shkuam ja për të jetuar të lirë, ja për të vdekur për liri!

Nuk kishim asgjë përveç ëndrrës së madhe për liri dhe pavarësi.

Bashkërisht ëndrrën e bëmë realitet.

Por, kalimi nga shtigjet e luftës çlirimtare në korridoret e institucioneve nuk mund të ishte për ne as i thjeshtë, as i lehtë.

Mund t’ju them se më shumë kisha drojë nga këto korridore, se sa shtigjeve të luftës.

Në luftë flija pak, por gjumi më ripërtërinte.

E pas luftës, flija pak po ngrihesha i sfilitur nga dilemat si ta bëja më mirë punën e ditës së re.

Bëra sa munda, por jo aq sa do të doja.

Por, sot nuk dua të rendis të arriturat e karrierës sime, sepse ky nuk është as një mesazh lamtumire, as një moment bilanci pune për mua.

Dua vetëm t’ju them se kam mbajtur mbi kurriz shumë akuza dhe shumë ofendime gjatë tërë këtyre viteve.

As nuk e kam mohuar ndonjëherë kur kam qenë në krye të Qeverisë, as nuk e mohoj sot, se ashtu siç ka pasur arritje në zhvillimin e Kosovës, po ashtu kam pasur sfida në qeverisje dhe drejtim të shtetit.

Kjo është e natyrshme për një lider.

Por, një gjë është e sigurt: nuk ka pasur dhe nuk mund të ketë qoftë edhe një provë të vetme në adresën e Hashim Thaçit për shkelje të ndonjë ligji.

Ligji i vetëm që kam shkelur është ai i Millosheviqit.

Unë nuk jam i ramë prej qiellit dhe nuk jam shenjtor.

Fati im në rrethana krejt të veçanta historike ma përcaktoi vijën e jetës dhe të sjelljes sime.

Politika nuk ishte asnjëherë burim jetese për mua, por mision i shenjtë për t’i shërbyer vendit dhe juve qytetarë të dashur.

Nuk gjendet as në Kosovë e askund në këtë botë dikush që t’i kem borxh.

Por, kujtdo që ma ka dhënë edhe vetëm njëherë votën përgjatë gjithë kësaj pjese të karrierës sime që ende vazhdon, sonte dua t’i them:

Me fal në qoftë se s’kam bërë gjitha ato që ke pritur prej meje, por të jesh i bindur që besimin tënd nuk e kam shpërdoruar.

Përkulem para besimit tuaj.

Të nderuar bashkëqytetarë,

Kosova po hyn në një kapitull të ri dhe aspak të lehtë.Por kjo nuk është asgjë e re, pasi historia jonë ka pasur shumë periudha të vështira.Ky është një kapitull i ri edhe për mua dhe në këto momente ende nuk e di se sa i vështirë do të jetë.Por, unë jam gati ta shkruaj këtë kapitull me të vërtetën time përballë kujtdo qoftë.

Nuk e di a ishte rastësi apo ishte intrigë që – në mes të rrugës drejt Shtëpisë së Bardhë – doli njoftimi për një aktakuzë të pakonfirmuar.

A thua ky do të jetë çmimi i fundit që duhet paguar për lirinë e Kosovës?

Rrugën ma prenë.

Por, nuk ma cenojnë besimin në vlerat që përfaqësojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Shtëpia e Bardhë për mua dhe për qytetarët e Kosovës.

Në praktikën e drejtësisë në botën e qytetëruar, lajmërimi publik i një aktakuze ende të pa miratuar nga trupi gjyqësor, është një skandal i madh.

Asnjë krim i supozuar apo edhe i kryer nga kushdo, nuk e justifikon linçimin publik.

Asnjë qëllim i mirë dhe asnjë vullnet i madh për drejtësi, nuk e arsyeton fabrikimin e një bombe mediatike për të inkriminuar të parin e shtetit të Kosovës, pikërisht në momentin kur dialogu me Serbinë kishte hyrë në një fazë të re falë angazhimit të drejtpërdrejtë të Shtëpisë së Bardhë.

Cilës drejtësi i intereson kjo ngutje e rrufeshme dhe kjo shkelje flagrante e rregullave të një procesi të drejtë e të pavarur gjyqësor?

Kjo pyetje do të duhet shtjelluar në kohën e duhur dhe në vendin e duhur.

Ndërsa përgjigja e shkurtër për këtë pyetje është se:

Ajo komunikatë hodhi në erë dhe pamundësoi takimin shumë të rëndësishëm në Shtëpinë e Bardhë, duke i dhënë goditje të fortë mundësisë së arritjes së paqes Kosovë-Serbi.

Prandaj apeli me të cilin dua ta mbyll ketë mesazh sonte është:

Kosova duhet të sigurojë funksionimin stabil të institucioneve shtetërore, në çdo rrethanë.

Në këtë kapitull të ri e të vështirë vetëm të bashkuar mund të ecim përpara, si në rrafshin kombëtar, ashtu edhe në atë ndërkombëtar.

Ditëve në vijim do të konsultohem me liderët politikë për hapat e mëtejmë.

Ju siguroj edhe një herë, me drejtësinë nuk do të përballem nga kjo zyrë.

Nëse aktakuza konfirmohet, unë menjëherë do të jap dorëheqje si President i juaji dhe do të përballem me akuzat.

Kosova është shtet i ri, por udhëheqësit e saj duhet të sillen si burrështetas të vërtetë.

Do ta mbaj këtë barrë dhe ta mbroj veten time, luftën tonë për liri, me çdo forcë që kam.

Nuk do të lejoj që këto akuza false të zhvendosin vëmendjen e Kosovës nga marrja e vendit që meriton në bashkësinë ndërkombëtare, si anëtare e Kombeve të Bashkuara, NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

Kosova është atdhe i të gjithë qytetarëve të saj.

Një shtet evropian e një shoqëri multi-etnike.

I them edhe një herë JO hakmarrjes dhe PO tolerancës ndëretnike.

Vetëm duke ndërtuar demokracinë qytetare ndërtojmë të ardhme euroatlantike.

Filed Under: Analiza Tagged With: Jap doreheqjen, nese konfirmohen akuzat, Presidenti Thaçi

Presidenti Thaçi:Duhet ta ruajmë rendin kushtetues

May 29, 2020 by dgreca

Kosova, e ndërtuar mbi themele të forta/

Shkruan ne FB: Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi/

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese dëshmoi që Kosova është e ndërtuar mbi themele të forta dhe ka demokraci të qëndrueshme, e cila i përgjigjet vullnetit të popullit si tërësi.

Tani duhet sa më parë që të themelohet Qeveria e re, pasi rrethanat kërkojnë një Qeveri funksionale. U bëj thirrje të gjitha institucioneve, të gjitha partive politike, që t’i zbatojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe të punojnë së bashku që ta kemi tranzicion të rregullt.

Duhet ta ruajmë rendin kushtetues, integritetin e sistemit të drejtësisë, paqen dhe stabilitetin.

Duhet të përqendrohemi në atë që është kryesorja për qytetarët e Republikës së Kosovës dhe të sjellim zhvillim e prosperitet për të gjithë. HTH

Filed Under: Komente Tagged With: Presidenti Thaçi, rendin Kushtetues, Te ruajme

Presidenti Thaçi: Mirënjohja jonë do të jetë e përjetshme për SHBA dhe diasporën shqiptare në Amerikë

May 13, 2020 by dgreca

Shënim i redaksisë: Zoti Ekrem Bardha është njëri ndër shqiptarët më të spikatur të diasporës shqiptare në SHBA, e jo vetëm, i cili jetën e tij, ia ka kushtuar çështjes shqiptare në përgjithësi dhe në veçanti ëndrrës për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. 

Nga libri i tij me kujtime, mbresa, takime, biseda dhe intervista, i cili është në procesin e redaktimit përfundimtar, “Pavarësia e Kosovës, Amerika dhe Diaspora”,  zoti Bardha na besoi intervistën me zotin Hashim Thaçi, presidenti i Republikës së Kosovës.

Duke e falenderuar zotin Bardha për bashkëpunimin e herëpashershëm me gazetën Dita, gjejmë rastin dhe i urojmë Ditëlindjen e tij, e cila është pikërisht sot. Edhe Njëqind!

 Bisedë me Presidentin e Kosovës, zotin Hashim Thaçi

Emrin e Zotit Thaçi e kam dëgjuar thuajse në të njëjtën kohë me fillimin e luftës në Kosovë dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ishte shumë intriguese, e shpesh herë e domosdoshme,  të dinim se cilët janë njerëzit që po i prinin luftës në Kosovë, kush ishin ata, çfarë qëndrimesh kishin, cili ishte vizioni i tyre për Kosovën dhe pasluftën, për vetë zhvillimet e mëtejshme.

UÇK-ja po dilte nga ilegaliteti, pra nga e fshehta e saj dhe, disa emra po bëheshin të njohur. A ishin këta ekstremistë apo terroristë, si përpiqej t’i etiketonte një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit, karriera e të cilit përfundoi pas këtyre konkludimeve historikisht e praktikisht të gabuara, apo, si na e donte zemra, ishin idealistë dhe atdhetarë?

Në një takim në Departamentin e Shtetit, në fillimin e marsit 1998, ku ishim ftuar sëbashku me disa shqiptarë të njohur, figura eminente të mendimit politik të atjeshëm, zoti Gilbard, zyrtar i lartë i këtij Departamenti, sapo u ulëm, na tha se në Kosovë është shfaqur UÇK-ja , e cila është ekstremiste dhe terroriste. I rashë me grusht tavolinës dhe i fola me zë të lartë, “Turp të kesh. Ajo është Ushtri Çlirimtare, ndaj bëj kujdes”. Pas meje foli Harry Bajraktari dhe të gjithë u zemëruam aq shumë e bëmë aq fjalë me zë të lartë, sa menduam se pas kësaj do të na ndalonin. Në fakt, ndodhi ndryshe. Atë e larguan nga detyra.

Sa më shumë zgjerohej lufta në Kosovë, aq më i pranishëm bëhej emëri i Thaçit, por vetëm në rrethe të ngushta. Në Rambuje ai u vendos në qendrën e vemendjes. Tani për të flisnin të gjithë. Diplomacia botërore ishte ndalur tek emri i tij. Ai po bëhej epiqendra e gjithë asaj që zhvillohej në Kështjellën e Rambujesë dhe jashtë saj.

Isha atyre ditëve në Rambuje, për të ndjekur nga afër zhvillimet. Në një darkë të përbashkët, ku kisha ftuar edhe Ismail Kadarenë dhe diplomatin e njohur amerikan, Kris Hill, ndërsa flisnim për Rambujenë, u fol edhe për Hashim Thaçin dhe këmbënguljen e tij për të marrë sa më shumë nga Konferenca, zemërimet e diplomatëve, por edhe adhurimin; Kadareja tregoi për bisedën e gjatë që kishte bërë me disa nga drejtuesit e UÇK-së dhe letrën që u kishte dërguar. Hashim Thaçi po hynte kështu natyrshëm në politikën shqiptare dhe përtej saj.

Disa kohë më pas, në një takim me zonjën Ollbrajt, ajo do të thonte se Hashim Thaçi ishte një negociator i vështirë, ndoshta më i vështiri që kishte takuar.

Ky djalë i ri, më i riu në Delegacionin shqiptar të Kosovës në Rambuje, po bëhej i njohur dhe enigma rreth tij po zhdukej.

Hashim Thaçi është pa dyshim njëri ndër politikanët më karizmatikë shqiptarë. Ka një jetë të habitshme pas vetes, por edhe shumë domethënëse. Një jetë të çuditshme, që nga prorektor i Universitetit të Prishtinës, pjesë e lëvizjes klandestine, organizator i Luftës së Kosovës dhe drejtor politik i UÇK-së, kryeministër i Qeverisë së Përkohshme, lideri i opozitës e, më pas, në të gjitha postet drejtuese të shtetit.  Sido që të trajtosh figurën e tij, nuk mund ta ndash nga disa prej akteve më themelore të epokës së tashme: nga lufta për liri, në të cilën ai ka rolin e veçantë drejtues, në realizimin e lirisë, në ndërtimin e institucioneve të Kosovës, dhe, në shpalljen e Pavarësisë. Një jetë plot ngjarje dhe, deri diku mund të duket e pabesueshme. Por, kështu ka ndodhur.

Hashim Thaçi është shtetari me lidhjet më të forta, të qëndrueshme, dinjitoze, dhe pavarësisht se kush ka qeverisur në Uashington, më i besuari në dekadat e fundit. Në një mënyre a një tjetër ai mbetet adresa e parë e politikës amerikane në Kosovë.

E kam takuar më pas në vende të ndryshme dhe pak gjë ka ndryshuar nga ai që ishte në Rambuje. Kemi biseduar në Tiranë apo në Prishtinë, kam pasur nderin të dekorohem disa herë nga ai dhe, tani, një pjesë nga biseda jonë po e përcjell edhe për lexuesit e këtij libri.

Ishte një bisedë e gjatë, për shumë gjëra që qëndronin varur mbi fatin e Kosovës, por, mbi të gjitha për një temë të përbashkët: të ardhmen e Kosovës.

–Zoti President, prej shumë kohësh Kosova ka qenë një ndër vendet më të “përkëdhelura” të Shteteve të Bashkuara, nëse mund ta quajmë kështu. Për herë të parë administrata e lartë e SHBA vendosi të ndërmarrë një akt të panjohur më parë dhe që vështirë se mund të përsëritet: vuri në lëvizje gjithë strukturën politike e ushtarake të NATO-s për të ndëshkuar krimin serb në Kosovë, dhe për të ndryshuar rrjedhën historike të popullit shqiptar në Kosovë. 

-Brezat e sotëm dhe të nesërm do i jenë përjetë mirënjohës Shteteve të Bashkuara. Ky është një postulat politik që rrjedh nga zhvillimet historike që kanë ndodhur në më shumë se një shekull. Por që kulmuan në ditët e luftës së Kosovës.

Për të qenë më të drejtpërdrejtë: Kosova kishte Ushtrinë e saj Çlirimtare, që ishte vazhdim i traditës së popullit shqiptar për qendresë, dhe kjo është fillesa e asaj që do të vinte. Por ishte e pamjaftueshme. Ndaj që në fillim ne u përpoqëm të krijojmë rreth vetes mbështetjen e fuqishme, të vazhdueshme të shteteve perëndimore dhe sidomos të SHBA. Shteti i Serbisë kishte makineri të duqishme ushtarake, kishte në krye një diktator që e kishte shfaqur veten në luftrat e mëparshme në këto treva ballkanike, Bosnja dhe Kroacia, sidomos Bosnja, kishin treguar se makineria vrastare serbe ishte e gatshme të derdhte lumenj gjaku edhe në Kosovë.

Kontaktet që u vendosën me diplomatë të rëndësishëm të Sheteve të Bashkuara që në fillimet e Lëvizjes Çlirimtare ishin vendimtare. Ata vendosën vijën e kuqe për pushtetin agresiv serb, por njohën të drejtë luftën dhe qendresën tonë.

–Z.President, a keni qenë në dijeni ju, si gjatë luftës, por edhe më pas, për rolin e diasporës shqiptare në Amerikë për mbështetjen e rezistencës në Kosovë? Për takimet e zhvilluara me struktuat më të larta të Shtetit amerikan, presidentë, senatorë dhe kongresmenë, mbështetjen financiare e politike?

-I nderuar  zoti Ekrem, më lejoni të bëj një krahasim, ndoshta jo edhe aq të saktë: Shtetet e Bashkuara kanë ardhur në Kosovë përmes tri formave; përmes zyrtarëve të saj të lartë, që sillnin politikën, vizionin dhe mendimin progresiv e demokratik; përmes batalionit “Atlantiku”, që ishte ndër aktet më sinjifikative të të qenurit pjesë e diasporës dhe jo vetëm e saj në luftën për liri; por, para saj, përmes diasporës shqiptare të atjeshme. Ndoshta, në fillim, nuk kemi qenë në dijeni për të gjitha hollësirat, por, ne e kemi ndjerë këtë rol. Si, në cilën mënyrë?

Në vërenim që diplomacia amerikane dinte përherë e më shumë për ne, por edhe qëndrimet e saj po bëheshin më racionale. Ajo kishte më shumë informacion dhe mbështetej tek figura të shquara të diasporës shqiptare në Amerikë, të cilët, pa droje mund të them se ishin përfaqësuesit e parë politikë të UÇK-së dhe diplomatët e parë dinjitozë të shtetit të Kosovës. Përmes jush janë hapur ato dyer që vështirë të hapeshin aq shpejt dhe aq sigurtë. Diaspora shqiptare në Amerikë ishte e konsoliduar, ajo mund të ishte nga treva të ndryshme shqiptare, por bashkohej në çështjen e Kosovës. Mund të kishin bindje e qëndrime të ndryshme politike, por për Kosovën ishin bashkë. Pa këtë kontribut të pazakontë dhe intensiv të diasporës suaj diplomacia amerikane do të kishte pasur shumë hezitime.

–Z.President, e megjithatë, duke respektuar mendimin tuaj, në Kosovë, por edhe në Shqipëri, pak dihet për këtë kontribut. Mendoni se është bërë sa duhet?

-I nderuar zoti Ekrem, mirënjohja për diasporën shqiptare në perëndim, sidomos në SHBA, është një ndjenjë e brendshme, e skalitur, që ka zënë vend dhe është bërë e natyrshme. Nuk ka shqiptar që nuk e di këtë. Nganjëherë ndodh që për njerëzit më të afërt, pra për vëllezërit tanë, të heshtim më shumë. Kushdo në Kosovë e di dhe është krejt e qartë se, pa angazhimin e diasporës shqiptare në SHBA, pra të figurave të shquara të saj, shumë rrugë do të kishin qenë vështirë të hapura.

Jeni në të drejtën tuaj që Kosova duhet të kishte bërë më shumë, që njohja e këtij aktiviteti të kishte qenë më e gjërë, por ende Kosova është një shtet i ri, me probleme të mëdha, kryesisht për shkak të qëndrimit agresiv e jo produktiv të politikës serbe ndaj Kosovës.

-Zoti President, prej më shumë se dy dekadash ndërlidhja mes SHBA dhe Kosovës ka qenë primare, si të thuash gur themeli i ecurisë së mëtejshme në rrugën e demokratizimit, ndërtimit institucional dhe shtetëror të vendit tuaj. Mendoni se kjo do të jetë vija e kuqe e politikës së Kosovës që nuk mund të preket?

-Patjetër. Kjo është jo vetëm domosdoshmëri historike, por edhe përgjegjësi reale. Askush nuk goxon të mendojë ndryshe.

Ajo që dua të theksoj qysh në fillim është se, çdo herë që kemi qenë së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe NATO-n, si Kosovë kemi dalë mirë dhe kemi dalë fitues, qoftë në Rambuje, ku për herë të parë, publikisht Perëndimi ka shpallur devizën e tij pro çështjes së Kosovës, qoftë në procesin e bërjes së pavarësisë, e në të njëjtën kohë të themelimit të ushtrisë. Prandaj çdo këshillë dhe mesazh i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të respektohet me përpikërinë më të lartë prej institucioneve të vendit. Por duhet kuptuar edhe diçka, ne jemi ballafaquar si shtet i Kosovës me veprime agresive nga ana e Serbisë, veprime këto që e kanë lënduar shtetin e Kosovës, funksionimin e shtetit, edhe në rrafshin e brendshëm edhe në rrafshin ndërkombëtar. Prandaj, masa e ndërmarrë nga institucionet e Kosovës lidhur me tarifën ndaj produkteve serbe, ka qenë veprim i duhur në kohën e përshtatshme, por në të njëjtën kohë, tani, duhet të mendojmë të shikojmë nga e ardhmja dhe, e ardhmja është respektimi i një opinioni dominues prej skenës politike për jo heqjen e tarifës, por pezullimin e tarifës, ashtu siç është edhe këshilla prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian, NATO-s, spektrit politik kosovar, nga shoqëria civile, në mënyrë që të hapet rruga për vazhdimin e dialogut mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë dhe në të njëjtën kohë të ruajmë dhe kultivojmë partneritetin me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian. Tek e fundit, më të çmueshme janë raportet tona të shkëlqyera dhe ruajtja e këtyre raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sesa ndonjë veprim që e ngulfat Kosovën, e izolon Kosovën apo që në të njëjtën kohë dërgon mesazh se Kosova po luan rolin e destruktivit në procesin e  dialogut, prandaj një percepsion i tillë nuk duhet të lejojmë që të krijohet në Uashington, në Bruksel dhe as kudo, dhe, të jeni të bindur se nuk do të krijohet. Cilido njeri i politikës që mendon se mund të ndërtojë karrierën e tij kundër kësaj politike, ai duhet të mendojë për pensionimin e tij.

–Megjithatë në Kosovë ka edhe mendime të tjera, ka qëndrime për mbajtjen e kësaj tarife apo heqjen graduale të saj. A mos mund të lexohen këto si kundërshti ndaj këshillave të administratës amerikane dhe si një fillesë për të qenë tashmë pjesë e një politike ndryshe?

-Në Kosovë nuk mund të ketë politikë ndryshe. Ka shfaqje formale ndryshe, por thelbi mbetet i njëjtë. Sidomos nga forcat politike progresive, të cilat u kanë prirë proceseve të deritanishme dhe këtë e kanë bërë me sukses.

Unë pres maturi, veprime të interesit gjithëpërfshirës, të interesit lokal, por edhe të interesit të investimeve strategjike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian, NATO-s. Nuk mund te kemi sukses të vetmuar në asnjë proces. Është një Amerikë, nuk janë disa. Ne bashkë kemi fituar lirinë dhe pavarësinë dhe SHBA-të ishin të vetmet që na mbështetën për themelimin e ushtrisë, prandaj është e njëjta Amerikë dhe duhet të kemi parasysh se veprime të mëtutjeshme do të jenë të koordinuara mes institucioneve të vendit, megjithëse pushtetet janë të ndara, por duhet të shikojmë më tepër në interesin strategjik sesa në interesin politik ditor.

–Mendoni se do të ketë zhbllokim të negociatave, vazhdim të dialogut dhe ecuri në këtë proces? Mos të harrojmë, jemi më shumë se 20 vite pas luftës dhe shumë gjëra mund të ishin bërë më shpejt.

–Jam optimist në vendime të drejta, në vendime strategjike, jam optimist se Kosova nuk do ta marrë barrën e bllokadës së procesit të negociatave. Ne kemi insistuar që të vazhdojë dialogu, pavarësisht taksës, por tani është një situatë e re politike; opozita e djeshme është tani në qeverisje, dhe mendoj sinqerisht se ka ardhur koha që të marrë përgjegjësitë që i takojnë edhe në këtë rrafsh.Ne nuk guxojmë të mbajmë peng zhvillimet në Kosovë dhe të ardhmen e saj nga ngurrimet apo papërgjegjësitë politike. Por besoj se kjo është një çështje në kalim dhe do të zgjidhet.

– Jo shumë kohë më parë, gjatë një vizite në ShBA, ju keni pasur një takim që në Këshillin e Marrëdhënieve me jashtë, organizata më prestigjioze në Shtetet e Bashkuara, e cila grupon ekspertët më të mirë të politikës së jashtme amerikane, dhe u shprehët për një korrigjim të lehtë të kufijve. Çfarë nënkuptoni me këtë?

–Unë e kam theksuar edhe më herët, e ritheksoj edhe sot se, unë punoj që në kuadër të përmbylljes së dialogut Kosovë-Serbi të kemi një marrëveshje gjithëpërfshirëse, që nënkupton zgjidhjen përfundimtare të çështjes së të zhdukurve, të refugjatëve, të edukimit, të shëndetësisë, të trashëgimisë kulturore serbe, artefaktet arkeologjike, që i hap mundësi zhvillimit ekonomik dhe që në fund benefiti për Kosovën të jetë njohja nga Serbia si shtet i pavarur dhe sovran, anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, njohja edhe prej pesë vendeve të Bashkimit Evropian dhe të hapet mundësia për anëtarësim në NATO dhe Bashkim Evropian.  Dhe natyrisht se,  në fund nuk ka njohje mes dy vendeve pa definimin e qartë të kufijve ndërshtetërorë Kosovë-Serbi. Unë e kam theksuar edhe më herët e ritheksoj edhe sot se punoj dhe mendoj se, do ishte shumë e logjikshme përfshirja e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit në territorin e Republikës së Kosovës duke mos i cenuar në asnjë rrethanë resurset e shtetit të Kosovës, as Gazivodën, as veriun e Mitrovicës, as Trepçën dhe as hapësirat e tjera.

–Në qoftë se kjo marrëveshje do të nënkuptojë njohje nga Serbia, anëtarësim në OKB, por do të kërkojë si shkëmbim që të negociohen kufiri verior i Kosovës për rajonet me shumicë serbe, a është kjo pjesë e negociatave?

–Unë nuk mund të përgjigjem në diçka që nuk është kërkuar dhe nuk mund të përgjigjem në diçka që mund të shtrojë si çështje Serbia, por mund të konfirmoj se askush nuk ka hedhur në tavolinë hartat. Por ajo që mund të them përsëri është se marrëveshja do të arrihet ndërmjet dy vendeve sovrane me njohje reciproke.

–Mirëpo ka mjaft zëra të ndryshëm, ekspertë, ish zyrtarë, analistë në Shqipëri, në Kosovë, në pjesën perëndimore, të cilët flasin për mundësinë e ndryshimit të kufirit, jo thjesht definim, që është bërë ndërmjet Kosovës e Malit të Zi apo në mes të Kosovës e Maqedonisë. Ju jeni shprehur për korrigjim të lehtë që përpara ka qenë tabu dhe nuk hapej, tashmë ju e keni hapur.

–Unë, në cilindo pozicion politik a qeverisës që kam qenë nuk kam folur kurrë për ndryshimin e kufijve. As për ndarjen e Kosovës. Kjo ka qenë vija ime e kuqe. Korrigjim të kufirit Kosova ka bërë edhe me shtetin e Maqedonisë, unë e kam nënshkruar. Korrigjim të kufirit ka bërë edhe me Malin e Zi, unë e kam nënshkruar. Ka pasur trazira, ka pasur probleme, gaz lotsjellës, ka pasur demonstrime, dërgime të mesazheve jo të mira për shtetin e Kosovës në botë, por në fund të gjithë janë bindur se marrëveshja ka qenë e drejtë dhe e saktë. Në të njëjtën kohë, ne, që kemi një kufi, një territor me Serbinë rreth 410 kilometra, duhet përfundimisht ta definojmë para përmbylljes së marrëveshjes apo si kusht për përmbyllje të marrëveshjes për njohjen reciproke. Nuk ka njohje reciproke pa definimin e vijave kufitare. Tash unë opinionet e ndryshme i respektoj por mund të them se me saktësi dhe qartësi mund të flasin vetëm ata që janë në proces, ndërsa të tjerët janë opinione të lira.

-Zoti President, në jetën tuaj politike ju jeni pritur dhe jeni takuar me figurat më eminente të politikës amerikane, me presidentë, senatorë, sekretarë shteti, kongresmenë. Nga të gjitha takimet, cili prej tyre ka qenë më i vështirë dhe që ka lënë mbresat më të ndjeshme tek ju?

-Me figura të shquara të diplomacisë amerikane kam pasur nderin të takohem edhe gjatë luftës. Disa nga këto takime janë të njohura. Takimet më të vështira kanë qenë me Zonjën Ollbrajt, Sekretare e Shtetit, e cila ishte thellësisht e angazhuar në procesin e Konferencës për Kosovën në Rambuje. Kanë qenë të vështira për nga momenti që mbaheshin, pasi aty do të vendosej shumëçka për të ardhmen e Kosovës; të vështira pasi presioni ishte i fuqishëm që shtohej edhe nga respekti ndaj Zonjës Ollbrajt; të vështira pasi, duhet thënë, kisha ngelur i vetëm në ato çaste, ku edhe njerëz që sot shkruajnë për mos definimin e kufijve më bënin presion për një autonomi të Kosovës nën Serbi. Ka qenë dilema më e madhe e jetës sime, shtuar nga vështirësia e takimeve të njëpasnjëshme, ku më jepej siguria maksimale për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, por ne kërkonim atë që sot kemi arritur.

-Nëse do të përsëriteshin ngjarjet, do të mbanit përsëri të njëjtin qëndrim.

-Patjetër. Edhe kur jemi takuar më vonë me Zonjën Ollbrajt dhe i kemi risjellë në bisedat tona takimet dhe bisedimet e vështira, e kemi ditur se qëndrimi nuk do të ndryshonte.

–Me siguri keni pasur çaste të lumtura nga këto takime e bisedime, pra momente kur e keni ndjerë më shumë se kurdoherë mbështetjen e administratës amerikane?

-Janë shumë të tilla. Dy a tri ditë para fillimit të bombardimeve të NATO-s, nga administrata amerikane na u bë i njohur çasti i fillimit. Ishte vendosja përfundimtare e Kosovës në krahun e shteteve demokratike të cilat, nën prirjen e SHBA, po shfaqnin hapur përkrahjen dhe angazhimin e tyre, tashmë përmes forcës.

–Pas 20 viteve në Kosovën e lirë mendoni se këtë vit do të ketë një marrëveshje për njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë? A jeni optimist që marrëveshja do të arrihet këtë vit.

-Jam optimist, por mbi të gjitha jam realist. Bashkëpunimi ynë me administratën e Presidentit Trump, ashtu si edhe me administratat e mëparshme, që është i shkëlqyer, më bën optimist, por edhe të gjykoj në mënyrë realiste.

–A jeni sot më optimist se sa ishit para disa muajsh, apo jeni më pak sot?

–Definitivisht sot jam më optimist se sa kam qenë më herët, shpresoj që nesër të jem edhe më optimist se sot.

*Intervista u dërgua nga zyra e z. Ekrem Bardha.Redaksia e Diellit ia uron me këtë rast Ditën e Lindjes; Shumë Urime për Ditën e Lindjes z. Ekrem Bardha! Happy Birthday !

Filed Under: Featured Tagged With: Ekrem bardha, Presidenti Thaçi

PRESIDENTI HASHIM THAÇI E KEQJA ME E MADHE E KOSOVËS NË 20 VITET E FUNDIT

April 24, 2020 by dgreca

 -Rrënimi i demokracisë dhe përpjekja për instalim të diktaturës

 Opinion nga MA.Agim Aliçkaj*/

Asnjëherë, nuk kam menduar që me opinionet, analizat dhe intervistat e mija, në shtypin shqiptar, të bëhem një njeri që gjykon ose paragjykon dikë. Por, as nuk mund të qëndroj e të mos jap një opinion apo koment pikërisht, kur shoh që diçka simbas mendimit dhe bindjes time nuk ecën ashtu si duhet, ose nuk është ashtu si do të dëshironim të gjithë të ishte, në të mire të Kosovës.

Reagimi i ditëve të fundit të Kryeparlamentares së Kosovës znj. Vjosa Osmanit, përmes një shkrimi në Facebook, që ka thënë se “Si sot 7 vite më parë, Thaçi solli për votim në Kuvend marrëveshjen e tij me Dacic, të cilën e quajti njohje të Kosovës nga Serbia. Marrëveshja, në fakt, krijoi Asociacionin e Komunave Serbe, legalizoi strukturat kriminale të Veriut, i futi strukturat e sigurisë së Serbisë në institucionet tona, krijoi sistem jo unitar gjyqësor e ofroi amnisti për serbët që kishin kryer krime. Atëherë votova KUNDËR, e bindur që kjo nuk ishte as njohje e as marrëveshje finale dhe vetëm hapte rrugë për shkelje të tjera të rënda në dëm të shtetësisë e sovranitetit të vendit”.

Kjo ishte shumë e qëlluar dhe më nxiti që të bëj komentin tim si vijon:  “E nderuara Kryetare e Parlamentit te Republikës se Kosovës, znj. Vjosa Osmani, Hashim Thaçi është padyshim e keqja me e madhe qe i ka ndodhur Kosovës në 20 vitet e fundit, ndoshta edhe gjatë gjithë historisë. Ka shume shpjegime për këtë po si mërgimtar nuk dëshiroj të merrem me to. Një gjë është e qartë, Vucici është duke bërë lojë me te dhe nëpërmjet tij me fatin e Kosovës. Thaçi nuk e ka të qartë se Serbia nuk ndalet me asnji marrëveshje deri sa nuk e kupton me 100% se nuk ka shance për grabitje të metutjeshme të tokave shqiptare. Pas shfrytëzimit dhe shtrydhjes mirë e gjuajnë në plehra si një lecke atë dhe sipas nevojës edhe vet Vucicin. Dalin me kerkesa të reja me politikanë të rinj , plus referendumin e kanë mjetin e fundit për t’i shkelë marrëveshjet. Unë nuk e përkrah asnji parti por liderët e aftë dhe të fortë si Ju i çmoj, i admiroj dhe i përkrah pa rezervë. Ka shumë si unë dhe numri po shtohet dita-ditës. Prandaj, ju lutem qendroni deri në fitore sepse jeni në rrugë të drejtë dhe popullin me shumicë e keni pas jush. Politikanët e korruptuar dhe të deshtuar i kanë përpelitjet e fundit, kurdo herë duhet të ballafaqohen me votën e popullit dhe do të humbin me turp. Grenellat janë të përkohëshëm. Amerika do të kthehet prapë në anën tonë, në anën e së drejtës. Shendet, suksese dhe respekt te pafund”! 

Gabimet dhe keqbërjet e Presidentit Thaçi (not my president anymore) janë të shumta, mjafton të përmenden “fusnota” në Deklaratën e Pavarësisë, humbja e tokave me demarkacione, mosmarrja e liberalizimit të vizave, heqja dorë nga vëllazërit tanë të Kosovës Lindore, korrupsioni, varfëria e pafund dhe zbrazja e Kosovës. Më e keqja është se ai beson në vetvete se është “shpëtimtari” i Kosovës, se ai është më i mënçur se të gjithë dhe se populli i tij është naiv dhe nuk i kupton “të mirat e tij”. Dhe kështu nuk di të ndalet. Takimi i djeshëm me përfaqësuesit e partive politike të Kosovës për formim të një qeverie antidemokratike ishte tragji-komike. Po a ka kund logjikë të interpretohet Kushtetuta se kinse partia e dytë apo e dhjetë paska të drejtë të krijojë qeveri, vetëm nëse ia arrinë për t’i blerë numrat?!  Nëse lejohet kjo presidencë atëherë Kosova kurrë nuk do të ketë qeveri stabile. Sepse partitë e tjera do të jenë gjithmonë të interesuara për ta rrëzuar të parën dhe për ta marrë pushtetin. Kjo gjë do të përbënte shkelje të rëndë të demokracisë dhe vullnetit të popullit. Përpjekja e Thaçit për instalim të diktaturës në Kosovë është shumë e rrezikshme. Gjykatës Kushtetuese nuk mund t’i besohet sepse mund të jetë e influencuar dhe e friksuar se kinse “kështu po kërkon Amerika”.  Përdorja e kartës së Amerikës për të rrëmbyer pushtetin është levizja e fundit e Thaçit në politikë. Populli i Kosovës nuk do ta pranojë kurrë këtë sepse i ka kuptuar mashtrimet e tij. Kur ai ta kupton se vetëm populli i vendit të vet mund ta mbaj në pushtet dhe askush tjetër, përfshirë edhe Amerikën, për te do të jetë shumë vonë.  Ekziston rreziku që vendi të katandiset në kaos të paparë me trazira dhe destalizim të pafund. Vetëm zgjedhjet e lira demokratike mund ta qetësojnë popullin e trazuar dhe të nënçmuar në mënyrë drastike, asgjë tjetër.

Thaçi nuk është i vetëm në këto punë të liga. Bashkëfajtorë me të janë të gjithë ata politikanë, edhe të partive të tjera, që ia mundësuan të abuzojë me Kosovën pandalë, sidomos në 12 vitet e fundit të pavarësisë së kufizuar. Nga të gjithë këta befason më së shumti kryetari i LDK-së Isa Mustafa me garden e vjetër të kompromentuar deri në palcë. Me djallëzinë e tij, dhe akrobacitë që ka bërë dhe po bënë për interesa personale, po e çon Kosovën drejt shkatërrimit. Këtu dëshiroj të sqaroj se nuk e gjykoj njësoj anëtarësinë e gjërë të këtyre partive. Ka në mesin e tyre kuadro të aftë dhe patriotë, por fatkeqësisht të këqinjt jua kanë marrë anën. Duhet shpresuar se në vitet në vijim, ata do të forcohen dhe t’i largojnë politikanët e këqinj nga udhëheqja. Kështu do tu hapen rrugët për tu bërë opozitë e fortë dhe konstruktive, me mundësi që në të ardhmen, me programet dhe punët e veta në interes të shtetit, të konkurrojnë në mënyrë serioze për pushtet. Dëshiroj të shtoj, se kam qenë përkrahës i flakët i rezistencës paqësore të presidentit të urtë dhe trim Ibrahim Rugova dhe më vonë i luftës heroike të UÇK-së të komandatit legjendar Adem Jashari me luftëtarët dhe heronjt e tjerë të kombit, përfshirë edhe Batalionin a lavdishëm Atlantiku nga Amerika. Është zhgënjyese që pasardhësit e tyre të përfshirë në vende udhëheqëse të partive të ndryshme politike me një pjesë të vogël militantësh të zhurmëshme, e kanë devijuar rrugën e tyre. Këtë do ta paguajnë shtrenjtë me humbje të elektoratit në zgjedhjet e ardhshme. 

E çmoj shumë guximinë, mençurinë dhe patriotizmin pro-Amerikan dhe pro-Shqiptar të Bordit të Lobit Shqiptaro-Amerikan të prirë nga Joseph DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi, për dalje me Deklaratë Publike në këto ditë vendimtare për Kosovën, me të cilën, ndër të tjera kërkohet nga Presidenti Trump ta lirojë nga detyra e ndërmjetësuesit  të dialogut Kosovë-Serbi, Ambasadorin Richard Grenell. Natyrisht që as ai as Administrata e Presidentit Trump nuk janë fajtor për dështimet njëzet vjeçare në Kosovë. Pra, fajet i kemi vetë që nuk e ndërtuam dhe forcuam shtetin tonë. Ambasadori ka faj se e mori këtë punë me hile, me bisedime sekrete dhe duke anuar haptazi nga Serbia. Shihet se e ka pranuar pa kurrëfarë analize kritike dhe lexim të historisë, versionin e Serbisë se kinse “serbët janë viktimë, se ju ka bërë e padrejtë me bombardimet e NATO-s, se kjo e padrejtë duhet përmirësuar nga Amerika dhe se shqiptarët janë të paaftë për të ndërtuar shtet”. Gabim tjetër shumë i madh i tij është se, i ka marrë si të vërteta gënjeshtrat e Thaçit se ai ka mbështetje të mjaftuar në Kosovë për ta realizuar marrëveshjen me Vucicin. Kjo nuk është asgjë tjetër veçse ndarje e Kosovës me qëllim të krijimit të shteteve etnikisht të pastërta “pa probleme nacionale” duke e realizuar ëndrrën serbe për ”Serbi të madhe” dhe njëkohësisht ëndrrën e Thaçit për sundimtar të përjetshëm në nji shtet, i cili mjafton të ketë territor siç thuhet nga ana jonë “veç sa livadhet e Sadik Ramëve”. Gabimi më i rëndë i Ambasadorit Grenell është ndërhyrja flagrante në punët e brëndëshme të Republikës së Kosovës, me përkrahjen e klasës politike të korruptuar, të dështuar dhe të refuzuar nga populli i Kosovës për të rrëzuar qeverinë demokratike të shpresës dhe anti-korrupsionit, të liderëve më të votuar nga populli,  Kryeministrit Albin Kurti dhe Kryeparalamentares Vjosa Osmani, pa ju dhënë mundësi fare për ta treguar veten me punën e tyre. Por, të gjithë ata do ta kuptojnë shumë shpejt se populli i Kosovës dhe mbarë kombi shqiptar nuk pranon më kurrë t’i japë Serbisë asnjë pëllëmbë toke. Ka ardhë koha për një mobilizim të përgjithshëm kudo, në trojet tona etnike dhe diasporë, sidomos në Amerikë, për të ja ndalë turrin furtunës së rrezikëshme Vuçiç-Thaçi-Grenell. Ekziston mundësia që Presidenti Trump as që është i informuar drejt për pështjellimet e tyre në Ballkan, të cilat janë kundër interesave strategjike Amerikane.

Ambasadori Grenell, ushtrues detyre i Drejtorit të Inteligjences më të madhe në botë, ka informata dhe mund ta ketë kuptuar se veprimet e tij kanë dështuar për shkak se nuk e ka përkrahjen e popullit të Kosovës, por nuk dëshiron të tërhiqet për interesa personale dhe mundësisë së humbjes së prestigjit, ndoshta edhe të karrierës diplomatike. Mjafton të ndjekim faqen e tij të twiterit dhe komentet e shqiptarëve, të cilët me shumicë absolute i kritikojnë veprimet e fundit të tij në Kosovë. Me këtë rast dëshiroj t’i lus bashkëkombasit e mi të vetëpërmbahen nga ofendimet dhe sulmet personale ndaj tij. Kjo nuk na ndihmon aspak në çështjen tonë të drejtë.

Historia na mëson se populli shqiptar e ka filluar rezistencen dhe luftën për liri në momentin kur është okupuar nga forcat terroriste serbe dhe okupator të tjerë. Për liri e kan dhënë jetën bijtë dhe bijat më të mira të kombit. Asnjë individ dhe asnjë subjekt brenda dhe jashtë Kosovës nuk ka të drejtë të mendojë dhe të deklarojë se ai i vetëm e ka sjellë lirinë e Kosovës. Amerika na ka ndihmuar ta fitojmë lirinë por nuk ka të drejtë të na marr atë. Kombi shqiptar e don me të drejtë, me zemër dhe pa hile Amerikën, por e don lirinë më shumë se Amerikën dhe më shumë se jetën. Nuk ka forcë në botë që mund ta shtypë dëshirën e një populli për të jetuar i lirë.

*Anëtar i Bordit Ekzekutiv të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe i Këshillit të Vatrës

Filed Under: Analiza Tagged With: .Agim Aliçka, e keqja, Presidenti Thaçi

PRESIDENTI THAÇI NGUSHELLON Z.JIM XHEMA

April 19, 2020 by dgreca

Me pikëllim mora lajmin për vdekjen e zonjës Mrikë Xhema, bashkëshortes së bashkatdhetarit tonë të shquar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Jim Xhema.

Jim Xhema është ndër personalitetet më të rëndësishme të lobit shqiptaro-amerikan, duke afirmuar çështjen e Kosovës në Uashington që nga vitet e tetëdhjeta të shekullit që shkoi. Me lidhje të fuqishme me kongresistë dhe senatorë amerikanë, me mbështetje të gjerë familjare dhe financiare, ai ka dhënë kontribut madhor dhe të pazëvendësueshëm deri në ditët e sotme.

Në emër timin dhe gjithë qytetarëve të Kosovës, mikut tonë të madh, Jim Xhemës, si dhe gjithë familjarëve e miqve të tij, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta. Lutemi që shpirti i zonjës Mrikë të prehet në parajsë! HTH

Filed Under: Komente Tagged With: Jim Xhema, Presidenti Thaçi

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 13
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • AT SHTJEFËN GJEÇOVI DHE DR. REXHEP KRASNIQI, APOSTUJ TË IDESË PËR BASHKIM KOMBËTAR
  • Marjan Cubi, për kombin, fenë dhe vendlindjen
  • Akademik Shaban Sinani: Dy popuj me fat të ngjashëm në histori
  • THE CHICAGO TRIBUNE (1922) / WOODROW WILSON : “NËSE MË JEPET MUNDËSIA NË TË ARDHMEN, DO T’I NDIHMOJ SËRISH SHQIPTARËT…”
  • SHQIPËRIA EUROPIANE MBRON HEBRENJTË NË FUNKSION TË LIRISË
  • KONGRESI KOMBËTAR I LUSHNJES (21-31 JANAR 1920) 
  • Një zbulim historik ballkanik
  • VATRA DHE SHOQATA E SHKRIMTARËVE SHQIPTARO-AMERIKANË PROMOVOJNË NESËR 4 VEPRA TË PROF. BESIM MUHADRIT
  • Që ATDHEU të mos jetë veç vend i dëshirës për të vdekur…
  • KAFE ME ISMAIL KADARENË
  • Kosova paraqet mundësi të shkëlqyeshme për investime
  • PARTIA NUK ËSHTË ATDHEU, O KOKËSHQOPE
  • 50 VJET VEPRA POETIKE KADARE
  • IT’S NOVEMBER 28TH
  • Një arritje për shqiptarët në Michigan

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT