• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Masakra” idiote për rënkimet e tenorit Agim Hushi!

August 6, 2017 by dgreca

1 enver Bytyci

I zhgënjyer e në dëshprim ai e qortoi në formën e tij atdheun e vet, pjesën që atij i takon! Sepse të gjithë ne i takojmë atdheut dhe të gjithëve ne na takon një pjesë e tij, pastaj brezave që vijnë e kështu me radhë! Por me tapi nuk e ka askush.

Nga Prof. Asoc. Enver Bytyçi/

Diktaturat edhe në grahmat e fundit të tyre adresohen te nacionalizmi. Kur Ismail Kadare u arratis nga Shqipëria më 25 tetor 1990, pikërisht ditën që këtu në Tiranë u mblodhën ministrat e Jashtëm të Ballkanit për të promovuar teorinë serbo-greke “Ballkani ballkanasve”. Aso kohe diktatura i pati ditët e numëruara e megjithatë e gjithë propaganda e kohës, të gjithë opinionistët e ideologjizuar, media qeveritare e zyrtare, televizioni e gjithçka tjetër, morën urdhërin që në emër të nacionalizmit të masakrohej shkrimtari Kadare. Tani, pas 27 viteve, “u riarratis” një artist, një tenor i përmasave ndërkombëtare, një shqiptar që për 20 vite jetoi në Australinë e largët dhe u kthye në Shqipëri, sepse besoi te atdheu i vet. E kemi parë të gjithë si u përball Agim Hushi me realitetin e trishtë të këtij vendi. I zhgënjyer e në dëshprim ai e qortoi në formën e tij atdheun e vet, pjesën që atij i takon! Sepse të gjithë ne i takojmë atdheut dhe të gjithëve ne na takon një pjesë e tij, pastaj brezave që vijnë e kështu me radhë! Por me tapi nuk e ka askush. Megjithatë reagimi erdhi përsëri në mënyrë biblike dhe u shndërruar në një patetizëm të pazakonshëm, duke e “masakruar” artistin e madh. Masakronjësit janë zhgarravinaxhinjtë e të njëjtës garniturë, shumiva janë mercenarë të shtetit që është përgjegjës për gjendjen depresive të shqiptarëve. E masakruan Agim Hushin, artistin dhe tenorin e famshëm shqiptar, me gjithë llojet e fjalorit të ndyrë! E shanë, I thanë M…, e paragjykuan, e akuzuan, e fyen, si të ishte djalli që prishi botën! Çfarë nuk i thanë! Nxorën nga fjalori i kohës së diktaturës gjithë arsenalin e akuzave kundër “armikut” dhe e bënë “delen e zezë” të kombit shqiptar! Karrierist, i thanë. Erdhe të bëheshe drejtor këtu në Shqipëri! Nënteksti: “Si nuk të vjen turp të kërkosh të bëhesh drejtor!”. Identik si në gjykimet e kohës së diktaturës, kur karriera quhej shfaqje mikroborgjeze, kur merita duhej strukur në “vrullin revolucionar të masave”, kur ideja konsiderohej “intelektualizëm mikroborgjez”! E njëjta histori, e njëjta mendësi, e njëjta metodë, i njëjti skenar! I thanë karrierist ata që kanë bërë karrierë jashtë profesionit të tyre, ndërkohë që tenori i famshëm donte të bënte diçka për këtë vend në rolin e një drejtuesi në profesionin e tij! I thanë tradhëtar! Pse? Se “na tradhëtove udhëheqësin e madh”! Tradhëtove, sepse “i vure një njollë atdheut”! Tradhëtove se “nuk u pajtove me një Shqipëri të kriminalizuar e kanabizuar si kurrë ndonjëherë në historinë e saj”! Tradhëtove se “kritikove qeverinë tonë të suksesshme dhe demokratike”! Tradhëtove se “denoncove të keqen”! Tradhëtove se “shkove në Çadrën e Lirisë”! Dhe pse shkove? I thanë se “shkove për karrierë”! Më skuqet faqja kur i ripërsëris këto lloj akuzazh bolshevike! Pra, e vunë në bankën e akuzës publike për një vepër, të cilën Agim Hushi nuk e ka kryer! Se tradhëti është ta kriminalizosh atdheun e kombin e jo të kritikosh e mospajtohesh me këtë akt të skenarizuar e ideuar nga vetë qeveria e vendit tënd! Po militantët që shfaqen si nacionalistë dhe e përdorin nacionalizmin për të mbrojtur dikush interesat e tij personale, dikush injorancën e vet, dikush tjetër lidhjet politike me liderët tanë të dhënë pas drogës, të tjerë idologjinë me të cilën mbrohen për çdo gjë! Këtë indoktrinim absolut e kemi provuar në diktaturë, por se ka ende të ashtuquajtur intelektualë, gazetarë, akademikë që marrin rolin e prokurorëve dhe kësisoj fyejnë ajkën e kombit, këtë nuk do ta besoja sot pas 27 viteve pluralizëm në një shoqëri të hapur pa demokraci! E përçudnuan gjithashtu në stilin se “nga t’ia nis”, “si të të thërras” e të tjera si këto lloj shkrimesh bajate, të cilat të bëjnë të vjellësh, sepse u përkasin modelit të hartimeve të klasës së gjashtë për nga stilistika, metafora dhe përdorimi i fjalëvë cilësuese e krahasuese! Dhe kush? Dallkaukët, militantët, të paguarit, injorantët e vunë në gijotinë dijen, artin, atë që i jep famë Shqipërisë në të gjithë globin! U duk se mezi prisnin që njeriu i madh të rrëshqiste në pistën ku ata donin! A është kjo rastësi?! Jo! Eshtë ves i joni që të mos e durojmë hijen e tjetrit! Eshtë vesi jonë i keq që të mprehim thikat kundër njëri-tjetrit, edhe atëherë kur ky tjetri shkruan ose thotë të vërteta të hidhura! Eshtë në modën tonë të dëshmojmë primitivizëm kulturor, duke mos pranuar dikë tjetër më të mirë se veten! Ne jemi gati të shqyhemi mes veti e t’i përulemi deri të shputa e këmbës një të huaji! Po kështu përulemi para të fortit, por jo para talentit! Aq e vërtetë është kjo, sa nuk mbeti mëdyshje për të menduar ndryshe në rastin e “arratisjes” së tenorit Agim Hushi! Kush ka emigruar duhet ta dijë se çdo të thotë të ikësh nga atdheu. Një fat të tillë të keq e kam pasur dhe unë me familjen time! Me javë nuk na u thanë lotët e hidhërimit, por ama asnjë mëdyshje nuk kishim se mund të kishim gabuar! Ata që i përvishen pushtetit të të fortëve ne qeverisje e jo në qeverisje, ata që e ngrejnë jetën përmes pisllëqeve dhe favorëve, deri te korrupsioni dhe mënyra të tjera të paligjshme, ata nuk e njohin dhimbjen e emigrimit, mund të thuhet gjithashtu se ata nuk kanë atdhe! Agim Hushi ka atdhe. Jam I bindur se e do atdheun më shumë se sharësit e tij! Ndryshë nuk do të linte skenën më të madhe të koncerteve në botë e të vinte në këtë vend që të ofron vetëm dëshprim! Dhe atdheu nuk është nocion abstrakt. Janë njerëzit që banojnë në një territor të caktuar, të cilët I japin jetë atdheut. Këta njërëz i pamë edhe në rastin e reagimeve ndaj tenorit, se sa xhahilë janë! Atdheu nuk është vetëm histori. Atdheu identifikohet nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare me shtetin. Pa shtet nuk ka atdhe, nuk ka komb! Shteti i atdheut tonë vetëm e ka rjep kombin e vet, e ka rrënuar, e ka sakatuar, na ka lënë në çdo kohë më të dobëtit dhe më të përbuzurit e rajonit e të kontinentit europian! Dhe jemi të tillë, sepse ne i ndëshkojmë dhe masakrojmë ata që japin kontribute të vërteta e të sinqerta për atdheun! Kështu bëmë me Agim Hushin. Ne kënaqemi nëse qeveritë tona lavdërohen në gazetat e botës, por jo se bënë diçka të mirë për këtë vend e për këtë komb! Këta jemi ne. Prandaj krijojmë diferencën me talentet që na bëjnë nder e na japin emër në botë! Prandaj e masakrojmë një artist të talentuar, si Agim Hushi! Po çfarë bëri tenori I famshëm Agim Hushi? Thjesht la Australinë, erdhi në Shqipëri, u përball me të keqen dhe iku nga kishte ardhur, duke lëshuar një klithmë dëshprimi për atdheun e tij! Ajo klithmë e Agim Hushit është kambanë alarmi, nuk është fyerje. Ndërsa masakra kundër tij është rezistencë gjithashtu e dëshpruar e forcave të errëta, të cilat mbështesin mbajtjen peng nga oligarkët të atdheut tonë, të kombit tonë! Ikja e Agim Hushit është dhe mbetet mesazh, njësoj si ikja e Kadaresë para 27 viteve! Rënkimi i tij është i ngjajshëm me rënkimin e Fishtës dhe Konicës! Vetëm njerëzit e mëdhenj marrin përgjegjësinë ta paralajmërojnë e ta vajtojnë greminën drejt së cilës shkon një komb! Ta qortosh atdheun nuk është thjesht lehtësim i shpirtit! Më shumë se kaq është dhimbje ekstreme në shpirt! Nuk mmund ta bëjnë këtë të indoktrinuarit në fe, në histori, në atdhe, në parti e ideologji! Këtë e bëjnë njerëzit e lirë, njerëzit e përgjegjshëm, ata njerëz që ndjejnë tërmetet kur i afrohen atdheut dhe kombit! Artistët, shkrimtarët, krijuesit e mëdhenj kanë misione dhe prandaj u duhet që të japin mesazhe. Madje edhe kur shumica nuk i pranon, i qorton, i fyen dhe i masakron! Gjendjen në të cilën jemi nuk na e sjellin kritikat, edhe nëse ato i adresohen kombit e atdheut, na e sjellin kriminelët, tahmaqarët hajdutë e të korruptuar në pushtet, oligarkët që shesin shtëpi e kandi, atdhe e fe për para e pasuri! E di se shumë njerëzve kjo ese nuk do t’u pëlqejë! Do jem shumë I lumtur për këtë, sepse do të thotë se kam arrit të jem vetëvetja, të ndjehem I lirë në mendimet e mia! Tiranë, më 06.08.2017

Filed Under: Opinion Tagged With: Masakrimi i Agim Hushit, Prof. Asoc. Enver Bytyçi

Shqiptarët në Maqedoni mund të kënaqen me avancimin e gjuhës shqipe

August 5, 2017 by dgreca

1-arben-llalla-250x299

Nga Arben LLALLA/Në verën e nxehtë të muajt gusht, mediet andej dhe këtej kufirit shqiptaro-shqiptar bien kambanat se gjuha shqipe po zyrtarizohet në Maqedoni. Por pyetja e thjeshtë është: Përse deri tani gjuha shqipe ishte ilegale? E gjithë kjo propagandë mediatike është për tua larë shqiptarëve kokën me akull. Të gjithë shqiptarët në Maqedoni e dinë nga historia, por edhe nga pleqtë që janë gjallë që në kohën e Titos, më 1974 gjuha shqipe ishte e barabartë në Maqedoni me gjuhën sllavo-maqedonase. Përse nuk kërkojnë shqiptarët këtë barazi të gjuhës shqipe? Vërtetë çfarë po ndodh me gjuhën shqipe këtë periudhë që bërtasin dhe çirren politikanët dhe mediat që janë vënë në shërbim të përhapjes së gënjeshtrës së rradhës për shqiptarët jetim në Maqedoni. Me ndërhyrjen e kryeministrit Edi Rama i cili para disa muajve i futi këmbët në një këpucë Ali Ahmetit (që ishte mësuar të ishte i përkëdheluri nga Sali Berisha edhe pse shqiptarët vriteshin, burgoseshin, shpallin Non Grata), u bë e mundur realizimi i avancimit të gjuhës shqipe dhe të minoriteteve të tjera në bazë të Marrëveshjes së Ohrit. Nuk ka ndodhur asnjë mrekulli, asnjë suksese për shqiptarët në Maqedoni që të gëzohet dikush, por vetëm realizimi i asaj që është nënshkruar me garancinë e Ndërkombëtarëve dhe që duhej të realizohej më 2004. Falë këmbënguljes së Edi Ramës, ndoshta edhe me gjuhën e kërcënimit ndaj politikanëve me gjysmë diplome në xhep dhe me kapacitete të kufizuara u arrit ajo që po çirren dhe bërtasin disa për kanë rreth 15 vite në pushtet sa me LSDM dhe me VMRO.

Kush mendon se shqiptarët do mbesin skllevër të disa shqiptarëve të cilët erdhën nga mërgimi ekonomik dhe u qëndronin të tjerëve me pistoletë pas koke, gabojnë. Grupi i politikanëve mafiozë Ballkanikë që i shërbenin Serbisë dhe Rusisë për përfitime ekonomike po shkojnë drejtë izolimit dhe burgosjes. Shqiptarët në Maqedoni mund të kënaqen me avancimin e gjuhës shqipe, por do të duhet shumë, shumë punë që të riparohen dëmet që bënë vasal shqiptar që i shërbyen me zell VMRO dhe Serbisë, duke burgosur dhe vrarë shqiptarët atdhedashës. Duhet të rikujtojmë Sopotin, Mostrën, vrasjen e Harun Aliut dhe shumë shokëve të tij që më shumë donin lirinë e shqiptarëve se sa kolltukun e butë të vasalit. Duhet të zbardhet rasti i Kumanovës ku disa shqiptar u vunë në shërbim të agjenturave sllave për të ruajtur pushtetin e tyre, çdo gjë është e regjistruar dhe nuk ka shpëtim. Drejtësia gjithnjë ka triumfuar ndaj gënjeshtrës, qoftë edhe me vonesë prandaj populli thotë: “Më mirë vonë se sa kurrë”. Prandaj duhet durim, mend në kokë dhe jo nxitimi sepse një punë e bërë me nxitim dhe e lënë përgjysmë është më mirë se hiçi.

Në përfundim duhet të riqartësojmë se nuk u bë zyrtarizimi i gjuhës shqipe, sepse ajo është zyrtare, por avancimi i saj në bazë të nënshkrimit të Marrëveshjses së Ohrit, këto falë këmbënguljes së Edi Ramës dhe partnerëve Ndërkombëtare. (Shumë shpejtë do dalin bisedat e Ramës dhe Ali Ahmetin dhe futja e kokës si struci nënrërë) Nuk duhet të ketë asnjë Mirënjohje për politikanët shqiptar të Maqedonisë, pavarësisht se kujt partie politike i përkasin, sepse shumica e këtyre politikanëve janë vasal dhe u shërbejnë sllavëve.

Ne ishim, jemi dhe do të jemi këtu, në trojet tona mijëravjeçare bashkë me gjuhën shqipe, ilegale apo legale.

Filed Under: Opinion Tagged With: arben llalla, gjuha shqipe, shqiptaret ne Maqedoni

Midis Irene Papasi-it dhe Kadaresë

August 4, 2017 by dgreca

1Papas

Nga Ilir LEVONJA/ Ne Foto: Iren Papas me aktrorin Bekim Fehmiu ne filmin”ODISSEA”/
1) Ka kohë që në internet, sidomos në webet shqiptare, qarkullon një nga intervistat e aktores së njohur greke Irene Papas apo Irena Lejlekut. Ku midis të tjerave ajo ka deklaruar se është shqiptare. Vajza e një burri shqiptar dhe e një nëne epirote. Dhe ku sipas aktores, ndofta një ndjesi fiksimi normal për një të moshuar gati sa një shekull, nuk ka dëshirë që të mbyll sytë pa e pohuar këtë me gojën e saj. Dhe herë më herë kjo intervistë, shfaqet, përhapet e komentohet me kaq ekzaltim sikur të kemi zbuluar ndonjë kontinent tjetër. Ndodh kështu edhe me një intervistë të ish ministrit të jashtëm Pangalos, ku edhe ai deklaron se është arvanitas. Dhe ne se ç’na kap një qejf kolektiv aq sa besojmë si fëmija se me siguri pas Papasit apo Pangallosit do dali edhe ndonjë shqiptar tjetër në vendet e botës. Mundësisht ndonjë nga ata që janë të mëdhenj për njerëzimin. Nuk reshtim s’u mburruri që ky është shqiptar. Siç e kemi bërë dhe e bëjmë edhe me Ataturkun, reformatorin e Turqisë. Apo me plot emra të tjerë nga rajoni. Për ne kaq ka rëndësi. Se si e thotë, për çfarë e thotë iksi apo ypsiloni. Ne nuk na duhet fare. As që na intereson konteksti. Përshembull, Papas mund ta ketë thënë me mendjen që t’i shërbejë sado pak afrimit mes vendeve a popujve. Kurse ne shqiptarët themi që jo, e bën që t’ia dhjesi grekëve. Një lloj inati paranojik… që nuk ka mendje ta shpjegoj. Ndofta nga kjo paranoje duket sikur nuk durojmë dot kur dikush del e thotë se nëna e Skënderbeut është me prejardhje sllave. Madje nisim një rrëmujë, të cilën e quajmë debat. Kur në të vërtete është një spot publicitar i llojit shqiptar. Ku marrin pjesë të gjithë. Dhe askush nuk ia gjen fillin lëmshit të radhës.

2) Megjithatë midis të thënës së Irene Papasit, Pangallosit, a ndonjë tjetri. Dhe horisë shqiptare në përgjithësi…, ta dini nuk ka asgjë të përbashkët. Dhe prisheni këtë vetmbushje qejfi, këtë ngasje kolektive pse dikush thotë se ka prejardhje shqiptare. Bëni zgjedhjen e duhur. Mburrjen e duhur.

E thonë se janë të lire ta thonë. Kaq. Një njeri që lind diku, që rritet e formohet aty. I përket asaj kulture dhe admirimit të atij populli që e çoi aty ku është. Të tjerat janë pjesë e shout të jetës së një njeriu të famshëm që i bën sfidë çdo sistemi. Kështu edhe me Irenën, një këngëtare dhe aktore, një vajzë Helene nga Korinthi, me bindje komuniste. Ashtu si e shumta e brezit të saj, në ato kohë. nuk e ka për gjë të kujtojë prejardhjen e babait. Por kjo nuk ka përse na bëj kaq shumë krenar. Në fund të fundit, ajo që është, Penelopa… a, gruaja tipike greke. E bëri Greqia, nuk e bëri Shqipëria. Dhe Zoti e paska dashur që e lindi dhe e rriti aty. Se po të kishte qëlluar të lindte në Shqipëri. Me siguri do kishte pasur fatin e të rinjëve komunist si Petro Marko, Qemal Stafa a Liri Belishova. Ose ndonjë aktore e dorës së dytë për shkak të biografisë së keqe. E thonë në emër të dashurisë që njeriu ta dojë njeriun, jo ta sundojë. Jo për superioritet rracash.

Por në emër të dashurisë.

Ndërkaq është kaq paradoksale pasi nga ana tjetër shqyhemi të denigrojmë figurat tona. Edhe ato të gjalla, me përmasa miti, aq sa çdo vend do i kishte për nder për arritjet e tyre.

Figurat tona, që i bëri Shqipëria jonë. Po e theksoj Shqipëria, jo regjimet apo sistemet. Ashtu si Greqia Irene Lejlekun. Por ne jemi të verbër në këtë drejtim. Ndërkohë që bota mburret që jetojnë në shekullin e tyre. E bën me Gabriel Garsia Markezin. E bën me Ismail Kadarenë.

3) Në vjeshtën e vitit 2016, kuvendi i Shqipërisë miratoi përfundimisht të ashtuqujturin Autoriteti i Hapjeve të Dosjeve. Apo siç na pëlqen ne ta thërrasim rëndom si, Komisjoni i dosjeve të Sigurimit.të Shtetit. Kjo u bë fakt pas një pune prej disa vitesh. Dhe si të thuash u vulos me emërimin në krye të një zonje të re. Në grupin e punës u tha se po futeshin figura me integritet të pa cënuar. Si nga të përndjekurit, partitë politike dhe qeveria. Por pa opozitën. Opozita bojkotoi me preteksin e sojit që i duhet të kundërshtoj. Pasi çdo ligj, çdo nismë, çdo reformë është e mirë vetëm kur bëhet nga unë. Një kulturë tashmë bajate tek ne. Kjo është një nga kokëfortësitë klasike opozitare ndaj të gjitha reformat e deritanishme në vendin tone, janë gjysmake. Plot erëra koridoresh ku mundësia e abuzimit është sa dita. Shto pastaj edhe atë pa personalitetin e ligjzbatuesit shqiptar, që shitet për një dopio e dy qofte. Dhe si rrjedhoj me efekte shtrëmbane duke zgjatur përjetësisht tranzicionin. Megjithëse plot tetë vite në pushtet, PD-ja nuk iu qas fare një reforme të tillë. Edhe pse mbante brenda vetes një masë të madhe nga shtresat e përndjekura.

Shumë nga shqiptarët besuan se më në fund ligji do dominonte tek ne. Por nuk po ndodh. Madje po bëhet tejet i përdorshëm. Sa nuk është fare e lehtë të kuptohet, se këta anëtarë duhet t’i kenë gati kuotat për letra, dokumente, a të tjera gjëra të kësaj natyre. Thjesht për zhurmë dhe shantazhe a bërje pis të ndonjë figure. Siç po ndodh në rastin konkret me letrën e Ismail Kadaresë drejtuar Enver Hoxhës në lidhje me të motrën.

4) Unë nuk kam për qëllim t’i dal në mbrojtje Kadaresë. Nuk ka nevojë asfare ai për një të tillë. Biles të gjithë ne shqiptarët bëjmë mire të heqim dorë nga këmbëngulja bajate se kush ka të drejtë. Nga solidarizimi në masë me zhurma të tilla si a ka qënë apo jo pederast Enveri? Çfarë ndodhi me jugosllavët. Çfarë me komunistët dhe çfarë me ballistët. Pasi po harrojmë enkas të tashmen. Demokracinë dhe funksionin e saj social.

Merremi me të shkuarën me një inat shtazarak aq sa nuk ngopemi ta shohim njëri-tjetrin përtokë. Duam diçka më shumë. Një kënaqësi ekstazë krejt kafshërore.

Bëjmë mire të heqim dorë dhe nga ajo tjetra, të më shkoj e imja. Të bëhet si them unë. Vetëm shqiptarët gëzojnë kur nuk merr Kadare Nobelin. Dhe kjo është (më vjen keq ta them)…, kënaqësi kafshërore.

Eshtë krenaria jonë. Prej vendit tonë.

Si zog i rrugëve të botës që jam. E gjej kudo ku shkoj.

Dhe në një kantier pa fund, siç edhe janë këto libraritë e njerëzimit, të gjesh një shqiptar të madh nuk ka asnjë diskutim që është krenari. Po këtë zor se e kuptojnë mëndje që shohin vetëm Opinionin dhe dëgjojnë dënglat e Edi Ramës, Sali Berishës e Ilir Metës. Zor se e kuptojnë ata që nuk shohin më tutje se hunda e tyre. Dhe janë robër të një kohe të marrë peng. Robër të një lloj mendësie që Irene Papasi ua dhjeu grekëve, tha që është shqiptare.

Robër të intrigave nga dosjet e një sistemi që dje i ndau e i futi në një luftë klasash, kurse sot po i sundon me të kaluarën.

Nuk ka asgjë më fërgëlluese se sa kur shikon në një metro, një vajzë të re a një mesoburr që lexon Prillin e thyer.

Të flasin me superlative. Atë e ka shkruar një gjeni

nga gjaku ynë. Nga vendi ynë. Nga ai vend i vuajtur prej mendjesh të nxehta. Që rrinë e rrinë merren me heronjtë sikur t’i kenë marrë prej dore. Nga njëra anë e shajnë Enverin, nga ana tjetër shqyhen të të shqyejnë me metodat e tij.

Boll u mburrët me Irenën. Mburruni siç u ka hije me shqiptarin e vërtetë.

Filed Under: Opinion Tagged With: dhe Kadaresë, Ilir Levonja, Midis Irene Papasi-it

Përse duhet ta duam veten?

August 3, 2017 by dgreca

NGA KALTRINA HOTI/ New York/

Jemi popull i lashtë me një gjuhë që dallon nga fqinjët. Origjina e gjuhës shqipe është ilirishtja, e ka thënë dhe e ka vërtetuar shkenca botërore. Këtë e them me qëllim se nuk kemi nevojë të ndihemi inferior, nuk duhet të ndihemi të varfër si nga ana shpirtërore, kulturore,  historike por dhe ajo ekonomike. Shpesh dëgjojmë fjalë apo edhe lexojmë shkrime që iu bëhet qejfi armiqve dhe ish sunduesve tanë të djeshëm dhe të moçëm.  Arsyet dihen se; disa paguhen ndërsa të tjerët nuk kanë dituri të mjaftuar. Ai që paguhet bënë punën e djallit por i padituri e ka sherrin e madh. Ne si popull ende s’kemi ndërtuar idenë rreth ndërtimit të shtetit ligjor, dhe lejojmë që një hoxhë të na tregoj se na qenka nga zoti i dënuar të varrosesh si shqiptar, apo është e lejuar të marrësh edhe vajzën e tezes për grua. I padituri përherë ka një guxim për të mohuar veten dhe thotë se; ne mirë kemi jetuar nën sundimin otoman, tjetri në atë sllav e dikush të tregohet dhe më i mençur në atë bizantin apo romak. Shkenca dhe personalitete botërore neve na çmojnë dhe na respektojnë historinë, kulturën, traditën, prejardhjen ndërsa disa të paguar nga Beogradi, Athina e Stambolli krijojnë huti në opinionin që nuk ka orientimin e duhur të shtetit dhe të ligjit duke shpifur për shqiptarët dhe duke vënë në dyshim historinë, kulturën, personalitete bile shkojnë aq larg sa dhe organizojnë heqjen e busteve dhe lapidarëve të tyre. Në mungesë të përgjegjësisë ligjore sot kemi gjendje tejet të rënduar ku na e vejnë në dyshim edhe kombin me ca kinse intelektual, qëllimi i të cilëve është të përçajnë një popull në bazë të ndarjeve artificiale që i janë bërë. I gjithë ky soj po bluajnë për mullinjtë e huaj duke na hedhur në prehrin e injorancës turko-arabe, ndërsa e gjithë kjo është lojë e Beogradit dhe Athinës për të na dobësuar. Këto adhurues të turko-arabëve ndodhen gjithkund por vetëm në Turqi dhe shtetet arabe s’kërkojnë të shkojnë dhe më mirë e kanë që nëpër xhepat e tyre mbajnë valuta me kryqin si euro, dollar e franga zvicerane. Populli i lodhur nga varfëria dhe politika shterpë është në huti të plotë. Kur neve donin të na hedhin në det sllavët, ishin ato miqtë tonë amerikanë dhe Evropa perëndimore që na doli në ndihmë. Çdo i rrezikuar shqiptar, por dhe imamët që nuk duan të quhen shqiptar kur rrezikohen azil nuk kërkojnë në Turqi apo arabi por diku në perëndim, bile edhe të shërbejnë në xhamit e mërgatës shqiptare, arsye është valuta me kryq.  Është koha që shqiptari të bëhet faktor dhe të ndërgjegjësohet dhe ta respektoj veten se i takon një populli të lasht ndër më ta lashtët. Lamartini ka thënë:  “Ky komb e ky popull nuk merret nëpër këmbë… Kjo është toka e heronjve të të gjithë kohërave… Homeri aty gjeti Akilin, grekët Aleksandrin e Madh, turqit  Skënderbeun, njerëz këta të së njejtës racë, të të njejtit gjak”. Ne duhet të ulemi këmbëkryq në historinë dhe kulturën tonë e t’i themi njëri tjetrit “Mirëmëngjesi Bashkimi Kombëtar” se vetëm atëherë do ndihemi të nderuar dhe të respektuar edhe nga armiqtë tanë. Kur të jemi të bashkuar çdo njëri do e bëjë punën që i takon.

Filed Under: Opinion Tagged With: Kaltrina Hoti, perse duhet, ta duam veten?

FEJA E SHQIPTARIT ËSHTË SHQIPTARIA

August 3, 2017 by dgreca

-Si duhet ta kuptojmë Pashko Vasën? /Kolec_Taboini_31_korrik_2017_3Nga KOLEC TRABOINI/Në një debat për një çështje serioze, veçmas ato që janë kombëtare e të nxehta, është e nevojshme të jemi të qetë, të shuajmë pasionet e dominimit dhe përdorimit të sofizmit dhe dogmave. Përballimi i historisë do kurajë. Të vërtetat duan guxim. Analizat duan mendje të kthjelltë e jo stuhi në gotë. Aq më tepër retorika fetare në mediat sociale nuk i sjellin asnjë dobi shqiptarëve. Ndërsa futja e mësimeve fesë në shkolla pa tjetër një absurditet dhe do të funksionojë si një minë me sahat me veprim të vonuar.

Nëse përdoret një stigmatizim për njerëz të kategorisë së Haxhi Qamilit apo Beqir Grebenesë,  kjo nuk do të thotë se ata sillen në shëmbëllesë si fetarë, por si një tufë demagogësh që duke shfrytëzuar fanatizmin fetar të masave injorante, kërkonin të kthenin mbrapsht rrotën e historisë shqiptare, për ta venë sërish Shqipërinë nen suazën e perandorisë së shembur turko-osmane.

Kur nis një diskutim (që mjerisht shumë shpesh degradon në polemika të forta e me një fjalor mjeran nga pamundësia e argumentimit),  që në krye duhet ndare fjala se kush është objekt i stigmatizimit e në këtë rast që sollëm  si shëmbëllesë,  është ajo kategori që Faik Konica i konsideronte “Muhaxhirë”, pra qe kanë ardhur si mish i huaj ne këtë popull shqiptar dhe bëjnë punën e të huajve për ta shkatërruar këtë komb. Një marrëzi e vjetër por e shfaqur dhe artikuluar gjoja si risi është edhe ajo e pjelljes së kombit të ri kosovar, çmenduri me kulisa shovene në Beograd, Athinë e në Ankara. E kush tjetër e dëshiron copëzimin e shkatërrimin e kombit shqiptar më shumë se këta? Lexoni kauzat e tyre shqiptar vrasëse të deklaruara botërisht: “Kosova është Serbi/ Shqipëria e jugut është Greqi /Shqipëria është Turqi.”

Duhet bërë e qartë se është e drejtë të stigmatizohet çdo përpjekje e të huajve që afrojnë me para apo teknike, institucione, me mjete monetare a mënyra të tjera duke përdorur edhe fenë, për të nxitur veprime që çojnë drejte humbjes se identitetit kombëtar dhe drejtpeshimin shoqëror. Nuk ka pse merren nën mbrojtje  edhe kur ato shfaqen nën petkat fetare por kanë qëllime të mbrapshta antishqiptare. Dhe çfarë është më kryesorja, kur flasim për shqiptarë nuk bëhet asnjë dallim fetar sepse fjala ka plotkuptimin e saj. Tendenca e dikujt që të paraqesë fenë para kombit tregon shumëçka e nuk meriton ti jepet vëmendje edhe tendencës së tij për tu paraqitur në rolin e viktimës. Paraqitja e agresorit si viktimë është e njohur edhe në konflikte të mëdha botërore. Hitleri në kërkim të një shkaku për të pushtuar Poloninë përgatiti disa reparte speciale, u mësoi gjuhën polake, i veshi dhe i armatosi si ushtarë polake dhe i dërgoi në territorin polak. Nga atje gjermanët sulmuan postat kufitare gjermane, u vranë sa mundën, gjermanë me gjermanë, por në lajme u dha se trupat ushtarake polake sulmuan Gjermaninë. Duke luajtur rolin e viktimës ushtria naziste e pushtoi Poloninë. Bota bënte sehir.

Prandaj të bëhemi të zgjuar e ti shmangemi një kategorie të tillë njerëzish që shtiren si shqiptarë, por bëjnë punën e armiqve të Shqipërisë, që për hir të parave apo të fanatizmit  fetar kërkojnë të sjellin panik e krisje në mes të shqiptarëve.

Dihet se shqiptarët tashmë kanë familje të përziera sa i përket religjionit, dhe nuk mund ta shtrojmë problemin se po sulmohet një religjion apo një tjetër, sepse kryekreje kjo  nuk është e vërtetë. Nga një anë thonë me mburrje se jemi shumicë, e kur ja do puna thonë se po na persekutojnë. Po nga kush? Nga vetvetja? E përtej kësaj si mund të sulmohet vetvetja pa u quajtur vetëvrasje. Nga ana tjetër  nuk i interesojnë askujt fërkimet mbi baza religjionesh sepse e vërteta është se ata që sulmohen më shumë në Shqipëri prej fanatikeve fetarë janë Gjergj Kastrioti, Nënë Tereza, Dedë Gjo Luli, Idriz Seferi e tjerë që kanë qenë shqiptarë të mëdhenj pavarësisht religjionit fetar që i përkisnin. Të gjithë jemi dëshmitarë për këtë dhe shembujt janë të panumërt kur atdhetarët kanë vënë përpara kombin e jo religjionin. Por çfarë ndodh sot që po sulmohen këta atdhetarë të mëdhenj që përcaktojnë identitetin tonë si shqiptarë? Nuk mund ti fshehim veprimet individuale pas fjalëve e nocioneve të përgjithshme. Krimi ka një emër kur ndodh e ai është emri i autorit të krimit.

Së pari ne jemi të gjithë shqiptarë dhe përkatësia fetare nuk duhet të jetë shenjë e identitetit, por thjeshte çështje besimi. Të mos harrojmë se grupimet e ekstremisteve fetare (që në të vërtetë ekzistojnë, përbëjnë pakice por janë te rrezikshëm) pikërisht atë dëshirojnë, që veprimet e tyre ti kamuflojnë si veprime të gjithë komunitetit ku bëjnë pjesë. Nëse ne do të shkelnim në dërrasë të kalbur duke thënë se Skënderbeun e Nene Terezën, por edhe Dedë Gjo Lulin e sulmojnë myslimanet do të bënim një gabim shumë të madh, që do të thosha tragjik për ardhmërinë e kombit tonë.  Sepse kësisoj do tu krijonim mundësinë këtyre fanatikeve ekstremiste të pështirë në qëllimet e tyre, pra të shfaqeshin si përfaqësues të tërë shqiptarëve të besimit mysliman. Kjo nuk duhet të ndodh. Duhet ta kuptojmë se kjo është një platforme e atyre që duan destabilizimin e Shqipërisë, prishjen e raporteve, shkallmimin e tolerancës. Se kush e dëshiron këtë po dihet. Janë ata që na shtiren si miq ditën e  punojnë si armiq natën, që i ftojmë si historianë e na shfaqen si mercenar idesh të dalë kohe.  Nuk ka nevojë të kërkohet shumë larg, e tregoi këtë agresivitet emisari i errësirës anadollake, një pseudo historian që erdhi nga Turqia për të na sharë e anatemuar Gjergj Kastriotin këtu në Shqipërinë tonë, madje atje ku ndodhet varri i tij pa eshtrat, se eshtrat ja bënë turqit hajmali. Po këtë nuk e bënë shqiptarët myslimanë. Të mos bëjmë lojën e atyre që nuk na duan të mirën duke treguar njeri-tjetrin me gisht, ndërkohë që armiqtë tanë gëzojnë për çdo incident i kësaj natyre që ndodh këtu mes nesh. Armiqtë tanë rrojnë me shpresën e marrë se kjo do të kthehet në një konflikt ndërfetar dhe kështu të realizohen qëllimet që duan. Por tek ne kjo nuk duhet të kalojë. Do të thosha se, para së gjithash njerëzve ndjellakeq brenda apo jashtë nesh duhet tua tregojë vendin se pari vetë komuniteti mysliman shqiptar, por dhe komunitetet e religjioneve të tjera. Është në interesin e tyre por e mbarë shqiptarëve që të mos përlyhet emri i asnjë prej komuniteteve tona fetare prej atyre që nxisin urrejtje dhe shpresojnë të ndezin konflikte ndërshqiptare.

Sa i përket historisë, ajo mund të diskutohet në të gjitha këndvështrimet me qellim që të dalë e vërteta, por jo që të bëjmë transplantime absurde. Nëse marrim si shembull luftën që i bëri komunizmi klerit katolik e ka shpjegimin e vet si nga pikëpamja fetare po aq intelektuale, sepse klerikët katolikë ishin ndër personalitetet më të mëdha të kulturës shqiptare. Pra ngërthehet urrejtja e Enver Hoxhës ndaj çdo gjëje katolike me një urrejtje e frikë nga drita e mendjes dhe aspiratat për liri e të drejta që ata mund të përhapnin në popull. Ndaj mendoj se ata janë martirë jo thjeshtë të fesë, por edhe nga pikëpamja kombëtare. Atdheu ka qenë pjesë e qenësishme e idealit për të cilin i pritën plumbat në gjoks klerikët atdhetarë katolike. Por njëkohësisht ne kemi edhe pjesëtarë të klerit mysliman që janë ekzekutuar si atdhetare prej pushtuesve të huaj. Shembujt janë të shumtë në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni. Personalisht kam bërë një shkrim dekada më parë për Hasan Muglicën e Okshtunit, i ekzekutuar nga serbët më 1915. Ai ishte një mësues e një atdhetar para se fetar. Nuk e vranë se ishte hoxhë por se ishte një shqiptar i madh dhe i tillë mbetet në historinë tonë. Prandaj pavarësisht besimit që kemi, figurat kombëtare duhet ti respektojmë pa dallim.  Heronjtë tanë nuk i përkasin religjioneve por panteonit kombëtar. Kjo e vërtetë mund të mos i pëlqej ndokujt që është mësuar ti shoh realitetet me syze fetari fanatik, por kushdo që para së gjithash ndjehet shqiptar, e ndjen të vetën çdo figurë atdhetare pavarësisht se çfarë besimi fetar ka pasur dhe cili ka qenë religjioni si trashëgim i tij familjar.

Ka plot për të diskutuar, por dua të shprehem hapur se nuk i hyj asnjë debati publik nëse që në krye nuk biem në një mendje se fjalët popull shqiptar, katolik apo mysliman, ateist apo monoteiste nuk do ti tollovisim siç bën ajo kategoria e atyre që punojnë si kamikazë të falangave të huaja dhe duan që ta kthejnë Shqipërinë në një fushë beteje të luftërave të tyre idiote, por edhe vrastare së shumti duke u fshehur pas predikimeve fetare. Personalisht në vështrim shoqëror, i mbetem besnik Pashko Vas Shkodrani në thënien e tij monumentale që nuk e di pse nuk gjendën në ndonjë lapidar në qendër të Tiranës “Feja e shqiptarit është shqiptaria”. Por paradoksalisht kemi një shtatore qesharake të Sulejman pashës si themelues i Tiranës me ferman të sulltanëve të Stambollit, çfarë rrënon me themel kujtesën historike dhe kauzën tonë si popull arbëror me prejardhje ilirike.

Çfarë duan të thonë me këtë shtatore anadollaku këta mendje mykurit e Tiranës që ju ka bërë truri Turqi e sulltan. Mos duan të na thonë se  para se të vinin osmanët nuk ka pasur histori në trojet arbërore. Mos vallë gjithçka fillon nga ardhja e turqve pushtues, kur me shpatë e me zjarr erdhën Mahmutat, Mehmetat e Mustafatë? Pse nuk ka një rrugë me emrin 300 djemtë martirë të Drishtit që ju prenë kokat prej turqëve në Shkodër në rrethimin e vitit 1478, apo emrat e Llesh e Nikoll Beganit, komandantit trim Jakob Moneta, apo emri i kryearkitektit të kështjellës Donatit, që luftuan e dhanë jetën duke e mbrojtën Shkodrën për dhjetë vjet përballë mizorisë së hordhive të lindjes. Mos vallë jemi mbetje biologjike të pushtuesve barbare të orientit. Pjellë përdhunimesh. Bastardë të huajsh. Kjo tutkunëri ndër disa mendje anadollake djallëzore duhet të marr fund. Ballkanasit po krijojnë histori aty ku nuk kanë, sepse kanë ardhur tejet vonë, ndërsa ne, që na buçet historia nën këmbë, as që duam t’ia dimë apo e harrojmë për qëllime strategjike të atyre që duan që populli shqiptar të mos ketë kujtesë historike, çfarë e bën të lehtë zhbërjen e tyre.

Ajo që na bashkon është historia, erërat le të fryjnë si e ku të duan, shqiptari ka ditur gjithmonë ti presë me gjoks. Thashë shqiptari, sepse për mua asnjë prapashtese, cilësor, apo nuance tjetër bashkangjitur pas këtij emri nuk qëndron. Pashko Vasa nuk ishte katolik. Nuk ishte as mysliman. Nuk ishte ortodoks. Nuk ishte as ateist. Ai kur i shkroi ato fjalë lapidare “Feja e shqiptarit është shqiptaria!”, ishte thjeshtë një shqiptar. E kush është shqiptar i vërtetë e jo i hallakatun, jo tinëzar i shitun por atdhetar i vërtetë, i ndjen thellë në shpirt ato fjalë. Kështu duhet kuptuar Pashko Vasa, e kur them Pashko Vasa kam parasysh çdo shqiptar tej e përtej besimit. Problemi është sa jemi të zot ta meritojmë atë titull nderi.

 

Gusht 2017

Filed Under: Opinion Tagged With: ËSHTË SHQIPTARIA, feja e shqiptarit, Kolec Traboini

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 473
  • 474
  • 475
  • 476
  • 477
  • …
  • 860
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Sot dita e lindjes së atij që i dha Shqipërisë Pavarësinë numër 2: Thomas Woodrow Wilson
  • DR. STEPHAN RONART (1933)  : “JA SI PJETËR BUDI DO TA RISHKRUANTE LETRËN E TIJ DËRGUAR 4 SHEKUJ MË PARË DUKËS SË SAVOJËS PËR TURIZMIN AKTUAL NË SHQIPËRI…”
  • PLUHUR VEZULLUES YJESH NGA LASGUSHI IM
  • BASHKËBISEDIM KULTUROR – Kristo Floqi dhe Komedia Shqiptare
  • MESAZHE TË BUKURA NJERËZORE
  • Kushtrim Shyti, djali i mësuesit, poetit dhe dëshmorit të UÇK-së, Mustafë Shyti, vizitoi Vatrën
  • KOSOVO CINEMA IN NEW YORK CITY: DOUBLE BILL WILL SCREEN IN MANHATTAN AND BRONX FOR BRONX WORLD FILM’S 15th ANNIVERSARY
  • NUK MUND TË ANASHKALOHET ROLI I ERNEST KOLIQIT NË FORMIMIN E MARTIN CAMAJT
  • MALI I ZI, VENDI KU KSENOFOBIA NDAJ SHQIPTARËVE ËSHTË NË RRITJE E SIPËR
  • “Kosova Lindore, dje, sot dhe sfidat e së ardhmes”
  • TIDENS TEGN (1929) / LETRA E EVELYN STIBOLT, MËSUESES NORVEGJEZE TË KUZHINËS SHKOLLORE : “EKSPERIENCA IME NË SHKOLLËN PËR VASHA NË KORÇË…”
  • FOTO – STUDIO VENETIKU dhe fotografja e parë shqiptare që vdiq në burgjet e diktaturës
  • KLINIKA E POEZISË, VISARI NË UNIVERSITETIN ILLINOIS, SHBA…
  • Dialogu dhe politika e jashtme e Kosovës, katër vitet vendimtare për shtetin
  • KRISHTLINDJET…

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT