• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Transformimi i Europës dhe marrëdhënia me Ballkanin

July 28, 2017 by dgreca

1 akri Cipa

Nga Akri Çipa/Europa e bashkuar e ka humbur sot sharmin dhe imazhin e dikurshëm të saj. BE-ja e re në kontinentin e vjetër është sot një figurë që nuk pasqyron idealizmin që premtonte projekti europian në gjenezë të tij. Megjithatë, edhe pse nuk ngjall të njëjtin entuziazëm dhe nuk përqafon më të njëjtin idealizëm politik, Europa mbetet sot një faktor tejet i rëndësishëm dhe pozitiv në rajonin e Ballkanit.

Kriza ekonomike ndihmoi në zbehjen e imazhit, por ringritja e kohëve të fundit dhe pritshmëritë e një performance ekonomike në rritje në vitet e ardhshme nuk mjaftuan për ta rikthyer atë. Kjo për shkak se nuk ishte vetëm çështja ekonomike që solli këtë zbehje. Europa e bashkuar hoqi dorë nga idealizmi i saj. Teksa burokratët në Bruksel u vinin përsipër politika austeriteti vendeve në të cilat ekonomia kishte marrë të tatëpjetën, ata frustronin banorët e thjeshtë të këtyre vendeve dhe nuk përmendnin asnjëherë elitat e korruptuara dhe të paafta që i çuan ato ekonomi në atë pikë.

Teksa dështoi të tregonte vullnet për të vënë nën kontroll dhe përpara përgjegjësisë Viktor Orban në Hungari dhe për të mos lejuar shndërrimin e tij në një autokrat të vogël në zemër të kontinentit, Bashkimi Europian konfirmoi cinikisht se, përpara përballimit të valës së emigrantëve dhe ringritjes ekonomike, demokracia mund të kalojë edhe në plan të dytë. E njëjta gjë vlen dhe për rastin e Polonisë, ku së fundmi Kaczynski dhe partia e tij po projektojnë vënien në kontroll të të gjitha pushteteve. Edhe në këtë rast, Europa po e bën një vesh shurdh dhe, megjithë fjalët e korridoreve për përdorimin e Artikullit 7 (artikull që heq të drejtën e votës për vendet e BE-së që shkelin të drejta themelore), po e lë kastën politike polake të degjenerojë gjithë proceset demokratike në vend.

Europa e bashkuar është sot një entitet që e ka mendjen tek shenja e euros më shumë se sa tek standardi demokratik. Artikulli 2 i traktatit të Lisbonës, i cili konfirmon themelimin e Bashkimit Europian në vlerat e dinjitetit njerëzor, lirisë, demokracisë, barazisë, respektimin e ligjit dhe të të drejtave të njeriut, është sot më shumë një stilemë letrare se sa një princip të cilit i drejtohen zyrtarët e BE-së në deklaratat e tyre publike. Ky transformim i Bashkimit Europian nuk është i rastësishëm. Në fakt, është një zgjedhje që liderët politikë europianë të dekadës së fundit e bënë sa nën presionin e zhvillimeve të jashtme, aq edhe në mënyrë të vetëdijshme.

Por, pavarësisht trajtës së re cinike, Europa e bashkuar vazhdon të jetë një magnet i fuqishëm për vendet ballkanike. Megjithëse BE-ja ka humbur aftësinë e saj për të përmirësuar nivelin e demokracisë në vendet ballkanike, ajo ia ka dalë të përmirësojë marrëdhëniet diplomatike ndërmjet këtyre vendeve. Në atë nivel që as SHBA dhe asnjë aktor tjetër ndërkombëtar nuk mund ta arrijë.

Nuk do të mund të përfytyrohej dot një afrim i Serbisë me Kosovën pa qënësinë dhe ndërmjetësimin e BE-së. Pranimi de facto nga lidershipi politik serb i pavarësisë së Kosovës në ditët e fundit duhet parë si vijueshmëri e impaktit të BE-së në rajon dhe si rezultat i drejtpërdrejtë i Samitit të Ballkanit Perëndimor, të mbajtur në Trieste vetëm dy javë më parë. Pa fondet e vëna në dispozicion nga BE-ja, nuk do kishim as planifikimin e një mbledhjeje të përbashkët qeverie ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë. Edhe kjo dukej e paimagjinueshme pak muaj më parë.

Paqtimi i Ballkanit kalon përmes llogarive bankare të këtyre vendeve. Një aleancë ekonomike si Europa e ditëve tona e ka kuptuar mjaft mirë këtë fakt. Marrëdhënia e vendeve të Ballkanit me Europën është bërë transaksionale. Shqipëria, Serbia, Maqedonia, Kosova, Bosnja dhe Mali i Zi e shikojnë Europën si bankomatin në të cilin tërheqin fonde për të rindërtuar infrastrukturën. Politikanët e këtyre vendeve e shikojnë Europën si legjitimim dhe mbështetje për të bindur masat e gjëra të votuesve të tyre se realisht po punojnë. Europa, nga ana e saj, i shikon këto vende si fëmijë të cilët duhen mbajtur të kënaqur (por jo shumë) dhe të qetë (sa më shumë).

Bashkimi Europian ka potencialin të rikthehet të jetë një bashkim principesh po aq sa bashkim interesash ekonomike. Sikurse ka të gjitha aftësitë të rikonfirmojë vlerat e shprehura në artikullin 2 të traktatit të Lisbonës dhe të garantoje qënësinë e atyre vlerave, jo vetëm ndër vendet anëtare, por edhe ndër vendet që aspirojnë të jenë të tilla. Por, deri atëherë, duhet të pranojmë se, edhe thjesht si aleancë pragmatiste, Europa ka mundësinë dhe fuqinë të garantojë stabilitetin në Ballkan dhe normalizimin e marrëdhënieve shpesh të acaruara ndërmjet vendeve të këtij rajoni tragjik. Dhe kjo nuk është pak.

Filed Under: Opinion Tagged With: Akri Çipa, dhe marrëdhënia, me Ballkanin, Transformimi i Europës

ARSHI PIPA- ME RASTIN, E 20-VJETORIT, TË VDEKJES

July 28, 2017 by dgreca

arshi_pipa 2(1)

Arshi Pipa, veprat e të cilit nuk do të dinë kurr mort, është i denjë i kujtimit dhe i nderimeve tona ndërkohë që meriton mirënjohjen e të gjithë Shqiptarëve, jo vetëm sot me rastin e 20-vjetorit të vdekjes, por gjithmonë./

1 frank Shkreli

Nga Frank Shkreli/ Të ënjtën me 27 Korrik në Muzeun e Kujtesës së krimeve Komuniste në Shkodër u përkujtua 20-vjetori i ndarjes nga kjo jetë në Washington, shkrimtari, politologu dhe kritiku i cili u përndoq dhe u burgos nga regjimi komunist, për qëndrimet dhe bindjet e tija anti-komuniste, njofton nga Shkodra, korrespondenti i Zërit të Amerikës, Pëllumb Sulo.  Sipas korrespondetit Sulo, pjesëmarrësit në këtë përkujtim u shprehën se Profesor Arshi Pipa dha kontribut të shquar në fushën e albanologjisë, demaskimit të komunizmit dhe mbrojtjen e çështjes kombëtare, ndërsa vepra e tij nuk njihet plotësisht nga publiku shqiptar shprehet Pëllumb Sulo në kronikën e tij nga Shkodra.

Profesor Arshi Pipa lindi në Shkodër me 28 Korrik, 1920 dhe ndërroi jetë në Washington në vitin 1997.  Ai kaloi pjesën me të madhe të jetës së tij jashtë Atdheut, në mërgim të detyruar.   Arshi Pipa ishte shume i njohur në qarqet akademike e kulturore në Perëndim e sidomos këtu në Shtetet e Bashkuara, por gjatë periudhës së komunizmit ishte “persona nongrata” si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë.

Megjithëse nuk e ndjejë veten as të denjë dhe as të kualifikuar për të shkruar për Arshi Pipen dhe veprat e tijë, dua vetëm të shënoj këte përvjetor si një detyrim, pasi e kisha njohur atë dhe motrën e tij Fehimën me të cilën kam punuar në Zërin e Amerikës për disa vjetë. Ndjejë një detyrim moral — për vuajtjet e kësaj familjeje nën regjimin e Enver Hoxhës, për burgun që pësoi Arshiu vetë në ferrin komunist shqiptar dhe per vrasjen nga regjimi komunist i të vëllait të tyre, avokatit të njohur shkodran, Myzaferin — që me dy tri fjalë të përkujtoj këte njeri të madh të kombit, në këte pervjetor të kalimit në amshim. Fatkeqsisht, familja Pipa e pësoi shumë keq nga komunizmi. Ishte kohë e keqe për të gjithë shqiptarët, kur burgosej shkrimtari dhe kur vritej avokati, vetëm e vetëm sepse mendonin ndryshe.  

Arshi Pipa përveç kontributeve të mëdha që i ka lenë kombit në fushën e letërsisë, gjuhësisë, filozofisë dhe publicistikës — në bazë të takimeve e bisedave të disa hershme me të në Washington — Arshi Pipën e mbajë mend më shumë si atdhetar dhe antikomunist, pasi afër zemrës kishte dashurinë për Shqipërinë dhe çlirimin e saj nga komunizmi. Ky ishte shpesh subjekt bisedash. Unë e vlerësoj shumë qendresën e tij anti-komuniste. Megjithëse kishte vuajtur ferrin në burgjet e Shqipërisë komuniste, duke e shikuar vdekjen në sy, ai kurrë nuk humbi shpresën për liri për veten dhe për kombin shqiptar dhe si rrjedhim, për këte ideal ai punoi pa ndërprerje deri në minuten e fundit të jetës së tij. Ai shpesh thonte se “Komunizmi nuk ka të ardhme. Ai do të përsëritet në involucjone gjithnjë ma të dobëta derisa të shterret vetvetiu”, kishte profetizuar ai.
Takimi im i parë me Arshi Pipën nuk ishte në person, por ishte Libri i Burgut, i shkruar prej tij ndërsa ishte në burg, si një dokument kundër regjimit komunist.  Një libër ky për të cilin vet autori ka thënë se “… u nis me qëllim që libri të delte nga burgjet prej të cilave unë ndoshta nuk do të delsha… Kështuqë, qysh heret shestova me mbledhë përvojen time, dhe jo vetëm timen, të kohës së robënisë, që të ishte ky libër dëshmi e jetës së burgut dhe të kampit — e një anës së jetës nën diktaturën komuniste e cila karakterizon mirë gjithe kompleksin.”  Kështuqë, pa e takuar në person, unë kisha njëfarë ideje se kush ishte Arshi Pipa, dhe se cilat ishin qëndrimet dhe bindjet e tija. Unë kam pas fatin të takoj këte dijetar të madh tonin disa herë dhe e kam admiruar sa ishte gjallë si edhe pas vdekjes. Ishte parimor, mbronte me aftësi qëndrimet e tija ndërkohë që kishte një përgatitje të dijës së gjithanshme. Dituria e tij ishte rrjedhim e frutë e studimeve të parreshtura dhe vuajtjeve personale e familjare. Ai, në bisedë të angazhonte intelektualisht dhe në argumentat e tij kishte një gjallëri përbindese të idealeve.
Arshi Pipa personifikonte patriotin dhe intelektualin, ndër më të shquarit e kombit shqiptar, i cili asnjë ditë të jetës së tij nuk pushoi së luftuari për liri e demokraci: për lirinë e fjalës, për lirinë e Shqipërisë dhe të Kosovës, gjithmonë në papajtueshmëri të plotë dhe të vendosur ndaj regjimit dhe diktaturës komuniste.

Sot, në këte 20-vjetor të vdekjes, kujtojmë Arshi Pipën, personalitetin e madh kulturor, poetin e shkrimtarin, atdhetarin, demokratin e anti-komunistin e flakët që vuajti tmersisht në burgjet e diktaturës komuniste të regjimit të Enver Hoxhës. Kujtojmë gjithashtu personin që mund të thuhet, se jo vetëm që nuk është zbuluar ende si duhet nga publiku shqiptar — ashtu siç vunë në dukje edhe pjesëmarrsit e përkujtimit të tij në Shkodër të ëntjën — por mund të thuhet se nganjëherë e nga disa, ai mbetet i keq kuptuar dhe është trajtuar në mënyrë indiferente, për të mos thënë armiqësore, sidomos nga institucionet kulturore dhe akademike, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë.

Le të shpresojmë që përkujtimi i këtij burri dhe intelektuali të madh të kombit, si ai në Shkodër, të ndihmojë në ruajtjen e trashëgimisë së konsiderueshme të këtij kontribuesi të palodhur të kulturës, shkrimeve dhe studimeve shqiptare, duke zenë vendin që i takon në radhëlt e shkrimtarëve më të njohur shqiptarë. Arshi Pipa gjithë jeten dhe vuajtjet ia kushtoi atdheut dhe kombit. Ai ishte ndër më të ndritshmit patriotë e shkollarë, veprat e të cilit janë jetike për kombin e vuajtur shqiptar nga terri 50-vjeçar komunist.

Ka ardhur koha që të hiqet dorë nga dogmat e vjetra dhe të vlerësohen shkencërisht kontributi dhe vlerat që kanë veprat e elitës së qendresës anti-komuniste shqiptare, përfshirë edhe veprat e Arshi Pipës. Një gjë e tillë, do të rivendoste dinjitetin dhe nderin e nepërkëmbur njerëzor të elitës së vuajtur dhe të viktimizuar shqiptare dhe do i bënte nder kombit.
Arshi Pipa tërë jetën u mor me fatin e atdheut të vet, prandaj, në këte 20- vjetor të vdekjes së tij, ta kujtojmë, dhe ta nderojmë këte dijetar që solli dritë mbi historinë dhe kulturën shqiptare, si përfaqsues u denjë në boten e jashtme, me dinjitet duke e paraqitur kombin shqiptar si të denjë të zejë vendin qe i takon në radhët e kombeve të qytetëruara. Duke i këthyer ligjëshmërinë dhe vendin që i takon Arshi Pipës dhe veprave të tij në historinë e kombit shqiptar, Shqipëria dhe shqiptarët nuk bejnë asgjë tjetër veçse vene në dukje fisnikërine e vetës ndaj bijëve dhe bijave të kombit që kanë nderuar por që deri tashti nuk janë ende të njohur ashtu siç duhet për publikun e sidomos për brezat e rinjë të shqiptarëve.
Arshi Pipa — veprat e të cilit nuk do të dinë kurr mort — është i denjë i kujtimit dhe i nderimeve tona ndërkohë që meriton mirënjohjen e të gjithë Shqiptarëve, jo vetëm sot me rastin e 20-vjetorit të vdekjes, por gjithmonë.

Filed Under: Opinion Tagged With: ARSHI PIPA- ME RASTIN E 20-VJETORIT TË VDEKJES, Frank shkreli

A DO TA KETE RAMA 2 NJE MINISTRI TE DIASPORES?

July 27, 2017 by dgreca

Jo shqiptarë të Kosovës dhe të Maqedonisë në kabinetin Rama 2, por Ministri të Diasporës/1 arben llallaNga Arben LLALLA/Këto ditë në mediat shqiptare po flitet se në kabinetin Rama 2 do ketë ministra shqiptarë nga Kosova dhe Maqedonia. Si ide është për t’u përkrahur, por duke patur parasysh se shqiptarë ka në Preshevë, Mal të Zi, Çamëri, e gjetkë nuk e shoh të arsyeshme që të mbështetet ideja për ministër në kabinetin Rama 2 nga Kosova dhe Maqedonia, por për themelimin e Ministrisë së Diasporës. Sepse, lind pyetja: Përse shqiptarë të Maqedonisë ministër i Ramës 2 dhe jo të Preshevës? Përse ministër nga Kosova dhe jo nga Mali i Zi? Përse mos të ketë ministër nga Çamëria? Pra, çështja nuk është aq e thjeshtë, prandaj Edi Rama duhet të themelojë Ministrinë e Diasporës, idenë dhe projektin e kësaj ministrie e ka hedhur PDIU, e cila e ka njërën nga pikat kryesore në programin e saj.

Ministria e Diasporës do të përfshinte në gjirin e saj, jo vetëm shqiptarët nga Kroacia, Sllovenia, Serbia, Presheva, Mal i Zi, Maqedonia, Çamëria, por edhe diasporën e hershme të Turqisë, Bullgarisë, Ukrainës, Rumanisë, Egjiptit, Sirisë, Jordanisë e gjetkë. Kjo ministri do krijonte lehtësira, përkujdesje edhe për emigrantët ekonomikë të pas viteve 1990, për mosasimilimin, për ruajtjen e gjuhës, traditave dhe të trashëgimisë kombëtare. Kosova pa përvojë të gjatë shtetformuese është treguar më serioze për diasporën duke themeluar Ministrinë e Diasporës, ende pa e shpallur pavarësinë e saj. Ministria e Diasporës e Kosovës ka bërë hapa të suksesshme në përkujdesje të shqiptarëve nëpër botë duke sjellë në Kosovë për herë parë në vitin 2004, rreth 30 arvanitas për të njohur njëri-tjetrin, shpërndarë Abetare, hapur kurse për mësimin e gjuhës shqipe. Por, Shqipëria, e cila ka më shumë se 100 vjet shtet dhe ku pretendohet se rreth 35% shtetas të saj janë në emigracion hesht për themelimin e një ministrie të tillë. E vetmja parti që ka në programin e saj themelimin e Ministrisë së Diasporës është PDIU, e cila në bashkëpunim me Shoqatën “Çamëria” të Shqipërisë dhe të Izmirit në vitin 2012 dërgoi Abetaret e para për mësimin e gjuhës shqipe dhe hapjen e klasave të para për mësimin dhe kulturën shqiptare në Izmir të Turqisë. Sot, kanë kryer arsimin fillestar të gjuhës shqipe me qindra shqiptarë nga diaspora e atjeshme.

Prandaj, mendoj se nuk ka nevojë për ministra shqiptarë nga Kosova dhe Maqedonia, por për Ministrinë e Diasporës, e cila do të kujdesej për ata njerëz që prej dhjetëra vitesh dërgojnë miliona euro në vendlindje. Që Shqipëria, gjuha shqipe dhe kultura jonë tradicionale mos të jenë atdhe i humbur për shqiptarët, të cilët pas luftërave, gjenocideve që kanë ndodhur në shekujt e kaluar dhe emigrimit ekonomik lanë trojet e të parëve. Nuk do të jetë tragjike apo nënshtrim, nëse Edi Rama fton për këshillime njerëzit që kanë njohje të thella për diasporën, por edhe ekspertët e PDIU-së, të cilët prej disa vitesh promovojnë dhe kërkojnë themelimin e Ministrisë së Diasporës.

Filed Under: Opinion Tagged With: A DO TA KETE RAMA NJE MINISTRI, arben llalla, te diaspores

LIRIA EKONOMIKE ËSHTË ÇELSI I NJË SHOQËRIE TË BEGATË

July 26, 2017 by dgreca

2 Frank-shkreli-2-300x183-1

Nga Frank Shkreli/Instituti i Lirisë Ekonomike pranë Fondacionit Heritage në Washington, botoi këtë muaj Indeksin e Lirisë Ekonomike në Botë të vitit 2017 për 180-shtete, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën.  Është ky një indeks vjetor që matë nivelin e lirisë ekonomike në të gjitha vendet e botës.  Indeksi bazohet në parimin, pak a shumë të ngjashëm me atë të Adam Smith-it, ekonomistit dhe filozofit skocez të shekullit të 17-tët — të përmbledhur në veprën e tij klasike Pasuria e Kombeve, “Se institucionet kryesore, të cilat mbrojnë lirinë e individit për të ndjekur dhe për të realizuar interesat e veta ekonomike, rrjedhimisht dhe njëkohësisht sigurojnë begati më të mëdha edhe për mbarë shoqërinë.”

Raporti i “Fondacionit Heritage” mbi lirinë ekonomike në botë për vitin 2017, nënvijon pikërisht këtë fakt se vendet ku tregtarët dhe sipërmarrësit janë të lirë që me krijimtarinë dhe aftësitë e tyre t’u ofrojnë njerëzve prodhimet dhe shërbimet të cilat ata i duan dhe për të cilat kanë nevojë, shënojnë një rritje shumë më të mirë ekonomike në krahasim me vendet të cilat janë tepër autoritare, kufizuese ose shkelëse të lirisë ekonomike  dhe lirive bazë të njeriut, në përgjithësi.  Raporti vjetor sjellë shumë shembuj, ku vendet me lirinë më të madhe ekonomike kanë shënuar edhe suksese të mëdha dhe dinamike në sigurimin e begatisë — si për individët ashtu edhe për shoqëritë e ndryshme të cilat gëzojnë lirinë ekonomike dhe liritë e tjera bazë të njeriut.  Ndër 10 vendet me më shumë liri ekonomike, sipas raportit të “Fondacionit Heritage”, për vitin  2017 janë Hong Kongu, Singapori, Zelanda e Re, Zvicra, Australia, Estonia, Kanadaja, Emiratet e Bashkuara Arabe, Irlanda dhe Kili.

Shqipëria radhitet në vendin e 65-të, ndërsa Kosova në vendin e 46-të të listës për lirinë ekonomike, ku përfshihen180 vende të botës, të renditura në indeksin e lirisë ekonomike të “Fondacionit Heritage”, për këtë vit. Në profilin e raportit mbi Shqipërinë vihet në dukje se Shqipëria është kandidate për antarësim në Bashkimin Evropian, është anëtare e NATO-s dhe kontribuese në misionin e udhëhequr nga NATO-ja në Afganistan dhe shënon se, një marrveshje për Partneritet Strategjik me Shtetet e Bashkuara, ka për qëllim rritjen e bashkpunimit, përfshirë përmirësimin në fushën e sistemit të drejtësisë dhe atë gjyqësor.  Në raport thuhet gjtihashtu, se tranzicioni drejtë një sistemi ekonomik më të lirë është mundësuar 10-vitet e fundit nga një ristrukturim i dukshëm në vend, ndërkohë që Shqipëria po ecën në rrugën e një rimkëmbjeje graduale ekonomike, përballë disa kushteve sfiduese të jashtme dhe të mbrendshme.  Por, megjithkëtë, autorët e raportit theksojnë se Shqipëria ka nevojë për “Më shumë reforma ekonomike nëqoftse dëshiron të sigurojë rritjen e lirisë ekonomike, ashtuqë të realizojë një zhvillim ekonomik më të fortë e më të qendrueshëm.”  Thuhet mëtej se, “Në Shqipëri sistemi ligjor mbetet i paefektshëm dhe viktimë e ndërhyrjeve politike, ndërkohë që korrupsioni është tepër i përhapur në të gjithë sektorët e shoqërisë.”  Në profilin mbi Shqipërinë, karakterizohet projektimi i legjislacionit mbi pronat si një ndërmarrje copa-copa dhe aspak i bashkrenduar mirë dhe shton se ndonëse gjykatat, sipas kushtetutës janë të pavarura, ato mbeten subjekt presionesh politike dhe frikësimesh.  Në Indeksin e Lirisë Ekonomike në botë mbi Shqipërinë, përmendet, ndër të tjera, edhe  ligji i vitit 2015 i cili ndalon të dënuarit për krime që të mbajnë detyra të larta në sektorin publik shtetëror e qeveritar, por thuhet se megjithëkëtë ligj, “Administrata publike vazhdon të jetë e paefektshme, e paaftë dhe e prekur nga një korrupcion i gjithëanshëm.”

Ndërkaq, në profilin e raportit mbi Kosovën thuhet se tranzicioni i shtetit më të ri në Evropë, “Drejtë një ekonomie më të hapur dhe të bazuar  në forcat e tregut, vazhdon të shkojë përpara me një ritëm në rritje e sipër të lirisë ekonomike”.   Raporti thekson se megjith atmosferën sfiduese të zhvillimeve ekonomike në rajon, Kosova  megjithse me një ekonomi pa dalje në det — në krahasim me fqinjtë — ka shënuar çdo vit, ç’prej shpalljes së pavarësisë, rritje të lirisë ekonomike. Por, megjithë përparimin e dukshëm në modernizimin e kornizave ligjore dhe hapjes së ekonomisë ndaj tregëtisë botërore, raporti në fjalë shënon se, Kosova përballet, “Me mungesa dhe pengesa të vazhdueshme institucionale dhe strukturore që kanë të bëjnë me korrupsionin dhe me mos zbatimin e ligjit”. Këto sipas raportit, “Po ngadalsojnë rritjen dhe konkurencën ekonomike në treg, duke kufizuar kështu forcimin e një sektori më të fortë privat”, në atë vend.  Ashtu si edhe në rastin e Shqipërisë, raporti thotë se gjykatat, sipas kushtetutës janë të pavarura në Kosovë, por në praktikë nuk janë të tilla dhe influencohen nga politika. Korrupsioni mbetet një problem i madh edhe për Kosovën, thuhet në raporti.

Shtetet e Bashkuara janë në vendin e 17-të indeksit për nga liria ekonomike, pas Estonisë, që duhet përmendur se është një shtet që ishte dikur pjesë e ish-Bashkimit Sovjetik, por që ka miratuar dhe tani zbaton një politikë që ka për qëllim promovimin e lirisë dhe të rritjes ekonomike në vend.  Raporti mbi Shtetet e Bashkuara kritikon atë që cilëson si, ”Agjendën e interesave të veçanta politike të viteve të fundit në Washington”, politikë e cila ka kufizuar shumë lirinë ekonomike për amerikanët e thjeshtë, si individë dhe si sipërmarrës, thekson raporti. Autorët e Indeksit të Lirisë Ekonomike në botë të “Fondacionit Heritage” mbeten skeptikë nëse Kongresi dhe administrata Trump do të mund të miratojnë politika dhe reforma ekonomike gjatë vitit të parë të administratës së re, ndërkohë që nënvijohet se disa shtete të tjera, megjithë mungesën, historikisht, të lirisë ekonomike dhe lirive bazë, siç janë shtetet – si Gjorgjia dhe Letonia — që dikur ishin pjesë e Bashkimit Sovjetik, kanë shënuar përparim dhe suksese të dukshme në fushën ekonomike.  Në parathënjen e raportit, autorët Terry Miller dhe Anthony B. Kim thonë se në shumë vende, përparimi në fushën e lirisë ekonomike, pasqyrohet drejtë për drejtë në zhvillimet e sukseshme dhe të dukshme ekonomike të atyre vendeve dhe mund të shihet edhe në një jetë më të mirë e më të begatë për popujt e vet. Por, në parathënje të raportit thuhet se mbi të gjitha, “Shpirti njerëzor është burimi i vërtetë i begatisë ekonomike”.

Indeksi i Lirisë Ekonomike në botë radhitë gjithashtu, vendet të cilat kanë nevojë për një liri më të madhe ekonomike dhe liri të tjera bazë, nëqoftse dëshirojnë zhvillim më të dukshëm ekonomik dhe begati më të madhe për popujt e vet, duke radhitur në këtë kategori, në fund të listës së shteteve të Indeksit të “Fondacionit Heritage”, e që konsiderohen vende pa liri ekonomike, Korenë e Veriut, Venezuelën dhe Kubën.

Nga përvoja e tyre ndërkohë që për përpilimin e këtij raporti dhe indeksi kanë studiuar ekonomitë dhe lirinë ekonomike në 180-vende të botës — autorët e raportit theksojnë se është e qartë se nuk ekziston një politikë e njëjtë lirie dhe zhvillimi ekonomik njësoj për të gjithë. Ata nënvijojnë se secili vend duhet të gjejë vet rrugën e rritjes dhe të zhvillimit ekonomik, bazuar në kulturën, historinë dhe kushtet historike dhe gjeografike nën të cilat gjëndet vendi.  Por, përgjithësisht, autorët e këtij raporti kanë zbuluar se vendet të cilat gëzojnë një liri më të madhe ekonomike, në krahasim me të tjerët, përparojnë më shumë dhe më shpejt, sepse ato shfrytëzojnë njohuritë dhe aftësitë e të gjithë personave në shoqëritë e tyre, pa dallim.

Por në fund të fundit, siç shkruan edhe “Presidenti i Fondacionit Heritage”, Jim Demint në parathënjen e raportit, gjëja që ka më rëndësi se çdo gjë tjetër – është se zgjidhjet e problemeve të mëdha politike dhe ekonomike me të cilat përballen sot vendet e ndryshme dhe bota në përgjithësi – me siguri do të rrjedhin dhe do të realizohen, jo nga qeveritë dhe udhëheqës autoritarë –por nga individë, të cilët sipas Milton e Rose Friedman – janë të lirë të vendosin vet fatin e tyre.  Sepse në mungesë të lirive bazë të njeriut, përfshirë lirinë ekonomike, dikush tjetër, si qeveria, shteti ose udhëheqsi autoritar do të vendoste dhe do të ushtronte kontrollin e plotë mbi aktivitetet ekonomike të individit.  Një qeveri e mirë dhe një udhëheqje politike legjitime nuk kufizon lirinë ekonomike as liritë e tjera bazë të njeriut, pasi duke mohuar dhe kufizuar ndër të tjera, lirinë ekonomike — siç vihet në dukje në raportin vjetor të “Fondacionit Heritage”  kufizohet dhe pengohet gjithashtu edhe begatia dhe mirëqenja ekonomike për të gjithë.  Liria ekonomike është pra çelsi për krijimin e një shoqërie të shëndosh dhe të begatë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, LIRIA EKONOMIKE ËSHTË ÇELSI I, NJË SHOQËRIE, TË BEGATË

Trimëria e shekullit që jetojmë

July 25, 2017 by dgreca

Nga Kaltrina HOTI/1 Kaltrina Ventimiglia

Sot bota është gati të kapërcen  në një episod të ri të civilizimit nëpërmes të teknologjisë të lartë të artit dhe shkencës.  Po, ç’është trimëria? Shpesh thuhet ky apo ai është trim. Ajo atje thonë është trimëreshë. Me se matet trimëria? Me këngë. Unë mendoj se jo. Danezët kanë vetëm një këngë për atdheun e tyre por kanë shtetin më vjetër, të pasur, demokrat e civilizues. Trimëri është të dëshmosh vlerat e larta dhe lashtësinë në mënyrë të civilizuar, humane dhe artistike. Dhe këtë e kemi të dëshmuar si komb, por sikur hezitojmë ta pranojmë dhe herë-herë i mohojmë këto vlera, e më shpesh edhe i shajmë përse ato nuk na janë ulur këmbëkryq në qilimin e xhamive, apo nuk kanë përqafuar simbolet e huaja. Botës i kemi dhënë shumë emra do i numëroj vetëm disa si: Nëna Terezë, Aleksandër Mojsiu, Kljeda Bega, Laura Mersini Houghton, Dionis Senjo (pesë vjeçari shqiptarë që është pranuar në Organizatën botërore të gjenive),  Mentor Petrela, Omer Xhemail, Robert De Niro, Inva Mula, Anna Oksa, James Bellushi, Ferid Murad, Eliza Dushku, Angelina Preljocaj  … dhe ky varg emrash nuk ka fund. Për shumicën e tyre bëhet luftë për t’i fituar kombet tjerë me të vetmen arsye se njerëzimit i kanë falur civilizim, humanizëm, përparim duke shkrirë mendjen në shërbim të së ardhmes. Trimëria është në mendjen e ndritur, në laps, brushë, veprim… për dritësim të jetës. Armiqtë tanë duke e parë fuqinë tonë si dhe humbjen e rrugës në oborr na sulmojnë në mënyra primitive duke na ndërtuar kisha e xhamia për të ndryshuar shpirtin e një populli të lodhur nga politikat tona të gabuara. Ata në oborrin tonë duan të na thyejnë gjuhën e lashtë, gjuhë me të cilën kuvenduan Zotat, gjuhë me tingullin dhe melodinë e natyrës. E më pas zëvendësimin e kulturës, traditës… Ç’duhet të bëjmë që të jemi ato që jemi? Gjuha, kultura, tradita, letërsia, lashtësia jonë janë një kopsht me lule ku ka aromë të vjelësh për të dehur të gjitha artet me mirësi. Nderi, fjala, besa, mirëpritja, fisnikëria jonë, janë tryeza që të dhuron dashuri njerëzore e humanizëm që e duan të gjithë. Trimëria e këtij shekulli është t’i përqafojmë dhe t’i bartim këto vlera njerëzimit ashtu siç bënë të lartpërmendurit. Sot kur atdheun tonë e ka mbërthyer një ankth, mbase nuk është lehtë të zgjohesh aty se fjala e huaj është futur për të ndotur e përçarë shpirtin tonë fisnik e bujar. Por edhe durimi mes nesh është një vlerë, vlerë derisa ndeshet me kufirin e fundit ku thuhet; “ka dal beg se ka hendek”. Në ne ende jeton “besa”, mos ta shkelim fjalën e njëri tjetrit, t’i përkrahim ata që e gdhendin emrin e popullit në pasqyrën botëror, mos të lodhemi duke u lutur me gjuhën e injorancës së shekullit. Jo shumë larg ne ndiheshim mirë në Kuvendet e faljes që gjakut, gjak që të tjerët na e kishin mbjell në prag. Ne jemi një dhe të fuqishëm. Kemi nga ku të mësojmë. Tryeza jonë ka vetëm një përshëndetje: “Mirëmëngjesi Bashkimi kombëtar”!

Filed Under: Opinion Tagged With: e shekullit, Kaltrina Hoti, që jetojmë, Trimeria

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 475
  • 476
  • 477
  • 478
  • 479
  • …
  • 860
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Yllka Lezo për median europiane: Shqiptarët kërkojnë drejtësi të paanshme në Hagë
  • Sot dita e lindjes së atij që i dha Shqipërisë Pavarësinë numër 2: Thomas Woodrow Wilson
  • DR. STEPHAN RONART (1933)  : “JA SI PJETËR BUDI DO TA RISHKRUANTE LETRËN E TIJ DËRGUAR 4 SHEKUJ MË PARË DUKËS SË SAVOJËS PËR TURIZMIN AKTUAL NË SHQIPËRI…”
  • PLUHUR VEZULLUES YJESH NGA LASGUSHI IM
  • BASHKËBISEDIM KULTUROR – Kristo Floqi dhe Komedia Shqiptare
  • MESAZHE TË BUKURA NJERËZORE
  • Kushtrim Shyti, djali i mësuesit, poetit dhe dëshmorit të UÇK-së, Mustafë Shyti, vizitoi Vatrën
  • KOSOVO CINEMA IN NEW YORK CITY: DOUBLE BILL WILL SCREEN IN MANHATTAN AND BRONX FOR BRONX WORLD FILM’S 15th ANNIVERSARY
  • NUK MUND TË ANASHKALOHET ROLI I ERNEST KOLIQIT NË FORMIMIN E MARTIN CAMAJT
  • MALI I ZI, VENDI KU KSENOFOBIA NDAJ SHQIPTARËVE ËSHTË NË RRITJE E SIPËR
  • “Kosova Lindore, dje, sot dhe sfidat e së ardhmes”
  • TIDENS TEGN (1929) / LETRA E EVELYN STIBOLT, MËSUESES NORVEGJEZE TË KUZHINËS SHKOLLORE : “EKSPERIENCA IME NË SHKOLLËN PËR VASHA NË KORÇË…”
  • FOTO – STUDIO VENETIKU dhe fotografja e parë shqiptare që vdiq në burgjet e diktaturës
  • KLINIKA E POEZISË, VISARI NË UNIVERSITETIN ILLINOIS, SHBA…
  • Dialogu dhe politika e jashtme e Kosovës, katër vitet vendimtare për shtetin

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT