• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Demokracia Shqiptare si “Ligji i Xhunglës ”

June 28, 2017 by dgreca

1 Alfons-Grishaj1 Alfonsi2

Nga Alfons Grishaj/

Megjithëse kanë kaluar vite, demokracia shqiptare është akoma në një gjendje të mjeruar. Në parti, organizata, institucione shtetërore, institucione kulturore etj., shfaqen herë pas here mbetjet e një  kohe të tmerrshme që la plagë të mëdha në shoqërinë shqiptare. Edhe sot, kjo pasojë që gangrenizoi shoqërinë, shtetin dhe të ardhmen, shfaqet me shëmtinë e saj, ku personazhi kryesor i një subjekti i jep vetes të drejtën e fuqisë e një Perëndie… Ai legjitimon vetveten si një drejtues i pazëvendësueshëm dhe i pagabueshëm.

Në këtë maratonë, babëzitja lë vranga, duke kafshuar me egoizëm të egër. Viktimë e egërsisë dhe pabesisë bie rrethi shoqëror, organizata, partia apo shteti. Megjithëse ka me mijëra ilustrime për një dekadencë të tillë, përsëri në shoqërinë shqiptare ka idhuj dhe pasues të kësaj gangrene. Hipokrizia e adhuruesve aminxhinjë që rrethojnë Perëndinë e gënjeshtërt me saze të shurdhta i ka dhënë zë një propagande të verbër, që përhapet gjithaq me anë të një megafoni rrëngallë që i përcjell zërat thjesht si pëllitje. Në politikë, kjo i ka kushtuar rëndë Shqipërisë, kurse në organizata shoqërore ka qenë një kurth asfiksie ose shkatërrues  që ka manipuluar dhe ndaluar përparimin e zhvillimit shumë dimensional.

Mbetjet e këtyre trupave amorfë janë shpërndarë për të rikrijuar parti apo organizata të tjera, të cilët kanë sjellë të njëjtën pasojë të rëndomtë, produkt negativ dhe regres! Sipas informacioneve të shkruara dhe gojore  dhe personale, në këtë katrahurë, praktikë e vendeve dhe mendjeve të pazhvilluara, operojnë vrasësit e shpresës. Lideri  balonë dhe rekrutët e “Injorancës  së shkolluar”, siç thoshte Bjelinski, kanë përçudnuar lidershipin deri në atë shkallë sa të vjen për të qarë duke shikuar se si është varrosur kultura tradicionale e burrërisë, fjala dhe tradita. Ato flasin për traditën, për burrërinë, që në të vërtetë, nuk është asgjë reale dhe e prekshme, por vetëm një fasadë reje…

Kjo kategori e ka shumë të vështirë për të kapur kohën. Patericat i gjykojnë si shtylla mbajtëse të një ndërtese klasike…! Por në fakt, nuk është ashtu, se këtu nuk bëhet fjalë për një relike muzeale po për një organizëm të gjallë që duhet rigjeneruar me mendje dhe gjymtyrë të reja. Për shembull: Nëse ne do ta gjykonim Vatrën si një objekt apo si një  relike muzeale, me plot të drejtë dikush do të thoshte se ajo e ka kryer misionin e saj…Realisht, Vatra nuk është një relike muzeale, por një Institucion i gjallë 105 vjeçar, që ashtu si Kisha apo Xhamia, të cilat kultivojnë vlerat  e shenjta  shpirtërore, Vatra kultivon vlerat e larta patriotike dhe kombëtare. Por nëse kjo Vatër kthehet në qëllim në vetvete për t’i shërbyer një familjeje apo një nervi amatoresk, ajo ka mundësi të degradojë në të njëjtën shkallë si dhe institucionet në Shqipërinë etnike…

Shoqëria shqiptare ka krijuar një preçedent të rrezikshëm: kulturën e suportit të partive, apo  organizatave që punojnë në dëm të shoqërisë, duke i zënë sytë vetes për të mos parë bajraktarizmin unikal të lidërve primitivë, të cilët janë pasuruar në mënyra të paligjshme, pa e konceptuar pushtetin qe nuk e kanë si instrument shërbimi për masat, por, si një money tree për ta shkundur në xhepat e tyre. Përgjegjësia ndaj shtetit dhe popullit janë në nivelin zero. Nëse shoqëria shqiptare do të ishte e ndërgjegjshme që me referendum të krijonte një model tjetër, si ai i sistemit amerikan, ku pushtetet janë të ndara, transparenca është maksimale dhe ligji është funksional, atëherë, populli shqiptar do fitonte lirinë, mirëqënien dhe dinjitetin. Po a i intereson ky hap transformimi politikanëve të babëzitur shqiptarë?  Kurrësesi jo! Po të ndodhte kjo, fundi i tyre do ishte pa lavdi. Koncepti i kastës së krijuar në vorbullën e etnisë tonë nuk krijon mundësinë e debatit konstruktiv që bazohet në normat e shenjta  të demokracisë. Nëse je me kastën në fjalë, je hero! Nëse i kritikon, humb titullin…! Po i dole kundra, mund të humbasësh dhe gjithçka. Ligj ky, i emëruar: “Ligji i Xhunglës!” Konotacioni tragjik i këtyre dy fjalëve përmbledh dhe sakrilegjin  e zgjedhjeve të fundit, ku humbësi i madh mbetet përsëri populli, trupa e madhe zgjedhore, vetë sovrani.

Filed Under: Opinion Tagged With: alfons Grishaj

Socialistët festojnë fitoren, Ja Lista e Deputeteve

June 27, 2017 by dgreca

2 soc feste

Tiranë, 27 Qershor 2017- Në Shqipëri, partia socialiste festoi sot në mbrëmje fitoren e saj të thellë në zgjedhjet e së dielës, ku ajo jo vetëm u konfirmua si forca e parë më e madhe e vendit, por mori një mbëhstetje që Ii lejon të ketë e vetme kontrollin e shumicës. Në përfundim të numërimit të votave, Partia Socialiste rezulton të ketë marrë 48 përqind të votave, dhe 74 mandate, 9 më shumë se sa fitoi në zgjedhjet e vitit 2013.

Në fjalën e tij gjatë një mitingu pranë selisë së partisë së tij, kryeministri Edi Rama tha se besimi që I dhanë shqiptarët është “një barrë e madhe përgjegjësie. E imja në radhë të parë. Për të mos harruar, në asnjë minutë të katër viteve të ardhshme, se shqiptarët nuk zgjodhën për Shqipërinë që kemi, por për Shqipërinë që duam. Për të mos harruar se, në vend të një koalicioni të radhës mes partive që ndajnë tepsinë e pushtetit, shqiptarët kanë zgjedhur koalicionin tonë drejtëpërdrejtë me ta; jo që ne ta marrim atë tepsi të vjetër të gjithën për vete, po për ta çuar për skrap njëherë e përgjithmonë!”.

Kryeministri Edi Rama i mëshoi fort idesë për një qeverisje në shërbim të të gjithëve. “Populli ka zgjedhur Partinë Socialiste, për ta udhëhequr vendin në këtë mision si fuqi e vetme qeverisëse. Dhe duke e pranuar me emocion dhe përulësi këtë zgjedhje, ne do të qeverisim me forcën e shembullit për të gjithë, jo me shembullin e forces, kundër të tjerëve. Sfidat e Shqipërisë sot, nuk janë sfida socialiste apo sfida demokrate, por janë sfida shqiptare. Janë sfida të vjetra e të reja, të të njëjtit atdhe, të të gjithëve pa dallim”.

Në fjalën e tij zuri një vend me peshë nevoja e raporteve të reja mes forcave politike, në shërbim të interesave të vendit. “mos e dhëntë Zoti që këtë besim ta marrim si një kupë futbolli e të mos kuptojmë, që të gjithë, se nga sot, prioriteti ynë i parë duhet të jetë reflektimi për sa shumë kemi për të ndryshuar, korrigjuar, përmirësuar, tek vetja jonë dhe në punën tone në radhë të parë. E po ashtu, mos qoftë e thënë, që konkurentët tanë, të zgjedhur prej atyre që nuk na zgjodhën ne, t’i shohim si armiq të mundur dhe t’i trajtojmë si të tillë. Ne nuk kemi fituar një kampionat, po kemi marrë një detyrë shumë të vështirë. Ata nuk kanë humbur një kampionat, po kanë marrë një tjetër detyrë aspak të lehtë”.

Zoti Rama këmbënguli gjithashtu në nevojën e bashkëpunimit me opozitën. “Dua t’u them udhëheqësve të partive të opozitës, se fushata ka mbaruar. Shqiptarët na kanë shikuar, na kanë dëgjuar, na kanë duruar për një kohë më të gjatë se zakonisht këtë herë dhe e kanë bërë zgjedhjen e tyre. Tani është koha për të vënë veten tonë në dispozicion të tyre dhe Shqipërinë përpara partisë; prioritetet e vendit, përpara interesave të grupimeve tona politike dhe shqiptarët, pa dallim, përpara dallimeve politike apo hendeqeve tradicionale, ose të porsahapura mes nesh. Eshtë koha të gjejmë forcën e arsyes për të punuar më shumë së bashku, në interes të njerëzve dhe t’u marrim atyre më pak kohë me llogjet e katundit tonë politik, që nxjerrin në pah pa kriter e pa karar, veç dasitë tona”.

Kryeministri tha se i qëndronte zotimit të marrë në marrëveshjen me kreun e opozitës Lulzim Basha. “Marrëveshja ime politike me kryetarin e opozitës, pas një periudhe të zgjatur konflikti politik, ku u rrezikuan vetë zgjedhjet dhe stabiliteti demokratik i vendit, nuk ishte perfekte. Por, siç kam besuar deri dje, besoj edhe sot se ajo marrëveshje ka të gjithë potencialin për të mos u fashitur si ëndrra e një nate vere, në një Shqipëri, ku qeveria dhe opozita janë të ndara në llogoret e tyre politike, po duhet të jenë të bashkuara për interesat kombëtare dhe politike të vetë Shqipërisë, në rrugën për Europën që duam”. AI shtoi megjithatë se “natyrisht, duke pasur një fitues kaq të qartë pas përfundimit të zgjedhjeve, do të duhet pak kohë për të parë e kuptuar nëse fryma e marrëveshjes që shpëtoi zgjedhjet dhe solli një klimë të pazakonshme qetësie në vend, nuk është tretur bashkë me pritshmërinë e natyrshme të liderit të opozitës për të dalë fitues në këto zgjedhje. Po, unë dua ta rikonfirmoj publikisht, dëshirën për ta pasur marrëveshjen politike të 18 majit, një busull orientuese të marrëdhënieve të qeverisë së re me opozitën e re. Duke shprehur këtu vullnetin për ta respektuar atë më tutje, pa asnjë presje, dua ta falenderoj sot Lulëzim Bashën për faktin se në 18 maj vuri Shqipërinë të parën!”

Në zgjedhjet e së dielës, Partia Demokratike, mori 28 përqind të votave dhe 43 mandate, 7 më pak se në 2013. LSI u rikonfirmua forcë e tretë në vend, me një rritje si në përqindje ashtu dhe në mandate, e do të ketë në parlamentin e ri 19 vende, 3 më shumë se aktualisht. PDIU, fitoi 3 mandate, ndërsa kryetari i saj Shpëtim Idrizi, nuk arriti të siguronte një vend, në garën që u zhvillua në kryeqytet. Deputeti Tom Doshi do të rikthehet në parlament, falë votave të grumbulluara personalisht në Shkodër, ndonëse nën siglën e Partisë Socialdemokrate.

E para që u prononcua zyrtarisht për rezutatin, ishte sot LSI-ja përmes kryetarit të saj, Petrit Vasili. LSI-ja do të kalojë në opozitë, pasi për 8 vjet ndau pushtetin në fillim me demokratët e së fundmi në qeverinë e zotit Rama, ku ministrat e saj vazhdojnë të jenë ende pjesë. “Mijëra e mijëra burra e gra, jo vetëm votuan LSI-në, por votuan më shumë se kaq për t’i ngarkuar asaj një mision historik, i cili ka të bëjë me bërjen e Shqipërisë me një opozitë të vërtetë në këtë vend”. Zoti Vasili foli për një proces zgjedhor më të shëmtuarin sipas tij, për shkak “të strategjisë së terrorit të lëshimit të miliona parave të pista, të bërjes njësh të Policisë së Shtetit dhe pjesë e bashkë-ideuese, bashkëvepruese e kësaj strategjie terrori ka në krijimin e një klime të tillë”.(Kortezi: Armand Mero-VOA)

***

REZULTATET SIPAS KQZ

Për herë të parë në Shqipëri, vetëm 47 orë pas zgjedhjeve të 25 qershorit ka përfunduar procesi i numërimit në të gjithë Shqipërinë, duke shpallur edhe rezultatin.

Kryetari i KQZ, Klement Zguri në një deklaratë për mediat tha se ka përfunduar zyrtarisht numërimi. Ai tha se sipas rezultatit paraprak PD merr 74 mandate, PD, 43, LSI 19, PDIU 3 dhe PSD 1 deputet.

Zguri: Në këto zgjedhje në Shqipëri kanë marrë pjesë në zgjedhje 1 613 087 zgjedhës, ose 46.72% të numrit të përgjithshëm.

Në rang kombëtar, rezultati paraprak i zgjedhjeve, e ritheksoj paraprak, i mbëritur në KQZ në mënyrë elektornike përmbanë këto shifra. Numri i përgjithshëm i votave të vlefshme ka qenë 1 580 778. Votat janë ndarë sipas subjekteve elektorale si vijon:

PS 763 999 vota ose 48.33 % të numrit të votave vlefshme, e kthyer në 74 mandate

PD 455 481 vota ose 28.81%, mandate 43

LSI 225 678 vota ose 14.28%, mandate 19

PDIU 75 938 vota ose 4.8 %, mandate 3

PSD 14 988 vota ose 0.95 %, mandate 1

Të gjitha partitë e tjera kanë marrë në totalin e tyre 44 661 vota ose 2.8% të votave të vlefshme.

Emrat e deputetëve të Legjislaturës së 9 të Kuvendit të Shqipërisë

Qarku Berat, 7 mandate:
PS
1-Blendi Klosi
2-Ermonela Valikaj
3-Adnor Shameti
4-Fadil Nasufi
PD
1-Eduard Halimi
LSI
1-Nasip Naço
2-Gledjon Rehovica

Qarku Dibër 6 mandate:
PS
1- Ilir Beqaj
2- Almira Xhembulla
PD
1- Dhurata Cupi (Tyli)
2- Xhemal Gjunkshi
PDIU
1- Reme Lala
LSI
1- Përparim Spahiu

Qarku Durrës 14 mandate:
PS
1-Eglantina Gjermeni
2-Milva Ekonomi
3-Fidel Ylli
4-Ilir Ndraxhi
5-Rolant Xhelilaj
6-Jurgis Çyrbja
7-Rrahman Rraja
8-Klodiana Spahiu
PD
1-Oerd Bylykbashi
2-Fatbardha Kadiu
3-Edi Paloka
4-Florjon Mima
LSI
1-Lefter Koka
2-Nora Malaj

Qarku Elbasan, 14 mandate:
PS
1-Taulant Balla
2-Evis Kushi
3-Arben Kamami
4-Musa Ulqini
5-Anastas Angjeli
6-Luan Duzha
7-Nuri Belba
PD
1-Edmond Spaho
2-Endri Hasa
3-Luciano Boci
PDIU
1-Aqif Rakipi
2-Bujar Muça
LSI
1-Monika Kryemadhi
2-Edmond Haxhinasto

Qarku Fier, 16 mandate:
PS
1-Erion Braçe
2-Adelina Rista
3-Bashkim Fino
4-Ismet Beqiraj
5-Antoneta Dhima
6-Bujar Çela
7-Tatiana Piro(Nurçe)
8-Anduel Xhindi
9-Gramoz Ruçi
10-Xhevit Bushaj
PD
1-Enkelejd Alibeaj
2-Genc Pollo
3-Myslim Murrizi
4-Luan Baci
LSI
1-Petrit Vasili
2-Robert Bitri

Qarku Gjirokastër, 5 mandate:
PS
1-Bledar Çuçi
2-Mirela Kumbaro
3-Flamur Golemi
PD
1-Tritan Shehu
LSI
1-Vangjel Tavo

Qarku Korçë, 11 mandate:
PS
1-Niko Peleshi
2-Eduard Shalsi
3-Elisa Spiropali
4-Ilirian Pendavinji
5-Ilir Xhakolli
6-Edlira Bode
PD
1-Valentina Duka
2-Ervin Salianji
3-Hekuran Hoxhalli
4-Klevis Balliu
LSI
1- Edmond Panariti

Qarku Kukës, 3 mandate 
PD
1-Flamur Noka
2-Isuf Celaj
PS
1-Mimi Kodheli

Qarku Lezhë, 7 mandate:
PS
1-Lindita Nikolla
2-Pjerin Ndreu
3-Gjetan Gjetani
PD
1-Aldo Bumçi
2-Lindita Metaliaj
3-Andon Frrokaj
LSI
1- Viktor Tushaj

Qarku Shkodër, 11 mandate:
PD
1-Romeo Gurakuqi
2-Izmira Ulqinaku
3-Lorenc Luka
4-Bardh Spahia
5-Nard Ndoka
PS
1-Ditmir Bushati
2-Paulin Sterkaj
3-Senida Mesi
4-Luan Harusha
PSD
1-Tom Doshi
LSI
1- Agron Çela

Qarku Tiranë, 34 mandate 
PS
1-Elona Hoxha/Gjebrea
2-Besnik Baraj
3-Olta Xhaçka
4-Blerina Gjylameti
5-Pandeli Majko
6-Saimir Tahiri
7-Vasilika Hysi
8-Ervin Bushati
9-Ogerta Manastirliu
10-Fatmir Xhafaj
11-Rakip Suli
12-Arben Ahmetaj
13-Xhemal Qefalia
14-Sadri Abazi
15-Ulsi Manja
16-Klotilda Bushka
17-Sadi Vorpsi
18-Arben Servet Pellumbi
PD
1-Lulzim Basha
2-Orjola Pampuri
3-Rudina Hajdari
4-Grida Shqima
5-Albana Vokshi
6-Jorida Tabaku
7-Sali Berisha
8-Halim Kosova
9-Gent Strazimiri
10-Fatmir Mediu
11-Dashamir Shehi
LSI
1-Klajda Gjosha
2-Kejdi Mehmetaj
3-Floida Kërpaçi
4-Endrit Braimllari
5-Luan Rama

Qarku Vlorë, 12 mandate:
PS
1- Damian Gjiknuri
2- Vilma Bello
3- Alket Hyseni
4- Vullnet Sinaj
5- Andrea Marto
6- Edi Rama
7- Edmond Leka
8- Fatmir Velaj
PD
1- Agron Shehaj
2- Nadire Mecorapaj
3- Vangjel Dule
LSI
1-Sezai Rokaj

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Ja Lista e Deputeteve, Socialistët festojnë fitoren

Mandat i fortë – përgjegjësi e qartë!

June 27, 2017 by dgreca

Edi Rama ia doli të marrë një shumicë të konsiderueshme, sipas rezultateve të deritanishme. Socialistët janë me shumë gjasa fituesit e këtyre zgjedhjeve, por Rama tani duhet të bëjë realitet premtimet për reforma./

1Adelheid Feilcke

Nga Adelheid Feilcke/DW/

Edi Rama është qartë fituesi i këtyre zgjedhjeve, sipas rezultateve të deritanishme. Kryeministri i deritanishëm ia doli që të marrë një rezultat të shkëlqyer për socialistët, Partia Demokratike në opozitë duket se ka humbur rëndë. Nëse konfirmohen zyrtarisht rezultatet e deritanishme, Rama nuk ka nevojë më as për partner koalicioni. Pas katër vitesh qeverisjeje, shqiptarët ia dhanë atij sërish besimin, madje me një mazhorancë të konsiderueshme. Ata duket se i besojnë atij si njeriut që do të çojë përpara Shqipërinë. Ai është lideri që qëndron për forcën këmbëngulëse dhe modernizimin – një kombinim ky që me sa duket në Shqipëri ka efekt ndikues.

Stili i Ramës

Rama ia doli sërish që ta inskenojë me sukses këtë imazh – përmes një kombinimi të dimensionit folklorik shqiptar dhe atij kozmopolitan europian. Ai di të luajë bukur e çlirët si në tastierën e nostalgjive të bashkëkombasve të tij ashtu edhe në atë të partnerëve europianë dhe vendeve donatore. Ky stil zë vend dhe zgjon pritshmëri. Tani Rama duhet të provojë që  Shqipërinë mund ta “çojë drejt Europës”.

Detyrat para tij dhe qeverisë së tij janë të vështira: Shumë shtyrje ka pasur, sepse në muajt e vitet e fundit partitë bllokonin njëra-tjetrën. Tani Rama praktikisht ka dorë të lirë të jetësojë reformat. E kjo është më se e nevojshme: Korrupsioni në vend, droga, varfëria e paralizojnë Shqipërinë. mijëra vetë kanë gati valixhet për të kërkuar një shans në Europë, sepse nuk shohin ndonjë perspektivë në Shqipëri. Në mënyrë paradoksale ata i dhanë votën Ramës e një shans të ri.

Lista e prioriteteve të qeverisë së re është e gjatë, por e qartë: Reforma në drejtësi, reforma ekonomike, lufta kundër nepotizmit, kundër kanabisit -si edhe një politikë e vendosur kundër ekstremizmit fetar.

Kujdes me deklaratat ndaj fqinjëve

Këto janë edhe kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare, të BE për Shqipërinë, vend kandidat për në BE nga viti 2014. BE, veçanërisht Gjermania e kanë mbështetur masivisht Shqipërinë në këto vite. Përkundër disa fqinjëve ballkanikë, Shqipëria nuk e ka humbur ende forcën e saj të rrezatimit. As Rama nuk e humbur ende besimin e partnerëve. Premisa të mira që Rama do duhej t’i shfrytëzonte mirë në muajt e vitet e ardhshëm.

Para së gjithash ai duhet të përqëndrohet në problemet brenda vendit. Në muajt e shkuar Rama u prononcua disa herë me deklarata mbi çështjet e popullsisë shqiptare në Maqedoni dhe Kosovë duke irrituar partnerët europianë. Kjo është e rrezikshme – por u shpjegua edhe në plan ndërkombëtar si taktikë zgjedhore. Por nuk ka më “pardon” në të ardhmen për këtë!

Rama ka shumë për të bërë në vendin e tij. Shqipëria i ka të gjitha shanset të dalë nga këndi i vendit problematik dhe të kthehet në një vend shembullor në Ballkan. Për këtë nevojiet një politikë pragmatike bazuar në parimet e shtetit ligjor- vetëm kështu ekonomia do të rigjenerohet ngadalë dhe njerëzit do të shohin të ardhmen në vendin e tyre.

Pjesëmarrje e ulët në votime

Votimet u zhvilluan habitshëm në mënyrë të qetë dhe pa probleme të mëdha – gjë që vlen të theksohet, por të kujtosh përplasjet e brendshme politike dhe bojkotimin me javë të parlamentit. Por pjesëmarrja në votime ishte e ulët. Sigurisht këtu luajtën rol festimet e Bajramit dhe temperaturat e nxehta. Por ka shumë pakënaqësi ndaj politikës, ka shumë zhgënjim mes atyre që e ndjejnë veten të braktisur. E në fund por jo e fundit, – një arsye tjetër janë edhe listat zgjedhore të vjetëruara, ku gjendjen edhe persona që ndërkohë kanë ndërruar jetë. Këtu qeveria duhet menjëherë të vendosë rregull -sepse me regjistrat e votuesve u kryen manipulime masive në vitet e shkuara. Pozitive është sipas vëzhguesve zgjedhorë që nuk ka pasur manipulime flagrante!

Opozita konstruktive – gati për monitorim

Ndërsa partitë e opozitës duhet të tani shërojnë plagët dhe të përgatiten për një politikë të shpejtë opozitare përmbajtësore dhe të fuqishme. Edhe në këtë drejtim zgjedhjet e 25 qershorit mund të shihen si një fillim i ri. Demokracia ka nevojë për një opozitë konstruktive, sidomos në këtë moment reformash të rëndësishme në Shqipëri, po ashtu një opozitë që të kryejë funksionin demokratik të kontrollit tek socialistët kaq të fuqishëm. Edhe në këtë pikë do të matet aftësia europiane e Shqipërisë: nëse do t’ia dalë të kryejë reformat e dhimbshme, nëse do të funksionojë dialogu me opozitën, por edhe mes kryeministrit Rama dhe presidentit të ri, Ilir Meta që merr postin më 24 korrik. Deri dje ata ishin armiq të fortë në fushatën elektorale.

Tani ata duhet të demonstrojnë me ndarjen e re të roleve, se si do të funksionojnë institucionet demokratike, edhe nëse në krye të tyre qëndrojnë kundërshtarët e dikurshëm. Qytetarëve të Shqipërisë do të doje t’u uroje suksesin!

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: - përgjegjësi e qartë!, Adelheid Feilcke, Mandat i fortë

ZGJEDHJET PËRFUNDUAN, PO TASH?!

June 26, 2017 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Ja mori fund fushata elektorale në Shqipëri dhe në Kosovë.  Po numërohen votat dhe po shpallen fituesit. Çdo fushatë elektorale që përfundon me zgjedhje, ka fituesit dhe humbësit.  Fituesit gëzohen dhe humbësit, natyrisht, janë të zhgënjyer.  Disa janë të lodhur e e të mërzitur e të tjerët ndihen triumfues.  Këtu në Amerikë thonë se politika është një sport i ashpër. Ndeshja përfundoi dhe rezultatet zyrtare janë në proces që t’I njoftohen publikut.  Për gjithëçka ka një kohë dhe një stinë.  Ashtu ishte edhe stina e fushatës dhe më në fund e zgjedhjeve — si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë.  Është ky një ushtrim që votuesi angazhohet, normalisht, çdo katër vjet ose edhe më heret, siç ishte rasti i zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë,për të zgjedhur përfaqsuesit e vet.  Kjo stinë mori fund dhe së shpejti, bazuar në votat e hedhura nga shqiptarët për partitë e tyre të preferuara do të formohen qeveri të reja në Prishtinë dhe në Tiranë.  Në momentin e këtij shkrimi, duket se Partia Socialiste do të ketë numrin e mjaftueshëm të mandative për të krijuar e vetme qeverinë, ndërsa në Kosovë pritet të formohet një qeveri koalicioni, ose të mbahen zgjedhje të reja,  pasi asnjë parti e vetme nuk e ka numrin e nevojshëm të deputetëve për formuar qeverinë.  

Si për fituesit ashtu dhe për humbsit mori fund fushata u mbajtën zgjedhjet dhe po numërohen votat. Për mirë ose për keqë sovrani e tha fjalën e fundit.  Humbësit duhet të japin përgjegjësi për humbjen, ndërsa për fituesit, tani është koha për veprim, për cilën do qoftë parti ose ose koalicione partishë.

Si fituesit ashtu edhe humbësit e zgjedhjeve duhet ta dinë se ndonëse mund ta konsiderojnë veten si të tillë, ata janë pikë së pari qytetarë të një komuniteti më të gjërë e më të madh se sa pjesëtarë të një vathi të ngushtë të cilësdo partie politike qofshin dhe se para Zotit dhe para popullit, si fituesit ashtu edhe humbësit, të gjithë janë të barabartë.  Cilat do qofshin animet e juaja politike, fituesit të reflektojnë dhe të tregojnë përvujtëri dhe respekt në debatet dhe dialogjet e ardhëshme politike, qoftë në formimin e qeverisë së re, qoftë në konsolidimet e qëndrimeve politike për qeverisjen e shqiptarëve katër vitet e ardhëshme.  Gjëja që ka munguar këto 27 vjet, por që nevojitet tani është dialog dhe jo monolog midis palëve të ndryshme politike, nëqoftse ekziston dëshira për fuqizimin e kombit shqiptar, për një jetë më të mirë, në paqë dhe siguri për të gjithë shqiptarët dhe pa dallim.  Nëqoftse jeni të sinqertë me veten dhe me popullin shqiptar, madje edhe si fitues, duhet të relfrktoni seriozisht se diçka nuk po ecen siç duhet dhe se punët nuk po shkojnë mirë në Shqipëri, kur 56% e popullësisë do t’ia mbathte duke u larguar nga vendi, po të kishte mundësi.  Është ky një fakt që pasqyron jetën e përditshme të shqiptarëve e me të cilin nuk mund të mburret as Partia Socialiste e cila ka qeverisur vendin katër vitet e fundit dhe e cila duket se po shkon drejtë fitores së këtyre zgjedhjeve dhe as partitë e tjera të vendit.

Nëqoftse jeni fitues, të tregoheni modest dhe mirënjohës për besimin që u ka dhënë votuesi shqiptar.   Mos i mitizoni “arritjet” dhe “sukseset” tuaja sepse shqiptarët janë të vetdijshëm për gjëndjen e tyre.  Votuesi shqiptar është i vetdijshëm për situatën në të cilën gjëndet.  Ndoshta reagimi më normal i moskënaqësisë së i votuesit shqiptar karshi partive politike ishte pjesmarrja e ultë në zgjedhje.  Fitues e humbës: shqiptarët në Shqipëri dhe në Kosovë janë të lodhur me një politikë grindavece e të përçarë, e cila vetëm mendon për vete dhe ruajtjen e kolltuqeve.  Mos e mendoni veten pra si Gjergj Kastriota, Isa Buletina, Ismail Qemala, Luigj Gurakuqa e Themistokli Gërmenja, sepse asnjë prej jush nuk jeni të tillë.  Po të kishit meritat e këtyre dhe të tjerëve patriotë të historisë së kombit shqiptar, Shqipëria, Kosova dhe kombi shqiptar në përgjithsi, do ishin ndryshe sot nga gjëndja politike dhe ekonomike në të cilën e ka hedhur kombin kjo klasë politike.   

Shqipëria nuk është as e Partisë Socialiste, as e Partisë Demokratike, as e Levizjes Socialiste për Integrim dhe as e ndonjë partie tjetër politike, ashtu siç nuk është as Kosova pronë e PDK-ës, LDK-ës, AAK-ës ose VV-ës, e tjera.  Shqipëria dhe Kosova janë dhe duhet të konsiderohen si Nëna e të gjithë Shqiptarëve, pa dallim dhe politika duhet të kujdeset për të gjithë.  Të gjithë shqiptarët dhe të gjitha partitë politike, anë e mbanë trojeve shqiptare – fituese ose jo në zgjedhjet e fundit — kanë të drejta dhe përgjegjësi kombëtare të barabarta.  Si të tilla dhe mbi të gjitha, për to duhet që të përcaktohen interesat kombëtare si prioriteti numër një për të gjithë, nga fituesit dhe humbësit së bashku – mbi ato të individit që përfaqëson partinë ose të partisë – dhe të tregohet angazhim serioz për të punuar drejtë realizimit të tyre, qofshi në qeveri qofshi në opozitë.  Ka mjaftë çështje politike dhe ekonomike e të tjera, të dorës së dytë, për të cilat pozita dhe opozita mund të debatojnë pa fund.

Por koha e fushatës dhe e zgjedhjeve kaloi. Morën fund gjithashtu edhe trumbtimet e sloganeve dhe e premtimeve boshe.  Tashti është koha që fituesit dhe humbësit në zgjedhje të punojnë për një Shqipëri dhe për një Kosovë, shpirtërisht dhe fizikisht integruese dhe gjithë-përfshirse për të gjithë shqiptarët – të një Shqipërie e Kosove me të vërtetë shqiptare.  Ashtuqë të gjithë bijtë e bijat e shqipes, pa marrë parasyshë pikëpamjet e tyre politike – do t’i konsiderojnë trojet shqiptare si çerdhe të nxehta për të gjithë pa dallim,  ashtuqë të ndalohen prirjet masive të emigrimit nga trojet shqiptare, që sot për sot, historikisht mund të jetë rreziku më i madh që i kanoset kombit shqiptar.  Masat e nevojshme që duhen marrë për parandalimin e këtij rreziku duhet të jetë prioriteti numër një kombëtar.  Sot për sot, interes më të madh kombëtar se ndalimi i zbrasjes së trojeve shqiptare nuk ka. Fituesve u është dhënë mandate që të punojnë, ashtuqë Shqipëria dhe Kosova të adhurohen nga vet shqiptarët dhe të respektohen ndërkombëtarisht, të zhvilluara politikisht dhe ekonomikisht, të integruara në organizmat euro-atlantike, me qëllim që të kufizohet emigrimi masiv i shqiptarëve në dhena të huaja.  Është ky një fenomen trishtues për të ardhmen e trojeve shqiptare,  ndërkohë që kënaqë lakmitë e armiqëve shekullorë të shqiptarëve të cilët historikisht kanë synuar një realizim të tillë madje edhe nepërmjet politikave ekonomike dhe ushtarake për shpërnguljen e shqiptarëve nga trojet e tyre shekullore.  Nuk ka interes as pasuri më të madhe kombëtare se populli shqiptar dhe mbrojtja dhe siguria politike dhe ekonomike e mirëqenjes së tij.

Se si të arrihet realizimi i këtij objektivi të zhvillimit ekonomik dhe politik për të cilin ëndërrojnë shqiptarët për më shumë se një çerek shekulli tani, është përgjegjësi e qeverive që do të formohen nga partitë dhe aleancat e dala nga zgjedhjet e fundit në Shqipëri dhe në Kosovë.  Cila parti ose koalicion partishë — me programet e tyre reale politike dhe ekonomike — do të përcaktojë rrrugën që do të ndjekin Kosova dhe Shqipëria gjatë katër viteve të ardhëshme?  Cilat do qofshin ato, vullneti i popullit shqiptar i shprehur nepërmjet votës së lirë pret nga kjo klasë politike, që më në fund, të përcaktojë rrugën dhe të zbatojë politika dhe programe për realizimin e idealeve dhe interesave të larta kombëtare.  

Përcaktimi dhe realizimi i interesave madhore dhe jetike të kombit, siç është ndër të tjera, edhe ndalimi i emigrimit në masë i shqiptarëve – nevojitë një harmonizim mbarë kombëtar të të gjitha partive politike pa pasur nevojë që të ndryshojnë identitetin politik të tyre.  Ka kaluar gjithashtu edhe koha kur për hallet e shqiptarëve fajësoheshin fatkeqësitë e ngjarjeve historike. Sot, ju jeni përfaqsuesit e zgjedhur të shqiptarëve dhe si të tillë jeni përgjegjës ndaj kombit dhe para historisë, për gjëndjen aktuale dhe për të ardhmen e brezave.  Kjo është koha e juaj për të vepruar.  Për ndryshe bëhet vonë.  Mos tash, kur?

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, PO TASH?!, ZGJEDHJET PËRFUNDUAN

Eid-al Fitr and election, head of Muslim community calls on people to vote

June 24, 2017 by dgreca

1 brucaj-655x356As Election Day this year coincides with Eid-al Fitr, the head of the Muslim community, Skënder Brucaj, felt the need to call on believers to exert their right to vote.

The head of the Muslim community issued an appeal to citizens and politicians, saying that Albania is for everyone, no matter an individual’s political or religious convictions.

Muslim believers tomorrow observe the end of an important month, the Holy month of Ramadan. The head of the Muslim community says that Eid-al Fitr is a day to be closer to each other.

“Eid-al fitr is the day for relieving worries. The day for new hope. The day for understanding each other. The day to be closer to the elderly, the needy and all those who need our attention.

“On this day, we should all exert our right to vote. We should not forget that we are all brothers, regardless of the election result. Albania is ours, without political or religious convictions.

“The responsibility for the development and stability of the country lies upon all of us. Happy Eid-al fitr and may God bless you all” – said Brucaj.

Eid-al Fitr is the celebration that Muslim believers hold after a month of fasting.  It is important for Muslim believers to offer money or food to the needy, as a way of ensuring the day is a celebration for everyone.

Filed Under: Opinion Tagged With: Brucaj, head of Muslim community calls, on people to vote

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 481
  • 482
  • 483
  • 484
  • 485
  • …
  • 860
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Çamëria… heshtja që vret”
  • SHQIPTARËT DHE PROJEKTI EVROPIAN PËR MAQEDONINË E VERIUT A MUND TË DEGRADOJË NË NJË NARRATIVË ILUZORE?
  • Brigitte Bardot: “seks bomba bionde” që revolucionarizoi kinemanë franceze
  • “Leksikoni i së drejtës publike – Nocione dhe institute të së drejtës publike”
  • Lugina e Preshevës dhe e drejta e munguar për shtetësi dhe votë në Kosovë
  • Vlora Nikçi: “Prindër, mbështesni ëndrrat e fëmijëve”
  • Federata “Vatra” përshëndet zhvillimin e Zgjedhjeve Parlamentare në Kosovë dhe uron Kryeministrin Albin Kurti e Lëvizjen Vetëvendosje për fitoren
  • Yllka Lezo për median europiane: Shqiptarët kërkojnë drejtësi të paanshme në Hagë
  • Sot dita e lindjes së atij që i dha Shqipërisë Pavarësinë numër 2: Thomas Woodrow Wilson
  • DR. STEPHAN RONART (1933)  : “JA SI PJETËR BUDI DO TA RISHKRUANTE LETRËN E TIJ DËRGUAR 4 SHEKUJ MË PARË DUKËS SË SAVOJËS PËR TURIZMIN AKTUAL NË SHQIPËRI…”
  • PLUHUR VEZULLUES YJESH NGA LASGUSHI IM
  • BASHKËBISEDIM KULTUROR – Kristo Floqi dhe Komedia Shqiptare
  • MESAZHE TË BUKURA NJERËZORE
  • Kushtrim Shyti, djali i mësuesit, poetit dhe dëshmorit të UÇK-së, Mustafë Shyti, vizitoi Vatrën
  • KOSOVO CINEMA IN NEW YORK CITY: DOUBLE BILL WILL SCREEN IN MANHATTAN AND BRONX FOR BRONX WORLD FILM’S 15th ANNIVERSARY

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT