• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Atetantori me kollare qëllon ambasadorin rus në Ankara!

December 19, 2016 by dgreca

1atentatori

Nga Prof. As. Dr. Enver Bytyçi/Që prej nisjes së konfliktit në Siri e deri më sot Turqia ishte pozicionuar qartësisht në krah të kryengritësve opozitarë. Presidenti Erdogan organizoi para disa vitesh në Stamboll një takim me opozitën siriane, asokohe të paarmatosur mirë dhe me mbështetjen e Perendimit mori përsipër mbështetjen politike dhe ushtarake të saj, me qëllim rrëzimin e regjimit të Bashar-Al Assad. Ndërkohë Rusia shpalli publikisht përkrahjen e saj të parezerva ndaj regjimit të Asadit, duke iu kundërvënë politikave ndërkombëtare për zgjidhjen e konfliktit pa presidentin sirian në tryezën e bisedimeve. Ajo vuri veton në Këshillin e Sigurimit e në të gjitha strukturat ndërkombëtare të së drejtës në mbrojtje të Assad, duke vështirësuar zgjidhjet e skicuara në Bruksel dhe Uashington, me qëllim evitimin e një gjakderdhjeje të tillë si ajo që po shohim këto ditë në Alepo. Ushtria e regjimit të diktatorit sirian jo vetëm eleminoi me dhunë e terror kundërshtërët e tij brenda vendit, por shkretoi Alepon me qëllim marrjen e qytetit të kulturës mesdhetare përmes bombardimeve dhe vrasjes masive të civilëve të pambrojtur, ndër ta shumica fëmijë, gra e pleq. Një krim i pashoq, që le në harresë Srebenicën e Kosovën, një krim të cilin e mbështeti me mjete ushtarake e logjistikë Moska e Vladimir Putin. Nesër do të mblidheshin në Ankara tre ministrat e Jashtëm të Rusisë, Turqisë dhe Iranit për të shqyrtuar situatën e krijuar në Alepo dhe për të përcaktuar një zgjidhje të pranueshme të konfliktit. Por pak orë para këtij takimi ndodhi ajo që kishte ndodhur në vitin 1903 në Mitrovicë, kur ishte vrarë me atentat konsulli i Rusisë në këtë qytet. Një atentator me kostum e kollare ka penetruar në ekspozitën e hapur në kryeqytetin turk, Ankara, e cila i kushtohej Rusisë dhe ka qëlluar mbi ambasadorin rus në këtë vend. Ambasadori Andrej Karloë ndërroi jetë pas plagëve të rënda që mori, ndërsa atentatori në momentin e atentatit kishte thirrur “Allahu ekberr” (Zoti është i madh), duke dhënë kështu sinjalin se akti ishte urdhëruar nga shteti islamik IS, në vazhdën e një kërcënimi që islamistët ekstremistë kishin bërë pas ngjarjeve tragjike në qytetin e Alepos. Madje pas këtyre ngjarjeve vetë turqit u tronditën dhe fajësuan Moskën krahas Assadit për masakrat dhe tmerret në këtë qytet. Ata organizuan protesta të fuqishme përpara ambasadës së Rusisë dhe të Iranit në Ankara, duke denoncuar bashkëpunimin e këtyre dy vendeve me regjimin e diktatoorit sirian. Ndërkaq ky atentat ishte paraprirë me batica dhe zbatica të shumta midis Kremlinit dhe Pallatit Presidencial të Turqisë. Kulmin e konfliktit e shënoi rrëzimi i një avioni rus nga dy pilotë turq para një viti, akt i cili shërbeu për ngrirjen e marrëdhënieve politike, ekonomike, në turizëm e në fusha të tjera midis Rusisë dhe Turqisë. Por grushti i shtetit i 15 korrikut të këtij viti krijoi mundësinë e një lidhjeje të ngushtë të ripërtërirë midis dy presidentëve, Vladimir Putin dhe Rexhep Tayp Erdogan. Një telefonatë paralajmëruese e rusëve për atë grusht-shteti dhe një telefonatë solidarizuese e Putin me Erdogan i shkrinë si me magji akujt midis dy vendeve. Prej gati gjashtë muajsh bota ishte mësuar të shihte sesi dy vende me qëndrime të kundërta sa i përket zgjidhjes së konfliktit në Siri krijuan një marrëdhënie speciale të miqësisë, mirëkuptimit dhe paqes midis tyre. U harrua rrëzimi i avionit luftarak rus. Madje piloti turk u arrestua pas grushtit të shtetit nën akuzën se “e kishte kryer veprimin nën ndikimin e klerikut Gylen” dhe Putin e Erdogan shkëmbyen vizita të ndërsjella, duke dëshmuar se ishin në të njëjtën anije të luftës kundër Perendimit, para së gjithash kundër SHBA-ve. Vrasja e ambasadorit Karloë sot mbasditë në Ankara duket se riktheu situatën e para grushtit të shtetit dhe investimi i Erdogan për forcimin e boshtit Ankara-Moskë duhet vlerësuar tashmë si një investim i dështuar. Dështimi rrjedh së pari nga fakti se të dy vendet nuk janë të të njëjtit mendim dhe qëndrim sa i përket rrjedhës dhe zgjidhjes së konflikteve në Lindjen e Mesme, para së gjithash në Siri. Por kur nuk funksionon logjika e aleancave dhe ngritjes së marrëdhënieve të partneritetit në këtë botë kaq të trazuar, atëherë ndodhin akte të tilla si atentati i sotëm, si për të dëshmuar se rrejdha e zhvillimeve është e panatyrshme dhe jo realiste. Ajo që ndodhi në Ankara nbasditën e vonë të sotme është një akt dhune e barbar, por i paralajmëruar tashmë nga qëndrimet kontradiktore të presidentit turk sa i përket konfliktit sirian. Ankaraja u përdor nga ana e Kremlinit, sepse përmes imazhit të marrëdhënieve të mira me Rusinë krijoi përceptimin se presidenti turk është i një mendimi me presidentin rus sa i përket qëndrimit të tyre ndaj presidentit sirian Bashar Al Assad. Mjaftoi ky përceptim që forcat rebele kundër Assadit të humbin besimin ndaj Ankarasë. Më së pari besimin e humbën kurdët, si kontribues të mëdhenj në luftën e kryengritësve kundër Assadit dhe kundër IS. Ata u vunë në shënjestër të bombardimeve të ushtrisë turke, por edhe të aviacionit të Assadit e të Vladimir Putin. Më pas opozitarët e shndërruar në luftëtarë të armatosur kundër presidentit sirian humbën dhe ata besimin te një mbështetje e sinqertë e Ankarasë, e cila për hir të së vërtetës u tërhoq praktikisht nga aksionet konkrete në ndihmë të tyre, për shkak të lidhjeve me Moskën. Presidenti Erdogan shfrytëzoi vetëm një mundësi për ta paraqitur veten si një udhëheqës popullor, ndërmori aksione humanitare, gjë për të cilën nuk kishte kundërshtime Moska. Çdo veprim dhe qëndrim tjetër që atakonte Moskën ai e rezervoi dhe nuk e realizoi, së paku me këmbëngulsinë e fillimit të konfliktit sirian. Madie iu kundërvu përpjekjeve të aleatëve tradicionalë të Turqisë, vendeve të Perendimit e NATO-s, në planet e tyre për ndërhyrje dhe rivendosjen e rendit dhe rregullit në Siri e në Alepo. Erdogan u shqua në mbledhjen e viktimave të Alepos, por nuk reagoi ndaj shkaktëreve të këtyre viktimave. E gjitha kjo solli njgarjen tragjike të mbasdites së sotme të datës 19 dhjetor 2016, kur një atentator qëlloi dhe vrau ambasadorin e Rusisë, Andrej Karloë. Kjo ngjarje do të jetë pikë kthese në zhvillimet e ardhshme jo vetëm për marrëdhëniet ruso-turke, por edhe për zhvillimet në Lindjen e Mesme. Pritet që lidhjet midis Ankarasë dhe Moskës të rikthehen në pikën zero, për shkak se Kremlini nuk do ta kapërcejë kaq lehtë vrasjen e ambasadorit të saj në Turqi. Qoftë dhe për shkak të egos së tij për t’u paraqitur si Fuqi e Madhe që “dikton rendin e ri botëror”?! Vrasje të personaliteteve të larta të këtij kalibri e të Fuqive të Mëdha kanë ndezur luftra të përbotëshme, nëse kemi parasysh gjithashtu atentatin që iu bë Princit Ferdinand dhe gruas së tij në Sarajëve në ditën e Shën Vidovdanit serb, më 28 qershor 1914. Por fantasia nuk besoj se shkon deri te një konflikt i armatosur midis dy vendeve të fuqishme ushtarake, Rusisë dhe Turqisë, me ç’rast do të detyrohej gjithashtu NATO të pozicionohej përkrah vendit anëtar të saj, pavarësisht shqelmave antiNATO të Erdogan. Sidoqoftë marrëdhëniet ruso-turke janë tashmë nën peshën e këtij atentati të sotëm dhe nuk ka gjasa që ato të përmirësohen, aq më pak të marrin përmasat e një aleance midis dy vendeve. Ndërkohë Erdogan nuk do të pranohet lehtë në aelancën perendimore, sepse qëndrimet e tij të derisotme kanë dëshmuar për agresivitetin e tij antiperendim. Ai do të ketë mbi shpatulla në mënyrë të shtuar presionin kurd e madje me qëndrimet e tij e represionin kundër Kurdistanit ka krijuar kushte për një homogjenizim të të gjitha territoreve kurde në katërkëndshnin e kufijve Turqi-Siri-Irak-Iran. Ndërkaq ngjarjet në Alepo dhe ky atentat do të shtojnë presionin e brendshëm opozitar kundër presidentit turk. Ky presion është në vlim për shkak të represionit dhe burgosjes së dhjetramijë njerëzve me emër, të cilët konsiderohen si kundërshtarë të regjimit të Erdogan. Në vlim janë edhe konfliktet jo vetëm me PKK, por edhe me përfaqësuesit demokratë kurdë të zgjedhur në parlamentin e Turqisë, grup i cili synohet të nxirret jashtë ligji. Ndërkohë që praktika të tilla vetëm se thellojnë konflktin e në një konflikt të tillë nuk mund të fitojnë as ushtritë më të fuqishme të botës. Edhe si perandori Turqia ka ekzistuar për shkak të ekulibrit midis interesave të Portës së Lartë dhe popujve që e përbënin këtë perandori. Ndryshe ajo do të ishte shkërmoqur që në shekullin e parë të ekzistencës së vet. Ky mësim i historisë duhet lexuar, me qëllim që në kushtet e sotme të globalizimit dhe politikave të ndërvarura politika e presidentit Rexhep Tayp Erdogan të krijojë një ekuilibër midis nevojave të kombit turk dhe interesave të kurdëve, sirianëve dhe popujve ku ai është prezent me politikën e ndërhyrjen e tij. Mbi të gjitha ngjarja e sotme, e cila në çdo rrethanë duhet dënuar si akt barbar, është një mësim se vokacioni i Turqisë është i lidhur me interesat e NATO-s dhe Fuqive të Mëdha në Perendim, para së gjithash në lidhje e partneritet të ngushtë me SHBA-të. Në një kohë të tillë të artë, vendi më i madh musliman në rajonin e Mesdheut e Golfit pati gjetur harmoninë, qetësinë dhe prosperitetin e tij. Ndryshimi i politikave çekuilibroi gjithashtu gjeopolitikën rajonale e më gjerë, duke kërcënuar seriozisht paqen, sigurinë dhe stabilitetin jo vetëm në Lindjen e Mesme, por edhe në vetë territorin e Turqisë. Një ambassador u vra nga një atentator me kollare. Ky ishte një akt i dënueshëm antinjerëzor. Por kjo paralajmëron një stuhi, e cila kërcënon seriozisht paqen botërore.

Filed Under: Opinion Tagged With: ambasadorin rus në Ankara!, Atetantori, me kollare qëllon

“ESKOBARI I BALLKANIT” DHE HESHTJA E SHTETIT

December 19, 2016 by dgreca

5-rama-balla6x4“Dy gjëra janë të dëmshme për atë që don të ngjisë shkallët e fatit : të heshtë kur është koha të flasë, e të flasë kur është koha të heshtë”/- FRIEDRICH  BODENSTEDT (1819 – 1892)/1-balili1NGA EUGJEN MERLIKA/M’u kujtua kjo shprehje e shkrimtarit e poetit gjerman të shekullit XIX, i dashuruar me poezinë persiane, kur pashë kronikën televizive të tubimit me rastin e analizës vjetore të punës së Avokatit të Popullit. Ndoqa me shumë interes fjsalën e z. Donald Lu e, më pas, edhe ndërhyrjen e z. Ilir Meta. I pari foli pa doreza, në lidhje me një ish funksionar shteti në Sarandë, mbi të cilin ka një mandat arresti ndërkombëtar, duke u shprehur, mes të tjerave : “Politikanë të  majtë e të djathtë i u kanë kushtuar vëmëndje interesave të fuqishme të biznesmenëve të korruptuar , kriminelëve të mëdhenj dhe trafikantëve të drogës…. Kush mund të besojë se ky është një Vend serioz në luftën kundër drogës ?”. Nuk ishte një gazetar çfarëdo që bënte një pohim kaq të rëndësishëm n’adresë të politikës shqiptare, ishte përfaqësuesi i Shtetit më të fuqishëm të botës, një Shteti që konsiderohet për Shqipërinë  aleati i parë strategjik.  

Vetëm një gabim ka, simbas mendimit tim, ambasadori Lu, që politikanët shqiptarë i ndan në “të majtë” e të “djathtë”, siç vetëquhen ata vetë, që prej një të katërt shekulli, në hullinë e mashtrimit të madh që përcolli epokën e shëmbjes së komunizmit, si sistem shoqëror  n’Evropë e kryesisht në Shqipëri. Në politikën shqiptare nuk ka të djathtë, sepse të djathtët e vërtetë alla Churchill, Adenauer, De Gasperi etj. u asgjësuan n’embrion nga marrëveshtjet e Teheranit e të Jaltës në vitet e para dyzet dhe u sterilizuan përsëri në vitet nëntëdhjetë si pasojë e një tjetër marrëveshjeje në Maltë 1987, gjithmonë mes dy mbishteteve SHBA dhe BRSS. E gjithë kalesa pas komuniste në Shqipëri ka qënë një vënie në jetë e strategjisë së asgjësimit të çfarëdo mundësie, sado të vogël, për të patur një forcë me të vërtetë të djathtë në jetën politike.

Aq është e vërtetë kjo sa që në marsin e vitit 1991, në Pallatin e Kulturës në Tiranë, si ish i përndjekur politik, kam marrë pjesë në një tubim që, në shpalljen e vënë jashtë, i kushtohej themelimit të së Djathtës shqiptare. Organizatorët e saj ishin Ardian Klosi dhe Edi Rama, sot kryetar i PS. Kjo ndodhte kur e djathta e Mërgatës shqiptare, Blloku Indipendent shprehej per mbështetjen e tij të plotë Partisë Demokratike. Ata që krijuan PD, nën shkopin e dirigjentit, në përputhje me Manifestin e Katovices gorbaçoviane, i dijnë mirë hollësitë e atij proçesi shoqëror e politik jo moral por pragmatist, e ndoshta, para se të kalojnë në gjygjin hyjnor, do të kenë mirësinë t’u a lenë të shkruar bashkatdhetarëve të tyre atë të vërtetë. Dola pak nga tema e bisedës, sepse shprehja e ambasadorit, më shumë se për një kundërshtim, kishte nevojë për një saktësim. Në Shqipëri e majta është e pranishme në të gjitha nuancat e saj, që nga e kuqja e gjakut deri tek e kaltërta apo bluja, duke patur si modele simotrat e tyre evropiane e botërore, E djathta. si mendim politik, mund të përfaqësohet nga ndonjë individ apo studjues i rrallë. Edhe ky fakt është një nga veçantitë e realitetit tonë, në ndryshim nga të tjerët.

Shprehjet e ambasadorit janë aq të rënda sa i ngjajnë një tajfuni, nga ato që asgjësojnë gjithshka që gjejnë përpara. Edhe përmasa më e pakët e dinjitetit vetiak, po të ishte e pranishme tek përfaqësuesit e klasës drejtuese shqiptare, në politikë, drejtësi, administratë etj., do t’i kishte shtyrë këta zotërinj e zonja të përpiqeshin, qoftë edhe për sy e faqe, të përgënjeshtronin fjalët e ambasadorit. Në gjithë aradhën e tyre vetëm Ministri i Drejtësisë u mundua të shfajësohej, duke renditur rregullat e rregulloret për postin e tij, por jo duke kundërshtuar padinë e ambasadorit. Të tjerët heshtën, duke pranuar me atë heshtje vërtetësinë e atij pohimi.

Mbas ambasadorit foli Kryetari i Kuvendit, i njohur për përpjekjet për t’u paraqitur si njeri i dialogut, i “urtësisë politike”, i “klimës së ngrohtë” me kundërshtarët. Në fjalën e tij nuk gjeta asnjë shenjë në lidhje me varretë e ambasadorit. Z. Meta lakoi fjalën “magjike” “Vetting”, që prej muajsh ka pushtuar politikën shqiptare dhe jo vetëm atë. Është koncepti i asaj fjale që prish gjumin e znj. Vllahutin, të z. Lu, madje dhe t’atyre sipër tyre si znj. Mogherini apo znj. Nuland, që përsëritet në çdo dalje të Kryeministrit Rama e që shmanget me pak bezdi nga drejtuesit e PD, nga Berisha tek Basha. Prej të parëve quhet si “guri filozofal”, i aftë të zgjidhë të gjitha problemet e panumurta të kalesës shqiptare, prej të dytëve si një farë “Kali i Trojës”, që do t’i verë flakën ngrehinës pas komuniste shqiptare. Ku qëndron e vërteta ?

Simbas mendimit tim modest, as në njërën as në tjetrën tezë. Vettingu që, në përfytyresën e përgjithëshme, është kriteri i zgjedhjes dhe shoshitjes së gjyqtarëve e prokurorëve, vlerësohet jo vetëm në vështrimin e PS, por edhe të ndërkombëtarëve, si rruga e vetme për të moralizuar, jo vetëm sferën juridike e gjyqësore t’administratës shqiptare, por është edhe rruga më e shkurtër për të vënë në hullinë evropiane të gjithë realitetin tonë. Sigurisht Vettingu është i rëndësishëm për ndryshimet e nevojshme në Shqipëri,  nëse ai nuk do të kufizohej vetëm në krijimin e një organigrame të re “revolucionare” të organeve të Drejtësisë, por do të vazhdonte pa humbur kohë në fazën tjetër, n’atë të moralizimit të politikës, që më duket se është një nga problemet themelore të shoqërisë e të Shtetit tonë. N’atë rast mund të flitet për një çast kthese historike në shoqërinë shqiptare. Por…. një mundësi e tillë, më duket se i ngjan më shumë një mirazhi, ndaj të cilit, sa më shumë kujtojmë se i afrohemi, aq më shumë na largohet.

Është vështirë të besohet se një Shtet, i cili deri para dy muajsh mbante n’organikën e tij “Eskobarin e Ballkanit”, edhe se gazetat e huaja kishin shkruar për veprimtarinë e tij poliedrike të paligjëshme, edhe se shërbimet e huaja kundër drogë kishin lajmëruar me kohë për rrezikshmërinë e tij, duke kërkuar arrestimin, të ketë në vetvete në qelizat dhe indet e skuadrës së tij qeverisëse dëshirën, aftësinë apo vullnetin për të shëruar gjëndjen komatoze në të cilën gjindet Shqipëria. Po e quaj komatoze gjëndjen e saj, sepse një popull që voton e zgjedh kriminelë të përmasave të ndryshme në drejtimin e punëve të tij, një Shtet që me vullnetin e tij kthehet në një “Kolumbi t’Evropës”, ku jetesa e qytetarëve si dikur në piramidat financiare, bazohet mbi kultivimin e transportin e kanabisit, pra në rrugët e paligjëshme, është vështirësisht e besueshme të ndryshojë, sa hap e mbyll sytë, si pasojë e aktivizimit të disa dhjetra gjyqtarëve e prokurorëve, të cilët nuk dihet si do të zbresin nga “qielli”.

E keqja e Shqipërisë mbetet pikërisht ajo klasë drejtuese që, edhe e vënë para padive të bashkëpunimit me krimin e organizuar, as skuqet as zverdhet, por paturpësinë mundohet t’a shkarkojë brënda species, duke vazhduar të mashtrojë e të dëmtojë pafundësisht interesat e shqiptarëve. Kundërshtija, në dukje,  mes përparësisë së dekriminalizimit apo Vettingut, në të cilën prej muajsh Shumica qeverisëse dhe Opozita përpiqen të fajësojnë njëra tjetrën, më duket një flluskë sapuni, mbasi të dyja dukuritë plotësojnë njëra tjetrën, duke moralizuar jetën e Shtetit, nëpërmjet rivendosjes së ligjëshmërisë në trupin e tij.

Ҫështja Balili ka nxjerrë lakuriq para shqiptarëve e para botës pikërisht problemin e zbatimit të ligjëshmërisë. Si një dukuri e veçantë, apo si maja e dukurive të paligjëshme që kryhen në Vendin tonë, ajo nuk mund të ketë një përgjegjësi të përgjithëshme, duke përjashtuar këtu mendësinë e pasurimit të shpejtë e me mjete të paligjëshme, edhe kjo gjithmonë e lidhur me shëmbullin e keq të politikës në këta vite. Përgjegjësia, e thënë hapur e pa mëdyshje, bie mbi Qeverinë e hallkat e saj të rendit publik, por edhe mbi organet prokurorisë e të hetimit.

Në majin e këtij viti autoritetet greke zunë një sasi prej më shumë se 700 kg. kanabis, duke arrestuar 15 vetë e duke lëshuar një udhër arrestimi për Klement Balilin. Ky ishte i dyti mbas atij të Gjykatës për Krimet e Rënda të Tiranës, ndërsa ai prehej i qetë në detyrën e tij të Drejtorit të Transportit Rrugor në Sarandë, posti më i përshtatëshëm për të trafikuar drogën në Jugun e Shqipërisë, në Greqi e prej andej n’Evropë, kryesisht n’Itali. Ja çfarë shkruante më 16 maj 2016 gazeta kryesore italiane, “Corriere della Sera” e Milanos, ndërmjet të tjerash :

“… Trafikantët parapëlqejnë Milanon si vend mbrritje përfundimtare, sepse n’atë rast çmimet ngrihen me 700 – 800 euro kg. Në krye të asaj ngarkese dhe të dhjetra të tjerave, është një i padyshueshëm, i mbiquajtur “Eskobar i Ballkanit” dhe i kërkuar në gjysmën e Evropës. Klement Balili është një manaxher i Shtetit, një njeri i besimit të Qeverisë shqiptare që përsëri ka rënë në telashe të mëdha me narkotikët. Ditët e shkuara Dea, agjensia kundër drogë amerikane, ka bërë kritika të thella mbi shkallën e komprometimit mes “aparatit” dhe trafikantëve. Nga ana tjetër nuk është zgjidhur ende çështja e bujshme e Dritan Zaganit, polici që në kërkimet e tij kishte arritur shumë afër ministrit të Brendshëm shqiptar…… Simbas akuzës Ballili…. përdorte rolin institucional për të lëvizur drogën dhe të njihte në kohë reale veprimet e gjykatësve e të policëvet. Që në drejtësinë shqiptare diçka nuk shkon është e njohur : kriminelë pranë arrestimit nga hetues të huaj marrin një fryrje në vesh dhe zhduken…”

Kur arrin informacioni në këtë përmasë në një gazetë, sado e rëndësishme të jetë, organet e  Hetuesisë e të Drejtësisë e kanë përfunduar hetimin e tyre, pra çështja është e njohur në interpolin evropian. Pas një shkrimi të tillë Qeveria, Prokuroria e Përgjithëshme, organet e zbulimit, që kanë si detyrë të parë mbrojtjen e interesave dhe të imazhit të Vendit të tyre në botë, duhej së paku të mbanin nën një mbikqyrje të rreptë 24 orë në 24, zyrtarin e tyre në Sarandë dhe, në çastin që do të shihnin një përpjekje largimi nga ana e tij, t’a ndalonin. Nuk u bë asgjë nga këto, u kërkuan “provat” dhe pak ditë para se ato të arrinin, nëpërmjet një dosjeje prej 10.000 faqesh(!!!) të Prokurorisë greke e të Deas amerikane, Klement Balili u zhduk, u bë i “pakapshëm” për dyqind policët në “ndjekje” të tij….

Ky nuk është vetëm një turp i madh për Shqipërinë dhe drejtuesit aktualë të Shtetit të saj, por është edhe një dukuri që detyron të tjera veprime. Në historinë e Luftës së Ftohtë mes Perëndimit demokratik dhe Lindjes komuniste, ka patur raste të dorëheqjes së Qeverive perëndimore, edhe për faktin e vetëm se në rrethin e bashkëpuntorvet të Kryeministrit zbuloheshin spiunë të shërbimeve të fshehta të shteteve kundërshtare. Një trajtim kaq “bamirës” i problemit të Balilit, që diskrediton botërisht Shtetin shqiptar, nuk mund të mos ketë pasoja të drejtpërdrejta. Ose Kryeministri e Kryetari i Shtetit janë të vendosur të nxjerrin përgjegjësitë e vartësve të tyre në këtë çështje tepër të shëmtuar, ose dhe ata së bashku me të tjerët duhet të japin dorëheqjet. Kështu Shqipëria, së bashku me miratimin e Vettingut për sistemimin e Drejtësisë, duhet të shkojë në zgjedhje të parakohëshme, në të cilat populli të shprehet qartë nëse pajtohet me Shtetin mafioz, që ve në bazën e ekonomisë së tij kultivimin dhe eksportimin e drogës n’Evropë, apo kërkon një alternativë qeverisjeje të denjë për një shtet antar të Bashkimit evropian.

Në të kundërt, nuk ka Vetting që të hapë dyert e Bashkimit evropian për Shqipërinë. Para kësaj gjëndjeje është detyrë e cilitdo shqiptari, kudo në botë të mos heshtë, për t’i treguar botës, miqve dhe kundërshtarëve se Shqipëria nuk do të jetë modeli i shtetit  mafioz, por kërkon të jetë “nji Zonjë e randë”, siç e projektuen Etërit e Kombit më 1912, e siç e dëshiruan studentët e dhjetorit 1990.

Dhjetor 2016 Eugjen Merlika

Filed Under: Opinion Tagged With: “ESKOBARI I BALLKANIT” DHE, Eugjen Merlika, HESHTJA E SHTETIT

MIKU I SHQIPTAREVE, ISH KONGRESISTI BEN GILMAN NDËRROI JETË

December 18, 2016 by dgreca

1-gilman_benjamin1

Ne Foto:Ne Foto:Benjamin Gilman, lindi nePoughkeepsie, NY me 6 Dhjetor 1922- nderroi jete me 17 Dhjetor 2016 ne Catle Point Veteran’s Hospital/

Nga Frank Shkreli/Ish Kongresisti amerikan i Partisë Republikane nga shteti i New Yorku-ut, Ben Gilman ndërroi jetë të shtunën në moshën 94-vjeçare në spitalin e veteranëve Castle Point në Wappingers Falls të New Yorkut, nja 70 kilometra në veri të qytetit New York. Bashkshortja e tij i tha medias se ai vdiq ashtu siç kishte jetuar: në paqë.

Kongresisti Gilman nuk ishte vetëm  një institucion politik i zonës Hudson Valley dhe i shtetit të New Yorkut por edhe një zë i fuqishëm në Kongresin amerikan në Washington, ku shërbeu për 30-vjetë.  Si legjislator, Ben Gilman njihej si ekspert i punëve të jashtme dhe gjatë gjithë karierës së tij u shqua me veprimtarinë e gjithanshme dhe të palodhshme si mbrojtës i vendosur i të drejtave të njeriut anë e mbanë botës.   Si anëtar i Kongresit dhe si kryetar i Komisionit të Kongresit për Marrëdhënje Ndërkombëtare nga viti 1995-2000, Ben Gilman, përveç shërbimeve të zakonshme dhe tradicionale për zgjedhësit e tij në lagjën elektorale të Hudson Valley-t në New York që ai përfaqsonte, ish-kongresisti republikan i dedikoi një pjesë të madhe të veprimtarisë dhe të jetës së tij politike, çështjeve ndërkombëtare, sidomos mbrojtjes së të drejtave të njeriut kudo.  

Dikush mund të thotë po ç’na duhet të dimë se paska ndërruar jetë një ish-kongresist amerikan, tepër larg në hapësirë dhe jashtë interesimit për ne, kemi hallet tona.  Por, si një individ, si një shqiptaro-amerikan, por edhe si dëshmitarë i veprimatrisë së shumë kongresistve amerikanë në mbrojtje të shqiptarëve e sidomos në mbështetje të Kosovës, në kohën më të vështirë të saj, përfshirë Ben Gilmanin, unë e ndjejë për detyrë, që të pakën shkurtimisht me dy tre fjalë në shënjë respekti nderimi, mirnjohjeje dhe falendrimi ta shënoj vdekjen e këtij kongresisti amerikan të madh për shqiptarët.  Ben Gilman i përkiste një gjenerate politikanësh amerikanë të 4-5 dekadave të kaluara, që për arsye moshe fatkeqsisht po zhduken një nga një, por të cilët mbrojtën të drejtat e njeriut dhe liritë bazë, edhe për shqiptarët e të cilët sidomos treguan gjatë pothuaj 45 viteve të fundit, një mbështetje të fortë për të drejtat dhe liritë e shqiptarëve të Kosovës, pa ndihmën e të cilëve — në nivel kombëtar të politikës amerikane dhe në nivelin e politikës ndërkombëtare —  aktualiteti i shqiptarëve sot në Ballkan nuk do të ishte ai që është sot, përfshirë edhe pavarësinë e shtetit të kosovës. Kjo është arsyeja që e ndjejë si obligim të pakën të kujtojmë në raste të tilla miqtë e shqiptarëve si Ben Gilman kur largohen nga kjo botë, për faktin se falë veprimtarisë dhe interesimit të tyre për fatin e popujve që as nuk i njihshin, ata e lanë botën tonë pak më të mirë se ç’ishte më përpara, përfshirë këtu, sidomos botën shqiptare.

Ai kishte shumë kauza që mbronte, duke filluar nga disidentët sovjetikë gjatë luftës së ftohtë, tibetasit e shtypur nga regjimi komunist kinez, promovonte zgjedhjet e lira anë e mbanë botës e tjera kauza në mbështetje të lirisë dhe të demokracisë së popujve. Por një kauzë me rëndësi të cilën e kishte tepër për zemër dhe të cilën ai e mbrojti vendosmërisht me fjalë dhe vepra, ishte çështja e Kosovës.  Kongresisti Ben Gilman, së bashku me një numër kolegësh të tij në Kongresin amerikan, nga të dy partitë kryesore politike -demokratë e republikanë — ishte sponsorizues i rezolutave të shumta në mbështetje të shqiptarëve të Kosovës, në mbrojtje të lirisë dhe të pavarsisë së Kosovës, madje edhe duke bërë thrirje për njohjen diploamtike të Republikës së Kosovës, duke filluar nga viti 1992 dhe më heret.

Ai doli në pension në vitin 2003.  Pas një kariere të gjatë të përqëndruar në politikën e jashtme dhe ndërkombëtare, Departamenti Amerikan i Shtetit e dekoroi ish-Kongresistin Gilman me dekoratën më të lartë të këtij enti qeveritar, me “Medaljen e Artë për Shërbim të Dalluar”, për përpjekjet e tija të vazhdueshme në mbrojtje të lirive bazë të njeriut anë e mbanë botës, puna e të cilit e bëri jetën e shumë njerëzve, në një numër vendesh të botës, më të mirë e më të kollajt se ç’ishte më përpara.

Kongresisti Ben Gilman, së bashku me shumë kolegë të tij senatorë e kongresistë mori pjesë në demonstratën ndoshta më të madhe të shqiptarëve në Washington në verën e vitit 1991, në mbështetje të lirisë për Kosovën. Demonstrata pat filluar para Shtëpisë së bardhë dhe përfundoi me një miting të madhe para Kongresit amerikan, ku përveç kongresistit Ben Gilman folën edhe anëtarë të tjerë të Kongresit dhe miqë të shqiptarëve, si Senatorët Bob Dole, Clairborne Pell, Larry Pressler, Al D’Amato, kongresistët Lantos, Porter, Broomfiled e të tjerë.

Me rastin e 10-vjetorit të Lidhjes Demokratike të Kosovës në SHBA, Kongresisti Ben Gilman i kishte dërguar kësaj organizate një letër e dates 27 Janar, 2000, në të cilën ai tregon interesimin e tij si për Kosovën ashtu edhe për Shqipërinë. Në lidhje me Kosovën Ben Gilman shprehë kënaqsinë e tij se më në fund Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre në Europën Perëndimore iu përgjigjen shtypjeve  të shqiptarëve nga regjimi serb duke miratuar sulmin e parë ajror kundër një vendi që kishte abuzuar me të drejtat e njeriut. “Në Kosovë” shprehet ai, “kemi fituar luftën por nuk kemi fituar ende paqën…Ju duhet ta dini gjithmonë se gëzoni mbështetjen dhe vullnetin e mire të popullit të Shteteve të Bashkuara dhe të tjerëve anë e mbanë botës. Së bashku, duhet të  punojmë që të sigurojmë se e ardhmja e Kosovës të jetë paqësore dhe e begatshme”, shkruante Ben Gilman.

Në lidhje me Shqiqpërinë, ai shprehur mirënjohjen se një vendi që sipas tij, megjith kufizimet ekonomike dhe politike, iu përgjegj krizës humanitare me vendosmëri dhe bujari. Nuk mund ta harrojmë Shqipërinë dhe nevojën e saj, ka thënë Gilman, për të qenë e angazhuar me ne dhe me popullin tonë.   Më në fund, ai ka thënë se përgjëgjësia për një të ardhëme më të mirë për Kosovën është në dorë të popullit të atij vendi, por njëkohsisht ai premton se ai dhe kolegët e tij në Kongres nuk do ta harrojnë Kosovën, por do të vazhdojnë të shqyrtojnë ecurinë e punëve në atë vend gjatë viteve në vijim. Kongresmeni Ben Gilman e përfundon letrën me urimin: “Rrofshin Shqiptarët!”

Miku i Shqiptarëve, ish Kongresisti Ben Gilman, Kryetar i Komisionit të Kongresit për Marrëdhënje të Jashtme gjatë 1990-ave dhe i cili shërbeu gjatë administratave të 7 presidentëve amerikanë gjatë një mandati 30-vjeçar në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, ndërroi jetë të shtunën në moshën 94-vjeçare.

Filed Under: Opinion Tagged With: Ben Gilman, Frank shkreli, nderroi jete

Pak supë nëse mundesh

December 18, 2016 by dgreca

1-ilir-levonja-2-288x300-1-1Nga Ilir Levonja/

-Të jap edhe 5 dollarë?/

-Pak supë zotëri, pak supë nëse mundesh…./
1)Një i njohuri im më tha se, ishte dita ku ai duhej të shërbente ushqim në mencat e të varfërve. E bënte këtë për vite me radhë. Punë e besimit të tij kristian. Aq sa kur ulemi ndonjëherë bashkë, më vë në siklet me lutjen e tij për bukën dhe Zotin. E bën kaq natyrshëm, kaq njerëzishëm…, sa më duket vetja një masiv guri, karshi këtyre
xhesteve të imta njerëzore. Shoh së gjalli një sinqeritet të qënies njeri, në raport me frutet e punës së tij. Atë krijesë që duket qartazi se e gëzon vërtetë çdo minutë e ditës. Dhe se ushqimi më përpara se një lëndë stomaku. Eshtë një mundësi për të të qënë mirënjohës.
2)Këto mencat shërbesë janë të përditshme. Kanë ca tabela të mëdha mbi krye, Ushqim për të varfrit.Veç në ditë të shënuar si ajo e falenderimeve. Apo e krishtlindjes…, mbipopullohen. Edhe për faktin e shërbestarëve. U shtohen kontigjente administratash. Nga shteti dhe privati. Kontigjent nga hirearkitë e larta. Njerëz të politikës, besimeve etj. Edhe shërbejnë, por edhe hanë.
Një rracion supe. Në ato pjata të thjeshta me bazë ricikluese. Prej letre kryesisht. Pasi bota e madhe amerikane. E konsideron ricklimin prioritet. Mjaft i vodhëm tokës ato që nuk ia kthejmë dot më. Ato që do i duhen me mijra vjet për t’i rikrijuar. Veçanërisht mineralet…
Nga ana tjetër ata që presin me pjata, janë një moral më vete. Edhe pse hallexhinj me shumicë. Kush ka humbur shtëpinë, kush punën…
kush vjen nga bota e drogës, alkolit. Nga ajo e vujatjes së dënimit. Plot të tjerë nga rruga, nga semaforët ku lypin me një copë kartoni, ku shkruajnë arsyen pse janë në rrugë. Me një moral tjetër, aq sa ajo kënga. Ti nuk din me ma lyp…, këtu stonon si pjesa më e madhe botës sime. Pasi dinjitetin e një lypsi këtu, nuk e ka aspak ai që vishet firmato. Apo vozitë rrugëve me një Porsche Cayenne.
Ndaj dhe ky i njohuri im, kur i tha njërit prej tyre se dëshironte të t’i jepte edhe 5 dollarë. Nga që e njihte. Në të kaluarën e largët e kishte patur fqinj. Ai i tregoi tasin e thellë prej kartoni.
-Pak supë zotëri, pak supë nëse mundesh…
Ndofta aty nuk ishte vendi, për shkak të respektit karshi urisë.
Presin dhe pasi u mbushet pjata. I falen Zotit. Hanë në heshtje dhe po ashtu pastrojnë tavolinën vet. Megjithëse hirearkia i lutet, u shërben. I prek supet etj.
3) Kjo pikëpjekje botësh, hirearki, varfëri, Zot…, është ora ku njëra palë pranon atë, që, sa kohë ka të varfër. Të pastrehë, fatkeqër. Dhe viktima të veseve. Puna e shtetarit dhe e Zotit nuk është bërë siç duhet. Ndaj tjetra palë shfaq mëshirë me shumicë. Por edhe dinjitet.
Dhe dinjiteti i lypësit, i të varfrit vret më shumë se firmë kostumi.
4)E gjitha kjo mu kujtua nga një bëlbëzitje në shtypin tonë. Kisha e Shqipërisë, ditën e krishtlindjeve, ka vendosur të shërbejë ushqim për të varfërit. Thonë se është inisiativë e një prifti të ri, që Zoti e bekoftë. Për këtë punë të paqme. Duke i sjellur shqiptarët e hallakatur në rrugën reale të shoqërive simotra.
Duke hequr atë butaforinë e festave fetare. Kur hirearkia dhe njerëzit e besimeve. Ndanin përqafime publike. I shtronin darka shesheve, shoqi shoqit. Deklamonin madhështinë e rreme, karshi vobektësisë apo derteve. Duke mos u ngopur kurrë me faktin që po mundnin njerëz përditë. Një shkëlqim veladonësh dhe kollaresh, aq sa sot, ata që i janë futur rrugës së zotave që u besojnë. Janë me shumicë xhihadistë se sa besimtarë.
Ndofta atë ditë, gjithë kontigjenti i atyre që duan strehë, punë. Kontigjenti i nismës bëje të mirën dhe hidhe në lumë. Kontigjenti i periferive do dali nga guacka e ndrojes. E turpit që është i varfër. Eshtë lypës. Eshtë njeri pa shtëpi. Pasi tek ne të pranosh se je i varfër, është më e rëndë se të shkosh në burg. Do dalin e të ballafaqohen. Për të kuptuar se cili është ndryshimi midis një faqeje burri shtetar përshembull, të parruar për qejf dhe për modë. Dhe asaj faqeje burri që nuk ka para as për një pako brisqe. Për të kuptuar dallimin midis shkëlqimit të Zotave dhe mëshirës së shenjtë të të varfërve. Eshtë e gjitha një botë e padrejtë…, edhe pse flasim papushim për arritje. Një botë që e verteton një tas supe. Mëshira dhe dështimi i njeriut karshi njeriut.

Filed Under: Opinion Tagged With: Ilir Levonja, Pak supë .nëse mundesh

Prof. Nikolla Pano: Nuk do të ketë ndryshime të mëdha të politikës së Trump në Ballkan

December 18, 2016 by dgreca

prof-pano

Njohësi i çështjeve të Ballkanit dhe profesori i historisë, Nikolla Pano vlerëson se zgjedhja e Donald Trumpit president nuk do të sjellë ndryshime dramatike në politikën e SHBA-ve në Ballkan. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, Pano thotë se Shtetet e Bashkuara kanë si tipar themelor të politikës së jashtme, që Ballkani të jetë një zonë stabiliteti.

“Nëse do të ketë ndryshime, në rast se SHBA-të do të përqafonin një qasje më të ashpër apo më të butë ndaj Ballkanit, atëherë natyrisht që do të kishte pasoja. Për shembull, nëse Shtetet e Bashkuara do të mendonin se Rusisë i duhet lënë një dorë më e lirë në Ballkan, kjo mund të inkurajonte serbët të jenë më agresivë ndaj Kosovës, në kërkesat e tyre për disa lëshime në negociatat ndërmjet dy vendeve. Por sërish, unë nuk e shoh për momentin të ndodhë një gjë e tillë. E njëjta gjë vlen edhe për Shqipërinë, e cila do të ndikohej nga disa zhvillime në vende të tjera të Ballkanit. Por, marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet fqinje kanë qenë përgjithësisht të mira dhe problemet që kanë lindur janë sheshuar. Sërish nuk parashikoj ndryshime të menjëhershme, por sigurisht e ardhmja afatgjatë është një çështje tjetër”, tha Nikolla Pano, njohës i çështjeve të Ballkanit.
Duke u ndalur te zhvillimet e brendshme në Shqipëri, ai vë theksin te kërkesa e komunitetit ndërkombëtar për zbatimin e Reformës në Drejtësi.
“Është bërë progres, por qëndrojnë pikëpyetjet për zbatimin e mëtejshëm të saj nëpërmjet akteve të tjera ligjore që duhet të miratojë Parlamenti. Ka pasur zvarritje, por komuniteti ndërkombëtar; jo vetëm Shtetet e Bashkuara, por komuniteti ndërkombëtar si i tërë, vendet e BE-së; nxisin me forcë disa nga këto ndryshime që janë miratuar nga Parlamenti dhe që kërkojnë akte mbështetëse për t’i bërë të zbatueshme”, tha më tej historiani.
Sipas Panos, në Shqipëri ka pasur një tranzicion ekonomik, por edhe pse është bërë progres, përsa i përket shoqërisë ekziton pabarazia sociale dhe ekonomike.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Nikolla Pano:, politika ne Ballkan, Trump

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 521
  • 522
  • 523
  • 524
  • 525
  • …
  • 860
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Çamëria… heshtja që vret”
  • SHQIPTARËT DHE PROJEKTI EVROPIAN PËR MAQEDONINË E VERIUT A MUND TË DEGRADOJË NË NJË NARRATIVË ILUZORE?
  • Brigitte Bardot: “seks bomba bionde” që revolucionarizoi kinemanë franceze
  • “Leksikoni i së drejtës publike – Nocione dhe institute të së drejtës publike”
  • Lugina e Preshevës dhe e drejta e munguar për shtetësi dhe votë në Kosovë
  • Vlora Nikçi: “Prindër, mbështesni ëndrrat e fëmijëve”
  • Federata “Vatra” përshëndet zhvillimin e Zgjedhjeve Parlamentare në Kosovë dhe uron Kryeministrin Albin Kurti e Lëvizjen Vetëvendosje për fitoren
  • Yllka Lezo për median europiane: Shqiptarët kërkojnë drejtësi të paanshme në Hagë
  • Sot dita e lindjes së atij që i dha Shqipërisë Pavarësinë numër 2: Thomas Woodrow Wilson
  • DR. STEPHAN RONART (1933)  : “JA SI PJETËR BUDI DO TA RISHKRUANTE LETRËN E TIJ DËRGUAR 4 SHEKUJ MË PARË DUKËS SË SAVOJËS PËR TURIZMIN AKTUAL NË SHQIPËRI…”
  • PLUHUR VEZULLUES YJESH NGA LASGUSHI IM
  • BASHKËBISEDIM KULTUROR – Kristo Floqi dhe Komedia Shqiptare
  • MESAZHE TË BUKURA NJERËZORE
  • Kushtrim Shyti, djali i mësuesit, poetit dhe dëshmorit të UÇK-së, Mustafë Shyti, vizitoi Vatrën
  • KOSOVO CINEMA IN NEW YORK CITY: DOUBLE BILL WILL SCREEN IN MANHATTAN AND BRONX FOR BRONX WORLD FILM’S 15th ANNIVERSARY

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT