• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosova nuk ka nevojë për “nënë e babë”!

October 18, 2016 by dgreca

1 enver Bytyci

Shkruan: Prof. Asc. Dr. Enver Bytyçi/

Një nga krerët e Lëvizjes “Vetëvendosja” të Kosovës, i dërguari dhe përfaqësuesi i kryeministrit të Shqipërisë dhe kryetarit të PS-së, Edi Rama, pra Bojken Abazi, ka shkruar se: “Ideja e ndryshimit të psikologjisë kolektive në Kosovë nga “Nëna Shqipëri” te krijimi i një nëne të re, pra “Nëna Kosovë”, që lind “kombin” kosovar, e anashkalon faktin se “Nëna Kosovë” ka për “babë” Serbinë, që e ka krijuar idenë e kësaj “nëne” të re nëpër dekada përmes ndarjes së Kosovës nga Shqipëria dhe (për)dhunimit sistemik kolonialist” Nuk dua të zgjatem në teorizime të shumta rreth kësaj teye, e cila duket se është kauzë e Bojkenit, Vetëvendosjes dhe kryeministrit tonë, zotit Rama. Por do të ndalem të dy momente, të cilat do të duhet që lexuesi t’i dijë, t’i njohë, natyrisht pa qenë i detyruar t’i pranojë. Eshtë e vërtetë se Serbia i ka parë shqiptarët e Kosovës si “trup i huaj” në truallin e Kosovës. Prandaj ajo shkroi dhe aplikoi programe të shumta asgjësimi dhe shfarosjeje të tyre. I shihte si të tillë shqiptarët në Kosovë, me qëllim që ata ta forconin gjithnjë e më shumë idenë e Nënës Shqipëri, t’i mbanin sytë te Shqipëria Londineze dhe në rastin e spastrimeve etnike të ishte po Shqipëria destinacion i shqiptarëve të shpërngulur. Të tilla programe kanë hartuar dhe zbatuar shumë akademikë, përfshirë dhe “nobelistin”, të cilin e admirojnë Rama dhe Blushi, pra Ivo Andriç. Dhe nuk po them aspak ndonjë zbulim: Nëse nuk do të ndërhynte NATO, shqiptarët e Kosovës do të kishin marrë rrugët e botës përmes Shqipërisë më 1999. Me këto programe asgjësimi ata ia arritën qëllimit që shqiptarët në Kosovë t’i mbanin sytë nga Shqipëria, madje të duartrokisnin me entusiazëm edhe politikat izolacioniste të diktaturës komuniste në Shqipëri dhe vetë diktatorin e egër shqiptar. Ndërsa ata dëshmuan në kushtet e autonomisë së viteve 1970, se kanë energji të jashtëzakonshme për ta zhvilluar dhe prosperuar vendin e tyre. Shumë prej atyre që e njihnin regjimin komunist izolacionist të Shqipërisë aso kohe ishin të qartë se çfarë përfaqësonte për ta Shqipëria. Pra, sa ishte në gjendje një vend ekzotik I izoluar si vendi ynë të bënte diçka për Kosovën. Megjithatë fjalimet e diktatorit, mbushur me nota nacionalizmi sidomos pas prishjes me Kinën, krijuan një brez mbështetësish për diktatorin Hoxha dhe Shqipërinë komuniste. Ibrahim Rugova dhe bashkëpunëtorët e tij dhanë shembullin e parë sesi do të duhej të sillej lidershipi i Kosovës ndaj atij të Tiranës. Rugova ishte i pari udhëheqës politik që në kushtet e lirisë së mendimit diti të kundërshtonte presionet e Berishës ndaj tij dhe të refuzonte politikat e Nanos e të Mejdanit ndaj Kosovës. Fromula e tij për një “Kosovë të pavarur, të hapur ndaj Serbisë dhe Shqipërisë” ishte gjetja ideale për ardhmërinë e shqiptarëve në Kosovë. Kjo formulë mbetet postulat dhe larg folklorizmit nacionalist, ishte dhe mbetet vision, tek i cili duket se sot janë rikthyer udhëheqësit aktualë të Prishtinës. Të larguarit dhe baraslarguarit e Prishtinës nga Tirana dhe Beogradi nuk duhet gjykuar nga ngjarjet e së kaluarës. Edhe pse Tirana ka patur qasje të një sjellje miqësore e të marrëdhënieve të ngushta me Prishtinën, ky nuk është argument se Kosova dhe Shqipëria do të duhej të bashkoheshin menjëherë dhe kështu të zhbëheshin institucionet e pavarësia e Kosovës. Edhe pse Serbia ka ushtruar dhunë, terror, masakra, asgjësime të pafund, ky nuk është argument se shqiptarët e Kosovës do të duhet të sakrifikojnë territorin e tyre më të pasur të nëntokës e mbitokës dhe të bashkoheshin me Shqipërinë me çmimin e ndarjes së saj. Në fund të fundit ata Shqipëria i ka ndihëmuar, por nuk i ka mbrojtur ndonjëherë nga terrori i Serbisë. Ka edhe raste kur i ka ndihëmuar atij terrori në forma të ndryshme. Shembujt dihen e nuk besoj se duhen përsëritur. Ndërkohë edhe kryeministrit tonë i pëlqen që të “lëmë të kaluarën” e “të kthehemi nga e ardhmja”, ndaj poi a plotësojmë këtë dëshirë. Largimi ose baraslargimi nga Tirana e legjitimon më shumë politikën e largimit dhe shkëputjes nga Beogradi, I heq Beogradit “argumentin” absurd të presionit mbi bashkësinë ndërkombëtare se “Shqiptarët duan të krijojnë një Shqipëri të Madhe”. Ndërkohë që teoria e Bojken Abazit dhe Vetëvendosjes i jep Beogradit një armë të tillë të mbushur me barutin e një “argument” të munguar. Kurse qëndrimi e qëllimi i vërtetë i Serbisë nuk është njohja, konsolidimi dhe funksionimi I shtetit të Kosovës, përkundrazi, shkërmoqja e tyre, qoftë dhe me koston e “bashkimit të saj me Shqipërinë”, në kushte paqësore, pra me dialog me Serbinë. Minsitri i Jashtëm i qeverisë serbe, Daccicc, të cilin Rama e thërret me dashuri Ivo dhe e fton në ditëlindje t’i këndojë serenata, siç u shpreh vetë ai në një intervistë në Beograd, me dhjetra herë është shprehur qartë dhe saktë. Po citoj: “Ne nuk na duhet në sa shtete jetojnë shqiptarët, ne duam që serbët të bashkohen në një shtet”.Ndërkaq ai kohët e fundit i ka mëshuar tezës, të cilën e pëlqejnë idhtarët e bashkimit me forcë e të menjëhershëm, se “Shqiptarët e Kosovës janë shqiptarë të Shqipërisë”, duke lënë të kuptohet se “Serbia nuk është kundër bashkimit të tyre me Shqipërinë”. Por ama me kushtin që serbët e Kosovës t’i bashkohen Serbisë. Duket shumë qartë se në Serbi tashmë kanë hequr dorë nga plani i asgjësimit fizik të shqiptarëve dhe i janë kthyer një programi tjetër, bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Madje për këtë teori qeveria dhe politika e Serbisë po harxhon aq shumë energji, sa kurrë ndonjëherë tjetër. Të njëjtën gjë kërkon dhe Vetëvendosja dhe të njëjtën gjë nxisin “idhtarët e bashkimit” në stanin e Edi Ramës. Po pse serbët e duan një bashkim të menjëhershëm të shqiptarëve të Kosovës (jot ë Kosovës), me Shqipërisë”? Në Beograd ka ngutje për këtë, me qëllim që ta heqin nga axhenda e tyre nyjen penguese të anëtarësimit të Serbisë në BE, pra Kosovën. Po si? Duke e bashkuar pjesën e banuar me shqiptarë me Shqipërinë dhe me këtë rast duke përfituar territoret e banuara me serbë, sidomos në veriun e Kosovës. Një bashkim i tillë do të bëhej me dialog dhe bisedime, jo me luftë. Në këtë dialog Serbia do të vinte në pazar territoret e Kosovës, madje pasuritë e Kosovës, Trepçën dhe rajone tjera të pasura të saj. Dhe në këtë pazar ajo do të dilte e fituar, sikur gjysmën e këtij territori ta përfshinte brenda kufijve shtetërorë serbë. Kështu politika dhe qeveria e Beogradit do të kishte dy përfitime: Përfitime në territor dhe përfitime nga heqja qafe e një një pengese, asaj për njohjen e shtetit të Kosovës. Kjo do të thotë se Serbia ka nevojë që të mos ekzistojë shteti i Kosovës që të shuhet aqë është arritur deri më sot në Kosovë me shpalljen e pavarësisë, miratimin e kushtetutës dhe ligjeve të saj si dhe ndërtimin e funksionimin e institucioneve shtetërore të saj. Serbia ka nevojë që Vetëvendosja e Boikenët të luftojnë për ndarjen e Kosovës. Asaj nuk I bëhet vonë pse shqiptarët në emër të nacionalizmit djegin e shkatërrojnë pasuritë e vendit të tyre, shkërmoqin dhe shkatërrojnë institucionet e Kosovës. Edhe nëse nuk do të arrinte ndarjen, me asgjësimin me anën e shqiptarëve të institucioneve të Kosovës do ta shtynte pafund njohjen e shtetit më të ri në Europë e kështu do ta realizonte një ditë ëndërrën e saj. Shqiptarët në vend të bashkohen për shtetin e Kosovës, bashkohen për të realizuar me parulla nacionaliste qëllimet e Serbisë. Me taktikën e saj të “pajtimit shqiptaro-serb” dhe të parullave e lëvizjeve për bashkim, Serbia do të nxiste shqiptarët e Maqedonisë që edhe ata të kërkojnë shkatërrimin e shtetit të Maqedonisë. Asgjësimi i këtij shteti është strategji e përhershme e Beogradit, ndërkohë që nga kjo humbja do të ishte në anën e shqiptarëve. Ndërkaq kryeministri i Shqipërisë herë shprehet për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, herë thotë të kundërtën. Kur shkon në ekranin e Batoon Haxhiut, thotë se dëshiron bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Kur del në ekranet e TV në Beograd shprehet se “Kurrë nuk ka qenë përbashkimin e shqiptarëve në një shtet”. Shqiptarët detyrohen të jetojnë në amullinë e mjergullën që krijojnë deklarata të tilla dhe kjo vjen, sepse deri më tash shqiptarët në Kosovë ende nuk kanë vendosur çfarë do të bëjnë me vetveten: Do të forcojnë shtetin që kanë krijuar, apo do ta shkatërrojnë atë shtet dhe institucionet e tij me parullat nacionaliste shkatërruese të bashkimit. Edi Rama shfaqet një elklektik dhe fjalën e përdor sipas interesit vetjak në funksion të pushtetit. Por një gjë ishte e qartë: Zoti Rama për këto qëllime iu fut punës për “zgjidhjen e konfliktit shqiptaro-serb” përmes bisedimeve Tiranë-Beograd. Sa kohë që Prishtina heshti, ai vazhdoi misionin e tij pa u ndalur në harmoni të plotë me dëshirat e qeverisë së Serbisë. Edhe kjo taktikë do të çonte në vënien në diskutim të institucioneve, pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit të Republikës së Kosovës. Kur zullumi u trash reaguan disi ashpër përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës. Ata nuk mund të pranonin zhvleftësimin e gjithë atij investimi kombëtar e ndërkombëtar që është bërë për shtetin e shtetësinë e Kosovës, nuk mund të pranonin që si viktimë e Serbisë të ishin spektatorë e të injoruar në zgjidhjen e këtij konflikti. Por Serbisë i intereson zgjidhja përmes bashkëpunimit me qeverinë e Tiranës. Ndoshta edhe bashkësisë ndërkombëtare, përveç SHBA-ve, të lodhur nga konflikti shqiptaro-serb. Nëse zoti Rama do t’i shkonte deri në fund “misionit” të tij të admiruar prej zotit Vuçiç, për bisedime të drejtpërdrejta për zgjidhjen e konfliktit të tillë, atëherë do të vihen përsëri në diskutim sovraniteti e integriteti territorial i Kosovës. Paralelisht do të gjallëroheshin Boiken-ët me parullat e nacionalizmit shkatërrues dhe do të vinte puna deri te opsioni që kam përmendur më lart, ndarja e Kosovës në emër të bashkimit të saj me Shqipërinë. Ne shqiptarët kemi humbur sa herë jemi thirrur kësisoj si tani në emër të nacionalizmit për të shpëtuar pushtetin e hajdutëve, diktatorëve dhe kriminelëve. Kësaj here në Prishtinë dikush tërhoqi vëmendjen dhe ju shpjegoi liderëve të Kosovës se sa e rrezikshme është loja e “pajtimit shqiptaro – serb” nga Tirana e Beogradi, duke anashkaluar viktimën e Serbisë, Kosovën. Dikush tërhoqi gjithashtu vëmendjen edhe për prapaskenat e lojës së destabilizimit të shtetit të Kosovës nga ana e liderëve të Vetëvendosjes. Prandaj dhe institucionet e Kosovës reaguan në mënyrë të pazakontë, duke kundërshtuar hapur dhe me tone të prera atë që ata e quajnë “ndërhyrje të Shqipërisë në punët e Kosovës”. Ne nuk ishim mësuar me këtë lloj kryengritje të Prishtinës ndaj Tiranës. Në Tiranë ishte bërë zakon të luhej roli I “babait”, duke e paraqitur Shqipërinë si “nëna” e shqiptarëve të Kosovës. Tani Abazi thotë se nëse “Nëna Shqipëri”, bëhet “Nëna Kosovë”, dilka se shqiptarët në Kosovë paskan “babë” Serbinë. Duhet të jesh delirant t’i shpjegosh fenomenet e sotme kësisoj. Kosova nuk ka nevojë të ketë “nënë e babë”. Prej 17 shkurtit 2008 ajo është vetë edhe nënë, edhe babe, pra zot në territorin e saj. Dhe këtë e arriti në sajë të sakrificave të saj, si dhe të mbështetjes së SHBA-së dhe NATO-s. Shqipëria luajti një rol ndihmës të rëndësishëm, por për këtë nuk ka pse kërkon haraç. Në fakt ndodhi diçka e pazakontë. Ishim mësuar që Prishtina të pajtohej me politikat dhe tutelën e Tiranës. Madje liderët e Kosovës gëlltitën injorimet e njëpasnjëshme të kryeministrit shqiptar, Edi Rama. Gëlltitën dhe flirtimet e tij me Vuçiç e me Albin Kurtin, derisa nuk duruan dhe i thanë atij: STOP! Reagimi i kalemxhinjve të romantizmit të rilindjes socialiste u shfaq pa maska. Ata u tërbuan për dy arësye: Së pari u befasuan nga reagimi i institucioneve të Prishtinës, së dyti, se projekti i përbashkët serbo-ramo-vetëvendosje mbeti në tentativë pa u realizuar. Kur them serbo-ramo-vetëvendosje, nuk mendoj se ka një rekordim zyrtar, mafioz e diskret midis tyre, çka do të ishte tradhëti. Por besoj se të dyja segmentet shqiptare kanë rënë viktimë e planit serb të ndarjes së Kosovës nëpërmjet “pajtimit” përmes bisedimeve me Tiranën

Filed Under: Opinion Tagged With: “nënë e babë”!, kosova, Prof. Asc. Dr. Enver Bytyçi

FARSA POLITIKE E EDI RAMËS ME “DIASPORËN” SHQIPTARE

October 16, 2016 by dgreca

 

1-erion-berisha-ok

 

Opinion Nga Erion BERISHA/

Kryeministri Edi Rama iu ka drejtuar ftesa një numri të madh shqiptarësh me banim jashtë vendit për të marrë pjesë në atë që ai e quan “Samiti i Diasporës”. Ndonëse emërtimi nuk është gjëja më esenciale dhe më e rëndësishme e kësaj farse politike, prapëseprapë duhet thënë se që në titullin e këtij tubimi ka një djallëzi dhe mashtrim alla – Edi Rama:

Dimensioni grotesk i “Samitit”

Titullimi i kësaj veprimtarie me këtë fjalë shpreh esencialisht megallomaninë dhe gjigandizimin e veprimtarive boshe të Edi Ramës. Kjo fjalë ka kuptimin: Pika më e lartë e malit, niveli më i lartë i tij. Prej këtej rrjedh kuptimi i dytë: Takimi midis krerëve të shteteve ku dominojnë dy elementë – siguria shumë e lartë dhe ekspozimi maksimal mediatik. Të dya këto i ka qejf mashtruesi i plehrave Edi Rama. Për herë të parë në këtë kuptim kjo fjalë është përdorur kur media i është adresuar Konferencës së Jaltës të mbajtur nga data 4 – 11 shkurt 1945 në takimin historik Ruzvelt – Çurçill – Stalin. Më pas ajo përdoret si Samiti G7, G8, G20 ose edhe tjera por gjithmonë duke patur në përmbajtje takimin midis krerëve të shteteve.

Prej këtej lind pyetja: Ata që do të mashtrohen me Farsën Politike të quajtur “Samiti i Diasporës”, çfarë shtetesh apo gjërash të kesaj bote drejtojnë?  Është e qartë se kjo është një tallje e Ramës me bashkësitë shqiptare jashtë shtetit në vijim të talljes tragjike që ka bërë i ati i tij shpirtëror dhe ai biologjik: Persekutimin e tyre deri në ekzekutim fizik të familjeve të tyre. Në momentin e tashëm, kjo nuk është gjë tjetër përpos një englendisje e tij e rëndomtë dhe mashtrim elektoral.

Dimensioni fallsë – auto – identifikues i Edi Ramës me shqiptarine tërë shqiptarë.

Fjala Diasporë: Edhe pse përdorimi pa kriter i kësaj fjale nga media dhe shpesh politikanët tanë është bërë modë(përjashtuar Presidentin Rugova),  duhet thënë se ajo rrjedh nga eksodi hebraik dhe nuk ka asnjë ngjashmëri me shpërndarjen e popullsisë shqiptare në botë.Shqiptarët janë larguar por asnjëherë nuk e kanë humbur territorin e tyre, tokën e tyre. Në fakt numri më i madh i njerëzve që e kanë lëshuar Shqipërinë pa të drejtë kthimi në atdhe është i lidhur me regjimin e Edi Ramës sot dhe Enver Hoxhës dje. Largimi i shqiptarëve në gjysmën e dytë të shekullit të XX – të dhe në fillimin e këtij që jetojmë është i lidhur me këto figura në periudhën enveriste që nga 1944 – tra dhe tani kur çdo vit largohen 100.000 vetë që kur Edi Rama erdhi në pushtet.

Kush janë samitasit e Edi Ramës?

Kush janë ata samitasit e Edi Ramës që do të marrin pjesë në këtë takim dhe përse tani?Bashkësitë shqiptare në botë janë të vendosura në kohëra të ndryshme. Ata varësisht nga koha e largimit nga Shqipëria mund të kategorizohen si vijon: Periudha e para luftës së Dytë Botërore, që shkon deri në kohën e Skënderbeut. Këta të larguar nuk janë konsideruar armiq nga komunistët por ardhja e tyre në atdhe gjatë periudhës komuniste është bërë në mënyrë selektive nga Sigurimi i Shtetit bazuar në masën se sa ata e kanë pranuar regjimin enverian në Shqiperi. Sesa i dashur ishte babai shpitëror i Edi Ramës me arbëreshët tanë të Italisë mjafton të mësohet sa prej tyre e vizitonin Shqipërinë. Por le të vijmë më afër në kohë meqë Nënë Terezën tani e kemi Shenjtore:Sa herë kishte aplikuar për një vizë ajo e shkretë për të parë nënën e vet në Shqipëri? Gjithkush e di se çfarë ndodhi me të? Tani janë komunistat që përgjërohen më shumë se askush tjetër për Shenjten Terezë.

Periudha e komunizmit lidhet me emrat e tërë atyre të cilët në kushtet kur nuk e duruan zgjedhën komuniste dhe ëndërruan për një Shqipëri Demokratike të modelit Amerikan, u larguan nga Shqipëria. Shumë syresh që e tentuan një gjë të tillë u vranë në kufi. Ata që shpëtuan,përfunduan më së shumti në Belgjike ose në ShBA.

Tërë të afërmit e të ftuarve – armiq të klasës të përzënë nga administrata shqiptare.Këta janë armiqtë e klasës së Edi Ramës. Familjet e tyre u persekutuan, kaluan nëpër burgje, kampe internimi, ose edhe vdiqën në këneta. Familjet e këtyre njerëzve të cilët Edi Rama i fton në samitin e tij farse janë edhe sot të persekutuar prej tij. Mjafton të kërkosh në administratën shqiptare sot nëse gjen dot një njeri që e ka patur babain, xhaxhain, vëllain, kushëririn të arratisur në Belgjikë apo në Amerikë dhe do të mësohet shumë shpejt se tërë këta njerëz janë të përjashtuar nga puna e shtetit, të margjinalizuar nga qeveria e Ramës njësoj sinë kohën e Enver Hoxhës. Nuk ka qoftë edhe një  post drejtues në administratën e shtetit shqiptar që të jetë me “biografi të keqe” sipas standarteve të Enverit. Sot cdo post e mban i biri ose e bija enjë byroisti, antari të KQ ose shërbëtori të bindur tëkomunizmit.  Pra, Edi Rama fton në samitin e tij farsënjerëzit nga Amerika për tu treguar se çfarëpo iu bën ai njerëve të tyre të mbetur në Shqipëri dhe si i ka përjashtuar ata nga punët e qeverisë së tij en mass, si ua ka nxirë jetën në dy breza – brezit të babait të vet e tash të brezit të vet.

“Të arratisurit” samitas – shërbëtorë të komunizmit dje dhe sot

Në samitin farsë janë ftuar edhe ata pjestarë të Bashkësisë Shqiptare të cilët e lanë Shqipërinë në vitet e komunizmit duke sakrifikuar familjet dhe të afërmit për ti shërbyer në mënyrë klandestine diktaturës.  Ata mbaheshin si “patriotët” më të mëdhenj, “heronjtë e heshtur” pasi kishin sakrifikuar njerëzit më të afërm të cilët internoheshin për të ruajtur kamuflazhin e tyre, për një shërbim që i bënë “atdheut të Enverit”.  Këta heronj të heshtur tanimë janë ekspozuar sidomos në Amerikë. Janë ata që pritën Ramizin në udhëtimin e tij të parë në OKB, janë ata që i bëjnë fresk sot Edi Ramës sa herë e viziton atë vend. Ata edhe sot nuk kanë turp dhe nuk ndjejnë pendesë për vuajtjet që iu shkaktuan njërezve të tyre më të afërt me aktin e tyre prej sherbëtori të diktaturës. Shumë prej tyre njihen mirë, por një pjesë e tyre do të ekspozohen edhe më mirë me pjesmarrjen e tyre në samitin farsëtë Edi Ramës.

Patriotët e vërtetë

Kategoria tjetër janë patriotët e vërtetë. Ata sapo u hap Shqipëria vërshyen drejt vendit për të takuar njerëzit e tyre dhe për të ndihmuar me çdo kusht. Ishin ata që ndihmuan ngritjen e forcave të djathta politike me çfarë kishin në dorë duke ruajtur gjakftohtësinë për të mos nxitur dhunën dhe hamkmarrjen ndaj asaj që iu kishin bërë komunstët njerëzve të tyre të dashur.Po çfarë lidhje ka kjo kategori me samitin farse të Edi Ramës?

Kush i përfaqëson të djathtët në Samit?

A ka në programin e samitit farsë të Edi Ramës qoftë edhe një rrjesht ku flitet për shqiptarët e djathtë të larguar nga Shqipëria nga komunizmi? A kanë ata qoftë edhe një përfaqësim nga ndonjë prej partive politike të djathta të cilat kanë qenë dhe janë zëri i shqiptarëve antikomunistë në këtë të ashtuquajtur samit? A ka ndonjë referim për këtë histori, a ka ndonjë përfaqësues politik të demokratëve, republikanëve, monarkistëve,  legalistëve, rezistencës, Ballit Kombëtar që do të referojë në këtë të ashtuquajtur samit? Dihet se shqiptarët e arratisur nga Shqipëria gjatë pesëdhjetë vjetëve në numrin më të madh të tyre ishin të kësaj natyre politike. A janë shqiptarë ata, apo janë armiq të klasës siç ishin për pesëdhjetë vjetë? A i ka përjashtuar tërësisht nga ky takim krye-samitisti-kanabisti – krenaristi  rilindasEdi Rama? Tek e fundit, ku është simboli i unitetit të Kombit, Presidenti i Republikës? A është i ftuar ai tu adresohet këtyre shqiptarëve? Të paktën në programin e shpërndarë deri tani, Jo.

Mërgata e Qyqeve e Ditmir Bushatit:

Samiti Farsë i Diasporës organizohet pikërisht kur Ministri i Jashtëm Dimir Bushati, para disa kohësh përdori fjalën enveriste “Mërgatë e Qyqeve” kur iu referua ambasadorëve shqiptarë për të cilët tha se “ata nuk janë“Mërgatë e Qyqeve”. Shumëkush nuk e ka vënë re kanotacionin negativ, fyes dhe poshtërues të përdorur me këtë fjalë nga Ditmir Bushati i cili në emër të babait të tij Sulës, ish Nënkryetar i Komisionit të Dëbim Internimeve do tu luajisamitasve rolin e “qingjit” komunist që drejton sot vendin e tyre. A do tu tregojë ai atyre sesi u var në litar Avzi Nela në Kukës nëqytetin ku ishte Sekretar i Parë i Partisë babai  i tij dhe kur babai i Edi Ramës antar i Presidiumit të Kuvendit Popullor i cili nënshkroi varjen në litar të poetit?

Dimensioni elektoral i farsës.

Farsa për samitin është farsë elektorale dhe zbulon qëllimin e Ramës për të instrumentalizuar në favor të tij emigrantët shqiptarë të cilët pasi t’i joshë me fjalë të bukura dhe mashtrime e gënjështra, për të cilët tashmë është njeriu më i njohur në botë, tu kërkojë votën e tyre, dhe të familjeve të tyre. Rama do të dalë dhe do të tregojë atyre sukseset, me prezantime pompoze. Por ai nuk do flasë për lopatat e lëna aty ku i la qeveria e mëparshme nëpër rrugët e Shqipërisë pa iu shtuar asnjë kilometër; do t’ju tregojë“arritjet e mëdha” në punësimin e pretenduar të 300 mijë vetëve, por nuk do flasë për 300 mijë emigrantë që iu shtuan ushtrisë së emigracionit për shkak të keq-qeverisjes së tij; do t’ju tregojë projektin e Rrugës së Arbërit, por jo korrupsionin që e ngeci bërjen e saj; do tu flasë për Skavicën por jo për korrupsionin me firmen turke Sőzer;do t’ju flasë me pasion për Lazaratin e zhdukur nga harta e kanabisit por do t’ju fshehë hartën e gjelbërt të Shqipërisë nga veriu në jug; do t’ju flasë se sa keq ishte Shqipëria kur borxhi publik kishte arritur në 62 për qind, por nuk do tu tregojë se “sa mirë” është tani që ka vajtur 74 për qind; do t’ju flasë për arritjet “fantastike” në dogana e tatime por nuk do ju tregojë se rënja e të ardhurave është drastike thjesht dhe vetëm për shkak të informalitetit, klientelizmit dhe korrupsionit galopant që instaloi në to;  do ju tregojë se në Shqipëri ishte edhe Croun Agents për të fiksuar doganat,por ata ikën me bisht në shalë pasi i zhvatën shqiptarëve disa miliona Euro dhe benë sehir dy vjet, thjesht dhe vetëm duke iu gëzuar këtyre parave dhe duke soditur se si Rama flet tërë ditë për korrupsionin, vetëm që të tërheqë vemendjen nga bëmat e tij monstruoze me doganat; Rama do të flasë për drejtësinë dhe suksesin e Reformës por nuk do ta përmendë se çfarë lufte është bërë për ta shpëtuar atë nga kapja prej tij. Rama do të flasë për lirinë e medias por nuk do të flasë as për shantazhet ndaj gazetarëve as për tenderat që iu jep, as për bizneset që iu rrënon në rast mosbindje bosave të mediave as për klasifikimin e medias si një kazan plehrash, as për censurën që aplikon tanimë. Ai do flasë për zbatimin e ligjit në deklarimin e pasurisë por nuk do të tregojë asgjë ku i gjeti paratë e bunkierit të tij në Malin e Dajtit. Ai do u flasë për votën e lirë por nuk do tregojë sesi i manipuloi ata në Dibër vetëm pak kohë më parë; do tu flasë se si njerëzit janë të barabartë para ligjit por nuk do përmendë kriminelët që solli në parlamentin shqiptar. Më në fund ai do tu kërkojë votën në mënyrë që të qëndrojë në pushtet edhe disa manadate tjera.

Dimensioni Padronizues politik i shqiptarëve të Kosovës dhe Maqedonisë?

Rama iu ka dërguar ftesa edhe shqiptaëve të Kosovës. Po ashtu edhe atyre të Maqedonisë të cilët Rama i ka partner në biznes  veçanërisht në Nju Jork.Ata të Kosovës tanimë kanë Ministrinë e tyre të Diasporës? Rama sillet si padron. Ai i ka përdorur dhe i përdor ata për bizneset e veta. Por le të kthehemi në Kosovë dhe ta krahasojmë me Shqipërinë:

Së pari, Kosova ka Ministri të Diasporës ndërsa Shqipëria ka një Drejtori Diaspore në MPJ e cila strehon nëpunësit më të margjinalizuar të Ministrisë së Punëve të Jashtme.Ndërsa Ministria e Disaporës në Kosovë ka ndërtuar database dhe Rrjetin e Biznesmenëve Shqiptarë më të sukseshëm, (kupto shqiptar të Kosovës) në tërë Amerikën e Veriut, ShBA – Kanada, kur Ministri nuk ka lënë bashkësi pa vizituar, ajo e MPJ në Tiranë nuk ka dalë qoftë edhe një herë për të parë se ku jetojnë samitasit e Edi Ramës. Nëse do të ishte një pëvjetor historik si bje fjala 104 vjetori i Shpalljes së Pavarësisë, prania e tyre në festimet jubilare do të ishtë mëse e mirëpritur. Por se çfarë pune ka një udhëheqësii  Partisë Socialiste të Shqipërisë me shqiptarët e përtej kufirit, këtë nuk ka mendje të shëndoshë që e rrokë.

Përdorimi politik i Samitit Farsë

Nuk ka asnjë dyshim se ky samit farsë do të përdoret politikisht dhe Rama do të vazhdojë talljen e vet me pjesmarrësit siç bën me “Ndarjen e Tapive” kur iu adresohet fshatarëve të gjorë:“Merre mor ti tapinë që nuk ta dhanë ata! E sheh, një komunist ta mori dhe prapë një komunist po ta jep!!!”

Dhe kjo tallje do të vazhdojë në samitin farsë:“Hajde fol ti mor anti – komunist dhe prano që komunistët të përzunë nga vendi yt dhe po një komunist po të pret tani në këtë samit”.(Vijon në faqen 17)

Ku është simboli i Unitetit Kombëtar që i mbledh tërë shqiptarët?

I tërë programi i këtij samiti farsë drejtohet nga dy veta:  Edi Rama dhe Ditmir Bushati.A e përfaqësojnë shqiptarinë këta dy atavizma të komunizmit më të egër të Europës? Çdokush i ftuar në këtë “samit” duhet të mendohet tre herë para se ti përgjigjet  një ftese të tillë. Sepse ky nuk është asgje tjetër veçse një samit farsë i organizuar për motive politike të Edi Ramës. Në fund të fundit, a mundet vërtetë që Edi Rama,emri i të cilit sot gjëndet i shkruar nëpër kazana plehrash në Tiranë të jetë simboli i bashkimit të kombit tonë që jeton jashtë shtetit?

Ata që i përgjigjen kësaj ftese duhet të jenë ose bashkëpuntorët e rregjimit të kaluar ose aktivistë të mafias së Edi Ramës sot, i cili e ka vertetuar shumë herë lidhjen me të dhe veçanërisht tani me mafian e plehrave dhe shërbimin që po i bën Serbisë.

(!) Vini Re, Vini Re!

E gjithë kjo është një manipulim grotesk fallsë për interesa politke të një njeriu – Edi Ramës.

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Erion Berisha, Farsa e Edi Rames, me Diasporen shqiptare

Edi Rama shuan ëndërrën për t’u bërë një Charles de Gaulle i Ballkanit

October 15, 2016 by dgreca

 

1rama-vucicNga Enver Bytyçi /Ministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka reaguar zyrtarisht rreth përpjekjeve të kryeministrit të Shqipërisë për të marrë rolin e protagonistit dhe ndërmjetësit në të ashtuaquajturën “zgjidhje të konfliktit shqiptaro-serb”. Ai ka thënë dje shprehimisht se Kosova e ka mbështetjen amerikane dhe europiane, ndërsa marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Serbisë janë thjesht marrëdhënie biletarale, të cilat nuk kanë të bëjnë me Kosovën, duke larguar çdo hamendësim se Edi Rama mund të flaës në emër të Kosovës. Një ditë më parë presidenti Thaçi thumboi gjithashtu zotin Rama, kur në një emission televiziv paralajmëroi se “Normalizimi i marrëdhenieve shqiptaro-serbe nuk kalon nga Beogradi përmes Tiranës, por përmes Prishtinës”, duke paralajmëruar se Tirana zyrtare nuk mund ta përfaqësojë Prishtinën në marrëdhëniet e saj me Beogradin. Ky reagim I Prishtinës zyrtare erdhi pak vonë e mbasi liderët politikë e shtetërorë të Kosovës, përveç atyre të Vetëvendosjes, u lodhën me përçmimin e kryeministrit të Shqipërisë, të lënë gjithnjë në paradhomat dhe oborret e prapme, në pritje të bisedimeve dhe marrëveshjeve Rama – Vuçiç. Një konfrontim të tillë e kam parashikuar që në tetor të vitit 2014, kohë në të cilën kisha parashikuar se Edi Rama në marrëdhëniet me kryeministrin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kishte dy qëllime: Të rekordonte veprimin e përbashkët shqiptaro – serb për promovimin e zotit Rama si një lider nacionalist në sytë e Prishtinës dhe kësisoj, duke forcuar pozitat e tij nacionaliste te shqiptarët e Kosovës të kishte mundësi që të merrte Ai, si Charles de Gaulle me Gjermaninë, iniciativën dhe barrën e “pajtimit shqiptaro-serb”. Për ta realizuar këtë mision, aq shumë të dëshiruar në Beograd nga të gjitha garniturat nacionaliste e “liberale” të Serbisë, zoti Rama fillimisht kishte nevojë për një imazh patriotizmi në sytë e shqiptarëve kudo në Ballkan e nëpër botë e sidomos në sytë e Kosovës. Për këtë pati edhe mbështetjen e partisë radikale “nacionaliste” të Vetëvendosjes në Prishtinë, por u pa me spekticizëm nga aktorët dhe faktorët e tjerë politikë në Kosovë. Pas krijimit të imazhit të një nacionalisti, kryeministri shqiptar kishte planifikuar që të fliste e madje të nënshkruante marrëveshje politike, ekonomike, e ndoshta një traktat miqësie me Serbinë në emër të të gjithë shqiptarëve, jo thjesht si përfaqësues i Shqipërisë Londineze. Kishte ëndërruar që këto marrëveshje e traktate t’i nënshkruante së bashku me homologun e tij serb, Vuçiç, duke patur mbi kokë e prapa shpine, në këmbë e gatitu, presidentin dhe kryeministrin e Kosovës. Garant të kësaj maskarade antishqiptare ishin tashmë dy miqtë e ngushtë të zotit Thaçi, Baton Haxhiu dhe Shkëlzen Maliqi. Prandaj dhe këta të dy u bënë njerëzit më të besuar e të respektuar në Kosovë, ndërkohë që zoti Rama sillej me Thaçin e Mustafën si me Mimin e Babaramon. Dhe gjithçka nisi me 14 tetor 2014. Sot dy vite më parë u luajt ndeshja e futbollit midis kombëtares së Shqipërisë dhe asaj të Serbisë, ndërsa një dron me flamurin e Shqipërisë etnike dhe portretet e Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit u lëshua në stadiumin e Beogradit. Ishin zgjedhur dy figurat symbol të patriotizmit shqiptar të kornizuar si të tillë pamëdyshje nga diktatura komuniste, ndoshta dhe për faktin se përveçse patriotë, ata ishin gjithashtu simboli i bashkëpunimit në jug me Greqinë dhe në veri me Serbinë. Në tribunën e atij stadium asokohe nuk ishte kryeministri Rama, por vëllai i tij, Olsi. Ndërsa i pranishëm ishte presidenti serb, Nikoliç. Flamuri u lëshua nga çatia e kishës përbri stadiumit nga Ismail Morina (Ballisti) në minutën e 42-të të ndeshjes. Kaq u desh dhe tifozët serbë u lëshuan me furi kundër lojtarëve të kombëtares tonë, duke shkaktuar jo vetëm ndërprerjen e ndeshjes, por ndëshikimin përfundimtar të kombëtares serbe me humbjen e tre pikëshit, jo për shkak të dronit, por për shkak të dhunës që tifozët nacionalistë serbë ushtruan kundër lojtarëve të Shqipërisë. Ai moment e bëri Ismail Morinën heroin e kohës, ndërsa Olsi Rama u bë personazhi kryesor, me të cilin mediat e Beogradit spekullouan e intriguan se “ishte autori i hedhjes së dronit e provokacias”, duke dhënë mesazhin se e gjithë ajo që u bë atë natë në Beograd ishte vepër e një skenari që drejtohej nga kryeministri problematik i Shqipërisë, Edi Rama. Por që kryeministri ynë të merrte rolin e personazhit hero, do të duhej që lojtarët tanë të kombëtares të sakrifikonin, të duronin shkopinjtë dhe sulmet çnjerëzore të nacionalistëve tifozë serbë. Ky skenar tashmë duket se ishte i njohur për Beogradin, qeveria e të cilit lejoi që një dron i tillë ta paraqiste Shqipërinë si faktor destabilizimi në rajon. Nga vështrimi i sotëm duket gjithashtu se ndërsa Edi Rama kishte nevojë për protagonizëm në rolin e heroit, Aleksandër Vuçiçit i duhej fytyra prej engjëlli, me të cilën donte të prezantohej në Europë. Dhe të dy këta, duke ditur për çfarë kishin nevojë, u pajtuan me dronin, e përdorën Ismail Morinën, ndërsa ai i ngrati nuk dinte asgjë për skenarët e politikës së përbashkët Serbi-Shqipëri dhe gjithçka e bëri si një akt heroizmi e patriotizmi në shërbim të atdheut të tij. Aso kohe kisha paralajmëruar se gjithë skenari i datës 14 tetor si dhe ajo që ndodhi midis dy kryeministrave gjatë vizitës së parë në Beograd, një muaj më vonë, ishte i mirëmenduar dhe mirinskenuar. Kam thënë në ekrane televizive e komentet e mia se ky skenar ka një qëllim të caktuar, tërheqjen e kryministrit të Shqipërisë në rolin e interlokutorit për zgjidhjen e të ashtuquajturit “konflikt shqiptaro-serb” dhe përmes kësaj injorimi, zhvleftësimi dhe denigrimi i institucioneve të Kosovës. Për ta arritur këtë i duhej imazhi i nacionalistit, gjë që atij i mungon. Droni ishte një gjetje. Pastaj do të vinte spektakli i përplasjes para kamërave televizive me kryeministrin serb për Kosovën. Deklarata urdhëruese e Ramës për njohjen e Kosovës nga Serbia zuri vend në shumë njerëz në Kosovë. Por politika dhe intelekti i Prishtinës, ndonëse pak vonë dalluan hipokrizinë dhe hijet që lëshoheshin në Hintergrund. Nuk do të ndalem në argumentin pse liderët politikë të Shqipërisë nuk do të duhet asnjëherë të marrin përsipër “pajtimin me Serbinë”, ose ta ndërmjetësojnë këtë proces, sepse këto janë thënë e stërthënë. Ajo çfarë ne sot duhet ta shohim me sy të kthjellët ka të bëjë me kallajin e dalë bojet në marrëdhëniet personale e jopersonale midis kryeministrit serb, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Protagonizmi i tyre, etja për lavdi, egoja për pushtet, rendja pas “misioneve të pamundura” u shndërruan dita-ditës në një proces denigrimi dhe përqeshjeje. Të dy këta, ndonëse ndihëmojnë njëri-tjetrin në formën e provokacias reciproke për të fituar kapital politik e elektoral në vendet e tek popujt e tyre, kanë filluar të demantohen dhe të shpalosin hapur qëllimin në nisje të këtij teatri absurd. Kurthi i Beogradit me dronin e 14 tetorit 2014 u shmang në takimin e pas dy viteve po në Beograd si dhe në Nish. Për shqiptarët në Kosovë takimi në Nish i dy qeverive, asaj të Serbisë dhe asaj të Shqipërisë, u konsiderua si një kurth, si një thikë pas shpine për Kosovën, lirinë, pavarësinë dhe shtetësinë e saj. Ndaj reagoi presidenti Thaçi si dhe ministri i Jashtëm, Hoxhaj. Por mediat zbuluan gjithashtu se keryetari i Dhomës së Tregëtisë së Kosoës, Safet Gërxhaliu, ka refuzuar një ftesë të organizatorëve për të marrë pjesë në takimin e Nishit. Përpjekja për të marrë në Nish si përfaqësues të Kosovës Dhomën e Tregëtisë dhe Industrisë ose më së shumti një zv.ministër të pushtetit lokal, ishte kurthi i organizuar nga Rama dhe Vuçiç, me qëllim shmangjen e përfaqësuesve dhe liderëve të Kosovës, përkatësisht të kryeministrit Mustafa. Serbët këtë shmangje do ta lexonin si nosnjohje të asaj që ata e quajnë “qeveri e vetëshpallur e Kosovës”. Dhe në këtë shërbim ishte implikuar edhe Edi Rama, i gatshëm që në Nish, në Beograd e kudo të fliste në emër të Kosovës për projektin “madhështor” të “pajtimit shqiptaro-serb”. Për këtë arësye liderët shtetërorë në Prishtinë refuzuan të bëhen pjesë e një spektakli promovues për politikat antishqiptare të Serbisë në Kosovë, politikë e cila gjeti përkrahjen e kreut të ekzekutivit të Shqipërisë. Në këtë aspekt Nishi dështoi. Zoti Rama nuk guxoi ta përmendë më projektin e tij të madh “Autostrada Nish-Durrës”, me të cilin donte të shfaqej si kryeministri i “projektit më të madh në histori” dhe si kryeministër që “po bënte atë që nuk ishtë bërë në 25 vite të marrë së bashku”. Butaforinë e tij e shfryu kryetari i Dhomës së Tregëtisë dhe Industrisë në Kosovë, Safet Gërxhaliu. Ndaj Rama në Nish u detyrua të flasë përçart dhe nga inati i shqiptarëve të Kosovës të citojë shkrimtarin serb të projekteve shfarosëse antishqiptare, Ivo Andriç. Me këtë ai ndezi reagime të ashpra në Kosovë. Studiuesi i njohur Milazim Krasniqi shkroi se “Kulmi i turpit të Edi Ramës është të cituarit e Ivo Andriqit, projektuesit të zhbërjes edhe të Shqipërisë! Edhe ky rast tregon atë që dihet moti: Politika pa mendim të përpunuar është si shpupurishja e pulave në pleh, tek kërkojnë qorrazi ndonjë kokërr. Në rastin më të keq, bëhet si shkërryerja e derrave në një baltovinë”. Ndërsa botuesi i gazetës më të madhe kosovare, “Express”, gazetari Berat Buxhala, u deklarua më ashpër, duke tërhequr vëmendjen në formën e një lutjeje gati fyese për kryeministrin e Shqipërisë. “Kryeministri Rama paska fluturu për në Beograd, për me u taku me Vuçiçin. Në shkrim po thuhet që kanë me diskutu për “raportet shqiptaro – serbe”. Amani të koftë mos fol në emën temin, nëse ka mundësi. Edhe një socialist tjetër, para teje, Nano, e pat taku Millosheviçin në Kretë, në vitin 1997, për me diskutu për raportet shqiptaro – serbe. Pas takimit tha, atëbotë: Kryeqyteti i shqiptarëve të Kosovës është Beogradi. Rri bre Edi. Nuk e njeh Kosovën ti. Lidhje nuk ki me Kosovën ti. Pse po don me e bo çorap krejt punën. Merru me kanabis. Me plehra. Nuk kemi nevojë për avokat në këtë fazë. E posaçërisht jo për një avokat që i thotë Aleksandër Vuçiçit “mik””. Ky ishte reagimi i datës 13 tetor i zotit Buzhala, kur Rama mori pjesë në një konferencë shqiptaro-serbe për sigurinë në Beograd dhe po aty promovoi librin e tij të botuar serbisht “Kurbani”. Edhe në këtë libër ai u dha serbëve provën e dëshmisë së tij se kreu i mazhorancës, dikur në krye të opozitës, pra Edi Rama, kishte zbatuar pikë për pikë kërkesat e elaborateve të Gjorgjeviçit, Cvijiçit, Çubrolloviçit, Pashiçit, Andriçit, Qosiçit për ta mbajtur gjithnjë me arësye e pa arësye të tensionuar konfliktin politik në Shqipëri. Kjo dëshmi lexohet në të gjitha faqet, rrjeshtat, fjalët dhe gërmat e librit të zotit Rama, ku thuhen një milion të zeza për lidershipin shqiptar, ndërkohë që bisedon tri herë në ditë në takime formale e informale me mikun e tij, kryeministrin Vuçiç. Në takimin për sigurinë mbajtur në Beograd ai kërkoi dhe njëherë që Serbia ta njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe tha se Trepça është një problem ekonomik. Me këto dy kritika ndaj Beogradit Rama besoi mesa duket se “e zgjidhi problemin e sigurisë në rajon”. Shkëmbeu me kryeministrin serb edhe ndonjë batutë në linjën gjeopolitike, duke lënë të kuptonte se Shqipëria ishte aleat i Perendimit, ndërsa Serbia i Moskës. Por nuk përmendi dhe nuk kërkoi që Beogradi të ndalonte provokimet e shumta ndaj Kosovës me qëllim shkatërrimin e arritjes më të madhe të saj, pavarësisë. Nuk e di pse në Nish përdori batutën tjetër të tri rreziqeve: Bombave të NATO-s, tankeve ruse dhe administratës së Serbisë. Lidhje nuk kishin këto me njëra-tjetrën. Megjithatë shtypit beogradas i tërhoqi vëmendjen kollarja me kryq e zotit Rama dhe u bënë përpjekje që me anën e simbolit të kollares të nxirret ai disi nga sikleti që kishte për t’u përballur me kritikat e bashkëkombasve të tij. Edhe në këtë rast në Beograd u bë kujdes që të ruhet miku u Vuçiç. Gjithë kjo maskaradë e propaganduar dhe e fryrë plasi shpejt si një flluskë sapuni. Ndodhi kjo, sepse zoti Rama nuk shihet më te shqiptarët si një personalitet politik serioz dhe i sinqertë. Pas çdo fjale të tij njerëzit e ditur gjejnë një lloj kurthi bizantin. Në Shqipëri qytetarët u mësuam me karagjozllëqet e Edi Ramës, por ende disa prej tyre ndjejnën nevojë e dëshirë të zjarrtë të dëgjojnë mashtrimet brilante të liderit tonë të madh. Ndërsa në Kosovë nuk ka asnjë arësye që të merren në konsideratë fjalët e aq më pak inciativat e Edi Ramës. Që ditën e parë të mbretërimit të Ramës shqiptarët e Kosovës kishin simpati për kryeministrin shqiptar, aq sa kanë për Baton Haxhiun dhe Shkëlzen Maliqin. Por pas dy vitesh prej se Droni fluturoi në qiellin e Beogradit duket se Edi Ramës i kanë mbetur në Kosovë më pak kredite sa ç’kanë veç e veç Batoni e Shkëlzeni. Droni shërbeu si mjet promocioni patriotizmi për Edi Ramën, ndërsa citimi i Andriç dhe dëshmitë në librin “Kurbani” të botuar në Beograd për lexuesit serbë e fundosën atë në batakun e politikanëve të papërgjegjshëm shqiptarë duke nxjerrë në shesh hipokrizinë e iniciativës së tij për “pajtimin e madh shqiptaro-serb”. U shua dhe ëndërra për të qenë Konrad Adenauer ose Charles de Gaulle. Tirane, 15 Tetor 2016

Filed Under: Opinion Tagged With: Edi Rama, ëndërrën, i Ballkanit, një Charles de Gaulle, për t’u bërë

TSIPRAS , META & LIGJI I LUFTES ME GREQINE

October 15, 2016 by dgreca

Kush gënjen Tsipras apo Meta për abrogimin e Ligjit të Luftës?/

1-meta-tsiprasNga Arben Llalla/

Pas kritikave të mëdha si majtas, si djathtas rreth vizitës plot mjegull që kreu në Greqi kryetari i Kuvendit, Ilir Meta i shoqëruar nga një grup deputetësh minoritarësh e filo grekë, në media hidhet shashka e radhës.

U tha se kryeministri i Greqisë Alexis Tsipras i paska premtuar Ilir Metës se do të çojë të abrogojë tek kryetari i Republikës së Greqisë, Prokopis Pavlopulos Ligjin e njëanshëm të Luftës.

Nëse është deklaruar se Tsipras do e dërgojë të abrogojë tek kryetari i shtetit Pavlopulos këtë ligj famëkeq, këtu kemi me një gënjeshtër të trashë, sepse Presidenti grek nuk ka kompetenca për heqjen e Ligjit të Luftës pa e votuar në fillim Kuvendi i Greqisë.

Në 28 gusht 1987, qeveria e Andrea Papandreut bëri gati një ligj për të shfuqizuar Ligjin e Luftës dhe e dërgoi atë për ta votuar Kuvendi i Greqisë. Megjithëse kryeministri Andrea Papandreu kishte shumicën e votave në Kuvend deputetët e PASOK nuk e votuan heqjen e Ligjit të Luftës me Shqipërinë më 1987 dhe e lanë zvarrë pa e shqyrtuar.

Pra, në rastin në fjalë kryeministri Tsipras duhet ta dërgojë në Kuvend këtë Ligj për t’u votuar dhe më tej, pasi të jetë votuar kalon për nënshkrim të thjeshtë tek Presidenti Prokopis Pavlopulos. E gjithë ajo propagandë e mediave të Tiranës, të cilat janë urdhëruar nga Iliri Meta dora vetë që të shpikin një lajm se gjoja paska marrë garanci nga Aleksis Tsipras që do e dërgojë abrogim tek Pavlopulos, është një gënjeshtër e kulluar.

Edhe sikur Tsipras ta dërgojë të abrogojë Ligjin e Luftës tek kryetari shtetit, ai nuk do e nënshkruaj, për arsyen që rrëfehet pak më poshtë. Por edhe sikur kryeministri Tsipras t’ja paraqesë për votim Kuvendit të Greqisë, përsëri deputetët grekë do shprehen që ky Ligj mos të hiqet, por të qëndrojë si hije e zezë mbi kryet e miqësisë greko-shqiptare.

Në Kuvendin e Greqisë SYRIZA ka 144 deputetë, kurse aleatët e tyre në qeveri, nacionalistët e ANEL kanë 9 deputetë. Më këtë konfigurim kaq të brishtë që ka shumica e Tsipras është e pamundur që të gjendet shumica e votive për të abroguar Ligjin e Luftës.

Edhe nëse kjo ndodh kryetari i shtetit, Prokopis Pavlopulos i përket klanit politik nacionalist ekstremist grek, gjë që vërtetohet nga shumë foto-fakt që do i botoj së shpejti në 27.al

Është mirë që kryetari i Kuvendit dhe i LSI Ilir Meta mos të shpikë lajme rreth vizitës së tij në Greqi, por të tregojë diçka për takimin me disa politikanë pensionistë grekë, të cilët punojnë natë e ditë për të ngritur varre boshe greke në jugun e Shqipërisë.

Besoj se Iliri Meta për shpikjen e gënjeshtrës së ëmbël për heqjen e Ligjit të Luftës ka patur parasysh thënien e Niçes: “Në raste të caktuara është më mirë një gënjeshtër e ëmbël se sa një e vërtet të hidhur”. Por Niçe këtë thënie e ka thënë për marrëdhëniet dashurore midis një djali dhe një vajze dhe jo për marrëdhëniet e tensionuar që ekzistojnë mes dy vendeve, Greqisë e Shqipërisë.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: arben llalla, e Ligjit të Luftës?, genjen për abrogimin, Tsipras apo Meta

NË UJËRAT TINËZARE TË PROPAGANDËS SERBE?

October 14, 2016 by dgreca

 

1-kolec-traboini-2012-pantheon-studioNga KOLEC TRABOINI /

Mjaftoi një lajm mashtrues i përgatitur në kulisat e Beogradit, sikur Donald Trump kishte thënë se ka qenë gabim sulmi mbi Serbinë në pranverë 1999, dhe menjëherë disa shqiptare nisën të fjalosin zhurmshëm sikur kandidati për President i SHBA është kështu e është ashtu. Nuk lanë fjalë pa thënë. Po ne të gjithë e dimë se ka jo pak shqiptare dembelë Stambolli që nuk kanë bërë një punë së mbari në jetën e tyre që nuk ngurojnë te  anatemojnë një Donald Trump, i cili ka krijuar një perandori pasurie në të gjithë Amerikën dhe në botë me punën e tij. Ai është shembulli më i mirë çfarë mund të bëjë një biznesmen i përkushtuar dhe i palodhur për vendin e vet. Tërë shpenzimet e fushatës prej miliona dollarë i vuri nga pasuria e vet e nuk bëri, siç kanë bërë deri tani presidentët e tjerë duke mbushur depozitat e veta milionëshe me donacione për fushatat elektorale. Pra, atë që është një shembull i punës vetëmohuese, modelin me të lartë në botë të investitorit të suksesshëm, dembelët e Shqipërisë tonë të shkatërruar nga politika e mafia,  e marrin si gjëja më e keqe që mund ti ndodh Amerikës po u zgjodh Donald Trump si president. Krijimi i psikologjise së gabuar si nxitje turmash, se po u zgjodh Donald Trump president dëmtohet Shqipëria, Kosova e shqiptarët është një veprim jo thjeshtë naiv por spekulues dhe në dem të interesave të shqiptarëve. Mjerisht në këto ujëra të turbullta noton edhe kryeministri shqiptar duke treguar një naivitet të pashoq, paaftësi për ta kuptuar politikën ndërkombëtare, aspak intuitë, çfarë të kujton presidentin jashtë kontrollit të logjikës në Filipine. Pra sikur të ishte një njeri që nuk di se çfarë flet e se çfarë përgjegjësie ka mbi supe kur bën deklarata mbi prishjen e marrëdhënieve diplomatike në mes të Shqipërisë dhe Amerikës. Ti marrësh gjërat kaq lehte në marrëdhëniet e politikën ndërkombëtare është e pafalshme, por kur një kryeministër në shtetin e tij sillet ende si një krye bashkiak që lyen fasada dhe merret me plehra për ta mbushur Shqipërinë me kundërmim helmues si të ishte plehërishta e Evropës, kësisoj të duket normale çdo lajthitje kryeministrore e këtij njeriu. Prej tij nëse vazhdon këtë rrugë pritet gjithçka dhe mund të them për të po ato fjalë që ka thënë ai për Donald Trump, që ekzistenca e Edi Ramës si kryeministër i Shqipërisë është e dëmshme dhe e rrezikshme për popullin shqiptar. Madje më e rrezikshme se sa ai mendon për Donald Trump po të vinte ky i fundit në Shtëpinë e Bardhë. Po ne as ju nuk shkojnë askund me këto klasifikime aspak konstruktive dhe ekstremisht të dëmshme. Prandaj hiqjuni propagandave papagalle të mediave serbe apo miqve të tyre, hiqjuni marrëzive që për tu dukur snob modern a për te qenë gjoja sportiv, mbase edhe për t’ju shitur serbëve ca libra të mjerimit politik të shfaqeni kësisoj. Mos u shpreheni solidare me mendimet e tyre mbi qytetarin e madh amerikan Donald Trump, për të cilin zgjidhet apo nuk zgjidhet, bota për flet dhe do të flasë edhe po nuk u zgjodh. Je aq larg prej hijes së tij, o kryeministër. Zgjedhja e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhe nuk përbën asnjë rrezik për Shqipërinë, as Kosovën e as për shqiptarët në përgjithësi. Po ashtu mund të themi edhe për Hillary Clinton që është mike e deklaruar dhe e nderuar e shqiptarëve në të gjithë Ballkanin pa përjashtim. Kushdo që do të zgjidhet, nga të dy kandidatët për postin e presidentit,  ne si shqiptarë, në miqësinë e sprovuar amerikane do të themi “rroftë presidenti i zgjedhur, Zoti e bekoftë Amerikën!”. Ata që për këto zgjedhje bëjnë skedina me llogarira për përfitime politike, le të hiqen në një anë se të luash bixhoz me miqësinë e popullit shqiptar me Amerikën është e rrezikshme e ju çon në tradhti kombëtare si Enver Hoxha në vitin 1945-1946. E le të merremi me këtë kotecin tonë te vogël ballkanik ku po shqyejmë njeri-tjetrin politikisht, ndërkohë që këta të politikës po e rrjepin popullin shqiptar nga babëzia e pashuar për pushtet e pasuri. Le të merremi me handrakun tonë, ti pastrojmë hauret nga ky pisllëk çerekshekullor i pseudodemokracisë që po e shkatrrën shoqërinë shqiptare dhe po e bën brezin e ri  të pashpresë e të ike nga sytë këmbët në një hemorragji kombëtare të pambaruar.  14 tetor 2016

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Donald Trump, Kolec Traboini, propoganda Serbe

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 533
  • 534
  • 535
  • 536
  • 537
  • …
  • 860
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Vlora Nikçi: “Prindër, mbështesni ëndrrat e fëmijëve”
  • Federata “Vatra” përshëndet zhvillimin e Zgjedhjeve Parlamentare në Kosovë dhe uron Kryeministrin Albin Kurti e Lëvizjen Vetëvendosje për fitoren
  • Yllka Lezo për median europiane: Shqiptarët kërkojnë drejtësi të paanshme në Hagë
  • Sot dita e lindjes së atij që i dha Shqipërisë Pavarësinë numër 2: Thomas Woodrow Wilson
  • DR. STEPHAN RONART (1933)  : “JA SI PJETËR BUDI DO TA RISHKRUANTE LETRËN E TIJ DËRGUAR 4 SHEKUJ MË PARË DUKËS SË SAVOJËS PËR TURIZMIN AKTUAL NË SHQIPËRI…”
  • PLUHUR VEZULLUES YJESH NGA LASGUSHI IM
  • BASHKËBISEDIM KULTUROR – Kristo Floqi dhe Komedia Shqiptare
  • MESAZHE TË BUKURA NJERËZORE
  • Kushtrim Shyti, djali i mësuesit, poetit dhe dëshmorit të UÇK-së, Mustafë Shyti, vizitoi Vatrën
  • KOSOVO CINEMA IN NEW YORK CITY: DOUBLE BILL WILL SCREEN IN MANHATTAN AND BRONX FOR BRONX WORLD FILM’S 15th ANNIVERSARY
  • NUK MUND TË ANASHKALOHET ROLI I ERNEST KOLIQIT NË FORMIMIN E MARTIN CAMAJT
  • MALI I ZI, VENDI KU KSENOFOBIA NDAJ SHQIPTARËVE ËSHTË NË RRITJE E SIPËR
  • “Kosova Lindore, dje, sot dhe sfidat e së ardhmes”
  • TIDENS TEGN (1929) / LETRA E EVELYN STIBOLT, MËSUESES NORVEGJEZE TË KUZHINËS SHKOLLORE : “EKSPERIENCA IME NË SHKOLLËN PËR VASHA NË KORÇË…”
  • FOTO – STUDIO VENETIKU dhe fotografja e parë shqiptare që vdiq në burgjet e diktaturës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT