• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Gjergj Kastrioti Gala – Një mbrëmje historike për arsimimin e rinisë shqiptaro – amerikane

February 11, 2025 by s p

Më 25 janar 2025, në ambientet madhështore të The Palazzo Grande, u mbajt gala e 9-të e Gjergj Kastrioti – një mbremje që ka shënuar një tjetër kapitull të suksesshëm në historinë e këtij eventi të rëndësishëm për komunitetin shqiptar-amerikan. Mbrëmja e organizuar nga Gjergj Scholarship Fund mblodhi më shumë se 600 shqiptarë nga Michigani dhe jo vetem, të bashkuar me një qëllim fisnik: për të investuar në arsimimin e brezave të rinj.

Ky event, që është bërë një traditë e përvitshme, tejkaloi pritshmëritë duke arritur një sukses të jashtëzakonshëm. Falë zemërgjerësisë dhe solidaritetit të komunitetit, u siguruan mbi 250,000 dollarë në donacione, një shumë që do të ndikojë drejtpërdrejt në të ardhmen akademike të dhjetëra studentëve shqiptarë në SHBA.

Një nga momentet më emocionuese të mbrëmjes ishte shpallja e 20 përfituesve të bursave, të cilët u nderuan me bursa studimi. Përmes këtyre bursave, Gjergj Scholarship Fund vazhdon misionin e tij për të mbështetur të rinjtë shqiptarë në rrugën e tyre drejt suksesit akademik dhe profesional.

Në fjalën e tyre, organizatorët theksuan rëndësinë e mbështetjes së talenteve të reja dhe rolin që komuniteti shqiptar-amerikan ka në fuqizimin e brezave të ardhshëm. Përfaqësues të njohur të biznesit, akademisë dhe organizatave të ndryshme shqiptare morën pjesë në këtë gala, duke shprehur mbështetjen e tyre për këtë kauzë të rëndësishme.

Mbrëmja u shoqërua me një atmosferë festive, muzikë të zgjedhur dhe momente frymëzuese, duke dëshmuar edhe një herë fuqinë e unitetit të komunitetit tonë.

Gjergj Kastrioti Gala 2025 ishte më shumë se një event – ishte një dëshmi e qartë e përkushtimit të diasporës shqiptare ndaj edukimit dhe zhvillimit të brezave të ardhshëm. Me këtë sukses të jashtëzakonshëm, gjysma e parë e vitit përfundon me një mesazh frymëzues, duke shënuar një tjetër kapitull të shkëlqyer në historinë e 9 gala-ve të organizuara nga Gjergj Scholarship Fund.

Endrit Topalli

Filed Under: Opinion

VATRA DEKLARATË MBI ZGJEDHJET PARLAMENTARE NË KOSOVË

February 10, 2025 by s p

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra përgëzon qytetarët e Republikës së Kosovës, forcat politike dhe institucionet shtetërore për organizimin dhe zhvillimin me sukses të Zgjedhjeve Parlamentare të 9 Shkurtit 2025. Vatra përgëzon në mënyrë të veçantë qytetarinë, maturinë dhe lidershipin e kandidatëve për Kryeministër të Republikës Kurti, Hamza, Abdixhiku e Haradinaj në administrimin dhe pranimin e rezultatit zgjedhor. Kosova organizoi zgjedhje model. Kosova dha një tjetër leksion demokracie për mbarë Ballkanin.

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra u bën thirrje forcave politike në Kosovë që të krijojnë sa më shpejt qeverinë e interesit qytetar dhe kombëtar në mënyrë që të vazhdohet me ritme të shpejta në procesin e integrimit evropian, reformave demokratike, aleancës me Perëndimin dhe bashkëpunimin e miqësinë e përjetshme me aleatin më të rëndësishëm të kombit shqiptar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Rroftë Kosova demokratike dhe euroatlantike.

Me gëzim të veçantë

Kryetari i Vatrës

Dr. Elmi Berisha

Filed Under: Opinion

Zgjedhjet Parlamentare në Kosovë, Vetvendosja forcë e parë, rritet ndjeshëm Partia Demokratike e Kosovës. Zgjedhje model. Qytetari dhe lidership. Kosova shembull për gjithë Ballkanin

February 10, 2025 by s p

Zgjedhjet Parlamentare në Kosovë, Vetvendosja forcë e parë, rritet ndjeshëm Partia Demokratike e Kosovës. Zgjedhje model. Qytetari dhe lidership. Kosova shembull për gjithë Ballkanin.

Filed Under: Opinion

KRONIKA E NJË KRIMI TË PARALAJMËRUAR LUFTE…

February 8, 2025 by s p

Jusuf BUXHOVI/

Ka një ngjashmëri tematike midis veprës së shkrimtarit të madh Markez “Kronika e një vrasjeje të paralajmëruar” dhe veprës së ambasadorit William G. Walker “Reçak – historia e një krimi”, ndonëse e para, vrasja e një arabi në një ambient katolik të Amerikës Latine shfaqet ngjarje e imagjinuar, ndërsa kronika e Walkerit – shfaqet si dokument autentik i një krimi lufte, në një katund të Kosovës, të quajtur Reçak, të kryer nga forcat policore jugosllave më 15 janar të vitit 1999. Ndonëse përmasat e krimit imagjinar te vepra e Markezit sillen rreth një arabi, që duhet të vritet pse është arab i vyeshëm dhe tejet i ndërgjegjshëm midis fanatikëve katolikë latinomerikanë, janë individuale, ndërsa ato në Reçak janë të përmasave kolektive (vriten 45 persona shumica të moshuar, gra dhe fëmijë) dhe të kryera nga forcat e policisë jugosllave, që të dy krimet kanë të përbashkët urrejtjen deri në shfarosje.

Referimi veprës së Markezit në raport me atë të një dokumentari të shkruar nga ambasadori William G. Walker, i cili kishte udhëhequr Misionin Verifikues në Kosovë (KVD) me mandatin e OSBE-së rreth një krimi të paralajmëruar në rrafshin imagjinativ dhe në atë dokumentar, lidhet me analogjinë e ngritjes së historisë së një krimi në përmasat botërore, madje edhe universale nga shkaku se ato ndodhin të paralajmëruara dhe të papenguara, sy botës, siç ndodh me vrasja imagjinare të arabit dhe me atë të banorëve shqiptarë të katundit malor të Reçakut.

Vrasja imagjinare e arabit të Markezit dhe ajo reale e katundarëve të Reçakut, megjithatë marrin epilogje të kundërta. Nëse në prozën e Markezit, vrasësi kryen një krim pa dënim, tek vrasja reale, ajo e Reçakut, krimi, megjithatë merr dënimin. Dhe ky dënim, vjen nga bashkësia ndërkombëtare, nga vendet e NATO-s, të drejtuara nga SHBA-të, të cilat, ndaj krimeve të luftës të soditëses së Milloshevqit nga Kroacia dhe Bosnja dhe Hercegovina, më në fund, nga 24 marsi deri më 10 qershor 1999 përdorin bombat, me çka Kosova çlirohet na Serbia dhe vihet përkohësisht nën administrimin ndërkombëtar.

Në të vërtetë, historia e bombave që do të hedhen ndaj forcave policorë dhe ushtarake jugosllave në Kosovë dhe në disa pjesë të Serbisë, casus bellin e ka tek masakra e Reçakut, me të cilën duhej t’i jepej fund një lufte që kishte vu në shënjestër shfarosjen e një popullate me mjetet e luftës, siç ishte ajo e Kosovës. Leximi me vëmendje i rrëfimit të ambasadorit Walker rreth ngjarjeve që i paraprinë masakrës së Reçakut si dhe gjatë masakrës kur ai pa hezituar, pra pa pritur ekspertizat dhe veprimet tjera, më 16 janar, në konferencë për shtyp ngjarjen e Reçakut e kishte vlerësuar krim lufte, ishin thirrje NATO-s për bombardim. Kjo shihet nga biseda e ambasadorit Walker me sekretarin gjeneral të NATO-s Solanën dhe zonjën Olbrajt, kur thotë “bombardim”!

I gjithë rrëfimi dokumentar i Walkerit në libër që mund të thuhet se mbështetet mbi kërkesën-klithmë “Bombardim”, në ato dy javë dramatike, paraqet përkushtimin e jashtëzakonshëm profesional, por mbi të gjitha moral, të një misionari, i cili është i vetëdijshëm se nëse Millosheviqi, këtë herë, do të shpëtonte pa bomba, atëherë, ai do të vazhdonte zbatimin e planit të tij për dëbimin e shqiptarëve të Kosovës nga trojet e tyre etnike, me çka sendërtohej njëra ndër pikat kryesore të projekteve hegjemoniste serbomëdha të filluara me “Naçertanjen” dhe të vazhduara me Memorandumin e Çubrilloviqit dhe atë të fundit të Qosiqit nga vitit 1986 nën firmën e Akademisë Serbe dhe Arteve dhe të Shkencave në bashkëveprim me Kishën Ortodokse Serbe. “Megjithatë, kjo masakër, ku jo më shumë se dyzet e pesë fshatarë shqiptarë u ekzekutuan , u kthye në një pikë historike kthimi, sepse ofroi prova të qarta të asaj që Millosheviqi do të bënte nëse do t’i jepej liri e mëtejshme veprimi.” Për Walkerin, “ekspozimi i madh mediatik botëror ndaj kësaj masakre të vetme u bë shkëndija që ndezi përpjekjet amerikane, evropiane dhe ruse për të gjetur një zgjidhje paqësore, duke çuar kështu në Konferencën e Rambujesë”, por kur “të gjitha përpjekjet në këtë drejtim dështuan, kërcënimi i ndërhyrjes së NATO-s u bënë të domosdoshme për të parandaluar një Srebrebicë dhe shumë Reçake të tjera”.

Sipas Walkerit, koha nga kërcënimi ndërkombëtar MIlosheviqit, Rambujeja e deri tek bombardimet, nxori në pah edhe faktorët që ishin frenues përbrenda misionit verifikues që ai e drejtonte. Ndër ta, përmendet ndihmësi i tij, francezi Keller, i cili, gjatë gjithë kohës përpuqej që të minimizonte veprimet luftarake të policisë serbe dhe të paraqiste UÇK-në si nxitëse të luftës, meqë sipas francezit UÇK-ja provokonte. Ajo që paraqet kulmin e veprimeve proserbe të francezit Keller, lidhet me atë se ai ishte kundër vlerësimit të Walkerit që e dha në konferencën për shtyp më 16 janar kur masakrën e Reçakut e quajti “krim kundër njerëzimit të ushtruar nga forcat policore jugosllave”. Sipas Walkerit, Kelleri, kërkonte që të pritej vlerësimi i hetuesve jugosllavë dhe autopsia, gjë që ato kishin për qëllim që masakra të vlerësohej si konflikt midis forcave policore jugosllave dhe pjesëtarëve të UÇK-së, të provokuar nga UÇK-ja, dy ditë më parë me vrasjen e tre policëve afër Shtimjes.

Duke iu referuar mosmarrëveshjeve me francezin Keller rreth vlerësimeve në konferencën për shtyp pa ekspertizë dhe qëndrimin e gjykatës jugosllave për ngjarjen, që dihej se si do të ishin, pra në përputhje me direktivat e Millosheviqit se Reçaku ka qenë “përgjigje nga provokimet e terroristëve të UÇK-së”, Walker thotë se “kure përshkrova masakrën në Reçak si një krim kundër njerëzimit, thjesht po bëja detyrën time si drejtues i misionit më të madh në terren të OSBE-së, me një mandat për të mbrojtur të drejtat njerëzore dhe civile të popullsisë së Kosovës. Nëse nuk do të kisha folur përballë një mizorie kaq flagrante, atëherë cili është qëllimi i një misioni të tillë? Kur përballesh me një njeri si Millosheviqi, ishte e domosdoshme që asnjë sfidë të mos lihej pa përgjigje. Të kthesh shikimin nga ana tjetër, të pranosh shpjegime absurde për aktet e tmerrshme të njerëzve të tij, të dukesh i pavendosur për të reaguar shpejt dhe me forcë, do të interpretohej si dobësi dhe mundësi vendosmërie. Kjo do të kishte inkurajuar sjelljen më të keqe”.

Në fund, mund të thuhet pa hezitim, se libri i Walkerit “Reçaku – historia e një krimi lufte”, i botuar çerek shekulli pas ndodhjes së kësaj masakre, paraqet një dëshmi ndër më autentiket e krimeve të organizuar të forcave policore dhe ushtarake jugosllave që kishin për qëllim ta finalizonin spastrimin etnik të Kosovës e me këtë ta legjitimonin ndërkombëtarisht një krim të paralajmëruar, të ngjashëm me atë të prozës së Markezit. Ishte fat, që në krye të një misioni ndërkombëtar në ato rrethana tejet kritike, u gjend një William G. Walker, që detyrimeve profesionale që kishte ua atribuoi aspektin moral, që rëndom politika e përjashton.

Filed Under: Opinion

KRISTAQ  SOTIRI, NJË PRIMAT I FOTOGRAFISË SHQIPTARE

February 7, 2025 by s p

Kristaq BALLI

Kristaq Sotiri u lind më 1883 në Mborje të Korçës. Adoleshencën dhe rininë e tij  e kaloi në Korçë duke u arsimuar në shkollat e asaj periudhe. Njëheresh, gjatë kësaj kohe ai ushtroi aty  disa përpjekje për të përvetësuar elementët kryesorë  të proceseve të fotografimit, falë kuriozitetit, si dhe nxënës, ndihmës e bashkëpunëtor i kunatit të tij Kristo Sulidhi (Shuli), një fotograf  shumë i njohur e pionier  në fushën e fotografisë shqiptare, por edhe i përfshirë në lëvizjet patriotike të kohës. Ai ka realizuar i pari fotot e shkollave të para shqipe për djem e vajza në Korçë. 

Rreth vitit 1900 “epidemia” e emigracionit si edhe për shumë korçarë të atëhershëm, veçanërisht  djem të rinj, plot ëndërra e pasione, nuk e kurseu as Kristaqin, por e nxiti si me magji të rrahë flatrat e kurbetit në ShBA, fillimisht në Nju Jork, ku punoi disa muaj në një fabrikë tekstili.

Por ai, mbetet modeli  i të rinjve që emigruan me parashikime e ëndërra të çartura  idealiste, prandaj u degdisën aq larg,  ashtu si Gjon Mili, ashtu  si George D. Boria (Bratko), ashtu si Perikli Kaçauni, ashtu si George Tames, etj.,  që guxuan, sakrifikuan  e u realizuan si artistë fotografë me individualitete të njohur ndërkombëtarisht. 

Pasionin për fotografinë që ishte ende një pikësynim, nuk mund t’ia zbehte  dot koha. Riosh dhe kokëkrisur, ai   të guxoi të provonte ambicjet e tij në fushën e fotografisë të fillimit të shekullit XX, kur në ShBA ishin bërë përparime e kapërxime të mëdha  teknologjike e artistike. Punoi disa vjet si asistent në disa studio fotografësh komercialë, derisa ëndrra për të ushtruar aftësinë e vet e grishi të shkojë e të provohet tek një prej fotografëve të shquar amerikanë, George Steckel (1864-1938) në Los Anxheles të Kalifornisë. Por “dështimi” nuk e kurseu përpara nivelit të lartë artistik të fotografit Steckel, i cili e ndërpreu bashkëpunimin me të për arsye profesionale, kryesisht të retushimit, që ishte një nga proceset kryesore e delikate të fotografive në atë kohë. I mërzitur, por jo i zhgënjyer, falë karakterit të tij të fortë, durimit, etjes së moshës së vet për të asimiluar e për  të kompletuar veten si profesionist i vërtetë fotografish, u end edhe për ca vite në të tjerë fotografë ku, sigurisht, përfitoi dhe i thelloi akoma aftësitë e tij. Duke e ndier veten tashmë më të plotësuar e më të sigurt, ai guxoi e shkoi përsëri tek fotografi Steckel. Këtë herë, duke vlerësuar përparimin e tij, Steckel e pranoi ta ketë bashkëpunëtor, bashkëpunim i cili  zgjati për afro 10 vjet e, që, për Kristaq Sotirin ishte rafinimi i talentit, asimilimi dhe eksperimentimi i koncepteve artistike e estetike të përparuara për atë kohë në ShBA. Në SHBA, ai njihej me emrin Charles Sotir, me të cilin u natyralizua edhe si shtetas amerikan.

Profesionalizmi dhe niveli i lartë i fotove e nxitën këtë herë të ndahet me  mirënjohje nga Steckel dhe të çelë studion e tij në Nju Jork më 1919. Por ajo studio dhe puna e pavarur e tij në të nuk e patën jetën e gjatë, pasi për  arsye jetike  familjare,  ai duhej të kthehej në vendlindje. Edhe pse nuk e kish parashikuar se, këtej e tutje, do të banonte përgjithmonë në Korçë, ngjarjet rrodhën të tilla që, ai, më 1922, të hapë në qytetin e tij studion  fotografike private me emrin “Sotir Studio” dhe të zhvillojë aty aktivitetin fotografik shumë të gjatë e po aq të suksesshëm deri në vitin 1963, pra kur mbushi 80 vjeç.  

Opusi i krijimtarisë së tij, nga njera anë,   gjumi letargjik nën trysninë e pashpirt të  Kronosit mbi  arkivën e pasur familiare me disa mijra pllaka xhami,  celuloidësh negativë, e foto të printuara,  si dhe pamundësia për ta soditur këtë balerin të fotografisë artistike të paktën me një katalog, apo album të denjë studimor, nga ana tjetër, të dëshpëron, madje pa ngushëllim kur lajmi i keq të trazon shpirtin sapo  merr vesh se para disa kohësh është ndarë nga jeta edhe Gjergji, djali i këtij fotografi aristokrat, pra përfaqësuesi i një brezi tjetër që e largon artistin e shquar edhe disa dhjetra vite më tepër nga komuniteti shoqëror që, edhe pse  me shumë pasion për të promovuar me dinjitet trashëgiminë e vyer të të atit, për arsye  të ndryshme, s’mundi të bëjë më shumë se aq, nuk mundi ta bëjë plotësisht të njohur e  ta përjetësojë plotësisht në historinë e fotografisë shqiptare  edhe pse ai meriton shumë më shumë. Një brengë që s’do t’ia tretë as varri, ku ai filloi të flerë për jetë.

Veprimtaria fotografike e Kristaq Sotirit dallohet për sasinë e madhe dhe larminë e gjerë të saj , ashtu si edhe për shkallën e lartë të realizimit pamor. Në afro 14.000 pllaka xhami e negative celuloidi me dimensione e lloje  të ndryshme, që i kanë rezistuar kohës, është pasqyruar një pjesë e rëndësishme e jetës historike, ekonomike, urbane, arkitekturore, natyrore, sociale, kulturore, sportive  e artistike të qytetit të Korçës dhe rrethinave të saj. Ai ka shkuar në sitën e lenteve të tij  tablonë e kohës të  një  qyteti të përparuar, siç ishte  Korça, por edhe  kontrasteve të tij ekonomike e shoqërore.  Njerëz të elitës protagoniste korçare dhe të huajve,  përfaqësuesve të shtresave të larta të “kapitalizmit feudal” shqiptar,   personalitate të  jetës ekonomike e intelektuale, artistë, sportistë, ushtarakë. filantropë, gra e burra të njohur për angazhimet e tyre qytetare, biznesi,  ekskursionet, ballot, karnavalet, jeta mondane, madje edhe e “dritave të kuqe”, ashtu si edhe   punëtorë,  zanatçinj   të rrugës, ciganë, arixhinj, të vobektë, të sëmurë, foto të përbashkëta familjare e shoqërore, etj.  Po ashtu, natyra intriguese përbën  fokus të veçantë tek   peizazhet karakteristike urbane e arkitekturore të bulevardeve e rrugicave karakteristike të Korçës në të gjitha stinët, veçanërisht në dimër,  të Liqenit të Pogradecit, të natyrës së Dardhës, Voskopojës, pllajave e pyjeve me pisha, mjediseve të tyre  etnokulturore,  me tipare e mënyrë jetese të përparuar për kohën. Mesazhi i përbashkët i tyre është ndjeshmëria, respekti, humanizmi.

Pra, regjistri i gjerë tematik e subjektet e fotove të tij të krijojnë menjëherë tiparet e një shoqërie, mjedisi dhe jete të integruar, të avancuar nga mënyra e perceptimit dhe mentalitetit të përparuar urban e social.  

Aspekti tjetër   paralel  është mjeshtëria e profesionalizmi, si dhe niveli i pëlqyeshëm  artistik i fotove të tij.  Ai  vjen si rezultat, së pari i mprehtësisë të syrit të tij  e pastaj i punës dhe eksperiencës së gjatë e mjaft  serioze për t’u kultivuar e për t’iu përgjigjur kërkesave të tij mjeshtërore e estetike, më tej të  përvojës së jashtzakonshme kontemporane që ai kishte përfituar në ShBA. Të gjitha etapat e fotografimit, qysh në  shtendosjen dhe krijimin e situatës parafotografike,  modelimin, ndriçimin,  shkrepjen, larjen, retushimin e stampimin përbëjnë një cikël të mbyllur mjeshtëror, çdo hallkë e të cilit ka patur  rëndësinë dhe përgjegjësinë e saj të veçantë.

Një tipar i theksuar i punës së tij është edhe paraqitja estetike  e fotove, që nënkupton se Studio Sotiri ishte “qibar” dhe “i pakursyer”  në blerjen e materialeve,  duke zgjedhur më të mirat e tyre.  Pllakat prej xhamit (me dimensione të mëdha), filmat, letrat fotografike, kimikatet, dhe materialet e paspaltimit ishin bashkëkohore. Nuk mungonte as logoja dhe stampa origjinale e studios së tij që, jo vetëm reklamonte punën, por mbartte edhe përgjegjësinë e cilësisë dhe konkurrencës midis studiove të shumta serioze që kishte atë botë në Korçë.  Për sigurimin e tyre ai ka qenë i trajnuar e bashkëpunues me firmat e famshme “Kodak”,  “Lymier” dhe “Ilford”. Deri në vitin 1939  ishte  i abonuar në disa prej revistave kryesore fotografike të kohës. Pajtimet me “The Camera”, “The Photographic Journal of America” dhe “The British Journal Photographic Almanac” do t’i mundësonin të ishte në kontakt  zhvillimeve dhe rrymave të fotografisë. Gjithashtu ai mbante regjistër të hollësishëm me të dhëna dhe datat e  fotografimit të klientëve, një mënyrë pune e dedikuar për një profesionist të vërtetë.1) (Agron Shala: Për Kristaq Sotirin:  Mjeshtri I dritëhijeve nën Hilen e injorancës së pushtetit. Telegrafi.com, 2018.) Duke u ndier i vlerësuar në Korçë,   ai kishte lidhje të ngushta edhe  me fotografët e rajoneve të tjera dhe mori pjesë në ekspozita të përbashkëta në Tiranë (1931) dhe në Itali. Madje Sotiri, për disa kohë,  ka jetuar edhe në Shkodër, ku është njohur me fotografët e famshëm të saj2) (Kristina Sotir Pecani.)

Fotografia e Kristaq Sotirit në Shqipëri (Korçë dhe rajonin Juglindor) përbën një pasqyrë të situatës ekonomike e shoqërore nga periudha e fundit e influencës së perandorisë otomane,  deri pas LIIB. Krijimtaria midis këtyre dy ndërkohëve rezulton të jetë edhe më interesantja dhe më e zhveshura nga ideologjitë e politikat e kohës. 

“Arti i Kristaq Sotirit pasqyron krijuesin dhe  angazhimet e tij: duke shkrepur midis dy periudhave, ai mënoi të zgjedhë njërën mbi tjetrën; karakterin modern të gjetur në Shtetet e Bashkuara dhe të riprodhuar në studion e tij në Korçë; të kaluarën, të cilën e rizbuloi pas kthimit të tij. Por  kjo e kaluar është iluzore (zhgënjyese) dhe moderniteti  është relativ”3).(Loïc Chauvin, Christian Raby “Albania from One World to Another”) 

Në njohjen dhe zhbirimet e mia ende nuk po ndesh një lidhje të krijimtarisë  fotografike të Sotirit me lëvizjen artistike e patriotike të Shoqërisë së Arteve të Bukura në Korçë, me disa disa figura të rëndësishme patriotike, artistike, muzikore  orkestrale  që i dhanë tonin viteve ’20, si Thoma Nassi,…. bandave muzikore, sidomos Bandës Kombëtare “Vatra” dhe koncertit të parë orkestral simfonik në Shqipëri  gjatë asaj kohe, apo koreve e interpretimeve të këngës lirike qytetare, serenatave, etj.  Mendoj se ato duhen të jenë në arkivën e Studio Sotirit (siç është Tefta Tashko, apo Lola Aleksi),  por duhet të presim akoma me durim zbulimin e herëpashershëm të thesareve të tjera.  

Ndërkaq, veprimtaria fotografike  e  pas çlirimit të Shqipërisë,  nga 1945 e deri në vdekjen e fotografit  (1963) i përket më së shumti  përpjekjeve për mbijetesë, problemeve të vështirësive e mospërfilljes të këtij arti artizanal, që iu nënështrua bllokimit, taksimit e tatimit,  shtetëzimit e  politizimit të skajshëm klasor, duke u shndrruar vetëm në një  formë amatore e propagandimit pllakatesk  të sistemit totalitar.             “Shpesh periudha para luftës njihet si “Koha e artit“ e fotografisë shqiptare. Në kontrast, periudha e pas-luftës duket si një parantezë, një kohë e errët, ku nuk ndodhi asgjë tjetër përveç nënshtrimit të fotografisë ndaj propagandës së regjimit.”4) (Gilles de Rapper (CNRS), IDEMEC, Aix-en-Provence Jehonat e së shkuarës – Zërat e së ardhmes Konferencë ndërkombëtare, 18-19 Tetor 2013, Tiranë)

 Në këtë raport me realitetin diskriminues,  Sotiri ka qenë i pabindur, refraktar e stoik deri në sacrificë, por edhe një diplomat e avokat  ndaj pasojave   depersonalizuese. Ka qenë vetë ai dhe familja që kanë mundur ta shpëtojnë fototekën e tij ende të pazbuluar e studiuar denjësisht.

Sidoqoftë, në tërësi, Kristaq Sotiri mbetet një artist fotograf shqiptar i përparuar,   modern për atë kohë e tingëllues edhe sot,  me individualitet të veçantë krijues, elitar,  autentik, vetvetja. Studioja e tij përbën një atelje me  origjinalitet të spikatur krijues e me tipare të dallueshme estetike nga ateljetë e tjera të kohës si ato të studios Marubi në Shkodër, të Gjon Milit e Perikli Kaçaunit në SHBA, apo George Borias (Bratko) në Japoni.  

Nëpërmjet fotove brenda studios, kryesisht portrete dhe foto ceremoniale familjare, të cilat përbëjnë edhe pjesën kryesore të veprimtarisë së tij,   reflektohet tendenca e prosperitetit, e zhvillimit social, kulturor, intelektual, i mënyrës së përparuar të jetesës, të sjelljes, të veshjes, delikatesës, respektit ndaj emancipimit, modernitetetit, dëlirësisë e sidomos të marrëdhënies së femrës me realitetin shoqëror dhe fotografisë si një kujtim e një dëshmi reale për amibicjen e nivelin e saj moderues e liberal.

 Sidoqoftë, edhe sot ka disa dilema dhe arsye  shtetërore e familjare pse këtij  visari artistik nuk po i krijohet një mundësi e plotë ekspozimi e studimi. Sikur të ndodhte kjo, artit fotografik  shqiptar  do të shtohej një thesar i paçmuar për vlerat e tij.

Në fotot brenda studios (kryesisht në portretet vetmas), karakteristike për Sotirin është përdorimi me mjeshtëri i dritës natyrale të diellit, dhe më pak i asaj artificiale Për këtë, studioja e tij në Korçë, ashtu si edhe ajo në Amerikë, kishin dritare të posaçme të dritës natyrale, madje ai u thoshte klientëve të tij të vinin në momentin që disku diellor të ishte  në favor të realizimit të fotos. Prandaj, fotot e Sotirit janë  të larmishme në kontekst të kombinimit të dritë-hijeve, janë bardh’e zi, sepia, të kuqëreme, jeshile, etj. Galeria e portreteve të Sotirit është e bollshme, e larmishme dhe sugjestive, ajo përbën pjesën kryesore të trashëgimisë se tij artistike.

Fotot më të realizuara të tij vlerësohen portretet e studiuara dhe të fotografuara me kontekst artistik e  estetik. Kompozimi figurativ, këndvështrimi optik, qëndrimi i figurës në marrëdhënie lirike apo dramatike me dritën, elementët psikologjikë të personazhit, ku spikat studimi i vëmendshëm dhe gjetja e detajit apo elementit tipik shprehës të personazhit, reflektimi shpirtëror, faktorët artistikë e estetikë  e bëjnë Kristaq Sotirin një artist të perceptueshëm estetikisht e, mbi të gjitha,  një artist fotograf që vlerat e krijimtarisë së tij nuk janë momentale, rastësore, apo tranzitive. Ato janë rezistuese, të qëndrueshme  ndaj periudhave të historisë së fotografisë shqiptare, vetëm nëse me to do të sillemi paskëtaj më angazhues, më dashamirës, më meritues, më të qytetëruar ndaj një pasurie të papërsëritshme, siç është ajo e këtij artisti shqiptar.

Nga ana tjetër peizazhet, natyra, arkitektura, ndërtimet paraindustriale, apo sociale, aktivitetet jetësore masive, tregjet, turmat e njerëzve priren nga gjetja e “momentit deçiziv”,  këndi i vrojtimit, raportet me dritën diellore,  detajet intriguese të objekteve e mjeteve  të punës, si ato të peshkimit, të artizanatit, tekstilit, të “fabrikave ekzotike” të prodhimit të materialeve të konsumit, etj.

Dalja jashtë studios, udhëtimet,  fotot në natyrë  dëshmojnë se sa i prirur e i dëshiruar  është një artist figurativ ndaj elementit dëshmues, historik e artistik, duke sfiduar e sakrifikuar kohën, por edhe duke mos kursyer gjithashtu materialet e shpenzuara me një profesion që ai, fundja, siguron jetën e vështirë familjare. 

Andaj, në këtë kontekst,  Kristaq Sotiri  konsiderohet nga shumë studiues si një artist lirik, si Mioja në pikturë, apo si Lasgushi në poezi. Madje ai ishte edhe miku i tyre, ashtu si edhe me Odise Paskalin, në revistën  “Studenti Shqiptar” (Torino) të të cilit vendoseshin në çdo numër foto të Sotirit. Pra, si ata në artet pamore, , ai është një primat në fotografinë shqiptare. 

Odise Paskali i ka shkruar: “Fotografitë që më dërguan janë shumë të goditura. Mund t’ju siguroj se ne s’njohim tjetër në Shqipëri, i cili di të fshehtat e artit fotografik si ju (se fotografia juaj është vërtet art)”.

Ndërkaq, Vangjush Mio, që quhet poeti i peizazhit shqiptar,  ka thënë: “Më duket se punët po më zbehen përpara artit dhe talentit tënd”. 

“Sotiri ishte njeri i  mendimit të thellë fotografik dhe i interesave të gjera për kohën, i një shprehjeje figurative realiste, me nerv, i një shikimi origjinal të jetës…Ai ishte i ndjeshëm ndaj portretit shpirtëror e social  të njeriut që fotografonte, i ndjeshëm edhe ndaj natyrës dhe jetës së gjallë.”5) ( Piro Naçe: Arti i vërtetë Jeton Gjatë”. Revista “Ylli”, 8 Gusht 1989, f. 30-31)

“Për profesorin e fotografisë, Fahredin Spahija, Kristaq Sotiri bashkë me Kel Marubin përbëjnë ajkën e fotografisë shqiptare.  Ata janë fotoportretistë të shkëlqyer, fotografitë e të cilëve mund të bëhen pjesë e çfarëdo antologjie evropiane apo botërore kushtuar portretit fotografik të fillimshekullit XX!6) (“Agron Shala: Për Kristaq Sotirin:  Mjeshtri i Dritëhijeve nën Hilen e Injorancës së pushtetit. Telegrafi.com, 2018.)

□ □ □

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 53
  • 54
  • 55
  • 56
  • 57
  • …
  • 863
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KELETI UJSÁG (1931) / “NJË MUAJ PRANË MBRETIT ZOG, THEMELUESIT TË SHQIPËRISË MODERNE…” — INTERVISTA ME MÁRTON HOSSZÚ, PIKTORIN NGA KOLOZSVÁR-I
  • Si “Albanian Mafia” zëvendësoi Cosa Nostra-n dhe po rrezikon Shqipërinë
  • Për vendlindjen, komunitetin e kombin…
  • Kur liria e njërit, bëhet burgu i tjetrit 
  • Eleganca në mërgim – gruaja me mantelin e Shqipërisë
  • Çfarë na ka mbetur nga trashëgimia e Ismail Qemal Vlorës?
  • Përkujtojmë në ditën e lindjes poetin, shkrimtarin dhe dramaturgun e shquar Viktor Eftimiu
  • 𝐖𝐢𝐧𝐬𝐭𝐨𝐧 𝐂𝐡𝐮𝐫𝐜𝐡𝐢𝐥𝐥 𝐝𝐡𝐞 𝐃𝐞𝐭𝐚𝐧𝐭𝐚 𝐋𝐢𝐧𝐝𝐣𝐞-𝐏𝐞𝐫𝐞̈𝐧𝐝𝐢𝐦
  • DËSHMI LETRARE E NJË KOHE TRAGJIKOMIKE  
  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare
  • Kongresi i Lushnjës dhe periudha përgatitore për Luftën e Vlorës 1920
  • GJON MILI DHE EKSPOZITA MЁ E MADHE FOTOGRAFIKE BOTЁRORE E TЁ GJITHA KOHRAVE
  • Rezoluta-6411,nga SHBA-ja, do të jetëson ndaljen e diskriminimit dhe  zgjidh drejt çështjen e Krahinës Shqiptare
  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT