• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Globi i parë në botë, një nga mrekullitë e Leonardo Da Vinci-t

January 25, 2025 by s p

Nga ROLAND QAFOKU/

Ky është globi i parë në botë. I përket vitit 1504 dhe është krijuar nga Leonardo da Vinci, mëndja më e bukur e historisë së njerëzimit. Ndërtimi tij është bërë nga dy pjesë vezësh të strucit me diametër 11.2 centimetër dhe peshon 134 gram si dhe është mbushur nga brenda me elementë që bëjnë të mundur ruajtjen e formës. Më pas, Da Vinci vizatoi në koren e vezës pjesët e tokës, kontinentet, detet dhe oqeanet të asaj që u quajt Bota e Re duke shkruar edhe vendet përkatëse. Edhe me globin Leonardo Da Vinci tregoi se ishte një mendje e artë në një epokë me shumë të panjohura. Për historianët dhe gjeografët pjesa më e rëndësishme e këtij globi është fakti se Mjeshtri ka përfshirë aty Amerikën, të cilën patrioti i tij, Christophor Colombus, nga Genoa e kishte zbuluar në 1493 ndërsa patrioti tjetër nga Firence, Amerigo Vespucci, i kishte vënë vulën atij zbulimi në vitin 1501. Madje duke i dhënë emrin e tij kontinentit të panjohur deri atëherë. Sa për Shqipërinë, mos u lodhni! Në globin e Da Vincit nuk duket, por me siguri që duhet të ketë qenë. Ne ishim “zbuluar” nga të parët në kontinent dhe nuk paraqiste ndonjë kuriozitet të madh për të. Kur Durrësi ynë ishte qytet, Parisi dhe Madridi nuk ishin as sheshe për të pushuar kuajtë.

Filed Under: Opinion

Fjalori i Madh, vepër njëhsuese gjithëpërfshirëse që bashkon shqiptarët 

January 24, 2025 by s p

Përgatiti: Eneida Jaçaj/

Gjuha shqipe, ashtu si gjuhët e tjera të folura dhe të shkruara, i nënshtrohen proceseve zhvillimore të kohës, dinamikave jetësore, sa i përket përparimit të teknologjisë, prurjeve të reja të fjalëve për shkak të shtegtimit nga një vend në tjetrin, nevojës për pasurimin e fjalorit për të shprehur sa më qartë mendimet, emocionet, dhe në funksion të shërbimeve publike e shkencore për shpjegimin e dukurive në fusha të ndryshme, etj. Pra, gjuha është një “thesar”, një “minierë ari” që vjen duke u pasuruar me kohën dhe zhvillimin e shoqërive, bashkëpunimeve që krijohen brenda dhe jashtë vendit, është një urë lidhëse mes individeve, e cila sjell jo vetem risinë e fjalës, por edhe përparimin në çdo aspekt.

Gjuha e sotme ka pësuar shumë ndryshime, krahasuar me gjuhën e shekujve më parë, dhe këtë e kanë dëshmuar dokumente të vjetra të shqipes, si Formula e Pagëzimit, Fjalori i Arnold fon Harfit, Perikopeja e Ungjillit të Pashkës, veprat letrare që kanë lënë të shkruar rilindasit, etj.

Pavarësisht ndryshimeve që vijnë me kohën, shqipja është një nga gjuhët më të vjetra indoeuropiane që e ka ruajtur bazën e saj, pra është një gjuhë që i ka rezistuar kohës. Kështu, ashtu si historianët do të shkruajnë historinë dhe do ta pasurojnë atë me dokumente dhe fakte të reja, edhe leksikografët e gjuhëtarët bëjnë një punë të vazhdueshme konsultative, verifikuese, në hartimin e fjalorëve me njësi të reja, sinonime, shprehje frazeologjike, etj.

Ashtu si në çdo vend të zhvilluar të Europës, ku 2-3 përqind e Prodhimit të Brendshëm Bruto shkon për financimin e projekteve për gjuhën, kishte ardhur koha që edhe shqipja të kishte një fjalor voluminoz gjithëpërfshirës, i cili u mori 4 vjet punë specialistëve të gjuhës shqipe. 

Ashtu siç është bërë e ditur tashmë, gjatë këtij viti, qytetarët shqiptarë, gazetarët, specialistët e fushave të ndryshme do të kenë në biblotekën dhe tavolinat e tyre të punës, një vepër shumë të rëndësishme për nga risia, përmbajtja shkencore, prurja e njësive leksikore, me shumë kuptime, shprehje frazeologjike, etj, konkretisht “Fjalorin e Madh të Gjuhës Shqipe”. 

Ky fjalor është thesari i Gjuhës Shqipe, i cili do të zhvillohet dhe pasurohet me kohën. Pra, mbetet një punë e hapur për leksikografët. Kjo vepër është projekt i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, në bashkëpunim me tërë institucionet e kësaj fushe në Shqipëri, Kosovë e Maqedoninë e Veriut. Ajo çka vlen të theksohet është se fjalori nuk është i ndarë në gegë e toskë, pra nuk ka frymë diskriminuese të dialekteve për të nxitur konflikte të kota mes krahinave, por ka për qëllim njëhsimin e gjuhës, që shqiptarët të merren vesh me njëri-tjetrin, në çdo sferë të shërbimeve publike, programeve të ndryshme shkencore, specialiteteve, duke respektuar thënien “një komb, një gjuhë”. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se nuk janë përfshirë dialektet gjuhësore që rrjedhin nga gjuha e përditshme e popullit, por ato janë përfshirë në fjalor duke u mbështetur në kritere shkencore dhe në rëndësinë e kuptimit apo peshës së fjalës. 

Gjatë punës 4 vjeçare janë marrë në trajtim për të pasuruar fjalorin, veprat e Martin Camajt, 20 vëllimet e Ismail Kadareë, veprat e profesor.Rexhep Qoses, 10 vëllimet e Gjergj Fishtës, Sabri Hamitit, Dritëro Agollit, Fatos Arapit, Mitrush Kutelit; pra, fjalori ka karakter gjithëpërfshirës, në unifikimin, njehsimin e fjalëve, dhe është qëllimi të futet ajo fjalë që është më e njohur në përdorim dhe ka vlerë më kuptimplotë shënjuese. Janë marrë në studim dhe 50 mijë fjalorë, por leksikografi merr atë fjalë që duhet. Janë bërë edhe verifikime të fjalëve nga specialistë të fushave të ndryshme, gjithashtu janë bërë edhe konsultime me fjalorë të huaj për huazimet, pra fjalë që janë bërë tashmë pjesë e shqipes dhe nuk mund të zëvendësohen me fjalë të tjera, si psh; celular, internet, apo çokokrem. 

“Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe” ka hyrë në fazën e konsultimeve, verifikimeve, korrigjimeve, unifikimi dhe sistematizimi i njësive leksikore, fazë e cila do të marrë 5-6 muaj dhe do të punohet shumë fort për ta pasur sa më parë në dorë veprën. Kjo vepër do të jetë në letër, por edhe on-line; në versionin on-line nuk do të paraqitet vepra përfundimtare, pasi do të mbetet e hapur për pasurimin e saj me fjalë të reja, kuptime, thënie, shprehje, etj. 

Fjalori do të përfshijë mbi 120.000 fjalë dhe togfjalësha të qëndrueshëm, si dhe mbi 11.000 njësi frazeologjike. Është marrë në trajtim dhe fjalori i 1980-ës që ka 40-50 mijë njësi, por fjalët e marra janë të ripunuara në mënyrë më shkencore. Grupi i punës është i përbërë nga 55 bashkautorë e 25 hartues, të drejtuar nga një redaksi prej 10 leksikografësh e në ndihmë të saj u krijua një qendër e posaçme, ajo e Botimeve Enciklopedike dhe Albanologjike, tashmë e kthyer në qendër të përhershme, si një organ administrativ e profesional. 

Për hartimin e tij u krijua një bazë të dhënash elektronike me një fond prej 800 milionë njësish, që mund të shkohet edhe në një miliardë, në të cilat u përfshinë gjithë fjalorët e mëparshëm e veprat e rilindasve, si dhe u krijua njësia me specialistë IT dhe të gjuhësisë kompjuterike për të mundësuar hartimin e tij sipas teknologjive më të përparuara të kohës. Janë futur shprehje nga latinishtja, italishtja, anglishtja etj, 1200 shkurtesa akronime, si TVSH-ja, 3500 vargje sinonimike, shprehjet e paasimiluara që kanë 1400 njësi, 35 mijë vargje sinonimike, etj. 

Fjalori i 1980-ës ka 180 mijë kuptime, ndërsa sot ka 400 mijë kuptime. Ky fjalor gjigand, që do të jetë thesari i gjuhës shqipe në zhvillim e sipër, do të ketë 9-10 mijë faqe A4. Profesorët e nderuar kanë bërë një punë të madhe dhe të shkëlqyer, ku secili nga ne duhet të ketë në shtëpinë e tij “Fjalorin e Madh të Shqipes”, në respekt të gjuhës, identitetit dhe ruajtjes së saj, si trashëgimia më e vyer kulturore e kombit tonë.

Filed Under: Opinion

Bibla dhe Kurani në shtypin ateist përgjatë regjimit diktatorial shqiptar 1945-1990

January 23, 2025 by s p

Sokol Paja/

Libri i shenjtë i Biblës dhe Kuranit u sulmua pa ndërprerë përgjatë dikaturës në Shqipëri. Komunistët shqiptarë pasi vranë barbarisht dhe persekutuan klerikët e të gjitha besimeve fetare në Shqipëri, pasi shkatërruan fizikisht institucionet fetare, pasi ndaluan fenë me ligj, propagandistët komunistë filluan të sulmojnë pandërprerë bazën shpirtërore të fesë, vendet e shenjta të besimeve dhe librat e shenjtë si Bibla, Kurani, ikonat e bazën shpirterore të fesë në Shqipëri. Komunistët me kalimin e viteve, luftën ndaj fesë e kaluan nga veprimet fizike brutale, te lufta ideologjike ndaj fesë në organet e shtypit që kontrolloheshin nga partia – shtet.

Ideologjia fetare dhe ideologjia komuniste ishin të papajtueshme me njëra-tjetrën. Përgjatë diktaturës 1945-1990, ateistët komunistë sulmuan fenë, klerikët dhe institucionet fetare me qindra mijëra artikuj, kronika, opinione, komente, reportazhe, telereportazhe, analiza, intervista, letra nga populli, denoncime etj në organet e shtypit të partisë – shtet.

Tri shembujt më poshtë ilustrojnë më së miri barbarinë e propagandës ateiste të regjimit komunist:

Libri më i rëndësishëm për besimin Musliman, Kurani, shënjestrohet nga shkrimi “Ç’është Kurani?” i gazetës “Mësuesi” 21 prill 1967, Kurani sipas propagandistëve ateistë të regjimit komunistë, quhet një kopjim i Biblës dhe se Kurani nuk ka as lidhje kronologjike as logjike. Sipas artikullit ateist në fjalë, në Kuran qoftë edhe nga titujt e sureve (krerëve) dhe nga vendosja e materialeve, libri i shenjtë i myslimanëve, s’ka sens. Kapitujt e Kuranit, sipas ateistëve në shtyp, janë radhitur pa kurrfarë sistemi e lidhje dhe është marrë parasysh kryesisht madhësia e tyre. Në shumë raste titujt e kapitujve, nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me përmbajtjen dhe janë vënë rastësisht”.

Kurani, në këtë shkrim thuhet se ka përmbledhur në vetvete e jo vetëm supersticionet dhe dogmat e arabëve paganë, por edhe të të krishterëve, të hebrenjve, të magjistarëve, të budistëve; kështu ka mundur t’u përgjigjet, së paku pjesërisht, mendimeve të pasuesve të të gjithë feve. Kurani sipas këtij shkrimi propagandistik të kohës, me pikëpamjet shoqërore që predikon, të cilat janë reaksionare ku në emër të Allahut ato konsakrojnë sistemin shfrytëzues.

Në Bibël sipas E. Jarosllavskijt, në shkrimin “Bibla, për ata që besojnë dhe ata që nuk besojnë”, botuar në revistën “Ylli” të vitit 1961, zbulohen dhe mishërohen kontradiktat dhe absurditetet mbi botën. Bibla sipas ateistevë komunistë nuk është aspak libri më i vjetër, pasi ka edhe libra të tjerë që e tregojnë krijimin e botës dhe të njeriut në një mënyrë tjetër. Teoritë fetare, që gjenden në Bibël nuk janë të vërteta të vetme sipas autorit, dhe se mitet biblike janë trillim i një njeriu të egër, të paditur, injorant, i cili nuk ka mundur të mbështetej në sukseset e shkencës, nuk ka pasur instrumentet astronomike për të studiuar hapësirën qiellore.
Në librin e Biblës sipas autorit, gojëdhënat biblike kanë karakter antishkencor për origjinën e botës, të tokës, bimëve, kafshëve e njeriut dhe gojëdhënat biblike pasqyrojnë përfytyrimet naive të njerëzve primitivë mbi botën që i rrethon.

Bibla, sipas autorit, justifikon skllavërimin e njerëzve dhe shpall të përhershëm ndarjen në klasa shfrytëzues dhe të shfrytëzuar dhe e ligjëron ekzistencën e marrëdhënieve të sundimit, nënshtrimit si edhe pabarazinë shoqërore. “Feja e mbyt mendimin e lirë krijonjës, mendjen kureshtare duke kërkuar përulje dhe nënshtrim përpara perëndisë që nuk ekziston”, por feja shkon edhe më tej duke penguar njerëzit që të luftojnë për çlirimin e tyre, frenon zhvillimin dhe përparimin e shoqërisë. Sipas autorit, Jarosllavskij, vetëm ideologjia marksiste-leniniste jep kuptimin shkencor të botës dhe na mëson si ta shpjegojmë botën, por edhe si ta ndryshojmë botën në të mirë të gjithë njerëzimit.

Pano Çuka, në shkrimin “Dërrasa të pikturuara”, botuar në gazetën “Pararoja” të datës 21 gusht 1972, demaskon ikonat e besimit të krishterë, ku i zhvesh nga “shenjtëria” e tyre dhe i quan një mjet për pasurimin e tregtarëve dhe të priftërinjve e të klerit. Futja e ikonës si element në besim, sipas autorit, u bë me trillime nga më të ndryshmet nga priftërinjtë për të sunduar më lehtë besimtarët duke shpikur mrekulli dhe duke ua veshur ikonave dhe duke i paraqitur para masës së besimtarëve si të shenjta. “Vraponin pra naivë në kishat e “shenjta” dhe te shërbëtorët e tyre të “shenjtë”, që t’i shpëtojnë me forcën e tyre çudibërëse. Dhe në të njëjtën kohë, dridhen. Po thatë një fjalë, ikonat e “shenjta” dhe etërit e “shenjtë” mund t’ju hedhin në zjarr dhe t’ju përvëlojnë”.

Propaganda e kohës i quan ikonat, që gjenden në objektet fetare, si një tmerr për besimtarët dhe se te këto dërrasa të kalbura binin pre naivët fetarë.

Shtypi ateist përgjatë diktaturës komuniste dha një kontribut të pa imagjinueshëm në formësimin e Shqipërisë ateiste ku shkatërrimi i botës shpirtërore të njerëzve, i familjes shqiptare, i traditave të pasura kulturore dhe zëvendësimi me “revolucionaren proletare” ka lënë pasoja të tmerrshme për Shqipërinë dhe shqiptarët, efekte afatgjata që ndjehen edhe për kohën që jetojmë.

Filed Under: Opinion

Idriz Balani – Dalta që kërkon frymën

January 23, 2025 by s p

Luan Rama/

Atelieri i skulptorit Idriz Balani është disi i veçantë dhe nuk ngjan me atelierët e shumë skulptorëve të tjerë. Një atelier i thjeshtë, në bodrumet e shtëpisë, pa dritare dhe dritë natyrale, e megjithatë, edhe këtu, në këtë vend që për skulptorin është mitik, vend i metamorfozës dhe i përsosjes së formave dhe eksperiencave artistike, kapet fluturimthi përfytyrimi, imagjinata, lëvizja për tu transpozuar në lëndën e gurtë minerale, atë të baltës, allçisë, gurit, mermerit apo bronxit. Pikërisht këtu artisti krijon vepra të mrekullueshme që mbeten në historinë e skulpturës shqiptare. Nuk flas këtu thjesht për skulpturën monumentale të tij, çka flitet shumë në media dhe gjithnjë në kërkim dhe forma dinamike siç e shohim në skulpturën e Bilal Xhaferri apo monumentin e Isa Boletinit, me një portret të mrekullueshëm dhe hapin e tij në lëvizje për ti prirë historisë, por për portrete të punuara me shumë orgjinalitet, dashuri dhe art të madh. Në librin e tij « Portreti i Dorian Gray », Oskar Wilde thotë ndër të tjera se « Skulptura është një udhë mbretërore e artit për të zbuluar sekretet ». E pikërisht, zbulimi i botës njerëzore, i zemrës që pulson, është ajo që spikat në portretet e Idriz Balanit. Duke vizituar galerinë e tij me një sërë portretesh e bocetesh krijuar prej afro gjysmë shekulli, më bëjnë përshtypje veçanërisht dy portrete : ai për mjeshtrin dhe profesorin e tij të skulpturës Sabri Tuçi, i cili kishte studjuar në Romë në fundin e viteve ’30 të shkeullit XX dhe portreti i mikut tim Omer Kaleshi. Në këto dy portrete por dhe në disa portrete të tjera si ai i doktor Karatziadhis , Muharrem Rrushiti, Haxhi Zeka, Portret vajze, etj, duke i vështruar gjatë, më rishfaqet dalta e tij dhe dëgjoj ehon e çekiçit të godasë në kërkim të tipareve njerëzore, të syve, ballit, mollëzave, gojës, frakturave të portretit njerëzor gjer në detajet më të vogla ; ndjej dorën e artistit të rrëshqasë mbi fytyrat e ngurta duke fërkuar gurin, mermerin, bronxin për të vënë në pah një linjë, një rrudhë, duke iu afruar karakterit të personazhit në mënyrë që më në fund, në vargun e ditëve, muajve, portreti më së fundi të mund të flasë, të marrë frymë.  Ndjeja ato duar që per dy vjet rradhazi, si emigrant, ai kishte gdhendur mermerin në ndërrjen « Dhioniso » të Athinës njohur damarët dhe zërin e karrierave antike me të cilat punonte Praksiteli. A mund të flasë guri, mermeri, bronxi? A mund ta ndjejmë pulsimin e një fytyre, të një historie, pasi çdo portret ka biografinë, rrugëtimin e vet nëpër histori. Mjeshtrat e mëdhenj na e kanë vërtetuar këtë përmes kryeveprave të tyre përgjatë një historie të madhe. 

Idriz Balani është përkundur me historinë që në fëmijërinë dhe adoleshencën e tij kur për herë të parë tentoi të gdhend në gur, çka na e tregon dhe një fotografi e tij e vjetër, në kohë të adoleshencës me një fytyrë plot besim, me çekiçin dhe gurin në dorë për ta transformuar atë në një portret. Në damarët dhe shpirtin e tij historia ka rrjedhur vrullshëm me heronjtë e tij, sëpari me heronjtë e Çamërisë martire dhe të historisë kombëtare. Nuk është e rastit që në galerinë e tij personale ata rradhiten së bashku dhe herë pas here, « heronjtë » kapërcejnë pragun e atelierit për t’iu bashkuar heronjve të tjerë. Para disa muajsh ai ekspozoi në Nju Jork kompozimin e valles së Osman Takës, të cilën e ndiqte që fëmijë në dasmat çame në Durrës. Galeria e tij përbën si të thuash një marsh figurash që mbartin kujtesën popullore me idhuj si Skënderbeu, Ismail Qemali, Andrea Muzaka, Isa Boletini etj, e gjer në figurat legjendare të Kosovës, që duket se është sot një temë e dashur e autorit.

Vështroj duart e tij të vrara, të ashpra dhe mendoj sesa shumë ato kanë kërkuar ne portretet njerëzore, në portrete të njohura siç janë ato të ditëve tona, në portrete më të hershme që fotografia na i ka lënë në një farë mënyre, apo portrete të imagjinuara, ku gojëdhënat dhe letërsia historike na kanë lënë dëshmi për ta si njerëz të zakonshëm e njëkohësisht si heronj. Dhe padyshim, nuk janë thjesht duart e vrara të tij që rikrijojnë figurën njërëzore, por ka diçka më të thellë brenda artistit, një lloj mistike që i vë duart në lëvizje dhe i komandon ato. Padyshim që kur shohim veprat e Mikelanxhelos, imagjinojmë njëkohësisht dhe duart e tij, ato duar të imagjinuara përmes kameras së regjisorit Konçalovski në karrierat e Karraras, apo siç mund të imagjinojmë duart e një Roden, Burdell apo Majol. Duar të rënda, duar te mrekullisë. Duar si instrument të krijimit të së bukurës dhe madhështores, pasi janë ato që trasnmetojnë gjithçka që vjen nga shpirti dhe e brendshmja e artistit, frymën që përcillet nga ai tek vepra, tek materia e ngurtë, për të gjetur një fushë tjetër të shprehjes artistike.

Portreti i profesorit

Çdo artist ruan në vetvete gjurmët e mjeshtërve që e kanë mësuar, frymëzuar dhe nxitur në rrugëtimin e tij, që i kanë treguar se si ta bëj gurin të flasë përmes gjestit skulptural, që portreti apo kompozimi të ketë lëvizje, dinamikë, energjinë e njeriut që çan përmes stuhisë, siç e shohim në monumentin e Balanit për Bilal Xhaferrin.

Idriz Balani nuk e harron takimin e parë me mjeshtrin Sabri Tuçi i cili do ti mësonte artin e skulpturës dhe marrëdhënien me baltën, gurin, për të lënë aty gjurmën njerëzore. Që i ri e ka parë atë si një lloj idhulli dhe ka përjetuar dhimbjen e historisë personale të mjeshtrit. Besoj se ai ia ka mësuar çelësin e suksesit në krijimtari : atë të frymës. Dhe Tuçi mbeti gjithnjë një referencë apo piketë, një dritëz në errësirë edhe pse tashmë Balani e ka shënuar udhën e tij dhe hapi i tij është hap i sigurtë, hap i një mjeshtri të vërtetë, çka e tregoi duke krijuar dhe portretin e profesorit të tij, një portret tepër origjinal dhe njëkohësisht i gjallë, meditues, sfidues. Koka për një skulptor është shqetësimi më i madh për të krijuar një karakter që të mbërthejë thelbin e një njeriu, atë çka primon tek ai dhe që e bën të flasë. A ka shpirt lënda, materia ? Si bënte vallë Milenaxhelo në dehjen dhe vuajtjen e tij, kur në çastin kur nuk gjente frymën, krijesën e tij ai e thyente për ta filluar nga e para ? Për Balanin, kjo është mëse e njohur. Busti i krijuar për Sabri Tuçin është një portret që mbart mirësi, mënçuri dhe një botë humane, por dhe dhimbje e qëndresë. Po si mund ti japësh njëheësh këto ndjenja ?  Ky ishte dhe problemi i artisti në fillimin e krijimit të kësaj vepre, i cili e njihte mirë dramën e mjeshtrit, dhimbjen që provoi ky artist kur e ndaluan të bënte skulpturë dhe të jetë artisti. Shoh sytë e tij të thellë, rrudhat, ballin dhe për një çast imagjinoj dorën e artistit që i është rikthyer me qindra herë kësaj fytyre të paqtë ku dhimbja ka lënë gjurmën e vet të pashlyeshme, matricë e tërë kësaj vepre, ku ai përsërit aksiomën e të gjitha kohrave se « skulptura, arti, është jeta ime ! »

Në galerinë e tij, pashë të vendosur përkohësisht portretin në mermer « Mis Kazerta » krijuar nga mjeshtri, kur Tuçi, student për skulpturë në institutin e arteve në Romë, punonte në mermer portretin e një modeli (« Mis Kazerta ») apo Maria Iorio, e cila do të bëhej e dashura e tij, (si në atelierin e Roden me skulptoren e re Klodel) dhe më pas gruaja e tij. Një portret i mrekullueshëm dhe një mësim i vërtetë arti (kopja e të cilit ruhet dhe në Galerinë e arteve në Durrës) por që mbarti shumë dhimbje dhe peripeci familjare, pasi pikërisht Maria do të vuante burgjet totalitare në Shqipëri duke lënë pas këtë portret, që mjerisht termeti i para disa viteve e dëmtoi. Por Balani e mori këtë portret për « t’ia mjekuar plagët » si një gjest i mbijetesës, pasi siç thoshte dikur dhe Balzak « skulptura është si arti dramatik ».

« Koka » e Omer Kaleshit

Në galerinë e portreteve të Balanit ka dhe një « kokë » mjaft interesante. Është « koka » e Omer Kaleshit, një « kokë » që e njoh mirë pasi për më shumë se tri dekada kam qenë i pranishëm në jetën e tij artistike në Paris.  Për Omerin ishte një surprizë të shikonte « kokën » e tij në një ekspozitë të hapur në Montmartre të Parisit. Idrizi e kishte njohur piktorin në koloninë e artit në Durrës dhe ajo kokë e kishte tërhequr në veçanti. Ishte një surprizë edhe për mua. Në atë « kokë » ishte ngjizur jo vetëm karakteri i artistit të « kokave » siç i quante Kaleshi portretet e tij në pikturë, por gjithë bota e tij. E ndjeje menjëherë rrugëtimin e këtij njeriu, origjinën e tij, jetën dhe meditimin e tij të thellë si të një dervishi, pasi Omeri, edhe pse në Paris prej më shumë se gjysmë shekulli nuk e kishte ndryshuar natyrën e tij. Ishte po ai botkuptim me vështrimin e thellë të thelbit njerëzor. Ai portret që shikonte disi poshtë e treste vështrimin larg. Një vështrim që përhumbte siç e kemi parë tek « Mendimtari » i Ogyst Roden. Dhe Omeri, ashtu si Idrizi, e kishin Rodenin një lloj reference të artit të madh. Një përhumbje të tillë të Omerit e kisha ndjerë dhe në portretin e famshëm « Psalmi » të Kamij Klodel, mbuluar me një shall dhe në një meditim të thellë ashtu si dhe në kokat e murgjëve të spanjollit Zurbaran, apo dhe një portret në gur të Ossipe Zadkin të quajtur « Kokë heroike ». Pra portreti i Omerit mbërthente në vetvete një lloj misteri, një pikëpyetje të madhe të botës, siç e ndjeje dhe në portretin për Sabri Tuçi, një mister që forcohej përmes « clair-obscur » apo raporteve « të ndriçuara e të errta » ngjizur në të.

Kur mbrëmja po afrohej unë u largova nga kjo galeri, nga ky vend kulti, ku vetë artisti përgjërohej me daltën në dorë, si të ishte një vend i shenjtë. Vështrova për herë të fundit portretet, Muharrem Rushitin, doktor Karatziadhis apo Haxhi Zekën etj, dhe pyeta veten se ç’bëjnë portretet kur dera e galerisë mbyllet. Vallë bisedojnë ? Çfarë i lidh mes tyre. Thjesht duart e skulptorit apo diçka më e thellë ? Me siguri fryma, thashë. Janë portrete që frymojnë Në portretin e doktor Karatziadhis kishte një lloj flladi të humanizmit të antikitetit grek dhe epokës homerike. Dhe në fakt, tek ndahesha me skulptorin, duke biseduar për Rodenin dhe mjeshtërit e parapëlqyer të tij (ashtu si dhe profesoret e Institutit të Arteve A. Mano, H. Dule apo M. Dhrami) e pyeta se çfarë i bënte përshtypje tek ky mjeshtër i madh i skulpturës botërore. Dhe ai mu përgjegj shpejt dhe me një fjalë : Fryma ! 

U largova në mbrëmjen që po binte ndërsa dielli po shuhej thellë në det duke menduar përsëri se është arti që i bën të frymojnë idhujt e historisë edhe pas vdekjes së tyre.

Filed Under: Opinion

IBRAHIM RUGOVA MIDIS REALITETIT DHE IKONËS

January 22, 2025 by s p

Nga Jusuf Buxhovi/

Historia nuk do të ishte histori po qe se nuk do t’i kishte aktorët e saj të përhershëm, të cilët, megjithatë, në të mbesin të prekshëm. I tillë shfaqet edhe dr. Ibrahim Rugova, lideri i lëvizjes së kundërvënies civile ndër më të mëdhatë dhe ndër më të fuqishmet mbi bazat institucionale dhe më vonë edhe president i parë i Kosovës i dalë nga zgjedhjet e lira të mbajtura në vitin 1992. President i Kosovës do të zgjidhet edhe në vitin 1998. Edhe në rrethanat e protektoratit ndërkombëtar, në vitin 2001 dhe 2004 Rugova zgjidhet president i Kosovës. Nuk do të arrijë 17 shkurtin, por askush nuk mund t’ia marrë vendin që i takon në altarin e të merituarve të pavarësisë së saj.

Por, nëse mund të thuhet se Rugova është pjesë e historisë sonë më të re, ka edhe të tillë që nuk pajtohen me kthesën historike që ka sjellë filozofia politike e lëvizjes që ka bërë shkëputjen me komunizmin dhe ideologjinë totalitare dhe njëherësh ia ka hapur rrugën përkatësisë botës perëndimore dhe civilizimit të saj ku edhe gjendemi. Zaten, këtu e kanë burimin edhe thyerjet për dhe kundër Rugovës të cilat mbahen sot e gjithë ditën, që në të vërtetë duhet kuptuar si ndeshje midis pikëpamjeve të së djathtës në njërën anë dhe në tjetrën anë të atyre që vinë nga bindjet majtiste të reinkarnuara edhe me amalgamin religjioz, ku edhe më tutje manifestohen mbetjet e ngarkesave ideologjike, veçmas tek ajo pjesë e shoqërisë që ende nuk është liruar nga mentalitet patriarkale, ku vetëdija folklorike në masë të madhe ushqen prirjet totalitare.

Shikuar nga këndvështrimi historik, këto mbetje edhe janë të arsyeshme nëse kihet parasysh vendosja e diktaturës komuniste, e cila shqiptarëve në të dy anët e kufirit të dhunshëm do t’u vijë nga Lindja, e cila pas Luftës së Dytë Botërore, fuqinë do ta fitojë nga meritat në luftë kundër fashizmit.

Vendosja e sistemit komunist në Shqipëri dhe në Jugosllavi në të njëjtën kohë do të thotë qërim hesapesh me vetëdijen “borgjeze” dhe antikomuniste, viktimë e së cilës do të jetë shtresa e inteligjencies shqiptare me bindje perëndimore, por viktimë tjetër edhe më e madhe do të jetë Partia Nacional-Demokrate Shqiptare NDSH, me orientim antikomunist, ndaj anëtarësisë së të cilës do të zhvillohet një terror i madh ku dënimi me vdekje do t’i gjejë drejtuesit e saj.

Natyrisht, se pos pastrimit sistematik nga vetëdija e NDSH-së, në vitet e para të pasluftës, komunistët jugosllavë dhe ata shqiptarë bashkarisht ndërmorën fushatën për çrrënjosjen e të gjitha vlerave kulturore të përkatësisë perëndimore të botës shqiptare, që nga heqja dhe ndalimi i veprave të Gjergj Fishtës, Lasgush Poradecit, Koliqit dhe të shkrimtarëve të tjerë në mënyrë që t’i hapej rruga edukimit socialist me anën e metodës së socrealizmit, i cili sistematikisht do të pastrojë trurin shqiptar nga “mbetjet” imperialiste dhe reaksionare për t’ua futur ato të “njeriut të ri” të shpërlarë nga vlerat e së kaluarës. Krahas dhunës ideologjike, shqiptarëve të Kosovës dhe të pjesëve të tjera në Maqedoni, Mal të Zi dhe Luginën e Preshevës, do t’u rëndojë edhe shtypja e egër hegjemoniste e Beogradit, e cila deri në vitet e gjashtëdhjeta ishte në përputhje me strategjinë e memorandumeve antishqiptare të akademikëve serbë për shkatërrimin e qenies së tyre etnike.

Edhe përkundër këtyre zhvillimeve me orientime ideologjike, megjithatë nga mesi i viteve gjashtëdhjeta e tutje, në Kosovë, klima liberale politike e cila do të shfaqet pas rrëzimit të Rankoviqit, e cila do të përcillet edhe me ngritjen e autonomisë së Kosovës në shkallën e subjektit të Federatës, do të shfrytëzohet për barazi me të tjerët po edhe për kthimin kah vlerat e civilizimit perëndimor. Ky ndryshim shoqëror do të sjellë edhe një ndryshim tjetër të stereotipit të kërkesave të shqiptarëve nga ai i bashkimit me Shqipërinë dhe çlirimit, qoftë edhe nën ombrellën e shtetit stalinist shqiptar, tek barazia me të tjerët në federatën jugosllave, që do të pasqyrohet me kërkesën për Republikën e Kosovës.

Rugova mund të merret ekzemplari tipik i gjeneratës së intelektualëve shqiptarë, të cilët në saje të arsimimit dhe të ngritjes, kanë shënuar kapërcimin nga lirimi i kornizave ideologjike të sistemit kah vlerat e shoqërisë së lirë perëndimore në qendër të të cilave është liria, barazia dhe demokracia perëndimore ku janë parë rrënjët e përbashkëta dhe gjithë ajo që një popull e qet me kujtesë të formuar historike dhe ndërlidhja me të paraqet ardhmëri. Andaj, edhe kërkesa për barazi, e ngritjes së Kosovës në Republikë në demonstratat e vitit 1968 dhe ato të vitit 1981, e parë në kuadër të zhvillimeve progresive të shoqërisë dhe të institucioneve të saj, nuk shfaqej si çështje formale, po pjesë e hapësirës së lirisë dhe të barazisë me të tjerët, ku kornizat ekzistuese të autonomisë, duhej hapur sa më parë, ngaqë ato tashmë ishin bërë të ngushta dhe mund të krijonin edhe ngulfatje madje. Por, meqë për këtë mungonte vullneti i klasës politike shqiptare, do t’u hapet udha kërkesave institucionale dhe jashtinstitucionale në përputhje me përcaktimet civilizuese dhe postulate e saj që ngriheshin mbi barazinë dhe lirinë.

Kur do të shfaqen shenjat e para të krizës Jugosllave dhe do të shihet se klasa politike e Kosovës, nga kompromiset e shumta që kishte bërë nga viti 1981 e tutje për të ruajtur atë që ishte fituar me kushtetutën e vitit 1974 e që realisht nuk mund të mbrohej, nuk do të jetë në gjendje të marrë përsipër fatet e popullit, para intelektualëve të këtij orientimi, që edhe ashtu viteve të fundit kishin bartur gjithë barrën e kundërvënies projektit hegjemonist të intelektualëve serbë nga Memorandumi i Akademisë Serbe i vitit 1986, shtrohej domosdoja e marrjes me politikë si një përgjegjësi historike mbi koncepte dhe ide të qarta, që nuk mund të ishin të tjera pos në frymën e civilizimit perëndimor dhe të pluralizmit politik.

Dhe marrja me politik duhej të kishte një koordinatë të dyfishtë: lirimin nga dhuna e ideologjisë totalitare dhe kërkesën e barazisë, me emërues të përbashkët demokracinë. Këto ishin prioritete, po që e para – lirimi nga dhuna ideologjike, shfaqej si parësore, ngaqë për ata që e dinin se çfarë fatkeqësie i kishte sjellë botës shqiptare ideologjia komuniste dhe përkatësia e dhunshme asaj nga Lufta e Dytë Botërore e tutje, lirimi nga kthetrat e dhunës totalitare dhe të sistemit mbi të cilin qëndronte, paraqiste parakushtin e parë të kapërcimit tonë nga Lindja tek Perëndimi, që të bëhemi pjesë dhe interes perëndimor, e ku pastaj, mund të arrihej edhe barazia e edhe liria.

Sigurisht se këtij përcaktimi, që do të paraqesë pikënisjen e filozofisë politike të programit të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të lëvizjes së cilës do t’i prijë ajo, do t’i vinë në ndihmë zhvillimet pozitive në skenën politike botërore që do të shfaqen pas rrënimit të Murit të Berlinit kur pas bashkimit gjerman do të fillojë të bie perdja e hekurt, pastaj edhe imperia e kuqe sovjetike e bashkë me të edhe bipolariteti blokist dhe konfrontimet ideologjike që për gjysmë shekulli botën e kishin mbajtur në ethët e luftës së ftohtë.

Në këto rrethana, lëvizja shqiptare do të zhvillohej në dy binarë paralelë: fillimisht të shkëputjes nga Serbia me anën e arritjes së plotë të subjektit federativ, me çka do të fitohej edhe e drejta për vetëvendosje deri te shkëputja nga Jugosllavia, dhe në atë të shkëputjes me ideologjinë komuniste.

Si do të shihet ecja nëpër këta binarë paralel nuk do të jetë aspak e lehtë, ngaqë hapte konfrontimin dykrahësh me Serbinë, e cila ishte në vlugun e unitarizmit dhe shumëkush në Jugosllavi priste që nga konflikti serbo-shqiptar të përfitohej që sa më lehtë të liroheshin nga Beogradi, ndërkohë që shqiptarët ishin të vetëdijshëm se ky zhvillim duhej të shkonte kahut të kundërt në drejtim të Kroacisë dhe të Sllovenisë, ku do të prekeshin sferat perëndimore dhe kjo doemos do ta shtynte Perëndimin që të ndërmerreshin masa që Beogradit t’i shkëputej çfarëdo mundësie që si faktor i ri force në Ballkan të rikthente ndikimin rus, pikërisht atë që Moska e kishte humbur në saje të shtrirjes ideologjike.

Por, lëvizja shqiptare, e vetëdijshme se ishte pikërisht kursi antikomunist ai që asaj do t’ia hapte perspektivën historike dhe njëherësh Beogradit do t’ia hiqte çfarëdo mundësie që “stazhin” e dhunshëm komunist të shqiptarëve ta shfrytëzonte për qëllimet e veta, do të përqendrohet tek shkëputja me komunizmin dhe si do të shihet për më pak se tre muaj do të arrijë që në Kosovë komunistët të pësojë disfatën më të madhe, me ç’rast shqiptarët do të dëshmojnë se asnjëherë nuk kanë pas bindje komuniste, por që në atë fatkeqësi kanë qenë të përfshirë dhunshëm. Dhe, njëherësh, do të bëjnë me dije se përcaktimi i tyre është perëndimor pa kurrfarë dilemash dhe hipotekash me të cilat propaganda hegjemoniste serbe ç’prej kohesh ishte munduar ta ngarkojë dhe ta anatemojë herë si “filialë staliniste e Tiranës” e herë si “mbetje e rrezikshme e fundamentalizmit islamik” dhe të ngjashme.

Dhe natyrisht se përcaktimi perëndimor, nënkuptonte edhe sjelljen perëndimore, në përputhje me vlerat civilizuese, ku kërkesa për barazi, liri dhe demokraci shfaqen si të pakapërcyeshme.

Andaj, ishte e pritshme që edhe lëvizja e shqiptarëve për pavarësi të fillonte dhe të mbështetej mbi postulatet e barazisë dhe të demokracisë.

Vënia e Rugovës në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës si lëvizje gjithëpopullore, konceptin programor të mbështetur mbi trekëndëshin strategjik: barazi, demokraci dhe përkatësi perëndimore, do ta kthejë në një filozofi politike, atë të kundërvënies civile, që do të njihet herë si rezistencë paqësore, e herë si pushtet paralel e të ndryshme, por që në të vërtetë ka paraqitur dëshmitë më të mëdha civilizuese shetformuese, me anën e të cilave prania serbe në Kosovë do të reduktohej në atë të pushtuesit ushtarak, ndërkohë që do të ndikohet që agresioni serb dhe lufta që kishte nxitur të anashkalonte sa më shumë që të ishte e mundur Kosovën, edhe pse dihej që ajo një ditë do ta gjente, por që edhe kur kjo të ndodhte atëherë, Serbia të mos ishte ajo e vitit 1990 me miq dhe përkrahës të shumtë, po një monstrum i shkallmuar me hipotekat e xhandarit të Ballkanit dhe aleatit të vetëm të Rusisë, ndaj të cilit pastaj bota do të reagonte për të mbrojtur një popull dhe një lëvizje civilizuese vendi i së cilës ishte në Europë.

Por, ishte koha dhe ishin koniukturat ndërkombëtare ato që Rugovës dhe kursit të kundërvënies civile po i qitnin telashe, meqë lëvizja shqiptare fillimisht ishte e mbikëqyrur nga amerikanët dhe disa nga vendet perëndimore në krye me Gjermaninë, dhe ajo ndiqte të gjitha “këshillat” që i vinin nga Uashingtoni dhe Boni apo edhe Brukseli, të cilat rëndom kërkonin që të evitohej lufta, të evitoheshin konfliktet dhe të pritej.

Slogani dhe më vonë refreni “durim, durim”, që Rugova e përsëriste çdo të premte në konferencat për shtyp, po edhe kudo, njëherësh ishte edhe refren amerikan dhe refren perëndimor që u drejtohej shqiptarëve, që dikur më vonë kishte filluar të keqpërdorej edhe nga Beogradi, i cili “qetësinë” e Kosovës mundohej t’ia atribuonte gjoja lojalitetit ndaj Beogradit, i cili mund të prishej vetëm nga ndonjë kryeneçësi separatiste dhe terrorizëm me prapaskenë fundamentaliste!

Pa hyrë te vlerësimi i sjelljes politike të Rugovës, ku ka se çfarë thuhet, por ato duhet të shikohen nga distanca e duhur kohore dhe në përputhje me dokumentet e shumta arkivore kur shumë prej tyre t’u hiqet embargo, megjithatë duhet ruajtur nga ngatërrim i konceptit të filozofisë politike, çfarë ishte ai i lëvizjes gjithëpopullore të dalë nga programi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, nga sjellja politike, e cila ishte në përputhje të plot me ato që asaj iu imponuan nga jashtë gjatë gjithë kohës sa ajo ishte e mbikëqyrur deri në hollësi, së cilës Rugova iu nënshtrua për vite të tëra, çka nuk ia ul vlerën atij, por përkundrazi e shfaq si politikan i cili e ka ditë fare mirë se çfarë mundet dhe çfarë nuk mundet, se çfarë guxon dhe çfarë nuk guxon, dhe e ka ditur se ana e zgjedhur, ajo e Perëndimit ishte e vetmja që mund të sjellë shpëtim dhe asaj duhej përmbajtur, meqë alternativa tjetër ishte gjenocidi serb.

Këtu, në të vërtetë del në pah se Rugova nuk ka pasur probleme me zbatimin e konceptit të kundërvënies civile me pushtetin paralel dhe institucionet e saj, dhe nuk ka pasur probleme as me blanko besimin ndaj aleatëve perëndimorë në krye me SHBA-të dhe rolin e tyre të madh në këtë zhvillim, por probleme i kanë dalë dhe vazhdojnë t’i dalin me sjelljen ndaj filozofisë politike të tij nga ana e një pjese të mirë të atyre që dikur i kishin takuar, e kishin mbështetur, por që pasi ai të ketë luajtur misionin historik siç ishte shkëputjes nga komunizmi dhe dhënia e dëshmive e përkatësisë civilizimit perëndimor dhe kundërvënia civile me pushtetin paralel, në një kohë kur tashmë ishin përmbushur rrethanat që të kalohej nga kundërvënia civile dhe gjendja e statusquos në atë të rezistencës së armatosur bartës i së cilës do të shfaqet Ushtria Çlirimtare e Kosovës, kishin filluar ta anatemonin lëvizjen së cilës i kishin takuar për vite të tëra, anatemë kjo që më pak qet në pah qëndrimin ndaj një individi, qoftë ai i një rëndësie si të Rugovës, e më shumë flet për problemet që ka një shoqëri me vetveten nga shkaku i konvertimeve me anën e të cilave ngatërrohet kompasi i orientimit historik që botës sonë i ka kushtuar aq shumë dhe mund t’i kushtojë edhe me shumë në një të ardhme nëse përkatësinë perëndimore e ngatërron me atë lindore dhe nëse përcaktimin antikomunist e ngatërron me atë ideologjik…

Dhe për fund, për ta ilustruar frikën e reinkarnimit të disa proceseve, gjithsesi se nga kujtesa ime do të thërras në ndihmesë dy shembuj të dy bisedave të bëra me Ibrahim Rugovën në Bon, në dhjetorin e vitit 1995 dhe atë në maj të vitit 1999, të domethënëse për të kuptuar pse Rugova nuk mund të mbetet “i qetë” si pjesë e historisë, ku e ka vendin dhe pa marrë parasysh ato që i përplasen ai mbetet në histori dhe në një farë mënyre konfrontimi me të paraqet mospajtim me ato zhvillime historike dhe proceset nëpër të cilat është kaluar, ku dëshira për t’i rikthyer ato është e dukshme madje.

Si herën e parë, dhe herën e dytë, Rugova do të ketë shqetësimin se lëvizja shtetformuese mund të mos rrumbullakohet në përputhje me filozofinë politike dhe konceptet mbi të cilat është vendosur nga shkaku i dy arsyeve: i koniukturave ndërkombëtare dhe lojërave të tyre në njërën anë dhe në tjetër anë nga mosgatishmëria e shqiptarëve që këtyre proceseve historike – shkëputjes nga komunizmi dhe përkatësisë Perëndimit – t’u përkushtohen sa duhet.

Rreth kësaj të dytës, madje, kishte dyshime se retardimet e vetëdijes totalitare dhe humbja e kompasit midis lindjes dhe perëndimit në dobi të ngatërrimit të së parës, mund të jenë tepër të rrezikshme sa të vihet në sprovë gjithë koncepti i fitores historike të kohës sonë, që për pasojë do të kishte kthimin e saj pikërisht aty ku ishte që nga Kriza Lindor e tutje, për t’u parë në dritën e faktorit negativ të Ballkanit dhe të stabilitetit të saj, pikërisht ashtu siç e kishte dëshiruar Beogradi, i cili aq shumë kishte investuar në të.

Por, t’i kthehem takimit të parë, atij të dhjetorit të vitit 1995 në Petersberg te Bonit, ku pas katër vitesh do të mbahen takimet e Grupit të Kontaktit për Kosovën dhe do t’u jepen edhe parafet e fundit marrëveshjeve të Kumanovës, me anën e të cilave do të bëhet tërheqja e forcave jugosllave nga Kosova, me çka do të krijohen kushtet për futjen e forcave ndërkombëtare të kryesuara nga ato amerikane në përputhje me rezolutën 1244 të OKB-së.

Ditë më parë Rugova kishte ardhur në një vizitë në Gjermani. Zoti Hase, nga Ministria e Jashtme më njoftoi se Rugova ishte pritur në Ministrinë e Jashtme zyrtarisht nga ministri Kinkel. Tha se për dy ditë lideri i shqiptarëve të Kosovës, i vendosur në rezidencën qeveritare në Petersberg të Bonit, ishte mysafir i qeverisë gjermane. Marrja e Rugovës në mbikëqyrje nga qeveria gjermane pamëdyshje se paraqiste një shkallë tjetër të trajtimit politik të Rugovës nga ana e gjermanëve krahasuar me sjelljen e deriatëhershme që ishte përherë “jozyrtare”. Pas njoftimit zyrtar, Has më ftoi në darkën e përbashkët me Rugovën në Petersberg, që shtronte ministria e jashtme.

Sinqerisht i gëzohesha takimit me Rugovën, jo pse nuk e kisha takuar prej më shumë se dy vitesh, me rastin e largimit në Gjermani dhe aty personalisht ia kisha shpjeguar arsyet e këtij veprimi, po pse ndjeja nevojë për një shfrim intelektual të tillë, që aty më mungonte në ato rrethana shtresimi të madh profesional. Në mbrëmje, në orën 20 do të ngjitem në majën e Petersbergut, dhe në verandën e madhe të kthyer me shikim nga Rajna dhe Bad Godesbergu, takova Rugovën e qetë dhe të mendueshëm, siç e kisha lënë në zyrën e tymosur të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Nuk patëm mundësi të çmalleshim gjithaq meqë pas pak do të vijë nikoqiri, Hase me një bashkëpunëtor dhe edhe Bujar Bukoshi, me të cilin Rugova do të përshëndetet ftohtas pa luajtur nga vendi fare. Ishte e qartë se takimi i tyre thuajse i detyrueshëm ishte bërë nga Ministria e Jashtme gjermane, dhe ata kishin pasur arsye për një gjë të tillë.

Darka kaloi në një atmosferë të ftohtë, me ndonjë ndërhyrje të lehtë të zyrtarit të lartë gjerman rreth shijes së verës, apo panoramës së Rajnës e mbërthyer nga dritat që e përshkonin, e cila nga ajo pikë dukej impozante. Ndërkohë që Rugova ia kthente me ndonjë përshtypje nga panoramat e Senës së Parisit natën. Herë pas herë Rugova ma shtronte ndonjë pyetje rreth krijimtarisë letrare, që thoshte se duhej ta vazhdoja, duke e ndërlidhur shkëputshëm me ndonjë përshtypje nga romani im “Prapë vdekja” (ato ditë i ishte ndarë çmimi vjetor i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës), që thoshte se pjesa e dytë dhe e tretë i kishte lënë përshtypje dhe fliste se një ditë, kur të gjente kohë, do të shkruante një studim pak më të gjerë, siç kishte vepruar edhe me romanin “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”.

Pas nja dy orësh darka kishte kaluar dhe në ishim ndarë ftohta me përshtypjen e ndërsjellë se ajo ndoshta as që ia kishte vleftë, sepse kishte shpërfillur përfytyrimin e atyre që midis nesh, qoftë si kujtime duhej të ruheshin të paprekura. Por, diku nga mesnata do të bjerë telefoni dhe nga ana tjetër e kufjes do të dëgjoj zërin e Rugovës. Më tha se po të kisha mundësi do ta vazhdonim takimin.

“Ka edhe pak verë të mirë këtu që nuk ka mbaruar”, foli si me mahi.

Pas gjysmë ore takova Rugovën që po më priste në verandën e madhe ku darkuam. Tha se mirë ishte të kalonim në pjesën tjetër, por pas pak ndërroi mendjen dhe u vendosëm aty ku ishim. Me të shpejtë hetova një njeri tjetër. Të tillë siç e mbaja mend nga bisedat që herë pas herë bënim te “Eni” i Neshetit kur ai mbyllte lokalin në orët e vona të natës dhe ne mbeteshim vetëm aty deri në orët e hershme të mëngjesit.

Nisi të fliste me shqetësim dhe ndrojtje rreth Dejtonit. Duket se këtë e kishte edhe nga biseda që kishte pasur atë ditë me Kinkelin në Ministrinë e Jashtme dhe kisha informata se si ministri i jashtëm gjerman i kishte thënë se edhe më tutje duhej të vazhdonte kursin e rezistencës civile, por që ia kishte bërë me dije se duhej të ishte i gatshëm për biseda të drejtpërdrejta me Beogradin rreth zgjidhjes së problemeve që kishin, por Rugova ia kishte kthyer se nuk mund të kishte biseda për çështje problemesh, por rreth ndarjes përfundimtare nga Serbia në përputhje me vullnetin politik të shprehur të popullit të Kosovës që nga dy korriku, kushtetuta e Kaçanikut, referendumin për pavarësi dhe të tjerat. Madje, Rugova i kishte thënë ministrit gjerman se edhe po qe se do të detyrohej të hynte në bisedime me Beogradin, do të bisedohej për statusin, ku garant do të ishte faktori ndërkombëtar e assesi ndryshe. Meqë Kinkeli i kishte thënë se vullneti i shprehur i shqiptarëve ishte një dhe koniukturat ndërkombëtare diç tjetër, që kurrë s’u dihet, por aty është fjala e fundit, shihej qartë se Rugova edhe më tutje nuk ishte liruar nga trysnia e atyre që kishte dëgjuar nga ministri i jashtëm gjerman. Haptas tha se druante se mund të mbeteshim viktima të disa hesapeve nga shkaku se Perëndimi edhe më tutje dëshironte ta mbante Serbinë partner të rëndësishëm rajonal. Brengosej pra se premtimet që i ishin dhënë popullit të Kosovës se kishim amerikanët me vete dhe Perëndimin, mund të dukeshin vetëm premtime.

Nuk dija se çfarë t’i thosha tjetër pos të shtoja se përkundër asaj që ishte arritur në Dejton, megjithatë nuk kishte përfunduar drama e Ballkanit. Sepse, edhe më parë kishte pasur marrëveshje, por ato shpejt kishin rënë në ujë.

“Nuk ma thotë mendja se amerikanët mbesin në gjysmë të rrugës. Ata kanë interesa gjeopolitike dhe gjeostrategjike në Ballkan, ku faktori shqiptar luan rol”.

Ia përkujtova ato që senatori Robert Dol na i kishte thënë në prillin e vitit 1990 në Uashington kur na kishte ulur bashkarisht me Qosiqin dhe, pas asaj bisedë, i fascinuar, kishte zënë ngojë kunjat e mëdhenj që lëviznin botën…

Edhe pse Rugova i dinte këto dhe ishte shumë mirë i informuar nga të gjitha anët, megjithatë ishte njëfarë rënie depresive e çastit që e kishte mbërthyer aty ku njeriu duket si pikë e vogël uji në detin e madh. Pas pak kjo edhe do të hetohej, kur sërish do t’i kthehet qerja do të thotë se ia kishim dalë të bëhemi interes i Perëndimit. Kjo do të kishte rëndësi që të mos kthehemi më në tutelën e Beogradit. Më përcolli me fjalët, që mezi i thoshte:

“Nuk ka kthim prapa, por ne edhe më tutje do të mbesim peng i sferave të interesit. Sikur i kemi fat?… Megjithatë, duhet bërë çmos që të mbesim në perëndim dhe jo në lindje”.

Edhe takimi i dytë dhe i fundit që do ta kemi, në maj të vitit 1999 në Bon, filloi ftohtas në një pasdite kur do t’i drejtohem hotelit “Kënigshof” skaj Rajnës, ku ishte vendosur pas largimit nga Roma, për të vazhduar pas gjysmës së natës, kur do të më drejtohej me telefon që të bisedonim paksa, siç kishte kërkuar para katër vitesh nga rezidenca e qeverisë në Petersberg skaj Bonit dhe kokën e kishte me brengat e të panjohurave të Dejtonit.

Në të vërtetë, gjatë takimit të pasdites, ne kishim pirë kafe në terasën e rrethuar me xhama skaj Rajnës dhe ai kishte bërë përpjekje që disi t’i ikte tollovisë që e ndiqte nga prania e madhe e atyre që kishte me vete dhe e vizitorëve të shumtë që pareshtur vinin nga të gjitha anët e Gjermanisë dhe dëshironin ta takonin. Dhe kjo si duket e kishte lodhur po edhe bezdisur si shumë. Këtë ma tha sapo u takuam dhe vazhduam të bisedonim nga pjesa e djathtë e barit që shikonte pjesën e Rajnës në drejtim të Bad Godesbergut, ku pirgu i ndriçuar i kullës së kështjellës, dukej si mrekullitë e Babilonit.

Ky takim, megjithatë, ishte tjetër nga ai i Petersbergut, ngaqë Rugova kishte kaluar nëpër shumë sfida, ndër të cilat më e vështira pa mëdyshje ishte ajo e Beogradit, kur për disa ditë ishte mbajtur peng i Millosheviqit, dhe ai ishte munduar ta shfrytëzonte për qëllime të caktuara politike, por qe te një pjesë e liderëve zyrtarë në Shqipëri dhe nga disa nga oponentët e tij politikë në Kosovë ishte ngarkuar me anatemën e “tradhtarit” pa përjashtuar edhe atë të “kuislingut”, të mveshur nga një shkrimtar – bashkëpunëtorë i tij i afërm nga koha e themelimit të LDK-së. Ndaj, prisja që biseda jonë të niste nga shfrimi i asaj barre të rëndë. Por, para se të ndodhte ky shfrim i gjatë, i paraparë të trajtohet në mënyrë komplekse në një botim të veçantë, në një si uvertyre, zuri frikën nga reinkarnimi ideologjik i vetëdijes totalitare.

“I druaj hakmarrjes komuniste”, tha me një shqetësim të thellë.

Ia ktheva se nuk mund të çrrënjosen bindjet totalitare. Ato preokupojnë shpirtin dhe mendjen njësoj.

Por, prapë përmendi hakmarrjen komuniste, dhe si për çudit, kaloi te Xhojsi dhe Uliksi i famshëm, i cili shumë herë na kishte ardhur në ndihmë gjatë bisedave me diplomatët e huaj. Mendja ma tha se ky do të ishte një shkas të ndërronim temën e rëndë, po ai prapë e ktheu tek hakmarrja dhe frika prej saj. Më pyeti se a e dija pse Xhojsi nuk kishte dashur të vdiste në Dublin?

Edhe pse e dija se ishte njëfarë paranoje së cilës ai kohëve të fundit i ishte nënshtruar kur kishte vendosur që të mbetej në Paris dhe aty të vdesë, përgjigjes i bishtnova me atë që thashë se Parisi mund ta kishte fascinuar siç ka fascinuar gjithë botën.

“Ku ka më mirë se të vdiset në Paris”, fola pak si me shaka.

“Ka!” m’u drejtua me një zë tejet tingëllues. “Vdekja më e mirë është në Dublin!”

Pas pak midis nesh mbërtheu një heshtje shurdhe. Hetova se ishte në një gjendje të rëndë, por që kishte nevojë prej saj disi të lirohej. Kishte nevojë të fliste me dike nga shpirti. I thashë se mund të vdisej edhe në Dublin. Pse jo?…

“Në Dublin është madhështi të vdiset, por është mallkim të vritesh… Nuk e dua vrasjen në Dublin…”

“Kush do ta donte…?”

“Xhojsi kishte hallin e mallkimit irlandez. Kësaj i frikësohej…”

(Shkëputje nga libri “Kthesa historike” 1- Vitet e Gjermanisë dhe epoka e LDKs-ë, 2008).

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 57
  • 58
  • 59
  • 60
  • 61
  • …
  • 864
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!
  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT