• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LULZIM BASHA, PRURJE EURO-ATLANTIKE

June 5, 2014 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/
1.Kryeherët, qyshse në vitet ’90, Lulzim Basha, asokohe gjimnazist i “Sami Frashërit” në Tiranë, mori pjesë në manifestime, protesta e veprimtari të Partisë Demokratike me devizën “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, etj.. Ai do të ishte dhe me mandatin e vëzhguesit të saj në zgjedhjet e 22 marsit 1992.
Kjo kohë e fillimeve demokratike shenjon edhe fillesat e autobiografisë politike të Lulzim Bashës në PD e në politikën e madhe të kohës panshqiptare.
U rrit politikisht në moshë e karierë në kohën e demokracisë në Shqipëri, Hollandë e Kosovë. U rrit sëbashku me partinë e tij, Partinë Demokratike, prej nga simpatizant, veprimtar e antar i saj dhe deri në kryetar i saj i sotëm.
Lider i themeleve të PD, lider i themeltë i saj.
2.
Politikani i ri Lulzim Basha është diplomuar (1993-‘99) në të Drejtën Europiane dhe Ndërkombëtare në Universitetin 379 vjeçar të Utrechtit, ma i madhi në Hollandë e i klasifikuar një ndër 50 universitetet ma të mira të botës.
Pra, përveçohet si i vetmi lider i derisotëm i një partie politike shqiptare që i ka nis e krye studimet e larta universitare në Perëndim.
Jo vetëm kaq. Edhe bashkëshortja e tij, Aurela Basha, është diplomuar për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin e Utrechtit dhe ka një MBA nga Universiteti i Amsterdamit në kryeqytetin hollandez.
Një shembull të tillë, si ky i çiftit bashkëshortor Basha, të universitaruar në Perëndim, nuk e kemi në asnjë rast tjetër në historinë politike shqiptare, ndër gjithë liderët liderët politik partiak shqiptar.
Të dy sëbashku, Lulzim Basha e Aurela Basha, me shkollimin e tyre universitar në një nga vendet perëndimore ma demokratike të botës, si raste të përveçëm, si brumim, rrezatim, realizim, përbajnë sot një model emblematik, si të thuash, një “institucion” pro perëndimor më vete, në përkushtim të kohës demokratike, drejt të ardhmes euro-atlantike.
3.
Si asnjë tjetër politikan kryepartiak shqiptar i derisotëm, Lulzim Basha, vjen në politikën zyrtare të Shqipërisë Londineze me një karierë të shumfishtë mbi pesëvjeçare (1999-2004) në institucionet ndërkombëtare.
Fillimisht, ky euro-atlantik, punoi për Gjykatën Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi, për Gjykatën e Hagës, ku përgatiti akt-akuzën për krime lufte ndaj Sllobodan Millosheviçit. Pastaj, këshilltar ligjor i Misionit UNMIK të OKB-së, një nga shtyllat e ndërtimit të shtetit të ri të Kosovës euro-atlantike. Njëkohësisht, ndihmoi në krijimin e Ministrisë së Drejtësisë në Kosovë.
Kjo udhë drejt Perëndimit euro-atlantik, CV e tij elitare, janë përvojë e trashëgimi e thesartë, jo vetëm për Lulzim Bashën 40 vjeçar (12 qershor 1974), po edhe për Partinë Demokratike, janë edhe pjesë e strategjisë për ta promovuar liderin e vet si kryeministrër i ardhshëm i Shqipërisë.
4.
Lulzim Basha ka ardhë në politikën zyrtare të Tiranës si një prurje euro-atlantike risore, meritore, aktive, cilësore, si një frymë e re në PD e politikën panshqiptare.
Si i tillë ai kreu detyrën e Kordinatorit të Komitetit të Orientimit të Politikave (KOP), që ishte shtysë efektive e lartësim elektoral i fitores së PD-së më 2005. Njëherash ishte edhe Zëdhës i Fushatës Zgjedhore të PD më 20015. Kandidat për deputet i PD në Tiranë. Sigurisht, afirmativ e përballës me të majtën e figura politike të saj në debate televizive të Elektoriadës 2005.

5.
Ndryshe nga të gjithë ministrat e PD-së në katër mandatet qeverisëse të PD-së (me koalicionet e saj), Lulzim Basha ka sjell gjithato prurje euro-atlantike e shënon plot arritje euro-atlantike. Si ministër i Transporteve ishte përballës politik, nismëtar i flaktë e në disa menaxher i talentuar i Rrugës së Kombit (Autostrada Durrës-Kukës) për integrim me Kosovën shqiptare, i Tunelit të Krrabës të lidhjes së Tiranës me Elbasanin e Shqiptarët e Shkupit Dardan, etj. Si ministër i Punëve të Jashtme u zgjodh në një kohë kur për herë të parë Shqipërinë e vizitoi një President në detyrë i SHBA-së, Xhorxh W. Bush, në kohën e marrrjes së Ftesës e antarësimit në NATO, Hapja e Negociatave për Liberalizimin e Vizave, përshpejtimit të objektivave për marrjen e Statusit të Vendit Kandidat në BE, për Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës (17 shkurt 2008) e njohjet ndërkombëtare të saj, etj. Si ministër i Brendshëm (2009-2011) kur Shqipëria përmbushi të gjitha kushtet teknike për liberalizimin e vizave me vendet e Bashkimit Europian, etj.
Tash tre vite kryebashkiak i metropolit shqiptar (2011-’14) po punon me përkushtim, projekte transformuese e realitete ndryshuese për ta kthyer Tiranën në një qytet modern dhe europian.
6.
Kryetari aktual i PD-së, euro-atlantiku Lulzim Basha, i zgjedhur në korrik 2013, në ma të parën garë në kit’ parti sipas parimit “1 antar – 1 votë” mori mbi 80 për qind të votave në elektoriadën partiake. Ky është një mandat i fuqishëm për sipërmarrje politike prej tij për t’u dhënë shqiptarëve jo vetëm një opozitë të forte, krijuese dhe të vendosur, në mbrojtje të interesave të tyre por për t’i dhënë vendit alternativën e shpresës dhe forcën ta mbyllë trazicionin, pas përballjes me qeverinë e veseve të vjetra Rama-Meta. Ndoshta për ka kryer në kohë e lartësi kit’ mision duhet që Basha të mos kandidojë për një mandat të dytë në krye të Bashkisë së Tiranës, po të jetë tërësisht e krejtësisht në krye të PD-së.
Ndoshta duhet një organizim anglo-sakson i PD-së. Puna ka nisur…me antarësinë, themelin e partisë. Pastaj vijnë zgjedhjet për kryetarët lokal të saj. Kjo është si të thuash “çatia”. Në kit’ rrugëtim Basha po mbështetet fort tek vizioni, kurajo dhe qëndresa historike e themeluesve, tek energjia e pamatë e anëtarëve dhe militantëve ndër vite, tek pasuria e paçmueshme e vlerave të lidershipit historik të Sali Berishës.
7.
Kauza e Orientimit Pro Perëndimor të Shqipërisë është rrugëtim i gjatë historik, në gjithato stacione të historisë. Para 800 vitesh e patën si dukuri e praktikë Dinastia Progoni e shtetit të Arbrit. Ma i pari si e ktheu në platformë politike e shtetërore ishte Skënderbeu, Heroi ynë Kombëtar. Shqipëria është një vend i sponzorizuar shpeshtas e efektshëm kundër kuazave të tilla të mëdha, të shenjta, siç ishte ”Kauza Enveriadë” e Orientimit Pro Lindor të Shqipërisë, e cila po shfaqet sot egërsisht me promovimin e figurës së Enver Hoxhës, strukturave të tij të shumfishta e në brezni bio-politike.
Kam shfletuar gjithë shtypin shqiptar të Tiranës (janar 1988-dhjetor 1990) e kurrkush nga figurat e shtetit shqiptar në këto tri vite të fundit të sundimit komunist nuk kishte kritika e sulme ndaj Amerikës, përveçse vejusha e Enverit, Nexhmija Hoxha, e cila në Kongresin e VI-të të Frontit Demokratik të Shqipërisë (Qershor, 1989) i turrej sikurse i shoqi i vet në gjallje të tij. Përpjekjet e mazhorancës së sotme qeverisëse për rivlerësimin e rikthimin e figurës së E.Hoxhës në teskte shkollore, në përmendore, në tubime, etj. janë largim nga Orientimi Pro Perëndimor i Shqipërisë.
Tri ngjarjet antikombëtare të 1 qershorit 2014 në mes të Tiranës, dëshmojnë për sponsorizimin kundër Orientimit tonë Pro Perëndimor, kundër marrëdhanieve të mira me SHBA, kundër PD si alternativë e vendit e shpresë për shqiptarët, etj. E para, kryepeshkopi i Serbisë, Irinej, deklaroi: “Kosova dhe Metohija për ne serbët është pjesa më e shenjtë…”. E dyta, u ngrit para Katedrales Ortodokse nga një grup të rinjsh flamuri i Serbisë. E treta, ishte në përurimin e Katedrales Greke edhe ultra nacionalisti grek, Nikolas Geixh, i cili lëshoi thirrjet provokative e të pabaza: ”Himaren ta çlirojmë edhe me armë”?! Tek shprehje e sjellje të tilla gjenden edhe rrënjët e qëndrimeve e protestave antiamerikane në Shqipëri, në një nga vendet ma proamerikane në botë. Këto tre ngjarje kanë ndodh ndërmjet Monumentit të Skënderbeut e Shtatores së Ismail Qemalit, të Adem Jasharit e Hasan Prishtinës, në afri pak metra nga selia e Partisë Socialiste, Ministria e Mbrojtjes e ajo e Brendshme dhe Gjykatës së Lartë.
Lideri euro-atlantik Lulzim Basha, kryetar i PD-së e kryebashkiak i Tiranës, me qytetarinë e tij të lartë e kombëtarizmin e tij të sprovuar, duke u përballë me të tilla raste, fenomene, demonstrime, etj. po ngrihet denjësisht në lartësi epokale të mbrojtjes e lartësimit të kauzës të Orientimit Pro Perëndimor të Shqipërisë. Natyrisht Lulzim Basha është një nga Apostujt e Orientimit Pro Perëndimor të Shqipërisë. Kjo shprehimohet dhe në dekorimin e tij “Qytetar i Lirë i Londrës”, në cilësimet ndaj tij si “Princ i Integrimeve Euro-atlantike”, “Golden Boy i Demokracisë”, “Yll në ngjitje” etj.
Lideri emblematik Lulzim Basha është jo vetëm prurje euro-atlantike për PD, për të Djathtën Shqiptare, për Shqipërinë, për Kombin, po edhe ka sjellë prurje euro-atlantike në zhvillimet kombëtare politike panshqiptare në vitet e demokracisë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Lulzim Basha, PRURJE EURO-ATLANTIKE, Ramiz Lushaj

Hirësia e tij Janullatos, peshkopi serb dhe mungesa e një Kryepeshkopi shqiptar

June 4, 2014 by dgreca

Nga Nga Endrit Topalli*/
Kohët e fundit kemi ndjekur inaugurimin e katedrales tonë “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, ku u nderuam me pjesëmarrjen e klerikëve më të rëndësishëm të fesë Ortodokse. Mirëpo, ato që vazhdojnë të jenë të diskutueshme janë jo vetëm veprimet e Kryepeshkopit të Shqipërisë, por më tepër heshtja e tij. Kemi të bëjmë me një figurë tepër të diskutueshme, i cili, ose nuk e njeh apo nuk e kupton kulturën e historinë e popullit shqiptar, ose nuk i intereson. Pra kemi një person që më shumë i intereson institucioni i Kishës, sesa një mision tolerant, humanitar, fetar apo nxitja e harmonisë e bashkëjetesës fetare. Kjo bazohet në faktet se, Hirësia e tij njihet më shumë për rindërtimin apo restaurimin e kishave e riteve fetare, të cilat qoftë me dashje apo qoftë pa dashje, nuk reflektojnë një identitet shqiptar. Është mëse e qartë sot se Kisha jonë sot nuk ka asgjë të ngjashme me Kishën e Fan Nolit. Pra, mund të themi se nuk është në vazhdimësi të punës së Fan Nolit, por është ndërtuar në imazhin e Hirësisë të tij Anastas Janullatosit. Atëherë, Janullatos nuk mund të njihet për rimëkëmbjen e Kishës Autoqefale Shqiptare, por më tepër për importimin e fesë ortodokse, e cila është shumë e ngjashme me modelin grek. Duam apo nuk duam ta pranojmë ne, elementi grek është shumë i pranishëm në Kishën tonë duke u nisur nga fakti që përveç Janullatosit janë disa peshkopë të tjerë grekë të besuar me punën e trajnimit të peshkopëve shqiptarë. Madje, mund të shkojmë deri atje, ku deri dje ishte një mit i shumë debatuar për meshat në gjuhën greke, të cilat sot vërtetohen me videot e shumta të Kishës Shqiptare në faqet e tyre të YouTube. Gjithashtu, në kremtimin e katedrales në një ditë kaq historike e shumë të rëndësishme për popullin shqiptar ortodoks, Kryepeshkopi Janullatos deklaroi shumë hapur para botës ortodokse se meshat e tij janë në greqisht, por të përkthyera në shqip. Madje, Kisha Shqiptare nuk e fsheh faktin që publikimet e saj bëhen në shqip dhe në greqisht, duke u mbrojtur pas pretekstit se greqishtja është gjuha ndërkombëtare e fesë ortodokse. Çuditërisht, jemi e vetmja kishë që kemi greqishten për gjuhën e dytë (apo të parë). Gjithkush me lidhje interneti mund ta vërtetoj këtë duke parë faqet e internetit të Kishës Maqedonisë, Bullgarisë, Serbisë, Rusisë, etj,.
Për sa i përket komitetit fyes të Hirësisë së tij të Serbisë, Irinej, e vlerësojmë për faktin që sado i shtrembëron faktet historike, e justifikon gjenocidin e popullit shqiptar për mbrojtjen e fesë së tij, qëndron në mbrojtje të kombit e identitetit serb me ndershmëri edhe pse është në konflikt me fjalën e Zotit. Ai foli për kombin e tij. Duhej edhe Hirësia jonë, nëse do të ishte shqiptar e jo grek që ta kundërshtonte homologun e tij serb. Por është grek Janullatus! Ëndërrojmë edhe ne shqiptarët, qoftë myslimanë, krishterë apo të pa fe, që të kemi një Kryepeshkop i cili plotësisht përmbush emërtimin “Kryepeshkopi i Durrësit, Tiranës e i gjithë Shqipërisë”, ku në mënyrë diplomatike të ruhet dinjiteti i kombit shqiptar e të drejtat njerëzore të shqiptarëve, që nga Lugina e Preshevës deri në Prevezë, nga Kumanova deri në Durrës, nga Podgorica deri në Kostur. Por jo një Kryepeshkop që mendon vetëm për një komunitet fetar, duke u treguar atyre një pjesë njerëzore e fetare të tij, ndërsa krijon një kontrast midis ortodokseve e të tjerëve, ku ai qëndron si një figurë e dyshimit e cila cenon kufijtë shqiptarë, po ashtu paqen ndëretnike e fetare mes shqiptarëve. Të theksojmë gjithashtu, se shqiptarët janë në pjesë dërmuese sekular mysliman apo indiferent dhe është kjo pjesë dërmuese e cila është treguar mëse mikpritëse e tolerante ndaj komiteteve minoritare fetare edhe është për tu admiruar e për mirënjohje e jo abuzim. Edhe pse kundra dëshirës tonë, ftoi në Tiranë një person me opinion shoviniste ndaj shqiptarëve, Hirësia e tij Janullatos nuk kishte të bënte aspak me komentet shoviniste të Hirësisë Irinej, apo me flamurin serb që valëvitej në Kishën tonë, nga disa huliganë sikur na kishin pushtuar, e cila qartësisht u bë për provokim, por heshtja e Kryepeshkopit Janullatos flet shumë qartë se ku qëndron ai ndaj nesh e sa besnik është tek ne. Apo ishte ky deklarim i hapur i Kishave Ortodokse për mposhtjen e Kombit Shqiptar?

*President “Albanian Roots”, Michigan

Filed Under: Opinion Tagged With: dhe mungesa e një, Hirësia e tij Janullatos, Kryepeshkopi shqiptar, peshkopi serb

RAMUSH HARADINAJ, PA “100 DITËSHIN E RUZVELTIT”

June 2, 2014 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/
1.
Lideri qytetar i politikës së sotme panshqiptare e ballkanike, Ramush Haradinaj, ky Hero i Kosovës, legjendë e gjallë e Kombit, është gjeneral i luftës së UÇK, po i tillë u tregua edhe në Hagë, e kit’ gradë e ka edhe në politikën e Kosovës, prej kryeherit, prej nga fill vitet ’90 deri në shekullin e ri, XXI, sidomos në detyrën mandat pambaruar të kryeministrit të Kosovës, në drejtimin e AAK-së e në Elektoriadën e 8 Qershorit 2014.
Kur ishte kryeministër me mandat të papërfunduar, kur shkoi në Hagë herën e parë dhe të dytë, kur u kthye në Kosovë, i ka si medalje gjithato vlerësime ndërkombëtare si nga ish ministra të jashtëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Madlen Ollbrajt, i Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe, Robin Kuk etj. Disa herë edhe ish senatori e tani Zëvendës President i ShBA, Joe Biden ka mbajt qëndrime të drejta për mirë ndaj Ramush Haradinaj, edhe kur u thirr në Hagë qyshse herën e parë, edhe kur u lirua i pafajshëm në bankën e nga dyert e saj.
Ai është një politikan i formatit të madh (ndër)kombëtar. Dhjetra qytete në Kosovë, Maqedoni, Shqipëri, etj. e kanë shpallë “Qytetar Nderi” të tyre si Kruja e Skënderbeut, Gjirokastra e Argjirosë, Vlora e Ismail Qemalit, Tropoja e Sali Berishës, etj. Një grup kryengritësish revolucionarë i “Aleanca Forca Demokratike” në Uganda të Afrikës në shkurt 2009 e ka lyp “gjeneralin e politikës” Ramush Haradinaj që të jetë ndërmjetës në bisedime ndërmjet tyre e Qeverisë Ugandase në Kampala.
Ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i deçanas, kryetar i partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe qytetar i lagjes “Arbëria” në Prishtinë, është nga ato personalitete kombëtare, nga ata burrështetas shqiptar, që qëndron në vargni e lartësi nga germa A tek ZH e Lirisë dhe Pavarësisë të Kosovës.

2.
Lideri historik e biblik Ramush Haradinaj ka një mision të pambaruar.
Vetëm 96 ditë ndejti kryeministër i Kosovës.
Nuk e plotësoi as 100-ditëshin e parë të qeverisjes, “100 ditëshin Ruzveltian” të përcaktuar sipas presidentit amerikan Franklin D. Ruzvletit (Ruzvelti i LDB).
Nuk ia mbrrini me e ba bilancin e mirë të punëve të tij si kryeministër.
Nuk pati kohë e mundësi të na e baj publike ai vetë, sepse shkoi vullnetarisht në Hagë, në një mision tjetër për Kosovën e Kombin.
I vetmi kryeministër në botë që e ka krye një akt të tillë, që në kushte të tilla (ndër)kombëtare mbeti pa e përmbushur “100 Ditëshin Ruzveltian”.

3.
Ramush Haradinaj në 8 vite emigrant kryesisht në Zvicër kontribuoi në (i)legalitet me sakrifica në përgaditjet për Luftën e Kosovës, të Maqedonisë e të Preshevës, sëbashku me Ali Ahmetin, Hashim Thaçin, e gjithata të tjerë të diasporës shqiptare.
Ramush Haradinaj ishte nga ata strategë ushtarak që kur drejtonte e luftonte me UÇK-në në Rrafshin e Dukagjinit, në kohë “Betejën e Koshares”- në këtë “Termopile Shqiptare”, i kontribuoi thyerjes më 9 prill 1999, pas një gjysëm shekulli, të kufinit shqiptaro-shqiptar në mes Shqipërisë e Kosovës.
Ramush Haradinaj me 8 vite qëndrestari e apologji në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë, pas dy burgosjeve e gjyqeve të gjata, me lirinë e pafajësinë e tij, u kthye në një tjetër faktor (ndër)kombëtar të çertifikimit të luftës të UÇK-së në Kosovë.
Ramush Haradinaj ka plot një çerek shekulli veprimtari kombëtare politike kontributore meritore në Zvicër e Hagë, në Deçan e Prishtinë, në çdo vis të Kosovës, si edhe në gjithato vise të trojeve etnike shqiptare në Ballkan, në disa diaspora shqiptare në botë, saqë është kthye në një “De Gol Shqiptar”.
Kosova, kombëtarët e saj, politika e saj, ia ka borxh moral, politik, kombëtar Ramush Haradinajt rivazhdimin e mandatit të tij qeverisës si kryeministër i Kosovës, pasi është një nga emblemat kombëtare, politike, ushtarake e shoqërore të Kosovës që në rrugëtimin e tij bashkëkohor burimon energji e vitalitet, prodhon ide, udhëheq veprime, ka plot vizione për të shkrue Alfabetin e tij politik të ndërtimit e zhvillimit të Kosovës së pas Pavarësisë.

Gjakovë, 2 qershor 2014

Filed Under: Opinion Tagged With: DITËSHIN, E RUZVELTIT”, PA “100, Ramiz Lushaj, Ramush Haradinaj

“Të gjallë dhe të vdekur”

June 2, 2014 by dgreca

Shenime kritike per romanin e Nasi Leres/
Nga Gezim Halilaj/
Kohët e fundit më ra në dorë përmes një mikut tim që ishte në Tiranë romani i fundit i Nasi Lerës “Të gjallë e të vdekur”, botuar nga Shtëpia Botuese “Dudaj” në fund të vitit 2013. E lexova me një frymë dhe më lindi dëshira të shkruaj diçka për të. Nuk pretendoj të shkruaj një kritikë të mirëfilltë, sepse unë kam 17 vjet që jetoj në Nju Jork dhe nuk kam pasur mundësi ta ndjek krijimtarinë e N. Lerës pas vendosjes së demokracisë në Shqipëri (ndonëse vetëm emigrantët mund ta kuptojnë tamam luftën e vështirë për mbijetesë në një vend të huaj). Tani kam nja një vit që kam dalë në pension, ndaj kam kohë të lirë të mjaftueshme për të shkruar diçka për letërsinë. Siç mora vesh nga informacioni i dhënë në kopertinën e librit nga poeti Rudolf Marku, ky qenka romani i tij i dhjetë, dhe do të duhej ta vleresoja në raport me romanet e tjerë të tij , si dhe në raport me romanet e tjera të shkrimtarëve bashkëkohore shqiptarë.
Sidoqoftë, rreth 40 vjet më parë, kur isha redaktor në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri” unë i kam redaktuar Nasit dy vëllime me tregime, “Era e pishave” dhe “Nisemi, djema”, dhe e njoh mirë qysh atëherë talentin e tij si tregimtar, sidomos stilin e tij lirik, me kadenca poetike. I kam lexuar edhe vëllimet e tij të mëvonshme “Ditë nga ky shekull” dhe “Sytë e dashurisë”. Tipari kryesor i krijimeve të tij është konflikti psikologjik midis njeriut të mirë dhe atij të lig, midis së mirës e së keqes, dhe ndjenja e trishtimit që virtyti mezi fiton mbi vesin, bile nganjeherë edhe dështon. Megjithate, në to nuk mbizotëron pesimizmi, por optimizmi se njerezit dhe marredhëniet shoqërore, ndonëse mengadalë, synojnë të bëhen më të mira dhe më humane.
Këto tipare të krijimtarisë së Nasi Lerës vihen re edhe në romanin e tij të fundit. Këtu autori trajton temën e dashurisë për atdheun në kushtet kur në Shqipëri po ndërtohen me shumë vështirësi marrëdhenie të reja shoqërore pas përmbysjes së komunizmit. Nëpërmjet marrëdhënieve emocionuese të Aranit Gusmarit me nipin të tij të vogël Tedin dhe nëpërmjet tërë fabulës së romanit autori ka arritur me sukses të zbërthejë që dashuria për atdheun shprehet përmes dashurisë për familjen, për të afërmit e bile edhe për të njohurit e rastit; ajo shprehet në mallin për vendet me të cilat lidhen kujtimë të paharruara nga jeta e rinisë dhe në respektin për varret e të parëve. “Kujtesa fillon nga varret”, mediton Aranit Gusmari në një vend në pjesën e tretë të romanit, duke nënkuptuar ruajtjen e tyre nga të gjallët. Këto ndjenja që Aranit Gusmari përpiqet me durim e dashuri t’i ushqejë në shpirtin ende fëminor të Tedit duken si jo realiste, si romantike në një ambient shoqëror të ashpër që është i mbushur me ngjarje tragjike, siç është vrasja e Siborës së re e të bukur nga burri i saj emigrant për shkak të tradhëtisë bashkëshortore apo përdhosja e varreve dhe çvarrimi i eshtrave të banorëve autoktone të fshatit K. nga njerëz të paguar nga qarqe shoviniste greke për t’i paraqitur si eshtra të ushtarëve të vrarë grekë gjatë Luftës Italo-Greke e për të realizuar qëllime të mbrapshta politike.
E shoh të nevojshme të nënvizoj këtu se, në funksion të idesë kryesore, autori shtjellon përmes ca episodesh shumë realiste dy probleme kryesore të shoqërisë së sotme shqiptare: plagën e emigracionit masiv dhe marrëdheniet e fqinjësisë me grekët.
Emigracioni, sugjeron autori, po i rrënon qytetet e periferisë e sidomos fshatrat e thella. Janë shumë të trishtueshme tablotë e fshatrave të braktisur, ku rrojnë vetëm ca pleq me një këmbë në varr, që mbahen aty me shpirt ndër dhëmbë. Sa mallëngjyes është episodi me fshatarin Ndreko, që rri në majë të çatisë me orë të tëra dhe pret me durim me dylbi në sy që të kthehen dy pëllumbat, që do t’i sjellin lajm nga i biri nëse mbërriti mirë në Selanik. E vetmja shpresë e këtyre pleqve të paepur për të mos u shkulur nga vendlindja është mbajtja dhe kujdesi për nipërit dhe mbesat e vegjël, që trashëgojnë nga fëmijët e rritur që punojnë në emigracion për të nxjerrë bukën e gojës për vete dhe për pleqtë e mbetur në fshat. Copëtimi i familjes dhe konfliktet tragjike eventuale, si ai që përmendëm më parë për Siborën e pandershme, janë rrjedhime logjike e të paevitueshme të emigracionit. Gjithashtu, me keqardhje përshkruhet prishja e karakterit të njerëzve të thjeshtë, si varrmihësit, që nuk çajnë kokë për moral e patriotizëm, po duan si të përfitojnë sa më shumë nga jeta e shthurur ekonomike e sociale. Meqë e kemi fjalën këtu, do të desha t’i sugjeroja autorit që episodet që përshkruhen në kapitujt 19 dhe 20 me prostitutat në motelin anës pyllit nuk lidhen organikisht me fabulën e romanit. Ata ndërthuren me fabulën vetëm në mënyrë fare tangeciale dhe ndjehen të tepërt.
Sa për marrëdheniet me grekët, në roman përshkruhen ca episode shumë realiste të ndihmës dhe trajtimit tepër human që u kane bërë fshatarët e varfër shqiptarë ushtarëve grekë të vrarë apo plagosur gjatë Luftës Italo-Greke. Ideja që rrjedh natyrshëm nga ato episode është se populli shqiptar është një popull paqësor e human dhe nuk e meriton qëndrimin racist, të përbuzur e poshtërues të opinionit grek të ushqyer me paragjykime e gënjeshtra nga qarqe politike shoviniste.
Autori i ka skalitur bukur, me detaje të gjalla figurat e personazheve kryesore, si Aranit Gusmari dhe Tedi, ndonëse, për mendimin tim, figurën e Tedit mund ta kishte plotesuar më mirë me fakte konkrete pse po rritej jetim nga gjyshërit, nga se kishte vdekur i ati dhe ç’kishte ndodhur me të ëmën. Personazhe të tjerë që të mbeten në mendje jane edhe Simoni, bashkëmoshatari i porsanjohur i Tedit, djalë kureshtar e i shkathët, Skuthi, organizatori intrigant e cinik i çvarrimeve, dhe Llikoja, inxhinieri i pyjeve, që rrëfen me aq kolorit histori interesante të kohës dhe që ritregon me realizëm të thellë episode nga Lufta Italo-Greke, sidoqë nganjeherë më duket se autorit i shpëton të ruajë konseguencen e ritregimit me tregimin në vetën e parë, sikur Llikoja të ketë qenë dëshmitar okular i ngjarjeve të luftës.
Siç e përmenda edhe në fillim të këtij shkrimi, trishtimi për njerëzit e ligj dhe për gjërat e këqija të jetës shqiptare të kohës përshkon tërë romanin e ri të Nasi Lerës. Por ky trishtim nuk është fatalist, dëshpërues. Krahas tij ndjehet shpresa dhe besimi se njerëz si Aranit Gusmari po punojnë çdo ditë që ta mbajnë gjallë dashurinë për atdhenë te brezi më i ri dhe se ky vend i vuajtur nuk do të humbasë, po do të përparojë e do të mbetet vital.

Gezim Halilaj
Kuins, Nju Jork

Filed Under: Opinion Tagged With: “Të gjallë, dhe të vdekur”, Gezim Halilaj

Gabuat rëndë, z. Kryeministër!

June 2, 2014 by dgreca

Nuk duhej t’a kishe ftuar kurr se si Kryepeshkopin serb Irinej në Tiranë – Ftesa e juaj edhe për Kryepeshkopin serb Irinejt në Tiranë, nuk është gjë tjetër përveçse, edhe një “nënshtrim dhe mosrespektim i vetvetes”/
Nga Beqir SINA/
BENSONHURST BROOKLYN NY : Asnjëher, në jetën time, nga vet edukata familjare, nuk kam qenë duke urryer ose kundër feve të tjera. Bile i kam dashur dhe respektuar, njësojë si fenë time, edhe ato të krishtera. Edhe, tani këtu në botën e lirë, edhe fetë e tjera. Sa për shembull mund të them edhe kur u zhvillua protesta kundër Fortlumturisë së Tij Ansatasios Janullatosit, në New York, unë isha për shumë arsye kundra mbajtjes së saj – Andaj nuk u pajtova me kokofoninë e disa komenteve profane, që u shkruan duke sulmuar Fortlumturinë e Tij Ansatasios Janullatosit.
Duke i quajtur disa sulme(kuptohet se jo të gjitha – dhe të gjithë ata që shkruan komente) si në kohën e aksioneve për prishjen e kishave dhe xhamive në Shqipëri, në kohën e komunizmit. Pikërishtë, kur vjen fjala për ata që po shkruanin për Kishën e Autoqefale Shqiptare, dhe për fenë – tani, rezultonte se pjesa m?7 e madhe e tyre(pra jo të gjithë se kishte nga ata që u dhimbset feja e nderojnë dhe e respektojnë fenë, por ashtu mendonin) ishin po ata që u vunë krye të rinisë revulocionare, së asaj kohe, Atyre të rinjëve që i vunë kazmën fesë dhe bënin thirrje “ta shkullim nga rrënjët fenë”, qeshnin e talleshin me priftërinjët e hoxhallarët, kur i nxorrën në rrugë.
E bëra këtë hyrje, duke iu referuar rastit më të fundit – që ka lidhje me fenë tonë si shqiptarë, bashkëjetesën fetare, pra që nuk reagojmë dhe nuk sulmojmë si fetar pavarësisht se kujt feje i përkasim. Por ajo që më bënë të reagojë, dhe, që më ka indinjuar dhe shkatuar një dhimbje të madhe, është që Kryeministri i Shqipërisë, megjithë kundërshtinë dhe thirrjet e mëparshme, për të mos ftuar në Tiranë, Kryepeshkopin serb Irinej e ftoi në dje në Ceremonin e shenjtërimit të Katedrales ”Ngjallja e Krishtit” në Tiranë.
Dhe, më qesharakja ose edhe një tallje tjetër me ndjenjat e shqiptarëve tani, simbas mendimit tim, janë zëdhënsia tij Top Chanell (e Sokol Ballës) me në krye TemA-n ( e Mero Bazes) kur për të mbuluar si i themi ne shqiptarët “Diellin me shoshë” sthonë se :”Rama e sulmoi ashpër serbin Irinej: duke i thënë atij (mbas krahëve) “Abuzove me mikpritjen tonë (dhe bojkoton darkën e Kishës Ortodokse)”
Mirëpo, do të kisha besuar të gjitha pra edhe djallit – po qe se nuk do të ishte Kryeministri i Shqipërisë, ai që e ftoi dhe nuk e dinte se kush është Kryepeshkopi serb Irinej dhe kurioziteti më shtynë të dijë” se çfarë priste dhe pret Edi Rama nga Irinej …..?”
Zoti Kryeministër ! Ftesa e juaj edhe për Kryepeshkopin serb Irinejt në Tiranë, nuk është gjë tjetër përveçse, edhe një “nënshtrim dhe mosrespektim i shqiptarëve”
Ngaqë, Ceremonia e shenjtërimit të Katedrales ”Ngjallja e Krishtit” në Tiranë dhe prania e kryepeshkopit serb Irinej në këtë eveniment gjestet e shëmtuara që pamë në ekran – ngritja e simbolit serb të tre-gishtave dhe flamurit serb në mes të Tiranës, sjellë më shumë iiritim, pakënaqësira, mbasi ajo tano do të hapi plagët e dhimbjes dhe ngacmoi rëndë zemrat e gjithë popullit shqiptarë, si në Kosovë, apo edhe viset shqiptare deri në diasporë.
Si Kryeministri i Shqipërisë, Zoti Rama ju duhet ta dini më parë se kjo vizitë nuk kishte të bënte aspak fare as me liri të besimit, as me dialog ndërfetar e as me ndonjë liberalizëm tjetër, tolerancën ose bashkëjetesën tonë fetare e cila është shembull në të gjithë botën si ka thënë edhe vetë Shëjteria e Tij Papa Gjon Pali i II-të .
Mbasi si unë dhe shumica e popullit shqiptar, kudo që janë, në Shqipëri, Kosovë, viset shqiptare dhe disaporë, nuk kemi qenë dhe nuk jemi që të mos jemi bashkë në festa e ceremoni të tilla fetare, Por, kur vjen fjala tek një priftë si Irinej – që është i deklaruar si anti shqiptari më i madh dhe njeriu që ka “predikuar krimin dhe si i mbuluar me petkun e fesë ka bekuar krimet serbe” në Kosovë, jo vetëm gjatë luftës, por dhe mbas saj – “Duke e quajtur Kosovën si Betlehemin e Serbisë dhe se Kosova është djepi i Serbisë”.
Kjo nuk është diçka e re dhe që po e them unë dhe nuk e di apo i ra në sy Kryeministrit të Shqipërisë dhe këshilltarve të tij – kur nisën ftesat – që të mos i “nënshtroshin dhe mosrespektonin të gjithë shqiptarët”. Kë priste Kryeministri Rama, që t’a ndalonte dhe mos t’a ftonte Kryepeshkopin serb Irenej – madje edhe t’a promovonte dhe të bëntë atë intervistë “poshtëruese” në Top Chanell mu në mes të Tiranës. Protestat!
A është kjo RILINDJA sot? e premetuar nga Edi Rama dhe ato 1 milion votat që Kryeministri i Shqipërisë i permend shpesh…..! në Paralment. Zoti Kryeministër! këtu gabove rëndë; “Irinej – nuk duhej të ftohej! në këtë ceremoni në Tiranë, mbasi ajo nuk asnjë lidhje me shenjtërimin e katedrales “Ngjallja e Krishtit”, e cila është një vlerë historike, në jetën shpirtërore të kombit tonë.
Së fundi më duhet të them se jam kundër viizitës së Kryepeshkopit serb Irinej në Tiranë, këtij anti shqiptari të përbetuar, që nuk duhej të ftohej kurrësesi në Tiranë.
Ultranacionalisti Irinej, i ka duart e tij dhe shpirtin e të lyer me gjak shqiptarësh, dhe kurrsesi nuk duhej të ishte ftuar, dhe jo më pastaj të i jepej rëndësi në Top Chanell me deklaratat e tij, që vollën helmë duke e shndërruar këtë ngjarje të madherueshëm hyjnore, në një ftesë dhe “mikëpritje” të turpshëme kombëtare.
Dhe besojë se edhe të gjithë besimtarët ortodoksë shqiptarë, që do të pajtohen me reagimin tim se ftesa për Kryepeshkopin serb Irinej në Tiranë – ishte një gabim i rëndë i Kryeministrit shqiptarë, Edi Rama, pavarësishtë, se tani është bërë “pishman” . Po qe se i besojmë zëdhënsve të tij – dhe TemA-s e Top Chanell se “Rama e sulmoi ashpër serbin Irinej: duke i thënë ati “Abuzove me mikpritjen tonë (dhe bojkotoj darkën e Kishës Ortodokse). Por si do qoftë dua të tehm vetëm se “Gabove – gabove që ftove Kryepeshkopin serb Irinej në Tiranë – është tepër vonë zoti Kryeministër i Shqipërisë!”

Filed Under: Opinion Tagged With: Gabuat rëndë, z. Kryeministër!

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 743
  • 744
  • 745
  • 746
  • 747
  • …
  • 865
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN
  • ÇËSHTJA KOMBËTARE NË POLITIKËN E TIRANËS TË VITIT 1920
  • Në ditëlindjen e Vaçe Zelës, legjendës së gjallë të këngës, zërit që i dha shpirt një epoke
  • 115 vjet nga Kryengritja e Malësisë së Madhe dhe ngritja e flamurit në Deçiq
  • GEORGE POST WHEELER, AMBASADOR I SHBA-SË NË SHQIPËRI (1934) : “SHQIPËRIA DHE BURRAT E SHQIPONJËS…”
  • Përshtypje nga Bashkëbisedimi i AFC-së dhe Mjekëve Gastroenterologë AAGA
  • Një princeshë evropiane përballë traditës shqiptare
  • Arkeologët shqiptarë nën vlerësimin e studiuesit anglez Nicholas Geoffrey Lemprière Hammond
  • E drejta për përdorimin e gjuhës amtare në arsimin e lartë në Maqedoninë e Veriut

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT