Shenime kritike per romanin e Nasi Leres/
Nga Gezim Halilaj/
Kohët e fundit më ra në dorë përmes një mikut tim që ishte në Tiranë romani i fundit i Nasi Lerës “Të gjallë e të vdekur”, botuar nga Shtëpia Botuese “Dudaj” në fund të vitit 2013. E lexova me një frymë dhe më lindi dëshira të shkruaj diçka për të. Nuk pretendoj të shkruaj një kritikë të mirëfilltë, sepse unë kam 17 vjet që jetoj në Nju Jork dhe nuk kam pasur mundësi ta ndjek krijimtarinë e N. Lerës pas vendosjes së demokracisë në Shqipëri (ndonëse vetëm emigrantët mund ta kuptojnë tamam luftën e vështirë për mbijetesë në një vend të huaj). Tani kam nja një vit që kam dalë në pension, ndaj kam kohë të lirë të mjaftueshme për të shkruar diçka për letërsinë. Siç mora vesh nga informacioni i dhënë në kopertinën e librit nga poeti Rudolf Marku, ky qenka romani i tij i dhjetë, dhe do të duhej ta vleresoja në raport me romanet e tjerë të tij , si dhe në raport me romanet e tjera të shkrimtarëve bashkëkohore shqiptarë.
Sidoqoftë, rreth 40 vjet më parë, kur isha redaktor në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri” unë i kam redaktuar Nasit dy vëllime me tregime, “Era e pishave” dhe “Nisemi, djema”, dhe e njoh mirë qysh atëherë talentin e tij si tregimtar, sidomos stilin e tij lirik, me kadenca poetike. I kam lexuar edhe vëllimet e tij të mëvonshme “Ditë nga ky shekull” dhe “Sytë e dashurisë”. Tipari kryesor i krijimeve të tij është konflikti psikologjik midis njeriut të mirë dhe atij të lig, midis së mirës e së keqes, dhe ndjenja e trishtimit që virtyti mezi fiton mbi vesin, bile nganjeherë edhe dështon. Megjithate, në to nuk mbizotëron pesimizmi, por optimizmi se njerezit dhe marredhëniet shoqërore, ndonëse mengadalë, synojnë të bëhen më të mira dhe më humane.
Këto tipare të krijimtarisë së Nasi Lerës vihen re edhe në romanin e tij të fundit. Këtu autori trajton temën e dashurisë për atdheun në kushtet kur në Shqipëri po ndërtohen me shumë vështirësi marrëdhenie të reja shoqërore pas përmbysjes së komunizmit. Nëpërmjet marrëdhënieve emocionuese të Aranit Gusmarit me nipin të tij të vogël Tedin dhe nëpërmjet tërë fabulës së romanit autori ka arritur me sukses të zbërthejë që dashuria për atdheun shprehet përmes dashurisë për familjen, për të afërmit e bile edhe për të njohurit e rastit; ajo shprehet në mallin për vendet me të cilat lidhen kujtimë të paharruara nga jeta e rinisë dhe në respektin për varret e të parëve. “Kujtesa fillon nga varret”, mediton Aranit Gusmari në një vend në pjesën e tretë të romanit, duke nënkuptuar ruajtjen e tyre nga të gjallët. Këto ndjenja që Aranit Gusmari përpiqet me durim e dashuri t’i ushqejë në shpirtin ende fëminor të Tedit duken si jo realiste, si romantike në një ambient shoqëror të ashpër që është i mbushur me ngjarje tragjike, siç është vrasja e Siborës së re e të bukur nga burri i saj emigrant për shkak të tradhëtisë bashkëshortore apo përdhosja e varreve dhe çvarrimi i eshtrave të banorëve autoktone të fshatit K. nga njerëz të paguar nga qarqe shoviniste greke për t’i paraqitur si eshtra të ushtarëve të vrarë grekë gjatë Luftës Italo-Greke e për të realizuar qëllime të mbrapshta politike.
E shoh të nevojshme të nënvizoj këtu se, në funksion të idesë kryesore, autori shtjellon përmes ca episodesh shumë realiste dy probleme kryesore të shoqërisë së sotme shqiptare: plagën e emigracionit masiv dhe marrëdheniet e fqinjësisë me grekët.
Emigracioni, sugjeron autori, po i rrënon qytetet e periferisë e sidomos fshatrat e thella. Janë shumë të trishtueshme tablotë e fshatrave të braktisur, ku rrojnë vetëm ca pleq me një këmbë në varr, që mbahen aty me shpirt ndër dhëmbë. Sa mallëngjyes është episodi me fshatarin Ndreko, që rri në majë të çatisë me orë të tëra dhe pret me durim me dylbi në sy që të kthehen dy pëllumbat, që do t’i sjellin lajm nga i biri nëse mbërriti mirë në Selanik. E vetmja shpresë e këtyre pleqve të paepur për të mos u shkulur nga vendlindja është mbajtja dhe kujdesi për nipërit dhe mbesat e vegjël, që trashëgojnë nga fëmijët e rritur që punojnë në emigracion për të nxjerrë bukën e gojës për vete dhe për pleqtë e mbetur në fshat. Copëtimi i familjes dhe konfliktet tragjike eventuale, si ai që përmendëm më parë për Siborën e pandershme, janë rrjedhime logjike e të paevitueshme të emigracionit. Gjithashtu, me keqardhje përshkruhet prishja e karakterit të njerëzve të thjeshtë, si varrmihësit, që nuk çajnë kokë për moral e patriotizëm, po duan si të përfitojnë sa më shumë nga jeta e shthurur ekonomike e sociale. Meqë e kemi fjalën këtu, do të desha t’i sugjeroja autorit që episodet që përshkruhen në kapitujt 19 dhe 20 me prostitutat në motelin anës pyllit nuk lidhen organikisht me fabulën e romanit. Ata ndërthuren me fabulën vetëm në mënyrë fare tangeciale dhe ndjehen të tepërt.
Sa për marrëdheniet me grekët, në roman përshkruhen ca episode shumë realiste të ndihmës dhe trajtimit tepër human që u kane bërë fshatarët e varfër shqiptarë ushtarëve grekë të vrarë apo plagosur gjatë Luftës Italo-Greke. Ideja që rrjedh natyrshëm nga ato episode është se populli shqiptar është një popull paqësor e human dhe nuk e meriton qëndrimin racist, të përbuzur e poshtërues të opinionit grek të ushqyer me paragjykime e gënjeshtra nga qarqe politike shoviniste.
Autori i ka skalitur bukur, me detaje të gjalla figurat e personazheve kryesore, si Aranit Gusmari dhe Tedi, ndonëse, për mendimin tim, figurën e Tedit mund ta kishte plotesuar më mirë me fakte konkrete pse po rritej jetim nga gjyshërit, nga se kishte vdekur i ati dhe ç’kishte ndodhur me të ëmën. Personazhe të tjerë që të mbeten në mendje jane edhe Simoni, bashkëmoshatari i porsanjohur i Tedit, djalë kureshtar e i shkathët, Skuthi, organizatori intrigant e cinik i çvarrimeve, dhe Llikoja, inxhinieri i pyjeve, që rrëfen me aq kolorit histori interesante të kohës dhe që ritregon me realizëm të thellë episode nga Lufta Italo-Greke, sidoqë nganjeherë më duket se autorit i shpëton të ruajë konseguencen e ritregimit me tregimin në vetën e parë, sikur Llikoja të ketë qenë dëshmitar okular i ngjarjeve të luftës.
Siç e përmenda edhe në fillim të këtij shkrimi, trishtimi për njerëzit e ligj dhe për gjërat e këqija të jetës shqiptare të kohës përshkon tërë romanin e ri të Nasi Lerës. Por ky trishtim nuk është fatalist, dëshpërues. Krahas tij ndjehet shpresa dhe besimi se njerëz si Aranit Gusmari po punojnë çdo ditë që ta mbajnë gjallë dashurinë për atdhenë te brezi më i ri dhe se ky vend i vuajtur nuk do të humbasë, po do të përparojë e do të mbetet vital.
Gezim Halilaj
Kuins, Nju Jork