• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kush e ka më të lehtë të përmirësohet, populli apo politikanët?

November 7, 2013 by dgreca

Shkruan: Faik KRASNIQI/

Po më kujtohet para ca vitesh një intervistë e Florin Krasniqit (pullazgjiu në Amerikë), në emisionin ‘’Rubikon’’ të Adriatik Kelmendit, ku ai e elaboroi mendimin për pushtetarët tanë që janë tani dhe që e bënë luftën. Po i citoj fjalët e Florinit “dukeshin herë-herë të pa mençur të udhëheqin politikën, por kisha menduar gabim sepse ata tërë kohën paskan menduar se si do ta marrin pushtetin dhe të ……” . Unë i bashkëngjitëm këtij mendimi të Florinit, por diçka nuk më lejon që ta besoj këtë duke e ditur për ta bërë luftën duhet të kesh të pjekur patriotizmin në gjak. Disa nga këta burra mund ta kenë pasur atdheun para interesave personale. Por, marrë në përgjithësi, me shtetudhëheqjen dhe me gatishmërinë për të vendosur rregull, rend dhe ligj si dhe të krijojnë siguri dhe optimizëm real për jetë në Kosovën e dashur, ka qenë shumë e vogël për të mos thënë “luftë” në paraqitjen sa më negative.

Është vërtetë për keqardhje, se si munden aq lehtë të jepen pas dukurive të liga (tenderomanisë) burrat që kanë ditur t’ju mbajnë popullatës në Kosovë aq lartë ”moralin” në luftë dhe ta prijnë këtë popull liridashës në beteja të egra.

Si kanë ditur aq mirë ta organizojnë popullin në një kohë lufte e tani janë ngulfatur nga parregullsitë.

Kisha dashur shumë të besoj se këta politikanë ta dënojnë veten para se t’i dënojë populli, në mënyrë që t’ia pranojnë vetes se tyre së pari se duhet t’i kryejnë përgjegjësitë që ju përkasin, nga populli që i kanë marrë, të jenë të gatshëm të bashkëpunojnë me njëri tjetrin, t’i pranojnë këshillat, duhet të mësohemi të themi : Më fal, Nuk di, Ju lutem, etj , etj.

Besoj që Qeverisja e mirë do të bëhet atëherë kur populli do e kupton përfundimisht se ai (populli) duhet të përmirësohet që të zhvillohemi si Shtet, por kjo do të duhet të ndodh para se të përmirësohen liderët tanë.

Për qeverisje të mirë lind pyetja:

Pyetja: Kush e ka më të lehtë të përmirësohet, populli apo politikanët ?

Përgjigjen do ta kuptoni kur të rregullohet QEVERISJA……

 

Filed Under: Opinion Tagged With: faik Krasniqi, kush permiresohet, populli a politikanet

Shërbëtori Thaçi dhe “e drejta” e tij

November 7, 2013 by dgreca

Opinion nga Albin Kurti/

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, po e mbron Kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq, nga diskriminimi! Ja cili është rezultati politik e konceptual i dialogut pa kushte për Serbinë e për çështje të brendshme të Kosovës. Jo vetëm gjatë fushatës zgjedhore por edhe pas zgjedhjeve, Daçiqi dhe të gjithë zyrtarët e tjerë shtetërorë të Serbisë do të mund të hyjnë e vijnë në Kosovë, të flasin e të veprojnë. Në mbrëmjen e 7 tetorit, pas negociatave në Bruksel me ndërmjetësimin e Baroneshës Ashton, Thaçi sërish lëshoi pe dhe u nënshtrua.

Pas raundit më të fundit dhe më të ri të negociatave të vazhdueshme në Bruksel, në njërën anë, Thaçi deklaroi që ‘askush nuk mund të pengohet në lëvizjen e lirë’, ndërkaq, në anën tjetër, ai theksoi që ‘Kosova do ta respektojë marrëveshjen për lëvizjen e lirë, pa diskriminim’. Herën e parë bëhet fjalë për lirinë e lëvizjes si një e drejtë, kurse herën e dytë për marrëveshje politike mbi lirinë e lëvizjes. E para gjithsesi do të ishte e pamjaftueshme sepse dihet që kriminelët e armiqtë, siç e mendojnë Daçiqin shumica dërrmuese e popullit të Kosovës, nuk kanë liri të lëvizjes. Prandaj, vjen kjo e dyta për marrëveshjen politike me Serbinë e cila e zgjeron lirinë e lëvizjes (duke e shkelur në thelb atë) edhe për Daçiqin e zyrtarët e tjerë shtetërorë të Serbisë.

Kështu Daçiqi, Nikoliqi, Vuçiqi dhe krerët e tjerë të Serbisë e fituan lirinë për pelegrinazhin e fashizmit serb në Kosovë. Ata që nuk do të duhej të kishin liri të fjalës, tubimit e veprimit as në Serbi i fituan ato në Kosovë. Thaçi po ia jep lirinë e lëvizjes Serbisë në Kosovë. Pas lirisë së krijimit të Asociacionit a Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, pas amnistisë ligjore për kriminelët serbë, Serbia e fitoi edhe lirinë e fushatës për Serbinë në Kosovë. E legalizuan krimin e deritanishëm për të kaluar në një fazë të re për zgjerim e forcim shtesë.

Marrëveshja e këtillë na thotë që diskriminuesi më i madh nuk duhet diskriminuar! Sepse dihet kush është Ivica Daçiq: tetë vjet zëdhënës i partisë famëkeqe të Milosheviqit (SPS) dhe një Milosheviq-junge i spikatur; ishte bashkë me Milosheviqin kur ai ushtronte apartheidin në Kosovën e paraluftës, kur zbatonte gjenocid në Kosovë gjatë luftës dhe kur Milosheviqi i la trashëgim strukturat paralele në Kosovë pas luftës. Pas zgjedhjes në krye të partisë së Milosheviqit, më 4 dhjetor 2006, Daçiq tha se ‘askush nuk mund të thotë se nuk do të ketë përsëri luftë në Kosovë’, për të shtuar se ‘Kosova duhet të mbrohet me të gjitha mjetet’. Daçiq ishte bashkë me Nikoliqin e Vuçiqin gjatë bombardimeve të NATO-s në vitin 1999 dhe që prej vitit të kaluar u bënë bashkë sërish në qeverisje me qëllime të vjetra e për qëllime të vjetra (që i kanë të ndryshme mjetet e realizimit vetëm në masën e rrethanave të ndryshuara).

Me lejen e tij për Daçiqin, Kryeministri i Kosovës ka shkelur vendimet dhe qëndrimet e qeveritarëve më të afërt të tij: zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, si dhe Ministrit të Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj. Para vetëm pesë ditëve sipas shtypit ditor në Kosovë, Kuçi deklaroi: ‘Ka qenë një kërkesë e z. Daçiq që ta vizitojë Kosovën nesër dhe i është anuluar kjo vizitë dhe të tjerat me arsyetimin se gjatë fushatës zgjedhore nuk lejojmë të ndërhyjë në procese të brendshme. Kërkesat e tij gjatë fushatës do të refuzohen. Vizitat e karakterit politik dhe partiak nuk do të lejohen. Po ashtu kryeministrit Daçiq i është thënë se niveli i lartë në Serbi gjatë gjithë fushatës nuk do të lejohet të vijë në Kosovë’. Ndërsa para vetëm dy ditëve Kuçi tha se ‘ne jemi për atë që të inkurajohen serbët lokal për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale, por jo që të kemi fushatë elektorale të Serbisë në Kosovë’. Vendimin e tij qysh në fillim e pat përforcuar Ministri Enver Hoxhaj kur potencoi që ‘kjo nuk do të ndryshojë, pa marrë parasysh presionin që do të bëjë Serbia në Bruksel’. Mirëpo, duket se një presion tjetër ishte më i rëndësishëm sesa presioni i Serbisë në Bruksel – presioni i Brukselit mbi Thaçin apo edhe ai direkt i Serbisë mbi Thaçin. Kuçi dhe Hoxhaj nuk janë të vetëdijshëm se sa pak trysni nevojitet mbi Thaçin që të kryhen punë të shumta për Serbinë. Deklarimeve të tij të mësipërme, Kuçi ia pat shtuar edhe atë se ‘pala kosovare nuk do të zmbrapset karshi shantazhit të kryeministrit serb’. Tash, ose Kuçi nuk e njeh fare kryeministrin e tij, ose nuk e konsideron atë të jetë pjesë e palës kosovare.

Serbia në dialogun në Bruksel vazhdimisht shtron kërkesa të reja e kërkesa shtesë, ndërkaq Kosova bie në defanzivë duke i plotësuar pjesërisht ato (hëpërhë) për t’i plotësuar tërësisht (ca më vonë). Në Bruksel ku ndërmjetëson Baronesha Ashton, edhe koha e raundit të ri të bisedimeve edhe substanca e tyre përcaktohen nga interesi dhe nisma e Daçiqit. Kur ai është i pakënaqur (ndërkohë që është i pangopshëm) organizohen bisedime e negociata ku pak e ngapak, por gjithnjë dhe përherë e më shumë, Thaçi lëshon pe, zmbrapset dhe bën kompromise.

Pasi që iu nënshtrua Daçiqit sa i përket datës së zgjedhjeve lokale në Kosovë, Thaçi pranoi edhe kërkesat e Daçiqit për përmbajtjen e zgjedhjeve duke futur 12 mijë serbë shtesë në listat zgjedhore për komunat në veri të Kosovës. Madje, pranoi edhe kërkesat e Daçiqit për fushatën e zgjedhjeve ku Serbia po bëhet njëri ndër opcionet elektorale. Kompromiset e Thaçit nuk janë të tilla që të mos ketë më kompromise të tjera, e aq më pak të atilla që mundësojnë të ecet para. Mbase shumë më tepër Daçiq beson në shtetin e Serbisë sesa që Thaçi beson në Republikën e Kosovës.

Në shekullin e kaluar Serbia nuk kishte një kryeministër në Kosovë sikurse që tash e ka Thaçin. Ky njeri është bërë shërbëtor i dyfishtë: në njërën anë është shërbëtor i privatizimit neoliberal e në anën tjetër shërbëtor i shovinizmit serb. Është e qartë që Thaçi është në lloç të gjallë. Problemi është se teksa po fundoset gjithnjë e më shpejt, ai po e shtrëngon gjithnjë e më fort Kosovën që don ta marrë me vete.

 

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Albin Kurti, e drejta e tij, sherbetori Thaci

JA PSE P K SH (PPSH)… ME PASUESE,ISHIN DHE MBETEN: PARTI TERRORISTE !

November 7, 2013 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/Australi/

Shqipnia dhe Shqiptarët në vitin 1941 nuk ishin të angazhuem në asnjë front të Luftës së Dytë Botnore, dhe tue pasë mundsi me u bashkue me Trojet e veta, tue krye pra, këte bashkim në mënyrë paqsore me evolucion, pa asnjë konflikt, dora sllave gjeti terroristin Enver Hoxha, që me megallomaninë e tij çoi Popullin Shqiptar në një luftë civile, dhe per 47 vjetë Shqipnia ishte nder shtetet ma diktatoriale të Europës. Fillimi i kësaj katastrofe historike asht data 8 nandor 1941, dita e zezë e themelimit PKSH.

Instruktimi i tyne në interesin e nenshtrimit të Popullit Shqiptar, dhe premtimet e mercenarëve jugosllavë ndaj Enver Hoxhës per kolltukun e drejtuesit të shtetit vasal, sollën ate, që ky me tradhëti e spastrim tue vra shokët e bashkpuntorët e vet, mërrijti per 40 vjetë me qendrue në krye të PKSH (PPSH) dhe të shtetit, ku viktimat e masakrueme dhe të zhdukuna nder hetuesi e kampe shfarosje i kalojnë tmerret e Luftës II Botnore.

Tue iu referue gjithnjë librit “Diplomacia” me autor z. H. Kissinger, në kjoftë se Rusvelti shihte tek Stalini: “…një mik të vertetë!” dhe si dhuratë të “simpatisë” së tij prej paralitiku, i dha diktatorit Stalin “të drejten e vendosjes së pushtetit sovjetik në qendren e Kontinentit Europian…” (fq. 465) që pasohej me “mospranimin e zbarkimit të trupave amerikane në Ballkan, tue i dhurue “Jugosllavisë, perveç tokave Shqiptare të humbuna që në 1913, e që ishin të çlirueme që në vitin 1941, bashkë me ta edhe Shqipninë Nanë.”

Duhet pranue se, u “harrue” shpejt thelbi i fatkeqësisë: “Idetë ruse të drejtësisë shoqnore dhe ekonomike do të udhëheqin gati një të treten e Botës!” (fq 469). Dy shtetet ballkanike “Jugosllavia dhe Shqipnia, ishin të vetmit shtete diktatoriale komuniste mbas Luftës së Dytë Botnore, në gjithë Europen. Ndersa, nder shtetet tjera të Europës Lindore pranohet me paturpësi se: “demokracia nder ata vende asht e mbulueme me një gjethe fiku”… Kur Ushtria e Kuqe arrijti në lumin Elba: “Sunduesit e Rusisë ishin në gjendje të realizonin ambicjet e Perandorisë Ruse dhe qellimet ideologjike të komunizmit.”

Edhe pse Shteti Shqiptar i shpallun në vitin 1912, nuk kishte as një gjysë shekulli që njihej në Europë si Shtet i Pavarun, edhe pse hundët sllave kullonin nder të gjitha zyrat e të gjithë drejtuesëve të Shtetit, që nga 1913 e deri me 1939…Populli Shqiptar në gjithë historinë e kenjes së vet, asnjëherë nuk e ka pranue zgjedhen sllave as turke aqsa atë italiane, apo të ndonjë shteti tjeter të imponuem nga Fuqitë e Mëdha!

Kjo krenari kombtare duhej shpartallue me të gjitha mjetet antikomtare!

Ishte pikrisht PKSH (e ma vonë PPSH) vegla ma adapte në doren sllave, per me shkatrrue perfundimisht deri në temel binanë e Shqipnisë së ngritun me gjak dhe me sakrifica të pashembullta, gja që e vertetojnë edhe sot fletët e Historisë së Shqipnisë, ku Emnat e Atdhetarëve Shqiptarë, që dhane edhe jeten per një Shqipni të Pavarun dhe me pikpamje Europjane Perëndimore, “nuk janë askund ndër fletët e saj”! Dëshmia ma e saktë e këtij fakti asht Monumenti i Pavarsisë së 1912, i ngritun në Vlonë në vitin 1972.

PKSH dhe drejtuesi i saj terrorist Enver Hoxha, i dha provat e para me shitje të Trojeve dhe i garantoi per “besnikërinë” ndaj politikës tyne antikombtare, me të gjitha gjyqet, ndjekjet nder male, vrasjet me gjyq e pagjyq, interrnimet, shfarosjet, shnderimet, dhunimet, terrorin dhe perkufizimin e të gjitha këtyne në “luftën e kllasave, vepra më e shkelqyer e organizuar dhe drejtuar nga PKSH (PPSH), dhe udhëheqësi i saj E. Hoxha.”

Kur BRSS ishte rreth 200 miljon rob nen diktaturën e perbindshit Stalin, numri i të vramëve në luftë, në burgje e kampe shfarosje apo gulagët e tij, arrinte në 50 miljon. Kjo shifer e mnershme asht pranue edhe nga e bija e tij në vitin 1992.

Shqipnia në vitin 1944 kishte 1.200 000 banorë. Pa shenue këtu të vramit në luftë civile (të ashtuquejtun “Nacional Çlirimtare”), para vitit 1944 dhe të kosovarëve të premë në besë nga Kukësi e deri në Masakren e Tivarit, ku ishin mbi 12.000 vetë… Dy drejtuesit komunistë, (dhe asnjeni Shqiptar), anadollakët Enver Hoxha dhe Ramiz Alia, kanë vra dhe kanë krye të gjitha krimet që ka ba Stalini, por besoj, se edhe ia ka kalue jo vetem per numrin e popullsisë… por edhe me ate që nuk ka arrijtë as Lenini e as Stalini, me “Gjenocidin kunder Klerit Katolik Shqiptar 1944 – 1990”, ku janë perfshi mbi 131 Klerikë nder rreth 200 Klerikë, që ishin në vitin 1944. Pa shenue Klerikët e besimeve tjera!

Numri i të vramëve dhe të shfarosunëve nder hetuesi, kampe dhe burgje, deri në vitin 1974 në gjithë Shqipninë, i kalon 50.000 Shqiptarë të masakruem…Ndersa, numri i të burgosunëve dhe të interrnuemëve nga viti 1944, i kalon mbi gjysë miljoni njerëz.

Duhet percaktue shifra e saktë e krimeve të kryeme nga PKSH (PPSH) nga viti 1944 deri në vitin 1991, kur PKSH (PPSH) e drejtonte terrosti Enver Hoxha dhe pasuesi i tij Ramiz Alia. Mosdenimi i krimeve të komunizmit në Shqipni, asht pasojë fatkeqe që vjen nga trashigimia e qeverisjes nga bashkpuntorët e djeshem dhe të sotëm me PKSH (PPSH), qeverisë dhe vegles terroriste e masakruese të tyne: Sigurimin e shtetit.

Krimet, vrasjet, vjedhjet dhe plaçkitjet e miljona miljona dollarëve nga drejtuesit e Shtetit Shqiptar, po vazhdojnë mbas 1992… e do të vazhdojnë prap… perderisa, terroristët që vodhën e vranë Atdhetarët tanë, “më vështirësi i banë shtrati i topit”, kur ngordhin!

Pa u dënue krimet e kriminelët e Popullit Shqiptar, Asnjëherë në Shqipni nuk do të arrihet Pajtimi Kombtar, elementi i domosdoshem per Vllaznimin e Shqiptarëve mbi bazat e Paqës, Drejtësisë dhe vendosjes së Shtetit Demokratik.

Pa këta elemente kurrë Shqiptarëve nuk do t’ ua hapin askush Dyertë e Europës Perparueme. Arritja e Pajtimit Kombtar në Shqipni, siguron Qeverisje Demokratike!

Qeverisja Demokratike nga Shqiptarët e vertetë, asht mjeti ma i sigurtë edhe per arritjen e Marrveshjeve të Drejta dhe Paqësore me të gjitha Shtetet Fqinjë, ku interesat dhe detyrat e ruejtjes së mardhanjeve reciproke dhe Paqësore janë të Baraspeshueme!

***

Kurrë mos e harroni thanjen e Fratit të dijtun të Shkodres, me intelektualët e Korçës, kur Shqipnia po zharitej nga PKSH në vitin 1944… At Anton Harapi, u ka thanë:

“…Ta kundërshtojmë terrorizmin, imoralitetin, luksin e alkoolin, vesin, dhunën, pasuninë e padrejtë etj.; e, jo, të kapemi për punë feje. Të na mbushet mendja mirë, se, sikurse nuk janë fajtorë myslimanët pse janë shumicë në Shqipni, ashtu nuk kanë ma pak të drejtë kristianët, vetëm pse numri i tyne asht ma i vogël…

Me gjak e ndasi jemi ngopë. Kemi provue edhe se shka asht kthetra e huej.

Jemi rysë tashma me të gjitha provat e egoizmit vetjak e kolektiv të partive dhe kemi pa e prekë me dorë se, një popull i përçamë me grindje të mbrendshme asht i gjykuem me mbarue…

A sot, a kurrë, të mobilizohemi për Fé e Atdhé! Ja, ky asht besimi e kjo asht Shqipnia që po na zhduket ndër duer…. Nuk shpeton, jo sot, as Xhamia pa Kishën, as Kisha pa Xhaminë, por as njena as tjetra pa Shqipninë.”

Melbourne, Nandor 2013.

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Fritz Radovanai, me pasueset e veta, parti terroriste, PKSH

Ne duhet ta ndihmojmë Luginën konkretisht

November 6, 2013 by dgreca

[Letër publike kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Edvin Rama.]/

Të nderuar kryeministra Thaçi dhe Rama,/

në Ballkan kanë filluar të fryjnë erëra të reja. Pas një nate të gjatë padrejtësish dhe konflikti, gadishulli ynë po ridefinohet në disa dimensione. Ndër këto dimensione, mbase më të rëndësishmet për një të ardhme më të mirë, janë pozicionimi i ri gjeostrategjik (i brendshëm dhe jashtëm) i siujdhesës dhe rritja e mirëqenies së ballkanasve. Roli juaj si udhëheqës të qeverive të dy shteteve ballkanike, pesha e të cilave është në shtim e sipër, është dhe duhet të jetë kritik.

Për ata që dinë, kërthiza e ekuilibrit të ri gjeostrategjik të Ballkanit gjendet në Preshevë, Bujanoc, Medvegjë dhe disa lokalitete të baraslarguara në një rreze të shkurtër me këto tri qytete  të banuara me shumicë shqiptare. Si politikanë dhe titullarë të qeverive me legjitimitet demokratik dhe para së gjithash si posedues të burimeve shtetërore, ju dhe ekipet tuaja duhet të jeni në rrjedhë të zhvillimeve gjeopolitike më mirë se qytetari i zakonshëm dhe duhet të punoni për interesat e qeverive që drejtoni ndërkaq, që, njëkohësisht, jepni kontributin adekuat për balancën e re ballkanike. I bindur që ju e kuptoni domethënien e gjeostrategjisë dhe pasojat e moskuptimit të saj, unë, si profesionist i ekonomisë, po ju shkruaj këtë letër publike për të ndarë me ju disa ide dhe për të kërkuar nga ju që të bëni më shumë për mirëqenien e shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.

Presheva, Bujanoci dhe Medvegja me rrethinë gjenden nën sovranitetin e Republikës së Serbisë dhe nuk trajtohen ende si duhet nga autoritetet e Beogradit. Vendbanimet që gravitojnë rreth këtyre tri komunave janë regjioni më i pazhvilluar dhe diskriminuar në Ballkan. Sidoqoftë, përkundër sjelljes së keqe të Beogradit dhe pozitës së dëshpëruar të qytetarëve në Preshevë, Bujanoc, Medvegjë dhe rrethinë, përgjegjësia e pasivitetit eventual nga Prishtina dhe Tirana gjithsesi bie mbi ju, ngase mosveprimi i Republikës së Serbisë nuk e justifikon mosveprimin e Republikave të Kosovës dhe Shqipërisë për të mbrojtur dhe mbështetur jetesën e shqiptarëve atje. Nëse qytetarët shqiptarë të këtij brezi territorial nuk janë në gjendje të gëzojnë dhe realizojnë aspiratat e tyre për jetë të begatshme si ballkanasit tjerë, kjo është e padrejtë dhe rrezik për përmbysje të cilësdo baraspeshë gjeopolitike dhe gjeoekonomike.

Si duhet të ndihmohen menjëherë, jo me fjalë dhe vizita simbolike siç ka ngjarë deri më tash, por konkretisht, Presheva, Bujanoci dhe Medvegja me rrethinën e tyre?

E para: qeveritë tuaja, në Prishtinë dhe Tiranë, duhet të financojnë ndërtimin e një materniteti brenda 6 deri 12 muajve . Kujdesi për foshnjat është e drejtë fondamentale humanitare dhe kusht primar për të ardhmen e secilës bashkësi njerëzore. Ndërtimi i maternitetit duhet të pasohet me zgjerimin e tij në spital të madhësisë së mjaftueshme për t’u shërbyer të gjithë qytetarëve në Luginën e Preshevës. Qeveritë tuaja duhet të paguajnë specialistë të gjinekologjisë dhe obstetrikës nga Republikat e Kosovës dhe Shqipërisë që të shërbejnë në këtë maternitet dhe, sigurisht, edhe mjekë të specialitieteve tjera, më vonë, në spital; deri kur numri i mjekëve në regjion do të rritet gjegjësisht Republika e Serbisë do të plotësojë kërkesat shëndetësore të të gjithë taksapagueseve të saj.

E dyta: Prishtina dhe Tirana, duhet të heqin njëanshëm çdo taksë apo tarifë për qarkullim të lirë të njerëzve, automjeteve dhe mallrave nga Lugina në territoret e Republikave të Kosovës dhe Shqipërisë.  Në fakt, qeveritë tuaja duhet të financojnë ndërtimin e një tregu lokal me infrastrukturë dimërore dhe verore, në ç’vend biznesmenët vendorë dhe sidomos bujqit do të mund të shisnin dhe grumbullojnë produktet e tyre, të cilat, pastaj, do të mund të transportoheshin për shitje edhe në tregjet e Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë ku do të duhej të kishin trajtim të posaçëm në tatime. Ky treg dhe këto subvencione për prodhimet në fjalë mund të jenë gjeneza e një projekti më të madh për ta shndërruar tre-kufirin Serbi-Maqedoni-Kosovë në një Zonë të Lirë Tregtare dy-tri vjetët e ardhshme.

E treta: ekspertë të ekonomisë, financave, ligjit ndërkombëtar dhe integrimeve europiane që punojnë për qeveritë tuaja duhet të bashkëpunojnë në kapacitet mbështetës me qeveritë komunale në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë dhe të bëhet hartimi i një propozimi për Fond Emergjent administratës së BE-së në Bruksel. Paratë nga Fondi Emergjent do të përdoreshin për rehabilitimin e sistemit të ujërave, infrastrukturës urbane dhe rrugore në regjionin e Luginës. Ky Fond Emergjent nuk duhet të ngatërrohet me Fondin Zhvillimor, i cili duhet të financohet nga Republika e Serbisë dhe i cili, sipas të gjitha konventave ndërkombëtare, është obligim i saj sepse qytetarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës me rrethinë paguajnë tatimet në buxhetin e shtetit serb.

 

Të nderuar kryeministra,

 

këta do të ishin vetëm tre hapat e parë konkret për të rimëkëmbur shpresën për jetesë më të mirë të banorëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës; por edhe një ecje në drejtim të vendosjes së qytetarëve dhe mirëqenies së tyre në plan të parë ndërsa vazhdon tentativa e përafrimit dhe forcimit të bashkëpunimit në të gjitha anët e Ballkanit.

Lugina mund të jetë pikë afrimi apo largimi mes popullit shqiptar dhe popullit serb. Një ndër variablat përcaktuese se cili do të jetë roli i saj në marrëdhëniet serbo-shqiptare do të jetë kualiteti dhe kuantiteti i angazhimit tuaj dhe qeverive tuaja për njerëzit e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës. Regjioni i Luginës nuk mund të mbetet në margjinat e zhvillimeve më të reja në Ballkan. Ne të gjithë dhe veçanërisht ju si kryeministra duhet dhe e kemi detyrim të ndihmojmë Luginën konkretisht. Presheva, Bujanoci dhe Medvegja janë mbajtur në gjysmëterr edhe për shkak të mosangazhimit të qeverive në Prishtinë dhe Tiranë.  Koha ka ardhur që së bashku ta nxjerrim Luginën aty ku  e ka vendin i gjithë Ballkani— në dritë. Alternativë tjetër nuk ka për ne; por as për ju.

Të respektuar kryeministra Thaçi dhe Rama,
Lugina kërkon veprime konkrete. Duke u ndihmuar qytetarët atje, ndihmohen Lugina, shteti i Kosovës dhe Shqipërisë, Ballkani dhe e ardhmja paqësore e të gjithëve. Ju ftoj ju, të dyve, të filloni të angazhoheni seriozisht për Preshevën, Bujanocin  dhe Medvegjën që nga ky çast.

Sinqerisht i juaji,

Uk Lushi

* Uk Lushi është investitor shqiptaro- amerikan dhe ekspert i ekonomisë në New York.

Filed Under: Opinion Tagged With: Leter publikem Rames e Thacit, Uk Lushi

A PO E DJEGIN SALI BERISHA DHE KLANET E PD-së LULZIM BASHËN!

November 6, 2013 by dgreca

Lulzim Basha, në fakt, është një nga figurat e pakta në PD me plot shanse që t’ia kthente emrin e mirë PD-së, të kohës së idealeve demokratike të 22 marsit 1992, si një parti e qendrës së djathtë, me një elektorat të gjërë antidiktaturë./

Opinion nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Është normale që në një parti të tipit Perëndimor, lideri i saj historik të projektojë pasardhësin, fati i të cilit pastaj vendoset sipas parimeve e normave demokratike deri tek verdikti i votës. Si mund të ishte rasti i Lulzim Bashës, të cilit Sali Berisha pas një çerek shekulli timonier, t’i lëshonte vendin. Pas një mijë gabimesh, do të ishte veprimi i parë i tij i drejtë. Por Sali Berisha nuk ka ndër mend të ndryshojë kurs dhe po e përdor Lulzim Bashën si trampolin për t’u rikthyer dhe rimarrë frenat e partisë. Sali Berisha e ka shumë lehtë ta bëjë lolo PD-në, kur të gjithë deputetët ia dinë atij për nder karriken. Dhe për Sali Berishën është shansi i fundit.
Për t’u rithyer në krye të PD-së, Sali Berishës i duhet ta djegë njeriun të cilin, pas disfatës personale të 23 qershorit, e « zgjodhi » si pasues të tij. E vendosa në thojza fjalën « zgjodhi »- sepse në psikën e tij Berisha nuk pranon të ketë një lider më të mirë se vetja. Egocentrizmi, arrivizimi dhe komplekset e së shkuarës nuk kanë lejuar që në PD të ketë vend për njerëz të suksesshëm dhe me integritet, të cilëve Sali Berisha ua ka drojën. Mos hapja e Dosjeve, popullimi i PD-së me ish-Sigurimsa dhe sistemi zgjedhor që i jep liderit të partisë monopolin për të zgjedhur deputetët, është në funksion për të monopolizuar lidershipin e PD-së, të përqëndrimit të pushtetit në duar të njëshit, dmth të Sali Berishës.
Disfata e 23 qershorit me dorëheqjen e Berishës, në vend që të ishte arsye për të reflektuar e për të nxjerrë në pah shkaqet e humbjes, me qëllim gjallërimin e demokracisë inekzistente brenda PD-së, ishte në fakt një fiksion për të larguar vëmendjen e opinionit publik nga analiza dhe shkaktarët e saj. Sepse po të pranoheshin de jure humbësit dhe shkaktarët e humbjes, largimi i Sali Berishës do të ishte definitiv. Andaj katapultimi i Lulzim Bashës ishte zgjedhje më e mirë që bëri Berisha, por vetëm si një procedurë e përkohëshme e lidershipit historik. Sepse mentaliteti autoritarist i Sali Berishës nuk pranon as rivalë, as konkurencë fair dhe as të lëshojë pushtetin.
Për të realizuar skenarin e rikthimit, Sali Berishës i duhet që figura e Lulzim Bashës të konsumohet shterrshëm në atë farë grade sa të shkaktojë pakënaqësi si në bazë, në instancat e larta të partisë, mundësisht deri tek ndërkombëtarët. Për koincidencë, sot gazetat e Tiranës, botonin inkskenime protestash të PD në rrethe që e kërkojnë prapë liderin historik edhe de jure në krye.
Lulzim Basha, në fakt, është një nga figurat e pakta në PD me plot shanse që t’ia kthente emrin e mirë PD-së, të kohës së idealeve demokratike të 22 marsit 1992, si një parti e qendrës së djathtë, me një elektorat të gjërë antidiktaturë.
Lulzim Basha i takon gjeneratës së re, nuk ka qenë anëtar i PPSH, nuk ka qenë ish-Sigurims, është i arsimuar në Perëndim, me një profil të suksesshëm, i përfshirë në të gjitha projektet më të rëndësishme gjatë dy mandateve qeverisëse të PD-së. Ai ishte ministër Transporti në projektin e Rrugës të Kombit; ishte ministër i Jashtëm gjatë vizitës të Presidentit Bush në Shqipëri dhe anëtarësimit të Shqipërisë në NATO; ishte Ministër i Brendshëm gjatë reformave që kërkonte liberalizimi i vizave dhe kandidati i vetëm i PD-së që mundi Edi Ramën për kreun e Bashkisë të Tiranës. Ai është karizmatik, elokuent dhe është i mirëpritur nga faktori ndërkombëtar. Pra Sali Berisha kur e katapultoi, e kishte të qartë se me Lulzim Bashën efekti mediatik do të ishte i plotë, pasi do të thoshin se, të paktën pas disfatës, ai veproi si do të duhej.
Veprimi aktoresk i Berishës për t’ia dorëzuar çelësat e PD Lulzim Bashës është vetëm një manipulim. Sepse Sali Berisha synon rikthimin edhe de jure, dhe sa më të shpejtë. Ai ka dy muaj që e ka provuar shijen e të qenit pa pushtet, pa puthadorë, pa kamera 24 orë nonstop për të shqiptuar retorikën e tij pa proteina dhe pa jetë. Ai e ka shijuar hidhësinë se sa i parëndësishëm është në një shoqëri klienteliste pa norma dhe pa moral, të cilën e ka krijuar vetë.
Por që të ketë rikthim, si kusht sine qua non, atij i duhet që të djegë Lulzim Bashën. Qëllimi i tij bie në rezonancë të plotë me klanet brenda PD-së. Klanet në PD e urrejnë Lulzim Bashën, sepse tek ai shohin konkurentin real, çka përbën rrezik për kolltukët dhe pushtetin e tyre. Aq më tepër, kur Lulzim Basha, që i njeh shumë mirë se sa të pavlerë janë, do ta kishte si objektiv të tij vendosjen e partisë në shina demokratike.
Aktualisht Lulzim Basha gjendet në një pozitë shumë të vështirë. Në njërën anë atij i duhet të vendosë standarte demokratike në një parti që nuk e njeh demokracinë brënda vetes së saj. Pastaj i duhet të mbrojë veten nga Sali Berisha dhe klanet brenda PD-së, të cilët janë bërë të gjithë bashkë me objektivin për ta djegur Lulzim Bashën.
Djegien e liderit të ri ata po e bëjnë për çdo ditë, si mjeshtra diabolikë, duke mediatizuar njollosjen e integritetin e tij. Po të hapni gazetat dhe televizionet për çdo ditë dëgjoni për „aferën e pallatit të vjehrrit të Lulzim Bashës në Vlorë“. – Pra kësisoj Lulzim Basha paraqitet si njeri me lidhje nepotike, që e ka përdorur pushtetin për të përfituar privilegje e pasuri. Nga ana tjetër, në publik, shohim një Lulzim Bashë që ka dalë totalisht nga lëkura dhe nga fjalori i tij. Vokabolari që përdor Lulzim Basha sapo ka marrë në dorë partinë, nuk është i një lideri të qendrës të djathtë, por i një ekstremisti, aventurieri dhe anarkisti, i cili përbën rrezik për sigurinë jo vetëm të vendit, por edhe të rajonit. Sepse, sa herë del përpara kamerave, Lulzim Basha kërcënon me kobure, protesta dhe rebelim kundër një qeverise e cila nuk i ka mbushur dy muaj.
Edhe në daljen më të fundit, me rastin e humbjes të PD-së në Korçë, në vend që të përdoret për reflektuar, duke i denoncuar natyrisht shkeljet, Lulzim Basha akuzon mafien për blerje votash. Po lind pyetja, kjo mafie për të cilën ai flet nuk lindi për 60 ditë, ajo do të duhet të jetë fuqizuar pikërisht gjatë qeverisjes 8 vjeçare të PD-së. Pastaj pretendimi që ka PD është vetëm për efekte propagande, sepse unë jam dëshmitare se, sa herë në Shqipëri ka patur zgjedhje, kemi marrë ftesa për të udhëtuar gratis me avion, si simpatizantë të PD! Këta të PS kanë financuar udhëtimin e me autobuz të studentëve, ndërsa këta të PD-së udhëtimin me avion?! Bëjini llogaritë!
Në këto pozita ndodhet Lulzim Basha. Shumë të vështira. Po të kemi parasysh të gjitha vështirësitë ku ndodhet sistemi dhe shteti ligjor, të cilit do t’i duhej një opozitë dhe një lider opozite me nivel europinist. Lulzim Basha mund të jetë i tillë. Lulzim Basha mund ta bëjë, por nuk e lejon vetë Sali Berisha dhe klanet brenda PD-së, të cilat duan ta djegin, sepse kësisoj do të vegjetojnë brenda degradimit, pa analiza, pa shkaktarë të disfatës, pa shpresa për rimëkëmbje dhe për ringjallje deri në degjenerimin e PD në një parti me katër-pesë deputetë. Nëse nuk do të ketë shkundje dhe pastrim, mos u çudisni, kjo ditë do të vijë…

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, Klanet, Lulzim Basha, Sali berisha

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 788
  • 789
  • 790
  • 791
  • 792
  • …
  • 868
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Antonio Bellushi (1934, Frasnitë – 19 qershor 2024) mbledhës i zellshëm dhe studiues i pasurive etnokulturore e gjuhësore të Arbëreshëve dhe Arbërorëve
  • Jetimi që nxori zbuluar shtetin…
  • Qyteti antik 2400-vjeçar i Çukës së Aitoit
  • Dita e Veteranëve, përkujtojmë shqiptarët që shërbyen me nder në Ushtrinë e SHBA
  • Lëvizjet e popullsisë shqiptare jashtë kufijve shtetërorë dhe vendosja e saj në Shqipëri: Një analizë historiko – hartografike dhe socio – ekonomike
  • “DUA”, propozimi zyrtar i Kosovës për Oscar në kategorinë “Filmi më i mirë ndërkombëtar”
  • 1928 / URA E ZOGUT MBI LUMIN MAT — RRËFIMI EKSKLUZIV I ERWIN SCHNITTER, INXHINIERIT ZVICERAN QË DREJTOI PUNIMET PËR NDËRTIMIN E SAJ
  • NIKOLLA NAÇO (1843–1913) – ATDHETARI QË E VURI PASURINË, DIJEN DHE JETËN NË SHËRBIM TË SHQIPËRISË
  • MURI I BERLINIT RA, POR MURET POLITIKE DHE IDEOLOGJIKE MIDIS SHQIPTARËVE VAZHDOJNË TË QËNDROJNË
  • Dy “Qemalët” e mëdhenj që themeluan dy shtete mbi rrënojat e një perandorie
  • THANK YOU to the City of St. Petersburg and Chief Anthony Holloway for Supporting Albanian School VATRA!
  • A egzistonte koncepti i kombit në kohën e Skënderbeut?
  • Dardane Halimi: “ALB Connection was created to give every Albanian-owned business in America a voice and visibility”
  • KRIJIMI I NJERIUT TË RI: NGA IDEOLOGJIA KOMUNISTE TE KULTURA E PËRFITIMIT NË SHQIPËRINË E SOTME!
  • Transpozimi poetiko-dramatik i veprës “Trungu ilir” të Sabri Hamitit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT