• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NDIKIMI I VENDIMEVE TË KONFERENCËS SË AMBASADORËVE NË PROCESIN E NDËRTIMIT TË SHTETIT SHQIPTAR

December 2, 2023 by s p

Akademik Beqir Meta/

               Shpesh historianët, duke dashur t’i referohen shtetit shqiptar, për ta veçuar atë nga nocioni më i gjerë – Shqipëri, e quajnë ndoshta jo me aq saktësi Shqipëria Londineze. Ata kanë parasysh se krijimi i këtij shteti ishte kryekëput produkt i vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër më 1913.

           Në këtë kumtesë do të përpiqemi të analizojmë pikërisht rolin e kësaj konference në shtet-formimin shqiptar gjatë shekullit XX. Dhe këtë analizë do ta fillojmë pikërisht me këtë pyetje: A ishte Konferenca e Londrës e vitit 1913 krijuesja definitive e shtetit shqiptar? Ne mund të themi me siguri se ajo ishte krijuesja e parë e këtij shteti, pa nënvleftësuar këtu aktin e madh të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, Kuvendin Kombëtar të Vlorës që shpalli Pavarësinë dhe themeloi shtetin e pavarur shqiptar. Por nga ana tjetër, koha provoi se vendimi ndërkombëtar i Londrës 1913, nuk ishte definitiv dhe as i pacenueshëm. Ndonëse ishte një vendim ndërkombëtar i nënshkruar nga të gjithë Fuqitë e Mëdha evropiane, si dhe i pranuar nga shtetet fqinje, ndonëse pavarësia shqiptare ishte një kompromis midis dy Blloqeve më të mëdha politike të kohës: Antantës dhe Aleancës Trepalëshe, kompromis i cili ishte në vetvete shumë i dhimbshëm për kombin shqiptar, pasi u dha fqinjëve gjysmën e territoreve dhe popullsisë shqiptare, ai ishte i brishtë, dhe koha do të provonte se do të sfidohej ashpër pikësëpari nga vetë nënshkruesit e kësaj marrëveshje – Fuqitë e Mëdha.

           Fatkeqësisht të dy Blloqet kundërshtare e konceptuan krijimin e shtetit shqiptar jo si një e drejtë e pamohueshme  e shqiptarëve, jo si një element afatgjatë dhe stabiliteti në hartën dhe skemën politike ballkanike dhe evropiane, por si një krijesë artificiale dhe të përkohshme që do t’u shërbente atyre vetëm për të shtyrë konfliktin e armatosur evropian i cili po afrohej me shpejtësi. Pikërisht ky konceptim me gjithë implikimet e shumta që solli do të kishte pasoja të shumta në procesin e shtet-ndërtimit dhe konsolidimit të shtetit shqiptar. 

           Krijimi i shtetit të pavarur shqiptar shërbeu për të formësuar një ekuilibër të ri forcash në Ballkan dhe Adriatik, duke ruajtur interesat imediate të Fuqive të Mëdha dhe vetë sistemin e Koncertit Evropian në momentet kritike para fundit të tij. Faktin që ky kompromis ishte i përkohshëm dhe si rrjedhojë edhe krijesa e tij, shteti i pavarur shqiptar konsiderohej i tillë, e pohonte vetë kryetari i Konferencës, E. Grey, por për më tepër atë e vërtetoi koha që pasoi, pikësëpari Traktati i Fshehtë i Londrës 1915 dhe diskutimet e marrëveshjet që u arritën në Konferencën e Paqes në Paris në vitet 1919-1920.

            Kur qeveria shqiptare i paraqiti memorandumet e para me 22 dhe 30 nëntor 1920 Lidhjes së Kombeve, ku argumentoi ekzistencën e shtetit të pavarur shqiptar qysh më 1913 me vendimin e Konferencës së Ambasadorëve, Komisioni i V i LK i hodhi poshtë argumentet shqiptare.

Konceptimi i shtetit shqiptar si një entitet i paqëndrueshëm dhe jo definitiv ka pasur pasoja të rënda negative për afrimin dhe konsolidimin e tij në gjysmën e parë të shekullit XX. Pasojat kanë qenë afatshkurtra dhe afatgjata.

Po fillojmë më pasojat afatshkurtra që nënkuptojnë periudhën deri në fillimin e Luftës së Parë Botërore. Pengesat ndërkombëtare për ndërtimin e shtetit të ri u shfaqën qysh në fillim:

  • Fuqitë toleruan Beogradin, Athinën dhe Cetinën, që të mbanin të pushtuara për një kohë të gjatë disa territore që i ishin njohur shtetit të ri shqiptar.
  • Pas arritjes së marrëveshjes për kufijtë në parim në Konferencën e Londrës, kundërshtitë midis Fuqive nuk u shuan dhe shkaktuan zvarritjen e punës së komisionit të caktimit të kufijve në terren e cila, siç vërente E. Durham, pati një pasojë kriminale, që u dha serbëve kohën e nevojshme për të ndryshuar përbërjen etnike të rajonit, nëpërmjet spastrimit të krahinave prej banorëve autoktonë shqiptarë. Qeveria ruse ishte penguesja kryesore e punimeve të këtij komisioni. Përcaktimi i kufijve u zvarrit, dhe gjatë gjysmës së dytë të vitit 1913 e gjysmës së parë të vitit 1914 pati një debat të ashpër midis dy blloqeve: Diplomacia austro-hungareze u përpoq të mbronte kufijtë shqiptar të vendosur në Londër dhe të hidhte poshtë me vendosmëri çdo përpjekje që vinte në dyshim mundësinë e krijimit të një shteti shqiptar të pavarur e të qëndrueshëm, kurse krijimi i këtyre pengesave ishte qëllimi kryesor i kundërshtarëve të saj, në radhë të parë i Rusisë dhe Francës. Kuptohet që të gjitha këto ballafaqime ndikonin negativisht në procesin e ngritjes së shtetit shqiptar qysh në fillesat e tij. Nga ana tjetër, kjo nxiste politikat agresive të fqinjëve. Këto vonesa e pengesa që lidheshin me formatin, natyrën dhe kohën kur u zhvillua Konferenca e Londrës si dhe shpërthimi i luftës botërore ishin faktor madhorë që penguan stabilizimin e shtetit të ri.

        Kur shpërtheu Lufta e Madhe, Komisioni i kufijve ndërpreu punën më 29 korrik, dhe bilanci i tij ishte jo pozitiv. Vetëm një pjesë e vogël e kufirit midis Serbisë e Shqipërisë kishte marrë formë përfundimtare. Popullsia shqiptare do t’i paguante një çmim të shtrenjtë këtij dështimi, duke iu nënshtruar arbitrariteteve të panumërta dhe mizorive të kryera nga trupat serbe, të cilat nuk u tërhoqën nga territoret që Konferenca e Londrës ia kishte caktuar Shqipërisë. 

Kjo do të ndikonte edhe në destabilizimin dhe kërcënimin e shtetit shqiptar në vitet 1914 dhe 1920-1921. Caktimi i kufirit në terren do të kryhej shumë vjet më vonë, dhe do të përfundonte më 26 korrik 1926, pas peripecish të shumta të shoqëruara me përplasje, konflikte e tensione shumëvjeçare midis Shqipërisë dhe shtetit serbo-kroato-slloven. Një situatë e ngjashme ishte edhe në Komisionin Jugor, ku Greqia u përpoq ta keq orientojë atë, duke shfrytëzuar mbështetjen këmbëngulëse të delegatëve francezë dhe rusë, që vepruan si protektorë të zellshëm të saj.

          Një element tjetër që pati ndikim negativ, ishte fakti se Konferenca e Londrës nuk e njohu Pavarësinë e Shqipërisë të shpallur nga Kuvendi Kombëtar i Vlorës, dhe Qeverinë e Përkohshme të zgjedhur prej tij nuk e konsideroi qeveri kombëtare, por lokale. Veçanërisht Franca dhe Rusia kundërshtuan edhe propozimin austro-italian që Qeveria e Vlorës të shërbente si bërthamë për organizimin e shtetit shqiptar, duke këmbëngulur që ky organizim të bëhej tërësisht prej fuqive, pa marrë parasysh vullnetin e shqiptarëve të shprehur në Kuvendin e Vlorës. Ky ishte një atentat ndaj vullnetit të shqiptarëve dhe përpjekjeve për të ndërtuar një shtet gjenuin kombëtar që do të kishte pasoja në procesin e shtet-formimit. Fuqitë e Antantës, arritën të zhvleftësonin autoritetin dhe legjitimitetin e Kuvendit të Vlorës, dhe të qeverisë së parë kombëtare shqiptare të dalë prej këtij institucioni përfaqësues mbarëkombëtar. Fuqitë e Antantës kontribuan në minimin e përpjekjeve të qeverisë së Vlorës për krijimin e Bankës Kombëtare, për formimin e disa institucioneve me profil kombëtar si për shembull për kombëtarizimin e arsimit dhe në disa drejtime e çështje të tjera. Qeveria e Vlorës u gjend midis dy zjarreve, politikave sabotuese të Antantës dhe presionit të dy Fuqive Adriatike, të cilat rivalizonin për supremaci në Shqipëri. Kështu ndërhyrjet e Fuqive të Mëdha ishin një faktor qenësor që ndikuan negativisht në minimin e përpjekjeve të Qeverisë së Vlorës, për të hedhur hapa të rëndësishëm në procesin e shtet-formimit, si në krijimin e organeve të larta përfaqësuese legjislative, në ndërtimin e raporteve normale midis tyre, në ndërmarrjen e politikave kombëtarizuese në sfera të ndryshme, etj.

            Vjena u përpoq të përdorte autoritetin e KNK i cili ishte organizimi kryesor i Konferencës së Ambasadorëve, që të pengonte tendencat e diferencimit të grupeve politike shqiptare në këto momente të para tepër kritike të formimit të shtetit shqiptar. Ndërsa përfaqësuesit e Antantës u përpoqën ta sabotonin dhe kundërshtonin me forcë këtë politikë. Dhe ata patën mjaft sukses në sabotimin e saj. Kështu KNK nuk pranoi që oficerët holandezë të viheshin nën kontrollin e Qeverisë së Vlorës, por të ishin nën kontrollin e tij; hodhi poshtë kërkesën e qeverisë së Vlorës për të marrë nën kontroll Shkodrën. KNK ndikoi drejtpërdrejt në dobësimin e autoritetit të qeverisë kombëtare të Vlorës dhe në thellimin e copëzimit politik të vendit, duke pohuar se do të hynte në marrëdhënie me “qeveritë” e Vlorës, Durrësit, të Mirditës dhe më tej, edhe me Shkodrën dhe Malësinë, të cilat duhej të krijonin qeveritë e tyre lokale. KNK kundërshtoi zgjedhjen e Preng Bib Dodës nga I. Qemali si nënkryetar i Qeverisë së Vlorës. Lëvizja e I. Qemalit kishte synime unifikuese e stabilizuese. KNK kundërshtoi kategorikisht përpjekjet e Qeverisë së Vlorës për të marrë në administrimin e saj Korçën dhe Gjirokastrën pas zbrazjes së tyre nga trupat greke, pasi Fuqitë e Antantës nuk donin t’i akordonin asaj njohje dhe atribute kombëtare. Vargu i këtyre ndërhyrjeve është i gjatë, duke përfshirë edhe ndërhyrjen për anulimin e vendimit të Qeverisë së Vlorës për mbylljen e disa shkollave greke në Vlorë dhe hapjen e shkollave shqipe.

Diskutimet e gjata të Fuqive dhe mosmarrëveshjet midis tyre vonuan caktimin dhe ardhjen e Princ Vidit në fronin shqiptar dhe kjo ishte një pengesë tjetër në formimin dhe konsolidimin e shtetit të ri. Gjithashtu, skepticizmi i theksuar me të cilin e pritën caktimin e Vidit shumica e Fuqive ndikoi negativisht për shtetin shqiptar. (Skeptikë ishin qeveria gjermane, italiane, etj.) Huaja ndërkombëtare e premtuar në Konferencën e Londrës se do t’i jepej shtetit të ri nga Fuqitë, nuk u dha kurrë dhe ky ishte një minim i shtetit të ri. Nuk vonoi dhe njëra nga Fuqitë e Mëdha që kishte qenë kontribuese për themelimin e Shqipërisë në Londër, (Italia) komplotoi, duke nxitur çarje brenda qeverisë dhe vendit (rasti i Esat Pashës). Për brishtësinë dhe sfidat që i vinin vendimit të Londrës 1913 dhe shtetit shqiptar flet edhe fakti se njëra prej këtyre Fuqive, që kishte qenë edhe në pozitën e protektores së këtij shteti, konkretisht Italia, kishte një rol nxitës në kryengritjen antishtetërore të Shqipërisë së Mesme, e cila shembi nga themelet shtetin e ri e të brishtë shqiptar. Ky qëndrim i saj ishte rezultat i rivalitetit me Austro-Hungarinë për dominimin e shtetit të ri.

          Në gjykimin e veprimtarisë së Princ Vidit dhe të dështimit të tij, i duhet dhënë vend kryesor rolit që luajtën Italia, Franca, Rusia dhe satelitët e tyre, prishjes së solidaritetit austro-italian për mbështetjen e shtetit shqiptar, etj. Pra arkitektët e Londrës ishin njëkohësisht edhe shkatërrimtarët e saj, duke sabotuar plotësisht shtetin e ri shqiptar.

          Vetëm pak muaj pasi u themelua shteti shqiptar ndodhi një kthesë e madhe në politikën evropiane. U përhap frika e luftës që po bëhej e pashmangshme. Meqenëse ngritja e shtetit shqiptar ishte e lidhur me politikën e mëparshme të paqes së Fuqive të Mëdha, shndërrimi i saj gradual një politikë të luftës, domosdoshmërisht preku shumë thellë të gjithë bazën e këtij shteti. Në këtë mënyrë koha kur përfundoi Konferenca e Ambasadorëve, vetëm një vit para fillimit të Luftës së Madhe, ishte një tjetër faktor që ndikoi negativisht. Politika e Rusisë dhe Francës kur lufta po afronte u bë edhe më inkurajuese ndaj fqinjëve armiqësorë të Shqipërisë, si dhe ndaj elementeve egoistë, turbullues, antishtetëror, antikombëtar apo të zhgënjyer brenda saj. Rivalitetet midis Fuqive të Mëdha sundonin në KNK e për pasojë e minuan shtetin e ri.

Kështu Athina gëzonte një farë imuniteti në realizimin e makinacioneve të saj, prej të cilit ajo përfitoi plotësisht për të sfiduar fuqishëm shtetin e ri. Madje në pranverën e vitit 1914 edhe qëndrimi i Gjermanisë u bë indiferent që lidhej me shqetësimet e saj për grindjet austro-italiane por edhe me interesat dhe pozicionin e Greqisë në luftën që po afrohej. Ndërkohë KNK ishte shndërruar në një pushtet paralel të Fuqive të Mëdha, përkrah Vidit duke e minuar autoritetin e tij në disa aspekte, si për shembull: e drejta e KNK për të nënshkruar marrëveshje bilaterale në emër të Shqipërisë me subjekte të tjera, etj. Kështu, Vidi u pengua nga KNK të dërgonte forca për të shtypur ndërhyrjen greke në Jug, të maskuar si lëvizja “vorioepirote” që kishte filluar pak ditë pas ardhjes së tij. Kjo ishte shenja më ogurzezë për shtetin e ri shqiptar. Më tej anëtarët e KNK bënë propozime gjatë diskutimeve në Korfuz me krerët “vorioepirote”, të cilat i tejkaluan garancitë që u kishte dhënë qeveria shqiptare. Protokolli i Korfuzit ishte rezultat i përpjekjeve të Fuqive të Mëdha për të gjetur një zgjidhje kompromisi që do të stabilizonte gjendjen në Shqipërinë e Jugut dhe do të kënaqte Greqinë. Por ai ishte dhe cenim flagrant i vendimit të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, nga vetë institucioni i krijuar prej saj, nga KNK. Dispozitat e këtij Protokolli u dhanë territoreve jugore të shtetit autonominë territoriale, dhe legalizuan konceptin e popullsisë “vorioepirote”. Ky do të ishte një element destabilizues, gati konstant, për shtetin shqiptar në dekadat që do pasonin. Madje kjo nuk do të zvenitej edhe pse konferenca e vitit 1921 do ta hidhte poshtë këtë protokoll.

         Kur qeveria shqiptare nuk e ratifikoi menjëherë Protokollin e Korfuzit, me shpresën se situata në Shqipërinë e Jugut do të përmirësohej, Fuqitë e Mëdha nënshkruese  të vendimit të Londrës 1913, ushtruan presion ndaj saj për nënshkrimin dhe për t’i lënë në kompetencë  të KNK çështjet e mbetura pezull në Korfuz, siç ishte ajo e Himarës. Më 1 korrik 1914 Fuqitë miratuan Protokollin e Korfuzit, duke shkelur vetë vendimet e Konferencës së vitit 1913.

        Midis majit dhe korrikut 1914, Vidi, në mënyrë të përsëritur, u bëri thirrje Fuqive të Mëdha për ndihmë financiare dhe ushtarake, por kjo nuk erdhi asnjëherë.

Me fillimin e Luftës së Madhe KNK do të shpërbëhej, dhe bashkë me të do të treteshin edhe shpresat e fundit të regjimit të Princ Vidit. Koncerti Evropian u shpërbë, ambiciet dhe rivalitetet e armiqve të Shqipërisë ishin jashtë çdo kontrolli. Sapo çështja shqiptare nuk u interesonte më Fuqive si një element ekuilibri i interesave të tyre, i cili ishte vendosur në Konferencën e Londrës, shteti shqiptar i posa lindur u braktis dhe siç shprehej E. Durham “do t’u hidhej ujqërve, për të shpëtuar mëkonjësit e tij.

            Por Konferenca e Londrës mori edhe vendime të vlefshme e të qëlluara që, nëse nuk do të vepronin faktorët e lartpërmendur negativë, do të kishin shërbyer pozitivisht në procesin e shtet-ndërtimit në Shqipëri. Më i rëndësishëm ishte hartimi dhe miratimi i Statutit Organik të Principatës së Shqipërisë nga KNK më 10 prill 1914, i cili bazohej në vendimet kryesore të marra nga Konferenca e Londrës më 29 korrik 1913. Statuti sanksiononte regjimin mbretëror ku kreu i regjimit, sovrani Princ Vidi kishte pushtet të gjerë (ishte kryetar i administratës civile e ushtarake, emëronte Këshillin e Ministrave dhe nxirrte dekrete, duke marrë prerogativa ligjvënëse, shpallte zgjedhjet për Asamblenë Kombëtare dhe e shpërndante atë). Këto përcaktime do të kishin rëndësi themelore për shtet-formimin sepse ndikonin fuqimisht në centralizimin e shtetit të ri, i cili kërcënohej para së gjithash nga tendencat separatiste e decentralizuese. Ky element i statutit pati rëndësi se mbeti një trashëgimi e vlefshme historike e cila, në një formë apo tjetër, u trashëgua dhe u aplikua edhe në tre dekadat e para të jetës së shtetit shqiptar.

    Asambleja Kombëtare ishte një organ tjetër centralizues dhe efektiv që i përgjigjej në mënyrë adekuate nevojave të stabilizimit të shtetit të ri, ndonëse  ajo nuk kishte cilësi demokratike e inkluzive. Anëtarët e saj zgjidheshin nëpërmjet zgjedhjeve të tërthorta nga tre përfaqësues për çdo prefekturë, anëtarë të saj ishin gjithashtu përfaqësuesit e komuniteteve fetare, komisari i lartë shqiptar në “Bankën Kombëtare të Shqipërisë” dhe dhjetë anëtarë të caktuar nga Princi. Një përcaktim me ndikim pozitiv që u trashëgua gjatë gjithë ekzistencës së shtetit shqiptar ishte edhe ai se Shqipëria nuk kishte fe shtetërore, i cili gjithashtu ishte një dispozitë kushtetuese shumë përparimtare për kohën.

Por edhe Statuti nuk i shpëtoi ndikimeve negative për shtetin shqiptar, të cilat lidheshin me interesat e Fuqive. Një element i tillë ishte sanksionimi në nenin 4, i konservimit të sistemit të kapitulacioneve, të trashëguara nga Perandoria Osmane, çka përbënte një pengesë juridike për shtetin e sapo krijuar. Fuqitë nuk morën parasysh kundërshtimin e përfaqësuesit shqiptar në KNK, i cili argumentoi se shteti shqiptar do të adaptonte një legjislacion “i cili do të ishte i frymëzuar plotësisht nga parimet e qytetërimit perëndimor dhe modern”, prandaj sistemi i kapitulacioneve ishte i panevojshëm. Përfaqësuesi tjetër shqiptar Mehdi Frashëri që zëvendësoi M. Libohovën, i cilësoi kapitulacionet si një cenim të rëndë të pavarësisë dhe sovranitetit të shtetit shqiptar. Më vonë koha  provoi se kapitulacionet ishin një burim destabiliteti, pasi çdo shtetas i huaj që u arratis nuk u lejua të gjykohej nga autoritetet vendase.

Vendimet e Konferencës së Ambasadorëve të vitit 1913 do të kishin edhe një impakt negativ afatgjatë në procesin e stabilizimit dhe konsolidimit të shtetit shqiptar. Ndër pasojat afatgjata mund të përmendim:

         Brishtësia e kompromisit të arritur në Konferencën e Londrës 1913 do ta vinte në pikëpyetje ekzistencën e shtetit shqiptar menjëherë pas saj por edhe pas shumë vitesh. Ekzistenca e shtetit shqiptar u vu seriozisht me pikëpyetje gjatë dhe pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, për shkakun themelor se Lufta e Madhe i ndryshoi në mënyrë radikale balancat dhe interesat e Fuqive që kishin ekzistuar para saj. Fqinjët u inkurajuan për ta zhbërë këtë krijesë që nuk gëzonte mbrojtje ndërkombëtare, dhe shqiptarët u detyruan të bënin përpjekje e sakrifica të mëdha për krijimin e shtetit të pavarur dhe riafirmimin e tij ndërkombëtar. Vitet 1920-1921 ishin periudha më e vështirë dhe njëkohësisht më e dhimbshme e këtij procesi. U desh një konferencë tjetër ambasadorësh ajo e vitit 1921, e cila më 9 nëntor rikonfirmoi njohjen ndërkombëtare të shtetit të ri, duke i hequr atij pak territore të reja, duke i njohur një privilegj politik Italisë në Shqipëri, dhe duke lënë sërish hapur disa çështje kufitare. Kjo do të provonte se vendimet e vitit 1913, jo vetëm që u rishqyrtuan, por edhe u rimodeluan.

        Të gjitha këto patën pasoja të ndjeshme në procesin e shtet-formimit, i cili njëkohësisht përballej edhe me sfida të brendshme që nuk janë objekt i kësaj analize, por vetëm duhet të theksojmë se cenet në pozitën ndërkombëtare i nxitën dhe i amplifikuan më tej vështirësitë e brendshme në procesin e stabilizimit të shtetit shqiptar. Kështu vepruan këta faktorë në vitet 1920-1921, duke nxitur separatizmin krahinor ose fetar brenda vendit. Por edhe pas vendimit të 9 nëntorit 1921, Fqinjët nuk u pajtuan me ekzistencën e Shqipërisë së pavarur, duke shpresuar në përkohshmërinë e pozitës së saj ndërkombëtare. Kështu veproi Greqia me nxitjen e lëvizjes vorio-epirote në Jug, Mbretëria serbo-kroato-sllovene (Jugosllavia) me nxitjen e separatizmit në fiset katolike të Veriut, etj. Ndërsa Italia, e inkurajuar edhe nga vendimet e Konferencës së Ambasadorëve më 1921, u përpoq të siguronte monopolin politik dhe ekonomik mbi shtetin shqiptar në vitet 1922-1924, duke komplotuar kundër tij dhe duke nxitur përçarjet politike, grushtet e shtetit dhe kryengritjet antiqeveritare. Ndërsa më tej, ajo e sfidoi hapur pavarësinë e Shqipërisë në aspektin ekonomik, politik e në fund edhe ushtarak.

                Paqëndrueshmëria e vendimit të dy Konferencave të Ambasadorëve më 1913 dhe 1921 u shfaq edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore e në fund të saj, kur Fuqia më e madhe evropiane, antifashiste, Britania e Madhe dhe pas saj edhe Franca, nuk e denoncuan agresionin italian. Kurse në vitin 1942, Londra sërish hodhi hije dyshimi mbi pavarësinë dhe tërësinë territoriale të Shqipërisë pas Luftës, madje në vitin 1945 propozoi diskutimin për herë të tretë të kufijve të saj.

Por pasoja më e rëndë dhe afatgjatë e vendimeve të Konferencës së Londrës në procesin e shtet-formimit lidhej me copëtimin e thellë të territoreve shqiptare. Qysh para marrjes së vendimit final për kufijtë, qeveria e  Vlorës dhe Kongresi Shqiptar i Triestes (1-4 mars 1913), u argumentuan Fuqive të Mëdha se: “një Shqipëri e reduktuar në rajone pa vlerë ekonomike dhe e privuar nga qytetet e mëdha që mund të bëheshin për kombin shqiptar qendra të mëdha qytetërimi”, do të ishte një shtet “që do ta kishte të pamundur të zhvillohej normalisht dhe, në të njëjtën kohë, do të ishte për vetë Fuqitë burim i vështirësive të mëdha”. Në Shqipërinë politike u përfshinë 28 000 km2 ose 36 % e sipërfaqes së viseve shqiptare dhe një popullsi prej 700 000 shqiptarësh e 37 000 pjesëtarësh të pakicave të huaja kombëtare. Në viset shqiptare prej 75-76 mijë km2  llogaritej se jetonin 2 milionë banorë. Ky ishte copëtimi më i thellë në Ballkan dhe Evropë. Shumë kombe kishin humbur popullsi të tyre, por asnjëri në këto dimensione. Kjo pikësëpari theu balancat natyrale në fuqinë numerike, politike, ushtarake e ekonomike midis kombit shqiptar dhe kombeve të tjera ballkanike. Para copëtimit, shqiptarët nuk kishin diferenca të dukshme numerike me kombet fqinje. Në fund të shekullit XIX, Bullgaria kishte 96 000 km2 dhe 3.3 milionë banorë (bullgarë e jo bullgarë), Serbia 48 000 km2 dhe 2.37 milionë banorë, Greqia 64 600 km2 dhe 2.6 milionë banorë (prej tyre së paku 1/3 ishin arvanitë). Kjo do të ndikonte fuqishëm negativisht në konsolidimin e shtetit shqiptar, në ç‘balancimin e fuqive të tij me fqinjët, duke i nxitur ata të ndërtonin politika konstante agresive ndaj tij. Ky ndikim do të ishte afatgjatë për gjatë gjithë shekullit XX dhe konsistent. 

         Shteti i ri humbi pozitën gjeografike që kishin pasur më parë viset shqiptare, si ndërlidhëse me rajonet ballkanike dhe më gjerë. U ndërprenë të tria korridoret e tij tregtare; brenda Shqipërisë së pavarur mbetën 350 mijë ha tokë bujqësore, kurse jashtë saj mbetën 2 herë më tepër dhe kjo ishte toka më pjellore; Shqipëria humbi qytetet e saj kryesore si dhe fuqinë ekonomike që gjeneronin ato; u thye tregu i përbashkët kombëtar, Shqipëria humbi shumicën e njësive zejtare –tregtare dhe të ndërmarrjeve industriale, humbi shumicën e pasurive minerale, si dhe pjesën më të vlefshme të tyre. Këto do të kishin pasoja të rënda në procesin e shtet-ndërtimit dhe konsolidimit të tij. Shteti shqiptar kishte kapacitete të dobëta politike, ekonomike dhe ushtarake, qenia e tij ishte gjithmonë në kufijtë e mbijetesës, ritmet e zhvillimit ekonomik të ulëta dhe jo konkurruese në rajon,  atij iu desh të konsumonte shumë energji dhe mjete për të siguruar ekzistencën e vet; shteti shqiptar u izolua ekonomikisht, nuk kishte më mundësitë e mëparshme të akumulimit të kapitalit, të thithjes së teknologjisë, përvojës, etj., të zhvillonte në parametrat normalë të kohës degët prioritare të ekonomisë me rentabilitet; u pakësua ndjeshëm fondi blegtoral, u përball si kurrë më parë me mungesën e drithërave dhe me zinë e bukës.

Fqinjët, që kishin marrë territore dhe popullsi të konsiderueshme shqiptare, do të përpiqeshin pandërprerë për ta sfiduar, dobësuar, për ta vënë nën kontroll dhe madje për ta asgjësuar shtetin e ri. Njëri prej qëllimeve të këtyre politikave mbytëse ishte pikërisht pengimi i këtij shteti për t’u shndërruar në një piemont apo mbështetje sado modeste  për mbrojtjen e popullsisë shqiptare nën sundimin e tyre. Ky faktor destabilizues që buronte nga vendimet e Konferencës së Londrës ka vepruar për dekada të tëra, dhe ndikoi fuqimisht në dështimin e shumë përpjekjeve të shqiptarëve për ta stabilizuar shtetin e tyre.

Copëtimi i thellë i territoreve shqiptare, veçanërisht aneksimi i viseve shqiptare nga Serbia e Mali i Zi, do të krijonte natyrshëm një rrymë politike irredentiste, e cila do të vepronte brenda shtetit të ri kombëtar. Në mjaft raste ajo ndihmoi në konsolidimin e shtetit (mbështetja e Qeverisë së Vlorës, e Vidit dhe roli në Kongresin e Lushnjes). Por në vitet 1920-1924, një segment i fuqishëm i kësaj rryme, pati divergjenca të thella me qeveritë e kohës, kryesisht lidhur me nivelin e mbështetjes dhe mënyrën se si ato duhet të ndihmonin këtë lëvizje irredentiste, duke kërkuar një angazhim më aktiv, politik e ushtarak, veçanërisht kundër politikave shtypëse të mbretërisë SKS ndaj shqiptarëve. Këto divergjenca u nxitën më tej e u shfrytëzuan edhe nga qeveria italiane dhe degjeneruan në një konflikt të ashpër politik, që u karakterizua nga grushte shteti dhe kryengritje antiqeveritare. Ky ballafaqim ishte një faktor me rëndësi për destabilizimin e shtetit shqiptar dhe pengesë serioze për stabilizimin e tij.

Filed Under: Politike Tagged With: Beqir Meta

Festa e Flamurit 2023 – Washington DC

December 1, 2023 by s p

Nga Merita McCormack/

Komuniteti Shqiptar i Zonës Washington DC- Virginia- Maryland u mblodh në River Creek Country Club , në Loudoun County, VA, të Shtunën, më 25 Nëntor 2023 , për të festuar 111 Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.

Në festë morrën pjesë me qindra bashkëkombas nga çdo trevë shqipfolëse, disa Diplomatë shqiptarë të Abasadave të Shqipërisë dhe Kosovës , familje të nderuara shqiptaro Amerikane si familja Biberaj, Brozi, Krasniqi, si dhe figura a aktivistë mjaft të mirënjohur në komunitetin tonë.

Mbremjen e hapi autorja e këtij shkrimi, ceremoninë e Hymneve Kombëtare , fjalën mikpritëse në shqip e anglisht e drejtuan dhe mbajtën dy vajza te reja , të lindura ne SHBA të cilat e njohin mirë gjuhën shqipe dhe janë krenare që janë me origjinë shqiptare. Ato janë Laura Boçi dhe Hana Kovaçi. Ato folën gjithashtu dhe për rëndësinë e historinë e Ditës së Flamurit.

Flamuj të vegjël shqiptare u vendosën në çdo tavolinë. Ato dhe një flamur i madh që u vu në dispozicion të pjesëmarrësve si sfond fotografik u siguruan nga Elsa Balla. Kaliopi Lazëri dhe Valbona Selimaj shpërndanë petale trëndafilash të kuq të freskët mbi tavolinat zbukuruar kuq e zi. Rinoshë nga komuniteti nga familjet Balla e Boçi bënë të mundur hyrjen e personave duke i drejtuar nëpër tavolina.

Matilda Lazëri dhe Agron Shehaj u kujdesën për biletat e një llotarie për një çmim dhuruar nga TV Alb dhe bënë shortin në një moment pushimi. Artistë të mirënjohur interpretuan muzikë të të gjitha trevave.

ATA ishin DJ Hermes nga SHBA , Rovena Ibrahimi dhe Renato Jaho nga Shqiperia, si dhe shume e talentuara artistja Greta Tafa nga SHBA. Gjatë programit disa orësh aktivitetin e përshëndeti edhe Znj. Buta Biberaj, Prokurore e Përgjithshme e Kontesë Loudoun në Virginia.

Valbona Selimaj e cila ishte një ndër inicatoret dhe organizatoret kryesore të aktivitetit , falenderoi të gjithë pjesëmarrësit, grupin orhanizator dhe në veçanti Ira Mehanin që përgatiti tortën me flamur dhe gjithë ëmbëlsirën për 275 pjesëmarrësit në festë. Kënga e vallëzimi vazhduan deri në mesnatë. Nuk u harruan këngët labe dhe kërcimet rajonale. Pjesëmarrësit shptehën kënaqësi dhe u larguan me shpresën e ritakimit në të tilla aktivitete. Kështu u mbledhshim dhe festofshim. Të gjithë pjesëmarrësve e artistëve ju faleminderit! Faleminderit edhe stafit të River Creek Club.

Rroftë Flamuri e Kombi shqiptar

Filed Under: Politike Tagged With: Merita B McCormack

Super-K: Miti i Henry Kissingerit

November 30, 2023 by s p

Rafael Floqi/

Henry A. Kissinger, studiuesi i kthyer në diplomat i cili projektoi hapjen e Shteteve të Bashkuara ndaj Kinës, negocioi daljen e saj nga Vietnami dhe përdori dinakërinë, ambicjen dhe intelektin për të rindërtuar marrëdhëniet e fuqisë amerikane me Bashkimin Sovjetik në kulmin e Luftës së Ftohtë , nganjëherë duke shkelur vlerat demokratike për ta bërë këtë, vdiq të mërkurën, sipas një deklarate të lëshuar nga firma e tij konsulente. Ai ishte 100.

Ai vdiq në shtëpinë e tij në Konektikat.

Pak diplomatë janë lavdëruar dhe sharë me një pasion të tillë si zoti Kissinger. I konsideruar si sekretari më i fuqishëm i shtetit në epokën e pas Luftës së Dytë Botërore, ai u përshëndet me radhë si një ultrarealist që riformësoi diplomacinë për të pasqyruar interesat amerikane dhe denoncoi se kishte braktisur vlerat amerikane, veçanërisht në arenën e të drejtave të njeriut, nëse mendonte i shërbeu qëllimeve të kombit. Ai këshilloi 12 presidentë – më shumë se një e katërta e atyre që kanë mbajtur postin – nga John F. Kennedy te Joseph R. Biden Jr.

Jetëgjatësia e Kissingerit duket se vërteton përfaqësimin shumë popullor dhe pothuajse të mbinatyrshëm të tij: imazhi mistik i “super-K” të një kopertine të famshme të Newsweek të vitit 1974 – me geta blu dhe mantel të kuq – gati për të shpëtuar botën, një lëvizje diplomatike në kohë.

Plaku i urtë i vjetër i politikës botërore ende jepte intervista dhe, herë pas here, shkruante komente, të cilat adhuruesit e politikës së jashtme i lexojnë me shpresën për të zhdukur mjegullat e dendura të politikës globale (ose për t’u bërë përshtypje miqve të tyre në tryezën e darkës). Ai mbetet objekt i interesit të pafund, nëse jo magjepsjes, të legjioneve të studiuesve të marrëdhënieve ndërkombëtare, ekspertëve, gazetarëve dhe publikut të informuar në përgjithësi.

Prisni në këto ditë një vërshim komentesh mbi vdekjen e tij, shumica dërrmuese që festojnë zgjuarsinë, erudicionin dhe sofistikimin e tij unik. Një turmë kritike shumë më e vogël, por jo e parëndësishme, do ta denoncojë atë si një dinakëri të paskrupullt, me prirje autoritare, nëse jo një kriminel lufte.

Si apologjetët, ashtu edhe kritikuesit i përmbahen idesë se Kissinger ishte dhe është ende një realpolitikan amoral por koherent. Për këtë të fundit, ai është një kampion cinik dhe joparimor i politikës së pushtetit të lartë, i cili vazhdimisht ka justifikuar dhe promovuar ekseset më të këqija të saj. I pari e konsideron atë kujdestarin e ndershëm të interesit kombëtar, duke e mësuar publikun mbi natyrën e pashmangshme (dhe brutale) të marrëdhënieve midis kombeve dhe duke ekspozuar naivitetin e brendshëm – të rrezikshëm dhe hipokrit – të entuziastëve të të drejtave të njeriut, vizionarëve të promovimit të demokracisë, dhe teoricienët e së drejtës ndërkombëtare-primati.

Por a e gjejmë vërtet këtë koherencë në përsiatjet e Kissinger-it si intelektual, në veprimet e tij si burrë shteti dhe në recetat e tij politike si një guru shumë i kërkuar i politikës së jashtme? Përgjigja vështirë se mund të jetë pozitive. Në një karrierë në domenin publik që përfshin shtatë dekada, Kissinger shpesh i ka ndjekur modat politike dhe intelektuale të kohës më shumë sesa i ka sfiduar ato. Ai u është përshtatur – në veprat, idetë dhe propozimet e tij – me këto moda më shumë sesa i ka dhënë formë.

Një vëzhgim i thjeshtë i shkrimeve të tij dhe i veprave të tij më të rëndësishme politike e tregon këtë. Në mesin e viteve 1950, ai reflektoi mbi përdorimin e mundshëm të armëve bërthamore taktike, kur ishte popullore dhe e përshtatshme për ta bërë këtë në drejtim të karrierës. Më vonë atë dekadë, ai iu përmbajt besimit – të pabazuar por politikisht të përshtatshëm – se SHBA-ja vuante nga një boshllëk raketash përballë Bashkimit Sovjetik. Përparësia teknologjike e Moskës për raketat, pohoi ai, po ndryshonte përgjithmonë ekuilibrin global të fuqisë, me SHBA-në që rrezikonte të humbiste Luftën e Ftohtë. (Një hendek rakete ekzistonte në fakt, por ende qe në avantazhin e Uashingtonit.)

Në mesin e viteve 1960, Kissinger trajtoi një tjetër temë të rëndësishme të ditës: marrëdhëniet transatlantike. Argumenti i tij i rafinuar ishte se SHBA-ja duhet të dëgjonte më shumë aleatët e saj evropianë dhe se bashkëpunimi duhej të preferohej sesa konflikti. Ndërsa privatisht ushqeu disa dyshime mbi vendimin e pamatur amerikan për të rritur ndërhyrjen e saj ushtarake në Indokinë, ai kurrë nuk i vuri në dyshim objektet strategjike të luftës në Vietnam. Pasi ishte në qeveri, si këshilltar për sigurinë kombëtare të Nikson-it, ai pranoi ta zgjaste atë konflikt pa rezultat. Ai e racionalizoi këtë përmes një fetishi thelbësor të politikës së jashtme të SHBA-së pas vitit 1945: obsesioni me besueshmërinë dhe paaftësia pasuese për të bërë dallimin midis teatrove që ishin vërtet jetike për sigurinë e SHBA-së dhe atyre që nuk ishin. (Ngjarjet do të tregonin shpejt se Vietnami ra plotësisht në kategorinë e fundit.) Me një arsyetim paradoksal, i cili do të bënte çdo realist koherent të binte nga karrigia e tij ose të saj, super-K pretendoi se SHBA-të kishin krijuar një interes strategjik duke ndërhyrë në vendin e parë, dhe se pavarësisht nga rëndësia e Vietnamit, besimi ndërkombëtar në Shtetet e Bashkuara dhe angazhimet e saj ishte në rrezik. Prandaj, një tërheqje nuk mund të mendohej.

Katër dekada më vonë, Kissinger do të ofronte një argument të ngjashëm në lidhje me ndërhyrjen në Irak dhe domosdoshmërinë që Uashingtoni të shmangë tërheqjet e nxituara. Hapja ndaj Kinës – gjoja një nga aktet e tij të gjeniut diplomatik – kishte kohë që po bëhej, dhe ne tani e dimë se në fakt ishte ideja e Nikson-it. Në fakt, Kissinger ishte shumë skeptik në fillim.

Ndërsa ishte në qeveri, analizat e Kissinger-it për çështje të ndryshme ndërkombëtare ishin shpesh të keqinformuara dhe dogmatike, dhe propozimet e tij politike të paqëndrueshme, nëse jo plotësisht të rrezikshme. Gjatë tranzicionit të hutuar demokratik në Portugali në 1974-75, për të marrë një shembull nga shumë të tillë, ai e keqkuptoi plotësisht situatën dhe aplikoi lente të ngurtë dhe binare të Luftës së Ftohtë. Ai flirtoi me një zgjidhje kiliane (d.m.th., një grusht shteti ushtarak djathtist) ose një zgjidhje tajvaneze (ndarja e ishujve Azores fort reaksionarë nga pjesa kryesore dhe; “Me sa duket,” tha ai, “vetëm të bardhët nuk kanë të drejtë për autonomi”).

Në fund të viteve 1980, ai festoi stabilitetin sistemik të Luftës së Ftohtë pak para shpërthimit të regjimeve socialiste në Evropën Qendrore dhe Lindore dhe, më vonë, vetë Bashkimit Sovjetik. Në vitet 1990, ai madje rishikoi kritikën e tij origjinale ndaj idealizmit të Woodrow Wilsonit.

Këta janë vetëm disa shembuj ilustrues, të cilëve mund t’u shtohen edhe shumë të tjerë. Kjo shtron pyetjen se përse ai është ende kaq i nderuar, i admiruar dhe i konsultuar. Për t’iu përgjigjur, duhet të përqendrohemi tek miti i Kissingerit më shumë se tek njeriu i Kissingerit. Ai ka qenë një promovues i pandërprerë, dhe shpesh i suksesshëm, i imazhit të tij si një i urtë i urtë, jo i pakuptimtë, duke guxuar t’u thotë të vërtetën brutale atyre që janë të prirur dhe të aftë për të dëgjuar dhe mësuar prej saj. Por kjo ka diçka më shumë sesa oportunizmi i thjeshtë dhe vetë-lavdërimi efikas.

Popullariteti i Kissingerit është i lidhur pjesërisht me luhatjen e Amerikës moderne midis projekteve mesianike për të shpëtuar dhe transformuar rajone të tjera, dhe zhgënjimeve të mëdha të ndjekura nga kërkesat nga një botë mosmirënjohëse për SHBA-në. Gjatë periudhave të krizës, introspeksionit dhe vetëdyshimit, retorika e zymtë e Kissinger-it dhe rekomandimet e qarta duket se ofrojnë një rrugëdalje të thjeshtë nga çdo rebus strategjik apo moral: ndjekja e interesit kombëtar; shkarkoji utopi jopraktike melioriste; mos e ngatërroni moralin me moralizimin.

Siç tha ai dikur, gjatë njërës prej krizave pas katastrofës së Vietnamit, shpesh vjen koha që SHBA-të të “përballen me realitetin e zymtë” dhe “të mësojnë të drejtojnë politikën e jashtme, ashtu siç u desh ta drejtonin kombet e tjera për kaq shumë shekuj – pa i shpëtuar”. dhe pa afat.”

Fama e Kissinger-it gjithmonë e ka pasqyruar imazhin e tij si një evropian i ditur, me theks të madh, të ndërgjegjshëm historik, që i mëson Amerikës naive rregullat e ashpra dhe të pashmangshme të politikës botërore. Jo rastësisht, dhe me gjithë rizbulimin e papritur të Wilson-it, ai ishte më pak popullor dhe me ndikim gjatë euforisë neoliberale dhe humanitare të viteve 1980 dhe 1990. Dhe jo rastësisht, ai ka rikthyer në qendër të vëmendjes pas fiaskove dramatike të luftërave amerikane të këtij shekulli, rrëzimit financiar të vitit 2008 dhe kontestimit radikal që rezultoi me globalizimin.

Ashtu si çdo hero i fantazisë, super-K qe i prerë për telashe dhe emergjenca, sepse ajo që ai ofroi ishte pa ndryshim një ligjërim krize. Çfarëdo që të mendojmë për të, shkrimet dhe politikat e tij, atëherë është

e vështirë të imagjinohet një mit më i përshtatshëm për epokën dhe dilemat e sotme sa ai.

Filed Under: Politike

Kryeministri Kurti pas homazheve në Prekaz: Prekazi me Epopenë e UÇK-së është shndërruar në kryeqytet të kryengritjes shqiptare

November 29, 2023 by s p

Pas pjesëmarrjes në ceremoninë shtetërore të ngritjes së flamurit dhe homazheve në “Sheshin e Flamurit” në Vlorë, në shënim të 111-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka bërë homazhe edhe në Prekaz, te Kompleksi Memorial “Adem Jashari”.

Duke kujtuar flijimin, sakrificën dhe çmimin për lirinë të cilën e gëzojmë, kryeministri tha se ndaj saj duhet të sillemi me përgjegjësi institucionale e qytetare.

“Prekazi me Epopenë e UCK-së është shndërruar në kryeqytet të kryengritjes shqiptare dhe këtu ne e kuptojmë se sa i lartë ka qenë flijimi, sakrifica, çmimi për lirinë, të cilën e gëzojmë e ndaj të cilës duhet të sillemi me përgjegjësi institucionale e qytetare”, tha kryeministri Kurti, dhe shtoi se dje, kur kishim Ditën e Ushtrisë sonë, edhe sot, që e kemi 28 Nëntorin, këtë festën më të madhe të kombit shqiptar, kemi aktivitete të dendura publike, kulturore, historike.

Më tej kryeministri Kurti tha se për çdo 28 Nëntor kujtojmë e përkujtojmë jo vetëm Skënderbeun në Krujë, flamurin tonë kombëtar dhe çlirimin arbënor nga shekulli i XV-të; jo vetëm Ismail Qemalin në Vlorë dhe pavarësinë e Shqipërisë, por gjithashtu edhe ditëlindjen e Kryekomandantit Adem Jashari dhe njëkohësisht shpalljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Lavdi Jasharajve, lavdi Kryekomandantit Adem Jashari, lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të gjithë dëshmorëve të kombit”, tha në fund kryeministri Kurti.

Filed Under: Politike

Vatra Michigan festoi 111-vjetorin e Ditës së Flamurit

November 28, 2023 by s p

Nga Rafael Floqi/

Dega e Vatrës në Michigan, ditën e diel kremtoi me madhështi Festën e 28 Nëntorit në mjediset e një qendre sa fetare dhe patriotike, e lidhur historikisht me Vatrën, si Teqeja Bektashiane e Baba Rexhebit në Taylor.

Kjo zgjedhje sipas drejtuesve të degës së Vatrës ishte bërë qëllimisht, pasi në përgjithësi, besimi bektashi e ka karakterizuar një qëndrim të hapur dhe tolerant ndaj besimeve të tjera, edhe në kontekstin patriotik, ka kontribuar në një klimë të përgjithshme të bashkëjetesës dhe tolerancës ndërkomunitare. Kontributi i bektashinjve në lëvizjet për liri dhe drejtësi ka shpesh sjellë një dimension patriotik në veprimtarinë e tyre, duke filluar qysh me Naim Frashërin dhe ka qenë i pashoq.

Kështu dega e Vatrës e Miçiganit duke festuar në teqenë bektashiane të Detroitit, në Miçigan të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në teqenë e shenjtorit Baba Rexheb Beqirit, gjeti një ambient sa miqësor aq edhe të lirë (falas), siç pohon Baba Eliton Pashaj. Dhe kur baba Rexhepi u nda nga kjo botë, me njerëzit dhe të afërt të tij, me ata që e rrethuan plot dashuri qysh në vitin 1954 që kur u çel teqeja, që sakrifikuan për rritjen e këtij objekti, që jo vetëm praktikuan ritet dhe traditën bektashiane, por ditën gjithashtu arritën të ruanin të paprekur, vëllazërinë brenda tyre, vëllazërinë me krejt racat, etnitë dhe dallimet fetare në vendin kampion të demokracisë si Amerika,

Ky ishte një organizim i mirë, i dukshëm i bërë nga dega e Vatrës dhe nga drejtori i degëve të Vatrës z. Mondi Rrakaj që synon të krijojë në traditë, që dhe degët e Vatrës të kremtojnë këtë ditë të gëzuar së bashku. Gjithçka ishte e planifikuar në detaje, qysh nga flamurkat e vogla për t’u kapur në xhaketë e deri tek zbukurimet e sallës si dhe ushqimet shqiptare të përgatitura më së miri. Të pranishmit ishin një kombinim i bukur mbarëshqiptar, me vatranë të respektuar të Michiganit, por edhe bashkëdhetarë frekuentues të teqesë. Të gjithë në pritje të këtij eventi kuq e zi.

Në tavolinën kryesore kishin zënë vend nënkryetari i Vatrës, z. Alfons Grishaj, sekretari z. Pashko Camaj, kol. Dritan Demiraj e miq të ftuar, si deputeti shqiptar i Malit të zi, Nikollë Camaj, dhe kryeimami i Korçës Ledjon Cikalleshi, natyrisht edhe i zoti i shtëpisë, Babai i teqesë Eliton Pashai, që ndihmoi deri në minutat e fundit për organizimin i shoqëruar gjithnjë me atë humorin e tij karakteristik…

Ndërsa mua dhe z. Franz Grishaj na ra detyra dhe nderi, për të bërë si moderimin aq edhe mbajtjen e kumtesave përkujtimore të rastit në shqip dhe në anglisht.

Pas himneve kombëtare i erdhi radha të zotit të shtëpisë Baba Eliton Pashajt të hapte dhe të bekonte darkën. Baba Elidoni theksoi dhe i uroi të gjithë të pranishmit për festën, ai theksoi mesazhin e përjetshëm të patriotit baba Rexhepi, mesazh, që është i shkruar edhe në anglisht në tyrben e tij.

Pas hapjes, i erdhi radha z Franz Grishaj sot 60-vjecar, i lindur dhe rritur në SHBA, një aktivist i komunitetit, që të mbante një fjalim përgjithësisht, në anglisht për etapat që kaloi lëvizja kombëtare drejt pavarësisë dhe përcaktoi, për më të rinjtë të gjithë etapat historike dhe domethënien e tyre. Mesazhi që e përcolli me entuziazëm i mëshoi idesë se edhe sot si 111 vjet më parë, ka rëndësi vlera patriotike dhe bashkimi mes shqiptarëve.

Pas Francit përshëndeti dhe z, Nikollë Camaj, që si një shqiptar që jeton në trojet auktoktone në Mal të Zi, se sa rëndësi e domethënie ka dita e Pavarësisë së Shqipërisë edhe për malësorët që e ngritën të parin flamurin, me Dedë Gjo Lulin në Bratilë të Deçiqit. Z. Camaj analizoi veprimet e fundit të qeverisë malazeze, dhe futjen e disa partive shqiptare në Parlamentin e Malit të zi, dhe tha se “Qeveria e Re dhe pika e marrëveshjes për deputetët shqiptarë, ka qenë presioni i miqve tanë ndërkombëtarë dhe garancia e tyre, pasi kjo qeveri mund të mos ishte e pranueshme, dhe as do që do të krijohej, dhe se shqiptarët do ta bojkotonin atë”.

Dega e Vatrës në Michigan me këtë rast nuk kishte harruar as dhe disa vlerësime, për figura të rëndësishme të degës të Vatrës, për kontributet e tyre shoqërore dhe patriotike. Kështu nënkryetari i Vatrës z. Alfons Grishaj dhe sekretari i Vatrës Pashko Camaj, dhe kol. Dritan Demiraj u shpërndanë certifikata mirënjohje me motivacione të ndryshme, për veprimtarinë e tyre shoqërore dhe patriotike: Baba Eliton Pashajt, z. Mynyr Nazifi, z. Nikollë Camaj si dhe aktivistit Dragush Beqiraj.

Pas mirënjohjeve i erdhi radha për të përshëndetur imamit të Korçës, Ledion Cikalleshit, i cili solli përshëndetjet më të mira, në emër të komunitet mysliman në Shqipëri, dhe evokoi rëndësinë e një ngjarje të tillë për gjithë kombin shqiptar.

Fëmijët e grupit të valleve pranë Balkan Center, mesi po duronin për të kërcyer vallet tona kombëtare. Këto vajza të reja me vallet dhe muzikën e tyre e mbushën ambientin gjithë tinguj dhe hijeshi kostumesh kombëtare. Por krenaria e nënave të tyre kapërcente malet. Me që po flasim për krenari. A ka më krenari se kur këto vajza të falënderojnë për mundësinë që iu kemi dhënë për performuar për para bashkatdhetarëve. Kjo tregon se traditat shqiptare do t’i mbijetojnë kohës po ashtu si kjo festë e madhe.

Dhe pas tyre më erdhi radha mua të mbaja një fjalë përshëndetëse, për këtë ngjarje të madhe dhe për rolin e Vatrës, por nuk mund të rija dot pa përmendur edhe rolin e paraardhësve të mi në shpalljen e pavarësisë. E ndaj ndër të tjera theksova: “Ndërsa festojmë 28 Nëntorin, duhet të pranojmë sakrificat e atyre që erdhën përpara nesh. Heronjtë dhe heroinat që qëndruan përballë sfidave të kohës së tyre, të vendosur për të krijuar një shtet sovran shqiptar. Shpallja në Vlorë e pavarësisë e Shqipërisë nga Perandoria Otomane është padyshim një nga ngjarjet më të rëndësishme. Të gjitha studimet historike, kujtimet apo episodet e mëvonshme, që bëjnë fjalë për pavarësinë e Shqipërisë, të gjitha bashkohen në një pikë të vetme: në mbrëmjen e 19 nëntorit 1912, ndërsa ngjitej në shkallët e anijes “Baron Bruck”, “burri i urtë” Ismail Qemali dhe e gjithë shpura që e shoqëronte atë, ishin të qartë se po shkonin drejt pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912. Në një intervistë të kohës, dhënë gazetës italiane “Il Piccolo”, përpara nisjes, Ismail Qemali dëshmoi strategjinë e tij: “Shpallja e pavarësisë është e pashmangshme. Ne duam t’i paraqesim Evropës faktin e kryer. Do të krijohet një qeveri e përkohshme e ndoshta, unë do të jem kryetar. Ju siguroj se për idenë e pavarësisë, jemi të gjithë në një mendje”.

E natyrisht nuk mund të fshihja krenarinë time, për paraardhësit e mi si Thanas Floqi një firmëtar i Pavarësisë së Shqipërisë dhe shtova: “Sot në këtë ditë të shënuar, të 111-vjetorit e shpalljes së Pavarësisë në Vlorë, përkujtohet me mirënjohje e respekt dhe një patriot si Thanas Floqi, një nga firmëtarët e shpalljes së Pavarësisë. Ai ishte një nga intelektualët e njohur të kohës, krijues, e mbi të gjitha atdhetar i spikatur. Ai do të respektohet si i tillë ndër breza, pasi ka lënë gjurmë në historinë e vendit. Në stendat e Muzeumit Kombëtar në Tiranë kur sheh me vëmendje firmëtarët e aktit historik të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Midis firmave të I. Qemalit, L. Gurakuqit e të tjerëve, më tërheq si magnet firma e Thanas Floqit, vëllait të Kristo Floqit bashkëthemeluesit të Vatrës . Të them të drejtën diçka ndjej një ndjenjë krenarie për këtë paraardhës timin të trungut tim familiar, që atëherë, atë ditë të 28 Nëntorit historik të 1912-tes, ishte vetëm 28 vjeç dhe qëndronte pranë plakut mjekërbardhë Ismail Qemali.”

Pas fjalimit që u vlerësua nga të pranishmit, ia dhuruam skenën një këngëtare të njohur si Gerona Hyska e cila ka kryer studimet e larta te Fakulteti Ekonomik, Tirane e specializimin e saj ne Diagnostikim i Menaxhimit Operacional te bizneseve Lyon, France. Por qysh prej asaj kohe i është përkushtuar muzikës qysh nga kënga “Të ndiej e festivalit të 2015 e deri tek hiti i fundit “Luj Luj”. Tekst i punuar në bashkëpunim Marenglen Boja & Bes Kallaku. Dhe kështu “Luj luj” vazhdoi koncerti deri vonë për kënaqësinë e të gjithë të pranishmëve pavarësisht moshës krahinës apo besimit, e ku midis të syresh me qeleshe në kokë shquhej flamurtari i përhershëm i demonstratave për Malësinë e Kosovën, Vasel Ujkaj e deri tek vatranët e rinj vajza dhe djem që kishin ardhur dhe për t’u argëtuar si shqiptarët e Shqipërisë ashtu shqiptarët Kosovës e të Maqedonisë.

Një falënderim i përzemërt për organizatorin e këtij eventi, kryetarin e degëve të Vatrës, një djalë i përkushtuar gjithë pasion si Mondi Rrakaj që u mor me organizimin, që nga biletat e deri tek ushqimi, madje dhe me organizimin e muzikës.

Gëzuar pra 28 Nëntorin, të gjithë vatranëve të Miçiganit. Të gjithë shqiptarëve kudo janë që ndërsa ngremë flamurin tonë lart dhe marrim pjesë në festa, të mos harrojmë përgjegjësinë që vjen me lirinë. Flaka e krenarisë sonë kombëtare le të digjet me shkëlqim në zemrat tona, duke na shtyrë drejt një të ardhmeje ku idealet e 28 Nëntorit jo vetëm festohen, por përjetohen çdo ditë.

Në mozaikun e historive botërore, Dita e Pavarësisë së Shqipërisë, e festuar më 28 Nëntor, zë një vend të veçantë – një ditë që përmbledh frymën e qëndresës, kërkimit të lirisë dhe unitetit të paepur të një populli.

Ndaj të mos harrojmë edhe këngën e firmëtarit të pavarësisë, Thanas Floqit ,që më 1908, në Vlorë, themeloi orkestrën “Labëria”… dhe e asaj kohe është dhe kënga patriotike e kohës se robërisë turke, me titull “O trima luftëtarë”, kompozuar dhe me tekst të vet atij që është dhe si një përjetësisht një kushtrim.

O trima luftëtarë

O bijtë e Skënderbeut

A doni ju shqiptarë

Lirinë e mëmëdheut ?

Se mjaft në robëri

O e mjera Shqipëri

O djem rrëmbeni pushkën

Ja vdekje, Ja liri! …

+12

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 121
  • 122
  • 123
  • 124
  • 125
  • …
  • 667
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PËKUSHTIM XHEVAT KORҪËS
  • Shqiptarët në Philadelphia festuan Ditën e Verës
  • RAKETAT SUPERSONIKE TË SERBISË: SINJAL ALARMI PËR SIGURINË NË BALLKAN
  • MONOGRAFI E RËNDËSISË SË VEÇANTË
  • BALLKANI PERËNDIMOR NDËRMJET ARKITEKTURËS SË PAQES DHE RREZIKUT TË RIFORMATIMIT GJEOPOLITIK
  • Zgjidhja e mençur angleze e Shekullit XIX – Krijimi i Pullës Postare
  • Love Bombing si dukuri digjitale
  • We invite you to join us for the 5th Annual Gjergj Kastrioti Skenderbeu Street Fair
  • U festua Nata e Kadrit te Komuniteti Mysliman Shqiptaro-Amerikan në Waterbury
  • “VATRA”, “ONUFRI” DHE QENDRA KULTURORE “NËNË TEREZA” PROMOVUAN ROMANIN “BRENGA” TË AUTORIT DR.PASHKO CAMAJ
  • Komunikatë Zyrtare nga Oborri Mbretëror Shqiptar
  • ÚJ IFJÚSÁG (1968) / “PËR TË ARDHMEN DËSHIROJ VETËM NJË GJË : PAQE DHE QETËSI.” — INTERVISTA ME MBRETËRESHËN GERALDINË NË MADRID
  • Sot, 35 vjet nga rivendosja e marrëdhënieve me SHBA
  • Kujtojmë në ditën e lindjes Faik Konicën, një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe letërsisë shqiptare
  • Lamtumirë Jürgen Habermas, një prej ndërgjegjeve më të mëdha të Evropës moderne

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT