Pas pjesëmarrjes në ceremoninë shtetërore të ngritjes së flamurit dhe homazheve në “Sheshin e Flamurit” në Vlorë, në shënim të 111-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka bërë homazhe edhe në Prekaz, te Kompleksi Memorial “Adem Jashari”.
Duke kujtuar flijimin, sakrificën dhe çmimin për lirinë të cilën e gëzojmë, kryeministri tha se ndaj saj duhet të sillemi me përgjegjësi institucionale e qytetare.
“Prekazi me Epopenë e UCK-së është shndërruar në kryeqytet të kryengritjes shqiptare dhe këtu ne e kuptojmë se sa i lartë ka qenë flijimi, sakrifica, çmimi për lirinë, të cilën e gëzojmë e ndaj të cilës duhet të sillemi me përgjegjësi institucionale e qytetare”, tha kryeministri Kurti, dhe shtoi se dje, kur kishim Ditën e Ushtrisë sonë, edhe sot, që e kemi 28 Nëntorin, këtë festën më të madhe të kombit shqiptar, kemi aktivitete të dendura publike, kulturore, historike.
Më tej kryeministri Kurti tha se për çdo 28 Nëntor kujtojmë e përkujtojmë jo vetëm Skënderbeun në Krujë, flamurin tonë kombëtar dhe çlirimin arbënor nga shekulli i XV-të; jo vetëm Ismail Qemalin në Vlorë dhe pavarësinë e Shqipërisë, por gjithashtu edhe ditëlindjen e Kryekomandantit Adem Jashari dhe njëkohësisht shpalljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Lavdi Jasharajve, lavdi Kryekomandantit Adem Jashari, lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të gjithë dëshmorëve të kombit”, tha në fund kryeministri Kurti.