
Prof.Asc.Dr.Gëzim MUSTAFAJ/
Legjitimiteti është besim, harmoni, ekuiliber dhe çelsi i çdo suksesi për qeverisjet në përgjithësi. Vlen nga latinishtja që do të thotë e drejta shtetërore. Ajo ka të bëjë me: arsyetimin e shtetit, për fuqinë sunduese dhe për veprimet e ndërmarra nëpërmjet vlerave dhe ligjeve më të larta, për dallim nga veprimet formale ligjore. Për nga pikëpamja historike duhet të dallojmë parimin e legjitimitetit mbretëror, i cili bazohet në besimin që oborri sundues vinte nga “Mëshira e Zotit”, dhe parimi i legjitimitetit demokratik sipas të cilit fuqia shtetërore vinte nga populli. Si arsyetim vlen vetëm rendi sundues i dalë nga populli apo i dalë nga një kuvend i zgjedhur prej tij dhe një qeveri që kontrollon zbatimin e fuqisë.
Legjitimiteti, është identifikimi i popullsisë së një vendi me shtetin dhe pranimi i detyrimeve e përgjegjësive të shtetit dhe të ligjeve. Legjitimiteti është i brendshëm dhe i jashtëm. Legjitimiteti i brendshëm i një kombi është nënshtrimi apo bindja e tij karshi ligjeve në fuqi të shtetit të tij. Legjitimiteti i jashtëm varet nga zotësia e shtetit për të hyrë në marrëdhënie me shtetet e tjera, ku në bazë të një legjislacioni të caktuar janë të detyruar të respektojnë e zbatojnë normat, rregullat apo ligjet e përbashkëta që ata kanë rënë dakord të zbatojnë.
Legjitimiteti i shtetit është i bazuar në njëfarë mase në aftësinë e politikës drejtuese të atij shteti, për të qënë sa më i hapur me të tjerët. Sa është ai në gjendje të hyjë në marrdhënie ndërkombëtare me shtetet e tjera, sa është ai në gjendje të krijojë aleanca dhe koalicione në drejtim të krijimit të një ambjenti sa më të sigurtë brenda vendit për qytetarët e tij. Ai ka të bëjë me autonominë e shtetit. Humbja e autonomisë automatikisht që nënkupton, humbje e legjitimitetit. Në këtë rast, shteti mund të fajësohet për gjëra që nuk i ka nën kontroll.
Legjitimiteti i popullit. Të kesh legjitimitetin ta përfaqësosh popullin, do të thotë të ndjehesh përgjegjës për fatin e atyre që ta kanë dhënë atë legjitimitet. Të kesh legjitimitetin e popullit, do të thotë, të veprosh kujdesshëm politikisht, gjithmonë të jesh i gatshëm të japësh llogari përpara atyre që të kanë dhënë legjitimitet t’i përfaqësosh në organet më të larta shtetërore; të veprosh ashtu, që të mos e lëndosh të sotmen e popullit që përfaqëson, dhe të mos e rrezikosh të ardhmen e shoqërisë në të cilën vepron. Legjitimiteti i dhënë nga populli është mbi të gjitha besim, i cili duhet arsyetuar, është mundësi që i jepet një përfaqësie politike të një shteti të caktuar, që ajo të dëshmojë kapacitetet e saj dhe potencën vetvepruese në kuadër të një realiteti politik, realitet i cili jo gjithmonë mundëson që të realizohen ngutazi të gjitha idealet e një populli, të gjitha kërkesat që nuk janë realizuar shumë dekada me radhë.
Ka edhe një dimension tjetër të funksionit të shtetit që ka të bëjë me kompetencën që ushtron ai në zbatimin e ligjeve të tij. Shteti ideal nuk përpiqet të ushtrojë shumë autoritet, siç po ndodh në disa vende të Ballkanit, siç ka ndodhur edhe po ndodh aktualisht në vendin tonë. Shteti është mjaft i fuqishëm sa të vërë në zbatim rregulla në disa fusha kyçe, siç janë veprimi i ligjit, mbrojtja e pronës apo të drejtat e individit, etj. Institucionet e forta shtetërore kanë rëndësi kritike dhe jetike në mirëfunksionimin e shtetit. Por kur instituaconet e shtetit, në veçanëti ato ligjëzbatuese kthehen në funksion të mbajtje së pushtetit me forcë, legjitimiteti i dhënë nga populli ka humbur.
Një mënyrë për kuptimin e shteteve është sesa ambiciozë janë ata. A i vënë ata rregulla industrisë? A përpiqen ata të vënë nën mbrojtjen e tyre njerëzit e varfër? A i transferojnë ata të ardhurat apo kanë një politikë industriale? Revolucioni Reagan-Thatcher, që filloi në vitet 80-të ishte një reagim kundër shtetit që përpiqet të kontrollojë gjithçka. Ajo që po ndodhë në Shqipëri është pikërisht kjo, shteti përpiqet të kontrolloj me forcë gjithçka.
Kufizimet strategjike të legjitimitetit në të gjitha rastet që kanë të bëjnë me sigurinë janë përcaktuese. Një mësim i qartë është se në qoftë se nuk ka siguri nuk ka as zhvillim ekonomik. Ndër objektivat e shumta që kanë individët dhe qeveritë, siguria është objektivi më i rëndësishëm dhe me karakter më të përbashkët. Ai është kushti kryesor për të gëzuar vlerat e tjera, siç janë: pasuria, mirqënia, afeksioni etj, me shpresën se ato do të vazhdojnë të ekzistojnë të paktën për një periudhë kohe të gjatë. Për shumë njerëz, sigurimi përfaqëson, gjithashtu, një vlerë në vetvete. Por, përderisa ai përbën mënyrën dhe kushtin për të gëzuar shumë vlera të tjera, kuptimi i tij shpesh është i dyanshëm. Kapacitet vëndas dhe mbikqyrje nga jashtë.
Me ndihmën e ndërkombëtarëve, në Bosnje dhe në Kosovë u vendos paqja. Por më problematike është sesi të ndërtohet një shoqëri e fortë që të bëhet më pas një demokraci vetëvepruese. Problemi është, a pengojnë në fakt, përpjekjet e ndërkombëtarëve në ndërtimin e institucioneve, zhvillimin e vendeve duke shkatërruar kapacitetin e tyre të mirëfillta? Në periudhën e rindërtimit pas konfliktit, është tipike të shohësh njerëz, nga vendet e zhvilluara, nga agjencitë shumëkombëshe të ndihmave, si Banka Botërore, donatorët, organizatat jo-qeveritare, që vinë me rroga të larta të nivelit botëror dhe me laptop dhe lënë jashtë përdorimit kapacitetin ekzistues të institucioneve vendore. Kur ata largohen, në forma të ndryshme, shoqëria mbetet më keq, nga sa ishte më parë, pasi asaj i mungon baza e përhershme për të plotësuar nevojat e popullit. Një vend që ngelet gjithmonë vasal i ndërkombtarëve është i destinuar të dështoje. Në këtë kuptim edhe Kryeministri Kurti në Kosovë, në disa raste po vepron drejtë me ndërkombratët, duke u vënë edhe kufizime për ato probleme që cënojnë sigurinë kombtare dhe janë në dëm të interesave kombëtare. E kundërta ka ndodhur dhe po ndodh në Shqipëri.
Rëndomë dëgjon çdo ditë se kanë thënë ndërkombtarët, prandaj duhet bërë, paçka se është në dëm të sigurisë dhe interesave kombtare.
Shtetet dhe organizmat ndërkombëtare, si OKB-ja, NATO, etj, duhet të përgatiten shumë më mirë pasi;
Së pari, ata duhet të jenë të kujdesshëm, kur ndërmarrin veprime të tilla që shoqërohen me gjakderdhje të mëdha, por kur merret një vendim i tillë, për të duhen bërë përgatitje për një kohë më të gjatë. Demokracia nuk mund të imponohet me bajonetë atje ku do dikush. Kjo është një lloj ideje leniniste.
Nga ana tjetër, tranzicioni i tejzgjatur dhe problematik në Shqipëri krijon shqetësime për aspektet demografike e gjeopolitike të shqiptarëve. Shkalla e ulët e demokracisë pluraliste, difektet në drejtim të zbatimit të të drejtave dhe lirive të njeriut, mosfunksionimi i shtetit ligjor, problemet në ekonominë e tregut të lirë dhe të hapur, një qeveri dhe kryeministër që kontrollon gjithçka etj, shkojnë kundër interesave të popullit.
Legjitimiteti është një koncept i çuditshëm. Ai lidhet me parimet themelore të drejtësisë. Kur amerikanët shkuan në Irak, ata thanë: “Ne nuk kemi nevojë që Kombet e Bashkuara ta miratojnë këtë, ne po ndihmojmë popullin irakian të çlirohet nga një diktaturë brutale”. E njëjta gjë po ndodh aktualisht edhe në Iran, pasi ai është kthyer në një kërcënim për vendet e rajonit dhe më gjërë. Por a mund të themi se në këtë mënyrë vihen në pikëpyetje aftësitë e Amerikës për të qenë efektive dhe një udhëheqëse e respektuar botërore?
Natyrisht që jo! Prania amerikane ka qenë dhe është e domosdoshme. Ndërhyrja ushtarake, me fuqinë e saj ka luftuar, dhe fituar konfliktet e armatosura konvencionale. Më pas, kur vjen puna në ndërtimin e shteteve, kjo nuk është aq e qartë. Në aspekte të tjera të pushtetit, si për shembull, aftësia për të krijuar një imazh legjitimiteti, kjo hegjemoni ka shënuar rënie. Deri tani mund te themi se janë legjitimuar ndoshta vetëm ndërhyrjet që janë bërë në Ballkan, sukses i padiskutueshëm është krijimi dhe funksionimi i shtetit Demokratik të Kosovës. Amerikanët duhet të mendojnë rreth kësaj me shumë kujdes, jo ta lënë gjithçka në dorën e europianëve. Amerikanët kanë prirjen të thonë: “Ne po veprojmë drejt dhe kjo është e mjaftueshme”. Ata mendojnë se, institucionet e tyre kanë një rëndësi universale. Kjo bindje çon ndonjëherë në ngatërrimin e interesave kombëtare amerikane dhe interesave më të gjera të njerëzimit. Kjo nuk është karakteristikë as republikane dhe as demokrate. Kjo është një karakteristikë amerikane.
Ka ardhur koha që, evropianët, krizën ballkanike dhe sidomos atë aktuale në Shqipëri, ku shumica e popullit tashmë e ka kuptuar se demokracia është vënë në pikëpyetje, duhet ta shikojnë më me vendosmëri. Duhet një udhëheqje më e fuqishme. Këtë e ka bërë dhe po e bën Amerika. Sot, ajo patjetër që duhet të jetë më e kujdesshme rreth mënyrës sesi e ushtrojnë fuqinë, përndryshe reagimet do të ishin të shumta dhe negative.
Photo: Forbes.com