
Akademik Emeritus Gjovalin Shkurtaj/
(Mishërim meritor i urimit tradicional të këngëtarëve në Malësi: “Të këndoftë zemra e ia laç djalit!”)
Në hullinë e librit “Kënga si mjet për ruajtjen e gjuhës shqipe” e me idenë se, po pata jetë e shëndet, të bëj një ribotim të pasuruar e të zgjeruar, po sjell disa prurje e vlerësime për këngët e Nikollë Nikprelajt, natyrisht, duke bërë një kundrim të përfshirë në kuadrin e prurjeve e prirjeve ligjërimore të këngëve të reja bashkëkohore.
Në rrjedhë të viteve, krahas punës kryesore si gjuhëtar, kryesisht si dialektolog e sociolinguist, kam ndjekur me ëndje edhe krijimtarinë popullore, sidomos këngët, në krye të herës Këngët e Kreshnikëve, po edhe këngë të tjera dhe kam shprehur edhe vlerësimin tim se kënga për shqiptarët në rrjedhë të shekujve ka qenë mjet kryesor dhe për ruajtjen e gjuhës shqipe. Dhe, për ta thënë me një shprehje të bukur të arbëreshëve të Italisë, kënga popullore në rrjedhë të shekujve për shqiptarët ka qenë jo vetëm mjet argëtues, po edhe shkollë e shqipes.
Kur kam nge, edhe kur jam duke shkruar a lexuar, më pëlqen të dëgjoj me zë të ulët këngë e muzikë të bukur, këngë të muzikës së lehtë e të muzikës popullore, natyrisht, me përparësi ato të anëve të mia, të Malësisë së Madhe e të Shkodrës, po edhe përgjithësisht këngët e reja. Kjo, jo vetëm për kënaqësi, po edhe për të parë kahet e sotme të gjuhës së këngëve shqiptare, në kuadrin e përgjithshëm të zhvillimit të gjuhës shqipe në epokën e modernitetit e të globalizmit kulturor e gjuhësor që nuk mund t’i shpëtonte as Shqipëria e sotme. Kam shkruar qysh në fillesat e hulumtimeve të mia si dialektolog edhe për gjuhën e këngëve, të këngëve tipike malësore si : ”Kangët majekrahut”, për këngët epike e sidomos për Eposin e Kreshnikëve, që e kam quajtur “përmendore madhështore e kulturës së të folurit”; kam shkruar për hijeshinë ligjërimore e figurat e bukura të këngëve popullore lirike të Veriut e të Jugut, si dhe për rolin e këngës si “mësuese e shqipes” në diasporën arbëreshe të Italisë.
Para pak kohësh kam botuar dhe librin “ Kënga si mjet për ruajtjen e gjuhës shqipe” (Akademia e Shkencave, Tiranë, 2022). si dhe shkrime të tjera (kumtesa e artikuj) për gjuhën e këngëve popullore e të muzikës së lehtë. Këngët e kreshnikëve na japin një pamje të gjerë të asaj mënyre të shprehjes gjuhësore popullore ku politesa dhe arroganca, miklimi dhe ironia, shpotia dhe sarkazma etj.paraqiten me mjete gjuhësore të qëlluara, të gjetura mirë e të bukura, me larmi e figurshmëri, që dëshmojnë për shije të hollë artistike, po edhe për traditë të lashtë të shprehjes së përpunuar, të gjuhës si mjet arti. Nga ky këndvështrim, nuk e teprojmë kur themi se këngët e kreshnikëve janë përmendore madhështore e kulturës së gjuhës shqipe dhe sidomos e etnografisë së të folurit. Të tillë e kanë vlerësuar edhe shumë albanologë dhe folkloristë të shquar shqiptarë e të huaj. Ka studiues që janë dashuruar me eposin dhe deri në fund të jetës janë marrë me bukuritë e tij si argjendarët që i rijnë e shkëlzejnë “rgjãtet” e moçme për t’ua shtuar vlerën e çmimin faqe konsumatorëve. Disa herë, natyrisht, në funksion të shqyrtimeve dialektologjike e sociolinguistike, ma ka dashur puna të merrem edhe me vlerat e ligjërimit të folklorit.
Në librin e Dialektologjisë, në pjesën kushtuar gjuhës së folklorit, kemi dhënë edhe disa vlerësime për gjuhën e e foklorit e veçmas të gjuhëssë këngëveqë shfaqin gjithandej më shumë ndikime nga qendrat e mëdha urbane e pësojnë edhe më shumë pranime nga elemente “qytetare”. Kam shkruar e botuar edhe ndonjë studim kushtuar gjuhës së këngëve popullore në përgjithësi e të këngëve të kreshnikëve në veçanti,duke thesuar se Eposi ynë i kreshnikëve, me tematikën dhe realizimin artistik aq të bukur, me perifrazat aq të vetvetishme e me metaforat e pakundshoqe, ka qenë e do të mbetet edhe më tej si gurrë e pashtershme e modelimit poetik e gjuhësor në shqipen. Ndikimet e eposit mund t’i hetojmë në krijimtarinë letrare të autorëve madhorë, sidomos te Gjergj Fishta dhe “Lahuta” e tij si vlerë e shtuar e Eposit në rrethanat e reja të kohës. Edhe Ndre Mjeda, poet kryesisht lirik, në vjershat e tij e ka pasur një “vrujim” prej metaforikës së eposit malësor. Le të kujtojmë, sidomos, ”Vajin e bylbylit”, metaforë që na kishte dalë qysh shumë kohë para tij në këngën “Ajkuna qan Omerin”, ku thuhet shprehimisht: “Mirë bylbylat djalin po ma vajtojnë”.
Nga studimet tona kemi arritur në përfundimin se në gjuhën e epikës, qoftë risitë (inovacionet), qoftë ruajtjet (konservacionet) janë të lidhura më tepër me brendinë, me stilin dhe me mëtimet artistike, gjë që shkakton lëvizje më të shumta në fushën e leksikut dhe të morfo-sintaksës. Sistemi fonetik, ndërkaq, mbetet i njëjtë me atë të gjuhës së folur të trevave përkatëse, për arsye se ai nuk mund të kryejë funksione artistike-stilistike si ato që përmbushen me anën e leksikut.
Fjalët e bukura si pjesë themelore e pëlqyeshmërisë së këngëve
Në rrjedhë të shekujve, qysh kur njerëzit kanë filluar të këndojnë në publik, fjalët apo teksti i këngëve kanë pasur rol parësor dhe, mbi atë bazë, edhe pritja, pëlqimi dhe vlerësimi kanë shkuar gjithmonë, jo vetëm mbi bazën e muzikës, po edhe simbas bukurisë dhe hijeshisë së tekstit, të figurave letrare, krahasimeve, epiteteve, metaforave etj. Kjo, sepse kënga, qysh në fillesat e saj, ka qenë e mbështetur në
vjershën, në poezinë si krijimi më i zakonshëm dhe më i shpejtë për t’u përçuar te dëgjuesit. Madje, do të thoshim se, fjalët e këngëve kanë qenë si motra lozonjare dhe e përzgjedhur e vjershave dhe, si e tillë, kënga ka qenë, kurdoherë shoqëruese e shprehëse e shpirtit të popullit, shfrim artistik i përjetimeve dhe i pësimeve të ndryshme e të larmishme, që nga lindja, gjatë gjithë rritës së njeriut, përfshirë lojërat e bëmat rinore, dashurinë, fejesën, martesën, të gjitha etapat e jetës deri në mbarimin e saj me këngët vajtimtare aq prekëse në të gjitha trojet shqiptare e në diasporën arbëreshe.
Epitetet e qëlluara, përshkrimet metaforike e plot ngjyresë të këndshme, si pjesa më e bukur e ligjërimit të bashkësive shqiptare, prej vjershave popullore apo të shkruara nga poetë të njohur, gjithmonë, nëpërmjet muzikimit e të kënduarit nga artistë të talentuar, kanë ushqyer breznitë e reja me tharmin atdhedashës, etnipohues e gjuhëruajtës. Në mungesë të shkollave shqipe, gjithandej në trojet shqiptare e në diasporën arbëreshe e arvanite, kënga ka qenë “mësuese e gjuhës shqipe”.
Edhe në krijimet bashkëkohore, me kënaqësi vëmë re se, këngët që kanë tekste të pëlqyeshme, të shkruara mirë, me fjalë të zgjedhura e të përshtatshme, kapen menjëherë nga dëgjuesit, pëlqehen qysh në shfaqjen e tyre më të parë në performancën e këngëtarëve. Muzika dhe interpretimi i këngëve janë me rëndësi, sikundër janë të tilla edhe pamja fizike, hijeshia dhe veshja e këngëtares a këngëtarit që këndon, por, në qoftë se mungon teksti, në qoftë se nuk janë fjalët e bukura, jetëgjatësia dhe pëlqyeshmëria e këngës mbeten të dyshimta. Ka këngëtare që vishen shumë bukur, sikundër ka edhe asosh që zhvishen “bukur” dhe kjo, natyrisht, në shfaqjet e drejtpërdrejta siguron edhe duartrokitjet e jehonë mbështetëse, porse suksesi i vërtetë dhe jetëgjatësia u takon vetëm atyre këngëve që mbështeten në tekste e fjalë të bukura, në vargje e refrene që të mbeten në vesh dhe, bashkë më melodinë, ruhen në kujtesë për shumë kohë. Këngët e vërteta janë ato që, jo vetëm interpretohen e kanë “performancë” të këndshme nga këngëtare e këngëtarë të shquar, por edhe që këndohen e këngëzohen nga njerëzit e zakonshëm.
Edhe në moshën që kam sot, kur kam mundësi e nge, dëgjoj muzikë, dëgjoj sidomos këngët e kënduara e të regjistruara në original, që janë si po thuhet për ushqimet “bio”, kurse prodhimet me intelegjencën artificiale janë të bukura, por atyre u mungon “era”, njësoj si luleve artificiale që nuk e kanë “adurin’ (erën, aromën) e “manushaqes ndë dushkut vjuar”.
Kur kam ndonjë grimëherë të lirë hyj në youtube dhe dëgjoj këngë popullore që kanë edhe tematikë të bukur. Më pëlqejnë shumë këngët e Nikollë Nikprelajt, sidomos ajo kënga që nis me vargjet e pavdira që himnizojnë njësinë dhe përbashkësinë etnokultuorore e gjuhësore të shqiptarëve në hapësirat ballkanike e në diasporë : “Pse jem toskë e pse jem gegë, jem si lisi me dy degë”, si dhe këngë të shoqëruara me lahutë të disa rapsodëve të talentuar të anëve të Veriperëndimit, si Pjetër Matusha, Jonuz Delaj, Pretash Nilaj, Vasel Shkreli, vëllëzërit Kolë e Biq Buçi nga Bajza e kastratit, vëllëzërit Lleshi nga Mirdita etj. Më kanë pëlqyer gjithmonë dhe disa këngë popullore që këndohen nga dy grupe që, në mënyrë të alternuar, “gjelafiten” duke ironizuar e thumbuar me të qeshur qëndrime a koncepte të ndryshme.
E kam fjalën për “Këngët e putirit”, një nga llojet e këngëve shumë interesante në anët e Shqipërisë Veriore, kryesisht në krahinat veripërndimore, në Malësi të Madhe, në Dukagjin, Shalë, Shosh etj. Me shumë kënaqësi dëgjoj “Dasma e Dukagjinit’, “Ta vlerësojë vetë historia” etj. nga një yjësi këngëtarësh si Gjovalin Shani, Ndue Shytani, Fran Kodra, Ndoc Fusha etj.
Mendoj se rigjallërimi i këngëve të putirit, si dhe përgjithësisht krijmet e bukura të folklorit të ri në trevat shqiptare e në diasporë, janë si perlat e krijimtarisë etnofolklorike të popullit shqiptar. Ato meritojnë jo vetëm të dëgjohen, po edhe të vlerësohen e të bëhet e mundshme që të gjallërohen. Mbi të gjitha janë për t’u përshëndetur, vlerësuar e nxitur këngët e reja të muzikës popullore dhe të muzikës së lehtë me tematikë të zgjedhur mirë e të shkruara me fjalë të bukura, me figura e metafora të vetvetishme e pa “tëhollime” të panevojshme.
Qysh se kam qenë i vogël, në rrjedhë të moteve e deri tashti që po plakem, i kam dashur shumë vjershat dhe këngët. Nuk kam kënduar vetë, por i kam në kujtesë fjalët e të gjitha këngëve të bukura popullore e të muzikës së lehtë.
Edhe kur lexoj e shkruaj në kompjuter, më pëlqen të kem një “shtrat” muzikor me zë të ulët. Dëgjoj me ëndje këngët e e brezit tim, si p.sh. të madhërishmen “Për ty Atdhe” të kënduar nga Mentor Xhemali, sikundër nuk mund të lë pa rikujtuar e ridëgjuar këngët e “bilbilit korçar” Gaqo Çako “Rrjedh në këngë e ligjërime”, “Ballëlarta me flamur”. Dhe, natyrisht, në treshen e bukur kompozitor-poet-këngëtar, me kalimin e viteve, njerëzit e zakonshëm, edhe mund t’i harrojnë emrat e krijuesve, por fjalët e këngëve dhe zërin e këngëtarëve mbahen mend e kujtohen më gjatë. Shpesh, më vijnë si këngëzim i ëmbël vargjet “Degën e dafinës e përkundi…”, por, para se të kujtohem se kompozitor ka qenë Limoz Dizdari, më del në buzë emri i këngëtarit. Dëgjoj e më kanë pëlqyer gjithherë këngët e Arif Vladit, Besnik Shaqirit, Gëzim Nikës, Vida Kunorës etj. shumë prej të cilave kanë edhe fjalë të bukura e që mbahen mend lehtë; dëgjoj këngë të Aurela Gaçes, sepse ka shumë shpirt në performancën dhe në fjalët e këngëve të saj. Dëgjoj shpesh këngët e bukura Frederik Ndocit, të Eli Farës, po edhe të Elsa Lilës e të Pirro Çakos e të mikt tim të hershëm Ardit Gjebrea.
Dëgjoj me ëndje edhe shumë këngëtarë të tjerë, sidomos kur më bie malli për zëra burrërorë, si këngë të Aleksandër Gjokës, të Redon Makashit etj. I dëgjoj unë, por janë të shumtë, janë me miliona ata që dëgjojnë më shumë se unë, që rrojnë me muzikën e këngën shqiptare, po edhe e kanë këngën në gjuhën shqipe si “ushqim” shqiptarie e si mësim gjuhe. Kënga, qysh në agimet e historisë njerëzore, ka qenë mjet i mësimit, i ruajtjes dhe i përhapjes së gjuhës amtare. Këtë rol e ka edhe kënga e sotme shqiptare, kënga e të rinjve dhe e të rejave, prandaj, edhe si gjuhëtar, më bëhet zemra mal kur dëgjoj këngautorë që këndojnë bukur, që sjellin tekste këngësh fjalëbukura, që kanë pasuri e larmi shprehjeje dhe që, duke dëgjuar e shijuar këngën e tyre, njerëzit përthithin edhe njomështinë e gjuhës amtare.
Disa vlerësime më të veçanta për këngët e Nikollë Nikprelajt
Ridëgjova me ëndje në yotube një koncert të bukur të Nikollë Nikprelajt, të regjistruar më 10 korrik 2025 me rastin e 50-vjetorit të daljes në skenë, 50 vite në shërbim të artit, kulturës dhe shpirtit të Malësisë. Nikolla nuk është vetëm një këngëtar shumë i njohur, i pashëm e më zë të mrekullueshëm, po edhe me formim të mirë muzikor e kulturor, me dhunti krijuese e mirëfilli poetike, që shfaqen aq këndshëm e me figurshmëri të pëlqyeshme në të gjitha tekstet e këngëve, që ai zakonisht i krijon vetë; ai është quajtur, nga muziktarë e kritikë bashkëkohës, si “bilbili i Malësisë”, zëri që i dha shpirt këngës, krenarisë, dashurisë dhe trojeve tona. Përmes zërit të tij janë rritur breza, janë ruajtur tradita, është përçuar dinjiteti i një populli që nuk i harron rrënjët.
Ai është biri besnik i Malësisë së Madhe “Nderi i Kombit”, dhe Malësia gjithmonë do të mburret me të. Emri i Nikollë Nikprelajt, tashmë, me të drejtë vlerësohet si njëri prej bijve më të shquar të Malësisë së Madhe të ditëve tona, vazhdues meritor i yjësisë së “bijve të xhubletës”, si Ivanajt e mëdhenj (Nikollë, Martin e Mirash) nga Trieshi, si këngëtari i shquar Luk Kaçaj nga Bajza e Kastratit, si piktori akademik Gjelosh Gjokaj, si atë Zef Pllumi e Atë Kolë Berishaj, si famshmi Angjelin Prelocaj në Paris, si poeti e studjuesi Gjekë Marinaj etj.me të cilët krenarohet jo vetëm Malësia jonë e Madhe për këta bij të shquar të saj, po edhe mbarë shqiptaria.
Dëgjoj shpesh një nga këngët e tij “Më ka marrë malli për vendin tim”, të kënduar në duet me tenorin e shquar Kastriot Tusha, që nis me fjalët e këngës “majekrahu” : “O fjale për tel…”, tipike për fillimin e tubimeve festive madhëshore në Malësinë e Madhe, në një videoclip të realizuar në shtëpinë-muze të Dedë Gjo Lulit, si dhe, tashti së mbrami, edhe këngë të tjera të Nikollës të publikuara në Youtube. Kënaqem kur ia dëgjoj zërin e tij të thekshëm, po edhe larminë e intonacioneve e timbreve e shkrirjen e natyrshme të fjalëve të reja me leksikun e hershëm të të folmeve të Malësisë. Një mrekulli. Edhe ime shoqe, ndonëse është bijë e një familjeje nga Shqipëria e Jugut ( i ati nga Vlora, e ëma nga Gjirokastra), kur po i ridëgjoja këngët e Nikollës, për të nxjerrë disa elemente leksikore e shembullzime për thurimën leksikore e figuracionin e këngëve të tij, më qortoi se pse nuk jam ulur të shkruaj e të shpreh disa vlerësime për këtë këngëtar kaq të madh, virtuoz e me një krijimtari me tematikë atdhetare e me një shpallim shqiptarie pak të thuash të jashtëzakonshëm.
U “mbrojta”duke i kujtuar se e kam cituar disa herë këngën e Nikollës “Pse jem toskë e pse jem gegë, jem si lisi me dy degë”, por vërejtja e ish-mësueses së letërsisë më bëri të ulem e t’ia kushtoj disa rreshta të mirë këtij biri të shquar të Malësisë sonë, i cili, më këngën, zërin dhe artin e tij u jep një “ushqim” atdhetarie e shqiptarie brezave të shqiptarëve, sidomos atyre që janë në diaporë e që, nëpërmjet koncerteve të Nikollës dhe botimeve në Youtube e në videoklipa, bëhet edhe si shkollë e shqipes. Kam parasysh, sidomos “Jam Shqiptar, jam Malsor” publikuar me datë 9 tetor 2012. Për melodinë dhe për tekstin është përkujdesur Ilir Berani, teksa këngën e ka orkestruar Shpëtim Saraçi. Më ka pëlqyer e dua ta theksoj se Nikollë Nikprelaj ka ditur të kapet pikërisht te elementet e treguesit më të rëndësishëm të shqiptarisë, te vlerat atdhetare e fryma kombëtare që në shekuj janë edukuar te malësorët nëpërmjet këngës e si pjesë e psikologjisë dhe e etnicitetit të malësorëve shqiptarë, si lahuta e xhubleta, bujaria proverbiale dhe trimëria e shpirti i papërkulshëm e liridashës i malësorëve.
Për Lahutën, në videoklipin që ka publikuar me datë 11 prill 2007, kur diskutohej në zyrat e institucioneve përkatëse të UNESCO-s për pranimin apo jo të saj, si pjesë e trashëgimisë kulturore të mbrojur prej saj, Nikprelaj, me vargjet, zërin e tij pak të thuash si bilbil, po edhe me mjeshtërinë e tij si këngëtar i veçantë, i këndonte kështu këtij instrumenti përfaqësimtar të shpirtit të shqiptarëve:
“Si ushtima kur del prej dheut,
Si prej gojës së Skenderbeut,
Kapërcen shekuj me radhë,
Në malet tona gjallë se gjallë.
Kush ka thanë se ke mbarua?
Kush ka thanë se je harrua?
Ke jetue e prapë jeton,
Ke ushtue e prapë ushton.
Te oxhaku n’derë të Malësorve,
Te bajraku n’ballë të Dasmorëve,
Kurrë nuk plakesh kuj si falesh,
O lahutë jehonë prej malesh.
O lahutë ti je e jona,
Djepi yt te malet tona,
Ti je penda e kangës së rrallë,
Historia jonë e gjallë.”
Vlerësoj shumë dhe fjalët e realizimin e këngës kushtuar xhubletës, veshje e hershme e grave të Malësisë së Madhe, me prejardhje të lashtë. Paraqet ngjashmëri me veshjen e disa figurinave neolitike të gjetura në Bosnje, por edhe në vise të tjera të mesdheut, që i përkasin mijëvjeçarit të dytë p.e.s. dhe lidhen me qytetërimet e vjetra mesdhetar.Edhe për xhubletën, ashtu si për lahutën, kënga e bukur e Nikollë Nikprelajt shkon në harmoni me jehonën e pranimit të saj si veshje nga më të hershmet dhe si e tillë do të jetë nën mbrojtjen e UNESCO-s.
Natyrisht, si gjuhëtar që jam marrë gjithë jetën kryesisht me studimin e dialekteve, vlerësoj shumë lart idenë e mbarë e shumë të rendësishme, edhe me vlerë aktuale, për konceptin e drejtë që ka këngëari Nikollë Nikprelaj për dialektet e shqipes si “dy degë” të të njëjtit trung ashtu si degët e një lisi.
“Pse jem tosk’ e pse jem gegë,
jem lis o me dy degë.
Nuk ka fe as s’ka parti,
që e përçan kët shqiptari.
………………………..
Me trimri e mençuri,
dalngadal do bahem nji.
Nuk ka fe as s’ka parti,
që e përçan kët shqiptari.
Nikollë Nikprelaj në 50 e sa vjet, ka krijuar aq shumë këngë dhe të gjitha i ka të atilla që, po të shprehem malësorçe, “gjithecilla ësht ma e bukur se shoqja”, prandaj, në pamunësi për t’i përmendur të gjitha, punë që meriton të bëhet në një botim antologjik, duke përzgjedhur më të bukurat e tij.Po të isha unë do të zgjdhja me përparësi këngët me temë e theks të qartë atdhetar e kombëtar shqiptar, që u kushtohen trimave malësorë si Baca Kurti, Pretash Zeka, sidhe ato me tematikë nga Kosova, si: “Moj Kosovë t’u njehtë e mira!”, “UÇK ka emër” (publikuar me datë 26 nëntor 2025).
Nuk mund të mos përmendim me vlerësim të thekshëm shqiparie e me vlerë atdhetare kombëtare, këngën “ JEM ILIRA… JEM TEUTA” “
Tan kto male… sikur thërrasin,
Bjeshkët tona… diç po flasin:
Mos harroni n’kangë t’i a thoni:
Jem Ilira… jem Teuta,
Jem të rritur nëpër luftna,
T’gjithë Shqiptarët kudo janë,
Nuk kanë tjetër veç nji nanë.
……………………………….
Tanë kto male… sikur thonë:
Të gjithëve gjaku o… na bashkon.
Mos harroni n’kangë t’i a thoni:
Jem Ilira… jem Teuta.
Jem të rritun nëpër luftna.
T’gjithë Shqiptarët kudo janë,
Nuk kanë tjetër veç nji nanë.
Dhe, së mbrami, dëshroj të vë re edhe faktin se, Nikollë Nikprelaj ka dhe një djalë, që këndon bukur, Albinin, të pashëm e të hijshëm si Zuku Bajraktar dhe që, një nga këngët e të atit “Djali i kumbarës” ka filluar të këndojë dhe ai. Edhe Albini, është tashmë një emër i njohur, një këngëtar me talent që i shtohet krenarisë së një prindi për të birin kur bëhet i suksesshëm e në udhën e tij.Kjo, në mënyrë të natyrshme e të vetvetishme, më solli në mendje urimin tradicional të Malësisë sonë të Madhe, kur këngëtarët mbarojnë këngën: “Të këndoftë zemra e ja laç djalit!”.
Po, shumë bukur dhe kënaqësi e madhe për Malësinë, po edhe për krejt Shqipërinë e shqiptarinë, që djali i një artisti të shquar si Nikollë Nikpreaj të bëhet si i ati dhe, pse jo, po mundi, edhe më i mirë. Prej Nikollës te Albini (si i madhërishmi Andrea Bocelli me të birin në Itali), si i paharrueshmi Gaqo Çako me të birin, Pirron; si i madhi Avni Mula me Invën; si i famshmi Ibrahim Tukiqi me të birin, Davidin, që spikati qysh krejt i vogël me këngën e bukur “Globi rrotullohet”; si Ardit Gjebrea me të bijën, Anën, që aq me hijeshi po i vjen muzikës e prezentimit televiziv si një “gonxhe” që po çel bukuraza; si Sabri Fejzullahu me të birin në Kosovë, si Gjeto Luca me Markon e plot të tjerë.Në atë udhë të bukur, mesa duket do të ecin edhe vogëlushja e Aurela Gaçes e plotë të tjera, që u shtoftshin e paçin frymëzim.
Dëgjojini edhe ju, lexues të dashur, këngët e Nikollë Nikprelajt. Mua më pëlqyen si i këndon Nikolla, po edhe më shumë me fjalët e theksimet atdhetare e kombëtare shqiptare që ka në vargjet e këngëve të tij, të atyre me tema të mëdha si “S’preket Shqipja tek Flamuri”, “Unë biri yt, Malësi”, “Për liri e pavarësi”e për bëma trimërore, si për Baca Kurtin e Pretash Zekën, apo për luftarët e lavdishëm të UCK-së e të heroizmit të Kosovarëve, po edhe hijeshia ligjërimore e fjalët e pikuara (ashtu si argjendarët varëset e relikat e shtrenjta) që kanë edhe këngët me tema lirike a erotike, gjithmonë me përzgjedhje të kujdesshme e me fjalë të bukura, ashtu si i ka Malësia jonë e Madhe në traditën e hershme e të përhershme. Gati përditë e dëgjoj edhe këngën e tij humoristike “Gjithkush luan ka pak” si dhe këngë të tjera, që i këndon vetëm apo në duet me kolegë të shquar si Ilir Shaqiri, Kastriot Tusha, Selami Kolonja etj. Uroj t’ju pëlqejnë edhe juve, por unë, si gjuhëtar dhe dashamirë i këngëtarëve të tillë, duke i uruar të ketë suksese të mëtejshme, po edhe duke e përgëzuar për performancën e tij aq të pëlqyeshme, duke iu lutur të më mirëkuptojë do t’i thosha (sikundër ua kam shprehur edhe disa këngëtarëve të tjerë kur kam vlerësuar këngët e tyre) që dëshira dhe këshilla ime dashamirëse si gjuhëtar do të ishte që tekstet para se të publikohen edhe të redaktohen sa më mirë. Se, edhe në gjuhën e këngëve, ashtu si për të gjitha krijmet e shkruara (përkat.të publikuara në Youtube) mbetet me vlerë të përhershme thënia e urtë e latinëve: “Verba volant, scripta manent.”