

Traktati i Gaetës dhe e vërteta historike: Marinescu, Plasari dhe Xhufi në ballafaqim.
Analizë historike nga Rafael Floqi
A ishte Gjergj Kastrioti Skënderbeu vasal i mbretit Alfons V të Aragonës, apo një aleat i tij në luftën kundër Perandorisë Osmane? Një traktat i nënshkruar më 26 mars 1451 në Gaetë ka krijuar një nga debatet më interesante të historiografisë shqiptare. Historiani rumun Constantin Marinescu, duke studiuar dokumentet e Arkivit të Kurorës së Aragonës, e paraqiti marrëdhënien si një vasalitet të mirëfilltë. Aurel Plasari, në analizën e diplomacisë së Skënderbeut, nxjerr në pah njohjen e sovranitetit aragonez dhe zbatimin e marrëveshjes. Ndërsa Pëllumb Xhufi kundërshton barazimin e premtimit për vasalitet me nënshtrimin real politik. Ballafaqimi i këtyre tre autorëve na çon përtej mitit dhe na ndihmon të kuptojmë Skënderbeun si strateg, diplomat dhe udhëheqës të një lufte për mbijetesë.
I. Një pyetje që sfidon historinë tradicionale
Historia e Skënderbeut është rrëfyer për shekuj si historia e një njeriu që sfidoi perandorinë më të fuqishme të kohës. Për njëzet e pesë vjet, nga viti 1443 deri më 1468, Gjergj Kastrioti udhëhoqi qëndresën shqiptare kundër osmanëve dhe u bë një figurë e njohur e Evropës së krishterë. Por Skënderbeu nuk jetonte vetëm në fushën e betejës. Ai jetonte edhe në botën e diplomacisë mesjetare, ku sovraniteti, besnikëria feudale, tributet dhe mbrojtja e një monarku më të fuqishëm ishin instrumente të zakonshme politike.
Pikërisht këtu lind problemi historik.
Më 26 mars 1451, përfaqësuesit e Skënderbeut nënshkruan në Gaetë një marrëveshje me Alfonsin V, mbretin e Aragonës dhe të Napolit. Në këtë dokument përmendeshin dorëzimi i kështjellave, njohja e sovranitetit mbretëror dhe një betim i ardhshëm besnikërie e vasaliteti. A do të thotë kjo se Skënderbeu hoqi dorë nga pavarësia?
Traktati i Gaetës
Apo se, duke njohur formalisht një sovran të largët, ai siguronte mbështetjen e nevojshme për të vazhduar luftën kundër sulltanit? Përgjigjja kërkon dallimin midis tri gjërave: asaj që shkruhej në traktat, asaj që u zbatua në praktikë dhe asaj që synonin politikisht të dyja palët.
Pikërisht këto tri nivele na lejojnë të ballafaqojmë Marinescun, Plasarin dhe Xhufin.
II. Marinescu: dokumentet e Barcelonës kundër historisë së idealizuar
Në vitin 1923, historiani rumun Constantin Marinescu botoi në Paris studimin Alphonse V, roi d’Aragon et de Naples, et l’Albanie de Scanderbeg, në përmbledhjen Mélanges de l’École roumaine en France.
Rëndësia e studimit qëndronte në përdorimin e dokumenteve të Arkivit të Kurorës së Aragonës në Barcelonë, dhe Napoli të cilat ndriçonin politikën lindore të Alfonsit dhe marrëdhëniet e tij me prijësit shqiptarë.
Marinescu kritikonte mënyrën se si historia e Skënderbeut ishte mbështetur për një kohë të gjatë te Marin Barleti. Ai e konsideronte veprën e Barletit një rrëfim panegjirik, të mbushur me elemente retorike të Rilindjes. Kjo nuk do të thoshte se Marinescu mohonte heroizmin e Skënderbeut. Përkundrazi, ai kërkonte të shpjegonte se si ishte bërë e mundur qëndresa e gjatë e një prijësi shqiptar përballë një perandorie.
Përgjigjja e tij lidhej pjesërisht me ndihmën napolitane.
Në faqen 61 të studimit, Marinescu shprehet se, nga vendosja e bashkëpunimit ushtarak deri më 1458, fitoret e atribuuara vetëm Skënderbeut duhen vlerësuar duke marrë parasysh mbështetjen e mbretit të Napolit.
Kjo është një tezë e fortë, por duhet lexuar me kujdes. Dokumentet provojnë pjesëmarrjen dhe ndihmën e forcave aragoneze; ato nuk provojnë automatikisht se çdo fitore e Skënderbeut ishte e pamundur pa to. Marinescu i jep marrëdhënies një kuptim juridik të qartë: Alfonsi ishte suzereni, ndërsa Skënderbeu vasali i tij.
Por dokumentet që ai zbulon na japin mundësinë të shqyrtojmë edhe kufijtë e këtij interpretimi.
III. Alfonsi V dhe ëndrra e një perandorie mesdhetare
Për të kuptuar marrëveshjen e Gaetës, duhet të kuptojmë më parë Alfonsin V. Ai nuk ishte një bamirës i krishterimit që ndihmonte Skënderbeun vetëm nga solidariteti fetar.
Alfonsi ishte një monark ambicioz, sundimtar i Aragonës dhe Napolit, që kërkonte zgjerimin e ndikimit të tij në Mesdheun Lindor. Pas konsolidimit të pushtetit në Italinë e Jugut, ai shikonte drejt Ballkanit, Greqisë dhe trashëgimisë bizantine. Shqipëria kishte një rëndësi të veçantë në këto plane. Ajo ndodhej përballë brigjeve italiane dhe kontrollonte rrugë strategjike drejt brendësisë së Ballkanit.
Marinescu shkruan se zotërimet dhe forcat e koalicionit shqiptar të drejtuar nga Skënderbeu mund të shërbenin si bazë për ekspeditën që Alfonsi ëndërronte drejt Mesdheut Lindor.
Kështu, dy interesa u takuan. Skënderbeu kërkonte ushtarë, furnizime dhe mbështetje ndërkombëtare. Alfonsi kërkonte një pikëmbështetje në Shqipëri, nga e cila mund të zgjeronte ndikimin e tij kundër osmanëve dhe përballë Venedikut.
Aurel Plasari, në studimin Me mbretin Alfons për sovran, e trajton këtë marrëdhënie brenda një strategjie më të gjerë mesdhetare. Ai rikujton edhe se kontaktet e Skënderbeut me Alfonsin kishin nisur përpara vitit 1451. Pra, Traktati i Gaetës nuk ishte një vendim i papritur, por rezultati i një afrimi diplomatik.
Një tjetër rrethanë kishte rëndësi: Skënderbeu nuk mund të mbështetej pa kushte te Venediku.
Republika kishte interesat e veta tregtare dhe territoriale në Shqipëri. Ajo ishte e kujdesshme në marrëdhëniet me osmanët dhe nuk dëshironte një zgjerim të pakontrolluar të fuqisë së Kastriotit. Për Skënderbeun, Napoli ishte një alternativë.
Për Alfonsin, Skënderbeu ishte një partner ushtarak që mund t’i hapte portat e Ballkanit.
IV. Traktati i Gaetës: çfarë shkruhej në të vërtetë?
Democracia, parlamentarismo y asambleas, ¿un invento del siglo XIX?
Më 26 mars 1451, në Gaetë, përfaqësuesit e Skënderbeut arritën marrëveshjen me Alfonsin. Skënderbeu përfaqësohej nga peshkopi Stefan dhe një klerik dominikan. Marrëveshja përfshinte edhe të afërmit dhe baronët shqiptarë që përfaqësoheshin prej tyre.
Dispozitat e traktatit parashikonin se Alfonsi do të ndihmonte ushtarakisht Skënderbeun në luftën kundër osmanëve. Në këmbim, Skënderbeu angazhohej të njihte sovranitetin e mbretit dhe të dorëzonte Krujën e zotërimet përkatëse në administrimin e përfaqësuesve të tij.
Një klauzolë tjetër parashikonte që territoret e çliruara me ndihmën e Alfonsit do të njihnin autoritetin e mbretit aragonez. Më e rëndësishmja ishte dispozita për betimin e besnikërisë.
Në dokument përdoret formula: «iuramento et homagio de fidelita et de vassallagio».
Domethënë: betim dhe homazh besnikërie e vasaliteti. Kjo është gjuha juridike e feudalizmit.
Nuk kemi të bëjmë thjesht me dy udhëheqës që premtojnë të luftojnë kundër një armiku të përbashkët. Traktati parashikon një hierarki, ku njëri është sovrani dhe tjetri pranon detyrime vasale.
Por ka një hollësi vendimtare. Betimi personal i Skënderbeut parashikohej të kryhej pasi Alfonsi ta kishte ndihmuar të çlironte territoret e pushtuara nga osmanët.
Pikërisht kjo kushtëzim do të bëhej më vonë themeli i interpretimit të Pëllumb Xhufit. Një tjetër dispozitë parashikonte pagesën e një tributi vjetor pas çlirimit të territoreve, ndërsa Alfonsi merrte përsipër të respektonte privilegjet dhe zakonet vendore.
Në dokument shfaqen njëkohësisht dy elemente: njohja e autoritetit të mbretit dhe ruajtja e një hapësire të administrimit vendas. Kjo ishte një marrëveshje asimetrike, por jo domosdoshmërisht një projekt për shuarjen e menjëhershme të pushtetit të Kastriotit.
V. Aurel Plasari: sovraniteti aragonez dhe zbatimi i traktatit
Aurel Plasari e trajton këtë problem në kuadër të historisë politike të Skënderbeut, duke e lidhur me dokumentacionin diplomatik dhe marrëdhëniet ndërmjet fuqive të kohës. Në studimin Me mbretin Alfons për sovran, Plasari vë në dukje se traktati nuk kufizohej te një premtim abstrakt ndihme.
Ai përfshinte njohjen e sovranitetit të Alfonsit mbi territoret që Skënderbeu dhe aleatët e tij do të fitonin me ndihmën aragoneze. Ky është një dallim thelbësor.
Nëse Skënderbeu do të fitonte territore me ndihmën e Alfonsit, ato nuk do të konsideroheshin automatikisht zotërime të tij të pakushtëzuara. Marrëveshja parashikonte një autoritet më të lartë mbretëror.
Plasari ndalet edhe te zbatimi praktik.
Më 14 maj 1451, Alfonsi i dërgoi Skënderbeut disa mesazhe diplomatike. Në fund të majit, mbreti dërgoi në Shqipëri Bernat Vaquerin, një oficer të administratës së tij, të shoqëruar me njëqind këmbësorë dhe furnizime. Vaqueri kishte me vete edhe një kopje të traktatit. Kjo tregon se Napoli nuk e konsideronte marrëveshjen thjesht një deklaratë miqësie. Ai synonte të zbatonte dispozitat e saj. Në vijim, në Krujë u vendos një garnizon aragonez.
Për Plasarin, këto veprime janë pjesë e një marrëdhënieje reale politike dhe ushtarake, në të cilën Alfonsi ushtronte ndikim të drejtpërdrejtë. Por duhet bërë një dallim: prania e garnizonit të Alfonsit provon zbatimin e disa klauzolave të traktatit; ajo nuk provon vetvetiu se të gjitha kushtet e vasalitetit të ardhshëm ishin përmbushur.
Ky dallim është vendimtar për të kuptuar debatin me Xhufin.
VI. Pëllumb Xhufi: një vasal i premtuar, jo domosdoshmërisht një vasal real
Pëllumb Xhufi e ka trajtuar drejtpërdrejt këtë çështje në dy studime: Një vasal i premtuar: Skënderbeu dhe Alfonsi V i Napolit, botuar më 2011 në revistën Gjeopolitika, dhe Skënderbeu dhe Alfonsi V i Napolit: Vasal apo aleat?, botuar në Studime Historike, nr. 3–4, 2012.
Vetë titulli i studimit të parë përmban një tezë domethënëse: vasaliteti ishte premtuar, por kjo nuk do të thotë se ai ishte realizuar plotësisht. Xhufi nuk mohon ekzistencën e Traktatit të Gaetës dhe as dispozitat e tij feudale. Ai kundërshton përfundimin se këto dispozita mjaftojnë për ta cilësuar Skënderbeun një vasal të zakonshëm të mbretit të Napolit.
Sipas analizës së tij, traktati parashikonte që Alfonsi të çlironte me ushtrinë e vet territoret shqiptare të pushtuara nga osmanët. Më pas ato do t’i jepeshin Skënderbeut si zotërime feudale dhe vetëm atëherë ai do të shkonte në Napoli për të kryer betimin përkatës.
Problemi është se ky projekt i madh ushtarak nuk u realizua sipas parashikimit.
Alfonsi nuk ndërmori ekspeditën vendimtare për çlirimin e Shqipërisë. Ndihma e tij ishte reale, por më e kufizuar sesa ambiciet që shpreheshin në diplomacinë aragoneze. Prandaj Xhufi e dallon marrëdhënien e premtuar juridike nga statusi real i Skënderbeut. Një argument tjetër i tij lidhet me veprimtarinë diplomatike të Kastriotit.
Skënderbeu vazhdoi të negocionte me Papën, Venedikun dhe sundimtarë të tjerë evropianë. Ai nuk u soll si një fisnik që ia kishte dorëzuar politikën e jashtme sovranit të vet.
Për Xhufin, kjo autonomi diplomatike dhe ushtarake është një argument kundër interpretimit të vasalitetit të plotë.
VII. Kruja: kështjellë shqiptare apo zotërim aragonez?
Kruja është prova më konkrete dhe njëkohësisht më problematike e kësaj marrëdhënieje. Marinescu dokumenton praninë e administratës dhe garnizonit aragonez. Ai e sheh këtë si dëshmi të ushtrimit të sovranitetit të Alfonsit.
Plasari, duke ndjekur dokumentet e zbatimit të traktatit, tregon se dërgimi i oficerëve dhe trupave nuk ishte një veprim simbolik. Napoli kishte marrë përsipër një rol të drejtpërdrejtë në mbrojtjen e qendrës kryesore të qëndresës shqiptare.
Xhufi, nga ana tjetër, kërkon që prania e një garnizoni të mos barazohet automatikisht me nënshtrimin e plotë politik të Skënderbeut.
Në të vërtetë, këto fakte mund të bashkëjetojnë.
Një kështjellë mund të kishte një komandant të huaj, ndërsa sundimtari vendas të vazhdonte të ushtronte autoritet mbi forcat, marrëdhëniet politike dhe një pjesë të administrimit të vendit.
Kjo nuk e bënte marrëdhënien të barabartë, por as nuk e shndërronte domosdoshmërisht Skënderbeun në një guvernator të thjeshtë të Napolit.
Madje, një nga problemet më interesante është se Alfonsi kishte nevojë për Skënderbeun po aq sa Skënderbeu kishte nevojë për ndihmën e Alfonsit. Pa luftëtarët shqiptarë, pa njohjen e terrenit dhe pa autoritetin e Kastriotit, një garnizon i vogël aragonez nuk mund të siguronte sundimin mbi Arbërinë.
Pra, në planin juridik mund të kishte një hierarki feudale, por në planin ushtarak ekzistonte një varësi e ndërsjellë.
VIII. Dokumenti i vitit 1455: një provë në favor të Marinescut
Një dokument tjetër e ndërlikon interpretimin e Xhufit. Marinescu përmend një letër rekomandimi të shkurtit 1455, në të cilën Skënderbeu cilësohet në dokumentacionin aragonez: «capitaneus generalis in partibus Albanie, vassallus noster dilectus».
Domethënë, në përkthim: kapiten i përgjithshëm në viset e Shqipërisë, vasali ynë i dashur. Ky formulim është domethënës.
Në kancelarinë e Alfonsit, Skënderbeu nuk paraqitej thjesht si një aleat i jashtëm, por si një person i lidhur me mbretin përmes një marrëdhënieje vasale.
A e zgjidh kjo përfundimisht debatin?
Jo.
Ajo provon se Alfonsi dhe administrata e tij e konsideronin Skënderbeun vasal. Por për të vërtetuar realizimin e plotë të marrëdhënies feudale duhet të shqyrtohen edhe përmbushja e kushteve, betimi personal, investitura dhe ushtrimi konkret i autoritetit.
Megjithatë, kjo dëshmi nuk mund të anashkalohet.
Ajo tregon se Marinescu nuk e ndërton interpretimin e tij vetëm mbi tekstin e traktatit. Ai mbështetet edhe në korrespondencën diplomatike të mëvonshme.
Për rrjedhojë, argumenti se vasaliteti ishte vetëm një premtim duhet ballafaquar me faktin se kancelaria aragoneze e përdorte tashmë titullin e vasalit për Skënderbeun.
Ky është një nga momentet ku debati historik bëhet më i rëndësishëm sesa çdo përgjigje e gatshme.
IX. Ndihma e Napolit dhe autonomia e Skënderbeut
Marinescu i kushton rëndësi pjesëmarrjes së trupave napolitane në luftën kundër osmanëve.
Ai dokumenton dërgimin e ushtarëve, furnizimeve, grurit dhe materialeve ushtarake, si edhe veprimtarinë e oficerëve aragonezë në Shqipëri. Për këtë arsye, historiani rumun mendon se fitoret e Skënderbeut pas vitit 1451 duhen parë edhe në dritën e kësaj mbështetjeje.
Ky vlerësim korrigjon një dobësi të historiografisë heroizuese, e cila ndonjëherë e paraqet qëndresën shqiptare si një ndërmarrje krejtësisht të izoluar. Por nga ana tjetër, nuk duhet kaluar në ekstremin e kundërt.
Ndihma aragoneze nuk e zhduku rolin vendimtar të Skënderbeut si udhëheqës i ushtrisë shqiptare.
Këtë e dëshmon edhe fakti se, pas vdekjes së Alfonsit më 1458, Skënderbeu vazhdoi të ishte aktor i rëndësishëm i politikës ballkanike dhe evropiane. Marrëdhëniet me pasardhësin e Alfonsit, Ferranten, morën forma të tjera. Madje, Skënderbeu ndërhyri ushtarakisht në Itali në mbështetje të tij.
Xhufi e përdor këtë veprimtari të mëvonshme për të argumentuar se Kastrioti nuk mund të përkufizohet vetëm përmes një statusi vasal. Veçanërisht domethënës është dallimi që ai bën me kontratën feudale të vitit 1464, e cila lidhej me zotërimet e Skënderbeut në Mbretërinë e Napolit.
Të jesh vasal për feude të caktuara në Itali nuk do të thotë domosdoshmërisht të jesh vasal për të gjitha zotërimet e tua në Shqipëri. Ky dallim juridik është thelbësor dhe nuk duhet humbur në interpretimet e përgjithshme.
X. Tre historianë përballë të njëjtit traktat
Constantin Marinescu — Vasali në dokumentet aragoneze
Mbështetet te traktati, garnizoni në Krujë dhe korrespondenca mbretërore. Për të, marrëdhënia e suzerenitetit kishte marrë edhe formë praktike. Aurel Plasari (Author of Skënderbeu, një histori politike)
Aurel Plasari — Sovraniteti në politikën e fuqive
Shqyrton dispozitat e traktatit, veprimet e Alfonsit dhe diplomacinë e Skënderbeut në kontekstin e rivaliteteve mesdhetare. Erion Habilaj: Intervistë me historianin dhe intelektualin e mirënjohur, Pëllumb Xhufi, për 30 vitet e fundit, në Shqipëri – Radio Kosova e Lirë
Pëllumb Xhufi — Vasali i premtuar
Dallon angazhimin e kushtëzuar për vasalitet nga realizimi i tij dhe thekson autonominë politike e ushtarake të Skënderbeut.
Ballafaqimi i tyre nuk duhet të shndërrohet në një votim për të zgjedhur historianin që ka të drejtë.
Marinescu na jep dokumentet dhe dëshmitë e pranisë aragoneze.
Plasari na ndihmon të kuptojmë se traktati ishte pjesë e një politike më të gjerë mesdhetare dhe se marrëveshja u pasua nga veprime konkrete. Xhufi na kujton se në të drejtën feudale premtimi, kushti dhe realizimi i një marrëdhënieje nuk janë e njëjta gjë.
Në këtë mënyrë, tre këndvështrimet ndriçojnë aspekte të ndryshme të së njëjtës marrëdhënie.
XI. A ishte vasaliteti një humbje e pavarësisë?
Problemi më i madh në këtë debat është përdorimi i koncepteve moderne për të gjykuar marrëdhëniet e shekullit XV. Sot, pavarësia nënkupton sovranitetin e një shteti mbi territorin, popullsinë dhe institucionet e veta.
Në Mesjetë, sovraniteti mund të ishte i ndarë, i mbivendosur ose i kushtëzuar nga marrëdhënie personale midis sundimtarëve. Një princ mund të njihte një mbret si suzeren dhe njëkohësisht të ruante kontroll të gjerë mbi zotërimet e tij.
Mund të kryente homazh për një territor dhe të ishte politikisht autonom në një tjetër. Mund të pranonte mbrojtjen e një monarku pa hequr dorë nga drejtimi i ushtrisë së vet.
Prandaj pyetja nuk duhet të jetë vetëm nëse Skënderbeu ishte vasal. Duhet të pyesim: vasal në çfarë kuptimi, për cilat territore, me çfarë detyrimesh dhe në cilën periudhë?
Traktati i Gaetës dëshmon se Skënderbeu pranoi detyrime të rëndësishme ndaj Alfonsit.
Por veprimtaria e tij diplomatike dhe ushtarake tregon se ai nuk e humbi aftësinë për të vepruar si një udhëheqës politik me interesat e veta. Pikërisht këtu qëndron natyra e ndërlikuar e marrëdhënies.
XII. Skënderbeu, një vasal në letër dhe një aleat në luftë?
Traktati i Gaetës nuk e zvogëlon figurën historike të Skënderbeut. Ai na e paraqet atë më njerëzor, më politik dhe më realist. Skënderbeu nuk ishte një udhëheqës që vepronte jashtë rrethanave të kohës. Ai ishte një princ shqiptar i përballur me një perandori që dispononte burime shumë më të mëdha se të tijat.
Për të mbijetuar, ai kishte nevojë për aleanca.
Alfonsi, nga ana tjetër, nuk e ndihmonte pa interes. Ai synonte të zgjeronte ndikimin e Kurorës së Aragonës në Ballkan dhe të krijonte baza për projektet e veta mesdhetare. Në Gaetë, këto interesa u bashkuan në një traktat me gjuhë të qartë feudale.
Marinescu ka të drejtë kur na kujton se dokumentet nuk mund të injorohen: Skënderbeu pranoi njohjen e sovranitetit aragonez dhe kancelaria e Alfonsit e quante vasal. Plasari na tregon se kjo marrëveshje nuk ishte vetëm një formulë diplomatike. Ajo u shoqërua me dërgimin e trupave, furnizimeve dhe përfaqësuesve mbretërorë.
Xhufi ka të drejtë të kërkojë dallimin midis detyrimeve të premtuara dhe përmbushjes së tyre, duke na kujtuar se Skënderbeu vazhdoi të ushtronte një politikë të jashtme aktive.
Nga ballafaqimi i këtyre argumenteve del një përfundim më i nuancuar: Skënderbeu pranoi një marrëdhënie juridike vasaliteti të kushtëzuar me Alfonsin V, por në praktikën politike dhe ushtarake mbeti një aleat me autonomi të konsiderueshme. Kjo marrëdhënie nuk ishte as një aleancë e barabartë në kuptimin modern, as një nënshtrim absolut.
Ajo ishte një kompromis mesjetar midis një monarku që kërkonte zgjerim dhe një udhëheqësi që kërkonte mbijetesën e qëndresës së tij. Dhe ndoshta pikërisht këtu shfaqet një nga aftësitë më të mëdha të Skënderbeut: të përdorte rivalitetet e fuqive të kohës, pa e dorëzuar drejtimin e luftës që e bëri të famshëm.
Ai mund të kishte pranuar një suzeren në gjuhën e traktateve, por në malet, kështjellat dhe fushat e Arbërisë vazhdonte të ishte Gjergj Kastrioti, prijësi rreth të cilit organizohej qëndresa shqiptare.
Historia e tij nuk bëhet më e vogël kur lexohet përmes dokumenteve. Ajo bëhet më e ndërlikuar — dhe pikërisht për këtë, më e rëndësishme.
Shënime dhe Burime:
1. Constantin Marinescu, Alphonse V, roi d’Aragon et de Naples, et l’Albanie de Scanderbeg, në Mélanges de l’École roumaine en France, Paris, 1923. Veçanërisht faqet 42–53 dhe 61–66.
2. Aurel Plasari, Me mbretin Alfons për sovran, fq. 432–553. shqiptarja.com
3. Pëllumb Xhufi, Një vasal i premtuar: Skënderbeu dhe Alfonsi V i Napolit, Gjeopolitika, nr. 6, 2011, fq. 15–26.
4. Pëllumb Xhufi, Skënderbeu dhe Alfonsi V i Napolit: Vasal apo aleat?, Studime Historike, nr. 3–4, 2012.
5. Archivo de la Corona de Aragón, regj. 2697, fol. 103, Traktati i Gaetës, 26 mars 1451, sipas referencës arkivore të Marinescut.
Shënim redaksional: Citimet e shkurtra në gjuhën e dokumenteve mesjetare janë dhënë sipas burimeve të konsultuara. Interpretimi krahasues është i autorit të artikullit