• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Please join the Albanian American community in celebrating the 113th Anniversary of Albanian Independence in NYC

December 3, 2025 by s p

Please join the Albanian American community in celebrating the 113th Anniversary of Albanian Independence in NYC at the upcoming…

NYC Flag-Raising Ceremony – Wall Street Charging Bull

with NYC Mayor Eric Adams

NEW DATE: Tuesday, December 9, 2025

Time: Arrive at 1:30 PM, program starts at 2:00 PM SHARP

Location: 25 Broadway, New York, NY, 10004

(FREE: OPEN TO THE PUBLIC)

Filed Under: Politike

81 vjet nga lindja e Presidentit Historik, Dr. Ibrahim Rugova

December 2, 2025 by s p

Dr. Elmi Berisha/

Sot kujtojmë me nderim dhe mirënjohje të thellë 81-vjetorin e lindjes së Presidentit Historik të Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, simbolin e paqes, urtësisë dhe vizionit që udhëhoqi rrugën tonë drejt lirisë dhe pavarësisë.

Presidenti Rugova ishte më shumë se një udhëheqës.

Ai ishte zëri i qetë i popullit të tij, por i fuqishëm dhe i vendosur në mbrojtjen e të drejtave dhe aspiratave tona kombëtare.

Në këtë ditë, duke kujtuar lindjen e tij, ne përulemi para idealit të tij të madh dhe të palëkundur: Kosovën shtet të pavarur e sovran, të integruar në Bashkimin Evropian e NATO dhe të lidhur me miqësinë e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sot në këtë ditë të shënuar, uroj nga zemra Ukë Ibrahim Rugovën për kandidaturën për deputet të Kuvendit të Republikës, pas shumë viteve sfidash, gjuetije shtrigash ndaj tij dhe familjes Rugova, Uka fillon sot vazhdimësinë e rrugës së idealit të madh, i palëkundur, i pastër dhe më i fortë se kurrë me shpresën dhe besimin e mijëra rugovistëve që e duan Kosovën siq e ideoj arkitekti i shtetit të pavarur të Kosovës presidenti Historik Dr. Ibrahim Rugova.

Filed Under: Politike

FEDERATA VATRA DHE RIKRIJIMI I SHTETIT SHQIPTAR 1920-1921

December 1, 2025 by s p

Akademik, Prof. Dr. Beqir Meta/

Pjesa I

Në dekadat e para të shekullit të kaluar Federata Panshqiptare “Vatra” e Amerikës  ishte organizata më e fuqishme dhe njëkohësisht edhe më progresive e moderne e emigracionit politik shqiptar. Ajo u themelua në vitin 1912 dhe ndiqte modelin e shoqërive të diasporave më të avancuara në SHBA, por edhe të organizatave të tjera joqeveritare në këtë vend. Gjatë viteve 1912-1920 ajo ishte organizata që dha kontributin më të spikatur në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, duke i bërë shërbime të paçmuara kombit tonë. Pikërisht për këtë arsye, është me interes të veçantë që të shqyrtojmë edhe qëndrimin e saj ndaj shtetit  të ri shqiptar që u rikrijua me shumë vështirësi e peripeci nga Kongresi Kombëtar i Lushnjes.

          Gjatë viteve 1920-1921 Federata Vatra u përpoq të orientonte dhe ndihmonte shtetin e ri shqiptar dhe të forconte pozitat e tij në arenën ndërkombëtare. Ajo luajti një rol domethënës për të nxitur qeverinë amerikane që të njihte shtetin e ri shqiptar dhe qeverinë e tij legjitime, duke u përpjekur të tejkalonte ngurrimin e Departamentit të Shtetit në këtë drejtim, i cili donte prova të mjaftueshme se ky shtet kishte një qeveri qendrore efektive dhe ishte i aftë për ekzistencë të qëndrueshme.  Delegati i Vatrës në Washington dhe njëherazi komisari i shtetit shqiptar atje Kostandin Çekrezi u përpoq për të mbrojtur tërësinë territoriale të Shqipërisë, e cila vijonte të ishte e rrezikuar. Ai kundërshtoi me forcë tentativat e lobeve greke në Senatin Amerikan për të mbështetur pretendimet  e tyre aneksioniste ndaj Shqipërisë së Jugut.[1]  Gjithashtu ai u përpoq pranë Departamentit të Shtetit dhe Presidentit Wilson që të bënte të qarta kërkesat shqiptare përpara Konferencës së San Remos ku do të diskutohej çështja e Adriatikut.[2]

           Vatra ndiqte me shumë vëmendje edhe situatën ndërkombëtare. Ajo në këtë kohë, ashtu si shumica e opinionit evropian, konsideroi si rrezik kryesor për Ballkanin dhe Evropën lëvizjen komuniste. Në këtë kontekst dhe rrjedhojë të kësaj situate shihte ajo edhe krijimin e Aleancës Ballkanike ose Paktit të Antantës së Vogël, të iniciuar dhe mbështetur me forcë nga Franca.[3] Kjo situatë e re konsiderohej e dobishme për shqiptarët dhe i bëhej thirrje qeverisë të aderonte në të. Po, para se Shqipëria të bashkohej me aleanca politike, duhej të caktoheshin kufijtë dhe Serbia të largonte ushtrinë e saj që nga kufijtë e vitit 1913 dhe njëkohësisht “të japë sigurinë për vëllezërit tanë të robëruar”. Ky moment konsiderohej tepër i favorshëm nga Vatra.[4] Çështja e kufijve ende të pacaktuar konsiderohej një rrezik i madh për Shqipërinë, i cili “i mban grekomanët dhe serbomanët   me shpresë të madhe, i forcon përpjekjet e armiqve dhe na lë midis valës dhe zjarrit”.[5]  Qeverisë i bëhej thirrje të ishte tepër e kujdesshme, veçanërisht nga pasojat që vinin prej Traktatit  të Kapshticës.[6]

        Menjëherë Vatra i përqendroi më së shumti energjitë e saj për të mbështetur shtetin dhe shoqërinë shqiptare që të bënin reforma politike progresive dhe për ta orientuar vendin drejt Perëndimit.

Ajo shkoi edhe përtej kësaj. Duke parë vështirësitë e mëdha ekonomike e financiare me të cilat përballej shtetit i ri, të cilat përbënin një nga sfidat kryesore të tij, vendosi që ti jepte atij edhe mbështetje financiare, duke organizuar Huanë Kombëtare, prej së cilës u sigurua një shumë prej 183.000 dollarësh.[7]  

          Vatra u angazhua drejtpërdrejt edhe në sferën e sigurisë së shtetit të ri. Në fillim të vitit 1920 ajo dërgoi në Shqipëri disa trupa ushtarake shqiptare të stërvitura qysh gjatë Luftës së Parë Botërore, me synimin për tu rreshtuar në anën e Aleatëve të Antantës. Këto forca drejtoheshin nga një ushtarak dhe një nga aktivistët e shquar të Vatrës, Aqif Përmeti, i cili u pushkatua nga komunistët në vitin 1945.[8] Dërgimi i këtyre forcave me disiplinë dhe kulturë tashmë perëndimore nga Vatra, bëhej me synimin që të modernizoheshin dhe të rritej cilësia e forcave të sigurisë në Shqipëri për ti shërbyer shtetit dhe qytetarëve, me një frymë perëndimore, larg stilit, mendësisë e praktikave osmane që trashëgonte vendi.

          Bashkë me vullnetarët shkoi edhe Banda Muzikore “Vatra”, e udhëhequr nga muzikanti i talentuar Profesor Thoma Nassi, e cila dha shumë koncerte me muzikë klasike e popullore shqiptare në shumë qytete të Shqipërisë. Ajo ringjalli dhe ngriti në një nivel më të lartë muzikën qytetare shqiptare, krijoi një atmosferë të mrekullueshme hareje, gëzimi e ringjallje në këtë agim të ringritjes së shtetit të ri kombëtar, kultivoi ndjenjat dhe shijet muzikore sa kombëtare, aq edhe moderne në popullsinë e gjerë shqiptare, etj. Por mbi të gjitha, ajo ndikoi shumë për të rritur ndërgjegjen kombëtare shqiptare me këngët dhe veprimtarinë e saj, si dhe entuziazmin për fillimin e një jetë të re të lirë nën flamurin kombëtar. Prandaj koncertet e saj mbetën të pashlyera në kujtesën popullore shqiptare, si asnjë trupë apo aktivitet tjetër muzikor artistik para ose pas saj.

          Vatra vendosi të përfshihej drejtpërdrejt edhe në jetën politike të shtetit shqiptar. Ky ishte një hap me rëndësi por njëkohësisht edhe mjaft delikat, pasi përfshirja e diasporave në institucionet politike të një shteti kërkon një shkallë të lartë maturimi të këtyre institucioneve, por edhe përgatitje e njohuri politike të përfaqësuesve politikë të diasporës. Kuvendi i Vatrës i 11 korrikut 1920 i propozoi qeverisë shqiptare që të dërgonte si përfaqësues të saj në parlamentin e parë shqiptar ose Këshillin Kombëtar të zgjedhur nga Kongresi i Lushnjes, Fan Nolin. Noli shkoi në Shqipëri por nuk u lejua të hynte në vend, me ndërhyrjen e kundërshtarit të tij të vjetër Sotir Pecit, i cili e bindi Këshillin e Naltë se ai mund të krijonte përçarje politike.  Më 29 tetor 1920 Këshilli Kombëtar i “Vatrës” protestoi ndaj qeverisë shqiptare për ndalimin e tij. Me ndërhyrjen e Ahmet Zogut, konflikti u zgjidh nga qeveria , e cila e dërgoi Nolin në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë si përfaqësues të saj. Atje Noli shkëlqeu si një orator i zoti në mbrojtje të së drejtës së vendit të tij për tu njohur si shtet i pavarur dhe për tu pranuar si anëtar i LK. Pasi kreu detyrën në Gjenevë, Noli u pranua nga qeveria si deputet i “Vatrës” që do të përfaqësonte shqiptarët e Amerikës në Parlamentin e Shqipërisë. Ndërsa në zgjedhjet e para politike të vitit 1921 ai u zgjodh ligjërisht deputet i Parlamentit shqiptar. Tashmë edhe Vatra vendosi që të përkrahte Partinë Popullore të cilën e kryesonte vetë Noli.[9]

         Në vijim të aksionit të saj politik në Shqipëri, po në vitin 1920 “Vatra” iu kthye projektit të saj të mëhershëm për themelimin e një partie politike në Shqipëri. Në nëntor të këtij viti njerëzit e saj themeluan Federatën “Vatra e Shqipërisë” me qendër në Korçë.[10] Por Vatra e Korçës, për shkak të vështirësive financiare dhe ngaqë nuk mori ndihmat e mjaftueshme nga Bostoni, nuk pati vijueshmëri. [11] Gjithsesi kjo tentativë ka një rëndësi, si një shembull i parë dhe i fundit i diasporës për tu angazhuar përmes një force të vetën politike në jetën politike të vendit. Dështimi i saj, përveç të tjerash, dëshmonte faktin se vatranët  ishin një forcë progresive por pa shumë mbështetje në terrenin shqiptar dhe gjithashtu edhe vetë Federata “Vatra” e Amerikës nuk kishte kapacitetet e duhura politike e organizative për ta realizuar me sukses dhe efektivitet një lëvizje të tillë në Shqipëri.

             Gjithsesi duhet nënvizuar se në fillim të viteve 1920, shumë shqiptarë u larguan nga Amerika për në Shqipëri. Shteti i ri shqiptar kishte nevojë për njerëz të kualifikuar dhe me mendësi të reja. Llogaritet se deri në vitin 1925 u kthyen në atdhe nga Amerika rreth 30.000 shqiptarë.[12] Shumica e të kthyerve i përkiste viteve 1921-1922. Kjo përbënte një lëvizje të madhe në raport me numrin e përgjithshëm të shqiptarëve që kishin shkuar deri atëherë në Amerikë. Nxitja kryesore e këtij procesi ishte entuziazmi dhe besimi i madh se Shqipëria e re e pavarur do të ecte me shpejtësi në rrugën e progresit dhe prosperitetit. Këta emigrantë filluan të zënë vende me rëndësi në administratën shtetërore, në arsim dhe në kisha.[13] Të gjithë emigrantët e kthyer nga Amerika sillnin me vete edhe idetë liberale e demokratike, të njëjta me ato që zbatoheshin në SHBA.

        Vtranët e pritën me pakënaqësi dhe shqetësim rënien e qeverisë së S. Delvinës në fund të vitit 1920. Dielli fajësonte si shkaktare të kësaj situate Rregjencën, për të cilën theksonte se “u kthye në diktatore dhe u zgjat përtej kufirit që i caktoi Mbledhja e Lushnjes”. Bëhej thirrje që në fushatën zgjedhore që do të zhvillohej “nacionalistët duhet të veprojnë, duhet të përdorin forcën e tyre për një reformë të krejtë, për një shkulje nga rrënja, e cila të kënaqë shumicën e popullit dhe jo “demagogët”, ata që përpara ambicieve personale  shkelin çdo parim tjetër, sado i shenjtë që të jetë.” Sipas Diellit zgjedhjet legjislative i donin “konservativët, ata që i lënë punët për të nesërmen, kurse mbledhje konstituonte duan patriotët e rinj ay grup që dëshiron një Shqipëri moderne, një Shqipëri evropiane”. [14]

           Dielli e konsideronte rënien e qeverisë së S. Delvinës një humbje për Shqipërinë. Veçanërisht humbje e madhe konsiderohej mungesa e A. Zogut në qeverinë e re, i cili vlerësohej pozitivisht pasi “për një kohë të shkurtër e nxori Shqipërinë nga bota e zezë në të cilën e kishin futur të huajt, nga një rrëmujë, në një gjendje të dukshme. Hodhi themelet e shtetit shqiptar. Vendosi qetësinë, përmbysi kryengritjen esadiste. Theksohej se Ahmet Zogu është njeriu për të cilin qan sot Shqipëria, dhe ky njeri nuk mund të qëndrojë larg influencës së popullit.”[15]

      Një tipar tjetër i mendimit politik të shprehur në gazetën Dielli ishte mbështetja e sistemit politik pluripartiak, të cilin e quante “sot për sot sistemin më të goditur” pasi partitë parlamentare do të qeverisnin vendin sipas dëshirës së popullit.[16] Mithat Frashëri vlerësonte dhe përkrahte krijimin e partive politike moderne por në qoftë se ato nuk vinin në plan të parë interesin e kombit dhe interesat partiake nuk ia nënshtronin atij atëherë ishte më mirë të mos krijoheshin fare.[17]

        Shumë vatranë në Amerikë, duke ndjekur me shqetësim krizën dhe paqëndrueshmërinë politike të fillim vitit 1921, kërkuan nga Vatra të organizonte një kuvend për “bashkimin pa kondita të qarkut të lartë të udhëheqësve tonë”, të cilin e konsideronte si mënyrën e vetme e zgjidhjes së krizës.[18]        

           “Vatra” ishte kampione e lirisë së shtypit. Ajo kritikoi pengesat që i nxori qarkullimit të gazetës “Dielli” qeveria e I. Vrionit[19], dhe paralajmërimet ndaj gazetës së “Korçës” për ta mbyllur, pasi botonte artikuj që kritikonin qeverinë.[20]

               Vatra nuk e shkëputi për asnjë çast vëmendjen nga çështja e kishës autoqefale në Shqipëri, duke mbrojtur me konsekuencë autoqefalinë e saj edhe para se kjo të shpallej në Kongresin e Beratit.[21] Po kështu, përshëndeti reformat e sektit Bektashian për t’a bërë fenë e tyre plotësisht kombëtare autoqefale, çka cilësohej “një vepër patriotike që tregon se Shqipëria do të bëhet vend model i Ballkanit”.[22] Këto reforma konsideroheshin si arritje me rëndësi në hapat e para të shtet-formimit.

       Në faqet e Diellit kritikohej plaga e lokalizmit, duke bërë thirrje që “ky rrezik duhet të zhduket nga rrethi ynë para se të zërë rrënjë, para se të bëhet gangrenë. Ashtu siç luftuam sëmundjen e fanatizmës fetare, jemi në gjendje të luftojmë dhe lokalizmin.”[23]


[1] AQSH, F. 151, V. 1920, D. 34/1, fl. 360-363, Letër e Kostë Çekrezit dërguar Ministrit të Punëve të Jashtme, Mehmet Konica, Washington,, 15 mars 1920.

[2] Po aty, D. 31, fl. 62-65, Kostë Çekrezi për Ministrin e Jashtëm M. Konica, Washington, 27 prill 1920

[3] “Dielli”, 04.02.1921, Aleanca Ballkanike

[4] “Dielli”, 04.02.1921, Aleanca Ballkanike

[5] “Dielli”, 07.02.1921, Gabime fatale për kohën e sotme

[6] “Dielli”, 07.02.1921, Gabime fatale për kohën e sotme

[7] Refat Xh. Gurrazezi, Historia e Federatës Vatra, Tiranë, Glogus R, 2006, f. 113-115. Federata Vatra kontribuoi me 7.000 dollarë kurse emigrantët e tjerë blenë sasi të ndryshme bondesh. Vlera e një bondi ishte 50 fr. Ar ose 10 dollarë. Rekordin e huasë e mbanin dy vatranë të njohur –Halit Qyteza me 6.000 dollarë (të cilin më vonë e dënuan komunistët dhe vdiq në burgun e Korçës) dhe Fazlli Panariti me 5.000 dollarë.

[8] Po aty, f. 81

[9] AQSH, F. Fan Noli, viti 1921, dosja 116, fl. 15-20, Letër e sekretarit të Federatës Vatra, Kristo Isak, drejtuar kryedelegatit të kësaj shoqërie në Konferencën e Paqes, Mehmet Konica, Boston , gusht 1921.

[10] Kanunore e shoqërisë “Federata Vatra e Shqipërisë”, miratuar nga komisioni nismëtar, Korçë, 23 tetor 1920.

[11] Refat Xh. Gurrazezi, Historia e Federatës Vatra,…, f. 128-129

[12] Haris Silajxhiç, Shqipëria dhe SHBA në arkivat e Washingtonit, Tiranë, Dituria, 1999, f. 38

[13] Po aty.

[14] “Dielli”, 07.01.1921, Reforma nga rruga

[15] “Dielli”, 24.01.1921, Shqipëria qan për Zogun

[16] “Dielli”, 19.01.1921, Partitë e Shqipërisë

[17]  “Dielli”, 11.04.1921 Lumo Skëndo –Për një Parti Politike

[18]  “Dielli”, 03.02.1921. S. Aliko,  Bashkimi i udhëheqësve tanë, i nevojshëm

[19]  “Dielli”, 27.01.1921.

[20]  “Dielli”, 03.02.1921

[21] “Dielli”, 31.01.1921

[22] “Dielli”, 26.02.1921, Reforma të lipsura

[23] “Dielli”, 23.02.1921, Mikrobin shtype sa është i mbyllur

Filed Under: Politike

Shkrimi i Poetit Belg Roland de Marès për Ismail Qemal Vlorën

November 30, 2025 by s p

Dr. Evarist Beqiri/

“Njeriu i zgjuar i përket të gjitha vendeve, sepse atdheu i një shpirti të madh është bota mbarë.” – Karl R. Popper

Në pranverën e vitit 1900, në moshën 56-vjeçare, Ismail Qemal Vlora mori vendimin që t’i jepte fund karrierës në Perandorinë Osmane. Në këtë mënyrë, ai do të kishte mundësi që ta shfrytëzonte më tepër lirinë vetjake për të bërë diçka të dobishme për vendlindjen e tij, Shqipërinë. Nëse, më parë ai e kishte fshehur luftën për kauzën shqiptare nën petkun e dhënies, së më shumë lirive e të drejtave popujve të ndryshëm të Perandorisë Osmane, duke filluar që nga ky moment ai luftoi haptazi për idenë e shtetit shqiptar.

Në vitet 1900-1908, Ismail beu e vendosi vendbanimin e tij në Bruksel, në Avenue Louise. Aty, ai jetoi me shumë sakrifica së bashku me tre djemtë e tij, të cilët vijonin studimet. Ndërkohë, bashkëshortja e tij Kleoniqi Vlora dhe gjashtë fëmijët e tjerë jetonin në Turqi. Në kryeqendrën europiane, Ismail Qemal Vlora realizoi një veprimtari të jashtëzakonshme patriotike. Kjo periudhë ishte një gur i rëndë themeli në përgatitjen e Pavarësisë së Shqipërisë.

Nga kjo periudhë na vjen sot, një përshkrim i jashtëzakonshëm i poetit dhe publicistit të njohur, belg Roland de Marès (1874-1955). Ja çfarë shkruan ai më, 14 Prill 1909, në një artikull për të famshmen “Le Matin” (*shkrimi u përkthye nga frëngjishtja nga Evarist Beqiri): “Një figurë tjetër që del në pah është ajo e Ismail Qemal Beut, i cili kaloi tetë vjet në mërgim në Bruksel. Pa u ndikuar nga miqësia shumë e vjetër që na lidh, mendoj se nuk po shkoj shumë larg duke thënë se Ismail Qemal Beu është një politikan i klasit të parë. Ai kishte marrë tashmë pjesë shumë aktivisht në lëvizjen e vitit 1876. Ai kishte qenë vali i Bejrutit dhe guvernator i Tripolit. Një administrator i shquar, një njeri me parime. Ai vuajti shumë për idetë liberale. Ishte ai që, duke e ditur se kishte gjithçka për t’u frikësuar nga rrethimi i ngushtë i Sulltanit, u strehua një ditë në bordin e anijes stacionare angleze. Atij iu ofrua e mundura dhe e pamundura për ta bindur të mos largohej nga Perandoria, por Ismail Qemal Beu u largua nën mbrojtjen e topave anglezë dhe nuk u kthye më në vendin e tij deri ditën pas rivendosjes së regjimit kushtetues.

Ai është një burrë kurioz, me një inteligjencë jashtëzakonisht të gjallë. Pavarësisht flokëve dhe mjekrës së tij të bardhë, fytyra e tij ka ruajtur një shprehje të bukur rinore. Brukseli ishte, si të thuash, porti i tij i ankorimit, por ai ishte kudo, në Paris, Londër, Berlin. Ndonjëherë zhdukej për një javë, pastaj një mbrëmje shfaqej papritur në shtëpinë time dhe për orë të tëra më tregonte për shpresat e tij për një triumf të afërt. Ai ishte në kontakt me të gjithë ata që kishin një emër në politikën ndërkombëtare. Ai korrespondonte miqësisht me ministra dhe ish-ministra, gjithmonë me një aktivitet disi të ethshëm, duke e mbushur ekspozimin e ideve të tij me anekdota të këndshme rreth burrave të kohës së tij. Ai shpjegonte me një saktësi të habitshme anën e fshehtë, ndonjëherë zbavitëse të ngjarjeve më serioze politike.

Kur ndodhën incidentet e para ushtarake në Maqedoni, drejt fundit të regjimit të vjetër, kur askush nuk kishte guxuar ende të dyshonte për një revolucion, ai më bëri të kuptoj me një fjalë të thjeshtë se “kaq ishte”. Me përvojën e tij të gjatë në politikën lindore, njohuritë e tij për njerëzit dhe ndjenjat atje, ai e kishte parë menjëherë se fundi i absolutizmit, kundër të cilit kishte luftuar kaq shumë, kishte ardhur. I zgjedhur deputet i Beratit, i adhuruar nga bashkatdhetarët e tij shqiptarë, ai menjëherë e vendosi veten si udhëheqës i partisë liberale konstitucionale. Tani ai është kryetar i Dhomës. Së shpejti, pa dyshim, ai do të jetë Ministër i Punëve të Jashtme. Këto janë surprizat e politikës lindore: dje armik, sot udhëheqës partie, nesër vezir. Ajo që mund të thuhet pa frikë se do të kundërshtohet nga ngjarjet është, se kauza liberale është në duar të mira nëse i besohet udhëheqjes së Ismail Qemal Beut. Dhe unë, që e kam parë atë nga afër në punë në ditët më të errëta, jam i sigurt se ky luftëtar i shkëlqyer do të dëshmohet i aftë për detyrën e rëndë që i ka rënë mbi krye.”

Filed Under: Politike

Rrugëtimi drejt Pavarësisë së Shqipërisë

November 28, 2025 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912 përbën një nga momentet më të ndritura dhe më vendimtare të historisë sonë kombëtare. Pas shekujsh pushtimi, përpjekjesh, sakrificash dhe lëvizjesh të pareshtura atdhetare, një grup burrash të guximshëm, të udhëhequr nga Ismail Qemal Vlora, bënë hapin e madh drejt themelimit të shtetit shqiptar. Ky akt historik nuk ishte i rastësishëm, por rezultat i një procesi të gjatë diplomatik, politik dhe kombëtar, i cili u intensifikua gjatë vjeshtës së vitit 1912, në kulmin e Luftërave Ballkanike dhe në rrezikun e copëtimit të trojeve shqiptare nga shtetet fqinje. Rrugëtimi i Pavarësisë së Shqipërisë fillon nga mbledhjet e para të patriotëve shqiptarë në Bukuresht, vijuar me udhëtimet diplomatike të Ismail Qemalit në kryeqytetet evropiane, deri te mbërritja e tij në Vlorë dhe zhvillimi i Kuvendit historik. Përmes kësaj pasqyre kronologjike, mund të vërehen hap pas hapi përpjekjet, shqetësimet, rreziqet dhe vendosmërinë e atdhetarëve tanë, të cilët në një kohë të trazuar arritën të ruanin interesat kombëtare dhe të themelonin Qeverinë e Përkohshme të Shqipërisë.

Kjo rrugë drejt lirisë ishte e mbushur me sfida, me udhëtime të rrezikshme, me vendime shtetformuese dhe me diplomaci të hollë. Por mbi të gjitha, ishte një rrugë e udhëhequr nga një ideal i përbashkët: lindja e Shqipërisë së lirë dhe të pavarur. Në vijim, paraqiten momentet kyçe që shënuan këtë proces historik dhe që i dhanë kombit shqiptar ditën e tij më të madhe — 28 Nëntorin e Pavarësisë.

Kronologjia e shpalljes së Pavarësisë.

1- Më 5 nëntor 1912, Ismail Qemali mblodhi patriotët shqiptarë në hotelin Continental të Bukureshtit, ku diskutuan për pavarësinë e Shqipërisë. Në fjalën e tij, ai theksoi “Tjetër shpëtim për Shqipërinë nuk ka, përveçse të gjenden ca atdhetarë me guxim dhe bashkë me mua të hyjmë në Shqipëri dhe të kasnecojmë vetëqeverimin e saj”. Figurat më të rëndësishme të kësaj mbledhjeje qenë Asdreni, Spiridon Ilo, Vasil Zografi, Pandeli Evangjeli, Luigj Gurakuqi, Dhimitër Berati, etj. Ata vendosën që të mbahej Kuvendi Kombëtar me përfaqësues nga të gjitha krahinat e Shqipërisë. Në mbledhje u diskutua për flamurin kombëtar dhe u vendos që të ishte ai flamur që ngriti Gjergj Kastrioti në Krujë.

2- Më 7 nëntor 1912, Ismail Qemali u nis me tren nga Bukureshti për në Vjenë, për një vizitë diplomatike, qëllimi i së cilës ishte të fitonte mbështetjen e Austro-Hungarisë për pavarësinë e Shqipërisë. Me të arritur në Vjenë, ai u vendos në Grand Hotel. Më 10 nëntor 1912, u takua me ambasadorin anglez, Sir Fairfax Cartëright, i cili ishte ndoshta diplomati i huaj më në zë i kohës.

3- Më 12 nëntor 1912, Ismail Qemali udhëtoi me tren drejt Budapestit, ku takoi ministrin e Jashtëm të Austro-Hungarisë, kontin Bertold, i cili e siguroi se qeveria e tij kishte biseduar edhe me qeveritë italiane e gjermane për këtë qëllim dhe së bashku nuk e shihnin me sy të mirë një shtrirje të Malit te Zi dhe Serbisë në jug të Ballkanit.

4- Më 19 nëntor 1912, bashkë me Luigj Gurakuqin, Ismail Qemali arriti në Trieste, qytet që në atë kohë ishte një port i Austro-Hungarisë. Spiridon Ilo, Dhimitër Berati, Pandeli Mborja dhe Dhimitër Zografi u nisën disa ditë më vonë për t’u takuar po aty me Ismail Qemalin. Po nga Triestja do bëhej nisja për në Durrës, me anijen “Baron Bruck” që ua siguroi Bertholdi.

5- Natën e 20 nëntorit, duke u gdhirë data 21, avulloret “Brunn” dhe “Graf Ëurmbrand” u takuan në Gjirin e Rodonit për të bërë kalimin e Ismail Qemalit dhe njerëzve të tij nga njëra anije tek tjetra.

6- Ismail Qemali dhe burrat e tjerë e kaluan natën në “Graf Ëurmbrand”, e cila arriti mëngjesin e datës 21 nëntor në Durrës dhe u prit në qelën e Dom Nikollë Kacorrit, i cili, pas një jave, do të ishte edhe zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Përkohshme të Vlorës.

7- Më 23 nëntor 1912, Ismail Qemali u niset me një karrocë me kuaj nga Durrësi. Gjatë rrugëtimit të karvanit të Ismail Qemalit për në Vlorë, gjenerali i divizionit turk, Kara Sait Pasha, që kontrollonte zonën midis Lushnjës, Fierit dhe Beratit, dha urdhër të arrestohej Ismail Qemali me të gjithë shoqëruesit e tij. Për këtë arsye karvani nuk u fut në Lushnjë, por e kaloi natën në Çermë, në çifligun e Dervish bej Biçakut.

8- Më 24 nëntor Ismail Qemali kaloi në Fier, e bujti tek Omer Pashë Vrioni. Me ndihmën e patriotëve vendas, karvani kaloi nga Mifoli dhe pas shumë peripecive, në pasditen e 27 nëntorit 1912, Ismail Qemali mbërriti në Vlorë.

9- Punimet e Kuvendit të Vlorës filluan më 28 nëntor 1912, në orën 15:30 në sarajet e familjes Vlora, me pjesëmarrjen e 78 delegatëve. Kuvendi i Vlorës vendosi që “Shqipëria të bahet më vehte, e lirë dhe e mosvarme”. Pas nënshkrimit të aktit të shpalljes së Pavarësisë, Ismail Qemali, në orën 17:30 të datës 28 nëntor 1912, doli në ballkonin e shtëpisë ku zhvilloi punimet kuvendi dhe valëviti lart flamurin kombëtar, të cilin e kishte ngritur dikur Gjergj Kastrioti në Krujë.

Fjalimi i Ismail Qemalit i mbajtur me 28 nëntor 1912 në Mitingun e Madh në Vlorë me rastin e ngritjes së flamurit

Oh! Sa të lumtur që e ndiej vehten sot, që shoh, këtu në Vlorë, kaqë burra Shqipëtarë të mbledhur tok, tuke pritur me kureshti e padurim përfundimin e kësaj mbledhjeje historike, për fatin e Atdheut tonë të dashur. Plot me gaz e me lot ndër sy, nga mallëngjimi, pra, po dal këtu para jush që t’ju gëzoj me sihariqin e madh, se sot, edhe këtë minutë, Kongresi çpalli mëvehtësinë e Shqipërisë, tuke lajmëruar gjithë botën mbarë për këtë punë e duke më ngarkuar mua kryesin’ e qeveris së përkohshme të Shqipërisë së lirë.

Porsi ëndër më duket ky ndryshim i madh i vendit t’onë, që hoqi e voi të zezat e të lirit pesëqind vjet me radhë ndënë sundimin turk, por që tani në kohët e fundit, ishte gati të jepte shpirtin përgjithënjë, të shuhej e të çfarrosej krejtësisht nga faqia e dheut, këjo Shqipëri, që, dikur, shkëlqente nga trimërija e pashoqe e bijve të saj; kjo Shqipëri, që kur i kërcënohej rreziku Europës nga pushtimet e Turqisë, ndënë kryetrimin e pavdekur të saj, Skënderbejnë, u bë porta e hekurtë kundra sulmeve më të tërbuara të sulltanëve më t’egër që ka pas Turqija.

Mirëpo, desh Zoti, që me punën, me trimërinë dhe guximin e pashoq të Shqipëtarëvet, sot e tutje të marrin fund mjerimet dhe vuajtjet e Atdheut t’onë, sepse, këtu e kështu, jemi të LIRË të PAVARUR dhe MËVEHTE, prandaj: qeshni e gëzoni! Për t’ia arrijtur kësaj dite të bardhë e të madhe, na ka ndihmuar gjaku i dëshmorëvet dhe puna e vlefshme e patriotëve t’anë dhe e të gjithë shokëve që muarrnë pjesë në këtë mbledhje dhe e të gjithë juve, që tani po ju gufon zemëra nga gazi i madh që ndieni; mirëpo mbledhja si më plak që jam, m’a ngarkoi mua Ngritjen e shënjtë të shënjës t’onë Kombëtare, të flamurit t’onë të ëndërruar e të dashur (nxjerr Flamurin, të cilin e ka të vendosur në një shtizë hekuri, natyrisht të vogël, dhe të pshehur nën pallto dhe passi e mba një sekondë në dorë e ngul në shtyllat e ballkonit. Amatorët, posa e shohin Flamurin thërrasin me gëzim e me zë të lartë: Rroftë Flamuri, Rroftë Shqipërija e Lirë).

Ja, pra, ky është Flamuri Ynë i kuq e me shqiponjën dykrenare të zezë në mest. Dhe tani, të gjithë bashkë, si një trup i tërë dhe i pandarë, le të punojmë për t’a mburuar, për t’a përparuar e për t’a qytetëruar si i ka hije Atdhenë t’onë të Lirë.

Tuke përfunduar, s’më mbetet gjë, veçse t’i drejtoj një lutje Zotit të Madh, që, bashkë me bekimet e Tij që i lipij të na japë për të qenë të denjë të kësaj dite, të pranojë që këtej e tutje të jem unë dëshmori më i parë i Atdheut, ashtu siç pata nderin dhe fatin që të jem i pari ta puth e ta bëj të valvitet i Lirë. Flamuri i ynë, n’atdhenë t’onë të lirë.

Rroftë Flamuri! Rroftë Shqipërija!

28.11.1912

Kuvendi i Vlorës shpalli Pavarësinë e Shqipërisë dhe Qeverinë e Përkohshme, e cila përbëhej nga 10 anëtarë:

1-Ismail Qemali, kryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme.

2-Dom Nikoll Kaçorri, zëvendëskryeministër.

3-Myfit Libohova, ministër i Brendshëm.

4-Dr. Petro Poga, ministër i Drejtësisë.

5-Pandeli Cale, ministër i Bujqësisë.

6-Abdi Toptani, ministër i Financave.

7-Luigj Gurakuqi, ministër i Arsimit.

8-Mehmet Dërralla, ministër i Luftës.

9-Mit’hat Frashëri, ministër i Punëve Botore.

10-Lef Nosi, ministër i Postë-Telegrafës.

Kryetari i Qeverisë së Përkohshme, Ismail Qemali, ngarkoi ministrin e Postë-Telegrafës, Lef Nosin, që të njoftonte Fuqitë e Mëdha, Anglinë, Austro-Hungarinë, Francën, Gjermaninë dhe Rusinë, si dhe vendet ballkanike, Rumaninë, Serbinë, Bulgarinë, Greqinë dhe Turqinë, me qëllim që ata të njihnin aktin e shpallje së Pavarësisë. Ky akt përbëhet prej një faqeje e gjysmë, ku ndër të tjera thuhet: “Kam nderin t’i njoftoj Shkëlqësitë tuaja se delegatët e të gjithë krahinave shqiptare, pa dallim feje, të mbledhur dje në Asamblenë Kombëtare në qytetin e Vlorës, shpallën pavarësinë e Shqipërisë dhe kanë ngritur një Qeveri të Përkohshme.

Shqiptarët po gëzohen që mundën të hyjnë në familjen e popujve të lirë të Orientit, duke mos pasur për qëllim tjetër, veçse të jetojnë në paqe dhe harmoni me të gjitha shtetet fqinje; shpresojmë se ky ndryshim i jetës politike dhe kombëtare i Qeverisë së Përkohshme të Shqipërisë ka për t’u njohur prej qeverive tuaja dhe europiane”. Kuvendi, duke pasur parasysh ekuilibrin e raporteve fetare, vendosi që qeveria të përbëhej prej 5 të krishterëve dhe 5 myslimanëve. Kjo qeveri funksionoi prej datës 4 dhjetor 1912 e deri më 22 janar 1914.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • …
  • 662
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA APEL PUBLIK DREJTUAR KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Please join the Albanian American community in celebrating the 18th Anniversary of Kosova’s Independence at New York City Hall
  • VATRA TELEGRAM URIMI QEVERISË DHE PARLAMENTIT TË KOSOVËS
  • Reçaku, një histori e dhembjes, sakrificës dhe ngadhënjimit mbi vdekjen
  • Një shqiptar kandidat për Asamblenë e Shtetit të New York-ut, Shpetim Qorraj: “Dua të jem zëri i fortë i qytetarëve të Distriktit 64”
  • Job-i biblik dhe romani « Brenga » e Pashko Camaj
  • Komuniteti shqiptaro-amerikan kërkon drejtësi
  • Urgjenca dhe Protesta si regjim. Pse ritmi i revoltës prodhon pushtet, jo ndryshim?
  • Kur një korb flet shqip: pse “Korbi” i Nolit nuk është thjesht përkthim i POE-s
  • “Nomos”
  • 𝒁𝒆̈𝒓𝒊 𝒊 𝒅𝒆̈𝒔𝒉𝒎𝒊𝒕𝒂𝒓𝒊𝒕 𝒑𝒆̈𝒓𝒃𝒂𝒍𝒍𝒆̈ 𝒑𝒂𝒅𝒓𝒆𝒋𝒕𝒆̈𝒔𝒊𝒔𝒆̈
  • Kush ishte shkrimtari shqiptar që kishte letërkëmbim dhe vlerësohej nga Viktor Hygo
  • Si u bë Tirana kryeqytet dhe përse Kongresi i Lushnjes nuk mori vendim
  • Shqiptarë – fjala hyjnore që na mban gjallë edhe nga larg
  • Mediat e huaja i kanë bërë jehonë protestës së tretë kombëtare të opozitës në Tiranë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT