• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

RUGOVA E SHNDËRROI DURIMIN STRATEGJIK NË MEKANIZËM SHTETFORMUES

January 19, 2026 by s p

Rumbullaksimi i çështjes së Kosovës kërkon rikthim substancial te doktrina e Rugovës: unitet të brendshëm pa përjashtime, dialog pa nënshtrim, paqe pa harresë dhe shtetësi pa kompromis mbi legjitimitetin. Vetëm duke u rikthyer te arkitekti moral i shtetit, Kosova mund ta mbyllë ciklin historik të saj dhe të sigurojë që shteti të mos mbetet formë juridike e zbrazët, por projekt i plotë politik, moral dhe ndërkombëtar.

Nga Prof.dr Skender ASANI

Koncepti shtetformues i Ibrahim Rugovës për Kosovën përbën një rast studimor të veçantë në teorinë bashkëkohore të ndërtimit të shtetit nën okupim dhe represion sistemik. Ai nuk ishte produkt i rrethanave të përkohshme, as i improvizimit politik, por rezultat i një vizioni të menduar me koherencë të brendshme, i ankoruar njëkohësisht në histori, moral politik dhe racionalitet ndërkombëtar. Rugova e konceptoi shtetin e Kosovës jo si produkt force, por si konstrukt legjitimiteti normativ, duke e ndërtuar atë si ide politike shumë përpara se të realizohej juridikisht. Në këtë kuptim, ai nuk ishte thjesht lider i rezistencës paqësore, por arkitekt i një modeli alternativ të shtetformimit në Evropën e pas Luftës së Ftohtë, në kundërshtim të drejtpërdrejtë me paradigmat dominante të dhunës në Ballkan.

Në kushtet e mohimit total të subjektivitetit politik të shqiptarëve dhe të represionit institucional serb, zgjedhja e rezistencës paqësore nuk ishte akt moralist apo shenjë dobësie politike, por strategji e ftohtë dhe e kalkuluar. Rugova e kuptonte asimetrinë e thellë të forcës dhe rrezikun e delegjitimimit ndërkombëtar të kauzës së Kosovës në rast të militarizimit të hershëm. Për këtë arsye, ai e shndërroi durimin strategjik në kapital politik dhe rezistencën civile në mekanizëm prodhimi të legjitimitetit. Institucionet paralele, zgjedhjet politike, referendumi për pavarësi dhe funksionimi simbolik i shtetit përbënin forma embrionale të sovranitetit, duke krijuar një realitet politik që ekzistonte përtej mungesës së njohjes formale.

Ky proces prodhoi një transformim thelbësor në perceptimin ndërkombëtar të Kosovës. Ajo nuk u shfaq më si hapësirë rebelimi etnik, por si shoqëri e organizuar, racionale dhe me aspiratë të qartë demokratike perëndimore. Pikërisht këtu qëndron themeli teorik i shtetit të Kosovës: jo në kontrollin territorial, por në legjitimitetin e ndërtuar gradualisht. Në doktrinën rugoviane, shteti u mendua dhe u ndërtua fillimisht si ide normative dhe projekt moral, përpara se të materializohej si entitet juridik.

Brenda kësaj arkitekture, Rugova inkorporoi me vetëdije diplomacinë simbolike si instrument të ndërkombëtarizimit. Dhurimi i kristaleve dhe gurëve nga nëntoka e Kosovës personaliteteve dhe burrështetasve ndërkombëtarë nuk ishte akt ceremonial apo folklorik, por gjest i kalkuluar politik. Këto objekte përfaqësonin territorialitetin historik të Kosovës dhe shndërronin pasurinë natyrore në gjuhë diplomatike. Përmes tyre, Kosova artikulohej si hapësirë me thellësi identitare dhe vazhdimësi historike, duke sfiduar drejtpërdrejt narrativën serbe të mohimit dhe përvetësimit.

Vizioni i Rugovës për pavarësinë mbështetej mbi tri shtylla strukturore: unitetin e brendshëm politik dhe shoqëror, legjitimitetin demokratik edhe në kushte okupimi dhe ndërkombëtarizimin sistematik të çështjes së Kosovës. Ai e identifikoi përçarjen e brendshme si rrezikun kryesor strategjik, sepse ajo e gërryen besueshmërinë e jashtme. Pa kohezion të brendshëm, shteti nuk mund të projektohet si partner i besueshëm në rendin ndërkombëtar.

Orientimi perëndimor, në doktrinën rugoviane, nuk ishte zgjedhje taktike apo aleancë e përkohshme, por identitet normativ dhe civilizues. Kjo u reflektua në ndërtimin e simbolikës shtetërore, veçanërisht në përdorimin e elementeve të identitetit dardan në stemën e Presidencës. Kjo simbolikë nuk synonte romantizëm historik, por ndërtimin e një narrative shtetërore që e vendoste Kosovën në vijimësinë evropiane para-moderne, si subjekt historik dhe jo si produkt i shpërbërjeve të fundit ballkanike. Në të njëjtën linjë, afirmimi i figurës së Pjetër Bogdanit përbënte zgjedhje strategjike kulturore, duke e lidhur identitetin kombëtar me traditën humaniste dhe intelektuale të Evropës.

Kulmi operacional i kësaj strategjie u materializua në Konferencën e Rambujesë. Qëndrimi i Rugovës atje nuk ishte kompromis i dobësisë, por akt i lartë racionaliteti politik. Rambujeja funksionoi si mekanizëm legjitimues për ndërhyrjen ndërkombëtare: Kosova u paraqit si palë konstruktive dhe e gatshme për paqe, ndërsa Serbia u ekspozua si faktor destabilizues. Pa këtë pozicionim, ndërhyrja e NATO-s do të ishte shumë më e vështirë të justifikohej juridikisht dhe moralisht.

Raporti i Rugovës me luftën dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës kërkon lexim të çliruar nga narrativat reduktuese. Ai nuk e mohonte rezistencën e armatosur si pasojë të represionit, por paralajmëronte për rrezikun e militarizimit të politikës dhe transformimit të dhunës në burim delegjitimimi. Për Rugovën, lufta mund të prodhonte presion, por vetëm diplomacia dhe legjitimiteti ndërkombëtar mund të prodhonin shtet. Historia e konfirmoi këtë tezë përmes ndërthurjes së rezistencës në terren me kapitalin politik të ndërtuar prej vitesh.

Boshti strategjik i këtij projekti ishte miqësia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Rugova e konceptonte Amerikën jo vetëm si fuqi ushtarake, por si garant të rendit liberal ndërkombëtar, ku shtetet e vogla mbrohen përmes ligjit, vlerave dhe aleancave afatgjata. Kjo miqësi u ndërtua mbi koherencë politike, maturi dhe refuzim të aventurizmit populist.

Në doktrinën rugoviane, dialogu me Serbinë nuk përfaqësonte akt teknik negocimi, por proces politik me dimension moral, juridik dhe ndërkombëtar. Bisedimet nuk mund të zhvillohen si menaxhim i konfliktit, por vetëm si mekanizëm për mbylljen përfundimtare të tij mbi bazën e legjitimitetit të fituar. Për Rugovën, dialogu ishte i mundur vetëm nëse ishte i zhveshur nga asimetria e imponimit dhe i ndërtuar mbi parimin e njohjes së realitetit politik të Kosovës si shtet. Normalizimi pa njohje përbën stabilizim të padrejtësisë, ndërsa dialogu pa barazi prodhon zgjidhje të përkohshme dhe të kthyeshme. Prandaj, zgjidhja përfundimtare e raportit Kosovë Serbi, në frymën rugoviane, nuk kalon përmes kompromiseve territoriale, autonomive etnike apo formulave kreative juridike, por përmes njohjes reciproke, pranimit të përgjegjësisë historike dhe integrimit të dy shteteve në rendin euro-atlantik mbi parime të qarta. Vetëm një marrëveshje e ndërtuar mbi legjitimitetin normativ, të garantuar ndërkombëtarisht dhe të pranuar nga shoqëritë përkatëse, mund ta mbyllë konfliktin si kapitull historik dhe jo ta mbajë atë të hapur si krizë të menaxhuar.

Pas vdekjes së Ibrahim Rugovës, termi “rugovist” u përdor gjerësisht në diskursin publik, por shpesh pa përmbajtje teorike. “Rugovizmi” u reduktua në etiketë nostalgjike ose ceremoniale, duke humbur dimensionin e tij si doktrinë shtetformuese. Në thelb, rugovizmi përfaqëson një koncept të shtetit si proces moral dhe politik afatgjatë, të ndërtuar mbi katër shtylla: legjitimitetin normativ, durimin strategjik, diplomacinë simbolike dhe orientimin e pakthyeshëm perëndimor. Pa këtë kuptim, përdorimi i termit mbetet i zbrazët dhe i instrumentalizueshëm.

Mungesa e vazhdimësisë konceptuale ka prodhuar një diskontinuitet strukturor ndërmjet trashëgimisë shtetformuese rugoviane dhe praktikës politike të pasluftës, duke krijuar një hendek me pasoja afatgjata për funksionalitetin e shtetit. Elitat politike, edhe kur e instrumentalizojnë referencën ndaj Rugovës si kapital simbolik, veprojnë shpesh në kundërshtim me logjikën e tij të legjitimitetit normativ dhe racionalitetit strategjik, duke relativizuar autoritetin institucional, duke zëvendësuar durimin politik me impulsivitet afatshkurtër dhe duke e reduktuar diplomacinë nga mekanizëm ndërtues në reagim reaktiv. Si rezultat, shteti i Kosovës ekziston dhe njihet juridikisht, por në sjelljen e tij politike vazhdon të manifestohet si një projekt i pambyllur, i ekspozuar ndaj erozionit të brendshëm dhe paqartësisë strategjike.

Arkitektura paqësore e Ibrahim Rugovës shfaqet jo vetëm si rrugë historike drejt pavarësisë, por si doktrinë e pazëvendësueshme për rumbullaksimin final të çështjes së Kosovës. Ky projekt shtetformues e ndërtoi Kosovën fillimisht si ide normative, si subjekt moral dhe si partner të besueshëm ndërkombëtar, përpara se ta shndërronte në realitet juridik. Çështja e Kosovës nuk përfundon me aktin e shpalljes së pavarësisë, as me njohje të pjesshme, por vetëm atëherë kur shteti funksionon me legjitimitet të brendshëm, koherencë institucionale dhe peshë të qëndrueshme në rendin ndërkombëtar. Çdo devijim nga logjika rugoviane e durimit strategjik, diplomacisë simbolike dhe orientimit perëndimor e rikthen shtetin në gjendje brishtësie politike dhe e ekspozon ndaj relativizimit ndërkombëtar. Prandaj, rumbullaksimi i çështjes së Kosovës kërkon rikthim substancial te doktrina e Rugovës: unitet të brendshëm pa përjashtime, dialog pa nënshtrim, paqe pa harresë dhe shtetësi pa kompromis mbi legjitimitetin. Vetëm duke u rikthyer te arkitekti moral i shtetit, Kosova mund ta mbyllë ciklin historik të saj dhe të sigurojë që shteti të mos mbetet formë juridike e zbrazët, por projekt i plotë politik, moral dhe ndërkombëtar.

Filed Under: Politike

VATRA, EMËR I SHENJTË, AMANET I BREZAVE, FLAKA QË NUK SHUHET KURRË…

January 18, 2026 by s p

Sokol Paja/

Massachusetts, 17 janar 2026 – Vatra Boston bashkoi shqiptarët në Massachusetts për në një festë atdhetare, kulturore e shpirtërore të ringritjes së Vatrës në Boston si histori, dinjitet, identitet e vlerë kombëtare e komunitare shqiptare. Moderatorja e eventit patriotik Dorjana Dhima pas hymneve kombëtare ftoi të pranishmit në një videoprezantim me arritjet dhe sukseset e Vatrës Boston përgjatë dy viteve, ngjarje që kanë bashkuar e promovuar shqiptarët në Boston.

Z.Mentor Maksutaj kryetari i degës së Vatrës në Boston në fjalën e mirëseardhjes u shpreh se kjo ditë nuk është thjeshtë një përvjetor në kalendar, por një dëshmi e gjallë e vazhdimësisë së një ideali, e përkushtimit ndaj identitetit tonë kombëtar dhe e dashurisë për atdheun, edhe larg tij.

“Vatra” ka qenë dhe mbetet një emër i shenjtë për shqiptarët në Amerikë. Ajo përfaqëson historinë, sakrificën dhe vizionin e patriotëve që, me penë dhe me vepra, hodhën themelet e vetëdijes sonë kombëtare, theksoi ndër të tjera z.Maksutaj. Rinisja e Vatrës në Boston, dy vite më parë, ishte një akt guximi, përgjegjësie dhe besimi në vlerat që na bashkojnë, u shpreh z.Maksutaj teksa shtoi se gjatë këtyre dy viteve, “Vatra” e Bostonit ka treguar se nuk është vetëm një organizatë me emër të madh, por një vatër e gjallë veprimtarie, dialogu dhe bashkimi. Është bërë një hapësirë ku gjuha shqipe, kultura, historia dhe traditat tona ruhen dhe përcillen te brezat e rinj. Vatra është bërë një urë lidhëse mes shqiptarëve këtu në SHBA dhe rrënjëve tona në trojet shqiptare, tha ndër të tjera z.Mentor Maksutaj. Përgjegjësia jonë nuk përfundon me ruajtjen e trashëgimisë, por vazhdon me ndërtimin e së ardhmes pasi të rinjtë tanë kanë nevojë për shembullin tonë, për unitetin tonë dhe për një “Vatër” të fortë, aktive dhe gjithëpërfshirëse.

Në këtë ditë të veçantë, dua të shpreh mirënjohjen më të thellë për të gjithë ata që kontribuan në rinisjen e “Vatrës”, për drejtuesit, anëtarët dhe vullnetarët që me punë të palodhur e kanë mbajtur gjallë këtë mision fisnik, u shpreh z.Maksutaj. Falë jush, “Vatra” nuk është vetëm histori – ajo është e tashme dhe e ardhme.

Le të shërbejë ky dyvjetor si një thirrje për më shumë bashkim, më shumë angazhim dhe më shumë besim në forcën tonë si komunitet. Le ta mbajmë “Vatrën” të ndezur, si simbol të unitetit, dinjitetit dhe krenarisë shqiptare, përfundoi fjalën përshëndetëse Z.Mentor Maksutaj.

Ai paraqiti gjithashtu për pjesëmarrësit dhe kalendarin e aktiviteteve për vitin 2026 si: prezantimi i Web faqes së degës vatraboston.com, festa e pavarësisë së Kosovës, aktiviteti kushtuar Faik Konicës, rritja e bursave e të studentëve, pikniku për komunitetin etj. Sekretari i Federatës Pan-shqiptare të Amerikës Vatra Dr.Pashko Camaj përshëndeti në emër të kryetarit Dr. Elmi Berisha e mbarë kryesisë, falënderoi Vatrën Boston për aktivitet cilësore dhe shembullin e mirë frymëzues për mbarë shqiptarët në Boston. Editori i Diellit Sokol Paja vlerësoi Vatrën Boston për punën patriotike, trashëgimin e vlerave kombëtare, angazhimin dhe dedikimin për çështjen shqiptare në mërgatën e Amerikës.

Z.Andrea Pani theksoi se Vatra është relike e jashtëzakonshme, amanet që duhet t’ua trashëgojmë brezave të rinj. Z. Endri Kume nga “Albanians Boston Community Center” u shpreh se Vatra është organizata patriotike më domethënëse për shqiptarët dhe bashkëpunuese në misionin e përbashkët për të mbështetur komunitetin shqiptar. Në përfundim të darkës festive u ndanë certifikata mirënjohje nga Vatra Boston si respekt e falenderim ndaj mbështetjes së aktiviteteve patriotike të Vatrës në Boston: Çunat e Bostonit(Artur Baçova, Ardi Baçova dhe Eno Kume), Minella Gjoka, AJB Transportation(Altin Brari), Jackson Street Automortive(Ziad Nabbout), OTR Limo/Maxi party bus(Artur Macorri), AR llc(Albert Maksutaj), Bocford house of pizza ne Boxford(Neviol Shukulli), Ellies Pizza ne Wakefield dhe Bevery(Xhulio Bleta dhe Albion Beciri), Giovanis Pizza në Saugus(Edison Shahini), Beksian Bella dhe Rei Bella (fotograf, video montazh, dj) dhe Henry Logistic(Ervin Çiflikun).

Vatra Boston falënderoi në ceremoninë festive edhe organizatat shqiptare ne Boston dhe institucionet fetare për bashkëpunimin e shoqatat e studenteve shqiptarë të Universitetit Harvard dhe Bently.

Një mbrëmje festive e pa harrueshme të një feste shqiptare në nderim të historisë së Vatrës dhe vlerësim të përpjekjeve patriotike të shqiptarëve në mërgatën e Bostonit.

Filed Under: Politike Tagged With: Sokol Paja

Kryezoti

January 17, 2026 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Në mesin e shekullit XV, në një kohë kur Evropa po hynte gradualisht në epokën e Rilindjes dhe kur rreth vitit 1450 Johannes Gutenberg shpiku shtypshkronjën me shkronja të lëvizshme, Kruja – kryeqyteti politik dhe simbolik i Shqipërisë së Gjergj Kastriot Skënderbeut – po përjetonte rrethimin e saj të parë nga ushtritë osmane, të udhëhequra nga Sulltan Murati II. Ishte një epokë trazirash, por edhe shpresash, kur fitoret e një princi ballkanik filluan të perceptoheshin në Evropë si shenjë rezistence dhe vullneti politik kundër zgjerimit osman.

Skënderbeu mbrojti me sukses Krujën kundër tre rrethimeve të mëdha osmane (1450, 1466, 1467), të organizuara nga Murati II dhe Mehmeti II, dy prej sulltanëve më të fuqishëm dhe më ambiciozë të kohës, të cilët komandonin një nga makineritë ushtarake më të forta të botës mesjetare. Megjithatë, Skënderbeu nuk ishte thjesht një komandant i shquar ushtarak. Ai përfaqësonte një figurë politike dhe kulturore që lidhej drejtpërdrejt me horizontin intelektual të Rilindjes Evropiane.

Veprimtaria e tij ushtarake kundër Perandorisë Osmane ishte njëkohësisht edhe veprimtari politike e kulturore. Në këtë kuptim, Skënderbeu shfaqet si një figurë që tejkalon kufijtë lokalë, duke u shndërruar në simbol të unitetit shpirtëror të Evropës, si në dimensionin perëndimor ashtu edhe në atë lindor. Rezistenca e tij kontribuoi në ripërcaktimin e konceptit të Evropës si hapësirë politike dhe kulturore, e ndërtuar mbi idenë e lirisë dhe mbrojtjes së krishterimit.

Ajo që e dalloi Skënderbeun nga shumë udhëheqës të tjerë ballkanikë ishte refuzimi i tij i palëkundur për kompromis me sulltanin. Ndryshe nga krerë të tjerë që kërkonin mbijetesë politike përmes manovrimit diplomatik, Skënderbeu synonte në mënyrë të qartë çlirimin dhe fundin e sundimit osman në Evropë. Ky synim shpjegon këmbënguljen e tij dhe karakterin e pakompromis të kryengritjes shqiptare, e cila me kalimin e kohës u shndërrua në një referencë themelore të historisë evropiane të rezistencës.

Figura e Skënderbeut u rimishërua nga mendimi evropian i shekujve XV–XVI si një hero humanist dhe udhëheqës ideal, duke shërbyer si projektim simbolik i një Evrope të bashkuar kundër rrezikut osman. Dimensioni i jashtëzakonshëm që ai i dha rezistencës antiosmane e bëri atë jo vetëm një model frymëzimi për historinë e mëvonshme shqiptare, por edhe një burim të pashtershëm për letërsinë, artin dhe muzikën evropiane për më shumë se pesë shekuj.

Historia e parë e plotë e Skënderbeut u shkrua në latinisht nga Marin Barleti, prift dhe humanist nga Shkodra, në vitet 1508–1510. Vepra “Historia de vita et gestis Scanderbegi Epirotarum principis” u botua fillimisht në Romë dhe u ribotua e përkthye gjerësisht në gjuhët kryesore evropiane, duke ndikuar fuqishëm në formësimin e mitit evropian të Skënderbeut.

Gjatë shekujve XVI–XVIII, figura e tij u përfshi në sonete, poema epike, romane dhe drama nga autorë italianë, francezë, gjermanë dhe anglezë, duke u krahasuar shpesh me heronjtë e antikitetit klasik. Kjo traditë letrare dëshmon për shndërrimin e Skënderbeut në një simbol pan-evropian të rezistencës dhe lirisë.

Figura e tij vazhdoi të mbetej një burim frymëzimi edhe në kujtesën politike evropiane. Në kulmin e fuqisë osmane, gjatë shekullit XVI, Skënderbeu përmendej si shembull historik i rezistencës së suksesshme kundër Perandorisë Osmane, duke frymëzuar jo vetëm intelektualët, por edhe monarkët dhe udhëheqësit politikë të Evropës.

Për shqiptarët, Skënderbeu u shndërrua në shtyllë të kujtesës historike dhe të identitetit kombëtar. Gjatë Rilindjes Kombëtare Shqiptare, figura e tij u përdor gjerësisht si mjet mobilizues dhe simbol i aspiratës për pavarësi. Ai nuk mbeti një figurë formale, por u ngulit thellë në ndërgjegjen kolektive të popullit shqiptar. Sot, emri dhe figura e Gjergj Kastriot Skënderbeut janë të pranishme në sheshe, rrugë, monumente dhe vepra arti në mbarë botën, si dëshmi e një trashëgimie që tejkalon kufijtë kombëtarë.

Filed Under: Politike

Ismail Qemali, 16 janar 1844 – 24 janar 1919

January 16, 2026 by s p

Udhëheqës i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, themelues i shtetit shqiptar. Lindi në Vlorë më 16 Janar 1844 në një nga familjet më të mëdha të Shqipërisë së Jugut. Pasi kreu shkollën fillore në vendlindje, vijoi studimet në shkollën plotore turke në Selanik, ku ishte internuar familja e tij dhe më pas kreu gjimnazin “Zosimea” në Janinë. Në vitin 1860 punoi si përkthyes pranë zyrës së përkthimit të Portës së Lartë. Nga vitet 1862-1864 shërbeu në administratën vendore në Janinë e më pas u transferua në Tërhallë, e përsëri në Stamboll. Ai mori pjesë, së bashku me Jani Vreton, Hoxhë Tahsinin, Kostandin Kristoforidhin, Pashko Vasën e Sami Frashërin, në mbjedhjen e parë për caktimin e alfabetit të shqipes dhe për formimin e një shoqërie kulturore shqiptare.

Ismail Qemali pati në vijim një varg detyrash të larta në administratën turke si: kryesekretar i Ministrisë së Punëve të Jashtme në Stamboll, mytesarif i Varnës (Bullgari), guvernator i Danubit të Poshtëm (Tulxhë-Bullgari) etj. Më 1877 Porta e Lartë e akuzoi si kundërshtar të politikës së Sulltan Abdyl Hamitit II dhe përkrahës të pikëpamjeve liberale të Mithat Pashës (funskionar i lartë i Perandorisë, reformator, opozitar). Me këto akuza Porta e Lartë e dënoi me 7 vjet internim në qytetet Kytahja, Eskishehir dhe Bursa në Anadoll. U lirua më 1884 dhe u emërua si mytesarif i sanxhakut të Galiopolit dhe guvernator i Vilajejtit të Tripolit Libi. Më 1900 për t’u shpëtuar ndjekjeve të sulltanit, u arratis nga Turqia dhe i dorëzoi dorëheqjen sulltanit, duke e motivuar largimin e tij nga Stambolli, se në këtë mënyrë do t’i shprehte më mire idetë e tij dhe do t’i kushtonte kujdesin e duhur çështjes shqiptare.

U aktivizua në lëvizjen patriotike shqiptare, mori pjesë në përpjekjet për caktimin e një alfabeti të përbashkët të gjuhës shqipe dhe për formimin e një shoqërie kulturore shqiptare. Ismail Qemali zhvilloi gjithashtu veprimtari të ngjeshur politike në Europë për njohjen e kombit dhe të të drejtave të tij. Mori pjesë në lëvizjen xhonturke, në krahun përparimtar të saj, që ishte për njohjen e e të drejtave të kombeve të Perandorisë, por u hodh kundër Xhonturqve, kur këta morën pushtetin dhe vendosën diktaturën ushtarake. Më 1909 mori pjesë në kundërrevolucionin kundër Xhonturqve dhe u zgjodh kryetar i Partisë Liberale (Ahrar). U dallua si frymëzues dhe organizator i kryengritjes kundërosmane të viteve 1910-1912. Së bashku me Luigj Gurakuqin e patriotë të tjerë hartoi Memorandiumin e Greçës të qershorit 1911 dhe në fund të atij viti mori nismën për organizimin e Kryengritjes së Përgjithshme të vitit 1912. Më 19 nëntor 1912 njoftoi bashkëatdhetarët se do të mblidhej në Shqipëri një Kuvend Kombëtar. Në këtë kuvend, që u mblodh nën kryesinë e tij më 28 nëntor 1912 lexoi deklaratën e shpalljes së Pavarësisë të Shqipërisë dhe ngriti flamurin kombëtar. Pas kësaj u caktua kryetar i Qeverisë së Përkohshme dhe minister i Punëve të Jashtme.

Në politikën e tij të jashtme Ismail Qemali u bë i papajtueshëm ndaj çdo cënimi të pavarësisë e të sovranitetit kombëtar. Pavarësisht kushteve të vështira të brendshme e të jashtme, qeveria e kryesuar nga Ismail Qemali mori një varg masash për organizimin dhe ndërtimin e shtetit të pavarur. Ismail Qemali u tregua burrë shteti dhe diplomat largpamës, mbrojti me vendosmëri shtetin e pavarur shqiptar. Por Fuqitë e Mëdha nuk e njohën Qeverinë e tij. Vitet e fundit të jetës i kaloi në mërgim duke punuar për zgjidhjen e drejtë të çështjes kombëtare dhe krijimit të shtetit shqiptar ku të përfshiheshin të gjitha trojet e tij.

Ismail Qemali vdiq në Peruxhia më 24 janar 1919.

Instituti Lumo Skendo

Filed Under: Politike

Arsyet e vërteta pse ngriu procesi i vizave emigruese për në Amerikë për shqiptarët!

January 15, 2026 by s p

Hasan Metuku/

Shqiptarëve u vidhen paratë e buxhetit të shtetit, pensioneve, ndihmës mjekësore dhe shkollimit, ata varfërohen, nuk kanë siguri për jetën dhe pronën, dhe detyrohen të marrin rrugët e vështira të emigrimit për një jetë më të mirë.

Shumica janë të rinj që largohen, por dhe të moshuar të varfër që u bashkohen fëmijëve këtu në Amerikë nëpërmjet vizës emigruese. Ardhja e tyre në Amerikë, apo vende të tjera, pra bëhet e detyruar kryesisht nga varfëria e pasiguria, të përzënë nga vendi i tyre dhe nga qeveria e tyre.

Ata nuk kanë mjetet financiare për të mbështetur veten në vendet ku emigrojnë pa u mbështetur në ndihmën e qeverisë. Prandaj shqiptarët regjistrohen në masë e marrin ndihma nga fondet publike në Amerikë apo gjetkë. Në Amerikë, sipas statistikave të administratës Trump, 46% e shqiptarëve marrin përfitime nga fondet publike? Pra, një në dy shqiptarë marrin ndihma nga shteti. Pse? Sepse janë të varfër!

Prandaj, Departamenti i Shtetit e përfshiu Shqipërinë e shqiptarët në listën e vendeve më të varfra të Globit, për të cilat pezullohet procesi i vizave emigruese deri në një rishikim të plotë të politikave dhe rregullave për këtë proces dhe për këto vende.

Shqipëria, vend anëtar i NATO-s, shqiptarët pro-amerikanë, të listohen me Sierra-Leonen e Sirinë, që ka 15 vjet në luftë?! Ky është një turp i madh që bie mbi Narko-Qeverinë që zhvat shqiptarët! Qeveri me dy Zëvendëskryeministra nën hetim për vjedhje e korrupsion! Ndërkohë, Rama që u bën karshillëk amerikanëve me kinezërira!

Shqiptarët nuk e meritojnë këtë qeveri që i vjedh, i varfëron, i debon dhe i gënjen! Departamenti i Shtetit foli qartë se janë “non grata”, nuk mirëpriten dhe nuk do të lejohen të përfitojnë nga taksapaguesit amerikanë, qofshin këta edhe familjarë apo të afërm të qytetarëve amerikanë.

Narko-shteti proklamon integrim në “Groenlandë” në 2030! Për sa kohë që shqiptarët do të mbajnë në krye Narko-Qeveri, ata do të vazhdojnë të varfërohen dhe largohen dhe rreshtohen në njerëz e popuj të varfër që kërkojnë lëmoshë kudo që të shkojnë, bashkë me sirianët dhe afrikanë të varfër.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • …
  • 670
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • ELIOT ENGEL – NJË MIK I PAHARRUAR I SHQIPTARËVE DHE ZË I LIRISË DHE DREJTËSISË PËR KOSOVËN
  • REALIZIMI I TË DREJTAVE GJUHËSORE SHQIPTARE (1924–2026): ARTIKULIMI QYTETAR DHE DIPLOMACIA
  • BOOKFEST NË CHICAGO
  • “Brenga”, trinomi filozofik nga rrëfimi historik tek drama morale
  • Vatra Boston mbështet ekspozitën e kostumeve tradicionale shqiptare
  • Në kujtim të 160 civilëve shqiptarë – viktima të gjenocidit shtetëror të Serbisë fashsite!
  • PERSONALITETE TË MËRGATËS SHQIPTARE NË MICHIGAN VIZITUAN KISHËN ORTODOKSE SHQIPTARE TË SHËN THOMAIT
  • VATRA CHICAGO ORGANIZOI “ALBANIAN BOOKFEST 2026”
  • U FESTUA NË NEW YORK 115 VJETORI I KRYENGRITJES SË MALËSISË
  • ROLI I KONTIT LEOPOLD BERCHTOLD NË ÇËSHTJEN SHQIPTARE
  • Pashk Përvathi, poeti i peizazhit, virtuozi i ngjyrave të thella dhe dritës së vezullimtë të natyrës
  • Hormuzi – “Çil e mbyll”
  • Repertori i Mjeshtrit të Këngës Hajro Ceka bashkon Kombin
  • Vetëdija jonë kombëtare…
  • Kontributi për kulturën arbëreshe – thesar edhe për brezat që vijnë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT