
Avni Alcani/
Ka qenë viti 1979 kur u takova për herë të parë me prof. Mark Tirtën. Sapo ishte përuruar Muzeu i ri Etnografik i Librazhdit dhe, në nëntor të atij viti, ndër vizitorët e parë dhe më të rëndësishëm të tij ishte një grup etnografësh dhe studiuesish të ish-Institutit të Kulturës Popullore: Spiro Shkurti, Ali Muka dhe Mark Tirta. Ata shoqëroheshin nga Fari Muçollari, atëherë shef i Seksionit të Arsimit dhe Kulturës në rrethin e Librazhdit.
Pas vizitës në muze, u ulëm në zyrën e drejtorit, prof. Ilir Gjipalit, dhe zhvilluam një bisedë të këndshme me këta studiues të shquar. Pas urimeve për muzeun e sapopëruruar, biseda rodhi natyrshëm drejt pasurive të mëdha etnografike që ruante treva e Librazhdit dhe nevojës që ato të kalonin në një stad tjetër, më të rëndësishëm: në studimin dhe dokumentimin shkencor të tyre.
Profesor Tirta kishte ardhur në Librazhd me një projekt të rëndësishëm për studimin e veshjeve tradicionale të rrethit, në kuadër të përgatitjes së Albumit të veshjeve popullore shqiptare.
Nuk vonoi shumë dhe, në fillim të vitit 1980, prof. Marku u paraqit përsëri në muze me projektin e tij. Më ftoi t’i bashkohesha këtij projekti dhe ta shoqëroja në ekspeditat që do të zhvillonte në fshatrat e Librazhdit.
Ekspeditat tona vijuan për dy vite radhazi, gjatë viteve 1980–1981. I përshkuam kryq e tërthor fshatrat e rrethit të Librazhdit; nuk lamë thuajse asnjë fshat pa vizituar: nga Çermenika, në luginën e Shkumbinit, në Rrajcë dhe fushën e Domosdovës, në Stravaj, Sopot e deri në Polis.
Natyrisht, gjatë këtyre udhëtimeve nuk munguan edhe episodet e veçanta, disa prej të cilave mbetën gjatë në kujtesën tonë. Një prej tyre ishte ai në fshatin Kostenjë, ku makina jonë u bllokua në një përrua. Ishte natë dhe na u desh ndihma e fshatarëve për ta nxjerrë prej andej. Prof. Marku nuk e harroi kurrë këtë incident dhe e rikujtonte shpesh në bisedat me miqtë tanë.
Ekspeditat dhe përvoja e punës me prof. Markun ishin për mua një shkollë e madhe. Ai ishte një metodist i jashtëzakonshëm, mjeshtër i mbledhjes së materialit në terren dhe një njohës e studiues erudit i kulturës popullore shqiptare. Prej tij mësova, mbi të gjitha, si mblidhej materiali në terren, si përzgjidhej, si klasifikohej dhe si verifikohej. Dy nga mësimet më të rëndësishme që mora prej tij kanë mbetur të paharruara për mua: Së pari, një material, për të qenë sa më i besueshëm, duhej verifikuar në më shumë se dy-tri burime. Së dyti, kurrë nuk duhej shkruar për një objekt apo dukuri pa e verifikuar më parë në terren, sepse, herët a vonë, e vërteta do të dilte në dritë dhe materiali i paverifikuar do të rrëzohej. Këto parime, që m’i mësoi prof. Marku në vitet e para të punës sime, kanë qenë për mua një udhërrëfyes i çmuar gjatë gjithë veprimtarisë sime studimore.
Në vitin 1982 organizuam në Muzeun Etnografik të Librazhdit Sesionin e parë shkencor, në bashkëpunim me Institutin e Kulturës Popullore dhe Qendrën e Kërkimeve Arkeologjike. Në të morën pjesë studiues të njohur të albanologjisë, ndër ta akademike prof. dr. Andromaqi Gjergji, prof. dr. Spiro Shkurti, prof. dr. Mark Tirta, prof. dr. Ali Muka, antropologu prof. dr. Aleksandër Dhima, si dhe dy arkeologët: prof. dr. Ilir Gjipali dhe dr. Aristotel Koka.
Prof. Marku mbajti kumtesën “Veshjet tradicionale – vlera etnografike të rëndësishme të kulturës popullore shqiptare”, botuar më pas në Almanakun “Librazhdi”. Në vitin 1983 i rinisëm përsëri ekspeditat në terren, këtë herë për fotografimin dhe dokumentimin e veshjeve popullore për albumin “Veshjet popullore shqiptare”, vëllimi II (Tiranë, 2001).
Po në vitin 1983 i dërgova revistës “Etnografia shqiptare”, pranë Institutit të Kulturës Popullore, një material kushtuar rabushëve të Polisit. Redaksia e revistës më thirri në Tiranë dhe më njoftoi se materiali ishte pranuar, por duhej zgjeruar dhe trajtuar mbi baza më të plota shkencore. Në atë kohë isha ende i papërvojë. Redaksia kishte caktuar si mentorin tim prof. Markun, siç më thanë, jo vetëm sepse ai ishte një nga njohësit më të mirë të trevave të Librazhdit, por edhe sepse tashmë ne ishim bërë miq, gjë që ishte e njohur për të gjithë. Që atë ditë kalova në zyrën e prof. Markut dhe, së bashku, hartuam projektin për zgjerimin dhe thellimin e materialit. “Duhet të kthehesh përsëri në Polis dhe të takosh sa më shumë barinj të vjetër të kësaj treve”, ishte porosia e tij. Kjo ishte një tjetër leksion i madh për mua: një studiues nuk duhet të mjaftohet me atë që ka mbledhur një herë, por duhet të rikthehet në terren, të kërkojë dëshmi të reja, t’i krahasojë dhe t’i verifikojë ato.
Gjatë viteve që qëndrova në Librazhd, nuk i shkëputa asnjëherë lidhjet me prof. Markun. Ato u forcuan edhe më shumë pas ardhjes sime në Tiranë, në vitin 1986.
Në fillim të viteve 2010, së bashku me ish-bashkëpunëtorin tim F. Fixha, filluam punën përgatitore për librin “Zana dhe Dita e Verës në Çermenikë”. Pasi e përfunduam dorëshkrimin, iu drejtuam prof. Markut, të cilit, si një nga specialistët më të shquar të mitologjisë shqiptare, i kërkuam të ishte konsulent shkencor i librit. Gjithashtu i kërkuam të shkruante edhe parathënien. Ai e pranoi me kënaqësi, pavarësisht angazhimeve të shumta që kishte. Ndihma e tij ishte e jashtëzakonshme. Gjatë gjithë punës ai na sugjeronte, na korrigjonte dhe na inkurajonte, me synimin që libri të dilte sa më i plotë, korrekt nga pikëpamja gjuhësore dhe i mbështetur shkencërisht. Më duhet të them se, në një masë të rëndësishme, falë ndihmës së tij u arrit që ky libër të merrte formën që ka sot. Mund ta them pa modesti se ai mbetet një nga punimet më të rëndësishme që kemi realizuar për një figurë të mitologjisë popullore shqiptare, Zanën e Çermenikës.
Në vitin 2020, së bashku me studiuesin çermenikas z. Agim Qoku, nisëm një studim kushtuar gurëve megalitikë të varrezave hebraike të fshatit Shmil. Edhe këtë herë kërkuam ndihmën dhe asistencën e profesor Markut, si një nga njohësit më të mirë të kësaj fushe. Ai na dha një ndihmë të çmuar dhe na inkurajoi në punën tonë, duke vlerësuar se objekti që kishim marrë në studim ofronte mundësi për një trajtim të mirëfilltë shkencor. Pas përfundimit të studimit, materialin e paraqitëm në Konferencën e Dytë Shkencore, të organizuar nga Akademia e Studimeve Albanologjike, Bashkia e Librazhdit dhe Shoqata Kulturore “Çermenika 2017”, e cila u zhvillua në qytetin e Librazhdit në vitin 2021.
Një pjesë e rëndësishme e veprimtarisë shkencore të akademikut prof. dr. Mark Tirta lidhet me trevat e Librazhdit. Për këto treva ai ka botuar disa studime dhe shkrime me vlerë, ndër të cilat: “Veshjet tradicionale – vlera etnografike të rëndësishme të kulturës popullore shqiptare”, Almanaku “Librazhdi”, 1985; “Veshjet popullore në rrethin e Librazhdit”, në albumin “Veshjet popullore shqiptare”, vëllimi II, 2001; “Veshjet e Çermenikës – veshjet e grave dhe veshjet e burrave”, gazeta “Çermenika”, nr. 6, 2003; Parathënia e librit “Zana dhe Dita e Verës në Çermenikë”, Tiranë, 2015; Eseja për librin “Zana dhe Dita e Verës në Çermenikë”, gazeta “Zana e Çermenikës”, nr. 4, Tiranë, 2018, si dhe fjala përshëndetëse në përurimin e librit “Zana dhe Dita e Verës në Çermenikë”, me titullin domethënës: “Pa ditur të kaluarën, nuk mund të dimë të tashmen”.
Për mua, Mark Tirta nuk ishte vetëm një profesor i shquar, një etnograf dhe studiues i madh i kulturës shqiptare. Ai ishte mentori im, njeriu që më mësoi se dashuria për kulturën dhe traditën duhet të shoqërohet gjithmonë me përkushtimin ndaj së vërtetës, me kërkimin në terren dhe me rigorozitetin shkencor. Por, përtej dijes dhe autoritetit të tij shkencor, unë do ta kujtoj Mark Tirtën edhe për thjeshtësinë, mirësinë dhe gatishmërinë e tij për t’u dhënë dorën studiuesve të rinj. Ai dinte të inkurajonte, të këshillonte dhe, mbi të gjitha, të frymëzonte.
Vitet kaluan, por kujtimet e atyre ekspeditave nëpër fshatrat e Librazhdit, bisedat në zyrën e muzeut, udhëtimet tona nëpër Çermenikë, Polis, Rrajcë, Stravaj e Sopot dhe mësimet që mora prej tij do të mbeten gjithmonë të gjalla në kujtesën time.
Puna dhe vepra e profesor Markut do të mbeten gjatë në kujtesën e studiuesve dhe të atyre që e duan kulturën shqiptare. Për mua, ai do të mbetet gjithmonë një nga njerëzit që ndikuan më shumë në formimin tim si studiues dhe në dashurinë time për trashëgiminë e pasur etnokulturore të trevës së Librazhdit.