
Prof. Asoc. Dr. Rovena Vata Mikeli/
Romani Kënga shqiptare përfaqëson një nga veprat më komplekse të letërsisë shqipe në raport me transformimin artistik të traditës gojore, ku elementet e folklorit nuk funksionojnë si materiale me karakter etnografik, por integrohen në strukturën e rrëfimit si pjesë përbërëse e poetikës narrative. Kënga popullore, legjenda, miti, proverbi, frazeologjia, besimet popullore, ritualet, simbolika numerike dhe organizimi kronotopik i hapësirës krijojnë një sistem të ndërthurur referencash kulturore, që vendos romanin në dialog të vazhdueshëm me traditën orale shqiptare.
Në prozën e Kasëm Trebeshinës, oraliteti nuk kufizohet në praninë e motiveve folklorike, por shndërrohet në një kategori themelore të organizimit estetik të tekstit. Elementet e traditës gojore nuk janë të fshehura në strukturën narrative, por paraqiten në mënyrë të vetëdijshme, duke dëshmuar zgjedhjen poetike të autorit për ta vendosur kujtesën kulturore në qendër të universit romanesk. Kjo prani e dukshme e oralitetit e dallon Trebeshinën nga modelet e folklorizimit sipërfaqësor, pasi materiali folklorik nuk riprodhohet në mënyrë dokumentare, por i nënshtrohet një procesi të vazhdueshëm transformimi estetik.
Në këtë aspekt, Trebeshina lidhet me traditën e autorëve, si: Ernest Koliqi, Mitrush Kuteli, Martin Camaj dhe Anton Pashku, të cilët e kanë përdorur oralitetin si burim të poetikës së tyre. Megjithatë, romani Kënga shqiptare shfaq një nivel të veçantë të integrimit të traditës gojore, pasi ajo nuk shfaqet vetëm në nivel motivor, por organizon strukturën narrative, karakterizimin e personazheve, ndërtimin e hapësirës artistike dhe ritmin e ligjërimit. Përmes këtij transformimi, folklori humbet funksionin e tij dokumentues dhe fiton statusin e një sistemi estetik. Këngët popullore, mitet, legjendat, proverbat dhe ritualet nuk përdoren për të rikrijuar atmosferën e së kaluarës, por për të ndërtuar një univers letrar, ku memoria kolektive ndërthuret vazhdimisht me përvojën individuale të personazheve. Si rrjedhojë, oraliteti funksionon si një mekanizëm intertekstual që organizon marrëdhënien ndërmjet traditës dhe modernitetit, ndërmjet kulturës popullore dhe romanit bashkëkohor.
Ky proces është veçanërisht i dukshëm në mënyrën se si Trebeshina e ndërton identitetin kulturor të personazheve. Gjuha, mënyra e rrëfimit, ritualet, besimet dhe format tradicionale të komunikimit nuk shërbejnë vetëm për karakterizimin individual, por bëhen shenja të përkatësisë së tyre ndaj një universi kulturor të përbashkët. Në këtë mënyrë, oraliteti nuk është vetëm objekt përfaqësimi, por një parim organizues që strukturon të gjithë sistemin narrativ të romanit.
Një nga manifestimet më të rëndësishme të oralitetit në romanin Kënga shqiptare është prania e këngës popullore si një strukturë tekstuale me funksion të shumëfishtë estetik dhe simbolik. Trebeshina e vendos këngën në një pozicion qendror që në hapjen e romanit, duke e filluar veprën me “Këngë popullore”. Ky akt kompozicional nuk përfaqëson vetëm një zgjedhje stilistike, por shpreh një vetëdije të qartë autoriale mbi rolin e traditës gojore në ndërtimin e identitetit të tekstit.
Kënga popullore, në roman, nuk funksionon si një ndërhyrje e jashtme folklorike, por si një tekst brenda tekstit, pra si një formë intertekstuale që bashkëjeton me diskursin letrar. Ajo bart kujtesën historike të komunitetit, përvojat emocionale të individëve dhe normat morale të shoqërisë tradicionale. Nëpërmjet këngës, personazhet shprehin atë që shpesh nuk mund të artikulohet në ligjërimin e drejtpërdrejtë: dashurinë, dhimbjen, humbjen, mallin dhe konfliktin e brendshëm. Vetë Trebeshina e ka pranuar rolin formues të këngës popullore në formimin e tij artistik, duke e cilësuar këngën e vendlindjes si një “shkollë të madhe”.
Ky pohim tregon se raporti i autorit me folklorin nuk është rastësor, por përbën një komponent themelor të formimit të tij estetik. Kënga popullore është një nga burimet prej të cilave ai përvetëson jo vetëm motive dhe tema, por edhe mënyra të organizimit të rrëfimit, ritmin e ligjërimit dhe strukturat simbolike. Përveç këngës popullore, një tjetër shtresë e rëndësishme e oralitetit në roman është prania e modeleve mitike dhe legjendare. Që në pjesët hyrëse të veprës, mënyra e organizimit të rrëfimit krijon afërsi me strukturat e përrallës dhe të legjendës. Historia e familjes, prejardhja e saj dhe rrëfimet mbi të kaluarën marrin një dimension që tejkalon kronikën historike dhe afrohen me logjikën e rrëfimit tradicional.
Një tjetër element i rëndësishëm i oralitetit në roman është përdorimi i dendur i fjalëve të urta, shprehjeve frazeologjike dhe formulimeve aforistike. Këto njësi gjuhësore përfaqësojnë një nga format më të konsoliduara të kujtesës kolektive, pasi ato përmbledhin përvoja të gjata shoqërore në forma të shkurtra dhe të ngjeshura.
Oraliteti në Kënga shqiptare shfaqet jo vetëm në nivelin e motiveve dhe të njësive gjuhësore, por edhe në mënyrën e organizimit të rrëfimit. Narracioni shpesh ruan karakteristikat e tregimit gojor: ndërprerjet, komentet e narratorit, rikthimet retrospektive dhe krijimi i një marrëdhënieje të drejtpërdrejtë me marrësin e rrëfimit.
Ky organizim i ligjërimit krijon iluzionin e një akti të drejtpërdrejtë rrëfimi, sikur historia po transmetohet nga një tregues përpara një dëgjuesi. Kjo karakteristikë e afron romanin me logjikën performative të oralitetit, ku kuptimi nuk ndërtohet vetëm nga përmbajtja e rrëfimit, por edhe nga mënyra e transmetimit të tij.
Në këtë mënyrë, Trebeshina nuk e kufizon ndikimin e traditës orale vetëm në nivelin tematik, por e përfshin atë edhe në strukturën formale të romanit. Oraliteti bëhet pjesë e mënyrës së rrëfimit dhe kontribuon në krijimin e një zëri narrativ të veçantë, ku ndërthuren kujtesa kolektive, përvoja individuale dhe vetëdija autoriale.
Foto: Tirana Times